Nga Gani Qarri/
Këtë të diele, në Zvicër është ditë zgjedhjesh, ditë e ngjeshur aktiviteti me orë të tëra pune e angazhimi dhe veprimi pa pushim.
Ditë votimesh, numërimesh, seleksionimesh dhe përllogaritje përqindjesh, për secilin kandidat dhe parti.
Ditë pritjeje e durimi dhe shprese për realizim ëndrrash politike dhe jetësore edhe për kandidatët shqiptar, të cilët deri në këtë pikë sprove erdhën me meritë dhe angazhimin e tyre të suksesshëm.
Shumë ngjarje dhe zhvillime pozitive aktuale, që vetëm pak vite më parë ,nuk mund të merreshin me mend, dukeshin të largëta dhe pothuajse të pamundura, për tu arritur nga shqiptarët, ato sot, fatbardhësisht po bëhen realitet.
Po kthehen në fakt përjetësimi dhe shembull krenarie e ndërgjegjësimi për bashkëkombësit tanë kudo, gjë që edhe jo pak popuj të tjerë, tejet më të numërt se ne, në këto vende, do ta kishin lakmi dhe dëshironin për vete.
Shqiptarët përveç shkëlqimit në sport, ka kohë që suksesshëm po ecin, dhe bëjnë hapa të mëdhenj e të sigurt, me shumë të rinj e të reja të këtij komuniteti, si kandidat potencial me mundësi reale për tu zgjedhur edhe në poste të larta politike, nga pozitat kantonale deri te ato shtetërore në Vendin Helvetik.
Kësaj radhe,interesim të veçantë ka zgjuar protagonistja e modelimit dhe ish e përzgjedhura “Bukuroshe e Kosovës” nga viti 2010, zonja Kështjella Pepshi, si kandidate me mundësi të mira për fitimin e një vendi të deputetes në Parlamentin Shtetëror të Zvicrës.
Kështu, ajo dhe emra tjerë serioz, atraktiv e premtues, shpejt dhe bindshëm, po bëjnë realitet faktorizimin politik të shqiptarëve, në këtë vend dhe shtetet tjera evropiane, ku ata gravitojnë, angazhohen pa kursim bashkë me familjet e tyre mërgimtare dhe punojnë e jetojnë ndershmërisht, për dekada me radhë.
Ndaj, është kënaqësi e veçantë për gjithë bashkësinë tonë të gjerë, kur vetëm disa vite, pas tentimeve të zëshme dhe pothuajse agresive të shprehura nga ndonjë parti ekstremiste, për kundërshtimin kolektiv të integrimit të barabartë të shqiptarëve, sot të shohësh, pikërisht fëmijët e shquar të këtyre familjeve dhe bashkëkombësit tanë të “refuzuar”, se me sa siguri dhe sukses, ecin denjësisht drejt horizonteve më të larta politike dhe parlamentare në Kuvendin Helvetik.
Madje, emrat e përzgjedhur për kandidim në vendet e demokracive perëndimore, përkundër politikbërësve në atdhe, të cilët jo vetëm se nuk janë pasqyra më e mirë e popullit tonë të shumëvuajtur,por edhe lanë namin para syve të të gjithë faktorit ndërkombëtar, këta me punën ,seriozitetin dhe ndershmërinë e tyre, bëjnë kombin tonë, të ndihet krenarë në gjithë botën e përparuar demokratike!
Kështu, duke parë vullnetin dhe përpjekjet e pareshtura të të rinjve tanë mërgimtar, shumë parti politike në Zvicër, u kanë hapur dyert të rinjve shqiptar edhe për angazhime politike, duke i ranguar ata në vende meritore si kandidatë të preferuar për zgjedhjet aktuale.
E impresionuar me aktivitetin e zellshëm të ish “Miss Kosova Univers 2010″ zonjës Kështjella Pepshi, CVP e vendosi atë në piedestalin e kandidatëve me origjinë “jo-vendore” duke e “stolisur” Bukuroshen Shqiptare me numrin 7, në ranglistën e kandidatëve të parë të saj, si “Perlë” e përzgjedhur(tanimë) politike për delegim, (pse jo) edhe zbukurues në Parlamentin Zviceran.
Ndaj, shqiptarët gjithsesi, në këto momente historike, duhet të jenë të vetëdijshëm për rëndësinë e madhe që ka vota e tyre, dhe më tepër se asnjëherë tjetër më parë, kërkohet të tregohen të motivuar dhe organizohen e mobilizohen, sa më mirë, kudo që janë, për votim sa më masiv, pasi që çdo votë e dhënë vlen dhe ndihmon shumë fitoren në zgjedhje të përfaqësuesve tanë të ardhshëm në këtë vend.
Kjo është mënyra më e mirë dhe më efektive, që ti ndihmojmë ata të futen triumfalisht në instancat më të larta shtetërore, aty ku merren vendimet me rëndësi për zhvillimin, mbarëvajtjen, prosperitetin, shkollimin, punësimin si dhe trajtimin e përgjithshëm edhe të mërgimtarëve në Zvicër.
Secili bashkëkombës me të drejtë vote, që deri më tani, nuk ka mbaruar këtë obligim përmes formës postare, më 18 tetor të këtij viti, nuk duhet të hezitojë për asnjë moment, por të dalë dhe votoj me dëshirë për kandidatët shqiptar.
Fillimi i mbarë në këto zgjedhje dhe eventualisht fitorja e mundshme e një apo disa nga bashkatdhetarët tanë, do të shkruante histori dhe niste një kapitull të ri për të gjithë ne në këtë vend mik, si dhe hapte dyert për suksese të mëtejme dhe faktorizonte komunitetin tonë mërgimtar, në politikën zvicerane.
Fitorja e Kështjellës si emri më i favorizuar nga pjesëtarët e bashkësisë sonë kombëtare në Parlamentin Helvetik, si dhe i kandidatëve tjerë shqiptar, jo vetëm se do të shprehte përfundimisht fuqinë tonë votuese, por na bënë edhe më të fort e më të sigurte si dhe vulosë përjetësisht komunitetin tonë si pjesë e faktorëve vendimmarrës në të gjitha instancat e këtushme shtetërore.
Demokracia me tradita qindravjeçare helvetike, përveç të drejtave njerëzore e kombëtare, të punës dhe shkollimit të cilat na i ka mundësuar që nga fillimi, me emërimin e kandidatëve shqiptar për poste politike, po jep edhe një shembull të sinqertë e domethënës përfaqësimi.
Ajo, shtrinë dorën e saj me dashamirësi dhe na grish solemnisht edhe neve si mërgimtar, për një bashkëpunim të ndershëm e miqësor dhe ndarje “fer” edhe të përgjegjësive udhëheqëse e shtetërore, me synim mbarëvajtjen dhe integrimin e popullsisë sonë në Zvicër.
Ndaj mundësin e ofruar për përfaqësim edhe në jetën politike, vendimmarrëse dhe zhvillimore të këtij vendi, ne duhet ta vlerësojmë lartë dhe respektojmë maksimalisht edhe me votimin tonë masovik, në mënyrë që ky rast i rrallë për ne deri më tani, të jetësohet me sukses historik dhe kandidatët tanë të fitojnë ashtu siç ata e meritojnë dhe dëshirojmë të gjithë ne si shqiptar.
Me zgjedhjen eventuale të përfaqësuesve tan të rinj, në Kuvendin Helvetik, përveç shtimit të zërit tonë atje, edhe atij do ti forcohej harmonia tradicionale, rritet vitaliteti rinor si dhe dritësohet edhe më shumë sharmi i përbërjes ekzotike me bukuritë e përzgjedhura fisnike dhe buzëqeshjet e dëshmuara origjinale shqiptare, si ato të Kështjella Pepshit.
Duhet përmendur me këtë rast, se, me zgjedhjen e Kështjellës dhe kandidatëve tjerë të mirëintegruar shqiptarë këtu, do fitonim të gjithë ne. Kurse ata, jo vetëm se do bëheshin përfaqësuesit tanë të devotshëm në instancat më të larta shtetërore zvicerane, por edhe ambasadorët më të mirë e besnik të vendit dhe origjinës së tyre kombëtare.
Për aq më tepër, nuk duhet të harrojmë edhe një fakt tjetër, i cili për fat të mirë tonin, për ndryshim nga të dëbuarit me programet serbe për shpërnguljen masive dhe shkatërrimin e shqiptarëve në vazhdimësi, kur Serbia bashkë me Greqinë arritën të katapultonin miliona shqiptarë me dhunë në Turqi, dhe për kohë të shkurtër, pothuajse gati të gjithë ata-atje u asimiluan, ne megjithëse mërgimtar, por në vendet me të drejta dhe demokraci të përparuar, edhe pse në numër tejet më të vogël në krahasim me miliona shqiptar pa mundësi shkollimi dhe asnjë të drejtë gjuhësore e kombëtare në Turqi, neve në Zvicër dhe vendet tjera perëndimore, megjithëse pjesë e një populli të pa përkrahur gati nga askush, edhe aq sa ishim,jo vetëm se na u lejua mësimi dhe ruajtja e gjuhës amtare, por edhe fëmijëve të familjeve tona mërgimtare, ju mundësua që me emër e mbiemër dhe duke ruajtur përkatësinë e tyre kombëtare të kandidojnë për pozita parlamentare të këtyre shteteve, dhe vendeve demokratike.
Ndaj, kjo zemërgjerësi e treguar, duhet kujtuar gjithmonë me respekt e falënderim të pafund dhe ne si mërgimtar edhe me përfaqësimin tonë-“autokton”, duhet të ndihmojmë pa kursim dhe sinqerisht, si zhvillimin e Zvicrës dhe vendeve tjera mike, ashtu edhe përparimin e atdheut, me zërin e fituar në arenën evropiane e ndërkombëtare, siç ndihmoi për vite me radhë Josef Dioguardi me shokë, me angazhimet e pareshtura në Kongresin e SHBA, për çështjen shqiptare, pa emrin e të cilëve, gjendja jonë, ndoshta nuk do ishte kjo që është sot.
Kështu që, duhet të jemi të vetëdijshëm se edhe tani e kemi obligim që të solidarizohemi si komb dhe japim shembull të mirë edhe duke votuar, ngase vërtetë është kënaqësi e madhe dhe krenari e veçantë për të gjithë ne mërgimtarët ,nëse arrijmë që me votën tonë, të ndihmojmë Kështjellën dhe kandidatët tjerë bashkëkombës për fitore dhe nga këto zgjedhje e tutje, të përfaqësohemi denjësisht me deputete e deputet të mbështetur dhe adhuruar nga të dy popujt në Parlamentin Zviceran.
Pra, bashkatdhetar të nderuar, shqiptarë të të gjitha trojeve pa dallim, miq dhe dashamirë, mos hezitoni, që këtë të diele, më 18 tetor 2015,të ofroni votën tuaj për Kështjellën dhe shokët e shoqet e saj, në të gjitha instancat ku ata konkurrojnë, sepse me zgjedhjen e tyre, fitojmë të gjithë ne, në këtë mënyrë ndihmojmë vetveten dhe mërgimtarët shqiptar kudo, në Vendin Helvetik.
Ndaj, përveç ftesës së pareshtur për votimin e kësaj bukurosheje dhe patrioteje të ndritshme dhe të gjithë kandidatëve shkëlqyes shqiptarë, për fund, urojë nga zemra që dëshira e tyre në këto zgjedhje të plotësohet tërësisht dhe ëndrra jonë e madhe, për fitoren e bashkëkombësve tanë në këtë 18 tetor, të bëhet realitet, ashtu siç shpresojmë dhe dëshirojmë sinqerisht, të gjithë ne. Suksese!
Gani Qarri Cyrih, 15 tetor 2015
DIASPORA- Shqiptarët duan shoqatat e tyre edhe në Irlandë
-Ministri kosovar i Diasporës takon bashkatdhetarët në Irlandë/
PRISHTINË, 14 Tetor 2015/Në kuadër të vizitës zyrtare në Republikën e Irlandës, minisitri kosovar i Diasporës, Valon Murati takoi sot një grup të bashkatdhetarëve tanë që jetojnë dhe veprojnë në Irlandë, ashtu që të dëgjohen të gjitha kërkesat, brengat por dhe idetë e tyre, si dhe t’i informojë për punën që Ministria e ka bërë nga viti 2011 deri sot, si dhe planet për të ardhmen.
Gjatë këtij takimi, thekson njoftimi i dërguar, ministri Murati i informoi bashkatdhetarët për punën e Ministrisë së Diasporës në përgjithësi, procesin e hartimit të regjistrit të diasporës dhe mërgatës, mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë si dhe projektet e krijimit të rrjeteve të bizneseve, të rinjve dhe studentëve.
Ministri Murati po ashtu i informoi bashkatdhetarët për takimet të cilat i ka pasur me përfaqësuesit e lartë të politikës irlandeze duke u shprehur i inkurajuar me mesazhet e marra nga ta për vendosjen e bashkëpunimit ndërinstitucional në të mirë edhe të komunitetit shqiptar në Irlandë por edhe shtetit të Kosovës dhe theksoi që shembulli i raportit të diasporës irlandeze me vendin e tyre është një model që duhet ndjekur.
“Ministria e Diasporës punën e vet e bazon në katër shtylla kryesore të cilat qëllim e kanë bashkëpunimin sa më të madh me diasporën tanë në shumë fusha. Hartimi i regjistrit të diasporës dhe mërgatës është një proces jashtëzakonisht i rëndësishëm për shtetin e Kosovës, mësimi plotësues i gjuhës shqipe në diasporë është një parakusht esencial për ruajtjen e identitetit kombëtar, ndërsa rrjetet e bizneseve dhe format e tjera të organizimit ndihmojnë që edhe ju të jeni pjesë e qeverisjes së Kosovës”, tha ministri Murati.
Bashkatdhetarët tanë u shprehën të kënaqur me vizitën e ministrit Murati në Dublin, edhe përkundër faktit që shqiptarët në Irlandë janë të shpërndarë në më shumë qytete, në vecanti në jug të Irlandës. Ata si kërkesë të rëndësishme e shtruan edhe nevojën e organizimit të bashkatdhetarëve në Irlandë nëpër shoqata të shqiptarëve pasi që një gjë e tillë mungon në Irlandë. /b.j/
Samiti për Diasporën dhe (pa)përgjegjësia kushtetuese
Nga takimi i Kryeminsitrit rama me perfaqesues “te perzgjedhur” te diaspores me 26 Shtator en New York/
Nga Afrim Krasniqi/
Kryeministri Rama lajmëroi javën e kaluar se në muajin mars 2016 do organizohet në Tiranë “Samiti i Parë i Diasporës” shqiptare. Lajmi bëri headline dhe u komentua gjerësisht si një risi në vendimmarrjen politike të Tiranës ndaj komuniteteve shqiptare në botë. Në fakt, një nismë e tillë daton herët, më 1995 por që u harrua shpejt për shkak të krizës politike 1996, dhe që u risoll në axhendën zyrtare më 2006 duke u programuar për vitin 2007. Në Strategjinë Kombëtare për Diasporën dhe Emigracionin (2006) parashikohej se Kongresi i Parë i Diasporës do kishte përgjegjësinë “shqyrtimin e politikave aktuale për mobilizimin e diasporës shqiptare, ku me prioritet do të shqyrtohen çështje si ruajtja e gjuhës dhe kulturës, fenomeni i ikjes së trurit dhe investimet në Shqipëri”. Për jetësimin e projektit u programuan 100000 fletëpalosje (25000 euro), 5000 broshura (5000 euro), si dhe 5000 euro materiale te tjera reklamuese, pra në total 35 mijë euro. Nuk ka informacion zyrtar se çfarë ndodhi me projektin dhe as strategjinë, por risjellja në jetë e idesë së Kongresit të Diasporës (tashmë i quajtur Samit), është tregues se asnjëri prej angazhimeve nuk është realizuar.
Përtej këtyre detajeve të rëndësishme, tema e diasporës meriton edhe një analizë më plotësuese dhe shteruese. Kushtetuta e Shqipërisë (neni 8) detyron shtetin shqiptar “të mbrojë të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet” si dhe tu sigurojë “ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare”. Në funksion të këtij përcaktimi kushtetues, çdo qeveri shqiptare e viteve post 90 ka premtuar se çështjet e diasporës do jenë parësore në angazhimet e tyre. Gjithsesi, bilanci i deritanishëm flet për të kundërtën, – asnjë qeveri nuk ka kryer si dhe sa duhet detyrimin e vet kushtetues.
Le ta ilustrojmë politikën zyrtare me evoluimin e idesë për një ministri diaspore për shqiptarët jashtë vendit. Referuar faqes Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) numri i shqiptarëve që jeton në emigracion është 1.35 milion, ku sipas numrit, vendin kryesor e zënë Italia, Greqia, SHBA, Britania e Madhe, Kanada, Gjermani, etj. Në një vend me popullsi 3.3 milion banorë, ku 1.3 rezultojnë zyrtarisht në emigrim dhe vetëm 2 milion në vend, do të duhej që çështjet e emigrimit dhe diasporës të kishin vend prioritar. Në fakt, asnjë prej kabineteve qeveritare prej 1990 dhe rrjedhimisht, asnjë kabinet qeveritar në historinë e këtij vendi nuk ka pasur ministri diaspore. Kemi pasur fjalën “emigracion” në strukturën e disa ministrive, sidomos pas 1996, por në vitet e fundit edhe ajo është hequr. Politika ofroi si zgjidhje ekzistencën e drejtorisë për emigracionin (1992) në kuadër të MPJ, strukturë e cila mbulonte edhe diasporën. Më 1996 me VKM qeveria krijoi Institutin e Diasporës, një strukturë në varësi nga Këshilli i Ministrave dhe që përbëhej vetëm nga 3 (tre) persona. Dhjetë vjet më vonë, më 2006, qeveria shpalli me VKM krijimin e Institutit Kombëtar të Diasporës, institucion tashmë në varësi nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ekipi ekzekutiv i Institutit do përbëhej nga vetëm 4 (katër) persona, një prej të cilëve duhej të ishte diplomat. Vendimi parashikoi edhe ngritjen e një Bordi Drejtues me drejtorë nga shtatë ministri të ndryshme. Pas disa eksperimenteve të tjera, aktualisht në strukturën e MPJ gjendet një zyrë e quajtur “sektori i diasporës”, një prej tri zyrave që bëjnë pjesë në drejtorinë e Diplomacisë Publike, Partneriteteve dhe Diasporës. Refuzimi për të pasur një ministri diaspore (në nivel ministrie ose sekretariati shtetëror) , siç kanë pasur dhe kanë shumë shtete evropiane dhe në botë, përfshirë edhe 4 prej 5 vendeve fqinje, mbetet tregues i mungesës së interesit, vëmendjes, prioritetit dhe vullnetit politik ndaj këtij realiteti.
Çështja tjetër me shumë rëndësi është koncepti ynë për diasporën. Deri më 1990 ajo shihej si potencial armik dhe në rastin më liberal si potencial kulturor, pas 1990 dhe gjatë dekadës së parë të tranzicionit diaspora u pa si burim financiar për familjet dhe ekonominë shqiptare. Ajo u përdor dhe u bë pjesë e axhendës politike vetëm në raste krizash politike, në rastet e nevojave për dekor festimesh apo si alibi në procese privatizimi masiv si në fushatën jo-transparente “Shqipëria 1 euro”. Presidentë, kryeministra, ministra, deputetë e zyrtarë të lartë, parti politike dhe media, gjatë udhëtimeve të tyre jashtë në të shumtën e kohës gjejnë ca orë për të takuar komunitete të diasporës, kryesisht për shprehje interesi ndaj tyre, jo për axhenda dhe projekte partneriteti serioz dhe funksional. Kur zyrtarët pyetën, ata listojnë si arritje të rëndësishme ndonjë shkollë shqiptare të hapur në diasporë, ndonjë marrëveshje njohjeje për pensionet, ndonjë financim apo aktivitet kulturor, ndonjë program në TVSH apo gazetë, ndonjë dekoratë të dhënë apo punën e ambasadave shqiptare atje. Siç shihet, bilanci është minimal, kilometra larg premtimeve, nevojave dhe pritshmërive. Projekte periodike si ai i kthimit të trurit, i thithjes së kapitalit të tyre financiar në vend apo i aktiviteteve ndërkombëtare promovuese, janë vetëm disa pika në hapësirën dhe nevojën e madhe oqeanike të bashkëpunimit.
Në terma konkretë sjellja jonë mbetet mosmirënjohëse, aksioniste, propagandiste dhe abuzuese ndaj diasporës dhe gjithçka ajo përfaqëson. Mjafton të përmendim faktin se kohët e fundit u nxorën jashtë përdorimit më shumë se 150 mijë karta identiteti dhe u kërkuam që fajin tonë ta paguajnë përsëri ata, se më lehtë ofrohen shërbime në zyrat e shteteve të tjera sesa në zyrat e ambasadave tona, se shteti shqiptar ende nuk ka një listë të politikanëve shqiptarë që konkurrojnë në nivele lokale apo qendrore në disa vende evropiane, se universitetet tona nuk ofrojnë asnjë program studimi për çështjet e diasporës dhe emigrimit, se autoritetet tona nuk arrijnë të dërgojnë as abetare për fëmijët jashtë që duan të mësojnë shqip, se zyrtarë të lartë të shtetit nuk denjojnë të gjejnë 30 minuta kohë për të takuar komunitetet tona jashtë, se jemi gati të denigrojmë çdo shqiptar të famshëm që nuk i bindet urdhrave të parisë së Tiranës dhe të ngremë në qiell çdo sjellje folklorike që i bën reklamë politikës zyrtare këtu, se të gjithë emigrantët (indirekt) vijojnë të paguajnë taksë banimi, pastrimi, TVSH-je, etj, ndërkohë që nuk ofrojmë për ta as shërbimin më të vogël social e kulturor, se shteti nuk ka asnjë statistikë të kërkuar dhe hartuar mbi shqiptarët që humbin jetën tragjikisht në vende të tjera, ndodhen në burgje apo janë studentë në universitete, që botojnë libra apo kanë bilanc profesional në jetën e tyre të integruar…!
Tej retorikës dhe akteve protokollare apo politike, tej premtimeve elektorale sa herë vijnë zgjedhjet, tej përdorimit si dekor në aktivitete apo raste ceremoniale, ajo që mbeten janë pyetje e dyshime të shumta. Pyetjet thelbësore që duhet të ngrihen dhe të përbëjnë axhendën prioritare në çdo takim, kongres, samit apo trajtim të rastit janë e mbeten: a e njeh dhe a është në gjendje shteti shqiptar të përmbushë detyrimin kushtetues ndaj diasporës; a kemi krijuar me të marrëdhënie besimi aktiv apo mosbesimi permanent; e shohim atë si pjesë integrale të shtetit e shoqërisë apo si burim fitimi financiar, nevojë imazhi dhe numra për vota të importuara në fushata elektorale; përse nuk i japim diasporës të drejtën e votës, përse nuk krijojmë një ministri vetëm për diasporën, përse kufizojmë diasporën për përfshirje në jetën politike e publike, përse nuk e trajtojmë detyrimin për mësimin e fëmijëve të tyre në shkollat shqipe si detyrim kushtetues kombëtar, përse nuk kujdesemi sa dhe si duhet për problematikat e shumta të tyre, përse nuk i përfshijmë ata në punën e ambasadave dhe ofrimin e shërbimeve shtetërore ku ato ndodhen, përse nuk krijojmë një regjistër kombëtar të diasporës, përse nuk kemi marrëveshje të dyanshme bashkëpunimi adresuar atyre edhe me qeverinë e Kosovës, përse me ligj nuk lejojmë të kemi president apo parti politike nga diaspora, përse nuk kemi asnjë rast të debatit ose seancës dëgjimore parlamentare për çështjet e emigracionit, përse e trajtojmë pronën, shtëpinë dhe trashëgiminë e tyre këtu si pronën e plaçkën tonë…?
Janë pyetje pa fund, për të cilat ende asnjë qeveri nuk ka dhënë përgjigje dhe siç shihet, as tani nuk do ketë përgjigje. Le ti përsërisim deri në mars 2016, së pari për të mos lejuar që nisma e Samitit të mos ketë fatin e kongresit që nuk u bë më 2007, dhe së dyti për t’i kujtuar politikës se 1.35 milionë shqiptarë meritojnë shumë më tepër respekt, mirënjohje, vëmendje dhe përgjegjësi kushtetuese.
Shqiptarët kandidatë për zgjedhjet në Zvicër
CYRIH, 3 Tetor 2015/ Në Cyrih, Zvicër, ministry kosovar i Diasporës, Valon Murati takoi kandidatët shqiptarë për deputetë në parlamentin qendror zviceran.
Ai shprehu kënaqësinë e tij për faktin se të rinjtë shqiptarë nuk qëndrojnë indiferentë dhe kanë guximin t’i hyjnë një gare të tillë zgjedhore në funksion të integrimit sa më të madh në jetën publike zvicerane.
“Diaspora është ajo pjesë e kombit shqiptar që ka dhënë kontribut të fuqishëm dhe ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm për çështjen kombëtare në të gjitha kohërat dhe për të gjitha situatat”, tha Murati.
Më tej theksoi se momentalisht diaspora është në tranzicion, në një pikë kthese, prej fazës së mobilizimit për të ndihmuar çlirimin e Kosovës – në një fazë të integrimit dhe fuqizimit në jetën politike, si formë e mundësi tjetër e ndihmës për atdheun.
“Pavarësisht rezultateve tuaja si kandidatë në këto zgjedhje, rruga në të cilën jeni futur garanton suksese të padiskutueshme. Inkuadrimi, e eventualisht, fitimi i ndonjë mandati në parlamentin zviceran përbën kulmin e integrimit të shqiptarëve në Zvicër”, u shpreh Murati.
Ai porositi që shqiptarët të jenë sa më të organizuar si komunitet dhe në këtë unitet të tyre të mos reflektojë raporti i partive politike në Kosovë.
Në anën tjetër, të gjithë kandidatët për deputetë në Parlamentin e Zvicërs të pranishëm në këtë takim shprehën falënderimin e tyre për vizitën dhe mbështetjen. Ata gjithashtu falënderuan partitë zvicerane për mundësinë e dhënë që të jenë pjesë e listave të tyre zgjedhore, si dhe mbështetjen e vazhdueshme për çështjen e Kosovës.
Angazhimin e tyre e konsideruan shumë të rëndësishëm në disa pika: Integrimin në jetën publike dhe atë shoqërore në përgjithësi; fuqizimin e rolit të shqiptarëve në Zvicër; përmirësimin e imazhit.
Ministri Murati dhe të gjithë kandidatët kërkuan nga shqiptarët që jetojnë në Zvicër që të dalin në këto zgjedhje dhe t’i votojnë ata./b.j/
Edhe në Suedi themelohet Rrjeti i bizneseve shqiptare
Ministria e Diasporës dhe Rrjeti i Bizneseve të Diasporës Shqiptare në vazhdën e projektit të themelimit te rrjetit të bizneseve shqiptare, pati ndalesën e radhës në Mbretërinë e Suedisë ku edhe u themelua rrjeti i afaristëve shqiptar.Me qëllim të sqarimit të nevojës së themelimit të rrjetit të bizneseve u mbajt një takim me përfaqësuesit e bizneseve, ndërsa u vizituan biznese të suksesshme të diasporës në Suedi si, “PappooNordic AB”, “Adelina Gross AB”, “T-Meeting” dhe “Miri Bygg AB”.Takimet e frytshme me drejtuesit e këtyre kompanive të suksesshme rezultoi edhe mbajtjen e Forumit themelues i Rrjetit të bizneseve shqiptare në Suedi, më 28 shtator.
Naim Dedushaj, drejtor i Departamentit të Investimeve në MeD, njëherësh nikoqir i këtij projekti, foli për rëndësinë që kanë këto rrjete në identifikimin e bizneseve të suksesshme kudo nëpër botë, njohjen e tyre dhe, rrjedhimisht, të bërit bashkë biznes. Ai, njëkohësisht, e potencoi faktin se ky mekanizëm do të shërbejë si urë mes bizneseve nga diaspora dhe vendit për t’i kanalizuar investimet nga diaspora.
Të pranishëm në këtë forum ishin edhe sekretari i përgjithshëm i MeD-së, z. Osman Shahini, z. Besian Mustafi,drejtor i përgjithshëm i KIESA-s, kryetari Rrjetit të bizneseve në Finlandë, z.OmerNura si dhe përfaqësuesit e projektit DEED, UNDP dhe IOM partnerë të Ministrisë së Diasporës në këtë projekt të rëndësishëm.Pas propozimeve të anëtarëve të forumit, u zgjodh edhe kryesia prej 9 anëtarësh. Kryetare u zgjodh znj. Saranda Iseni, ndërsa nënkryetarë z. Afrim Bunjaku dhe z. Milaim Makolli, sekretar Albert Jashari dhe arkëtar Haredin Osmanaj.(Burimi: Komunikate e Ministrise se Diaspores)
- « Previous Page
- 1
- …
- 59
- 60
- 61
- 62
- 63
- …
- 87
- Next Page »