• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mikeli i vogël

February 24, 2017 by dgreca

 

Nga Alma LIÇO /1 alma Lico ok

 Ashensori filloi të ngjitej në katin e nëntë. Me tim bir për dore dhe një çantë të madhe në krahun tjetër, mezi prisja që ai të ndalej. Ajo kuti metalike sikur më merrte frymën. Si për të kundërshtuar atë hapësirë bllokuese, brenda pak sekondash solla në vëmendje rrugën që kisha përshkuar për të mbërritur në atë spital. Udhëtim mjaft i gjatë. Dy net më parë isha nisur nga porti i Durrësit në drejtim të qytetit të Barit, e më pas drejt Romës. Në mënyrë spontane, kujtesa më riktheu orët e fundit të udhëtimit me traget. Duke shpërfillur të ftohtin e orëve të para të mëngjesit, e hipur mbi kuverdën e anijes, kisha shijuar pafundësisht kaltërsinë e mrekullueshme të detit Adriatik. Në mes të shkumëzimit të lehtë të valëve, kisha kundruar vallëzimin e meduzave që si abazhurë të mahnitshëm, dukej sikur shoqëronin lundrimin tonë. Dhe në fund të horizontit, në muzgun e përhimë e të mjegulluar të atij mëngjesi,  ishte çfaqur qyteti i Barit. Dukej i përgjumur…..

E zhytur në këtë kujtim dhe ëndërrim ledhatues, harrova ku isha dhe nuk po e kuptoja se ashensori ishte ndalur në katin ku duhej të zbrisnim. Zëri i  ulët dhe i rezervuar i tim biri…..mam, arritëm, ……, më “zgjoi” nga kjo përhumbje. Vërtet. Kishim arritur në koridorin para pavionit ku ai do të shtrohej.

Një aparat vetshërbimi i kafesë, i cili mesa duket sapo ishte vendosur, shpërndante një aromë të këndshme. Disa persona po prisnin rradhën për të  pritur gotat e vogla plastike që lëshonin avull. U tundova dhe unë të ndalesha e të pija me shpejtësi një kafe, por më parë duhej të mbaroja punë me veprimet që lidheshin me shtrimin në spital të djalit tim. Gjithsesi, do të kthehesha pas pak për të shijuar kafenë e mëngjesit.

Ishte ditë e bukur shtatori, por hyrja në atë strukturë, më bënte të harroja ndriçimin e  diellit dhe gjithë ngazëllimin që përcjell ai. Pas një operacioni të komplikuar, prej disa vitesh ktheheshim periodikisht në atë spital me emër prestigjoz, në qytetin e Romës, ku im i bir  nënshtrohej kontrolleve të nevojshme. Ishim miqësuar me gjithë stafin, aq sa ndjeheshim si në familje. Me gjithë përkushtimin dhe humanizmin e mjekëve, këto ambiente, gjithsesi mbeteshin të zymta. E si mund të ndodhte ndryshe, kur aty kuroheshin të mitur me sëmundje nga më të rëndat?

Shkëputa dorën që më shtrëngonte im bir, dhe duke u përpjekur të kontrolloja emocionet, shtypa butonin e cetofonit. Nje zë i ngrohtë u përgjigj menjëherë, dhe pasi mësoi kush isha, hapi portën hyrëse të pavionit. Koridori ishte mbushur me të rritur që bisedonin me njeri tjetrin pa entuziazëm, me zë të ulët. Dalja e prindërve të pacientëve të vegjël jashtë dhomave të shtrimit, më bëri të kuptoja se ishte orari i vizitave të mëngjesit. Pasi u përshëndeta me disa prej tyre, e shoqëruar nga im bir që vinte pas meje, hyra në ambulator për të kryer proçedurat e nevojshme burokratike. Disa minuta më pas, dola prej andej dhe u drejtova drejt dhomës ku ndodhej shtrati që ishte caktuar për tim bir.

Në fund të koridorit, me tërhoqi vemendjen një grua rreth të pesëdhjetave, e veshur me rroba tradicionale të malësoreve të veriut të Shqipërisë. Rrinte me kokë ulur, ndjehej prej së largu se ishte e zhytur në mendime të trishta. E kuriozuar së tepërmi, ju afrova dhe pa u menduar e pyeta në gjuhën shqipe se kush ishte dhe pse ndodhej aty. Sytë e saj të burgosuar brenda zvavrave të thella që zinin gjysmën e fytyrës së lodhur e të dëshpëruar, shkëlqyen disi. Më së fundi dikush që fliste gjuhën e saj. Por vetëm pak çaste më pas, trishtimi mbuloi sërish pamjen e vrarë  e të pashpresë  të asaj gruaje.

Pasi drejtoi trupin dhe më zgjati dorën, me zë të shuar, më tregoi se ishte nënë e 11 fëmijëve, dhe se banonte në një fshat, diku në Qarkun e Lezhës. Djalin e vogël të familjes, Mikelin, e kishte shumë të sëmurë. Që fare i mitur ishte diagnostikuar me sëmundje të mëlçisë. Në pamundësi kurimi, në rrjedhën e viteve gjendja e tij ishte rënduar aq shumë, sa e vetmja shpresë e zbehtë ishte trapianti i saj. Ajo grua e varfër nuk kishte menduar kurrë se do t’i krijohej mundësia të shtronte të birin në një spital aq të specializuar. Falë ndihmës së meshtarit të fshatit dhe mbështetjes së një fondacioni, ajo kishte mundur të mbërrinte aty më të birin. Por ndjehej tërësisht e pashpresë. Gjithçka i dukej shumë e vonuar. Duke parë pesimizmin dhe pasigurinë e saj, u përpoqa ta ngushëlloja e t’i jepja kurajo se vogëlushi do tja dilte mbanë. Për këtë m’u nevojit  të tregoja kalvarin e operacionit të tim biri disa vite më parë, të përballuar me sukses.

Ndërsa po vijoja me fjalet e mia inkurajuese, një djalë i vogël , rreth 10 vjeç na u afrua dhe me një pamje të befasuar, më pyeti:

-A flisni shqip-a?

Me sy të shqyer, u mundova shumë të gëlltisja një britmë habie dhe dëshpërimi. Ai vogëlush i sëmurë, me pamje për t’u dhimbsur, kishte barkun të fryrë përtej çdo imagjinate, aq sa mezi mbante ekuilibrin. Ndonëse në rrjedhën e viteve, në korridoret e atij spitali kisha parë shumë fëmijë të fashuar, të operuar me sëmundje nga më të tmerrshmet, baballarë që vajtonin, nëna që shkulnin flokët, kurrë më parë nuk kisha ndeshur diçka të tillë. Fytyra e venitur, por çuditërisht dhe e lumtur e atij të mituri, si dhe pyetjet naive që më drejtoi në dialektin e bukur verior, sikur më çtensionuan dhe më kthyen disi në normalitet. Disa minuta më pas isha bërë shoqe e atij fëmije, dhe po bisedonim se bashku si dy miq të vjetër. Teksa i përkëdhelja flokët, po mendoja se bota e dlirë e fëmijëve është e aftë ta gjejë gëzimin dhe aty ku ai nuk ekziston.

Duke bërë edhe ndonjë shaka, së bashku me të ëmën e shoqërova në dhomë. Mikeli i vogël, me shumë vështirësi u ngjit në shtratin e tij. Menjëherë pas nesh aty mbërriti dhe djali im me një loje elektronike në dorë. I bërë kurioz nga aparati i lojës, por dhe nga kënaqësia se kishte mundësi të fliste gjuhën e tij,  vogëlushi u përgjërua të qëndronim aty. Kishte rreth një muaj që komunikonte veç me të ëmën, në pritje të trapiantit të mëlçisë. Pavarësisht gjendjes së tij të rënduar, dinte aq bukur ta shprehte entuziazmin. I ekzaltuar, dukej sikur fluturonte së bashku me makinat e vogla që garonin në ekranin e asaj loje, të cilën ai mësoi ta përdorte menjëherë.

Ditët në vijim, pjesën më të madhe të kohës e kaluam në shoqërinë e vogëlushit dhe të së ëmës. Mjekët e ndiqnin me kënaqësi gëzimin, që pavarësisht situatës shëndetsore, arrinte të përjetonte ai vocrrak. Më shumë se kushdo tjetër, ai fëmijë kishte nevojë për momente të bukura. Ishte aq e paqartë e ardhmja e tij .  Mikeli e dinte çfarë kishte. Madje, po aq mirë e dinte pse ndodhej aty.

Ankthi i pritjes, i shoqëruar me atmosferën mbytëse të pasigurisë të së nesërmes, ishte kaq i mundimshëm. Sidomos për nënën e tij.  Ditë e netë që rrokulliseshin në kërkim të shpresës, në kërkim të jetës. Herë pas here, vogëlushi dilte duke u mbështetur pas mureve të koridoreve, sikur të dëshironte t’u kujtonte mjekëve se ai ishte aty, duke pritur. Ndonëse të mbytur në punë, ata nuk ishin aspak indiferentë pranë atij vogëlushi aq të sëmurë që priste shërimin nga duart e tyre. Ndërsa nxitonin,  përkëdhelnin lehtësisht supet e pazhvilluara,  dhe i pëshpërisnin ndonjë fjalë ledhatuese në italisht.

Dy javë më pas,  qëndrimit tonë në atë spital i erdhi fundi. Kishim mbaruar punë me kontrollet rutinore dhe duhej të linim spitalin e të ktheheshim në shtëpinë tonë. Nuk do ta harroj kurrë dëshpërimin e Mikelit, kur mori vesh se ne po largoheshim. Për herë të parë, pas atyre ditëve të qëndrimit aty,  pashë lot në sytë e tij të bukur, por të lodhur. Fundja, ne kishim arritur të sillnim një copëz të vendit të tij, nga i cili nuk ishte larguar asnjëherë dhe që i mungonte aq shumë. Duke e përqafuar, i premtova se do ta vizitoja në shtëpinë e tij, kur të kthehej në Shqipëri , i shëruar. Këto fjalë sikur e qetësuan atë, dhe duke tundur dorën kërthi , na uroi rrugën e mbarë. E ëma na përcolli deri në fund të koridorit , dhe ajo me lot në sy…….

Tre ditë me vonë,  u kthyem në Shqipëri. Ndonëse gjithçka kishte shkuar mirë në kontrollin mjekësor të tim biri, shtrimi i fundit në atë spital më kishte lënë një shije mjaft të keqe. Nuk kishte ditë të mos e mendoja Mikelin e vogël.

Ç’bëhej vallë me të ? A kishte mundur të operohej? Si kishte shkuar operacioni që në konsideratën e atyre mjekëve të mrekullueshëm ishte aq delikat ??? …Këto pyetje po më torturonin.  Ndjeja nevojë të ethshme për një përgjigje….. Po ku? Si?….Familja e vogëlushit nuk kishte telefon. Kë të pyesja?

Ah……po……u kujtova se kisha ruajtur një numër telefoni të sekretarisë së pavionit……..Duke ngurruar, me emocion, mora në dorë receptorin e telefonit, dhe me duar që po më dridheshin formova numrin. Disa sekonda më pas u përgjigj një zë gruaje, të cilin e njoha menjëherë. Në mënyrë të sjellshme prezantoi veten dhe në të njejtën kohë kërkoi identitetin tim, si dhe të shpjegoja shkakun e telefonatës. Për një moment ngurrova. Informacioni që më nevojitej nuk kishte lidhje me tim bir. Por padurimi për të mësuar rreth fatit të Mikelit, sikur e paralizoi faktin që nuk kisha asnjë të drejtë të bëja pyetje që lidheshin me pacientë të tjerë. Sekretarja heshti pak. Më pas, ajo u kujtua menjëherë për afeksionin që unë pata për atë fëmijë. Më kishte parë me dhjetra herë pranë shtratit të vogëlushit, tek bisedoja dhe bëja shaka me të. Madje, në disa raste ishte përfshirë miqësisht në bisedat tona……..Por……nuk po më pëlqenin notat e trishtimit në zërin e saj. Nëpërmjet receptorit ndjehej dihatja e dëshpëruar…….dhe më pas arriti të më thoshte se  trapianti ishte kryer një javë pasi ne kishim lënë spitalin……ai operacion aq i vështirë që kishte zgjatur nëntë orë, ishte përballuar nga Mikeli…..por disa orë më pas, vogëlushit i kishte ndodhur një komplikacion i tmerrshëm….ai kishte hyrë në koma, dhe dy ditë me pas kishte ndërruar jetë……….

Teksa po dëgjoja këto fjalë, lotët filluan të më rridhnin mbi fytyrë…..mezi bëlbëzova një “Grazie” të thatë dhe ula receptorin. Qava e qava sikur të kisha humbur një person shumë të shtrenjtë. Një jetë e pajetuar, e shuar në mënyrë aq të padrejtë, viktimë e pamundësisë së kurimit në një vend të pashpirt  si ky i yni.  Ai vogëlush mbërriti shumë vonë atje, kur  ishte pothuajse i pashpresë. Përpjekja e dëshpëruar për t’i rikthyer shëndetin dhe bashkë me të dhe jetën, rezultoi e pamundur.

Sa dëshironte ai vogëlush të kthehej në familjen e tij të madhe që mezi e priste. Të kthehej i shëruar. Por nuk qe e thënë. Ai kishte mbërritur në fshatin e lindjes i mbyllur në një arkivol të vogël.

E brengosur sa më s’ka, kujtova premtimin që i kisha bërë. Do të shkoja ta takoja pasi të kthehej nga spitali. Disa ditë më pas udhëtova me fugon drejt fshatit të tij. Binte shi i lehtë atë ditë. Një kalimtar i rastit më tregoi ku ishin varrezat. Pa vështirësi e gjeta varrin ku prehej trupi i pajetë i Mikelit. Lulet e vendosura nga familjarët dhe të afërmit,  të njomura me bulëza uji nga shiu i asaj dite, ishin ende të freskëta. Një kryq prej druri dhe pranë tij një foto e vogëlushit, më riktheu buzëqeshjen e dlirë të atij fëmije, që nuk mundi dot të rritej e të bëhej burrë. Dukej sikur më falenderonte. I shndërruar në engjëll, isha e bindur se në ato momente e kisha pranë. Mes lotësh e përkëdhela atë foto dhe vendosa lulet që kisha me vehte. Teksa largohesha, ndjeja se më ndiqte nga pas vështrimi i tij mirënjohës, i shoqëruar nga lamtumira e pathënë.

……..Lutu vogëlush, lutu engjëll i vogël që asnjë fëmijë tjetër të mos humbasë jetën se vendi i mbrapshtë ku pati fatin të lindë, nuk  arriti ti krijojë mundësinë e kurimit. Lutu. Unë Jam me ty. Do të lutem bashkë me ty.

Më pas,  një vizitë e shkurtër në familjen e tij……..më priti  e ëma e kthyer në një statujë të zbehtë dhe shumë gra e vajza veshur me të zeza, që hynin e dilnin në heshtje……….i dhashë dorën dhe mezi bëlbëzova disa fjalë që thuhen e përsëriten në të tilla raste…..……

…..Vallë a mund të gjenden fjalë të ngushëllojnë një nënë për humbjen e të birit????

Filed Under: LETERSI Tagged With: Alma LIÇO, Mikeli i vogël, Tregim

MJEGULL DHIMBJEJE

February 24, 2017 by dgreca

1-xhevair-lleshi-zyre
Tregim nga Xhevair Lleshi/E gjeta në dhomë me kokën mes dy duarve. Era e tymit të duhanit të bënte të ngriheshe vrulltas dhe të ikje diku larg, aty ku mund të kishte ajër tjetër. I hodha dorën butë mbi shpatulla dhe ai u drodh. E kisha mik të mirë Lutin, më ishte përgjigjur gjithnjë. Ndaj mora rrugën e largët dhe erdha tek ai, sapo e dëgjova gjëmën: vajza e tij kishte humbur jetën. Çfarë tmerri. Nuk gjej dot fjalë. Miku im lexonte libra, ndonëse jetonte në fshat dhe punët e bujqësisë nuk e linin një çast të prehej. Kur tregonte ndonjë histori shprehej edhe me figura. E doja Lutin. E doja atë, gruan e tij dhe të dy fëmijët. Madje e bija, ajo që tashmë nuk ishte më në jetë më kishte ardhur disa herë në shtëpi. Era! Ç’vajzë! Në dukje një natyrë të qetë, me një të qeshur që të linte pa frymë dhe sidomos kur të hidhte bishtin e syrit! O Zot, s’më mbushej mendja për atë kishte ndodhur! Një mrekulli si ajo! Ende i ndiej shpatullat e Lutit që dridheshin me një zmadhim të çuditshëm nën peshën e dorës sime. Doja ta pyesja për ndonjë detaj, por fjalët më mbeteshin në fyt, ndaj përpiqesha t’i gëlltisja, po edhe këtë nuk e bëja dot. Gjëma tashmë kishte ndodhur. Ç’ta kishte shtyrë Erën të hidhej nga kati i pestë i konviktit? Mos ndonjë zënkë? Tradhti? Ndonjë e papritur e jashtëzakonshme? Hamendjet ta drithëronin shpirtin dhe ato çaste nuk kishe dëshirë as të ngrije sytë për ta parë në sy të zotin e shtëpisë. Pyetjet e mia të pafundme ishin thjesht për mua dhe jo për atin e Erës. Kjo gjendje e nderë mua po më dukej e çuditshme. Luti nuk nguroi t’i ngrinte sytë drejt meje, një buzëqeshje e flashkët, e mekur, e thatë i ngeci në cep të buzëve dhe fërgëlloi. Me siguri lotët do t’i breshëronin nëpër faqe dhe do t’i mblidheshin në gropëzën e madhe të mjekrës. M’u bë se sytë e tij të shkruar ishin futur thellë në zgavra dhe një hije e errët i qe formuar rreth e qark, si re. Era plot ëndrra, Era e bukur, studentja e mirë, vajza e mrekullueshme që të bënte menjëherë për vete. Nuk e pashë njëherë të mos i gëzohej edhe gjërave më të imta dhe të padukshme të jetës, por që e rrëmbejnë atë, i japin flatra, e tejkalojnë, ose e ndëshkojnë keq. Një studente si Era! Përplot ëndrra, gjithnjë mes një atmosfere të gëzuar, e veshur thjesht, që bënte përshtypje sapo e shihje, që shpesh i pëlqente të rrinte vetëm, që e kapte veten duke u menduar gjatë dhe trazonte mendimet duke i mbajtur sytë ulur… Eraaaa! Pse Eraaaa!…
Luti po më shihte pa shprehje. I rënduar, si vdekja. Atë çast u ngrit, si të shmpihej. Erdhi dikush nga fqinjët. Shtëpia ziente nga pëshpërimat dhe heshtja frynte me një ngut të azdisur. Shtëpia e tij e madhe, në dy kate, të cilën e kisha ndonjëherë edhe si shtëpinë time, po më dukej e huaj dhe e largët. Mendja më rrinte tek e bija. Ngjallja bisedat me të, fytyrën e bardhë borë, dukej se një pigment bardhësie ishte me të tepër në lëkurën e saj, po kjo nuk ta largonte as bukurinë e shfrenuar, u jepte shprehje kryqëzimit të vështrimeve dhe ti mendoje menjëherë se ajo bëhej shumë e afërt menjëherë. Kishte një të ecur të këndshme, e gjatë, e hollë dhe këmbët i hidhte bukur, sikur do të kapeshin fshehtas me njëra-tjetrën. Vajzë që ëndërronte, dukej menjëherë, tërheqëse dhe djemtë ndiheshin mirë kur kuvendonin me të. Ç’do të kish ndodhur atje në atë dhomën e saj në katin e pestë? Mos ka marrë ndonjë lajm të hidhur? Ndonjë?… Vetëm fjalë të kota s’mund të thoshe, ndonëse mendimet, si fjalët, tërboheshin brenda për brenda me një vrull të paparë e që perceptohej lehtë. Kur fliste të shikonte në sy dhe të pyeste edhe për gjërat që dukeshin të parëndësishme. Po kur, kur? Kush të ketë qenë me të? M’u bë se po ia dëgjoja heshtjen e saj, po ëndrrën, ëndrrën e frikshme që ia kishte treguar së ëmës në telefon një natë më parë? Jo, Era nuk është hedhur vetë. Me siguri. E kam të pamundur të bindem… Erdhën edhe dy burra, miq të largët. U rridhnin lot vetvetiu. Luti ishte krejt i mpirë. Dhoma u mbush plot. Dhe dora ime nuk hiqej nga shpatullat e tij që dridheshin me një ngut të tmerrshëm dhe drithërima e pagojë t’i degdiste mendimet, sido që nuk e doje këtë gjë. Gjallë të mbajnë edhe fjalët. Fjalët që thua. Me gjuhën e perëndive. Ç’të thoshe? Ka plot fjalë të zgjuara që e ngushëllojnë njeriun. Mjafton që të mos thoshe «Si ndodhi?». Ose t’i mbaje sytë jashtë dritares e po të mundje pastaj të bisedoje me rrezet e diellit, me ajrin, me erën. Erën? E si mund të bisedoje me Erën?  Me hënën, fjala vjen, edhe mundje…  
Më vinte në mendje kur rrija me Lutin dhe flisnim atje pranë vreshtit të tij, ose ullinjve që i kishte mbjellë në rreshta të përsosur dhe prodhimin e kishte marrë në krye të vitit. E kisha qejf atë vend të bryllët. Jetë e bukur bëhet këtu, Lut! E di, vëlla, bukuri e madhe fort. E pse? Varfëri e rëndë, mik. Po më tepër varfëri në shpirt. Sikur nuk e duam më njëri-tjetrin. Varfëri me rroba të reja. Nuk e do njeri fshatin. Nuk e do njeri punën. Ja, edhe fëmijët e mi nuk e duan! Gjithë ky investim ikën për dhjamë qeni. Ua lexoj mendimet edhe djalit, edhe vajzës. Në erë nuk e duan! Të flas me zemër në dorë. Pastaj dembelizëm i llahtarshëm. Nuk e ha njeri punën. Dembelizëm me brirë. Dhe uria endet mbi krye. Se s’ka lekë. Muzikë, tallava, internet, filma, telefona të magjishëm. Ja, rri me mua dhe ta shohësh. Vetëm një ditë rri dhe do t’ia dëgjosh krismën. Rrugët janë shtruar me asfalt, s’ke ç’thua, makinat janë gati të të hidhen mbi kokë. Njerëzit të paktën janë të veshur e të ngjeshur. Rroftë Gabi dhe rrobat e lira! Dhe gjen ç’të duash! Por, a mjafton kjo? Fshati, domethënë serrat, vreshti, ullinjtë, bagëtia duan punë. Punë skllavëruese. Kurse,… ç’të të them, atje matanë, gjen edhe nga ata që s’kanë çfarë të shtrojnë për të ngrënë. Kanë mbetur pleq. Fëmijët kanë ikur, kanë marrë arratinë, të pikon zemra… Dhe kur them kështu, të jesh i bindur se s’kanë vërtet. Vetëm kur u çojnë në shtëpi… Shteti, jo, ç’ne! Ç’punë ka shteti? Po edhe në telefon me fëmijët nuk para flasin. Se telefoni do karikuar. Energji elektrike s’ka. S’ka se i ka prerë shteti. Shteti që ulërin do bëjmë shtet! Dhe fshati ngre supet dhe krihet. Prit kur të dëgjosh të pabërën! Ia kam frikën. E ndiej, mik, e ndiej se shpirti i njeriut është thërrmuar nëpër duar… Ç’ka ndodhur, Lut? Ai më pa thellë në sy. Qeshi paksa dhe shfryu. Ka mbaruar gjithçka, mik! Punë bëhet, nuk them, por me familje. Sepse ata që i ka vënë poshtë e keqja, aha, s’ka muzikë që i bën për vete. Janë ftohur! Duket se kanë mbetur vetëm ëndrrat. Po edhe ato të uruara kanë marrë arratinë. Ty s’të besohet. Pikë pasioni nuk gjen. Zvarrë. Dhe ti e di më mirë ç’do të thotë kjo. Toka të papunuara. Fëmijët në arrati. Dhe… në darkë, besoje, nuk ke fuqi as të hash një çapë bukë…
Njerëzit hynin e dilnin nga dhoma e pritjes. Këmbët zvarrë. Përshëndetje të ftohta. Fjalë si nëpër dhëmbë. Një ndjesi delikate e drithëruese të mbante mbështjellë me një mjegull mendimi dhe re të hedhura si akuarel. Rrezet e një ëndrre të largët vinin e përplaseshin në brigjet e mendimeve të tua. U dëgjoja të gjithëve frymëmarrjen. Hyri dikush. Një burrë i shkurtër. U përkul mbi Lutin dhe ia rrahu shpatullat fort. Dhe u ul përballë meje. E njoha. Sigurisht që e njoha. Atë e njihnin thuajse të gjithë. Gërrici pak fytin dhe zëri i trashë ra mbi mort. Dëgjoheshin fjalë të thata në korridor, fjalë që mbeteshin pa përgjigje. Ishte një rast për ta deklaruar veten. Dhe i sapoardhuri nuk e fshihte këtë gjë. Kish zemër të madhe, thoshin për të, aq sa të merrte më qafë. Dhe i linte të gjitha punët bosh. Mjaftonte një zë dhe të gjendej pranë. Duhet se nganjëherë i shpikte gjërat si duhet. Dhe në errësirë ishte i vetmi, luante për mrekulli pa drita. Mbaje veten! tha. Ndodhin këto gjëra! E ç’qenka jeta? Një rrymë drite të shtynte të kapërtheheshe edhe me mendimet e tua. Një mistikë tjetër. Fatalitet? Mohim? Kjo që kish ndodhur dukej vërtet e frikshme? Shpatullat e Lutit fërgëlluan si me tërbim. Edhe ai endej midis ëndrrës dhe një realiteti të rënduar gjer në zgrip. Tani edhe ky që erdhi mungonte. Ia ndien erën. Ia kisha frikën broçkullisjeve të tij.  Dhe kthehej në vemje, në sëmundje që ta bënte mendjen ujem, me një fshehtësi si të dërguar kushedi prej ku, enkas ose për ta shëruar plagën, ose për ta malcuar më keq atë. M’u duk se s’do të ngutej dhe do përfitonte nga ngadalësia e hapave të ngushëllimit. Tani mund të mendoje se të gjithë ne në atë dhomë kishim dalë në breg të një errësire ngushëlluese. Të presësh me padurim këtë njeri që ne e dinim se do të vinte si kosëtari pas të vjelash. Pse jo edhe si errësira? I pëlqen vdekja këtij? U bëra gati të ngrihesha, por dora e Lutit më shtrëngoi fort. E mora vesh, gjëmoi dhoma. Më erdhi keq sa s’ka! E keqja! Sa dëgjova lajmin më theri në shpirt! Erdha! Ngushëllime miku im! E tmerrshme! Po ç’t’i bësh? Jeta! Pastaj edhe ai dukej se po jepte shpirt. Rrethanat kanë rëndësi, apo jo?! Nuk thonë kot: tri ditë e në dhè, por ama me moshë! Vajzë e re, e brishtë. Një… Nuk e di… Po pse? Pse?… Dhe ta mendosh që këto kohë kur ende s’po miratojmë dot Vetingun! Edhe protesta mungonte!… Mjaft! Lërini këto! Luti kishte ngritur kokën dhe po dridhej i gjithi. E ula në vendin e tij dhe prita duke u mbushur me frymë në zor të patreguar. Ishte e tepërt për të. Pse duhet të vinte shkurtabiqi zëtrashë deri këtu, kaq larg!? Pse? S’di të them, por dëshirën e tij të papërmbajtur për të folur e kam ende para syve. Dëshirë patologjike, e marrë. Dhe Luti që u bë bishë. Halli i tij e kapërcente gjithçka…
Atë çast erdhën dy burra dhe u tokën me Lutin. Pas tyre hyri dhe një djalë i gjatë, i veshur thjesht. Lotët ia kishin veshur sytë e kaltër.  E pashë me vëmendje. Luti nuk i ngriti sytë. Shikonte si në tym. Djali belbëzoi diçka dhe kërkoi sytë e mi. E ndjeva peshën e tyre. Më bëri shenjë dhe dola pas tij. Mora pak frymë në korridor. Ç’ka ndodhur djalë? Mendova se mund t’i thosha dy fjalë juve… Po? Për Erën… Diçka e tmerrshme. Ishte në ballkon dhe krejt papritur ka rënë. Po?… Ka rënë te këmbë tona. U mblodhën gjithë studentët. E çuam në spital, por kot. Ajo vdiq në duart tona! Sytë e saj më panë thellë dhe fryma e fundit… O Zot!… Nuk mund të ndahesha prej saj në ato momente. Ndaj erdha. Kanë ardhur të gjithë studentët e grupit të saj. Po ç’vlerë ka?… Ajo e humbi jetën. Kaq e papritur, kaq e pamundur për të ndodhur…
Dhe atë çast dëgjova zërin e trashë brenda që po gjëmonte, ndonëse e besoj, që fliste ngadalë, për jetën e bukur të fshatit, për punën e madhe të qeverisë dhe për realizimet e mëdha… I kërkova ndjesë djalit dhe hyra brenda. Luti mbante kokën me duar… Një imazh tjetër, një ëndërr që sfidon vdekjen dhe ndalimin e papërmbajtur të atij zëri që nuk linte të qetë edhe vdekjen. I dridhej buza. Pak i kërrusur, hante veten me dhëmbë dhe dridhej fort nën shpatulla. Burri i shkurtër u largua. Ecte e sikur më kërkonte sytë dhe mua më bëhej se do të thërriste me zërin e fortë. Dikush e tërhoqi jashtë. Erë! Erë… bija ime!… Dritarja e hapur sillte një ajër të lagësht. Burrat mbusheshin me frymë. Po vinte ora të ngriheshim që të kryenim ritualin e fundit. Erë! Rënkoi sërish Luti. Studentët prisnin jashtë. Luti u fut në dhomën e grave, u përkul mbi arkëmort dhe një britmë e thellë ushtoi mbytur nëpër dhomë. Erë!… M’u duk sikur ajo u ngrit në këmbë, veshur me të bardha dhe e përqafoi të atin, duke u rrotulluar të dy në një përqafim mjegulle…
 
Shkurt, 2017

Filed Under: LETERSI Tagged With: MJEGULL DHIMBJEJE, Xhevair Lleshi

Anton Çefa në Sofrën e Diellit:”VALENTINIANE”…

February 11, 2017 by dgreca

Valentiniane/ 4anton-cefa NGA ANTON ÇEFA/                                                                             

1-Trokitje drite/

Kjo asht dhoma/

Ku u fute nji ditë në jetën time/

Me do trokitje drite./

M’qe ngri mendimi n’ballë/

E fjala n’buzë./

Emni yt/

Dritë që troket/

Deri në të sosun të stinëve./

2- Etja për nji delir të blertë

Kur në qiell të andrrës sime prek/

Me duer të brishta,/

Zgjohen vegime të ylberta mallesh./

Engjuj me brerore drite zbresin/

Mbi meloditë e dhimbjes/

Qi s’ ka të sosun./

E duer akordesh të çuditshme

Ndalojnë flutrim’n  e kohës.

Etja më merr për nji delir të blertë.

3- I tejdukshëm

I tejdukshëm shikimi yt

Kah rrëzon nji kand ndriçimi

Të dhimbjes sonë

Përskaj nji kohe që kaluem dikur.

I tejdukshëm dishiri im

E duert e tua të zbehta

Qi dridhen si flakëz qiri.

E tejdukshme kjo dhomë e zbrazët

E fjala

E fryma

E shpirtnat tonë të tejdukshëm

4-Mall i dikurshëm

Mall i dikurshëm,

Si hini i nji stine të djegun

Në krahanuer.

Kur të trazoj

Me nji mashë të fortë kujtimi

Ti rishtas djeg

Delir qi s’shuhet kurr.

5-Te dera e jetës të kam pritur

Ndër ninëza agimesh

vezullon universi i blertë i jetës.

Atje te dera e saj

të kam pritur,

Evë e Afërditë !

Shpirt prej arome trëndafili,

trup prej tuli bore t’ përndezur,

më ke pritur,

Evë e Afërditë !

Te dera ku brenga e mallit rri zgjuar

e ernat përkëdhelin gjijtë e andjes njerëzore,

jemi takuar,

njerëzorja Evë,

hyjnorja  Afërditë !

6-Çdo gja asht shpirt

Çdo gja asht shpirt,

dashuria ime !

Shkëlqen shpirti në syrin tënd

e pikon

me lotin qi rrëshqet prej qepalle.

Tulipani në buzët e çelura,

hiret joshëse të trupit alabaster,

lutja e duarve të shtrira drejt meje

janë shpirtra të dehura nga malli,

dashuria ime.

Afërditën e lindi

shpirti shkumëzues i detit,

dashuria ime !

7-Brymë e borë

A je brymë, moj, a je borë ?

Mall i brishtë e brengë e bardhë

Brishtësi me pah prej bryme

Bardhësi me zdritje bore

Brymë e borë

Ti bukuria!

 8-Prania jote

Prania jote –

zjarm i kallun në ditë-netët e mia –

i shuen sensin kohës.

Koha nuk ka ma emen

e dita e nata kuptim.

Prania jote

hapsinës i jep formën e nji vendi

ku jemi vetëm ne të dy.

Lumturinë kot e kërkojmë jashtë nesh.

E jetojmë kur përqafimet tona

treten në damarë ekstaze ,

atëherë  kur na humbë vështrimi i sendeve,

kur nuk ndigjojmë as britma

as zane që shprehin lutje

e as dëshira ,

kur nuk ndigjojmë as heshtjen.

8-Ti . . .

Ti që në dekorin e dhimbjes sime,

me duer të brishta,

vizaton fytyrën tande

si padashur,

ti që në brigjet e andrrës sime

hedh nji klithmë pulbardhe,

si pa u kujtuar,

ti që me kurmin tand t’përflakur

përndez delire në damarët e mi,

si pa u menduar,

je vetë dashuria

e unë jehonë e saj.

10-Dashuria jote

Dashuria jote ,

Fytyrë dhimbjeje në gurin e zemres ,

profil gëzimi në valët e lumit.

Sa ma shum qi gurin e lan vala ,

aq ma tepër dhimbja po shkëlqen.

 

11-Hipotetike

Nëse për me kuptue jetën

më duhet dhimbja,

nëse për me kuptue dhimbjen

më duhet dashuria,

nëse për me kuptue dashurinë

më duhesh ti,

atëherë ti je

dashuria, dhimbja, jeta.

12- Gjethet e ullinit

 Gjethet e ullinit percjellin puhiza

valësh ere

e vezullime drite të mengjestë

si sytë e tu kur rrëshqitas bien mbi mue

e më trazojnë.

13-Pa lamtumirë e udhembarë

Pa lamtumirë e udhembarë,

u ndamë.

Nuk do të mbështesish ma

mbi supet e mia

ngushllimin tand.

Nuk do të ndezish ma

qirat mbi tryezën e ngrohtë

të zemrave tona.

Nuk do të bredhish ma

kambëzbathun

relievit të shastisun të jermit tim.

Nuk do të mallëngjehesh ma

për nji fjalë goje.

Do të jesh vetëm jehonë e largët

që nuk i kthehet burimit të zanit.

14-Je nji trendafil

 Je nji trendafil

Qi ke mbi në zagnat e gjakut tim

Si nji varg i Sadiut.

Me gojën e të etshmit pij ujë

Në blerimin e gjethnajës tande

E kurr s’e shuej etjen.

Zogjt e fjalës sime

Të dejun aromash

Melodinë e dhimbjes

Çurlikojnë ndër gemat tuej

Pa iu lodhun gushat njiherë.

Përjetësisht e përndezun

Rrezëllima e ninëzave të jermit tim

Pahitet mbi petlat ngjyralle

Të gonxheve tua n’shpërthim.

Të preku me dorën e mallit

E më duket se deri në palcin e brengës

Më therin gjembat tuej.

 

15-Prehje

Po prehem në kolltukun e zvërdhamë

Të mungesës sate.

Hije e dridhshme lamtumire

E varun diku në gjysmë errësinën e dhomës,

Ikja jote.

Aroma e trupit tand erë mersine,

Riti i lashtë i puthjeve qi  s’e tret koha,

Moria e fjalëve pa mbarim

E gjurmët e kambëve lakuriqe

Mbi qylymin e blertë të kujtesës

Prehen me mue

Në kolltukun e zvërdhamë të mungesës sate.

Ma e dhimbshme ikja jote

Në pohimin e vështirë:

Çdo gja në këtë jetë asht ikje.

16-E pakapshme

    (një kokete)

 E pakapshme,

Delir që flirton me veten

E vetes i mungon.

Të knaqë prania e shikimeve lakmuese

Qi vuejnë bardhësinë verbuese

E lakimet e epuna të shtatit tand të hajthëm.

Nji gjysmë buzëqeshje çelun n’ironi

Të ngjitet deri në ballë, ndër sy,

Të zbret kudo, në gji, ma poshtë,

Deri ndër gishta t’ kambve.

E pakapshme,

Delir që flirton me veten

E vetes i mungon.

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: "VALENTINIANE", Anton Çefa në Sofrën e Diellit:

NJË LIBËR I RI PËR ÇAMËT

February 10, 2017 by dgreca


1 Namik

Nga Luan Çipi/Këto ditë doli në qarkullim një libër i ri i shkrimtarit Namik Selmani me titull “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME”.Namik Selmani ka lindur më 18 Nëntor të vitit 1950  në fshatin Ninant të krahinës së Çamërisë, që përfshihet në rrethin e Sarandës dhe është shkrimtar e gazetar i spikatur e mjaft produktiv.Ka kryer Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi” në qytetin e Elbasanit dhe studimet e larta në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Degën Gjuhë-Letërsi Shqipe, pranë Universitetit Shtetëror të Tiranës. Ka punuar mbi 35 vjet si mësues i gjuhës e letërsisë shqipe në disa shkolla të mesme, kryesisht në rrethin e Beratit dhe më gjatë po atje, në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Kristo Isak”.

Krijimtaria letrare e tij është shumë e pasur dhe e larmishme. Ai ka shkruar gjashtë vëllime me poezi, disa libra me publicistikë, monografi, libra për kulturën e të folurit e të të shkruarit në shkolla të mesme, libra të karakterit fetar, etj., gjithsej 40 libra. Ka botuar gjithashtu me qindra shkrime të karakterit studimor, kryesisht të fushës së kulturës kombëtare, opinione të ndryshme në organe të shumta të shtypit shqiptar e të huaj, etj.Namik Selmani prej disa vitesh është një autor i njohur, që me botimet e tij është përfaqësuar denjësisht edhe në disa vende të botës si në ShBA, Zvicër, Maqedoni,Kosovë, etj.

Në krijimtarinë e Namik Selmanit zë vend edhe publicistika. Për disa vjet ai ka qenë kryeredaktor i gazetës “E vërteta” në qytetin e Beratit, si edhe bashkëpunëtor i disa gazetave kombëtare. Ka pasur shumë suksese edhe në lëmin e fotografisë artistike, duke hapur disa ekspozita vetjake në Shqipëri, Itali, Maqedoni, Kosovë, etj. Është fitues i disa çmimeve kombëtare në letërsi e në publicistikë dhe ka marrë pjesë e është ballafaquar me sukses, në disa tubime krijuesish në shkallë kombëtare.

Namik Selmani është anëtar kryesie në Shoqatën Kulturore “Bilal Xhaferri” dhe zëvendëskryeredaktor i revistës “Krahu i shqiponjës”. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë dhe anëtar i Klubit të Shkrimtarëve “Konstantin Kristoforidhi” në qytetin e Elbasanit, etj.

Libri i ri monografik, për veprimtarin e shquar çam, Adem Teme, është një kulm i ri letrar e artistik i autorit, një vepër e mirëfilltë studimore e krijuese, ku paraqiten bukur të vërteta historike, kombinuar me kujtime, tregime, poezi, dokumente, fotografi e reportazhe. Libri është botuar nga “Mirgeeralb” Tiranë dhe ka 224 faqe.

 

Librin e ri me aromë krejt çame, diku edhe me të folmen karakteristike çame, e lexuam “me një frymë”, si unë dhe ime shoqe, (ish mësuese gjuhë letërsisë dhe mikeshë e hershme me bijat e protagonistit të nderuar të librit, Adem  Teme).

Ne, që i  njihnim direkt personazhet (xhaxhi Ademin, teto Eminenë dhe thuajse gjithë të tjerët), duke lexuar me shumë përqendrim, nostalgji e dashuri, kaluam çaste  të bukura ngacmimesh të vjetra, që shpesh na përlotën dhe gjithë kohës na përmallën, në kujtim të ngjarjeve interesante e të paraqitura bukur, që na kaluan para sysh si në ekran filmi. Kujtuam gjithë çamët e mirë të Vlorës, tragjedinë dhe rrugëtimin heroik dhe përpjekjet e tyre titanike e legjendare për mbijetesë me punë, vendosmëri, krenari e dinjitet.

Autori thotë për ta, që për mbijetesë i ndihmoi UNRA. Ndihma e UNRAS dhe e Shtetit Shqiptar të posa krijuar e të varfër, sipas meje dëshmitar okular, ishte minimale dhe simbolike. Ata i ndihmoi më shumë qëndrimi i tyre pa qibër, me dashuri për çdo lloj pune (mandej për më të vështirat). Çamët e Vlorës dhe të gjithë Shqipërisë edhe pse të tronditur e të leqendisur nga masakra e barbaria greke, në Shqipëri zgjodhën të jetonin në kushtet të përafërta si në trojet e tyre, sa më afër detit, ullinjve dhe portokallieve. Ata punuan më së shumti si peshkatarë në det dhe si bujq e blegtorë, në vazhdim të traditës, në përjetim të mallit për vendlindjet e tyre të paharruara, të begata dhe me bukuri përrallore. Ata ushtruan profesionet e bujkut, blegtorit, peshkatarit, karroxhiut, qoftë dhe të punëtorit të thjeshtë të krahut në ndërtim, komunale e transport. Ata shumë shpejt i arritën dhe diku i kaluan mikpritësit dashamirë vendas, duke e përkrahur dhe mbështetur fort njëri-tjetrin, për të manifestuar kështu shkallën e tyre tradicionale të solidaritetit, fisnikërisë dhe të besës. Ata e ruajtën dhe përtërinë folklorin e tyre të bukur, duke kërcyer me patos vallen e veçantë madhështore e të paharruar çame, duke kënduar me nostalgji këngën polifonike karakteristike të tipit Çelo Mezani, apo këngën qytetare erotike të ëmbël çame. Ne, që i kemi parë e përjetuar, nuk i shlyejmë dot nga mendja ndër shekuj përshtypjet e pakontestueshme se, kur kërcejnë dhe këndojnë çamët, në festat apo dasmat e bukura dhe me shumë harxh që organizojnë, ata duken të tjetërsuar, duke shpërthyer dhe duke nxjerrë në shesh gjithçka që kanë thithur, brumosur dhe mbajtur në thellësinë e qenies dhe të shpirtit të tyre vital. Dhe në këto raste, si vëllezër të një gjaku, ata ngjajnë më shumë shqiptarë, mollos e thrako-ilir, njësoj si ne, ndaj dhe s’ka pse mos t’i duash më shumë. Prandaj thuajse pa përjashtim, çamët që erdhën me shumicë në qytetin e Vlorës kryesisht, po edhe rreth saj, imponuan te vendësit mirëkuptim, krijuan dhe ofruan dashurinë dhe përkrahjen pa rezerva të vlonjatëve dhe gjithandej të shqiptarëve, të njëjtë me ta në gen, mirësi e gjak.

 

Familjen e Adem Temes e ndihmoi dhe fati, që takoi dhe u strehua te shtëpia dhe kafeneja e atdhetarit të mençur Qamil Tushe, (babai i heroit të Topanasë, Barjam Tushe dhe gjyshi i sociologut zëmadh Gëzim Tushe) po dhe vet prezenca, urtësia, zotësia, ëmbëlsia, korrektesa dhe përvoja amerikane e Ademit buzagaz, ashtu si e ka përshkruar me besnikëri e vërtetësi, disa herë, autori i librit.

Adem Zer Teme, ishte për18 vjet emigrant ekonomik në Amerikë. Pjesëmarrja atje në veprimtari atdhetare në gjirin e Shoqërisë famëmadhe Vatra, lidhja me Shqipërinë dhe ndihmat monetare për të, kthimi në vendlindje dhe qëndrimi ndihmëtar e human në Çamëri, veprimtaria atje si Kryeplak i fshatit të tij Mazrek dhe në mbrojtje të tyre nga gjenocidi grek, si dhe më vonë përpjekjet për përshtatjen e mirë e të shpejtë dhe sidomos për mirërritjen, edukimin dhe arsimimin e pesë fëmijëve të vetë në Shqipëri, tregojnë për një figurë të shquar gjurmëlënëse.

Veç babë Ademit, unë kam njohur direkt në punë për shumë vjet djemtë e tij. Me Niaziun, teknik i mesëm elektrik, kam punuar në një zyrë, në Uzinën Mekanike Vlorë për pesë vjet rresht. Nuk gjeje nëpunës më të devotshëm e rezultativ se ai! Gjithnjë i gatshëm dhe i papërtuar, që kur nuk tërhiqej para asnjë vështirësie, pa pyetur për orar pune dhe gjithnjë i qeshur dhe dashamirës me të gjithë. Me Abedinin, vëllain më të madh, thuajse moshatar me mua, kemi punuar për gati dhjetë vjet në aparatin e Komitetit Ekzekutiv, ku ai ka kryer disa detyra në pozicionin e agronomit të rrethit të Vlorës për më shumëse 40 vjet. Ku shkonte Abedini ishte puna konkrete dhe e ndershme me nivel shkencor, zgjidhja praktike më optimale e problemit, mbështetur përherë në qëndrimin korrekt dhe dashamirës. Ishin të dy djemtë, kopje e babait të tyre, Adem Zer Teme, me shumë punë dhe pak fjalë.

Personalisht kam simpati dhe dashuri për Çamët dhe duke qenë në moshë mbi 80 vjeç, në punën 40 vjeçare shtetërore në administratën lokale, në bujqësi, industri e ndërtim dhe si mësues e pedagog mbi 30 vjeçar, kam pasur miqësi e njohje me qindra kolegë, miq, shok e nxënës çam, për të cilët jam krenar, se i kam ndër dashurit e zgjedhura. Shpreh dëshirën të veçoj,  të cilësoj e të përfshij në këtë listë nderi: Etem Suljotin, Emin Sejkon, Ali Hoxhën, Ismail Nuhun, Osmane Izet Rexhon, Nail Çamin, Sulo dhe Jakup Sulejmanin, Abedin Elmazin, Mersin Zenelin, Damin Sejkon, Abedin e Namik Xhemalin, Bido Hamitin, Mamo Habibin (me këta dy të fundit, miq stërgjyshëror), Jasin Balon, Mustafa e Remzi Suljotin, Abdulla Iljazin, Namik Veipin, Saqe Geran, Haki e Tajar Bardhin, Niazi e Mamo Brahimin, Skënder Beqirin me vëllezër e motra, Esat Hasanin, etj.

 

Duke shprehur kënaqësi për librin, do veçoja punën krijuese personale të autorit Namik Selmani, ngaqë kam mendimin se plotësimet nga të tjerët, janë ndenë nivelin e tij cilësor dhe them edhe të pa nevojshme e diku përsëritje, mandej që edhe mund të përjashtoheshin.

Mendoj se një thellim në origjinën më në  lashtësi të fisit “TEME” edhe të vet  fshatit Mazrek, të krahinës Marglliçit dhe krejt Çamërisë, do ishte me interes dhe bukuri, kështu mund të kishte dhe shpjegimet më të plota për arsimimin, punësimin dhe jetën e tanishme në Amerike për këtë familja kaq të madhe (ikën 65 dhe tani mund të jenë mbi 100), po edhe disa përsëritje të tjera panevojshme mund të evitoheshin, etj.

 

Vepra letraro biografike “BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, ADEM ZER TEME, më se dinjitoze, është e autorit Namik Selmani dhe përfundimisht mendoj se është një arritje e dalluar për llojin e vet, si monografi. Unë si lexues, shpreh kënaqësi  dhe uroj për vepra të tjera me vlerë, të mirëpritura dhe të nevojshme për çdo familje shqiptare! Ndërkohë, kërkoj falje për sugjerimet, krejt personale e dashamirëse, jo si mangësi të librit, po që mund të shërbejnë për monografitë e ardhshme.

 

Tiranë, 10.02.2017

Filed Under: LETERSI Tagged With: ADEM ZER TEME, BIRI I SHQUAR I ÇAMËRISË, Luan Cipi, namik Selmani

ROMANCIERI I PARË I TEMËS PELLAZGJIKE

February 6, 2017 by dgreca

Mozaiku pellazgjik në botën romanore “Kodi i baltës së pjekur” të Çlirim Hoxhës/Kodi i baltës së pjekur, Çlirim HoxhaNga MSc. Albert HABAZAJ/ poet, studiues/Romancieri Çlirim Hoxha, autor i shtatë librave të botuar në gjininë e prozës së gjatë, pasi u la kohë të mjaftueshme lexuesve, dashamirësve të librit dhe studiuesve të letërsisë e historisë, na mblodhi së bashku të diskutojmë për pjellën e shpirtit të tij krijues.

Se përse e ka shkruar Çlirim Hoxha këtë vepër, kam dëshirë të bëj një paraqitje të shkurtër për njerëzit që e duan librin: Lexuesi ka në dorë veprën e një autori, i cili është i njohur në gazetari e publicistikë, por që spikat edhe në dy fusha të tjera të diturisë: si krijues letrar i prozës së gjatë, që ka krijuar përvojë në linjën e romanit, dhe si studiues i pasionuar për gjurmime e kërkime në mënyrë të pavarur, si individ apo edhe si pjesë organike e grupimit të studiuesve të tjerë të përkushtuar në fushën e Studimeve të Pavarura Pellazgjike, organizuar dhe integruar në Shoqatën e Qendrës së Studimeve Pellazgjike. Kjo shoqatë, më 21-22 tetor 2011, organizoi në Tiranë Konferencën e Parë mbi Qytetërimin Pellazg (e para në botë e këtij lloji), ndërsa më 18 dhjetor 2016 u organizua Simpoziumi i Katërt i Shoqatën së Qendrës së Studimeve Pellazgjike, e cila ka dhe revistën e saj me emrin e duhur e kuptimplotë “Dodona”. Çimi është anëtar i kryesisë, që nga fillimi, konsekuent e konstant, me kontribute të dukshme për “zanafillën 10 mijë vjeçare të shqiptarëve”, siç ka dhe logon Shoqata e Qendrës së Studimeve Pellazgjike.

Me librin “Kodi i baltës së pjekur”, autori vjen me një gjetje artistike në gjininë e prozës së gjatë, me llojin e romanit, duke na sjellë një material të ngjeshur me kohë, që lëviz aty te 4717 – 5000 vjet nga sotshmëria në retrospektivë; me mozaik hapësinor nga Shqipëria, Greqia, Franca, a më ngushtë nga Athina, Tirana, Vlora, ishulli i Lemnit, Parisi; ku veprojnë një galeri e tërë personazhesh të klasifikuar sipas hierarikisë së vlerave në shoqëri, që nga qytetarët e thjeshtë, specialistët, studiuesit, profesorët, shkencëtarët, apo zyrtarët, drejtorët, (theksueshëm në dy vende ballkaniko-mesdhetare, fqinjët e vjetër Shqipëri – Greqi), burokratët e institucioneve, të muzeve, të ministrive, deri në kupolë, në zyrën me shkëlqim të rëndë verbues të kryeministrit të shtetit kufitar nga Jugu (gjithmonë brenda linjave që hap letërsia). Planet strukturore të romanit kanë hapësirë, subjekti zhvillohet, siç po e ndjekim në tekst, deri sipër në zyrat ministrore, biles në majë të piramidës kryeministrore të shtetit grek. Personazhet e Çlirim Hoxhës realizojnë ngjarje nga më të papriturat, që, sipas skanerit autorial, të mbajnë në tension, me nerva të tendosura apo të krijojnë situata të këndshme, të bukura, tërheqëse, deri në tronditje. Ata janë dinamikë, kanë densitet dhe intensitet veprimi. Ka dramë, ka dashuri, ka seks, ka Synim.  Shkalla e lartë e forcës, energjia, vrulli vërehen sidomos në dy personazhet kryesorë të veprës: Erand Muja dhe Elisavet Holebas. Në kërkim të së vërtetës, heronjtë pozitivë të romanit bëhen një skuadër serioze në funksion të Synimit të madh. Për hir të së vërtetës së madhe, heronjtë e romanit të Çlirim Hoxhës e marrin rrezikun në sy, krijojnë një solidaritet shembullor, se në rremba u qarkullon gjaku i të parëve, që i thërret për misionin e bekuar nga hyjnitë e të parëve të të parëve tanë. Ata nuk tuten as nga sakrifica sublime, në gjurmë të kulturës materiale, asaj pllake varri, aq të çmuar, gjetur në ishullin e Lemnit, që në kërkim të origjinës së tejlashtë të banorëve të trojeve tona, ishte i vetmi objekt i gjuhës së shkruar shqipe, për të bërë lidhjen midis pellazgo-ilirëve dhe shqiptarëve të sotëm, që duhej paraqitur patjetër në Kongresin Botëror të Gjuhëve të Vjetra të Parisit. Nëse mund ta kërkojnë rrethanat, vetëm e vetëm për arritjen e Synimit, për etnogjenezën e shqiptarëve, Erandi me Elisavetën, me vullnet, dije, vëmendje e guxim, e bëjnë të mundur të pamundurën. Personazhet në vepër ndahen në dy palë, që me gjuhën antropologjike klasifikohen: tanët dhe të tjerët, ne dhe ata, shqiptarët dhe grekët.

Autori Hoxha, me letërsinë që bën, shfaqet i qartë letrarisht, duke nuhatur intuitivisht bashkëveprimin ndërdisiplinor të shkencave sociale me letërsinë, gjuhësinë dhe prehistorinë, mbetjet kulturore të periudhave parake historike, duke kërkuar të shkruajë qartë, sipas mundësisë për shikimin tejet të largët ndaj qytetërimit pellazgjik, që, ndër ne, endet si një re mitologjike aq dhe reale, veçse ende e pa njohur dhe e klasifikuar nga opinionet shkencore bashkëkohore. Jo nga leximi, por nga studimi i romanit, kuptojmë, që autori ka kërkuar të njihet me gjuhët e vjetra, që quhen gjuhë të vdekura. Ai është marrë me historinë e antikitetit pellazgo – ilir, si një pellazgolog idealist, i pakthyeshëm, i përkushtuar e i vendosur. Ka shumë personazhe, toponime, objekte, fakte, detaje, raporte, debate, diskutime, teza të rëndësishme që të ngelen në kujtesë ndryshe nga sa na bezdisin ca media të shkruara e vizive, (sipër dhe këtu) … Mbi të gjitha, ravijëzohet lidhja e qartë logjike e kuartetit: Pellazgji, Stela, Ishulli i Lemnos, Shqipëri, (të paktën 2700 vjet para erës sonë gjurmëlënëse, që ne shohim në tekst).

“Kodi i baltës së pjekur” është roman historik, apo më ngushtë, roman prehistorik. Në letrat shqipe, temën historike e kanë trajtuar letrarisht Sabri Godo, Ismail Kadare, Skënder Drini, Sulejman Krasniqi, Petro Marko, Shevqet Musaraj, etj. Por, për rastin që diskutojmë, kemi të bëjmë me një “specialitet” të veçantë, me romanin historik të një lloji të ri në trajtim (veçse tejet të lashtë në ekzistencë jetësore). Qytetërimi pellazgjik në letërsi, si temë, ndoshta është gati e parrahur; për të mos thënë, është i pari Çimi që rrok hapësira dhe kohë të tej lashtë, prurë letrarisht në një trajtë studimore në sotshmëri, me personazhet që ka ndërtuar, me idetë që hedhin dhe mendimet që mbartin, në funksion të tezës shumë të diskutueshme që mbron, që ha debat shkencor në qarqet akademike shqiptare dhe ato të huaja, sepse, për një arsye a një tjetër, “gjumi i ariut” ndër ne është i ëmbël sot, por nesër shkakton pagjumësi apo del i hidhur… Kështu mos qoftë…

Ndjej kënaqësi që marr pjesë në këtë ngjarje letraro-kulturore-albanologjike të qytetit, kësaj radhe projektuar e realizuar nga familja Hoxha, at e bir me banim në Vlorë: babai shkrimtari i librit, djali piktori i librit. Redaktori dihet, është i mbarënjohuri ynë, “Mjeshtri i Madh”, se një ka Vlora për Letrat – prof. Bardhosh Gaçe, të cilit, i mbetet qejfi po s’i përmende vlerën e merituar të grafistit Kosta Raka, se mërzitet romani pa ilustrimet… Ndihem mirë me pjesëmarrjen time, edhe për faktin se Çimi me Klevisin plotësojnë në imazhin tim një bulëz të Pemës së shëndetshme Letraro-Artistike, me rrënjë të thella, me trung të fuqishëm, me degë të freskëta e gjethe të gjelbëra të Krijimit.

Formalisht janë shumë faqe, rreth 400, që plotësojnë lëndën e ngjeshur romanore, por autori, duke perfeksionuar mjeshtërinë e shkrimit, me këtë roman ndryshe, ka përdorur (edhe pse fasada na shfaq një sipërfaqe të lodhshme fletësh) një gjuhë lakonike të dobishme për të ç’kodifikuar pllakat, si mbijetoja të antikitetit të artë të të parëve tanë, të cilat mbetën 4 -5 mijë vjet, tulatur e tutur nga një trekëndësh ardhur ndryshkur deri më sot: 1. mbuluar nga pluhuri i harresës, 2.  nga qulli i mosdijes dhe 3. nga llumi i ligësisë. Ju, miq të librit, jeni letrarë, njohës dhe mësues veteranë dhe të sotëm të letërsisë, gjuhëtarë e profesorë të fushës dhe mund ta nuhasni bukur e hollë që autori subjektin e shtjellon në 8-9 rreshta, cituar nga filologu italiano – arbëresh Xhuzepe Krispi [Giuseppe Crispi (Arbërisht: Zef Krispi, 1781-1859)], që, si pararendës i studiuesve romantikë të shekullit të XIX, mëshonte mbi tezën se shqipja qe nëna e gjuhëve, tezë që u përkrah edhe nga shkrimtarë të tjerë arbëreshë të Italisë si Jeronim De Rada (1814-1903) e Dhimitër Kamarda (1821-1882), apo nga rilindasit tanë si Pashko Vasa (1825-1892), Abdyl Frashëri (1839-1892) e Sami Frashëri (1850-1904), por që, sipas albanologëve tanë, i përkasin “fazës parashkencore”.[1] Autori i romanit “Kodi i baltës së pjekur”, në paradigmën e albanologut romantik arbëresh Zef Krispi; “Duke gjurmuar origjinën e gjuhës greke, është një gjë e bukur të njohësh se si ajo të kthen, në pjesën e saj më të madhe, te shqipja. Si nuk u dashka pra të ngjallë një interes të madh kjo gjuhë, mbase më e lashtë se greqishtja dhe në thelb, gjuha me të cilën flitej në shekujt para Homerit… Dardanët, frigët, maqedonët dhe pellazgët, pa dyshim më të lashtë se helenët, kishin të njëjtën gjuhë, gjurmët e së cilës vërehen sot te gjuha shqipe”[2] gjeti “Thembrën e Akilit” dhe goditi bukur.

 

Teksti është i mbushur bukur me fjali të thjeshta në ndërtim, të pasura në përmbajtje, që nuk të lodhin, se mbartin ngarkesë emocionale të ndezur dhe të dekoruar me të gjitha ngjyrat e jetës së përditshmërisë njerëzore, me diskutime e kërkime, me dashuri e dhimbje, me përplasje e nerva, me ulje e ngritje. Shpesh herë reminishenca pellazgjike na vjen si retrospektivë romantike e pashlyeshme, në strukturën e tekstit, ku feksin fjali në trajtën e fjalëve të urta. Autori shfaqet edhe si një mjeshtër i përshkrimit fizik të personazheve, deri në imtësitë e mundshme të përshkrimit letrar. Nuk do të ndaloj në sherbetin figurativ, me të cilin autorin ka spërkatur lëndën, për ta mbajtur të ëmbël veprën, sepse do të kërkonte kumtesë më vete, por thjeshtë po përmend similitudën e Çimit “kostelacion nishanesh të vegjël, si yjet e largët të Arushës së Vogël që shfaqeshin në kupën e qiellit” [një krahasim i zgjatur ky, i cili e bën akoma më të plotë përfytyrimin për djalin e hijshëm vlonjatë, me shtat të drejtë sportiv, 1.77 m i gjatë, me nishan mbi faqen e djathtë, me kaçurrela skrop të zeza e sy blu të shkruar, të qeshur e me bisht të Erandit simpatik, diplomuar për histori antike dhe arkeologji, që tërboi bjonden e fuqishme greke Marinela Kostandinos në Muzeun më të madh arkeologjik të Ballkanit, (edhe kjo figurë është përshkruar bukur shumë, natyrshëm, pa artificializma)]. Autori i bën një përshkrim romantik Erandit, me atë portret djaloshar, të bukur e dinjitoz përballë një sirene deti, siç qe bjondinka faqemollë, Marinela e Athinës. Gjykoj se edhe shtatlartësinë e Erand Mujës e lidh antropologjikisht me etnogjenezën. Duket si një detaj formal, por ka rolin e duhur në ansamblin veprimtar, në funksion të Synimit. Me dashuri e ka përshkruar ai dhe restauratoren Elisavet Holebas, “të freskëtën me reflekse ylli”[3]

Edhe pse tema është shumë delikate, kam vënë re pozitivisht, që autori nuk ka rrëshqitje në studimizëm pa krye, është treguar i vëmendshëm dhe i ka ruajtur me kujdes raportet studimtari historike – krijimtari letrare. Si studiues i përkushtuar, ai përdor dhe shpullën e guximshme të fjalës për vertikalët e fushës.  Ai ndjek me koherencë linjën pellazgo – iliro – shqipe dhe nuk gabon në kronologjinë relative të zhvillimit të etnosit iliro – arbëror. Që ta qartësojmë sadopak situatën e librit, e shohim të udhës të bëjmë një paraqitje për katër etapat e ndërmjetme historike (paleoilirë, ilirë, arbër – kohë historike mbi 3000 vjeçare), të cilën autori e ka respektuar. Sipas albanologëve të prehistorisë, që merren me studime ndërdisiplinore për historinë parake, gjuhën shqipe, letërsinë dhe kulturën e shqiptarëve, shoqëria njerëzore ka si hallka lidhëse e ura kalimi midis prehistorisë dhe gjendjes së sotme këto katër periudha të zhvillimit historik:

  1. Paleoilirët (ilirët e hershëm) koha e Bronxit – mijëvjeçari i tretë p.e. r. deri në shek. XI p.e.r., fillimi i epokës së Hekurit;
  2. Ilirët, epoka e Hekurit, shek. XI p.e. r. deri në shek. IV – VI të e.r.;
  3. Arbërit, koha e Mesjetës së hershme, shek. VII – XIII, XIV të e.r.;
  4. Shqiptarët, koha e mesjetës së mesme e vijim[4].

Dhe më tej, kujtojnë studiuesit e fushës: “Gjatë epokës së Paleolitit të Lartë (30.000 – 12.000 vjet më parë) vazhdon procesi i antropogjenezës, d.m. th. i formimit të njeriut si i tillë, rrjedhimisht nuk mund të flitet as për gjuhë pellazge dhe as për popuj të cilësuar etnikisht.[5]

I përmenda këto etapa, se shkrimtari e studiuesi Hoxha, si të kishte sy shqiponje për mendimin, shikon edhe nëpër mjegull. Këtu qëndron merita e autorit, lexues të nderuar; ai nuk tjerr histori, por bën letërsi, ku spikat trajtesa fine e lëndës historike, të besueshme me trillin e shkrimtarit. Autori nuk i nënvleftëson periudhat kronologjike relative të zhvillimit përderisa sa merr penën e guxon të shkruajë për një temë të madhe, kushtuar një populli të lashtë me histori e gjuhë, se nuk kanë qenë memecë të parët e të parëve tanë, protoilirët pellazgjikë. I vëmendshëm e i kujdesshëm tregohet autori për të mos lënë vakume, boshllëqe, ku të shpojnë skeptikët me dyshime për tekstin që ai ka shkruar e botuar. Në bojën e penës së autorit ka lëndë gjuhësie, historie, arkeologjie, etnografie, etnologjie, antropologjie, religjonale për tekstin letrar në funksion të Synimit.  Ai edhe fenë e ka studiuar po në funksion të tematikës që trajton dhe kjo është e dukshme kur, në tekst i duhet kultura fetare (aq sa i nevojitet). Çlirim Hoxha është romancieri i parë shqiptar, që rrok temën e madhe pellazgjike.

 

Fola më parë për ç’kodifikimin që realizon autori me planet vepruese hap pas hapi e të shkallëzuar në vepër. Çimi, të 2700 vjetët para erës sonë, me gjithë botën tonë paraardhëse, nëpërmjet Stelës së Lemnos, deshifrimit të asaj pllake varri qeramike, të sallës së famshme nr. 53, me baltën e pjekur të qytetërimit pellazgjik dhe paraqitjen e asaj dëshmie të pakontestueshme atje ku duhet e ku mblidhet elita e mendimit botëror, na i pruri këtu bindshëm me romanin e tij. Ky libër është roman, nuk është histori. Ka pra trill, por ndërtuar mbi realitetin jetësor e historik, sado të largët, të brishtë, deri të pakapshëm, autori di e na i sjell. Shkrimtari, në funksion të idesë që rrok, përmend edhe emra të përveçëm si Zef Krispi, Xhuzepe Katapano, Shote Galica, Ismail Qemali etj.; por unë tek personazhe si zonja fisnike Emine Valona gjej kulturologen humaniste Nermin Vlora Falaschin me tezat e saj dritërore për Pellazgët yjnor; tek kryetari i Qendrës së Studimeve Pellazge, profesor Luan Pazaj dhe profesoreshë Lindita Pazaj, gjej prof. Luftulla Peza me bashkëshorten e tij, studiuesen e pasionuar Liljana Peza; tek arvanitasi Aristotelis Kolikas, gjej të pavdekshmin e Çështjes së Madhe Aristidh Kola. Të mos flasim pastaj për Erand Mujën, që edhe pse autori i vënë ca kaçurela skrop të zeza e i ka bërë ca patinime të tjera, nuk e maskon dot me tjetër kënd, se ato karakteristika fizike, shpirtërore dhe intelektuale, deri me shkrimet e linjës te gazeta “Telegraf”, i përmbush vetëm një pellazgolog i ndjeshëm e i zjarrtë, 1.77 m i lartë me emrin zyrtar Çlirim Hoxha, (megjithëse letërsi kemi, jo monografi dhe trillet e zbukurojnë lëndën letrare). Duke u ndjerë këndshëm në lexim, me përfundimin pozitiv të kryengjarjes dhe bashkimin e lumtur në Vlorë të dy personazheve kryesorë (Erandit dhe Elisavetës), po i mbyll shënimet  e mia të përgjithshme për romanin “Kodi i baltës së pjekur” të shkrimtarit të njohur Çlirim Hoxha, me respekt për kontributin special që autori jep ndaj kësaj teme madhore, e rrallë në letërsinë bashkëkohore shqipe.

 

 

Vlorë, e premte, 03. 02. 2017

 

 

[1] ) Korkuti, Muzafer; “Vështrim mbi disa botime me temë “Problemi pellazgjik”’; shih: “Perla”, revistë shkencore – kulturore, 2016/2, ISSN 2410-762X,  f. 8.

[2])  Hoxha, Çlirim: “Kodi i baltës së pjekur”, Tiranë, Maluka, 2016, [f. 6].

[3] ) Hoxha, Çlirim: “Kodi i baltës së pjekur”, f. 75.

[4] ) Korkuti, Muzafer; “Vështrim mbi disa botime me temë “Problemi pellazgjik”’, vep. e cit., f.10.

[5] ) Korkuti, Myzafer, po aty, f.12.

Filed Under: LETERSI Tagged With: “Kodi i baltës së pjekur”, Albert Habazaj, të Çlirim Hoxhës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 222
  • 223
  • 224
  • 225
  • 226
  • …
  • 293
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Në Ditën e Gjenocidit në Kosovë, nevoja e Kualifikimi Juridik Ndërkombëtar për Krimet e Kryera në Kosovë (1998–1999)
  • FUNDI I REZISTENCËS SË NACIONALIZMËS 1946-1947
  • ZBULOHEN KONGRESET E BALLIT KOMBËTAR
  • 15 janari është Dita e Përkujtimit të Gjenocidit ndaj Shqiptarëve në Kosovë!
  • Editori Diellit Dr. Athanas Gegaj përkujtohet në New York më 25 Janar 2026
  • Arsyet e vërteta pse ngriu procesi i vizave emigruese për në Amerikë për shqiptarët!
  • ERNEST KOLIQI ( 20 MAJ 1903 – 15 JANAR 1975)
  • SHQIPTARËT NË SANREMO!
  • “Punë hajnash-punë krajlash” dhe mendtarë që heshtin
  • MBRETI ZOG (1933) : “BASHKIMI I KOSOVËS ME SHQIPËRINË, NJË DËSHIRË E MADHE PËR TË CILËN NUK DO TË KURSEJMË ASNJË PËRPJEKJE PËR TA REALIZUAR…”
  • Perspective of a Trauma Surgeon and Former Health Minister of Health of Kosova
  • “I huaji”
  • JO NE EMRIN TIM!
  • Krimi kundër njerëzimit në Reçak dhe lufta e narrativave
  • Fitoi Çmimin e Madh në Saint-Saëns International Music Competition, Prof. Ina Kosturi: “Shpaloseni talentin shqiptar nëpër botë e na bëni krenarë”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT