• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MELANKOLIA QË RRJEDH E S’TRETET

October 10, 2025 by s p

Dr. DURIM ÇAÇA/

Lexim i “Melankolia e qëndresës”, roman distopik nga Lazlo Kraznahorkai

Beteja e përfytyrimit është në kulmin e vet: një luftë e pamëshirshme kundërvë rrëfimin ndaj rrëfimit, trillimin ndaj trillimit, – vë re Alen Finkielkraut, eseisti i njohur francez,- ngaqë veprimtaria jonë  fantaziste nuk  njeh ndërprerje, sepse dhe pengesa kryesore që ngrihet mes nesh dhe botës, madje, mes nesh dhe vetes sonë, është e llojit romanesk. Velloja e hedhur mbi gjërat ashtu si dhe zbulimi i tyre ka një thurje prej rrëfimi. Kjo, për shkak se, -duke ndërmendur Kunderën,- arti është kthjellim i qenies dhe narrativa e tij është një kthjelltësi verbuese e melodramës universale  dhe e manikeizmit (”heretizmit”) të saj moral… Siç ndodh dhe me këtë  fantazmagori sureale, (por që nuk ka asgjë në të që nuk është përfundimisht realiste) të kësaj proze magjepsëse që po kundrojmë, të një sage antiheroike  e të entropisë, (gjendjeje çregullimi, pasigurie e kaosi)  të mjeshtrit të shquar bashkëkohor hungarez të letraritetit, Lazlo Kraznahorkai që, (me fiksionin e vet të shndërruar në një eksplorim global, shpesh metafizik, të rrugëve të arratisjes, në brendësi të njeriut e të shoqërisë, përmes angazhimit me artin, sublimen etj. deri në çmenduri të personazheve të tij, që shpërfaqin, në mënyrë obsesive, ndjenjën e tyre të të qenit të hedhur në një univers të thyer, teksa lëvizin për të hapur rrugë të tjera jete), dhe pse me një  stil të vështirë  të tij të një tonaliteti të errët distopik (pasqyrimi të një dehumanizimi të shoqërisë), si të një përralle cinike, krijon me “Melankolia e qëndresës”, një vepër të habitshme, kompakte, të fuqishme, intensive, (me fjali të gjata pabesueshmërisht, “të pafundme”, ekstatike dhe, çuditërisht, (për leximin estetik), shumë imponuese dhe tepër tërheqëse, – krijon “këtë rrjedhë të ngadaltë llave të rrëfimit, këtë lumë të madh të zi, – sipas “The Guardian”,, – që  e ngre lexuesin në hapa të mëdhenj hënorë”. 

         Rrëfimi i makthit social…

… me një madhështi epike postmoderniste, në romanin në fjalë, projektohet përmes qëndresës tragjikomike të katër personazheve-protagonistë: Së pari, të gruas së ve dhe në moshë znj. Pflaum, me të cilën nis “Melankolia e qëndresës” që, për t’u mbrojtur nga bota e pasigurtë dhe njerëzit harbutë, (madje, teksa ka shpëtuar nga rreziku i një përdhunimi prej një një maniaku seksual në tren gjatë kthimit nga një vizitë te motra e saj), duke ecur  në errësirë, me frikën në zemër, ndien se fatkeqësia mund të godasë në çdo moment, nëpër  rrugët pa dritë të qytetit të saj të vogël,  për të mbërritur në shtëpinë e vet, (ku do të ndihet e qetë në jetën e mbyllur shtëpiake me kujdesin për lulet dhe përgatitjen e kompostove të frutave): ““Sa ka vallë që më shikon kështu?, kjo pyetje ia ngriu gjakun zonjës Pflaum; gjasa që ata sy të paturpshëm “t’i qenë gozhduar” qysh prej nisjes e bënte dhe më të tmerrshëm atë vështrim, domethënien e të cilit e kishte kapur vetëtimthi, kur iu kryqëzua me të sajin; ata sy kullonin “një dëshirë të neveritshme trupore”, të përzier, “për më tepër” me njëfarë përçmimi të ftohtë. Pa iu dukur vetja grua “ me të vërtetë” e moshuar e dinte shumë mirë se e kishte kapërcyer kufirin e viteve, kur një e këtillë vëmendje, më së paku, e pacipë, t’i dukej e natyrshme, ndaj dhe, përveç krupës që po i shkaktonte burri përballë (sepse, “kush është ai kafshë që mund të ndiej epsh për femrat e shkuara në moshë?”), mendoi me tmerr se ai horr i bërë xurxull nuk kishte tjetër synim, veçse ta fyente, ta tallte, ta poshtëronte, para se ta flakte tej “si leckë”…Mbaroi, kjo qe, nuk ke pse trembesh më”, ishte, megjithatë, e bindur se, po ta humbiste sadopak përqëndrimin a vigjilencën duke e lëshuar veten mbi ndenjëse, rrezikonte të zihej në befasi; sepse, në atë vagon, përveç disa pasagjerëve që vazhdonin udhëtimin, kishte zënë vend edhe një  çetë e re “zuzarësh të dyshimtë”, po aq të tmerrshëm sa të mëparshmit… Arriti, hodhi një vështrim rreth e rrotull, pastaj hapi portën dhe e mbylli nxitimthi mbrapa vetes, i kyçi të dyja bravat dhe vuri zinxhirin e sigurimit; i kishte lënë shëndetin tashmë kësaj bote…”O Ati im që je në qiell, erdha në shtëpi“”. Me dekompozimin dhe kalbjen e trupit të saj në varr, dhënë si proces shpërbërjeje patologjike të organeve,  në elementët fillestarë kimikë, (“shpërbërë në karbon, hidrogjen, azot dhe squfur, indet e saj të hollë, të këputur, të rrëgjuar, të bjerrë që i gëlltiti një Gjyq,“Gjyqi i fundit”, jashtëzakonisht i largët”…), paraqitur dhe në këtë finale të trishtë e ironike, si në të gjithë teksturën rrëfimore, me një “realitet të përimtësuar deri në pikën e çmendurisë”, (pas përdhunimit dhe vrasjes nga banditët  që grabisin, terrorizojnë dhe i vënë flakën qytetit provincial), me të cilën mbyllet, si me një epilog përshpirtjeje, (me ankthin e pasigurisë dhe të frikës të së cilës nis), vepra romanore në fjalë.

        Protagonisti i dytë, i qëndresës, rezistencës (melankolike) ndaj realitetit të shëmtuar e të pistë,  është djali i saj, Jan Valuska, i riu i qashtër, vegimtar e ëndërrimtar i universit që të tjerët e përtallin dhe e përçmojnë si naiv, “idiot”, (frymëzim nga Dostojevski), të çekuilibruar, duke filluar nga e ëma e vet që e ka dëbuar nga shtëpia atërore, ngaqë i biri i duket, “i shkarë nga mendja”, jo me këmbët në tokë, në soditjet e tij të yjeve e planeteve, teksa pi verë të cilësisë së keqe, me shokët e  pijetores, punëtorë të thjeshtë që,  më shumë e tolerojnë se e pranojnë në shoqërinë e tyre, në mbrëmjet pas punës si postier, – një “hero” fatkeq me “kokën në re”, (që është dhe qendra e dhembshurisë dhe i vetmi shpirt i pastër e fisnik i kësaj narrative qindrafaqeshe), teksa mrekullohet me bukurinë e qiejve me yjet sipër, duke ndier, në çaste  të zymtë, se ekzistenca është orkestruar nga një mekanizëm i magjishëm: “…sa naive dhe fëmijërore kishin qenë supozimet e tij, duke e ngushëlluar veten me iluzionin se, megjithëse kozmosi ishte i gjerë dhe toka ishte thjesht një grimcë e vogël brenda tij, forca që e shtyu kozmosin ishte, në fund të fundit, gëzimi: gëzimi i cili, që në agim të kohës, kishte ngopur çdo planet, çdo yll’!” …”Ai nuk kishte nevojë as të merrte vrull për të braktisur truallin e rrënuar të asaj kolonie të vogël tokësore dhe për të hyrë në “oqeanin e paanë qiellor”, sepse, me mendjen  dhe me fantazinë e tij, që asnjëherë nuk ishin të ndashme nga shoshoqja, kishte nja tridhjetë vjet që lundronte përmbi dallgët mrekullisht të heshtura të kupolës qiellore, Nuk kishte asgjë në zotërim – e vetmja pasuri e tij kufizohej te palltoja e postierit, te çanta, kasketa dhe çizmet- dhe vetëm me shkallën e largësisë marramendëse të asaj kupole të pafundme mund të llogariste pasurinë dhe, sikur ajo gjithësi e pamatë dhe e pakuptueshme t’i dhuronte një liri lëvizjesh, këtu poshtë, rob i asaj lirie, nuk e gjente dot vendin e tij në atë hapësirë aq të ngushtë të “tokës së rrëgjuar”, ndaj dhe ua hidhte sytë e ndritshëm atyre fytyrave të njerëzve në pijetore që, ndonëse të ngrysura e të shushatura, i qukeshin miqësore,,,” (f.77). Edhe kur ndokush i bënte vërejtje se do të ishte më mirë të shqetësohej për gjendjen e tij të mjerë dhe për përpjekjet e tij të përvajshme, se sa për madhështinë apokrife të gjithësisë,…prapëseprapë pjesa më e madhe e ndërgjegjes së tij, që i ishte kushtuar tërësisht ekstazës, e kishte shkëputur nga bota tokësore dhe e kishte ngujuar (për turp e faqe të zezë të së ëmës dhe për zbavitje të gjindjes), në një rruzull të çastit të ndalur; ecte, çapitej, endej “i verbër dhe i palodhur”, me mendjen – sikundër shprehej jo pa ironi, miku i tij i vjetër – te bukuria e pashërueshme e gjithësisë së tij vetjake”, (f.86). Por, teksa parapëlqen  të mbajë shikimin e tij në qiell, jo si një besimtar i krishterë që sheh te ai dashurinë e mirësinë hyjnore, (këndvështrime këto, filozofike-poetike, të teologjisë së krishterë të vonë antike e mesjetare: Shën Agustini, Dante, etj), por si një qëndresë e përditëshme ndaj plehrave, dekompozimit,  ndyrësisë, mjerimit, kalbjes së qytetit dhe jetës së tij shoqërore, mes të cilave kalon çdo ditë, Valuska befas, në natën e sulmit të hordhisë së grabitësve të alkolizuar, e gjen veten duke u përballur me një univers të zhveshur dhe të shkretë ku “asnjë element i peizazhit nuk është i aftë të tejkalojë vetveten”, (si një mbartje e jehonës së “Neveria” të Sartr-it),  ku i vetmi ligj është  fuqia  e verbër, memece e një force të errët absolute dhe bota e tij e pafajshme shkatërrohet menjëherë, në rastin më të parë, nga ky vandalizëm në qytetin gri, të nxitur nga të huaj të një trupe cirku.  

      Personazhi i tretë i “rezistencës” ndaj realitetit, është  z. Ester, drejtori i shkollës së muzikës, që ka dhënë dorëheqjen nga detyra publike, për të ndërprerë çdo komunikim me botën, teksa i sfilitur nga lodhja depresive e jetës shoqërore dhe bashkëshortore, rri në shtëpi, shtrirë në shtrat, me përsiatjet e trishta filozofike (për idetë e Tomas Hobs-it të konkurencës e egoizmit dhe konceptin darvinian për mbijetesën e më të fortit), dhe, herë-herë, ngrihet për akordimin e pianos së tij me sistemin klasik harmonik të verkmeister-it, (“Harmonitë verkmeister”, është titulli i filmit të realizuar si ekranizim i këtij romani, nga regjisori njohur hungarez, Bela Tarr, në vitin 2000). Me vetëizolimin e tij në shtëpi “donte të hiqte nga kujtesa sulmet shfarosës të idiotësisë, zbrazëtinë e madhe të vështrimeve, mungesën  e tërësejtë të gjallërisë shpirtërore te të rinjtë, duhmën e topitjes intelektuale, në atmosferën dhe peshën e kobshme të vogëlsisë, të autarkisë, të ambicjeve të ulëta, nën rëndesën e të cilave desh qe shembur dhe ai vetë; të hiqte nga kujtesa nxënësit e dikurshëm, shkëlqimin e paharrueshëm të vështrimeve të tyre, ku mund të lexohej urrejtja për pianon dhe dëshira e zjarrtë për ta bërë copë-copë….deri te shefi debil i policisë, te kryetari i Këshillit të Bashkisë, gjuetar i regjur çupëlinash e te fshesari i rrugëve, donte ta fshinte njëherë e përgjithmonë nga kujtesa të gjithë atë  “pellg të përvajshëm idiotësie”; dhe, natyrisht, njeriu për të cilin  nuk donte të flitej, ishte ai fosil i krupshëm, e shoqja, së cilës, “falë Zotit”, i ishte larguar prej vitesh, ishte zonja Ester, që i kujtonte mercenarët gjakatarë të mesjetës, martesa me të cilën, ajo farsë satanike, me atë ftohtësinë e saj të lemerishme ku, në vend të “energjisë elementare jetësore dhe të sigurisë morale- që kanë zakonisht njerëzit e ardhur prej mjedisesh modestë”,- ishte përballur, pa asnjë teprim, me një idiotësi shfarosëse, të piperosur me një etje të sëmurë për pushtet, me një mendje “të varfër dhe të mbrapshtë”, ndërthurur kjo me një vrazhdësi prej hamalli, me një krupë të skëterrshme, mungesë ndjeshmërie, urrejtje dhe idiotësi, gjëra që, për dhjetëvjeçarë me radhë, e kishin katandisur të pafuqishëm… me një rraskapitje përfundimtare, me një lodhje të paanë dhe vdekjeprurëse që ishte pasojë e neverisë, hidhërimit dhe pikëllimit”, (f.116-117).

       Dhe, së fundi, znj. Ester, bashkëshortja e z. Ester, një grua e fortë dhe e frikshme në përpjekjen e saj për të qenë e rëndësishme,  njëlloj arrivisteje dhe demagogeje të “interesit qytetar”, (strategjinë që përdor për “rezistencën”,  “qëndresën” e saj), maskuar si veprimtare publike, në fushata nismash të punës  vullnetare, (si ato të  “të shtunave komuniste” të sovkozeve ), të tipit “Oborr i pastruar, Shtëpi e  rregulluar”, duke synuar pushtetin bashkiak. Me dëshirën e saj për të shkatërruar “rendin e vjetër” dhe për ta zëvendësuar atë me një sundim të sajin, ajo nuk i lë asgjë rastësisë. Manipuluese e zellshme dhe e patrembur, që e di se kur duhet t’i përdorë njerëzit për synimin e saj, me një individualizëm të egër, ajo ecën nëpër qytet sikur po e zotëron atë – gjë që, ndërsa historia përparon, nuk është shumë larg së vërtetës. “…Zonja Eszter e ndieu drejtpërdrejt në zemër kundërshtimin e banorëve, duke kuptuar se pafuqia dhe servilizmi i tyre i mallkuar buronte nga një frikë e paarsyeshme, ndonëse, për ta, e justifikuar ndaj të gjitha përpjekjeve të saj që synonin rinovimin e përgjithshëm të jetës së qytetit, një rinovim që, për ta, mund të duket si një prishje e përgjithshme e rregullit sepse, në të gjitha përqafimet pasionante të së resë, njerëzit ishin të prirur të zbulonin gjurmë të një lëvizjeje po aq pasionante drejt kaosit dhe – me të drejtë – të dyshonin në planet e saj, teksa mbronin atë që ishte e vdekur dhe e varrosur në mënyrë të pakthyeshme, që ajo do ta bënte copë-copë, me qëllimin e saj të mirë për të zëvendësuar mërzinë pa tipare të jetës së tyre egoiste me ‘pasionin ngritës të veprimit të përbashkët’. ( botimi angl.,fq.38, në një përkthim të lirë automatik) dhe, i njëjti pasazh, në shqipërimin e përkthyesit tonë të shquar:  “…Zonja Ester pikaste në mënyrë të pashmangshme natyrën e thellë të ngurrimit e të kundërshtimit të banorëve, domethënë, paaftësinë e sëmurë dhe pasivitetin e trembur që pasqyronte një frikë, vërtet të pathemeltë por, për aq sa iu takonte atyre, të kuptueshme, përderisa, në perspektivën e një përtëritjeje të përgjithshme dhe në etjen e pashuar për ndryshime të përpjekjeve të saj, shihnin shenjat paralajmëruese të një katrahure të pakthyeshme dhe të ca forcave që – me të drejtë- në vend që të ta mbronin, do ta shkatërronin pa mëshirë atë çfarë ishte përgjithmonë e vdekur dhe do ta shndërronte mërzinë depresive të jetës së tyre me gëzimin egoist, “në pasion fisnik për të mirën publike”, (bot. shqip, f. 44).

        Secili nga këta katër protagonistë, me qëndresën e vet vetjake, përkatësisht: mizantrope, të çartur, obsesive dhe pragmatike dhe meskiniteti e kotësie, për të mbajtur jasht jetës së tyre “botën”: e frikshme, për znj. Pflaum, (që ndihet e qetë me dyer të siguruara, pa pranuar kontakte me tjetërkënd, në “bunkerin” e vet,  të jetës së mbyllur shtëpiake të shtresës së mesme, që shpreson  të ndalë Armagedonin, “me stolitë e saj të lira, kompostot e velëta të frutave, jorganët paanë me pupla, tapetet me thekët e krehur gjithë kujdes”, duke injoruar rënien e dukshme të qytetit, teksa jasht, njerëz të mistershëm, si një fuqi e errët, po mblidhen grupe-grupe në rrugë, mes të ftohtit të madh; kaotike, për Valusjen, (me mungesën e qymyrit për ngrohje, të energjisë elektrike, të transportit publik, etj.) gjen bukurinë dhe përsosmërinë në pafundësinë e universit, ku kërkon të tërheqë, me entuziazmin e vet vegimtar,  dhe shokët e tij të pijetores, punëtorë të thjeshtë, në mbrëmjet, pas punës si postier, teksa pijnë një “Riesling” të keq çmimlirë; të rrezikshme, për z. Ester, me obsesionet e një të sëmuri depresiv, që ngallmon me binarë dhe dritaret për të mos u hapur nga pastruesja e shtëpisë, znj. Harrer , teksa ndihet mirë me vetizolimin në shtëpinë e tij, ku hyn vetëm Valuska, (me miqësinë e tyre të çuditshme) që i sjell me gavetë ushqimin e përditshëm. 

     Si dhe qëndresa ndaj  “botës”, realitetit “të paparashikueshëm me pasoja të pallogaritshme” për znj. Ester, (kryetares së vetëshpallur të komisionit të gruas), që gjen si rezistencë ndaj tij, amoralitetin dhe paskrupulltsinë, si rruga drejt zotërimit të pushtetit publik të qytetit:”pasi i  dredhoi lukunisë së maceve, në rrugën me sogje plehrash…vijoi të ecte teksa  shikonte qepenët e ndryshkur metalikë që ishin ulur prej javësh mbi pragjet e shitoreve, shikonte krahët e rënë të fenerëve të verbër, vëzhgonte makinat, autobuzët e braktisur për shkak të mungesës së karburantit…dhe befas, një ndiesi e këndshme ia përkëdheli lehtazi ashtin, sepse ky rrënim i ngadaltë nuk nënkuptonte, prej kohësh tashmë, në sytë e saj një fund zhgënjyes, përderisa qysh tani  kishte në mendje atë çka shumë shpejt do t’i zinte vendin kësaj bote të falimentuar, ndaj, dhe për rrjedhojë, nuk ishte një fund, por një zanafillë, lënda e papërpunuar e një rendi të ri të gjërave “që do të mbështetej te çiltërsia e pamëshirshme e jo te sëmundja e gënjeshtrës” dhe do t’i jepte më shumë rëndësi “çelikosjes së trupit dhe forcës e hijeshisë së vullnetit për veprim”. Si një zonjë e së ardhmes, e shikonte  qytetin me sytë e një trashëgimtareje të tij, me sigurinë se ndodhej  në prag “të një epoke rrënjësisht të re…Pa udhëheqës, masat nuk vlenin asgjë, pa besimin e tyre, hapi portën e shtëpisë, një udhëheqës është i paralizuar dhe, në fund të fundit,  “kjo lëndë e parë njerëzore nuk është dhe aq e keqe”, para se të shtonte menjëherë “se udhëheqësja e tyre nuk ishte aspak njeri i zakonshëm”…kishte fituar atë që shpresonte, pushtetin, pushtetin, pushtetin, e kishte në dorë dhe, ç’është më kulmorja,, hyri e mallëngjyer në salon, i kishte rënë vetë në dorë, porsi një frut i pjekur…”, (faqe 52, 301).

     Qëndresa vetmitare të trishtme këto, që shpërfaqen si pamje tragjikomike, për të qenë jasht realitetit, të cilit duan t’i fshihen, sepse, në rastin më të parë, të ardhjes në qytetin e provincës, të një trupe cirku që kanë si atraksion kryesor një balenë të madhe të balsamosur, në karrocerinë gjigante të automjetit të tyre, përmes së cilës (kësaj trupe cirku), 30-40  grabitës, të maskuar si spektatorë që presin për bileta apo për të parë balenën e famshme, nisin shkatërrimet e vrasjet dhe i vënë flakën qytetit, ndërkohë që shefi i alkolizuar i policisë është gjithëherë në gërrhitjet e dehjes dhe kryetari i bashkisë, s’bëhet i gjallë për të marrë në dorë fatet e banorëve të qytetit që e kanë zgjedhur, (pikërisht, funksionarët  që janë për mbrojtjen e rendit publik). Pra, në rastin më të parë, “bota”, realiteti, “i gjen”, “i zbulon”  këta “qëndrestarë” fshehur pas “luleve të shtëpisë”, “pas yjeve”, “pas dritareve të ngallmuara” dhe “akordeve të harmonisë” dhe iu jep fundin tragjik e absurd, (masakrimin e znj.Pflaum, nga vandalët e hipnotizuar, teksa ka dalë të kërkojë, në natën fatale,  të birin e dëbuar nga shtëpia, prej saj;  mbylljen në çmendinë të Valuskës dhe veçimin në një kthinë të shtëpisë së vet, të z. Ester, nga znj. Ester, tashmë e pushtetshme, sekretare e këshillit bashkiak, që ka  bërë pronë të saj shtëpinë e bashkëshortit dhe ka marrë në dorë “fatet e qytetit”, pas shkatërrimit e djegies së tij. 

        Një fund tragjik dhe absurd, me gjithë qëndresën e tyre melankolike, “rebele” e obsesive, ku “reziston” dhe triumfon vetëm amoraliteti dhe poshtërsia e znj. Ester që e shohim të shijojë vishnjet e kompostove me rum në shtëpinë e znj. Pflaum, (e cila nuk pranoi të  bashkëpunonte për kulisat e saj drejt pushtetit), para se të mbajë fjalimin pompoz të “moralit komunist”, në varrimin e saj: “bota udhëhiqet nga Zoti, morali dhe e mira”, këto ishin hi syve, gënjeshtra, doli nga salloni, “nuk i hante ajo këto”, “bukuria!”, “solidariteti!”, posi, posi!…vështroi arkivolin ku prehej znj. Pflaum,..”ajo pulë ende e mbajtur për moshën”… dhe, duke pritur publikun të mbante qetësi, sepse “po fillonte ceremonia”: Sot po përcjellim një nënë, një vejushë, një bashkëshorte besnike…ajo na tregoi si duhet të jetojmë…tani, zonja Pflaum mund të gjesh prehjen e përjetshme, përpjekjet e tua, kujtimi yt do të mbeten përgjithmonë midis nesh”.. Triumfi i znj. Ester, kësaj zonje  të pangopur me  ushqime, me burra, (pasi largon të dashurin e saj, shefin e  policisë, në një qendër rehabilitimi për alkolizimin, hidhet në krahët e kolonelin e ushtrisë që ka ardhur për të vendosur rendin publik në qytet) si dhe të pangopur me pushtet!

       Frekuenca narrative, pra, e marrëdhënies së përsëritjes midis të rrëfyerit dhe diegjezës (rrëfimit) si një aspekt thelbësor i kohësisë narrative, (sepse përsëritja, si figurë stilistike, është në të vërtetë, një ndërtim i shpirtit, që mënjanon nga çdo situatë gjithçka që i përket në mënyrë ekskluzive, për t’u mjaftuar me ruajtjen vetëm të asaj që ajo ka të përbashkët me të gjitha situatat e tjera të së njëjtës klasë), shpërfaqet jo vetëm në përshkrimet përsëritëse të peisazhit të zymtë urban, me rrugët e errëta, pirgjet e plehrave, siluetat e heshtura të mistershme të njerëzve në rrugë, në të ftohtin e madh, por dhe përsëritjet e tipareve karakteriale të protagonistëve: të  ekstazave shpirtërore qiellore të Valuskës, përsiatjeve filozofike dhe të harmonive klasike të z.Ester,  te devizave pragmatike populiste e znj. Ester, (“Shtëpi e rregulluar, Oborr i pastruar”, etj.) deri dhe në përshkrimet përsëritëse të sjelljeve dhe paraqitjeve të tyre të jashtme: “Kur pushonte së vrojtuari pafundësinë marramendëse të qiellit, Valuska e kishte zakon të shikonte vetëm tokën poshtë këmbëve; me çizmet e brejtura, pallton e rëndë të postës, kasketën me strehë, ecjen e paimitueshme prej rosaku, shpinën e kërrusur dhe çantën më rrip, që i krijonte një bullungë në krahë, përshkonte qerthuj të pafundmë rreth ndërtesave të rrënuara të vendlindjes…)   

      Një ndjenjë e pafuqisë dhe e katastrofës së papërgjegjshme e të pashmangshme, “sikur një modifikim jetik por i pazbulueshëm të kishte ndodhur në përbërjen përjetësisht të qëndrueshme të ajrit”, i ka bërë banorët e qytetit të rrinë mbyllur në shtëpi, si lepuj të frikësuar, teksa duhet të presin dhe të shikojnë se çdo të ndodhë, në pritje të stuhisë që po afrohet, megjithëse, për pjesën më të madhe të librit, ne kurrë nuk jemi plotësisht të sigurt se çfarë po ndodh; ka thjesht një frikë të përgjithshme, nga ajo që mund të jetë, jo nga ajo që është…Në vend të asaj që qyteti  i vogël, pa emër, i romanit, në juglindje të Hungarisë, në kufi me Rumaninë, (ndoshta  Gyula, qyteti i lindjes i romancierit të shquar, më 1954), i mbushur me pesimizëm dhe anarki, (ndiesi e marrë nga Cioran-i i hershëm,  filozofi  i njohur rumuno-francez i dëshpërimit, i shekullit XX), me duhmën e kalbëzimit, rrënimit, lëngimit, të dundjeve të minjve kudo, me shkollat e mbyllura, shërbimet që nuk funksionojnë, dyqanet pa furnizim, rrugët pa ndriçim, linjat e telefonit, të prishura, udhëtimet e pamundura me autobus e makina, pirgjet e mbeturinave e lukunitë e maceve gjithandej, – paraqitur prej Kraznahorkai-t në një kulmim e përfundim entropik, si një duhmë e proces kalbjeje, dekompozimi e shpërbërjeje, (të qytetit, të balenës, të kufomës së gruas në varr, në fund të romanit). Teksa banorët presin në ankth që të ndodhë diçka, në një dimër të tmerrshëm, të thatë, (me temperature minus 18 gradë e ku bora e shumë e pritur nuk bie ), në ankthin e së keqes, ndoshta, pse jo, për një rigjallërim dhe ndryshim me një shpresim të ri, – por ndodh shëmtia e radhës, e plaçkitjes vrastare prej një skote fundërrinash të pamëshirshme. 

         Sepse, asnjë ndryshim i ri nuk ndodh, pas “modernitetit të parë të ngurtë” të institucioneve,  të drejtësisë shoqërore, rrjeteve publike të veprimit kolektiv, etj., tani, me rrënimin e tyre, me “thyerjen e sistemit”, në modernitetin sotëm “të dytë”, “të kthyer kundër vetes” apo, sipas sociologut Zigmunt Bauman, “të modernitetit të  lëngët,  fluid”, ku, tani, në emër të të drejtave të njeriut, – jemi të gjithë “qenie përsiatëse”, “ me arsye të instrumentalizuar”, të angazhuar me “politikat vetjake jetësore”, me shkalafitjen e familjes (marrëdhëniet prindër-fëmijë e ato  bashkëshortore,  – në roman, nënë e bir, znj. Pflaum me Valusjen dhe, burrë e grua, me çiftin Ester), si dhe me etjen për shkatërrim krijues, siç mund të vijë rasti, ku individi dhe individualiteti janë armiq të qytetarit dhe qytetarisë, ku “publikja” është kolonizuar nga “privatja”, ku “interesi publik” është reduktuar në kureshti për jetët private të figurave publike, ku koha e revolucioneve sistemike shoqërore ka kaluar dhe nëpërkëmbja, cakdërrmimi dhe gjithëgërryerja, përmes teknikave të  shpejtësisë, arratisë dhe pasivitetit, janë të qenësishme. 

     Dhe, përballë epshit të shfrenuar arrivist për pushtet, çdo tërheqje nga bota do të dështojë, qoftë në shtëpinë e fortifikuar të individulistes së shtresës së mesme, në tërheqjen intelektuale të filozofit apo në botën imagjinative të ëndërrimtarit, – hulumtim që Krasznahorkai e bën  jo në ndonjë  kontekst politik a moral, por për pasojat  që sjellin për individët, thellësitë e të cilëve na zbulohen pa pendim.

      Narrativa e komedisë së apokalipsit…

…zhvillohet si një linjë (romani është plot me skena kalbëzimi, siç thamë dhe më parë  që krijojnë një ndjenjë të prekshme mjerimi shoqëror dhe përçudnimi njerëzor, – një distopi (shoëri e dehumanizuar) e zymtë e Kraznahorkai-t përafër jetës reale, – shqetësuese për ata pak personazhe që duket se e vënë re atë, si, bie fjala,  z. Ester, të cilit: “…Nuk mund t’i shkonte mendja te “bashkudhëtarët e jetës së tij” – paçka se qenë përpjekur së toku – për ngritjen e asaj përmendoreje të madhërishme dhe të përkryer të pikëllimit; dukej sikur toka qe çarë më dysh, duke shfaqur rropullitë e qytetit  apo, i ra truallit me bastun, sikur një kënetë e ndyrë dhe kutërbuese, duke gërryer sipërfaqen e asfaltit, kishte shpërthyer rrugëve; një kënetë sipër llumit, mendoi z. Ester, ky ishte vetë themeli i situatës, pastaj vështroi përgjatë atij vëllimi të palëvizshëm dhe zuri të  përfytyronte mënyrën me të cilën ndërtesat, pemët, fenerët, shtyllat e afisheve do të mbyteshin  brenda pak minutash. Mos kemi të bëjmë, pra, me Gjyqin e Fundit? Asnjë bori, asnjë kalorës i apokalipsit, por njerëzimi i gëlltitur pa bujë e ceremoni nga plehrat e tij?” (f.135); linjë dhe nëntekst i fuqishëm grotesk, (në ditën e tretë, gjatë tre ditëve që zhvillohen ngjarjet e fiksion-it në fjalë), ku apokalipsi i tmerrshëm e i llahtarshëm është paraqitur si një komedi barbare pijanecësh, përmes “frymëzimit” që merr turma e horrave të hajdutëve e parazitëve, nga “atraksioni” tjetër i trupës së cirkut që, përveç balenës, ka dhe një krijesë njerëzore, të lindur me deformim gjenetik, (një xhuxh me tre sy: “Ku e ka syrin e tretë? Mbrapa koke? Në ballë? Djall i arratisur nga skëterra?,(f.269), që vjedhës e vrasës, këtë “përbindësh monstruoz” e quajnë Princi  apo Engjëlli i Zi që, sipas tyre, ka ardhur të lajmërojë Gjyqin e Fundit të botës dhe të nisjes së apokalipsit e që i hedh në veprim për shkatërrimin e rrënimin e gjithçkaje të botës ekzistuese, në emër të shpagimit hyjnor të Zotit. Kjo hordhi skëterrore keqbërësish ordinerë shpërfaqet si frymëzim dhe ekstazë e mizorisë, në emër të këtij “Princi a Engjëlli të Ferrit” dhe harbutëria e  tyre vandale, – si një parodi e “Gjyqit të fundit” dhe ndëshkimit qiellor. 

       Përgjatë pjesës së parë të librit “Gjendje e jashtëzakonshme”, dhe asaj të dytë “Harmonitë  verkmeister” të kësaj narrative, ka një kontrast të dukshëm, midis shqetësimeve të vogla të banorëve  të qytetit (dhe dobësive të tyre shumë njerëzore) dhe ndjenjës shumë çnjerëzore të fatkeqësisë, në një qytettë trishtë, me një ajër dukshëm “apokaliptik”. Turma në shesh është me një parandjenjë, sikur thjesht pret një sinjal, ngaqë tek ajo: “…kishte diçka tjetër, diçka thelbësore: heshtja, një heshtje mbytëse, ngulmuese, shqetësuese; asnjë tingull nuk dilte nga ajo turmë e paduruar që, me këmbëngulje, në këmbë, priste, mes një nemitjeje të plotë të shpërbëhej tensioni që shoqëron atraksione të këtij lloji dhe t’ia linte vendin atmosferës pothuajse të dalldisur të “spektaklit”; çdonjëri dukej krejt shpërfillës ndaj tjetrit përbri, a, më sak, jo, përkundrazi, dukeshin të gjithë të lidhur pas shoshoqit, gjë që pamundësonte çdo përpjekje për arratisje dhe zhvleftësonte çdo lloj komunikimi; mirëpo kjo heshtje e makthshme vetëm pjesërisht e përligjte atë “ankth të papërmbajtshëm”…(f.91, bot.shqip).  Por veç banditëve, edhe njerëz të tjerë, shkaktojnë dhunë, thyejnë dyer, iu sulen njerëzve, djegin ndërtesa, pa u thënë asnjëherë se përse. Vetëm dikush vëren se “ne nuk mund të gjejmë objekt të duhur për neverinë dhe dëshpërimin tonë, ndaj sulmojmë gjithçka me të njëjtën dëshirë dhe pasion të pashterrshëm!”

       Pasi njësitë e ushtrisë vënë rendin publik në qytetin e vogël, të shkatërruar prej bandave, nis gjykimi ligjor i keqbërësve si dhe i banorëve që, me pasivitetin e tyre u bënë, si të thuash, mbështetës të grabitësve:

  “Mjaft tani matufë!,,.Mos kini iluzione, do t’i mbyll pas hekurave gjithë kokëqypat, gjithë gomerët e zgjebosur që kujtojnë se bota rrotullohet rreth tyre, që kujtojnë se janë Zoti vetë! Ç’është kjo mënxyrë që na gjeti! Jo, more! Gjyqi i fundit! Pa pirdhuni tutje! Mënxyra jeni ju! Ju jeni gjyqi i fundit! Nuk jeni në terezi dhe duhet të ngordhni, ju dhe të gjithë somnambulët si puna juaj! Heq bast, – komandanti i trupave ushtarake, shkundi nga supi zotin Nadaban, – që nuk merrni vesh ç’po ju them… ju dini vetëm të psherëtini, të dhiteni në brekë dhe të përmendni Gjyqin e Fundit, ngaqë ju janë mjegulluar mendtë dhe, kur e keni surratin në mut, nuk dini të bëni gjë tjetër, vetëm të vështroni, të merrni erë e të thoni: Magji! Magjia e vërtetë, o gërmadha të degjeneruara, do të ishte sikur të zgjoheshit një ditë dhe të shihnit se nuk ndodheni në hënë, por në Hungari…Nuk hani pykë, nuk jeni të zot të bëni dallimin midis një mistrie dhe një këmbane, por nuk e hiqni nga goja “kataklizmën”, fundin e botës a ec e merre vesh,  ç’idiotësi tjetër, kur unë mbeta duke bredhur fshat më fshat, me dy batalione ushtarësh, vetëm e vetëm që t’ju mbroj nga ca huliganë!!!”,(f. 283).

     Sepse, “ideja e Gjyqit të Fundit (hyjnor), që i duket ndërgjegjes, si një çast papërcaktuar dhe i paparashikuar, si një stad i ankthit, – thotë  Emil Cioran,-  është një marrëzi dhe një provokim i hapur për intelektin, edhe pse paraqitja përfundimtare e Historisë, si pjesë përbërëse e mendjes njerëzore, qoftë fetare, qoftë profane, sërish kjo ide e kotë, merr veçoritë e një fataliteti”. Ngaqë kristianizmi ka shfrytëzuar frikën njerëzore, për të arritur në maksimum përfitimin, për një hyjni pa skrupuj që ka bërë terrorin, aleatin e vet. E gjithë ploja e përgjakshme dhe rrënimtare e vandalëve në natën fatale të qytetit të paralizuar, kalon para nesh përmes Valuskës, këtij vizionari të trazuar e naiv, këtij vëzhguesi “të  çmendur” të çmendurisë njerëzore, – kësaj “viktime” të pafajshme, (të nesërmen,  në dritën e ashpër të ditës), këtij antiheroi nga shtresa e njerëzve të thjeshtë ëndërrimtarë,  me të cilin autori nuk ka ngritur në qiell teprimin e së pavetëdijshmes, por ka shpërfaqur faktin, se atë nuk e çon në humnerë ndonjë patologji perverse, por prirja e shpirtit të vet, nga e cila asnjë shpirt nuk mund të thotë se është i paprekur.

      I gjithë ky rrëfim (që Kraznahorkai rrezikon ta shtyjë drejt një lloj “realizmi magjik” të Europës Qendrore), heterodiegjetik, (ku rrëfyesi ndodhet jasht ngjarjes që rrëfehet dhe është ndryshe nga protagonisti i ngjarjes së rrëfimit autorial, ndërthurur me atë figural, – dominim i personazhit reflektues apo pikë fokusuese e rrëfimit), realizohet përmes ligjërimit të zhdrejtë të lirë, (ku rrëfimtari merr përsipër diskursin e personazhit), të ndërthurur me monologun e brendshëm (tek të katër protagonistët, të cilët, teksa flasin me të tjerë, flasin dhe me vete, në një diskurs, në këtë të fundit,  të pashqiptuar, përmes të cilit, një personazh shpreh mendimin e tij më intim, atë më pranë të pavetëdijshmes) apo, siç e quan Zhenet, “diskurs (imediat) i atypëratyshëm”, (ku rrëfimtari asnjanësohet dhe personazhi zë vendin e tij), si dhe përmes rrëfimit të rrëfimit si, bie fjala, kur znj. Harrer, pastruesja e shtëpisë, i tregon (në dhjetëra faqe) të nesërmen, z. Ester, (punëdhënësit të saj që rri mbyllur në shtëpi), plojën e natës së  tmerrshme të përgjakjes dhe djegies së qytetit nga turma banditeske. Duke patur kështu një procede të metarrëfimit, pra një rrëfim në rrëfim, (metadiegjezë), që është  universi i një rrëfimi të tillë , ashtu si diegjeza përcakton  universin e  rrëfimit të parë. Dhe, ku çdo ndodhi e rrëfyer nga një rrëfim, gjendet në një nivel diegjetik menjëherë superior, ndaj nivelit ku vendoset akti rrëfyes që prodhon një rrëfim i tillë, (në këtë rast rrëfimi i znj. Harrer që qëndron në një nivel më lart se rrëfimi diegjetik i nivelit të parë të rrëfyesit autor, Brenda të cilit ndërfutet rrëfimi i saj).

       Romani madhor europian…

… “Melankolia e qëndresës”, (Magveto Konyvkiado, Budapest, 1989), në shqip, (“Alef”, Tiranë, 2019), në shqipërimin mjeshtëror të përkthyesit të shquar Romeo Çollaku, (i njohur me përballjet e tij me tekste të vështirë e të sofistikuar artistikë, si, bie fjala, në shqipërimin e poetit “satanik”, Lotremont, me “Këngët e Malderorit”, etj.), – një shqipërim nga përkthimi i përkryer në anglisht i poetit të njohur hungarez që jeton në Britani, George Szirtes,-  nga hungarishtja, gjuha “e vogël” e Europës Qendrore, rrezikuar, ashtu si letërsia e saj, nga izolimi, – një shqetësim i thekshëm ky i Kraznahorkai-t ), vepra në fjalë është një epope’ antiheroike që ngrihet mbi themele të estetikës postmoderniste: atë të ironisë dhe skepticimit (nihilizmit) për vlerat e shoqërisë së modernitetit “fluid” të kohës sonë. Në një pamje, sipas eseistit Xhejms Vud, të një  “çmendurie dhe qytetërimi” ankthioz, vibruar nga një pesimizëm i errët të përshkuar nga xixëllima të herëherëshme humori dhe komizmi. 

       Kjo prozë madhështore, tejet e vështirë për lexim për një lexues të thjeshtë, me fjali “pa mbarim”, (kështu, fjalia e parë, me të cilën nis romani, përbëhet nga 176 fjalë dhe rrallë gjen në roman fjali me gjatësi më të shkurtër), me strukturë të pafundme dhe një pikësim të shpeshtë, si lëvizja e kokës së zogut në pranverë, që të lë pa frymë. Universalizmi i Kraznahorkai-t, “rivalizon fuqishëm me këtë vepër, me Gogol-in, “Shpirtra të vdekur”, (Ë.G. Sebald) dhe me Melvil-in, “një Mobi Dik” i Europës Qendrore dhe një prej romaneve madhorë europianë të tridhjetë viteve të fundit”, (G.R. Hallberg), me personazhë  dostojevskianë dhe me  një njerëzim folknerian, nëpër shkreti ciorane e kafkiane që  vetëtijnë, megjithatë,  herë-herë nga një optimizëm i dlirë.    

         Mes kaosit dhe errësirës, ​​ajo që mbetet në intensën e narrativës, me një tis të gjithëhershëm misteri, është balena në qendër të qytetit ku, trupi i saj, në një botë të ndyrë, të pakuptimtë, dhe histerike, sjell një kulm dhe, për çdo personazh, një ndryshim në atë që më parë ishte një univers i qëndrueshëm. Kjo krijesë gjigante e vdekur, e kalbur, shpërfaq, ndoshta,  një alegori për rënien shpirtërore, shoqërore, natyrore e qiellore të njerëzimit të modernitetit, apo për Hungarinë e epokës sovjetike dhe dështimit të një shoqërie të kontrolluaar nga shteti, apo një alegori për sjelljen njerëzore  dhe prirjen e saj për të rënë  në çmendurinë e çnjerëzores më të ulët,  përmes turmës pa fytyrë, (si, bie fjala, tek episodi tronditës, kur barbarët ndjekin një çift të vuajtur, me një vajzë të vogël, të cilët, sado përpiqen të ikin rrugicë më rrugicë, nëpër errësirë, për t’iu shpëtuar,  ata iu kanë ngritur pusi kudo dhe i gëzohen “presë” deri sa i masakrojnë me një histerizëm të egërsht). 

      Fjalitë e gjata “pambarimisht”, me strukturat e tyre ritmike, janë aspekti më “i frikshëm” e më i  rëndësishëm i prozës së Kraznahorkai-t, megjithëse diksioni i tij është i shënuar me presje, kapituj të tërë apo edhe libra që priren të përbëhen nga një fjali e vetme. Megjithatë, nuk është e vështirë të vendosesh në ritmin e këtyre rrymave të pafundme: lexuesi tërhiqet derisa efekti zbutet në një monotoni organike, si ajo e valëve të oqeanit ose e frymëmarrjes; tekst, i menduar nga shkrimtari, për të mos u ndërprerë. Me qëllim, sipas tij, për ta sjellë tekstin e shkruar më afër fjalës së folur. Ngaqë, siç shprehet në një intervistë, për “Milionat”-in (2012), “pas rishqyrtimit, dyshoj se këto fjali të gjata ekstatike nuk kanë asnjë lidhje me teorinë ose me ndonjë ide që mund të kem për gjuhën hungareze, por janë produkte të drejtpërdrejta të heronjve “në ekstazë” të librave të mi.. Nuk jam unë, por ata që shërbejnë si transmetues përmes librit. Dhe struktura e veprës nuk është diçka që e vendos unë, por ajo që gjenerohet nga intensiteti deri në çmenduri i personazheve të mi. Unë vetë jam i heshtur, në fakt plotësisht i heshtur. Dhe duke qenë kështu, mund të dëgjoj se çfarë thonë këto figura “heroike”; detyra ime është thjesht t’i transkriptoj. Pra, fjalitë nuk janë vërtet të miat, por shqiptohen nga ata, tek të cilët funksionon ndonjë dëshirë e egër. Kjo dëshirë iu jep fjalimeve të tyre një urgjencë të çmendur. Urgjenca është stili. Dhe një gjë tjetër: fjalimet që këta heronj janë aq të dëshpëruar për të të na i thënë, nuk janë aspak libër! Libri është një medium, një mjet për fjalimet e tyre, për të cilët  janë aq të bindur për rëndësinë dërrmuese  të këtij të shprehuri, saqë  kjo gjuhë e tyre synon të prodhojë një efekt magjik, pa pasur domosdoshmërisht një kuptim konkret”.

         Me lojën e tij të zgjuar me gjuhën, – siç thuhet në linket e shumtë on-line  për veprën e tij,- Krasznahorkai thyen kufijtë tradicionalë të shkrimit, aq sa rishpik temën e idiomës hungareze në letërsinë kombëtare; (ndikimi i hungarishtes, gjuhës amtare, me fuqinë e saj aglutinative, -fjalëformimit me përngjitje,-  të përthithjes, përbashkimit të shumë rrënjëve e temave fjalësore, në njësi të vetme leksikore e frazeologjike semantike, bie menjëherë në sy, në veprat e literaritetit të tij, teksa paraqet botën moderne përmes stilit të vet unik të përshkrimit të detajuar shterues). Si dhe me aftësinë e jashtëzakonshme për të artikuluar poetikisht shekuj të mendimit evropian (besimit dhe skepticizmit të tij, në terma  të përmbledhur), si një histori fiksionale tërheqëse, intelektuale dhe shpirtërore, me një shtytje dhe tërheqje të vazhdueshme midis botëkuptimit, habisë e zhgënjimit, me një energjizëm komik e ironik dhe  një thelb humori e trishtimi të prekshëm, përmes fjalive të tij të  jashtëzakonshme, që shkojnë në gjatësi të pabesueshme,  me një tonalitet të tyre që kalon nga ai solemn në atë çmendur, që shtohen në një rrëshqitje fjalësh që na shtyjnë në mënyrë të pashmangshme përpara e që ndihen të natyrshme (e paksa të panatyrshme në të njëjtën kohë),  teksa shkojnë në rrugën e tyre të çuditshme; fjali sfilitëse e shkatërruese, por të bukura,  gjë që tregon se nihilizmi pasiv përfundon gjithëherë në një estetizëm të së bukurës në art.                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                                     

     Ku fjala vepron jo si forcë ideale, por si një fuqi e errët, si një nomatisje, që i detyron gjërat, i bën realisht të pranishme jasht vetvetes…si një magji e gjallë për të cilën flet Kafka, “ku shkatërrimi nuk është shkatërrim, por ndërtim”,…ku “autori nuk duhet të ndërhyjë, sepse një roman është një vepër arti dhe, që vepra e artit të ekzistojë në vetvete, si një gjë ireale, ai duhet ta lërë të lirë në botën jasht botës”, (Blansho, “Nga Kafka te Kafka”, 2021:172). E që të kujton, në ndonjë rast, trilogjinë e Beket-it, veçanërisht  “E paemërtueshmja”, me atë emfazë  të palëkundur për asgjënë, kapjen, ikjen dhe pamundësinë për të ikur.

    Teksti romanor në fjalë, dhe pse i vështirë, krijon një mistikë , teksa  “hap brazdën e kënaqësisë, të humbjes së madhe subjektive, siç thotë Bart, (“Pëlqimi i tekstit”, 2022: 70), duke e njësuar tekstin me çastet më të kulluar të përvertimit, (rrëmbushjes emotive), me vendet e tij më të fshehtë, duke barazuar fushën e pëlqimit dhe mënjanimin e kundërvënies së rreme mes jetës praktike dhe jetës soditëse, sepse pëlqimi i tekstit është vlera e ngritur në rangun rrezëllues të shenjuesit dhe domethënësia e tij, është kuptimi për aq sa ai prodhohet sensualisht”.    

    Krasznahorkai na shfaq dhe prezanton me veprën e tij, (gjatë tre dekadave, në tre kontinente), një botë të humbjes, të humbjes së komunikimit, (si frikë e moskomunikimit dhe akoma më keq: si pamundësi e komunikimit) dhe të së vërtetës, të mbushur me tmerre dhe dëshpërime – por të zbukuruar dhe të zgjeruar me një gjuhë që të lë pa frymë. Që e vijon  dhe në romanet e tjerë të tij:  “Satan-tango”, një prozë e gjatë e parë kry evepre, për fundin e komunizmit nga këndvështrimi i një fshati të vogël hungarez, (ekranizuar, me të njëjtin titull, në një film prej më se 7 orësh, nga Bela Tarr);  “Luftë dhe luftë”, (një vepër po kaq e famshme, sa kjo që po kundrojmë),;“Seibo, atje poshtë, (rrëfim i një historie dhe reflektimi për artin dhe bukurinë), “Ujku i fundit”, etj., si dhe  në reportazhe, tregime, përshkrime me subjekte nga vendet ku jetoi për shumë vite, (Kinë, Japoni, Gjermani, SHBA): “Shkatërrim dhe pikëllim nën qiej”, “Bota vazhdon”, “Projekti Manhatan”, etj., ku njerëzit, fatet e të cilëve janë të shkëputur nga pjesëmarrja kuptimplote në diçka më të madhe se jeta, gravitojnë drejt paranojës dhe obsesionit, si fluturat rreth një llampe, me shpresën për të shmangur vetëshkatërrimin duke iu dorëzuar kauzave më të mëdha: intelektuale, artistike, sociale.

      Sepse, siç shprehet Xhejms Vud, eseisti anglo-amerikan, në “The Neë Yorker”, (2011), Kraznahorkai përqëndrohet te bota e tij fiksionale në përmbushjen e fjalisë,  në zhdërvjelltësimin e saj për të kapur e  dhënë cilësimet më të holla, mëdyshjet, hopet dhe kontradiktat e të qenit gjallë duke bërë që fjalitë shumë të gjata, plot hapësirë, të pandërprera, të jenë njëheri dhe letrare, dhe vokale, ashtu si tek Thomas Bernard, Saramago, Ë.G. Sebald, David Foster, Ëallas, Roberto Bolanjo, që janë në konflikt me realizmin e rrafshët gramatikor, (sipas të cilit realja është bërë që të bjerë në bashkëlidhje dhe kallëpe të paravendosura formale), por ndryshe nga ata, ai shpërfaq vijueshmërinë e vrazhdë të sintaksës, vendosjen e përkryer komike të frazës finale, kompozita të vetme që kapen, flaken dhe asgjësohen, përsëritja e të cilave krijon humor, por dhe panik, me humnera që janë pa taban dhe larg logjikës (që i afrohen, në ndonjë rast, haluçinacionit) dhe ku ne, shpesh herë, nuk kemi idenë se kush e motivon letraritetin e tij shkundullitës.  

       Ky “shkrimtar vizionar me  një diapazon vokal të jashtëzakonshëm,- siç thuhet në motivimin e dhënies së çmimit të lartë “The Man Booker Inernational Prize”, (2015), – kap strukturën e ekzistencës së sotme në skena që janë të tmerrshme, të çuditshme, tmerrësisht komike dhe shpesh jashtëzakonisht të bukura”. (Kujtojmë se fituesi i parë i këtij çmimi botëror letrar, që jepet çdo dy vjet nga Britania e Madhe, për letërsinë e shkruar apo të përkthyer në anglisht, mes kandidatëve nobelistë: Bellou, Markez, Grass, Kenzaburo Oe, Nagip Mahfuz, – është Kadare, autori i famshëm shqiptar, më 2005,  si “ një shkrimtar universal, me një traditë narracioni që e ka origjinën që nga Homeri”). Së fundmi, nderuar dhe me vlerësimin më të lartë të botës letrare, çmimin “Nobël”, 2025.

      “Melankolia e qëndresës”, ky roman mjeshtëror postmodern, por dhe pesimist grotesk, përderisa  jep në mënyrë të përsëritur, me tone ironike, mundësinë e një revolucioni a frymëzimi të një idealiteti, ky “kompozim gjenial dhe shkrim mahnitës” (Kirkus Revieuës) i Lazlo Kraznohorkai-t, (fituesit të çmimeve të rëndësishëm në Europë dhe Amerikë, nominuar për çmimin “Nobël”, prej disa vitesh), i këtij “mjeshtri të apokalipsit”, (Suzan Sonntag), të komedisë së përgjakshme të tij, përmes një fuqie tallazitëse estetike,  është një roman ku çdo fjali është një akt i performancës së pastër, një akt i tensionuar energjizmi semiotik dhe, e gjithë vepra, – një “shkulm” i jashtëzakonshëm ,- po të shpreheshim me termin e Roberto Kalaso-s, eseistit të shquar italian,-  i “letërsisë së përbotëshme”. 

Filed Under: LETERSI

Bujar Skëndo vjen me romanin e tretë “Dëshmitari i rremë”

October 9, 2025 by s p

Sadik Bejko & Çerçiz Loloçi/

Një ngjarje e veçantë, pesëdhjetë e katër vjet më parë, ka ngjallur dhe ringjall ende sot diskutime të shpeshta. Bëhet fjalë për Festivalin e 11-të të Këngës në Radio Televizion, që u prezantua nga Edi Luarasi dhe Bujar Kapexhiu, me redaktor të teksteve Sadik Bejkon dhe regjisor Mihal Luarasin, ku u vlerësuan me çmim të parë Tonin Tërshana, me të dytin Lindita Sota dhe me të tretin Ema Qazimi. Pikërisht në këtë festival interpretuan këngëtarët më të mirë të asokohshëm, mes të cilëve Françesk Radi e Justina Aliaj, Sherif Merdani e Vaçe Zela, Liljana Kondakçi e Dorian Nini, Zija Saraçi e Bashkim Alibali, Iliriana Çarçani e Valentina Gjoni, Petrit Dobjani e Ilmi Hoxha, Fatbardha Rakipi e Lefter Agora, Suzana Qatipi e Shkëlqim Pashollari.

Dënimi i këtij festivali nga kupola e lartë në një plenum të veçantë dërgoi në burg ministrin e Kulturës Fadil Paçrami dhe drejtorin e RTSH-së Todi Lubonja. Por ndëshkime të rënda morën edhe shumë protagonistë të tjerë: Sadik Bejko u dërgua punëtor krahu për një kohë të gjatë në minierën e Memaliajt dhe më pas në disa shkolla katundi në skajet kufitare të rrethit të Gjirokastrës, Bujar Kapexhiu përfundoi punëtor në Fabrikën e Tullave në Tiranë, Mihallaq Luarasi shkoi punëtor në një kantier ndërtimi në Ballsh dhe më pas u dënua me 8 vjet burg, Justina Aliaj u transferua në Shkodër, Sherif Merdani u dërgua punonjës kulture në Librazhd, më pas u arrestua dhe u dënua nën akuzën për veprimtari armiqësore dhe për interpretimin e përhapjen e muzikës dekadente.

Pikërisht nën këtë sfond është ndërtuar romani i tretë i Bujar Skëndos, Dëshmitari i rremë, që ka në fokus një kinse gazetar, i cili punon si mësues letërsie në një fshat të rrethit Librazhd. Sandër Baraj, pasi ishte përpjekur vite të tëra për t’u transferuar në RTV, kishte dështuar keqas. Përveç dy telereportazheve, nuk kishte arritur të bënte asgjë më tepër. Ishte ndier i fyer, i pakuptuar. I papranuar nga shefat e këtij institucioni, ishte trajtuar si i paaftë dhe i ishin mbyllur dyert. Më pas ai kishte humbur çdo shpresë dhe bashkë me të, shijen e jetës. I dukej se jetonte kot.

I përçmuar nga gjithkush e gjithkah, Sandri befas zbulon mekanizmin se si mund të largohet nga ky kënd i humbur ku mungon shumëçka, përfshirë edhe buka e grurit. Sapo merr vesh arrestimin e Seran Mejdanit, i feks ideja e një dëshmie të rreme kundër ish-shokut të tij, këngëtarit të mirënjohur. Me vetëdije shndërrohet në një dëshmitar të rremë, të gënjeshtërt, duke zbuluar ligësinë e vet. Pa asnjë brejtje të brendshme, Sandri vendos të dëshmojë kundër Seran Mejdanit, pra kundër këngëtarit të admiruar Sherif Merdani, që pas Festivalit të 11-të të Këngës ishte transferuar në Librazhd, në Pallatin periferik të Kulturës, duke qenë i bindur se do të dënohej, për shkak edhe të biografisë së tij, por edhe për këngët e huaja që interpretonte herë pas here, meqenëse ato konsideroheshin dekadente, të rrezikshme dhe të ndaluara rreptësisht.

Në romanin “Dëshmitari i rremë” të Bujar Skëndos ka përshkrime rrëqethëse të atmosferës së rëndë, shtypjes psikologjike, psikozës së frikës e të ankthit që zotëron në qytetin provincial të Librazhdit në këtë periudhë. Njëlloj si fushata e shirje-korrjeve, në qytet kishte nisur edhe fushata e zbulimit të armiqve, dënimi i tyre me burgime të gjata e pushkatime. Në libër përmendet diku edhe përgatitja e dosjeve për arrestimin e dy poetëve, Genc Leka e Vilson Blloshmi, si dhe grupe të tjera armiqësore. Kohët përthyhen, afrohen, muajt ngjishen, vitet ndërfuten brenda njëri-tjetrit, mblidhen në një nyjë për të rrezatuar verbueshëm një epokë represive. Intensiteti i frikës dhe ankthit në qytet arrin kulmin.

Një galeri e tërë personazhesh, ku shquhet edhe M. X., sekretari shpirtzi i Komitetit të Partisë, nxitësi i burgosjes së këngëtarit Seran Mejdani. Po ashtu profesori i gjimnazit, Maliqi, personazhi anekdotik që tërë kohën tallet, tregon batuta humoristike për zyrtarët e pushtetit, për të cilat edhe arrestohet. Në roman sillet edhe figura e Jasinit, nga një qytet bregdetar në Jug të vendit, që dilte çdo ditë nga Çmendina, hipte në autobusët urbanë dhe paralajmëronte arrestime në art, kulturë, ekonomi, ushtri, shante para e mbrapsht, por ndërkohë ishte një karrem për të zbuluar të pakënaqurit ndaj sistemit socialist.

Dëshmitari i rremë, sa ka episode tragjike nga fillimi në fund, po ashtu përshkruan edhe ngjarje komike që nisin sa nga Udhëheqësi i Madh, aq edhe te personazhe episodike. Bashkëshortja e mësuesit të gjimnazit, kryetare e Bashkimeve Profesionale në qytetin e humbur provincial, tmerrohet kur kujton çfarë fati e pret atë dhe fëmijët e saj pas burgosjes së të shoqit. Gjen kurajën për t’i shkruar një letër drejtpërdrejt diktatorit, duke i treguar natyrën e batutave të humorit të Maliqit. Mes të tjerave, ajo i rrëfen batutën për atë vetë: “Shoku Enver është topemadh. Si topuz i ka. Bam djathtas, shtrin përdhe nja dy-tre armiq byroistë. Bam majtas, si shalqi ua copëton kokat ca gjeneralëve”. Letra lexohet prej diktatorit, i cili ndihet i vlerësuar dhe bën shënimin që mësuesi i ndaluar nga Dega e Brendshme të lirohet menjëherë.

Një skenë tjetër komike në vepër është ajo e një nxënësi që dyshohej për një trakt kundër udhëheqësit. Drejtuesit e shkollës detyrohen të bëjnë një seancë diktimi dhe dështojnë herën e parë për të zbuluar Çetin Gjimemën, por kur e përsërisin për herë të dytë, ai jo vetëm nuk shkruan asgjë, por madje hidhet nga dritarja e klasës. Nxënësit thërrasin në kor “Çetini drejtor, Çetini drejtor”. Drejtuesit e Degës së Brendshme, pas këtij akti, bëjnë shënimin “armik i çalë, por i rrezikshëm, le ta kemi si armik rezervë”. Nxënësi shpëton këtë herë, por më pas arrestohet, bën 7 vjet burg dhe pasi lirohet nga qelitë, masakrohet dhe për therjen e tij nuk bëhet asnjë hetim.

Një përshkrim brilant merr këngëtari i njohur, që kushdo njeh menjëherë portretin e Sherif Merdanit, një artist ndër më të mirët e kohës, por edhe me një tjetër shkëlqim pas daljes nga burgu, që kishte të ngjizur brenda vetes profesionalizmin. Ai interpretonte mjeshtërisht këngë shqiptare, angleze, italiane, pra ishte një profesionist i rrallë, por edhe një karakter i madh dhe i panënshtrueshëm. I mbyllur në qeli, i rrahur e i poshtëruar nga hetues dhe punonjës policie, ai ndihej më i lirë se të tjerët duke mos i pranuar akuzat e stisura, i bindur se çfarëdo që të pranonte nuk do të ndikonte në organet e represionit që e kishin marrë vendimin qysh në momentin e ndalimit.

Autori në një moment të romanit sjell kompozitor Oltin, nënkupto Kastriot Gjinin, me të cilin Serani kishte shumë bashkëpunime dhe miqësi të gjatë e të sinqertë. Ai i shfaqet Seranit, gjatë një gjendje përgjumjeje, si një hije, si një fantazmë, si një ëndërr e bukur për t’i thënë se këngët e tyre do të jetonin gjatë, më shumë se kjo skotë antinjerëzore dhe vetë regjimi. Kumtet që Olti sjell në qeli janë të rënda, misterioze dhe disa herë të pakuptueshme. Kumte vaji për këngët që u burgosën dhe për ato që nuk do të krijoheshin e as do të këndoheshin më. Dhe veçanërisht një kumt tjetër edhe më i errët, edhe më fatal, për fatin e vetvetes.

Në sallën e gjyqit këngëtari vihet përballë edhe me dëshmitarin e rremë Sandër Baraj dhe duket sikur e pështiros kjo qenie të mjerë që ishte vetëpërdorur si garniturë, me shpresën se vetë ai do të dilte nga ferri ku jetonte një shoqëri e tërë. Dy nga dëshmitë e tij të rreme, më të ligat prej të gjithave, vetë shpifësi i përcakton si kryedëshmi të kryerreme.

Në qendër të konfliktit zënë vend skenat dramatike të gjyqit kundër Seran Mejdanit. Sekuencat dhe replikat nga seancat gjyqësore janë të përshkruara me tension dhe vërtetësi artistike, njëkohësisht. Me stilin e tij polemist këngëtari i madh sfidon padrejtësinë, rrëzon të gjitha akuzat që i bëhen nga prokurori, zhvleftëson që kundërshton me patos e vërtetësi çdo akuzë, çdo insinuatë, çdo shpifje e dëshmi të rreme.

Mbresëlënëse janë argumentet e tij ndaj dy kryedëshmive të dëshmitarit të rremë, njëra më monstruoze se tjetra. “Unë, – thotë ai, – kam vetëm dy dëshmitarë: këngët e mia të mrekullueshme dhe admirimin e pafund të shqiptarëve”.

Edhe në romanin “Dëshmitari i rremë” Bujar Skëndo vijon kërkimet e tij në thellësi të psikologjisë së personazheve nëpërmjet vetëzbulimit të tyre, situatave dhe reagimeve ndaj tyre. Në këtë kuptim, romani është i tipit psikologjik. Sikundër edhe dy romanet e mëparshme.

Filed Under: LETERSI

“NË VRAP TË KOHËS” – POEZI NGA IBADETE HUMOLLI TETAJ

October 7, 2025 by s p

{“ARInfo”:{“IsUseAR”:false},”Version”:”1.0.0″,”MakeupInfo”:{“IsUseMakeup”:false},”FaceliftInfo”:{“IsChangeEyeLift”:false,”IsChangeFacelift”:false,”IsChangePostureLift”:false,”IsChangeNose”:false,”IsChangeFaceChin”:false,”IsChangeMouth”:false,”IsChangeThinFace”:true},”BeautyInfo”:{“SwitchMedicatedAcne”:false,”IsAIBeauty”:false,”IsBrightEyes”:false,”IsSharpen”:false,”IsOldBeauty”:false,”IsReduceBlackEyes”:false},”HandlerInfo”:{“AppName”:2},”FilterInfo”:{“IsUseFilter”:false}}

POEZIA

Poezia,
n’dritare të kohës më sheh
kur muza n’vetminë time troket,
në shiun kur ndër gjethe reshë,
në kurorën e yjeve që natën veshë.

Poezia,
tuneleve t’gjata perdridhet,
drejt caqeve n’lashtësi
pertrihet në përditshmëri.

Për t’mos u zhdukur
n’epopenë vargore sot
me dritë lumnije nesër
dhe për çdo mot!

2. QIELLI IM

Me valixhet e mallit n’dorë
bredh rrugëve të qytetit tim
ta thyej përgjumjen e ditëve me shi
me një trokitje n’qiellin tim të bardhë.
Ta marrë pikën e shiut e ta bëj kokërr gruri, t’i marrë thepat e gurëve e t’i bëj lapsa
për kohën tonë me zjarr në kokë,
ta marë rrezen e diellit
e ta bëj krahzogu n’degë,
derisa gropëzave të syve lodhja ecë,
hena hjek xherdanin
e drita n’ tokë rrëshqet.

3. LUMI

Me rrjedhën e lumit
takohemi sy më sy…

Dallgëzohet Hudson River valë- valë,
por n’mendje trazohet Lumi Llap,
nga imagjinata që edhe diellin kap!

Pulëbardhat seç më kujtojnë,
Nositin e t’madhit Lasgush,
nga malli i tokës sonë që djeg porsi prush!

Prit – ti anije ngjyrëqielli,
që trazon lumin dhe erën
merre fjalëmiren
me peshën dhe vlerën!

Merre fjalëbardhen porsi urëkalim,
i stinëve të blerta deri në lulëzim,
plot dashuri e bukë në t’ madhen sofër buzëqeshje verore në çdo skaj e votër!

4. SONTE

Nën këtë hark të kuq përëndimi trumbëtojnë akrepat e zemrës
e këndshëm luhatet barka,
gendroj si statujë e pagojë para teje,
para qiellit që don ta ngrys nata.

Sonte s’dua të flas
për ngiyrat e vjeshtës në tarasën time,
për krizantemat e verdha,
violete peisazhe me ngjyrime.

Sonte mos thuaj asgjë
për peshpëritjet e buzëve të thara,
peshën n’dhe të huaj e vitet e stërzgjatura.

Në çerdhën e Pranverës sonë
më prit se te erdha,
sa t’i falë petalet e mia
me magjine e ndjenjës,
simfoni e fluturimit t’lirë
drejt burimeve t’etjes.

Vrapo bashkë me mua,
dashuria ime e vetme,
ti që bëre edhe diellin
të zgjoj ëndrrat e mia,
të urrej botën pa ty
e t’bëhem lozonjare si mjellma.

Bashkë do te shtegtojmë
ndër cicërima e fusha blenore,
n’kërkim të lumturisë
e buzagazeve mëngjesore.

5. NË VRAP TË KOHËS

Ku ta kap kohën,
Une e përpëlitura,
që n’varg heshtjen thej,
edhe n’ lëmshin e jetës,
me ndërgjegjje t’bardhë
fillin gjej.

Une shpresa e lugjeve t’blerta
me librin e durimit n’krahë,
çdo natë përkund hënën në vargun tim,
e dashuruar me dritën e këngës n’vegim.

Filed Under: LETERSI

KËTEJ KU KA QENË FRANZ KAFKA DHE PIKTURA E GEORGE K.

October 4, 2025 by s p

Visar Zhiti/

Ku? Në Arco, në Riva del Garda? Në Italinë e Veriut?

“Franz Kafka ka qëndruar në Sanatoriumin e Dr. von Hartungen, e dokumentuar në ditarët/letërkëmbimet e tij dhe në burime muzeore/komunale”, – lexoj. Pra, këtej ku po endemi dhe ne pas një shekulli e më shumë. Një herë ai erdhi si turist rreth vitit 1909, – sipas biografëve, – dhe pastaj në 1913…

– Të gjitha këto ngrehina kanë qenë sanatoriume, – na tregon Gjergji, që udhëheq vizitën tonë. – Këtu kanë ardhur Franz Kafka… po edhe Gustaf Klimt, Gëte…

Ndjej dhimbje, kap nga krahu Edën time. Shohim liqenin, malet përreth, që i ka kundruar dhe Kafka sigurisht. Ç’do ketë menduar? Gjej një foto të tij si të këtejshme… Ecim nga ku mund të ketë ecur dhe ai. Gjithkush ka një rrugë dhimbjeje të veten…

Kur Franz Kafka vizitonte Riva del Garda a Arcon, qyteti nuk ishte pjesë e Italisë, por i përkiste Perandorisë Austro-Hungareze, Tiroli i Jugut / Welschtirol (Trentino), provincë e Perandorisë Habsburge. Pra, kur Kafka vinte këtej, ai udhëtonte brenda kufijve të perandorisë së tij, jo në Itali.

Çudi, e njëjta gjë dhe jo. Dhe shtetet kanë metamorfozat e tyre si njerëzit, ndonjëherë po aq kafkiane…

TRILL SHQIPTAR ME KAFKËN

E pse të mos guxonte? Po e risjell pikturën e George K., që më mahnit, Franz Kafka me qeleshe shqiptare dhe ja, ç’kisha shkruar dikur:

…s’është fjala për ndonjë personazh të Kafkës, George K., por për piktorin e mrekullueshëm, mikun tim, Gjergj Kola, që është këtu me ne.

Më ngazëllen vërtet dhe më godet ajo pikturë, me një si pikëllim timin, gati rutinë, që më jep një lloj lehtësimi për gjithçka kafkiane.

Kur rri para këtij kompozimi-ëndërr, edhe buzëqesh lehtë a fshehurazi, as unë s’e di si…

Çfarë e shtyu për këtë vepër? Ç’zë ia tha, kush ia kërkoi? Apo fantazma e Kafkës këtej?

…me qeleshe shqiptare mbi krye, jo me kippa-n hebraike dhe sikur të mos mjaftonte kjo, me qeleshe dhe tjetri pranë tij, ngjan me mua. E pse të mos jem unë?

Kafka shikon thellë, që nga brenda vetes, pak pjerrët si për të çarë terrin para nesh dhe të ardhmes. Mos po më priste këtu, në Riva? Çfarë të tha ty, Gjergj?

Në pikturën postkafkiane unë kam venë nën mjekërr dorën e djathtë, me të cilën shkruaj. Dhe kam një fillim buzêqeshjeje gjithë adhurim për Kafkën, kjo sikur më jep më dritë dhe sikur dua të kryqëzoj vështrimin tim me të tijin. Kam një si makth a peng a të dyja bashkë.

Ç’dalldi e shenjtë a demon e shtyu Gjergj Kolën ta shqiptarizonte Kafkën duke më vënë pranë tij? Apo të atyre situatave jemi, gjithë terr dhe alienim dhe i kalojmë aq lehtë e ai, Kafka, duke na i lënë të shkruara siç zbulonte veç ai, (bekur qoftë Max Brod që nuk e zbatoi testamentin!), na ndih të jemi… çfarë? – postkafkianë në postdiktaturë… Të tregojmë dhe ne Kafkën që kemi në kokë.

…ta ketë nxitur kjo dhe piktorin tonë, që të hedhë ato ngjyrat gëzimerrëta? Kisha druajtje ta nxirrja atë tablo, mëdyshesha. Të ishte një ngushëllim artistik siç dhe fillon arti?

Misteri vazhdon, madje përthellohet. Po midis nesh, më afër meje, cili është ai, në një si largësi të vegimtë, por dhe ngjitur, në të ardhmen e shkuar a në të shkuarën e ardhme? Vetëm me të Kafkës unë i përziej kohët dhe e di vetëm unë se cili është ai pranë meje, që më vështron symbyllur si një alter ego e re, me ato duar të kuqerremta si me gjak britme të heshtur…

Por jo, nuk thuhen dot të gjitha dhe le të vazhdojmë shëtitjen buzë liqenit Garda, një endje dhe në kohë… dhe brenda vetes…

Filed Under: LETERSI

In memoriam Robert Elsie

October 3, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Robert Elsie ishte një nga albanologët më të shquar të huaj, mik i madh i shqiptarëve dhe një ambasador i kulturës sonë në botë. Me pasionin e tij të pashtershëm, ai arriti të mbledhë, përkthejë dhe analizojë thesaret e shpërndara të letërsisë, historisë dhe folklorit shqiptar.

Nga studimet mbi letërsinë e hershme shqipe, te përkthimi i “Lahutës së Malësisë” dhe deri te koleksionet e fotografive të rralla të Edith Durham-it, ai na la një trashëgimi të çmuar që sot është pikë referimi për studiuesit dhe publikun.

Elsie nuk njihte kufij: ai kërkonte shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, dhe tek arbëreshët, duke ndërtuar një mozaik të plotë të botës shqiptare. Kritik kur duhej, entuziast kur e kërkonte rasti, ai mbetet një zë i fortë e i sinqertë për kulturën tonë.

Robert Elsie dashuroi gjuhën shqipe dhe ia kushtoi jetën për ta bërë të njohur në Europë dhe në botë.

Sot, kujtojmë me respekt dhe mirënjohje këtë njeri që u bë pjesë e kujtesës sonë kulturore.

🕯️ Qoftë i paharruar kujtimi i tij.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 11
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • …
  • 297
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT