• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)

September 19, 2019 by dgreca

VATRA & ” DIELLI”-SHQIPERIA E LIRË & “LIRIA”/

VATRA- SHFLETIM I DOSJES TË SIGURIMIT TË SHTETIT KOMUNIST (4)/

-Relacioni i Vitit 1953: Të mbështetet Gazeta”Liria” me 2 mijë dollarë, të demskohet gazeta”Dielli”  dhe të luftohet për heqjen e Editorit  Qerim Panariti!

– Relatori i Ministrisë së Brendshme, shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

– Sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi ka në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Nga Dalip Greca/

            Qeveria Komuniste e Tiranës ka luftuar që diasporën shqiptare të Amerikës ta mbante të përçarë. Një nga format e luftës përçarëse ka qenë largimi i vatranëve të lëkundur nga Vatra dhe anëtarësimi i tyre tek Shqipëria e Lirë, e cila ishte  në shërbim të Qeverisë së Enver Hoxhës.Një projekt tjetër ishte krijimi i një Vatre të dytë që të bashkëpunonte me Tiranën.

Mjafton të shfletojmë një prej relacioneve, të Dosjes së Vatrës dhe të bindemi për preferencat e Qeverisë komuniste ndaj Shqipërisë së Lirë dhe gazetës së saj”LIRIA” dhe luftë të ashpër kundër Vatrës dhe gazetës së saj DIELLI.

Le të shohim fillimisht se si e përshkruan përbërjen e diasporës shqiptare në Amerikën e Veriut Ministria e Brendshme:Kolonia Shqiptare e Amerikës është një nga kolonitë më të mëdha dhe më të pasura të shqiptarëve në Perëndim.

        Sipas relacionit në SHBA jetonin në fillim vitet ’50-të të shekullit të shkuar rreth 40 mijë shqiptarë, 20 për qind e të cilëve kishin tërheqë në SHBA edhe familjet e tyre.Shqiptarët ishin përqëndruar në qytetet: Boston, Uster,Nju Jork, Nju Xhersi, Michigan, Çikago, San Francisko, Uashington, Ohajo,Filadelfia etj. Konstatohej sipas tyre se nga niveli arsimor shumica ishin analfabetë ose dinin pak të lexonin, por ishin shumë fetarë.Emigrantët ekonomikë ishin të ndarë në dy shoqëri: VATRA dhe Gazeta DIELLI, si dhe SHQIPËRIA E LIRË dhe Gazeta”LIRIA”. Vatra kryesohej, sipas tyre, kishin prijës real Fan Nolin, Dielli udhëhiqej nga Qerim Panariti, Liria nga Dr.Xhon Nase, me origjinë nga Berati dhe Dhimiter Trebicka nga Korça.Pjesa më e madhe e shqiptarëve nuk ishin të anëtarësuar në këto dy organizata, por shumë prej tyre merrnin gazetat Dielli dhe LIria. Vatra përbëhej në përgjithësi nga pjesa më e pasur e emigrantëve ekonomikë shqiptarë, nga që kjo ishte organizata më e vjetër e shqiptarëve të Amerikës, ndërkohë(raportonte relatori) në krye të saj ishin vënë gjithmonë agjentë të amerikanëve.

Raporti nënvizon: ” Qëndrimi Vatrës dhe gazetës së saj Dielli ndaj nesh nuk është i mirë. Gazeta DIELLI dhe kryesisht editori i saj Qerim Panariti zhvillojnë një propogandë armiqsore kundër Republikës sonë dhe kampit të socializmit. Kjo vjen nga që në këtë organizatë ka njerëz jo të mirë, edhe pse në radhët e saj nuk mungojnë patriotët. Shqipëria e Lirë dhe Gazeta “Liria” mbajnë një qëndrim shumë të mirë ndaj Republikës sonë dhe janë patriotë të mirë, pjesa më e madhe e tyre janë punëtorë.”

…Ndërmjet VATRËS dhe Shqipërisë së Lirë ka kundërshti parimore, më thelbsore është qëndrimi ndaj Republikës sonë Socialiste, këtu ndahen.Ka patur diskutime për bashkimin e dy organizatave, por Vatra këmbëngul që bashkimi të bëhet nën platformën e saj, Shqipëria e Lirë kërkon që ajo të diktojë.

Në Amerikë ka dhe organizata të tjera lokale me karakter filantropik, por aktiviteti i tyre nuk është i madh.

Konstatimi i dytë: Shqiptarët në Amerikë kanë edhe institucionet fetare; Kisha orthodokse me kryetar Fan S. Nolin është më e fuqishme. Po ashtu sekti Muhamedan ka në krye agjentin e Ahmet Zogut dhe të amerikanëve Imam Vehbi Ismailin dhe sekti Bektashi me në krye agjentin e amerikanëve Dervish Rexhepin.

Organet e vendit ushtrojnë presion në koloninë shqiptare dhe përpiqen ti shkëpusin shqiptarët nga ne, duke shfrytëzuar edhe institucionet fetare dhe elementin reaksionar.Ka dhe organizata Vorio-Epirote, por aktiviteti i tyre është me hope.

Riatdhesimi ecen ngadalë. Ka vonesa në Ministrinë e Jashtme për dokumentet.Amnistia është bërë e ditur në koloni, por propoganda kundër saj është shumë e madhe dhe keqinterpretohet.

Pasi paraqet gjendjen e detajuar të kolonisë shqiptare, relatori i Ministrisë së Brendshme, arrin në këto përfundime:

-1- Pjesa dërmuse e kolonisë shqiptare vuan nga ndjenjat patriotike dhe është nën pushtetin tonë.

2- Të bëhen përpjekje nga ana jonë që të largohet si sekretar i Vatrës dhe Editor i Diellit Qerim Panariti.

3- Gazetës”Liria” t’i jepen 2 mijë dollarë që të marrë frymë lirisht.

4-Të demaskohet Gazeta “Dielli” me artikuj në shtypin tonë, pa përmendur direkt Qerim Panaritin me emër.

5-Të dërgohen letra nga familjarët e këtushëm të cilët kanë influencë  tek shqiptarët e Amerikës, veçanërisht atyre që janë anëtarë të Vatrës.

6- Me anë të shtypit të bëhet demaskimi i elemtit reaksionar, veçanërisht atij që nuk mbanë qëndrim të mirë ndaj nesh.

7- Të përshpejtohen procedurat e riatdhesimit.

8-Të organizohet shpejt grupi i vizitorëve në vendin tonë me qëllim që t’i shfrytëzojmë për interesat tona.

9-Të organziohet dërgimi i shtypit, filmave, dhe materialeve të tjera propogandistike në koloninë shqiptare të Amerikës dhe të shfrytëzohet në favorin tonë.

10-Emisionet që trasmeton Radio-Tirana të shfrytëzohen edhe për qëllimet tona(Ministrisë së Brendshme).

11-Të bëhet një punë e organizuar për interpretimin e drejtë të Aminsitisë dhe të goditen interpretimet e gabuara.

Punëtori operativ, Togeri S. Memetko,  që ka studiuar relacionin ka bërë edhe këtë shënim me shkrim dore: Të mbështetet Shqipëria e Lirë. Të shihet mundësia edhe e hapjes së shkollës shqipe në qytete ku ata kanë influencë ata të Shqipërisë së Lirë. Krahas mjeteve të tjera propogandistike të dërgojmë edhe libra.

Memetko konstaton se: Me ndihmën e amerikanëve në koloninë shqiptare kanë depërtuar shumë prej reaksionit.Relatori shqetësohet se shumë nga djemtë e të arratisurëve po martohen me vajzat e emigrantëve ekonimikë, pasi prindërit e vajzave nuk preferojnë t’i martojnë me të huaj.

Ministria e Brendshme përpiqet që të shfrytëzojë për informacione nga kolonia gazetën proqeveritare”Liria” madje dhe kundër Vatrës e Diellit.

Për t’i dhënë informacion Ministrisë së Brendshme gazeta LIRIA që po sponsorizohej nga Tirana, botonte në faqet e saj informacione rreth Vatrës dhe degëve të saj. Ndër të tjera nga ky raport marrim një informacion, që nuk e gjejmë në arkivin e Vatrës, emërtesat e degëve jo vetëm me numra, siç i kishte regjistruar vetë Vatra por me emra. Kështu psh Degat e Detroitit thirrej dega” Presidenti Wilson”, një degë në Boston ishte emërtuar”Themistokli Gërmenji”, dega në Manchester thirrej”Manastiri”, një degë në Kliveland kishte emrin” Petro Nini Luarasi”, dega e Nju Jorkut thirrej’Naim Frashëri” një degë në Akron- Ohajo thirrej “Vani Qiraxhi” etj.

Duke u ndalur në marrdhëniet e Vatrës me Shqipërinë e Lirë, Ministria e Brendshme konstatonte se: Vijonte procesi i bisedimeve mes dy organizatave, por dukej se nuk do të arrihej asnjë mirëkuptim.Mosmarrveshjet vazhdonin. Kur shkoi delegacioni ynë në Nju Jork dhe deshi të merrej me atë punë, kishte arritë më parë një letër nga Hysni Kapo, që udhëzonte të lihej njëherë ajo puna e bashkimit. Nga ana tjetër, në të dy organizatat kishte polemika të pafundme dhe mosmarrveshje e keqkuptime nga elementë brenda dy organizatave. Psh, Nini Luarasi,anëtar i Komitetit të Shqipërisë së Lirë, demaskojë me 2-3 artikuj të botuar në Dielli Dr. Nase, përse ky i fundit paska bërë dy mbledhje për të diskutuar letrat e tradhëtarit Stavro Skëndi. Nga ana e saj edhe Vatra ka pësuar tronditje për arsye se disa nga anëtarët e Komitetit të saj si Qerim Panariti, Shefqet Bença, refuzuan të marrin pjesë në Komitetin për ndihmat e Shqipërisë, që u formua disa kohë më parë në Nju Jork. Kjo ka zemruar anëtarët e thjeshtë të Vatrës, madje kryetari i degës së Nju Jorkut , Halil Bozgo,(elemnt i ndershëm) ka kërkuar mbledhjen e Kuvendit të Vatrës për të kërkuar llogari ndaj personave të mësipërm.

“Luani” raportonte: Shqiptarët e Amerikës kanë qenë gjithmonë të alarmuar për gjendjen e mjerushme ekonomike në Shqipëri.Dielli pat botuar e komentuar një frazë të Gjeneralit të U.N.R-as, Rooks, i cili thoshte: Në asnjë vend të Europës, nuk pashë më tepër uri se sa në Shqipëri.” Dhe më poshtë”duke parë këtë gjendje, Kryeministri Enver Hoxha më tha që jemi gati të bashkëpunojmë me çdo organizatë ndërkombëtare me karakter ekonomik”…

Relatori arrin në përfundimin se: Këto shprehje, shqiptarët i marrin kallëp. Pastaj, Vatra dhe Shqipëria e Lirë, për të patur më shumë sukses e alarmonin vetë çështjen. Këtu edhe kanë përfituar elementët e këqinj, si Qerim Panariti, që ta godisnin indirekt pushtetin tonë.Para disa muajësh bëhej më tepër propogandë për të grumbulluar miell, por me ndërhyrjen e delegacionit qeveritar, po u jepet më shumë rendësi sendeve të tjera.Për këtë punë me inisiativën e delegacionit të qeverisë  dhe me mbështetjen e shokëve jugosllavë, u krijua një komision i përbashkët për të gjitha ndihmat.U morëm vesh me shokët jugosllavë që vaporët jugosllavë të merrnin vetëm plaçka e këtij komiteti, që u aprovua nga qeveria e Tiranës, por Vatra e kundërshtoi dhe nuk mori pjesë.

Sigurimi, përmes relatorit me nënshkrimin”Luani” shfaqte shqeteësimin se në drejtimin e Vatrës kishin hyrë elementë reaksionarë, si:Peter Konja, që kish qenë Ministër i Zogut më 1943 në Washington.

Raporti: Petër Kolonja dhe Qerim Panariti shkojnë në harmoni të plotë mes tyre.Sa herë shkon në Washington Qerimi takohet me Peterin dhe Kostë Chekrezin dhe së bashku shkojnë në Departamentin e Shtetit, ku takojnë Shefin e Marrdhënieve për Ballkanin , një farë James Charls. Qerim Panariti dhe Peter Kolonja nuk e fshehin se kanë miq në departamentin e Shtetit. Sipas një bisede që bëri Sh. Duka me P.K. , ky i dyti i paska thënë se QP kishte shkuar në Departamentin e Shtetit me gjithë ambasadorin e Jugosllavisë dhe ka premtuar se do ta kthente politikën kundër Shqipërisë sapo të shihte rastin e volitshëm.(Vijon)

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Dalip Greca-Vatra-Shqiperia e Lire-Dielli-Liria

VATRA KA DY LLOJ KUNDERSHTARËSH…

September 17, 2019 by dgreca


– Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy…

NGA FAIK KONICA*/Vatra me veprimet e saj fitoi shumë miq po dhe armiq e kundërshtarë. Ajo mbajti udhën e drejtë dhe hoqi pas gjithë ata që e panë dhe e kuptuan, gjithë ata që muarën dritë prej saj; të tjerët, ata të drizave dhe të ferrave, e panë me sy shtrembur, e ndoqën dhe po e lëftojnë.

       Kundërshtarët e Vatrës ndahen në dy kategori:Në kundërshtarë të verbër, dhe në kundërshtarë me sy. Të parët e kundërshtojnë Federatën tonë se drita e syrit të tyre është shumë e shkurtër dhe mendja aq e ngushtë dhe e pagdhendur sa nuk ndajnë dot të bardhën nga e zeza. Këta nuk janë të rrezikshëm dhe për këta ka shpresë shërimi. Koha dhe pak veprim i sjellin në udhë të drejtë.

       “Ata me sy” janë të rrezikshëm dhe këtyre duhet t’u verë fre Kuvendi i pritëm, se këta janë të rrezikshëm, këta e kanë ndaluar dhe e pengojnë edhe sot e kësaj dite Federatën tonë. Përapara dhe pas cdo Kuvendi keni dëgjuar ankime, qortime, dhe grindje; përpara çdo Kuvendi ju ka rënë në dorë ndonjë gazetë a ndonjë qarkore. Që të gjitha, vit pas viti, drejtohen kundër zyrtarëve të Federatës, cilëtdo qofshin. Dhe çudia ka qenë që këto sharje e grindje kanë dalë gjithnjë prej një burimi….

       Prej këtyre, mjerisht ka dhe disa që për arsyet e tyre, janë dhe anëtarë të VATRËS dhe e lëftojnë Federatën që përbrenda mureve të saj.Nga këta gjemba me helm duhet të qërohet Federata.Ne duam që të kemi një shoqëri të paqme, e cila të përparojë e të mund të arrijë qëllimet e saj të shenjta.

  • Cilët janë këta?- do të pyesni.
  • Më të shumtit i dini; të paktit, ata që lehin prapa gardhit dhe nuk guxojnë të tregojnë turirin veçse kur shtërngohen, do t’i mësoni posa të shkelni në Kuvend.
  • Me këta antivatranë, me ata me sy, me ata që dijnë që bëjnë keq- po bashkëpunon sot propaganda e Dudumëve kundër VATRËS!

Dhe ky fakt i bën ata ca më të rrezikshëm.

Zotërinj, Mjaft!Mjaft hoqi Vatra nga grindavecët e përhershëm. Sot është koha që të shtihemi në gardh të fortë midis vatranëve të vërtetë dhe atyre prej ”balte”!

Me përzjerjen e Pseudopartisë në punët e brendshme të FEDERATËS, Pseudovatranët marrin një faqe tjetër që mund të rrezikojë jetën e Federatës. 

Është pra në dorën tuaj që të qëroni VATRËN nga gjembat e rrezikshëm.

*Titulli origjinal: Duhen qëruar gjembat nga ara- Faik Konica, fjala para Kuvendit të Korrikut 1923, botuar si editorial në Diellin e 1 Korrikut 1923.

Filed Under: Ekonomi, Opinion Tagged With: Faik Konica-Vatra-Kundershtaret

NJË ZË NAZI-FASHIST ANTI-SHQIPTAR NGA QENDRA E EVROPËS

September 11, 2019 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Media të ndryshme rajonale dhe ndërkombëtare njoftojnë se në Beograd arriti për një vizitë dy-ditëshe, presidenti i Republikës së Çekisë, Milosh Zeman, ku u prit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Pa zbritur ende në tokën serbe, udhëheqësi çek nuk mund të priste që të shprehte dashurinë e tij për Serbinë dhe urrejtjen shekullore fashiste të disa elementëve evropianë ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, duke u shprehur se atij i pëlqente shumë Serbia dhe nuk i pëlqente aspak Kosova. (Unë besoj se përkthimi i vërtetë i deklaratës së tij duhet të ishte: “Unë dashuroj pa masë Serbinë dhe popullin serb, por urrej për vdekje Kosovën”) Këto komente kundër Kosovës dhe shqiptarëve, pasi në Kosovë shumica është shqiptare, Zemani i përforcoi pak më vonë gjatë një takimi me Vuçiçin, me një deklaratë tjetër kundër pavarësisë së Kosovës duke shtuar se me të kthyer në Pragë, ai do të japë urdhër që për një muaj të shqyrtohet mundësia, se çfarë mund të bëhet në lidhje me tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Republika Çeke. Deklarata e Zemanit, pra nuk ishte një “gafë diplomatike” për të cilën ai njihet mirë në vendin e tij dhe në qarqet ndërkombëtare, por është një shprehje e menduar mirë dhe me paramendim, prej tij.

Fjalët e Zemanit duhet të kenë tingëlluar si një muzikë e preferuar dhe e këndshme në veshët e Vuçiçit dhe të ish-bashkëpunëtorëve të tjerë të kriminelit të luftës në Kosovë dhe në ish-Jugosllavi, Millosheviçit – nëpër korridoret e diplomacisë serbe, ku si gjithmonë, ashtu edhe sot, përpilohen politikat serbe më anti-shqiptare në takime me përfaqësues evropianë e rusë, të tipit Zeman. Mirë e ka thënë dikur At Gjergj Fishta i ngratë, për të cilin fatkeqësisht, urrejtja komuniste ndaj tij vazhdon ende në trojet shqiptare, trashëgimi kjo e pashlyer e historisë komuniste të Enver Hoxhës. Ai nuk gëzon as sot respektin e merituar të Tiranës dhe as të Prishtinën zyrtare, e jo më të Beogradit dhe të përfaqësuesve të Evropës dhe këlyshëve të Rusisë, si Aleksandër Vuçiç dhe Millosh Zeman. Ashtu si në kohën kur i ka shkruar këto rreshta At Gjergj Fishta, disa elementë të politikës evropiane edhe sot mbrojnë gjithnjë interesat e ‘klyshëve të Rusisë’, në kurriz të të drejtave dhe lirive të shqiptarëve:

Uh! Evropë, ti kurva e motit!

Që i re mohit, besës së Zotit!

Po, á ky asht sheji i qytetnisë?

Me da tokën e Shqypnisë,

Për me mbajt klyshtë e Rusisë?

Fatbardhësisht, me gjithë zhurmën që shkaktoi deklarata që bëri në Beograd presidenti çek, Zemani dhe Vuçiçi nuk kanë kompetenca që të tërheqin njohjen zyrtare diplomatike të Republikës së Kosovës nga ana e Republikës së Çekisë. Janë ente të tjera qeveritare në Pragë që vendosin një gjë të tillë, gjë nuk pritet të ndodhë, pasi kam besimin se në Pragë ka ende njerëz që janë të influencuar nga politikat pro-shqiptare euro-atlantike, të dy ish-udhëheqësve çekë të njohur, pro-shqiptarë: ish-Presidentit Vaclav Havel, simbolit të lirisë dhe të drejtave të njeriut në botë dhe ish-Sekretares Amerikane të Shtetit Madeline Albright, mbështetëses së fortë të Kosovës dhe të drejtave të shqiptarëve. Kontributet e tyre në mbështetje të drejtave të shqiptarëve në përgjithësi, janë të njohura, tanimë. Në raste të tilla, si kjo deklarata e Zemanit kundër Kosovës, duhet të na kujtojë se edhe sot, 30-vjet pas shembjes së komunizmit dhe 20-vjet nga ndërhyrja e NATO-s për çlirimin e Kosovës nga forcat kriminele serbe – ekziston nevoja për të kujtuar kontributin e miqve tanë me origjinë çeke: Vaclav Havel dhe Madeline Albright. Deklarata e papërgjegjshme e presidentit Zeman në Beograd na tregon edhe njëherë, se bota nuk është kurrë e sigurt, se të drejtat dhe liritë njerëzore janë gjithmonë në rrezik nga individë në detyra të larta si Zeman e Vuçiç.

Mendojmë se mori fund komunizmi, mori fund lufta në Kosovë e tani jemi në rregull. Asgjë nuk është e garantuar në këtë botë. Por ajo që mund të bëjnë shqiptarët në trojet e veta, është që të zgjedhin personat që do të mbrojnë, mbi të gjitha, interesat kombëtare, liritë dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve, brenda kufijve të dy shteteve shqiptare dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në përgjithësi, si dhe përforcimin e institucioneve demokratike në vend, në rrugën eventuale drejt integrimeve të plota euro-atlantike. Tjetër rrugë nuk ka për shqiptarët!

Si reagim i menjëhershëm ndaj deklaratave të Zemanit në Beograd, u takon enteve më të larta të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë që të bashkërendojnë një përgjigje të fortë diplomatike ndaj këtyre deklaratave të pa përgjegjshme të Presidentit të Republikës së Çekisë gjatë vizitës së tij zyrtare në Beograd. Si fillim, Ambasada e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës në Pragë të kërkojnë takime në Ministrinë e Jashtme të Çekisë për shpjegime në lidhje me deklaratën e papërgjegjshme të udhëheqësit çek në Serbi. Të njëjtën, të bëjnë ministritë e jashtme në Prishtinë e Tiranë, të ftojnë ambasadorët çekë atje dhe t’u paraqesin protestën zyrtare të qeverive shqiptare. Mos kini frikë! Çonju prej gjumi dhe mbroni interesat kombëtare! Eh, në duar të kujt ka mbetur fati i Kombit!

Ish-Presidenti Vaclav Havel, ndryshe nga Millosh Zemani i sotëm, ishte i mirëinformuar për vuajtjet e shqiptarëve gjatë shekujve, përfshirë periudhën e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Ai ishte gjithashtu edhe një zë i shpresës për njerëzit e shtypur kudo, i cili aktivisht ka kritikuar politikën serbe të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë dhe ndryshe nga zemanët e kësaj bote, ka qenë mbështetës i vendosur i sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave kriminale të Serbisë për çlirimin e Kosovës. “Edhe më parë kam mbrojtur qëndrimin se komuniteti ndërkombëtar duhet të ndërhyjë sa më parë për të mbrojtur jetën e njerëzve nga arbitrariteti i shtetit”, ka thënë Vaclav Havel, në lidhje me sulmet ajrore të NATO-s kundër regjimit kriminal të Sllobodan Millosheviçit të Serbisë.

Unë për veten, preferoj të kujtoj trashëgiminë dhe miqësinë e politikës zyrtare çeke ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të promovuar nga i ndjeri Vaclav Havel dhe jo qëndrimet aktuale të Millosh Zemanit, në mbështetje të kriminelëve të luftës në Kosovë, shumë prej të cilëve vazhdojnë të shërbejnë në detyra të larta të shtetit dhe të qeverisë serbe, disa prej të cilëve ishin bashkëbisedues me presidentin Zeman, gjatë vizitës së tij në Beograd.

Pa marrë parasysh se ç’thonë dhe ç’mendojnë Vuçiçi dhe Zemani për pavarësinë e Kosovës, si pasojë e kësaj pavarësie, gjendja sot në Ballkanin Perëndimor është shumë më e mirë dhe më e sigurt për paqen në Ballkanin Perëndimor, se ç’ishte 20-30 vite më parë. Por kjo situatë nuk ndodhi vetvetiu. Ajo është zhvilluar falë – ndër të tjera – kontributit të patriotit të madh të Republikës Çeke, Vaclav Havelit, i cili me zërin e tij moral, gjithë jetën kundërshtoi dhe luftoi diktaturën komuniste në vendin e tij dhe në mbarë botën, si dhe padrejtësitë dhe shkeljen e të drejtave të njeriut kudo që ndodhnin ato. Është trashëgimia morale dhe veprimtaria e Çekut të Madh, Vaclav Havelit, që sipas Madeline Albright, “Ka treguar se një vend i vogël mund të ndryshojë shumë gjëra kur ka udhëheqësin e duhur me parime morale”.

Fatkeqësisht, në takimet e tij këto ditë me zyrtarët serbë në Beograd, presidenti aktual i Çekisë, Millosh Zeman me deklaratat e tija raciste anti-shqiptare dhe kundër pavarësisë së Republikës së Kosovës, ndryshe nga Vaclav Havel, tregoi edhe njëherë (kjo nuk është hera e parë që ai shprehet në këtë mënyrë), se ai nuk ka asnjë parim moral, as si njeri, e si presidenti Çekisë, jo se jo!

Ish Drejtor i VOA-s për Euroazinë*

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank Shkreli- Nje ze antifashist- Milosh Zeman

MALL PER SHKODREN…

September 10, 2019 by dgreca

Mall për Shkodrën/

NGA ALFONS GRISHAJ*/

Fmi i ardhun nga …larg …larg,/

Lindun n’ nji vend  klasik ,  n’nji qytet t’ bekuem,/

Ku  harbohen  lulet dhe çilin mendjet e ndrituna,/

Ku marrin jet’  ndjesitë e  stërhollueme … /

Në rrathët e gjergjefeve t’vajzave t’bukura, /

Mistere t’ fshehuna  n’gjokset e shejtnueme./

Rrugve t’qytetit tem fola /

Me  mjegullat e siluetave t’shpirtnave, /

Sekrete  t’qytetit t’lashtë q’si sheh kush me sy…/

I msheha në nji kapak’  t’ krahnorit,/

Tue vuejt  mediumin , denuem n’ krye!

Dekor i Shiroks , Buns , Drinit , Rozafs e Taraboshit

M’ ban me hjell spirancën bash n’zemër t’Shkodrës

E me prit dritën e ngallnjyeme!

E qesha , e luejta me çdo rrug e gur,

Me çdo pem e lum,

Me çdo shkamb e ur,

Me çdo qen e llum!

Qava me skllavin popull

Që si skeletone t’mpakuna,

T’ plakuna  pa shijue rini

Shkokloheshin rrugs…

Tue u ngjit n’shtyllat e mortit si gjethe t’vrame.

Tash shpërnda n’alem… shoqe e shokë…

M’ qan shpirti me i pa si dikur

Që luejshim n’rrug e mur…

Me qesh e me qa,

Me dasht e me u sha!

M’ka marr malli

Për shiun e rrëmbyem me gjygyma…

Për çizmet që fusnin ujë,

Dhe për rrug’t që i mbushte rryma.

Me harrue dheun e huej!

Prap, un’ kam me shkue larg…larg,

Me Shkodren n’gji… rreliken teme,

Çdo qeliz t’saj kam me e ba rruza varg…

Rruzare  mbi tokat  e rreme!

Barnes and Nobles

Shtëpi me tulla librash.

Fletore këngësh , pullazi.

Listele flauti çdo dërras,

Pllaka ravijzim atllasi.

Aty pi kafen Neruda ,

Elioti një pëllëmb  më tej,

Kafkës pluhurin i shkunda…

Më drejtoi nga  Heminguej.

I menduar Wittgestein

Se ç’më thotë disa fjalë:

“Madhështia veç për Hegelin

Lëre  Marksin,  kalë i çalë!”

Jehonë  e fortë  pasthirrmë,

Rrathë  orkidesh  Konfuci,

Dallgë  kënge , jetë e rimë

Gjinj’ve  lirikës Carducci.

Ndrit mbi libra Akuini,

Çekan mbi injoranc Spinoza,

I fantaksur mbet’ Lenini,

“Endrra e Kelt”,  Llosa!

Ekuacion rri  Derrida,

Energji patern Nabukov,

Portret i thyer Frida…

Degë ulliri   Sakharov.

Dhe kështu s’kan të mbaruar…

Po shqiptarët ku janë ?

Ula sytë i trishtuar …

Ja , Tereza…shënjtja nanë!

Michigan me, 10 Shtator 2019

* Redaksia e DIELLIT, e falenderon z. Alfons Grishaj për kontributin cilësor që jep në Gazetën Dielli” dhe me rastin Ditës së Lindjes, i përcjell urimet më të ngrohta!

HAPPY BIRTHDAY, ALFONS!

Filed Under: Opinion Tagged With: Alfons Grishaj-Mall per Shkodren

KORPORATA E PARË E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË SHBA

September 9, 2019 by dgreca

     NGA HISTORIA SHQIPTARO-AMERIKANE:KORPORATA E PARË E KOMUNITETIT SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA/

                                           Nga Frank Shkreli/

Komuniteti shqiptaro-amerikan gjatë viteve ka ardhur duke u shtuar në mënyrë të dukshme, sidomos, mbas shembjes së Murit të Berlinit dhe përmbysjes së komunizmit.   Megjithëse nuk ka shifra të sakta për numrin e vërtetë të shqiptarëve në Amerikë, llogaritet se sot në Shtetet e Bashkuara mund të jenë disa qindra mijëra që e identifikojnë veten “me origjinë shqiptare” dhe shqiptarë të ardhur këtu nga të gjitha trojet shqiptare, gjatë dy tre dekadave të kaluara.   Sot, në Shtetet e Bashkuara ka shumë organizata civile, kulturore, fetare dhe politike, që përfaqësojnë këto komunitete anë e mbanë Amerikës.  

Diçka që pasqyron angazhimin e tyre politik, numrin dhe influencën e tyre në jetën politike të këtij vendi, sot shqiptaro-amerikanët kanë përfaqsuesin e tyre në Bashkinë e Madhe të Nju Jorkut dhe më heret janë përfaqsuar me delegatin e tyre të parë në Asamblenë e shtetit të Nju Jorkut, në personin e Mark Gjonajt.  Duke marrë parasyshë numrin e madh të shqiptarëve sot këtu në Amerikë, ata nuk janë të përfaqësuar mjaftueshëm në jetën politike të këtij vendi, qoftë në nivel vendor, shtetëror dhe federal por është një fillim i mirë dhe një shembull për brezin e ri të shqiptarëve këtu për tu bërë pjesë e këtij procesi politik, pasi dyzertë i kanë të hapura, duhet vetëm vullneti.  Siç dihet, komuniteti shqiptaro-amerikan me organizatat e veta politike, siç ishin, ndër të tjera, Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, Liga Qytetare dhe Federata historike pan-shqiptare Vatra, kanë luajtur rol të rëndësishëm në mbështetje të interesave kombëtare të shqiptarëve në kohë të caktuara, në fillim të shekullit të kaluar e deri në fillim të këtij shekulli.

E gjithë kjo në rregull, por komuniteti shqiptar në këtë vend, sidomos udhëheqsit e tyre politikë dhe fetarë  e kanë ndie gjithmonë nevojën për një organizim dhe përfaqësim më të madh në jetën politike të këtij vendi, në mbështetje të interesave, të nevojave dhe mbrojtjes së të drejtave të komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim.  Nevoja për një organizim më të mirë e më përfaqsues, veçanërisht, përpara autoriteteve vendore, shtetëtore dhe federale amerikane, ndihet sidomos sot, më shumë se kurrë më parë, në komunitetin e madh shqiptaro-amerikan. Shpresojmë se brezat e sotëm të shqiptaro-amerikanëve, të cilët kanë numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, por kanë edhe mundësitë ekonomike dhe arsimore shumë më të mëdha se sa brezat e mëparshëm të këtij komuniteti në Amerikë do të bëjnë përpjekje për një angazhim shumë më serioz se deri më tani, për tu bërë pjesë funksionale e jetës politike amerikane, në të mirë të komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara, por edhe në dobi të bashkatdhetarëve të tyre në trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Ndonëse, dikurë komuniteti shqiptaro-amerikan në këtë vend nuk i kishte as numrat dhe as njerëzit e përgatitur për tu bërë pjesë serioze e jetës dhe e proceseve politike të këtij vendi, ku shqiptarët jetojnë, për më shumë se një shekull.   Por me gjithë se shqiptarët ishin një komunitet i vogël, në krahasim me komunitetet e tjera etnike këtu në Amerikë edhe ata ç’prej arritjes së tyre në këtë vend –megjithë pengesat dhe pamundësitë ekonomike dhe politike — e kishin ndie nevojën për një angazhim më serioz në jetën politike të vendit. 

Ishte vjeshta e vitit 1973.   Komuniteti shqiptaro-amerikan i pas Luftës së dytë Botërore nuk ishte më i madh se disa dhjetëra mijëra shqiptarë, kryesisht, refugjatë anti-komunistë shqiptarë që ishin arratisur në botën perëndimore – kryesisht këtu në Shtetet e Bashkuara — pasi nuk pranuan kurrë imponimin e regjimit komunist të Enver Hoxhës mbi shqiptarët. Komuniteti shqiptar në Amerikë, sidomos në Nju Jork, ishte i vogël, por nevojat ishin të mëdha dhe duhej punuar për një organizim më të strukturuar në krahasim me disa organizata të asaj kohe, për të ndihmuar emigrantët shqiptarë që vazhdonin të vinin në Nju Jork nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkanin Perëndimor.

Kështu lindi ideja për një organizatë gjithëpërfshirse që do të përfaqësonte interesat e komunitetit shqiptar në qytetin e Nju Jorkut, ku ishin grumbulluar shumica e tyre, duke tërhequr njëri tjetrin.  Pas disa përpjekjeve nga udhëheqsit e komunitetit të atëhershëm shqiptar këtu, Bashkia e Nju Jorkut aprovoi themelimin e një korporate që do të përfaqësonte në terësi komunitetin shqiptaro-amerikan, pa dallim.Sipas një njoftimi të lëshuar për mediat nga Qendra e Nju Jorkut për Punët Etnike (Vëllimi 1, Numri 1 i vitit 1973) një ent ky zyrtar i qytetit Nju Jork, thuhej se “Korporata Etnike për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan të Nju Jork-ut, po miratohej me qëllim të organizimit vullnetar të shqiptaro-amerikanëve, si përfaqsuese e komunitetit në marrëdhëniet me autoritetet civile të qytetit dhe të shtetit Nju Jork, në dobi të gjithëve pa dallim.  Çdo pjesëtar i këtij grupi etnik mund të bëhej anëtar, mjaftonte që të pranonte rregullat dhe të zbatonte ligjet që rregullonin korporatën, e cila para ligjit dhe për nga natyra e saj konsiderohej si një organizatë jo-fitimprurëse.

Qyteti i Nju Jorkut llogariste se në vitin 1973 në këtë metropol të Amerikës banonin rreth 30.000 shqiptarë, të cilët do të përfaqësoheshin nga korporata e re, ku përfshiheshin grupe të ndryshme fetare, arsimore, dhe kulturore të komunitetit shqiptaro-amerikan. Grupet kryesore që themeluan korporatën e re ishin Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane në lagjën Bruklin, Kisha Orthodokse shqiptare Shën Nikolla në lagjën Kuins dhe Lidhja Katolike Shqiptaro-Amerikane në lagjën e Bronksit. Përfaqsuesit e këtyre qendrave fetare të shqiptarëve në Amerikë, Imam Isa Hoxha, i Qendrës Islamike, Z. Lazarus Pillary përfaqsues i Kishës Ortodokse dhe Dr Zef Oroshi i Lidhjes Katolike Shqiptare punuan së bashku për themelimin e Korporatës Etnike për Komunitetin Shqiptaro-Amerikan të Nju Jork-ut, me ndihmën edhe të përfaqsuesve të grupeve të tjera.

Fillimisht, aktiviteti i përfaqsuesve të Korporatës Shqiptaro-Amerikane përqëndrohej në takimet me komunitetin, për të pasur një ide se cilat ishin vërtetë nevojat dhe interesat e pjesëtarëve të komunitetit shqiptar, të arritur në Nju Jork, sidomos në valën e madhe të fundit të ‘60-ave dhe fillimit të ‘70-ave.   Përfaqsuesit e këtyre qendrave themeluese të korporatës, të caktuar nga qendrat përkatëse për komunikim të drejtë për drejtë me qytetin e Nju Jorkut, (Rexhep Kumbarçe i Qendrës Islamike, Xhim Liolin i Kishës Ortodokse dhe Frank Shkreli i Lidhjes Katolike Shqiptaro-amerikane), pasi zhvilluan disa takime me komunitetin për vlerësimin e nevojave të komunitetit në përgjithësi, zhvillonin takime me përfaqsues të qytetit dhe të shtetit Nju Jork për sigurimin e fondeve për nevojat e ndryshme me të cilat përballej komuniteti ynë në fillim të 1970-ave në Nju Jork, shumë prej të cilëve për mungesë të gjuhës, nuk kishin mundësi tjetër komunikimi me zyrat e ndryshme të qeverisë vendore.

Megjithëse në atë kohë kishte edhe organizata të tjera shqiptaro-amerikane, përfshirë ato të karakterit politik e që kishin caktuar vetes objektiva të tjera –siç njoftonte edhe Bashkia e Nju Jorkut në atë kohë –themelimi i Korporatës Shqiptaro-Amerikane në fillim të 1970-ave të shekullit të kaluar, ishte një shembull i mirë i llojit të organizatave që po formoheshin anë e mbanë Nju Jorkut për tu ardhur në ndihmë komuniteteve etnike të ardhura rishtas në këtë kontinent.  Themelimi i kësaj korporate ishte pra një përpjekje e re e cila kishte për qellim për të bashkuar mbarë komunitetin, si të thuash, nën një flamur, për të vendosur mbi nevojat materiale, ekonomike, shëndetësore e të tjera dhe për të siguruar sa më shumë shërbime në mbështetje të komunitetit shqiptar në këtë metropol të madh.  Në të vërtetë, fillimisht, korporata e re u pa si një shembull bashkpunimi, i organizuar nga tri qendrat fetare të shqiptarëve në këtë qytet të madh, të cilat kishin mirëkuptim të plotë mbi nevojat e bashkatdhetarëve të tyre dhe gjithmonë ruanin marrëdhënie të ngushta me njëra tjetrën, falë respektit që udhëheqësit fetarë të shqiptarëve në Amerikë kanë pasur gjithmonë për njërin tjetrin.

Megjithëse kanë kaluar disa dekada dhe komuniteti shqiptaro-amerikan është sot shumë më i madh në numër, në një nivel më të lartë arsimor dhe ekonomik dhe rrjedhimisht ushtron edhe një influencë më të madhe politike, bashkpunimi i ish-udhëheqësve të këtij komuniteti në vitin 1973 për themelimin e një korporate të tillë të përbashkët duhet të shërbejë edhe sot si një shembull se si duhet të veprohet duke bashkpunuar me njëri tjetërin për realizimin e objektivave të përbashkëta, për të mirën dhe në dobi të mbarë komunitetit shqiptaro-amerikan, pa dallim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli-Korporata e Pare- Komuniteti Shqiptar- SHBA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • 368
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT