• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ramazan Këllezi:  “Vallja shqiptare është shprehje artistike e identitetit tonë” 

September 13, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Koreografi profesionit shqiptar me karrierë prej tri dekadave Ramazan Këllezi e ‘ka gjetur veten’ në Kanada. Pasi emigroi atje në fillim të viteve 2000, ai u kthye në Shqipëri në 2004, por në fund të asaj dekade erdhi përsëri në Ontario ku sot jeton me familjen. Në bisedë me Diellin, nismëtari dhe drejtuesi i grupit Shqiponjat e Vogla flet për emigracionin, balerinat soliste shqiptare, projektin për një qendër komunitare në Ontario, Ministrinë e Diasporës etj. Për një profil të zgjeruar lexoni intervistën.     

Kjo është biseda juaj e parë me Diellin por emri Ramazan Këllezi si edhe krijimtaria juaj si koreograf profesionist janë të njohura për adhuruesit e baletit dhe valles shqiptare brenda dhe jashtë Shqipërisë edhe pas emigrimit në Kanada.

E vërtetë, është e para bisedë dhe ndjehem i privilegjuar të bisedoj me Diellin. Ju falenderoj sinqerisht për përzgjedhjen. Si profesionist, kam një karrierë të gjatë në Shqipëri. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera në Akademinë e Arteve të Bukura, në sajë të etikës së punës e disiplinës që më karakterizon u emërova Drejtor i Akademisë së Dancit e njohur si Shkolla e Baletit. Në sajë të këmbënguljes sime në shtator të vitit 1994 arrita të shkëpus Degën e Koreografisë e cila deri atëherë ishte pjesë e Liceut Artistik në Tiranë. Për të parën herë Dega u mëvetësua dhe arriti statusin e shkollës. Unë u emërova dhe isha Drejtori i parë zyrtar i saj deri në 1998, periudhë gjatë të cilës shkolla pati profil veçanërisht aktiv dhe të suksesshëm. Pas emigrimit në Kanada realizova kontaktet e para me Shoqatën e Bashkësisë Shqiptaro-Kanadeze dhe menjëherë ju përvesha punës për krijimin e grupit “Shqiponjat e Vogla” i cili tashmë shënon 12 vite pune e suksesi. 

Si emigrant në Kanada ju thoni se koreografia është profesion i rrallë aty por gjithashtu pohoni se e “keni gjetur veten”. Shumë profesionistë që largohen nga Shqipëria përjetojnë ‘humbjen’ e zanatit të tyre. Cila është përvoja dhe nisma juaj për grupin Shqiponjat e Vogla, me fëmi të moshave të reja.   

Po, e them pasi kjo është e vërteta. Ka profesione këtu në Kanada që edhe pse janë aq të kërkuara ose të rralla është e vështirë t’i arrish. Në rastin tim, unë vërtet i jam përkushtuar mësimit të valles popullore për komunitetin e Torontos vullnetarisht, por kjo nuk më siguron të ardhura për ta përballuar jetesën, vetëm më ngroh shpirtërisht dhe më mban gjallë artistikisht. “Shqiponjat e Vogla” janë pjesëmarrës në një sërë aktivitetesh në Kanada, SHBA por edhe në Europë. Vitin e kaluar në Festivalin Internacional në Stamboll të Turqisë u vlerësuam me medaljen e Festivalit nga juria. Pjesëmarrja në Festivalet e Komuniteteve shqiptare në Nju York, Florida, Miçigan, si edhe në Toronto, Hamilton, London, Montreal ka edhe vlera të shtuara emocionale.

Si Drejtues i grupit të valleve Shqiponjat e Vogla, ju jeni në vazhdën e përgatitjes së brezave të valltarëve. Shumë studentë shqiptarë të shkollës së atëhershme janë sot balerina dhe balerinë solistë shqiptarë në skenat botërore. Si e shpjegoni ju faktin se ndonëse shkolla në përgjithësi kishte kufizimet e imponuara të sistemit të kaluar dhe më pas vështirësitë e tjera, niveli dhe suksesi i diplomantëve të saj arriti kalibret botërore? 

Realisht gjatë asaj periudhe janë përgatitur shumë breza balerinesh. Disa prej tyre janë sot balerinë të respektuar e të vlerësuar në botë si Kledi Kadiu, Anbeta Toromani, Ilir Shaqiri, Eno Peçi, Danilo Zeka, Helga Sarçi, Enada Hoxha, Gentian Deda etj. Shkolla e Baletit mban statusin e shkollës Kombëtare pasi është e vetme në llojin e saj dhe programi mbi të cilin është ngritur ka qenë modeli i shkollës ruse mbështetur në metodën Vaganova, tepër i suksesshëm edhe në Rusi. Pedagogët tanë Docent Skënder Selimi, Artist i Popullit Panajot Kanaçi, Artist i Merituar Agron Aliaj, Ganimete Vendresha, Petrit Vorbsi, Zoica Haxho, Xhemil Simixhiu, Mukades Erebara, Luan Shtino etj i kryen studimet në Moskë dhe sollën prej andej këtë metodë profesionale. Nga periudha e gjatë e izolimit të gjithë brezat që kontribuan në këtë shkollë ruajtën me fanatizëm atë që u ofrua në vitet ’60. Kjo padyshim dha rezultatet e saj në formimin e balerinëve të talentuar e suksesshëm.

Familja Këllezi është nga familjet më të vjetra dhe të nderuara të Tiranës. Ju mbartni atë emër kudo ku jeni. Cila është dinamika midis vendlindjes dhe vendit të adoptuar?

Ju faleminderit për këtë pyetje për të cilin gjithmon ndihem krenar. Familja Këllezi është vërtet e madhe dhe një nga më autoktonet në Tiranë. Banorët tiranas sapo e dëgjojnë mbiemrin Këllezi nuk pyesin më gjatë. Ne punojmë dhe japim kontributin tonë në të gjitha sferat dhe profesionet kështu që njohja e familjes dhe kontaktet janë të gjithmonë të pranishme. Ajo që na bën të mbajmë kokën lart është qytetaria e trashëguar në breza si emërues i përbashkët për çdo anëtar të familjes sonë pavarësisht ku jeton apo punon. Kjo është dinamika që nuk ndryshon dhe na bën të jemi të suksesshëm kudo.

Nga përvoja juaj ju keni parë periudha të ndryshme të emigracionit shqiptar kanadez, duke qenë se keni shkuar nga Shqipëria në Kanada në fillim të viteve 2000, dhe jeni kthyer në Shqipëri në 2004. Por në fund të asaj dekade erdhët përsëri në Kanada dhe prej atëhere jetoni në Ontario me familjen tuaj, bashkëshorten dhe pesë fëmijët. Çfarë do të thotë kjo për emigrantët? 

Po, është e vërtetë, ne kemi ardhur në Montreal në maj 2000 dhe u kthyem në Shqipëri pas 4 viteve me idenë se gjërat ishin sistemuar, por ishte vetëm një iluzion që na kushtoi 6 vite larg Kanadasë. Kur u kthyem këtu gjetëm të njëjten situatë, të njëjtat kërkesa për çdo profesion ose shkollim për profesionin që përzgjedh që quhet “skills for change”. Natyrisht bashkëshortja ime dhe unë zgjodhëm shkollimin që na sigurojë shumë shpejt punën ku jam i angazhuar tani si Manaxher Pallati.

Ju keni qenë zëdhënës, zëvendëskryetar dhe pastaj kryetar i Shoqatës së Bashkësisë Shqiptare Kanadaze në Ontario, ku banon komuniteti më i madh i shqiptarëve. Miratimi nga Parlamenti i Ontarios i Nentorit si muaji i Trashegimise shqiptare ishte nisma juaj.

Sapo u riktheva në Kanada në vitin 2010 u bëra pjesë e Shoqatës së Bashkësisë Shqiptaro Kanadeze këtu në Toronto – një prej shoqatave më të vjetra që e vazhdon aktivitetin në shërbim të komunitetit shqiptar më të madh në Kanada. Tre vitet e fundit kam qene President i kësaj shoqate me aktivitete të shumta dhe cilësore. Gjatë vitit 2016 kemi këmbëngulur dhe realizuar edhe 5-6 aktivitete në muaj kryesisht në Parlamentin e Ontarios për të bërë të mundur miratimin me ligj të shpalljes së muajit Nëntor – Muaji i Trashëgimisë së Shqipëtarëve në të gjithë Ontarion. Dhe kjo u arrit në sajë të punës së madhe dhe mbështetjes nga bordi i Shoqatës, përkushtimit nga anëtarët, kontributit të pakufishëm të znj. Laura Albanese, ish-Ministre e Emigracionit për Ontarion si edhe efektin e trupës së valleve “Shqiponjat e Vogla” në prezantimin live të kostumeve popullore, në vallet e krahinave të ndryshme përpara deputetëve në Parlamentin e Ontarios. 

Qendra komunitare “Shtëpia e Shqiptarit”. A ka ecuri kjo nismë e shoqatës që nisi kur ju ishit Kryetar i saj?

Ideja e Shtëpisë së Shqiptarit u miratua edhe grupi i punës vendosi ta paraqiste projektin në komunitet. Në tetor 2017 u arrit një sukses i pamenduar në sigurimin e shumave të mëdha financiare nga bizneset shqiptare që u treguan të gatshëm të mbështesin këtë projekt kaq të rëndësishëm për komunitetin tonë. Kishte vështirësi pasi projekti dhe blerja e truallit kushtojnë shumë. Më kujtohet se në vitin 2018 në mos gabohem erdhi për një vizitë ish-Ministri i Diasporës së Shqipërisë Pandeli Majko. Ne shpresuam se shteti do na ndihmonte sadopak në realizimin e këtij projekti por ndodhi e kundërta. Jo ndihmë që nuk patëm por na krijojë një situate mosmarrveshje në shoqatë që kurrë më parë nuk e kishim eksperimentuar dhe mbi të gjitha mori idenë tonë dhe e shpërndau si të “tijën” në gjithë komunitetet shqiptare në Europë a Amerikë. Fatkeqësisht prej asaj kohe ideja për ndërtimin e saj filloi të zbehej dhe tashmë nuk flet asnjë për këtë projekt. 

Në karrierën tuaj shihet se keni aftësi të jeni nismëtar dhe realizues i disa nismave, si gjatë kohës kur ishit drejtues i Shkollës së baletit në Tiranë krijimi i Ansamblit “Të Rinjtë e Bashkësisë së Tiranës” me jetëgjatësi 15-16 vjeçare në Shqipëri, nisma për Muajin e Trashëgimisë Shqiptare në Ontario, grupi i valleve Shqiponjat e Vogla në 2011.  A është karakteristikë e trashëguar?

Duket një aftësi e lindur e trashëguar ndoshta nga ime më. Natyrisht fëmijët e mi e ruajnë trashëgiminë. Djali im Dion është tenor i shumë veprimtarive të Sh.B.Sh.K në hapjen me himnin kombëtar dhe vajzat Uarda, Artes dhe Amber, me pasion dhe talent, janë “Shqiponjat e Vogla” që prej vitit 2011. Pra besoj se shprehja “Dardha bie nën dardhë” mbart një të vërtetë.

Në kujtimet tuaja ju keni përmendur ceremoninë e çmimit Oscar për Ramadan Sokolin nga IGF në 2004.

International Group Folk (IGF) është një organizatë profesoniale ku aderojnë shtete nga gjithë bota, të përfaqësuara nga një anëtar me kualifikimet e kërkuara. Unë pata privilegjin ta përfaqësoja Shqipërinë në IGF ku kam patur pozicionin e Sekretarit të saj. Në një nga takimet tona vjetore u vendos të vlerësohej një personalitet i shquar i vendeve anëtare me çmimin Oscar për folklorin dhe kontribute të dalluara studimore. Pati shumë propozime nga vende të ndryshme por komisioni përzgjodhi propozimin tim për Prof. Ramadan Sokolin, i cili ka vlera të veçanta qytetare, studimore dhe ka lënë pas materiale me vlera të jashtëzakonshme. Çmimi ju dorëzua vajzës së tij Artes Sokoli në një ceremoni me plot emocione dhe vlerësime për Shqipërinë.

Si Konsull i Shqipërisë në Romë në vitin 2007 a keni menduar se çfarë kanë të përbashkët koreografia dhe diplomacia? 

Në këndvështrimin tim çdo profesion ka të përbashkëta me profesionet e tjera por ajo që lidh së tepërmi është puna mes njerëzve dhe komunikim me ta.  

Cili apo cila ka qenë modeli juaj në jetë dhe në artin tuaj? Si ju përgjegjeni atyre që thonë se diaspora ka vetëm folklor? 

Modeli i parë padyshim janë prindërit e mi, në profesion kam dy modele te tilla, i pari profesori im i valles në Pallatin e Pionerëve në Tiranë që më mësoi për 8 vite Prof. Abedin Metuli. Më pas pedagogu im i mrekullueshëm Dr. Sh. Skënder Selimi. Si në atdhe, edhe këtu në emigrim kam marrë vlerësime nga Shqipëria si Ambasador i Kombit nga qeveria Shqiptare në vitin 2019 si dhe Medaljen nga Presidenti i Shqipërisë me motivacionin “Për Merita të Veçanta Civile” në 2021 krahas shumë vlerësimeve nga shoqata e organizata këtu në Kanada. Ndihem i motivuar për të mbajtur gjallë artin tonë të mrekullueshëm në emigracion dhe për ta transmetuar atë tek brezat që vijnë. Çdo vend ka trupat e veta profesionsite dhe historikun e tyre por folklori është ai që na bën të dallueshëm prandaj artistët përpiqen ta ruajnë atë pjesë të kulturës sonë që është thellësisht shqiptare aq më tepër në një vend të huaj. Por ruajtja si edhe transmetimi duhet të jenë në nivel të lartë artistik. Kjo bën ndryshimin! 

Çfarë është vallja për ju? Çfarë ka të veçantë një valle e koreografuar nga ju?

Vallja flet vetëm nëpërmjet lëvizjes dhe plastikës. Në realizimin e valles unë kërkoj elementet dhe motivet e trevës përkatëse. Kur arrin t’i përcjellësh ato në formë artistike dhe si pjesë e identitetit shqiptar, atëherë siç thotë shprehja “e ke fituar davanë”. 

Falemnderit për bisedën dhe suksese!  

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti, Ramazan Kellezi

LEK PERVIZI, IKONË E QENDRESËS ANTI-KOMUNISTE NË SHQIPËRI DHE MË GJËRË!

September 12, 2023 by s p

Nga Frank Shkreli/

Në kuadër të 30-Vjetorit të botimit të revistës, “Kuq e Zi” – me boues Lek Pervizin– Lek Pervizi, piktori i kampeve të vdekjes të regjimit barbar të Enver Hoxhës — Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf Lek Pervizi, ish- i dënuar nga regjimi barbar komunist për 4-dekada, autor librash shqip të përkthyer në gjuhë të huaja, përfshir anglishten, mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, autor skicash të cilat dëshmojnë sot dhe përgjithmonë, tragjeditë e ndodhura në kampin e Tepelenës. Frank Shkreli: Piktori i Kampeve të vdekjes të regjimit të Enver Hoxhës | Gazeta Telegraf – Ato janë një pasqyrim-dëshmi e barbarizmave të panumërta të ndodhura në burgjet dhe kampet e përqëndrimit komunist, anë e mbanë Shqipërisë — dëshmitar i të cilave është vet Lek Pervizi, sotnë moshën 94-vjeçare. “I mbijetuar, mrekullisht, falënderës Zotit të Madh”, siç shprehet ai vet. Edhe në këtë moshë të avancuar, Lek Pervizi nuk pushon së dokumentuari – me fjalë dhe me vepra – tragjedinë shqiptare prej pothuaj gjysëm shekulli të shkaktuar nga regjimi komunist. Dëshmi të gjalla, nga ky intelektual dhe patriot i pashoq shqiptar – një ikonë e vërtetë, i palodhur dhe guximtar i qendresës anti-komuniste në Shqipëri dhe më gjërë.

I ndërgjegjshëm ndaj fjalës së vjetër ndër shqiptarë, “Burri i mirë me shokë shumë shokë”, Lek Pervizi është mirënjohës ndaj të gjithë atyre – zyrtarë vendas dhe ndërkombëtarë, që e kanë ndihmuar në mënyra të ndryshme — gjatë viteve pas lirimit të tij nga burgjet e regjimit komunist, pas shembjes së Murit të Berlinit — nëplotësimin e misionit të ti për të zbuluar dhe për të dokumentuar të Vërtetën mbi krimet e komunizmit në Shqipëri. Atë të Vërtetë që pasqyron përjetimet dhe kujtimet Lekës, të situatave vetjake gjatë internimit por, njëkohsisht, edhe të familjarëve dhe bashkëvuajtësve me të cilët ka ndarë dënimet dhe vuajtjet në internim në Tepelenë dhe në disa prej kampeve më famëkeq të Shqipërisë komuniste.Në ceremoninë që është mbajtur në përkujtim të 23 Gushtit, 2023, Ditës Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare, Leka mori pjesë në distancë ndërsa u dërgoi përshëndetje nga Brukseli të gjithë pjesëmarrsve në ish-kampin e Tepelenës, “Ng𝑎 𝑙𝑎𝑟𝑔𝑒̈𝑠𝑖𝑎 𝑡𝑜𝑘𝑒̈𝑠𝑜𝑟𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑒 𝑚𝑜𝑠ℎ𝑒̈𝑠, s𝑒𝑝𝑠𝑒 𝑔𝑗𝑒𝑛𝑑𝑒̈𝑚 𝑛𝑒̈ 𝐵𝑒𝑙𝑔𝑗𝑖𝑘𝑒̈, 𝑠𝑜𝑡 94 𝑣𝑗𝑒𝑐̧, 𝑖 𝑚𝑏𝑖𝑗𝑒𝑡𝑢𝑎𝑟𝑖, 𝑚𝑟𝑒𝑘𝑢𝑙𝑙𝑖𝑠ℎ𝑡. 𝑃𝑟𝑒𝑗 𝑍𝑜𝑡𝑖𝑡 𝑡𝑜𝑛𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑀𝑎𝑑 (ℎ 𝑖 𝑞𝑜𝑓𝑠ℎ𝑖𝑚 𝑓𝑎𝑙𝑒̈) 𝑘𝑎𝑚 𝑝𝑎𝑠𝑢𝑟 𝑓𝑟𝑦𝑚𝑒̈𝑧𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑒 𝑠ℎ𝑡𝑦𝑡𝑗𝑒𝑛 𝑝𝑒̈𝑟 𝑣𝑖𝑧𝑎𝑡𝑖𝑚𝑒𝑡 𝑒 𝑎𝑡𝑖𝑗 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑖 𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑡𝑗𝑒𝑟𝑒̈, 𝑞𝑒̈ 𝑏𝑒̈𝑛𝑒̈ 𝑡𝑒̈ 𝑛𝑗𝑜ℎ𝑢𝑟 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑖𝑛 𝑒 𝑇𝑒𝑝𝑒𝑙𝑒𝑛𝑒̈𝑠, 𝑏𝑜𝑡𝑒̈𝑟𝑖𝑠ℎ𝑡”, është shprehur Z. Previzi duke kujtuar viktimat e komunizmit në Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare.Me atë rast, në pamundësinë e tij për të marrë pjesë fizikisht në atë përkujtim, Lek Pervizi nuk mund të mos ishte I pranishëm atje. Ai u dërgoi të pranishëmve në ish-kampin e Tepelenës një mesazh të rastit, duke falënderuar protagonistët kryesorë, vendas dhe ndërkombëtarë, sidomos Ambasadën Gjermane për mbështetjen që i kanë dhënë atij ndër vite, për të mundësuar dokumentimin e krimeve komuniste dhe për eskpozimin e tyre shqiptarëve dhe botës mbarë: “𝑀𝑒̈ 𝑏𝑖𝑒 𝑠𝑖 𝑑𝑒𝑡𝑦𝑟𝑒̈,𝑡𝑒̈ 𝑓𝑎𝑙𝑒𝑛𝑑𝑒𝑟𝑜𝑗 𝑝𝑜𝑠𝑎𝑐̧𝑒̈𝑟𝑖𝑠ℎ𝑡 𝑒𝑑ℎ𝑒 𝐹𝑜𝑛𝑑𝑎𝑐𝑖𝑜𝑛𝑖𝑛 𝐾𝑜𝑛𝑟𝑎𝑑 𝐴𝑑𝑒𝑛𝑎𝑢𝑒𝑟 𝑒 𝐴𝑚𝑏𝑎𝑠𝑎𝑑𝑒̈𝑛 𝐺𝑗𝑒𝑟𝑚𝑎𝑛𝑒, 𝑞𝑒̈ 𝑚𝑏𝑒̈𝑠ℎ𝑡𝑒𝑡𝑒̈𝑛 𝑝𝑢𝑛𝑒̈𝑛 𝑝𝑒̈𝑟 𝑛𝑗𝑜ℎ𝑗𝑒𝑛 𝑒 𝐾𝑎𝑚𝑝𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝑇𝑒𝑝𝑒𝑙𝑒𝑛𝑒̈𝑠, 𝑚𝑒 𝑏𝑜𝑡𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑒 𝑣𝑖𝑧𝑎𝑡𝑖𝑚𝑒𝑣𝑒 𝑡𝑜𝑛𝑎, 𝑒𝑘𝑠𝑝𝑜𝑧𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑒 𝑡𝑦𝑟𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑘𝑜𝑛𝑓𝑒𝑟𝑒𝑛𝑐𝑒̈𝑛 𝑛𝑗𝑒̈ 𝑑𝑖𝑡𝑜𝑟𝑒. 𝐾𝑦 𝑎𝑘𝑡 𝑖 ℎ𝑎𝑝𝑖 𝑟𝑟𝑢𝑔𝑒̈ 𝑛𝑗𝑜ℎ𝑗𝑒𝑠 𝑠𝑒̈ 𝑘𝑎𝑚𝑝𝑖𝑡 𝑛𝑔𝑎 𝑎𝑢𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡𝑒𝑡 𝑞𝑒𝑣𝑒𝑟𝑖𝑡𝑎𝑟𝑒 𝑑ℎ𝑒 𝑡𝑒̈ 𝑐𝑎𝑘𝑡𝑖𝑚𝑖𝑡 𝑡𝑒̈ 𝐴𝑢𝑡𝑜𝑟𝑖𝑡𝑒𝑡𝑖𝑡 𝑚𝑒 𝑘𝑟𝑦𝑒𝑡𝑎𝑟𝑒 𝐺𝑒𝑛𝑡𝑖𝑎𝑛𝑒̈𝑛 𝑑ℎ𝑒 𝑒𝑘𝑖𝑝𝑖𝑛 𝑒 𝑠𝑎𝑗,

(Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit 1944÷1991), 𝑝𝑒̈𝑟 𝑑𝑟𝑒𝑗𝑡𝑖𝑚𝑖𝑛 𝑒 𝑝𝑢𝑛𝑒̈𝑠 𝑛𝑒̈ 𝑓𝑢𝑛𝑘𝑠𝑖𝑜𝑛 𝑡𝑒̈ 𝑧𝑏𝑎𝑟𝑑ℎ𝑗𝑒𝑠 𝑠𝑒̈ ℎ𝑖𝑠𝑡𝑜𝑟𝑖𝑠𝑒̈ 𝑠𝑒̈ 𝐾𝑎𝑚𝑝𝑖t të 𝑇𝑒𝑝𝑒𝑙𝑒𝑛𝑒̈𝑠”, është shprehur Previzi në mesazhin e tij dërguar pjesëmarrësve në ceremoninë përkujtimore në Tepelenë, Ditën Evropiane të Përkujtimit të Viktimave të Regjimeve Totalitare më 23 gusht.Unë jam munduar të pasqyroj në mënyrën më modeste të mundur veprimtarinë e Z.Pervizi me disa artikuj mbi botimet, shkrimet, skicat, portretet e viktimave të komunizmit, dëshmi të gjalla të krimeve të komunizmit kundër shqiptarëve, kundërshtarë të regjimi, të treguara dhe të dokumentuara prej Lek Pervizit, me qëllim “për ta bërë të njohur kampin e Tepelenës” dje krimet barbare të kryera atje nga regjimi enverist. Skicat dhe veprat që Leka ka botuar në shqip dhe përkthyer në gjuhë të huaja, si 5 veprat e përkthyera në anglisht kohët e fundit, mbi krimet e regjimit komunist në kampet dhe burgjet e Enver Hoxhës, janë dokumentarë që zbulojnë të Vërtetën me të cilat Lek Pervizi përshkruan në hollësi jetën dhe vuajtjete mijëra shqiptarëve nën regjimin komunist, sidomos në kampin e Tepelenës, por jo vetëm. Frank Shkreli: Lekë Pervizi i flet botës anglisht për krimet e ferrit komunist të Enver Hoxhës | Gazeta TelegrafI jashtzakonshëm është fakti se Leka edhe sot në moshën 94-vjeçare vazhdon të jetë tejet i angazhuar në atë që, mbi të gjitha, siç duket është misioni dhe objektivi kryseor i jetës së tij: zbulimi dhe publikimi i të Vërtetës mbi krimet e komunizmit në Shqipëri, gjë që ai gjithnjë tregon, edhe në këtë moshë të shkuar, dëshirën për të treguar të Vërtetën, guximin dhe qëndresën e tij të pamposhtur ndaj së keqës komuniste, por dhe frymën ngadhnjimtare ndaj të keqës së atij regjimi, ndërsa më në fund shpreh edhe mirënjohjen e tij ndaj të gjithë atyre që e mbështetën, gjatë viteve, në këtë mision humanitar, por edhe atdhetar. Z. Pervizi vazhdon të përmbush obligimet, njerëzore dhe patriotike, që i ka venë vetes në këtë mision të shenjtë të jetës së tij — për të treguar të Vërtetën mbi krimete diktaturës — duke qenë aktiv, përveç të tjerave, edhe me botimin e vazhdueshëm për 30-vjet tani, të revistës “Kuq e Zi” – 30-vjetori i të cilës shënohet në Tetor, 2023. Pas lirimit nga burgu me 10 Nëntor, 1990, Lek Pervizi është larguar nga Shqipëria duke u vendosur në Bruksel të Belgjikës, ku përveç aktiviteteve të shumta letrare dhe artistike, vendosi të themelonte në tetor të vitit 1993 revistën “Kuq e Zi”, në të cilën, për tre dekada tani, vazhdon të botojë kujtimet e tija, në prozë e poezi, vizatime dhe shënime të tjera nga periudha fatzezë e internimit, si

dhe shkrime të autorëve tjerë mbi krimet e komunizmit dhe për historinë e Shqipërisë.Edhe sot pas 3 dekadash ç’prej themelimit të saj, më duket sikur revista “Kuq e Zi”, vazhdon të jetë pasurohet për nga përmbajtja dhe për nga trajta, një shërbim i dobishëm që Lek Pervizi i bën lexuesit shqiptar – brenda dhe jashtë trojeve shqiptare — me artikuj, skica dhe fotografi historike me vlera dokumentare. Natyrisht se në faqet e revistës “Kuq e Zi”, shtjellohen subjekte mbi komunizmin, dokumentohen krimet e regjimit dhe vuajtjet e papërshkrueshme të ish-të përndjekurve të regjimit komunist, por ama nuk mungojnë as shkrime dhe tema të tjera interesante për lexuesin nga autorë të ndryshëm. Në këtë 30-vjetor të themelimit të revistës “Kuq e Zi”, përshëndetjet e mia më të sinqerta mikut tim Lek Pervizit dhe bashkpuntorve të tij për këtë veprimtari frytdhënse, duke iu uruar punë të mbarë edhe për dekada të tjera, në këtë ndërmarrje të nisur 30-vjet më parë – me të vetmin qëllim që në vazhdimësi t’i jepet të Vërtetës historike një drejtim kah drita, si një detyrim njerzor dhe atdhetar, duke e shikuar realitetin historik dhe aktual ndër sy!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli

VATRA CHICAGO, DHUROI LIBRA PËR SHKOLLAT SHQIPE NË CHICAGO

September 11, 2023 by s p

Mirela Kanini/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA, dega Chicago dhuroi libra për dy shkollat shqipe që zhvillojnë mësimin shqip në Chicago. Synimi i Vatrës Chicago ka qenë, është dhe do jetë të qenurit sa më afër komunitetit shqiptar dhe të mbështesim me çdo mjet e me çdo kusht veprimtaritë patriotike e komunitare në dobi të komunitetit shqiptar e çështjes sonë kombëtare. Mbështetja e shkollave shqipe është kryefjala e angazhimit tonë patriotik. Kryesia e degës së Vatrës Chicago në mbledhjen e përmuajshme vendosi që të sigurojë dhe dhurojë librat për nxënësit si një investim për gjeneratat tona pasardhëse në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit kombëtar shqiptar. Vendtakimi i degës sonë ku planifikojmë eventet dhe organizohemi është në “Mirage Cafe” ku mikja dhe mbështetësja jonë pronarja e të cilës është shqiptare ka fisnikëri dhe ngrohtësi të spikatur patriotike. Në mbledhjen e fundit diskutuam mbi shkollat shqipe në Chicago që janë ajo e Kishës Ortodokse Shqiptare dhe shkolla “Kongresi i Manastirit” në xhaminë shqiptare. Mësueset e këtyre shkollave herë pas here kanë ngritur shqetësimin e tyre për mungesën e teksteve në shqip për ciklet përkatëse. Shpesh herë i printojnë nga kompjuteri, por kjo nuk na u duk dhe aq e arësyeshme, përveç kohës që merr. Donim që shkolla shqipe të mos ketë ndryshim nga të tjerat që ata ndjekin rregullisht gjatë javës me libra të vërtetë. Zgjidhja më e shpejtë do të ishte që vetë kryesia të siguronte disa libra dhe ashtu bëmë. Emanuela Cako ishte kordinuesja jonë në lidhje me kërkesat e shkollave duke marrë parasysh që dhe profesioni i saj është mësuese. Aurora Ajdini gjithashtu është (mësuese matematike) që për fat të mirë do kalonte pushimet në Shqipëri. Në Shqipëri do të shkonte edhe Shkëlzen Cakeri dhe në kthim sollën me vete disa nga librat që i nevojiteshin shkollave. Por kjo nuk ishte e mjaftueshme, ndaj ne që ishim në Chicago vendosëm që ti dërgonim ambasadës shqiptare një e-mail në emër të Vatrës Chicago ku të parashtrohej dëshira e mirë për të ndihmuar fëmijët shqiptarë të mësojnë gjuhën e tyre. Njëkohësisht duke i paraqitur dhe situatën ku ndodhemi. Përgjigja na erdhi pozitive me premtimin që librat do të postoheshin të nesërmen. Jemi në pritje të tyre sepse akoma nuk kanë mbërritur. Po interesohemi intensivisht që të bien sa më shpejt në duart e nxënësve. Viti i ri shkollor për të dy shkollat filloi më 10 Shtator me sukses dhe kryesia e Vatrës mori pjesë në të dyja ato për të kontribuar sado pak momentalisht dhe shumë më tepër në të ardhmen. Në shkollën “Kongresi i Manastirit” u pritëm mirë dhe u falenderuam ngrohtë nga nënkryetari i xhamisë z. Naser Hodza. Në shkollën shqipe pranë Kishës shqiptare morëm falenderime të përzemërta nga mësuesit dhe prindërit. Kisha ortodokse shqiptare ka një dhomë muze dhe në disa foto si për shembull ajo me titullin “Albanian children’s club” që janë që nga viti 1934 bie në sy kjo traditë e hershme për të mbajtur gjallë shqiptarizmin dhe patriotizmin. Ky është komuniteti, i bashkuar, njerëz të dashur e të ngrohtë që duan të përcjellin gjuhën, zakonet dhe traditat ndër gjeneratat e ardhshme. Vlen për tu përmendur dedikimi i prindërve që i shpien fëmijët e tyre në shkollat shqipe të dielave. Ata sakrifikojnë ndoshta të vetmen ditë pushimi që kanë. Është për tu vlerësuar puna e mire dhe e palodhur e mësueseve që japin kontributin e tyre me devotshmëri. Edukimi dhe shkollimi i brezit të ri është misioni më i rëndësishëm i një kombi. Dashuria e instaluar për gjuhën, kombin, vendin e origjinës për këta fëmijë shqiptarë të lindur në Amerikë, është gjëja më e vlefshme për ti bërë ballë asimilimit. Një prind që kishte sjellë djalin e tij në shkollë tha “unë jam gjenerata e dytë dhe nuk flas shqip por dua që djali im ta mësojë se është gjuha e të parëve. Pastaj ai do të ma mësojë mua. Zoti i bekoftë të gjithë shqiptarët kudo që janë, veçanërisht fëmijët tanë. Ata janë e ardhmja dhe ne i detyrohemi shumë edukimit të tyre.

Falenderim i veçantë për personelin drejtues të shkollave. Në Kishën Ortodokse shqiptare:

Mimoza Hoxha (drejtoreshë)

Blerina Musaraj (nëndrejtoreshë)

Elona Shkira (mësuese)

Albana Romacka (mësuese)

Reana Peshtani (mësuese)

Në shkollën Kongresi i Manastirit (tek xhamia)

Qëndresa Brahimi (drejtoreshë)

Shqipe Ahmeti (nëndrejtoreshë)

Shega Bekteshi (sekretare)

Mësueset:

Ganimete Lecaj (klasa e parë)

Blerina Bushati (klasa e dytë)

Eligerta Cuka (klasa e tretë)

Enkela Bajraktari (klasa e katërt). Mirënjohje për punën dhe përkushtimin. Mësuesit shqiptarë në diasporë janë engjëjt mbrojtës të shqiptarizmës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mirela Kanini

Rezoluta 648 e Kongresit riafirmon partneritetin e Amerikës dhe Kosovës – mbështet njohjen e saj

September 9, 2023 by s p

Rafaela Prifti/

Në Seancën e Parë të Kongresit 118 u paraqit Rezoluta 648 për Riafirmimin e Partneritetit të Ngushtë midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës.

Rezoluta e prezantuar nga Kongresisti i Nju Jorkut Torres, deputetet Slotkin dhe McClain të Miçiganit në katër shtator parashtron qëndrimet dhe arritjet në shumë fusha të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe rrjedhimisht e quan “të arsyeshme vazhdimësinë e partneritetit të ngushtë të Shteteve të Bashkuara me Republikën e Kosovës dhe se edhe më tutje Shtetet e Bashkuara duhet të mbështesin njohjen e Kosovës si shtet sovran, të pavarur, demokratik, multietnik brenda kufijve të njohur të saj.”

Përmbajtja e rezolutës bën renditjen e arritjeve, bashkëpunimit dhe synimeve afatgjata dhe frytdhënëse për vendet tona në të mirë të interesave afatgjata kombëtare amerikane për paqe dhe siguri në Ballkanin Perëndimor dhe integrim të mëtejshëm të rajonit në bashkësinë e shteteve demokratike Euro-Atlantike. Rezoluta i referohet njohjes nga ana e Shteteve të Bashkuara e pavarësisë së Republikës së Kosovës në 18 shkurt 2008 dhe zotimit për të qenë edhe më tej një mik i afërt dhe partner i saj, duke cilësuar se “marrëdhënia e Amerikës me Kosovën mbështetet në të njëjtat vlera dhe institucione demokratike, raportet njerëzore, të drejtat e njeriut, dhe orientimi drejt paqes ndërkombëtare e sigurisë, dhe fuqizimit ekonomik. Në vazhdim, teksti vë në dukje se lidhja Amerikë Kosovë ka kultivuar bashkëpunime të vlefshme në shumë fusha përfshirë sigurinë, arsimin dhe zhvillimin ekonomik. Për sa i takon fushës ushtarake, aty thuhet se “Garda Kombëtare e Ajoa (Iowa) nëpërmjet Programit të Partneritetit Ndërshtetëror, koordinohet me Forcën e Sigurisë së Kosovës (KSF) veç forcave amerikane të inkuadruara në NATO si pjesë e KFOR-it në të mirë të sigurisë rajonale dhe bashkëveprimit. Në lidhje me investimet përmendet nënshkrimi i kontratës pesëvjeçare midis Korporatës Sfida Mijëvjeçare dhe Republika e Kosovës për $202 miljonë dollarë vitin e kaluar për të zgjeruar dhe përmirësuar sektorin e energjisë në Kosovë për ta bërë atë më të qëndrueshëm, më gjithëpërfshirës, dhe më ekonomik, “Shtetet e Bashkuara kanë investuar rreth 1 miliardë dollarë në ndihma për Kosovën që nga koha e pavarësisë,” shkruhet në Rezolutë. Nga ana e vet, Amerika vlerëson ndihmën e Kosovës me refugjatët afganë në vitin 2021. Kosova është vendi më pro amerikan në Evropë me 81 për qind të popullsisë në favor të Shteteve të Bashkuara. Amerika ka luajtur rol kyç në mbështetje të aspiratave të Kosovës për anëtarësim në institucione ndërkombëtare si Kombet e Bashkuara, Bashkimi Evropian, NATO etj. dhe “do të vazhdojë të jetë nxitëse për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur krahas me integrimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare.

Rezoluta 648 e prezantuar nga anëtarët e Kongresit Torres, Slotkin dhe McClain i është përcjell Komisionit për Marrëdhënie të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve. https://www.congress.gov/…/house-resolution/648/text…

Filed Under: Opinion Tagged With: Rafaela Prifti

SHKOLLA SHQIPE “ADEM E HAMËZ JASHARI” NË PERUGIA, GJUHA DHE IDENTITETI KOMBËTAR I SHQIPTARËVE NË ITALI

September 8, 2023 by s p

Emrie Skuka mësuese e shkollës shqipe “Adem e Hamëz Jashari”, në Perugia, Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar, historisë, gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare në Perugia, Itali, nëpërmjet mësimit të gjuhës e kulturës shqipe dhe aktiviteteve patriotiko-kulturore e komunitare.

Me mësuesen Emrie Skuka bisedoi Editori i “Diellit” Sokol Paja.

HISTORIKU I SHKOLLËS SHQIPE “ADEM E HAMËZ JASHARI”

Shkolla shqipe “Adem e Hamëz Jashari”, filloi mësimin më 10 prill 2019. Pas një përpjekje me të njohur, ish-nxënës të mitë e bashkëshortit, ku u treguan të gatshëm për të sjellë fëmijët e tyre në shkollë. Laureta Stajka nga Shkodra dhe Kimete Osmanaj Bufi nga Peja,15 vite më parë kanë hapur shkollën shqipe këtu në Perugia, por për arsye objektive, shkolla është mbyllur pas një viti. Shkolla organizohet njëherë në javë, çdo të shtunë, nga dy orë mësimi. Fëmijët janë të ndarë në dy grupe: në nxënës që dinë të flasin gjuhën shqipe dhe në nxënës që nuk dinë. Jemi katër mësuese: Emrie Skuka, Viola Gola, Ferizate Ibrahimi, Kimete Osmanaj. Një ndihmë e madhe për shkollën tonë kanë qenë Laureta Stajka, përveç se prind, ajo është edhe mediatore kulturore, ku na njeh me përvojën dhe rregullat e shtetit, si edhe Brikena Daja. Edhe ajo është prind dhe avokate, ku bën prezent pranë shkollës ligjet, të drejtat dhe detyrimet që kemi. Vitin që kaloi, ka ofruar ndihmën e saj edhe shoqata “Onufri “, me president Z.Abdulla Bufi. Kjo shoqatë ka një përvojë mbi 20-vjeçare në ndihmë të komunitetit shqiptar dhe të luftës në Kosovë. Në Perugia, që nga viti 2012, nga djem të talentuar e dashamirës të sportit, është ngritur ekipi i futbollit “Taulantët”, vetëm me lojtarë shqiptarë. Përveç pasionit, ata dhe tifozeria, prezantojnë një komunitet dinjitoz në sport, arsim, kulturë, për të mbajtur lart emrin e vendit nga vijnë. Këtë sezon ata janë regjistruar në FGCI (rruga që të çon në serinë A). Ekipi është prezente në të gjitha festat e shkollës sonë. Në fillimet e shkollës sonë, ishte ndihma e Esmeralda Biçi, Bevi,nusja e djalit të poetit të njohur Gjokë Beci. Ajo jepte gjuhën italiane për të huajt. Institucioni ku ajo punonte, e donin dhe e respektonin dhe falë saj na liruan ambientin ku ne mësojmë shqip.

METODOLOGJIA E MËSIMDHËNIES, PUNA KRIJUESE

Në mësimdhënie, për arsye të kohës së shkurtër, të diferencave në moshë të fëmijëve dhe aftësive në të shprehur e të folur të gjuhës shqipe, janë përdorur metoda të ndryshme, për të realizuar: të folurit, të lexuarit dhe të shkruarit. Diferencat në moshë dhe në zotërim të gjuhës, e vështirëson punën tonë dhe na vendos para një përgjegjësie e pune krijuese më të madhe. Brenda një ore duhet të alternohen si kurset gojore për të folur, ashtu edhe praktikat e aftësimi në të shkruar e lexuar. Shpesh na duhet të punojmë me tekste të thjeshta të punuara vetë, për t’a bërë më tërheqëse orën e mësimit. Puna në grupe, konkurset, pjesëmarrja e përfshirja aktive e prindërve për të folur e treguar, për të recituar, tërheq vëmendjen e fëmijëve dhe e bën më interesante orën e mësimit.

PËRKUSHTIMI I PRINDËRVE, DOMOSDOSHMËRI

Marrëdhënia me prindërit është bazë e punës në shkollën tonë. Një fëmijë në diasporë, vjen në shkollë shqipe kur prindi e sjell. Vjen pasi prindi i flet shqip në shtëpi, i këndon dhe i mëson këngën shqipe, përrallat, histori të ndryshme. I tregon prejardhjen dhe përse duhet t’a mësojë gjuhën e nënës e të babait. Pa prindin e ndihmën e tij, shkolla në diasporë nuk mund të funksionojë. Prandaj duhet që shkollat, shoqatat, ekipet e sporteve, bizneset në diasporë, sado të vogla të jenë, të arrijnë të bashkëpunojnë. Mbi të gjitha, të dihet se është një shkollë, mësues dhe individë që ndihmojnë. Qendra e Botimeve të teksteve shkollore për diasporën, na ka ndihmuar me libra, të cilat janë të përshtatëshme për mosha të ndryshme. Këto tekste e kanë lehtësuar punën tonë për të realizuar kurikulat e nevojshme brenda një ore mësimi. Janë Fjalorët, Abetaret, Fletët e punës, Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare për nxënës të ciklit më të lartë. Shkolla ka patur edhe përkrahjen e Lidhjes së mësuesve në Itali nga kryetarja Ariana Kosova, sekretari Nehat Marku, e Dritan Mashi.

MËSIMI SHQIP SI IDENTITET KOMBËTAR

Do t’a nisja me vargjet e një poezie të interpretuar nga nxënësja e shkollës sonë Tea Rrapi:

Kur e morëm rrugën tonë

larg prej vendit në kurbet

Gjuhën shqipe dhe Flamurin

na e dhanë amanet

Amanet të flasim shqip

sikur gjyshërit edhe ne

se larg vendit kur jeton

Gjuha të bëhet Atdhe.

Gjuha të kthen identitetin, ajo të të bën të ndihesh kush je. Natyrisht që gjuha është kështjella më e fortë dhe më e madhe që një komb ndërton për veten e tij. Kështjellë që as e shembën, as e mirë dot armiqtë tanë. E vërtetuar kjo më së miri tek arbëreshët e Italisë, Çamët e Çamërisë dhe viset e tjera nën pushtim. Në Perugia jeton e punon komuniteti shqiptar ndër më të shumtët. Për arsye të punës jo të gjithë e dinë për shkollën shqipe. Prania e shkollës, shoqatës, ekipeve sportive, festave e takimeve të ndryshme, rrit besimin tek komuniteti, ngjall interes tek vendasit e komuniteteve të tjera, rrit ndjeshmërinë nacionale kombëtare, ndihmon në kapërcimin e vështirësive. Duke bashkëpunuar, mëson më shumë për emigrimin, rregullat e punësimin. Ne kemi arritur shumë në këtë drejtim, dhe shpresojmë më shumë, duke bërë prezent fëmijë të suksesshëm në shkollë, sportistë të dalluar, studentë, piktorë, poetë, botën e biznesit me shqiptarë, etj. Në Perugia ndodhet një pllakë e shkruar në gjuhën shqipe dhe ndodhet në muzeun arkeologjik të Perugias. Është gjetur tre kilometra larg qytetit. Në Gubia, pak larg qytetit është varri i mbretit të shqiptarëve Genti.

INKURAJIMI PREJ AUTORITETEVE SHTETËRORE ITALIANE

Me të njohur italianë, kur ua prezantojmë shkollën shqipe, e presin shumë mirë. Më besoni se të trajtojnë e respektojnë ndryshe. Kur prindërit shqiptarë i kanë treguar mësuesve të fëmijëve për kurset e gjuhës shqipe që ndjekin, ata janë interesuar se si veprojnë në këto kurse dhe i kanë inkurajuar. Mësimi e përvetësimi i një gjuhe, aq më tepër i vendorigjinës tënde, është një mundësi më e madhe, është një plus mbi bashkëmoshatarët, sepse zotërimi i saj të bën më të sigurtë. Bashkëpunimin me organet shtetërore, do t’a mundësojmë nëpërmjet shoqatës dhe shpresojmë të ndihemi prej tyre. E shpreha se fëmijët me dygjuhësh dallohen në përgatitje, fjalor, përgjigje, siguri në të shprehur. Aq më tepër fëmijët tanë, kur janë të porsaardhur, vetëm muajt e parë kanë vështirësi. Pastaj dallohen jo vetëm në përvetësimin e gjuhës, po në të gjitha lëndët. Ajo që dua të vë në dukje, është se të gjithë prindërit këtu, vetë mund të punojnë në sektorë të ndryshëm, fëmijët i drejtojnë në dyert e universiteteve. Për sa i takon përdorimit të teknologjisë, në shkollën tonë tani nuk e kemi mundësinë me këtë ngarkesë brenda dy orëve.

KUSH ËSHTË MËSUESE EMRIE SKUKA?

Kam mbaruar studimet e larta në degën e gjuhë-letërsisë në Shkodër më 1979. Kam punuar mësuese në Luzni tre vjet. Pastaj në shkollën 9-vjeçare “Demir Gashi” Peshkopi, gjersa dola në pension. Letërsia ka qenë pasioni im. Si mësuese, jam përpjekur që këtë pasion t’a transmetoj edhe tek nxënësit. Mendoj se i’a kam arritur. Libri ka qenë gjithçka për mua, e ushqyer kjo dashuri nga babain Rustan Mera dhe daja im Lutfi Manjani. Prania e bibliotekave në të dyja shtëpitë, ishin vërtet thesare për ne fëmijët. Kam botuar që studente tek “Ushtima e maleve”, më vonë tek “Rilindja demokratike”, “Rimëkëmbja kombëtare”, “Drita islame, “Rruga e Arbrit”. Kam botuar dy libra monografikë “100 vjet në 36 shkronja” dhe “Sinoret Luznisë”. Dy drama për fëmijë “Ne nuk jemi për mur në”, “Ti duhet të vish baba!”si dhe montazhin letrar kushtuar Flora Brovinës, si poete, veprimtare, humaniste, luftëtare e qytetare! Që nga viti 2019 jetoj në Perugia me familjen time.

Filed Under: Opinion Tagged With: Sokol Paja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 126
  • 127
  • 128
  • 129
  • 130
  • …
  • 858
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT