• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA NË ZGJEDHJE, VETËSHPËRNDAHET KUVENDI

August 22, 2019 by dgreca

-PRITET DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË/

-Kosova drejt zgjedhjeve, Kuvendi 120 anëtarësh votoi vetëshpërndarjen me 89 deputetë pro. Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës së Kosovës duhet të mbahen brenda 45 ditëve/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 22 Gusht 2019/ Kuvendi i Kosovës 120 anëtarësh pak më parë votoi vetëshpërndarjen me 89 vota pro dhe sot a nesër Presidenti i Republikës pritet të caktojë datën e  zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat sipas Kushtetutës duhet të mbahen brenda 45 ditëve. Pritet që 6 tetori 2019 të jetëdata e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, sipas burimeve të shtypit të sotëm të Prishtinës. Në momentin e votimit për vetëshpërndarje në sallën e Kuvendit të Kosovës ishin 106 deputetë.

“Shqyrtimi i propozimit të Grupit të deputetëve për shpërndarjen e Legjislaturës së gjashtë (6) të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, ishte në axhendën e seancës, ku fillimisht u ratifikua me 103 vota pro Marrëveshja Financiare për IPA 2018 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian.

Para seancës së sotme, presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka pritur dje në takim kryetaren e KQZ-së, Valdete Daka, ku  është biseduar për përgatitjet për organizmin e zgjedhjeve, pas paralajmërimit te partive politike parlamentare për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës.

“Duhet të bëhen të gjitha përgatitjet teknike, profesionale si dhe të sigurohen mjetet buxhetore, për të organizuar një proces zgjedhor, i cili përmbush kriteret më të larta demokratike”, ka theksuar presidenti Thaçi.
Në takim u bë e ditur se në KQZ tashmë kanë filluar të bëhen përgatitjet teknike për organizimin e zgjedhjeve demokratike në Kosovë, pas shpërndarjes së Kuvendit dhe pas dekretimit të datës së zgjedhjeve nga ana e Presidentit.

Kosova shkon në zgjedhjet parlamentare të shtata në 20 vjet liri, të katërta në 11 vjet pavarësi e të tretat të njëpasnjëshme të parakohshme, pasi në 19 korrik 2019, kryeministri Ramush Haradinaj në mbledhjen e 111-të të qeverisë që nga zgjedhja e tij, njoftoi vendimin për të dhënë dorëheqje të parevokueshme, pas ftesës që kishte marrë nga Gjykata Speciale në Hagë, për intervistimin  që u zhvillua në 24 korrik.

Kuvendi i Kosovës që sapo u vetëshpërnda kishte këtë përbërje të grupeve parlamentare: Lidhja Demokratike e Kosovës 25 deputetë, Partia Demokratike e Kosovës 23, Lëvizje Vetëvendosje 19, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 12, Partia Social Demokrate 12, Lista Serbe 10, Nisma Socialdemokrate 8 dhe Grupi 6+ (i komuniteteve pakicë) 6. Ndërsa, pa grup parlamentar janë 5 deputetë.

Në mbledhjen e paralajmëruar për 26 korrik 2019 qeveria e Kosovës në detyrë nuk ka proceduar me rendin e ditës, por vetëm ka diskutuar për ligjshmërinë e proceduarve të takimeve dhe vendimmarrjes së qeverisë pas dorëheqjes së kryeministrit e më pas nuk është mbajtur asnjë mbledhje tjetër.

Qeveria  e Kosovës e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën para më pak se dy viteve – në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.Me kryeminitër Haradinajn, Qeveria e Kosovës në bilancin e punës së saj ka edhe dy mbledhje të përbashkëta me Këshillin e Ministrave të Shqipërisë – në 27 nëntor 2017 në Korçë, e cila ishte e katërta,  dhe në 26 nëntor 2018 në Pejë, e cila ishte e pesta. Këto dy mbledhje të qeverive Shqipëri-Kosovë pasonin të parën historike në Prizren në 11 janar 2014, të dytën në Tiranë në 23 mars 2015 dhe  të tretën në 3 qershor 2016 në Prishtinë.

***

SË SHPEJTI DEKRETIMI I ZGJEDHJEVE NË KOSOVË

-Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi/

PRISHTINË, 19 Gusht 2019- Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë/ Nga Presidenca sot na u dërgua kjo Deklaratë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi:

Shpërndarja e sotme e Parlamentit të Republikës së Kosovës, përshpejton hapat e organizmit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, pas dorëheqjes së kryeministrit të Kosovës dhe në mungesë të gatishmërisë së partive politike parlamentare për të krijuar një qeveri të re.

Tani është në interes të qytetarëve të Kosovës që pas një procesi zgjedhor demokratik të kemi sa më shpejt një qeveri funksionale dhe llogaridhënëse, e cila i përballon sfidat që na presin si shtet dhe shoqëri.

Brenda kompetencave të mia kushtetuese, ligjore dhe në përputhje të plotë me vendimin e sotëm të Kuvendit, së shpejti do të marr vendim për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Republikën e Kosovës.

Këto zgjedhje duhet të jenë mirë të organizuara, profesionale, për të siguruar një proces fer, demokratik, që mundëson një monitorim të plotë të organizatave ndërkombëtare dhe atyre vendore.

Pavarësisht shpërndarjes së Parlamentit, Republika e Kosovës vazhdon t’i ketë institucionet funksionale dhe te qëndrueshme, duke garantuar vazhdimin e punës së institucioneve në përmbushjen e nevojave të qytetarëve të Kosovës.

Filed Under: Opinion Tagged With: Vetshperndahet Kuvendi-Kosova ne zgjedhje

Mihal “Van Dami”, kurbani i turistit të një milion-të

August 21, 2019 by dgreca

Rravigime dhe rrugëtime, përsiatje dhe përplasje mbi turizmin e Bregut të Jonit-

nga Rafael Floqi/

Nuk e njoh, nuk e mbroj, as nuk e mëshiroj Mihalin.  Mihali me veprimin e tij deri në skaj të arsyes njerëzore, duke kaluar në atë zgripin mes jetës dhe vdekjes, na nxori një të vërtetë lakuriqe përtej propagandës së Ramës dhe qeverisë së tij. Nuk mund t’ ia mbyllësh tani lokalin Mihalit, pse qenka pa leje në proces privatizimi, kur ja ke lënë hapur gjer më sot. Mos vallë nuk ishte Rama që jepte çertifikata pronësie, shokëve të Mihalit, që kanë zaptuar tokat e të tjerëve.

Mihal i tërbuar, apo Mihal i çmendur, Mihali -Van Dami i Porto Palermos. Në kohën e rinisë sime më vjen si jehonë titulli i një filmi të vjetër Mihal Trimi, por nga shtypi i sotëm në zallamahinë e rastit viral të Mihal Kokëdhimës, ku të gjithë kazanët servilë të Edi Ramës, i turren këtij epitetit të dytë, i çmenduri, ( i pari e dha kushtrimin Meroja i Temës), pastaj “facebuki”, bëri berihanë, dhe ison ia mbajtën mediat, duke i veshur dhe epitete te tjera, i sertë, gjaknxehtë, sherrxhi, grabitës tokash, nuk ka paguar taksa, ka qenë i dënuar  e ka ndërtuar lokalin pa leje, e ka zaptuar tokën në zonën ushtarake, e ka gruan harbute, i trajton klientët si këlyshë, u thotë “hani peshkun tim apo ikni”, por vulën ia vuri vetë, “alias pinjolli i Konicës”, kryefacebukisti ynë, mjeshtri i slang-ut, alla kazançe, kryeministri, Edi Rama: “Mihali njollosi “Mikpritjen shqiptare”. Hëm si kështu … 

“Ramën e kam pasur mik”,  pohoi Mihali në gjyq. Ndoshta për të marrë ndonjë mbështetje, por ai indirekt pohoi një të vërtetë tjetër, por më ka harruar. Deri dje ai ishte djali i xhaxhait i mikut të ngushtë të Ramës, që kishte dhe një hotel në rërë në Himarë, sot djali i xhaxhait i armikut, Koços së Kokëdhimajve .

Si mundi, që një grindje banale për një pagesë dreke, të bëhej kaq e madhe? Si u bë e mundur, që siç pohonte Mihali në gjyq, që media të merrej me shumë me të, se sa me “Osama bin Ladenin”? 

Nuk e njoh, nuk e mbroj, as nuk e mëshiroj Mihalin. Mihali me veprimin e tij deri në skaj të arsyes njerëzore, duke kaluar në atë zgripin mes jetës dhe vdekjes, na nxori një të vërtetë lakuriqe përtej propagandës së Ramës dhe qeverisë së tij. Nuk mund t’ ia mbyllësh tani lokalin Mihalit, pse qenka pa leje në proces privatizimi, kur ja ke lënë hapur gjer më sot. Mos vallë nuk ishte Rama që jepte certifikata pronësie, shokëve të Mihalit, që kanë zaptuar tokat e të tjerëve.  Kur duan e mbyllin lokalin si atë Bar Sahatin në Tiranë, Fluturës, banakieres të shtëpisë- lokal në majë të kalasë afër kishës së shekullit të 11 së Himarës, që na shiti një gotë ujë me limon të shtrydhur me çmimin që ka në Amerikë wiski. Megjithatë, asaj ja fal  ishim të etur dhe limoni vinte nga pema… 

Mos vallë nuk ka qenë pushteti lokal, i  Jorgos Goros kryebashkiakut së Partisë, jo të Himarës, siç më tha një kapiten anije turistike ne Himarë, gjatë një udhëtimi përgjatë bregut, këtë vit para zgjedhjeve në Qershor. Me që mu kujtua bashkia, si s’qe kujtuar dikush, nga bashkia që të fshinte grafikat filogreke, pro Kacifas në majën e Kalasë së Himarës. Po pse për Mihalin sa shpejt u nxorën që të gjitha të zezat, qysh nga menyja e drekës e gjer tek numri i komenteve negative në Booking.com apo Tripadvisor, dhe asnjeri s’kujtohej për ato parullat anti-kombëtare. E pagëzuan menjëherë me nofkën “sulmuesi i çmendur”.  Por ç ’është ky linçim në opinionin publik, pa ditur asgjë, pa parë, sado pak, atë skenë lemerisëse videoje. Gjindja e Internetit po luan ata lojën fëmijërore polici, gjykatësi, fajtori. Dhe fajtor vetëm dhe gjithnjë ishte vetëm Mihali. Po pse jo pala tjetër. 

Në video nga brenda turistet thoshin vetëm, thirreni policinë dhe ndaleni makinën. Po dy shoqëruesit, nuk ndalnin.Kush janë ata. Pse nuk jepet as agjencia dhe as emrat e tyre? Pse? 

 “Pushime për t’u harruar për Eugenio Galdon”. Kështu e nis spanjollja “El Confidencial”, artikullin për drejtuesin e kompanisë së telekomunikacionit ONO në Spanjë. Ai ishte pjesë e grupit të turistëve spanjollë, të cilët u sulmuan nga pronari i restorantit në Porto Palermo disa ditë më parë. Galdon është milioner, pasuria neto e të cilit llogaritet deri në 310 milionë Euro. Ai është 69 vjeç dhe ka lindur në Kartagjenë. Galdon së bashku me tre anëtarë të tjerë të familjes dhe dy persona, pjesë e guidës, u sulmuan nga Mihal Kokëdhima, pronar i një restoranti ku turistët ishin ndalur për të drekuar.”  Pas këtij njoftimi ngjarja bëhet me intriguese Një milioner që nuk ka para për të paguar drekën? Sa do te kishte kushtuar dreka për 6 veta. 300 Euro e ç’ janë ato për një milioner për të mbyllur sherrin para situatës që kaloi?

El Confindecial shkruan më tej se ministri i Turizmit Blendi Kosi u takua me turistët spanjollë dhe u kërkoi falje për incidentin. Interesant kush ia kërkoi?  A mos vallë i priste aty afër një person me shumë rëndësi? Kush ishin shoqëruesit. Një firmë turistike qe ndal për darkë në një lokal fshati duke shoqëruar milionerët. Duhet te ketë pasur një emergjencë më të madhe, sa dy shoqëruesit ishin gati ta shtypnin Kokëdhimën vetëm për një drekë huq?

Interesant, media, pushteti në një linjë dhe në një frymë me opinionin e cekët të mediave sociale. Gjithkush që ka pasur ndonjë konflikt me një kamerier ne lokal e ka nxjerrë inatin në mënyrë anonime aty. Të gjithë në Facebook. Të gjithë për ta linçuar dhe dënuar pa dëgjuar e pa parë Mihal Kokëdhimën! Madje edhe Gjykata nuk e dëgjoi dhe e la në burg pa afat çudi, gjykata e vetingut në një mendje me pushtetin. Lind pyetja, pse shkallmuan sa të hapësh e mbyllësh sytë Mihalin?  Pse askush se dëgjoi zërin e tij, “ Ndaleni makinën,” ndërsa videoja rrëqethëse në kufijtë e alogjikes, shkelma, grushte dhe xhama në duart e atij që mbahej pas kruskotit, sipas fijes së kashtës, tregon një gjë tjetër.  

‘Mihal Kokëdhima është lënë në burg nga Gjykata e Vlorës.  Kokëdhima ka rrëfyer se nuk i ka prekur me dorë turistët spanjollë dhe se ka dashur vetëm të marrë lekët e tij pasi, ata i kanë ikur pa paguar. Por vetëm ai është në burg pse. Është ai agresori, sulmuesi ?

“Ikën pa paguar, vrapova që t’u marr lekët e mia dhe prandaj hipa në kofano. Ata ndezën makinën dhe donin të më shtypnin,”- mësohet të ketë thënë ai ne gjyq, gjë që vërtetohet dhe nga gazeta “El Confidencial” që e tregon më gjerësisht situatën “Ata ishin ndalur për të drekuar, por sipas burimeve shërbimi ishte vonuar dhe familja spanjolle kishte vendosur të shkonte, diku tjetër për të ngrënë. Por kjo provokoi pronarin Mihal Kokëdhima, i cili vrapoi për të kërkuar Galdon. Ai u kërkoi atyre që të mos largoheshin, ose të paguanin për ushqimin i cili po përgatitej. Por familja spanjolle ishte futur në makinë. Ky ishte momenti ku Kokëdhima humbi kontrollin, dhe filloi të thyente xhamin e dritares”, shkruante “El Confidencial”. 

Nuk besoj qe është vetme punë dreke? Nuk e morëm vesh asnjëherë çfarë emri kishte kompania turistike! Madje pamë me këtë rast edhe një gjest hipokrit nga ana e Ministrit Klosi duke i dhënë lule  e duke iu kërkuar ndjesë turistëve kaq shpejt turistëve spanjollë? Pse u nxitua Klosi? Dëmtimi kolateral duhej të shuhej.

Në fakt problemi i vërtetë në këtë histori, nuk është një grindje banale klient-pronar për një faturë dreke. Turizmi shqiptar ka shumë për të bërë, për të arritur standardet e një turizmi perëndimor, qoftë dhe atë në Greqi. Por problemi në këtë rast është diku më thellë! 

Në fund të qershorit, para zgjedhjeve isha në Shqipëri dhe vizitova Rivierën nga Orikumi ne Butrint, nga toka dhe nga deti. 

“Ka vite që nuk shkoj më në jug, më tha paraprakisht një mik i im, pasi aty në zezon ta shesin një vezë për 10 euro.” Tani Ministrit të Turizmit, ndoshta, mund t’i duket arritje që Shqiptarët shkojnë në Greqi dhe lenë aty 360 milionë euro në vit. Por kjo nuk është arritje. Të jemi të ndërgjegjshëm se turizmi alla shqiptarçe, ka akoma shumë rrugë për të bërë. Por ç’t’i bëjmë ne që jemi larg,- mallit. Nuk më harrohet se dëshira për një jahni shqiptare më la dy ditë pa plazh, kuptohet pse. 

Por kjo historia e Mihal-Vandamit mbi kofano, është diçka më shumë, se niveli i shërbimit dhe i turizmit.  Kjo aventurë thjesht nxori në sipërfaqe atë që njerëzit e njohin, por rasti mësuan më shumë ndoshta se sa dukej! Apo duhej ? 

Kohët e fundit z kryeministër na i vuri policinë të hiqte disa shezllone dhe çadra për shkelje të zonave të plazheve publike. Por si shpjegohet që në Jalë p.sh, në krahun e djathtë të plazhit, ka vite që nuk hiqen plehrat në rërë të një godine të shembur para tre vitesh? Asnjeri s’vë dorë, edhe pse ish-kapanoni i ushtrisë është prishur përgjysmë, dhe hekurat varen mbi dritaret. Si shpjegohet aty ka mbetur të varura sikur të ketë rënë bomba e luftës ne Siri? Madje dhe soba e kuzhinës ndodhej mbi gërmadha,. Si shpjegohet që Konvaleshenca e Ushtrisë zaptoi edhe detin me boa dhe brenda në ujë? Si shpjegohet që firma “Fusha” e famëkeqja e Teatrit në kuadër të fushatës se 100 fshatrave dhe 101 hajdutëve, po ndërron vetëm çatitë dhe kanatat e dritareve në Vuno. Dhe asgjë më shumë edhe aty vetëm fasada. Madje, ajo ndërtoi dhe një urë me tre korsi, së fundmi në Jalë dhe vuri një postoblok mu në afërsi të plazhit. Pa spekuluar, banorët thoshin se ka zëra që atë kamp Rama po mendohet ta japë me PPP. 

Dhe s’ka asgjë për t’u habitur, kur ai dhe 3000 vjet histori te Butrintit, do t’ia lerë në dorë PPP.  A ta ketë ditur vallë Enea se në ç’ dorë mund të përfundojë ‘Troja e Re”. Arkeologu italian Ugolini duhet të ngrihet nga varri e të shohë tragjedinë në teatrin që zbuloi. Dhe tempulli i Asklepit, Perëndisë së mjekësisë nuk do ketë mundësi të na shërojë nga marrëzia e liderëve tanë. Mos o zot… 

E nuk mjaftojnë resortet e marrëzisë marine, që kanë pushtuar pjesën më të madhe të plazheve të  shndërruara në kazino dhe bordello, ku hashashi është krejtësisht liberalizuar pa ligj. Santi Quaranta është vetëm maja e ajsbergut. Dhe tani na dilka vetëm ai Mihali i krisur, simboli i informalitetit në bregdet dhe që punoka pa asnjë letër! Me urdhër nga lart besoj edhe lokali u mbyll, edhe çadrat u hoqën, në mënyrë që historia të shuhej sa më shpejt. Nëse doni të shihni fytyrën e vërtetë të maskaradës së këtij pushteti, shikoni se çfarë i kanë bërë qeveritë shqiptare bregdetit të jugut! Historia e Mihalit, vetëm sa ia çori maskën, ajo ishte qelbi që plasi.

“Mihali është njeri i Kokëdhimave dhe ata, siç e dini, kanë ndërtuar edhe mbi rërë dhe askush nuk i ka penguar, Jorgo Goro as që bëhet fjalë. Mihali jeton në këtë atmosferë korrupsioni, ai do të punojë, të mbajë familjen, nuk është kriminel, nuk është tregtar droge, ka gjetur një mundësi për të korruptuar pushtetin dhe ia ka dalë, mbase ndan fitimet me dikë lart që ia ka mundësuar atë punë, sepse ndryshe është e pamundur. Unë p.sh. që nuk e pranoj këtë kompromis, nuk arrij të bëj asgjë në tokën time në Porto Palermo të cilën e kam me certifikatë pronësie. Kam kërkuar leje për ndërtim dhe nuk më ka dhënë njeri, por po të vija qoftë edhe një tullë pa leje, siç bëri njeriu i Kokëdhimajve, me siguri do shkoja në burg” shkruante në një editorial tek Gazeta Panorama, biznesmeni himariot, Nikollaq Neranxi.

Kësaj vere isha vetë në Porto Palermo. Një rrugë e pashtruar shkëmbore, të çon deri tek plazhi i vogël. Dukej sikur nuk ishte venë dorë. Kapanonët e ushtrisë mbanin ende shkrimet e komunizmit. Kodra vinte erë hashash dhe rigon. E pashë lokalin Panorama, po s’ më tërhoqi. Përtej dukeshin tunelet e nëndetëseve. Pamja e gjirit ishte fantastike.

U ngjitëm tok me fëmijët në kalanë e Ali Pashait. Paguan 5 euro tek dera. I kërkova biletashitësit a kishte ndonjë ciceron. Biletashitësi, që siç doli ishte mësues historie, u ndje keq. Në të dalë më tërhoqi veçan dhe më tha, se para sezonit erdhi aty ministrja e Kulturës me një grup televiziv vunë ca tullumbace tek dera e kalasë dhe kaq.  Porto Palermo me historinë e saj shekullore dhe të tuneleve të Luftës së Ftohtë mund të ishte një muze i hapur në natyrë. Një muze edhe për Pashain e madh. Një vend pelegrinazhi për mijëra turistë …

Një shoqëruese po i shpjegonte disa turistëve mbi nëndetëset shqiptare të kohës së Luftës se Ftohtë, kur Shqipëria kishte më shumë nëndetëse se Greqia dhe Jugosllavia. “Sa nëndetëse keni sot? pyeti turistja. Përgjigja ngeli varur… Apo sot jeni në NATO e plotësoi vet ajo, hezitimin e shoqërueses. 

Po le t’i kthehemi Mihalit, jo për qytetin e lashtë të kaonëve “Panormos” portin e fortifikuar të Himarës së lashtë qysh në shekullin e 5 para K, dhe as për kalanë e Pashait të ndërtuar nga venecianët, as për hekurat e nëndetëseve që u shitën nga ushtria shqiptare për skrap, por për fatin e njeriut dhe vlerën e jetës së kujtdo qoftë ai, të çdo shqiptari.

Ndoshta fati i Mihalit pas hekurave do të kënaqë disi revanshin dhe kuriozitetin e popullit të Facebook-ut. Por nuk ka veprim pa shkak. Nga nisi dhe ku shkoi? Nuk ka njeri sado të çmendur që të hidhet vetë para makinës, nëse nuk do të ishte nisur makina. Në atë video, pashë një njeri të dëshpëruar që lutej për jetën e tij, dhe pashë dy shqiptarë, që nuk e ndalnin makinën dhe e qëllonin me shqelma e me copa xhamash nga duart, që ai të binte dhe ata ta shtypnin e ta linin aty në rrugë diku. 

Ku do të shkonte ai njeri, ai nuk po luante atje, kundër-figurën në filmin e fundit të Hollivood-it, apo Van Damin  siç  e pagëzuan mediat, ai po luante me jetën e tij. Sado- sido, ai ishte një jetë njeriu. Respekt për jetën. Sa pak respekt për jetën ka në kohën e Rilindjes. Shihni kronikat e zeza.

“Amani më lini të punoj, unë ia paguaj xhamin dhe gjobën. Ne vetëm dy muaj kemi mundësi të punojmë. A është Mihali i sertë, i tërbuar , i krisur, sulmues gjakftohtë apo fajtor i pafaj, nuk di ta them. Ai i mishëron të gjitha cilësitë e individit të suksesshëm të kapitalizmit të egër shqiptar. Ku njeriu “i hedhur”, mashtruesi, por hajduti merret si model. Kur drogë dealer-i zgjidhet kryebashkiak, apo deputet. Ai është modeli i të suksesshmit, që krijoi sot shoqëria shqiptare.  Nuk e di nëse, dhe sa është fajtor Mihali. Por di të them siç e pashë në video, se ai pati vetëm një celular në dorë.  Nuk pashë thikë. Dhe pashë dy njerëz që donin ta vrisnin. Pse nuk janë marrë të pandehur edhe shoqëruesit, kush i mbron ata ? Me kë kishte takim dhe nxitonte milioneri? Në ndonjë nga resortet e ndonjë Epsteini shqiptar, në jug? Nuk e di, ka shumë sosh.  

Në kohën e propagandës të Ramës mbi aksionet për fatura tatimore, ku askush nuk falet, ku vihen shirita nëpër lokale dhe hotele dhe bllokohen aktivitete edhe për një faturë tatimore, kur Kryeministri në faqen e tij në twitter kujtohet t’i publikojë emrat e këtyre bizneseve, duke i prishur reputacionin, në mes të zezonit  Biznese që bllokohen sot me shirita të verdhë dhe hapen nesër me shirita të kuq. 

Me gjestin e tij, Mihali theu më shumë se xhamin e makinës dhe numrat e klikimeve në Youtube, ai theu xhamin e propagandës false të Ramës dhe ministrave të tij. Faleminderit Mihal. Për këtë t’i je Van Dam.  Tani le të fantazojnë turmat e Facebook-ut ndonjë seri tjetër me Van Damin, pasi kemi nevojë, sidomos, që tani Rama zbuloi e turisten e 1 milion-të.

Filed Under: Opinion Tagged With: kurbani i turistit të një milion-të-Rafael Floqi, Mihal “Van Dami”

Tubëz poetike nga poezia e hershme e Arshi Pipës 1941

August 19, 2019 by dgreca

Përzgjedhur nga Anton Çefa/

            “ . . .Poezia asht krymbi qi bahet flutur, e dheshmja qi bahet qiellore,  errësina qi bahet dritë”-Arshi Pipa/

AGIM/

Andrrat bahen të shkurta,/

Flurojnë të shpejta\n’ajrin e rralluem,/

U ndihet murmurimi./

Te hyjzit vezullimi/

Asht i shqetë,/

E fryjnë era të imta./

Fergullon tash e cikun/

Gjethnaja./

Agim te maja./

Medije 1).

Nji plasë e t’kthielltit

Zanafilla ime.

Çka kerkoj asht te retë,

Ndër zanet qi dalin

Nga shtëllungat e çame.

1). Ndergjegje (sqarim i imi).

Mëshirë

Kam pa nji lot qi u var

Mollzash e piku,

Nji dorë qi e mblodhi

Margaritar.

Kanga e fatit

Kè kambët mbi dhe

E krahët rrokin ernat,

Me gishta qiejve

Cipat gërvishtë,

Don me prekë

Çka nuk ka emën.

E verteta qi ti lakmon asht femen!

Nji rrëfe ndër sy

Qi shigjeton terrin

Mandej nji lot qi ngelë

Pikëpyetje n’ajr.

Teh shpate mes ujit e zjarrit

Për zemren akrobate,

Vorrin ke prak !

Dhae çka pate.

Priresh prore

Kah nji vorrezë ujnore.

Lavirë

Çka jam? M’shikoni mirë!

Dij me tallë dashninë,

Nji mijë mënyrë,

Dij mjeshtërinë e vështirë

Me puthë me buzë të ftohta.

Mkati asht i bukur

Te shtati im pasqyrë,

Afroditë Pandemija,

Hyjneshë e lavirë.

Dëshirë

E falisun me u ba

Tërthuer provash i dlirë

E si nuk ke mëshirë

Për veten tande ashtu nuk ke për tjerë.

Luen me zemrat e hueja me pa

Mos dalë andej jehona

Për kangën e vështirë.

Shet trupin tand per me plle shpirtin,

Mandej shet shpirtin n’panair.

Merr për me dhanë ma tepër,

Lavirë e epër.

Natë e mbrame

Natë e mbrame. I kam thanë

Lamtumirë çdo lteri

Ku ende ka mbetë ikonë

Nji puthje zamaku,

Ende flija e qetë

E nji cirke gjaku

Qi rrodhi i dlirë dikur ndër dejt e mi.

Kam vojtë ndër tbanat

Ku fjalët nuk kanë za,

fëtyrat janë lutje.

Ktu pashë nji herë

Nji vashë me duert

Plot hyj.

Nji tjetër herë kur kisha sytë

T’irun prej gjumit

Erdha te  nji kopësht

Tue ndjekë nji vazhdë.

E si po biresha pashë

Andërr thue se isha

Lule ndër gishta

T’hajthët kuq si gjaku

Qi më grisshin ngadalë.

Natë e mbrame, bremje

Ma e gjallë, e vonueme.

San Minato al Monte

Diçka lëviz me gjeth, nji za

I trishtë.

Del nji fytyrë e brishtë,

dridhet thue se mërdhet.

Ah, lamtumirë e gjatë,

shtegu, qiparisat,

vorret ndërmjet.

Fiesole

Diktohet rruga

E bardhë,

Te nji dritore nalt

Feksi nji llampë.

Era

Qi lkundë çerdhet e heshtuna

Kalon me tinguj 

Kumbonësh.

Filed Under: Opinion Tagged With: Arshi Pipa- Tubez- Anton Çefa

TEORI MBI KRIJIMIN

August 19, 2019 by dgreca

…teori mbi krijimin/
Nga Astrit Lulushi/

Kohë të çuditshme janë këto në të cilat jetojmë, ku njeriu mësohet në shkollën e gënjeshtrës. Dhe ai që guxon të thotë të vërtetën quhet njëherësh i çmendur dhe i marrë. Këtë e ka shkruar Platoni rreth 2500 vite të shkuara, por është e vërtetë edhe sot. Njeriu, psikologjikisht edhe fizikisht, shumë pak ka ndryshuar nga njeriu i kohës së lashtë, dmth, shumë pak ka evoluar, ose, të paktën, mendërisht nuk ka ndryshuar (në mos ka mbetur prapa).
Kjo tregon se fillimisht njeriu ka ardhur në jetë me të njëjtat karakteristila e tipare siç është sot, por nëse është kështu, ai duhet të jetë lindur edhe me kujtime a lidhje gjenetike. Por çfarë kujtimesh ka patur njeriu i pare kur para tij jeta nuk ka ekzistuar? Me kë lidhej ai gjenetikisht?
Në përpjekje për gjetjen e një përgjigje, njeriu krijoi teori të shumta, që nga prejardhja nga majmuni e deri tek dalja e menjëherëshme në dritë. Dhe këto ide kanë qenë gjithmonë në përplasje.
Darwini në fund të jetës së tij pati thënë se seleksionimi natyror ka qenë mënyra kryesore por jo mënyra e vetme e modifikimit, duke u tërhequr paksa nga teza e tij më e herëshme.
Rreth fillimit të shekullit të 20-të, periudhë që është quajtur “eklipsi i darvinizmit”, kur popullariteti i teorisë së tij pësoi rënie, shkencëtarët propozuan mekanizma të ndryshëm alternativë, duke bashkuar gjenetikën mendeliane me seleksionimin natyror të Darvinit.
Sipas konceptit mendelian, trashëgimia e një tipari varet nga kalimi i tij, ku për çdo tipar të caktuar, një individ trashëgon një gjen nga secili prind, në mënyrë që individi të ketë një çift të dy gjeneve.
Sipas konceptit darvinian, organizmat që përshtaten më mirë me mjedisin e tyre kanë tendencë të mbijetojnë dhe të prodhojnë më shumë pasardhës. Kjo u quajt “teoria e veprimit” dhe tani besohet se është procesi kryesor që sjell evoluimin. Shkencëtarët i dhanë teorisë një bazë matematikore dhe arritën në përfundimin se përzgjedhja natyrore ishte mekanizmi bazë i evolucionit.
Në SHBA, të gjitha grupet kryesore fetare janë kundër teorisë së Darvinit, duke thëne se njerëzit dhe gjallesat e tjera kanë ekzistuar gjithmonë në formën e tyre të tanishme. Përkundër përpjekjeve në shumë shtete për të ndaluar mësimin e evolucionit në shkollat ​​publike ose për të mësuar alternativa për evolucionin, gjykatat në dekadat e fundit vazhdimisht kanë refuzuar kurrikulat e shkollave publike që largohen nga teoria e evolucionit. Për shembull, më 1987, në çështjen Edwads vs. Aguillard, Gjykata e lartë vendosi që një ligj i Luizianës që u kërkonte studentëve të shkollave publike të mësonin si evolucionin ashtu edhe shkencën e krijimit ishte anti-kushtetues. Dhe debatet mes njerëzve vazhdojnë, por pa ndërhyrjen a diktatin nga qeveria apo shtetit.

Filed Under: Opinion Tagged With: Astrit Lulushi-teori mai krijimin

“SKANDAL”!!!

August 17, 2019 by dgreca

NGA ALMA LIÇO/

Tashmë,prej shumë vitesh nëpërmjet mjeteve të informimit, dita hapet me  “skandale” dhe mbyllet me të tillë… Skandal në një studio televizive…skandal në një gazetë…skandal në një institucion, në gjykatë, në prokuri, zyrë shërbimesh …etj…etj… Por  vallë, çfarë kuptojmë me një “Skandal”? 

Pa pretenduar të bëj një përkufizim shkencor apo filozofik të fenomenit, mendoj se skandali është një ngjarje e rrallë, e pazakontë, që shkakton tronditje të thellë në rrjedhën normale të jetës së secilit prej nesh. Një ngjarje e tillë pason me trauma të karakterit psiko-social, politik, ekonomik, etj…me rezultate të tmerrshme për të sotmen dhe të nesërmen e pjesës më të madhe e të pambrojtur të popullsisë. Si e tillë, ajo duhet të vijojë gjithashtu me një reagim të fuqishëm  qytetar opozitar për të kundërshtuar e minimizuar pasojat e saj.

Nëse në Shqipërinë tonë të vogël, tashmë ngjarje të tilla janë kthyer në bashkëudhëtare të përditshmërisë sonë , a mund të quhen më “Skandale”??? 

Vallë si duhet  t’i emërtojmë fenomenet që shoqërojnë dhunshëm dhe me arrogancë drejtimin banditesk, që na poshtëron çdo ditë, duke na grabitur, poshtëruar,  e duke na e bërë jetën të pamundur? 

-Po të drejtohem ty,  Kryeministër i 20% me TVSH!!!

Përpiqesh të legjitimosh vjedhjet galopante të pronave të qytetarëve shqiptarë, të fondeve publike që arrijnë në shifra astronomike për xhepin e varfër të shqiptarëve. Dhe këtë e bën pa skrupuj, pasi  së bashku me banditët trafikantë që ke grumbulluar  rreth vetes,  ja ke dalë të përqëndrosh të gjitha pushtetet në duart e tua prej diktatori mizor.

Përpiqesh të legjitimosh votimet pa zgjedhje të 30 Qershorit, duke na imponuar pa konkurim një pushtet vendor të pa votuar, të mbushur me trafikantë e kriminelë.

Përpiqesh të justifikosh krimet e dokumentuara e të dënuara nga një gjykatë e huaj, për përfaqësuesin tënd vendor në qytetin me antikomunist të Shqipërisë, atë të Shkodrës. Me arrogancën kriminale  që të karakterizon, kërkon t’i  imponosh atij qyteti një trafikant të votuar nga vetëm 6%  e qytetarëve të tij.  Ishte shumë i ri -sipas teje,- kur i kreu ato krime, vetëm 20 vjeç. Ti i plotpushtetshmi  “human”,  i  jep të drejtën vetes të amnistosh këtë të ri, ndërkohë që  legjislacioni  penal  i Shqipërisë dhe jo vetëm,  e konsideron  atë në moshë të rritur dhe me përgjegjësi të plotë penale!! 

Vërtet, kaq shumë të dhimbsen ata që ti i konsideron të parritur? Nëse vërtet do kishe minimumin e kësaj ndjeshmërie, do ndjeje keqardhje për ata të mitur të mbetur jetimë, të pangrohur e të uritur, që në pamundësi për të paguar faturat e energjisë elektrike, ati i tyre vrau veten apo përfundoi në burg! 

Në vitet e gjata të sundimit tënd, do përpiqeshe të reflektoje e të kërkoje falje për krimet e regjimit të babait e gjyshit tënd, që dënuan mizorisht qindra mijëra të mitur që në bark të nënës. Foshnja të pafajshme që u lindën e u rritën internimeve, si të dënuar të përjetshëm. Qindra vogëlushë që humbën jetën në kampet e çfarosjes, dhe që ende nuk kanë asnjë varr.

Nëse vërtet do të ishe kaq i ndjeshëm e i përgjegjshëm, do të kërkoje falje për atin tënd gjakatar që firmosi pa asnjë mëshirë varjen e një poeti, për “për krimin” e vetëm se vargjet e tij nuk i thurnin lavde mrekullisë së sistemit çnjerëzor që ata kishin ngritur!! Por jo, ti nuk mund të jesh i tillë. Ti je bir e pasardhës i denjë i atyre diktatorëve që terrorizuan një popull të tërë për afro 50 vite.  

Për të përjetësuar pushtetin tënd të pakontrolluar, dhe herë pas here  në pamundësi për të mbrojtur kriminelët që të rrethojnë,  detyrohesh të lëshosh ndonjërin prej tyre.  Sigurisht,  kjo ndodh nëse ata kthehen në pengesë për vazhdimësinë e rregjimit që ke ngritur dhe rrugëtimin e pandalshëm të abuzimit e të krimit. 

Përpiqesh më kot Kryeministër i 20% me TVSH.  Ti nuk i përfaqëson më shqiptarët. As me numrin tejet të ulët  të votave  të vjedhura e grabitura që u shndërruan në  grushte kuptimplote ndaj pushtetit tënd. Tashmë koha jote ka skaduar. Orteku që po rrokulliset me shpejtësi do të të zerë poshtë, për të të degdisur më pas në një nga faqet më të errëta e të turpshme të historisë së tranzicionit të tejzgjatur e të lodhshëm të postkomunizmit shqiptar. 

Shqipëria, ky vend i mrekullueshëm dhe qytetaret e saj të shumëvuajtur, meritojnë të gëzojnë lirinë dhe të drejtat njerëzore, të njohura e respektuara në mbarë vendet demokratike.

Filed Under: Opinion Tagged With: Alma Liço- Skandal

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 367
  • 368
  • 369
  • 370
  • 371
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT