PRISHTINË, 2 Gusht 2016-B.Jashari/ Diaspora shqiptare konsiderohet një dhe e bashkuar, tha ministri i Mirëqenies Sociale dhe i Rinisë i qeverisë së Shqipërisë, Blendi Klosi, sot pasdite në Prishtinë. Ai, bashkë me ministrin kosovar të Diasporës, Valon Murati, morën pjesë në hapjen e shkollës verore për nxënësit shqiptarë nga diaspora, organizuar nga Ministria e Diasporës, në bashkëpunim me Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) dhe institutin Ed Guard.
Kosovë-Në Prekaz shënohet Dita e Diasporës
-Ministri i Diasporës, Valon Murati: Prekazi dhe sakrifica e Jasharajve për liri janë vlera universale, andaj i takojnë mbarë botës dhe njerëzimit/
PRISHTINË, 2 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Në Prekaz, në Kompleksin Memorial Adem Jashari, nën patronazhin e Ministrisë së Diasporës, u mbajt manifestimi tashmë tradicional “Dita e Diasporës”, në të cilin mori pjesë një numër i madh i bashkatdhetarëve dhe përfaqësues të komunave e deputetë të Parlamentit të Kosovës.
Ky manifestim filloi me homazhe te varrezat e familjes Jashari, me moton “Një lule për Jasharët”. Pas homazheve, mbrëmë, ministri kosovar i Diasporës, Valon Murati, para bashkatdhetarëve dhe shumë qytetarëve të tjerë, mbajti një fjalë përshëndetëse.
“Edhe këtë vit po mblidhemi në Prekaz, për të nderuar sakrificën e familjes Jashari, sakrificë që shënoi një prej momenteve më kulminante të përpjekjeve të popullit shqiptar për liri. Po takohemi këtu me bashkatdhetarët për të nderuar e kujtuar sakrificën e një familjeje simbol i lirisë, sepse vetë diaspora jonë ka qenë një prej shtyllave të përpjekjeve për liri”, tha ai.
Prekazi, vijoi ministri Murati, është dëshmia më e mirë se liria erdhi si produkt i përpjekjeve të parreshtura të popullit tonë për liri, përpjekje gati njëqindvjeçare, të cilat në fund gjetën përkrahjen edhe të botës demokratike.
“Prekazi dhe sakrifica e Jasharajve për liri janë vlera universale, andaj i takojnë mbarë botës dhe njerëzimit”, tha ministri Murati.
Më pas, grupi muzikor nga Italia “Spartiti per Scutari”, në krye me drejtuesin artistik, shkodranin Bardh Jakova, mbajti një koncert që u karakterizua me këngë të bukura shqiptare.
Manifestimi përfundoi me fjalën e Murat Jasharit, përfaqësues i familjes Jashari, i cili, pasi i falënderoi të pranishmit për prezencën e tyre në këtë manifestim, veçanërisht orkestrën “Spartiti per Scutare”, theksoi se është emocion i veçantë kur dëgjon një grup muzikor italian, në krye Bardh Jakovën, duke kënduar shqip.
Në Kosovë, organizuar nga Ministria e Diasporës, ka nsiur dje dhe vazhdon sot manifestimi tradicional Dita e Diasporës.
Kosova për investime nga diaspora
-Ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, Valon Murati takohet me kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi. Gjykata, divizion të veçantë për çështjet e ngritura nga investitorët e huaj/
PRISHTINË, 28 Korrik 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministri i Diasporës i qeverisë së Kosovës, Valon Murati, sot takoi kryetarin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Hamdi Ibrahimi, me të cilin diskutoi edhe për punën e divizionit të posaçëm të kësaj gjykate për trajtimin e lëndëve të investitorëve të huaj.
Gjatë takimit, ministri Murati e informoi kryetarin Ibrahimi për punën dhe projektet e Ministrisë së Diasporës, të cilat i bën për tërheqjen e investimeve nga diaspora jonë, si dhe për kërkesat dhe ankesat që këta investitorë i përcjellin përmes rrjeteve të biznesit.
“Kam insistuar që nga fillimi për themelimin dhe funksionalizimin e divizionit të gjykatës për investimet e huaja, që funksionon në kuadër të Departamentit të Çështjeve Ekonomike në Gjykatën Themelore, ashtu që investitorët nga diaspora dhe ata të huaj të kenë një adresë ku t’i ngrenë çështjet që janë në kompetencë të Gjykatës”, tha ministri Valon Murati.
Nga ana tjetër, kryetari i Gjykatës, Hamdi Ibrahimi, e informoi ministrin se Divizioni i veçantë është funksional dhe ka filluar t’i trajtojë çështjet që janë ngritur nga investitorët e huaj, e që janë në kompetencë të kësaj gjykate.
“Është caktuar edhe gjykatësi që merret ekskluzivisht me këto raste. Deri tani, kemi rreth 5-6 lëndë, të cilat jemi duke i trajtuar”, tha kryetari Ibrahimi.
Dy bashkëbiseduesit u dakorduan që të jenë në kontakt dhe bashkëpunim të vazhdueshëm për të gjitha çështjet që lidhen me investimet e diasporës dhe investimet e huaja në Kosovë e që janë në kompetencë të Gjykatës Themelore.
Samiti i Diasporës për herë të parë në Tiranë
Agjensia Telegrafike Shqiptare njofton se për herë të parë do të mbahet Samiti i Diasporës që do të zhvillohet në muajin nëntor në Tiranë, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit dhe në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme.
Për këtë qëllim nën kujdesin e veçantë të Ministrit të Punëve të Jashtme Ditmir Bushati, në bashkëpunim me Zyrën e IOM-it në Tiranë dhe me asistencën e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, u zhvillua në Athinë takimi i radhës me shqiptarët e Greqisë, me titull “Jam shqiptar” në kuadër edhe të përgatitjeve të Samitit të Parë të Diasporës dhe implementimit të projektit për “Angazhimin e Diasporës shqiptare në zhvillimin e vendit”.
Të pranishëm në këtë takim ishin personalitete me zë të botës shqiptare, studiues të tematikave të migracionit shqiptar në Greqi, grupe interesi që përfaqësojnë komunitetin e biznesit, shoqata kulturore dhe të mësuesve të gjuhës shqipe.
Punimet u fokusuan mbi rolin e Diasporës shqiptare në zhvillimin e çështjeve më të rëndësishme të identifikimit dhe implementimit të kapaciteteve, duke rritur ndërgjegjësimin për vlerat dhe rolin unik të Diasporës shqiptare në angazhimin si partnere për zhvillimin dhe përmirësimin e imazhit të Shqipërisë.
Të pranishmit u përshëndetën nga Ambasadori i Shqipërisë në Athinë Dashnor Dervishi dhe përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme, të cilët informuan të pranishmit dhe mbarë komunitetin mbi rolin e pazëvendësueshëm dhe kontributin e Diasporës në zhvillimet politike, shoqërore e ekonomike të vendit.Takimi i komunitetit shqiptar të Athinës i dha jehonë përgatitjeve për Samitin e Parë të Diasporës
Nesër dhe pasnesër, Kuvendi hap dyert për bashkatdhetarët
Pritja qendrore organizohet të enjten, në orën 11:00, në hollin e Kuvendit/
Nën kujdesin e kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli dhe Forumit për transparencë parlamentare, të enjten dhe të premten (më 21 dhe 22 korrik 2016), Kuvendi organizon aktivitetin tradicional, “Bashkatdhetarët në Kuvend” dhe hap dyert për të gjithë mërgimtarët.
Pritja qendrore organizohet të enjten, më 21 korrik, në orën 11:00, në hollin e Kuvendit.
Të gjithë bashkatdhetarët të cilët dëshirojnë ta vizitojnë Kuvendin e Kosovës dhe të takohen me deputetë, janë të mirëpritur dhe ftohen t’i bashkohen këtij aktiviteti.
- « Previous Page
- 1
- …
- 58
- 59
- 60
- 61
- 62
- …
- 103
- Next Page »