• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ne, jemi NATO!

October 6, 2018 by dgreca

4 frank-shkreli-1NGA FRANK SHKRELI/

Si rrallë herë, java e parë e Tetorit ishte një javë e ngjeshur me aktivitete të Aleancës së Atlantikut Verior, NATO, si në kryeqendrën e saj ashtu edhe në rajon. Në Bruksel, zhvilluan këtë javë bisedime dyditëshe, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të Aleancës Perëndimore, duke u fokusuar – sipas një njoftimi të NATO-s për medien – në adaptimin dhe fuqizimin e mëtejshëm të masave ndaj veprimeve provokuese, në rritje e sipër, nga ana e Rusisë, si dhe ndaj gjendjes jostabël në krahun jugor të Aleancës. Ndërkaq, gjatë këtyre aktiviteteve të NATO-s, duhet venë në dukje edhe vizita, këtë javë, në Moskë e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe takimi i tij me Presidentin rus, Vladimir Putin, ku përveç Kosovës, u bisedua edhe për zgjerimin e NATO-s në rajonin e Ballkanit. Presidenti i Serbisë, citohet nga “Zëri i Amerikës” t’i ketë premtuar Putinit se, “Serbia, si shtet i pavarur dhe i lirë do të ruajë neutralitetin ushtarak dhe mendoj se sot Serbia është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që i përmbahet kësaj politike”, i ka thënë ai presidentit rus, i cili dihet se nuk i sheh me sy të mirë proceset integruese të vendeve të Ballkanit, posaçërisht zgjerimin e NATO-s, ndërhyrja e së cilës në vitin 1999, u dha fund mizorive të forcave serbe në Kosovë. Me gjithë deklaratën e Presidentit serb në Moskë, NATO ka njoftuar se, këtë fund jave, Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Perëndimore, Jens Stoltenberg do të bëjë një vizitë treditore në Beograd ku do të takohet me udhëheqësit më të lartë të Serbisë dhe njëkohësisht do të marrë pjesë në një ceremoni të përbashkët, të organizuar nga NATO dhe Ministria serbe e Mbrojtjes. Ndërkaq, t’i kthehemi mbledhjes ministeriale në Bruksel, ku njoftohet, se kontributi i dy përqindëshit për buxhetin e NATO-s nga vendet anëtare, ishte gjithashtu një ndër pikat që u diskutua në mbledhjen ministeriale të kësaj jave. Ndërkohë që citohet Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të ketë thënë, se Aleanca po “Shënon përparim” në këtë fushë, duke shtuar se, “ky është viti i katërt me radhë që është shënuar një rritje të shpenzimeve ushtarake” në radhët e vendeve anëtare të Aleancës.

Në bisedimet e Ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel – theksohet në njoftimin për media – shefat e mbrojtjes të vendeve aleate, nënvizuan shqetësimet e tyre mbi sjelljet e Rusisë në rajonin euaroaziatik si dhe mbi sistemin e ri të raketave të Rusisë, të cilin Sekretari Stoltenberg e cilësoi si një masë “destabilizuese” dhe si e tillë, ka thënë ai, paraqet një “rrezik serioz ndaj sigurisë tonë.” Ministrat e Mbrojtjes të NATO-s, në takimin e tyre në Bruksel, mësuan gjithashtu edhe për sulmin kibernetik – që u parandalua nga Holanda me ndihmën e Britanisë së Madhe – të shërbimit të inteligjencës ushtarake ruse kundër Organizatës së NATO-s për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë të Holandës. Sekretari Stoltenberg ka thënë se NATO, në përgjigje të këtyre sulmeve ruse, do të ndërmarrë masat e nevojshme për të përforcuar mbrojtjen kundër sulmeve të tilla kibernetike, ashtu që sipas tij, organizata që ai drejton, “të jetë aq e fuqishme edhe në hapësirën kibernetike, ashtu siç është edhe në tokë, det e ajër.” Në një deklaratë të Sekretarit të Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, thuhet se Aleatët në NATO mbështesin vendimin e qeverive holandeze dhe britanike për të venë në dukje përpjekjet e pa diskutueshme të Rusisë për të minuar ligjet dhe institucionet ndërkombëtare. “Rusia,” ka thënë ai, “duhet t’u japë fund këtyre sjelljeve të pa përgjegjshme dhe të rrezikshme, përfshirë përdorimin e forcës kundër fqinjëve të saj, përpjekjet e saj për të ndërhyrë në proceset zgjedhore të vendeve të ndryshme, si dhe fushatat e gjithanshme për të përhapur dezinfomacion”, është shprehur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Ndërkaq, në një takim të Ministrave të Mbrojtjes me Komisionin e përbashkët NATO-Gjeorgjia, ministrat shprehën shqetësimin e tyre rreth rritjes së pranisë ushtarake të Rusisë në rajonin e Detit të Zi dhe ranë dakord që të bashkëpunojnë në përballimin e sfidave të sigurisë rajonale, thuhet në një njoftim të NATO-s.

Ndërkaq, në mbledhjen e Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të Aleancës së Atlantikut të Veriut në Bruksel, mori pjesë, natyrisht, edhe Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, Olta Xhaçka. Në portalin e Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë thuhet se shefja e këtij dikasteri – në mbyllje të Ministerialit të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s, ka propozuar që një prej Ministerialeve të NATO-s për vitin e ardhshëm të mbahet në Tiranë: “Do kisha kënaqësinë që Ministeriali i NATO-s në 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë të zhvillohet në Tiranë.”, është shprehur Xhaçka. Thuhet se këtë propozim ministrja Xhaçka e ka bërë gjatë darkës zyrtare në prani të Sekretarit amerikan Mattis, Sekretarit të Përgjithshëm, Stoltenberg dhe ministrave të Mbrojtjes të NATO-s. Siç dihet, Ministerialet e ministrave të Mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s mbahen 3 herë në vit. Ndërsa në një aktivitet tjetër, këtë javë, të Aleancës së NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor, që kishte të bënte me një marrëveshje rajonale për krijimin e një Programi të Veçantë Shumëkombësh të Aviacionit, (për Forcat e Operacioneve Speciale të NATO-s) në Zarë, të Kroacisë. Marrëveshja, sipas NATO-s, u nënshkrua të ënjten nga Ministrat e Mbrojtjes të Bullgarisë, Kroacisë, Hungarisë dhe të Sllovenisë. Qendra e re e Aviacionit të NATO-s në Zarë, pritet të hapë dyert në fund të vitit që vjen.

Dhe më në fund, këtë javë, Aleanca e Atlantikut Verior NATO dhe Këshilli i Evropës, nëpërmjet shefave të këtyre dy organizatave perëndimore – Zotërinjve Jens Stoltenberg dhe Donald Tusk – komentuan referendumin e mbajtur në fillim të javës në Maqedoni duke u shprehur se marrëveshja mbi emrin, midis Athinës dhe Shkupit, ka krijuar një rast historik që të dy vendet të bëhen pjesë e komunitetit evropian dhe transatlantik, si anëtare të barabarta. Kjo do të ndryshonte – për më mirë – jetën e popullit të këtij vendi dhe të fëmijëve të tij. “Një shumicë dërmuese e atyre që morën pjesë në referendum mbështetën këtë rrugë. Kjo është tani në dorë të politikanëve të Shkupit për të vendosur se si shkohet përpara. Vendimet që ata marrin në ditët dhe javët e ardhshme do të përcaktojnë fatin e vendit dhe të popullit të vet, për shumë breza të ardhshëm. Ne u bëjmë thirrje (politikanëve të Shkupit) që të përfitojnë nga ky rast historik”, janë shprehur në një deklaratë të përbashkët, shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg dhe Kryetari i Këshillit të Evropës, Donald Tusk.

Të gjitha këto aktivitete këtë javë nga ana e Aleancës së Atlantikut Verior, NATO-s, lënë të kuptohet se Aleanca perëndimore – duke pasur parasysh misionin e saj për mbrojtjen e sigurisë së përbashkët — është e aktivizuar dhe po punon me të gjitha mjetet e saja për t’u përballur me rreziqet dhe me provokimet e Rusisë putiniste, në rajonin euro-aziatik, përfshirë edhe Ballkanin Perëndimor.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, jemi ne NATO, në

LAMTUMIRE MUSTAFE ELEZI!

October 4, 2018 by dgreca

Përcjellja e Mustafë Elezit/
Mustafe Elezi, një ndër vatranët e përkushtuar, një dhurues bujar i Vatrës,ndërroi jetë në moshën 92 vjecare, me 1 tetor 2018. Mustafa u lind më 26 shkurt 1926 në Valbonë të Tropojës. Të Martën një grup vatranësh me kryetarin Dritan Mishto, shkuan dhe ngushulluan Familjen , të afërmit, miqtë në Shtëpinë Mortore “F. Ruggerio & Sons”, që ndodhet në adresën: 732 Yonkers Ave-Yonkers, NY 10704.
3 riku.JPG2 Ngushellim.JPG
Varrimi i të ndjerit u organizua të Mërkurën më 4 tetor 2018. Ish kryetari i Vatrës, një nga miqtë e Mustafë Elezit, në fjalën përcjellëse që mbajti pranë arkivolit me trupin e të ndjerit, evidentoi cilësitë më të mira të këtij shqiptari të mirë, patrioti të vendosur, që punoi deri në fund të jetës për Vatrën dhe Cështjen Kombëtare . Po e përcjellim të plotë elegjinë e dr. Bucajt:

FJALA E DR. GJON BUCAJ NE PERCJELLJEN E MUSTAFE ELEZIT/

1 Gjon Bucaj
1 Varrimi
Nga Dr. Gjon BUÇAJ*/
I nderuem dhe i dashtun Imam,
e nderueme familja Elezi, 
me ndjenjën e dhimbjes së thellë për humbjen e mikut të nderuem e të dashtun, bashkohem me ju me i dhanë Mustafës lamtumirën e fundit dhe me e përcjellë trupin e tij në pushimin e mbramë.
Shpirtnisht Ai asht dhe do të jetë gjithmonë me ju në kujtimet e ditëve të mira e të vështira të jetës. Për ne miqt, do të mbetet gjithmonë i pranishëm në kujtimet tona për kohën e kalueme në miqsi të përzemërt. Komuniteti shqiptar këtu, do ta kujtojë me mirënjohje për kontributin pa interes që i dha me përkrahjen e Xhamisë dhe të shtypit të saj, si institucion fetar e kombëtar; për ruejtjen e identitetit tonë, si bashkëthemelues dhe mësues shkolle në gjuhën shqipe;  si pjestar i Komisionit Ndërfetar, përkrahës e bashkëpuntor i dy shqiptarëve të mëdhaj, Imam Isa Hoxhës dhe Imzot Zef Oroshit, si dhe i Kishës Ortodokse të Nolit. Në mënyrë të veçantë do ta kujtojë “VATRA”, së ciles iu bashkue sapo erdhi në Amerikë.  Nuk u ba pjesë e asnji partie a grupi politik, por vrapoi te “VATRA”, të cilën e njifte dhe e andërronte nga larg qyshë në ditët e hershme të rinisë. Mustafa dikur ka thanë: “Gjithmonë do të punoj e do të mendoj për “Vatrën” se asht shpirti i im” (kjo shprehje asht marrë nga nji shkrim i botuem në Gazeta Atlantik, në pragun e 100 vjetorit të “Vatrës”, 5 prill 2012, me autor Ramiz Lushaj). Asaj nuk i kurseu kohë, mund e ndimë financiare deri sa dha shpirt. “Edhe sivejt, se vitin tjeter ndoshta nuk do të mundem”, na thoshte Zefit e mue, me kuptimin se vitin tjetër mund të mos ishte as vetë. E kam fjalën për Zef Përndocajn; ai e unë kemi pasë privilegjin e nji miqsie të veçantë me të Ndjemin.
Përveç vlerës historike të “VATRËS” dhe kontributit që ajo i ka dhanë kombit shqiptar si dhe dobisë që ajo mund t’i sjellë në të ardhmen, përkushtimi si ky i Mustafës i shtjen borxh shqiptarët, që ta mbajnë “VATRËN” të pastër, me frymë të pandryshueme kombëtare dhe të mbështetun në parimet e demokracisë amerikane, ashtu si e krijuen themeluesat e mëdhaj dhe idealistat si Mustaf Elezi e mbajtën për ma se nji shekull.
Shtegtimi prej kur u lind “në prehnin e Alpevet  Shqiptare” e deri në mbarim të jetës, asht dëshmi e vlerave të mishnueme në karakterin e Tij. Përjetoi luftën, burgun, punën nën kushte jo njerzore, dhimën e pushkatimeve e të vuejtjevet të njerzve të afërt, përjetoi mërgimin në Jugosllavi, ku i rezistoi presjonit për t’u poshtnue e ba spiun, dhe duel i lodhun dhe i damtuem fizikisht, por  moralisht triumfues: bir i denjë i Jahelezve të Dragobisë, i papërkulun në qëndrimin e tij pro interesave t’atdheut, që do të thotë kundër sllavokomunizmit antikombëtar e antinjerzor. Përveç vuetjve dhe tragjedive që i përballoi me guxim e dinjitet, Mustafa përjetoi edhe gëzime e kënaqsi. Iu shmang vdekjes tue lanë Shqipninë; në Kosovë u martue me Mehanen fisnike, të bijnë e Ukë Qerimit, pinjoll i Nezajve të Shipshanit të Gashit, me të cilën krijoi familje të mrekullueshme, që i dha shije jetës së tij. Mbërrijti në Amerikë, në “Tokën e premtueme”, ku iu desht me ndërtue nji jetë të re, në rrethana të reja, me vështirësitë që sjell çdo fillim, vështirësi të cilat i përballoi me krahun e djathtë, ortaken e jetës gjithmonë pranë. Të dy së bashku, me punë e sakrifica, i rritën fëmijt me edukatë familjare, i shkolluen dhe u a panë gëzimin e sukseseve profesionale dhe të jetës familjare, gjithmonë në frymën e traditave të mira të rracës shqiptare. Ramja e komunizmit dhe Lirija e Kosovës ishin dy gëzime që e kishim të vështirë edhe me i andërrue.
Por gëzimi dhe krenaria e jetës së tij, mbetet Familja, me fëmijt dhe fëmijt e fëmijve në rrugën e mbarë të suksesit dhe të ruejtjes së traditave të mira shqiptare. Edhe në përzgjedhjen e emnave,  Mustafa e Mehanja shihet se kanë pasë në mendje ruejtjen e identitetit kombëtar. Ndrikullë, i paç me jetë dhe ia u pashë vetëm gëzimin gjithmonë! Zoti ju dhashtë forcë!
*Fjalimi i dr. Gjon Buçaj, mbajtur në varrimin e Mustafë Elezit

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjon Bucaj, Lamtumire MUstafe Elezi

Vucic Expresses ‘Deep Gratitude’ To Putin As Serbian, Russian Leaders Meet At Kremlin

October 4, 2018 by dgreca

Serbian President Aleksandar Vucic has thanked his Russian counterpart, Vladimir Putin, for protecting Serbia’s national interests, as the two leaders met for the second time in Moscow this year.

1 Vuccic

“I would like to express my deep gratitude to you personally, Mr. President, for your firm position aimed at protecting international law and the crucial national and state interests of Serbia,” Vucic told Putin at the Kremlin on October 2, according to TASS news agency.

The meeting comes amid continued tensions between Serbia and Kosovo, a former Serbian province that declared independence in 2008.

Kosovo’s independence has been recognized by more than 100 countries, but not by Serbia or Russia.

Belgrade and Pristina in 2013 committed to EU-mediated talks to resolve their differences, but little progress has been made.

Speaking at the start of his meeting with Putin, the Serbian president said the situation in the Western Balkans was “very difficult” and that Serbia had been facing “numerous provocations on an everyday basis.”

“Despite our intention to reach compromises and maintain peace and stability, we are very far from making any agreement on the issue of Kosovo,” he also said.

Meanwhile in Geneva, Kosovar President Hashim Thaci said there was a small chance of a border deal with Serbia emerging soon, and he warned that a failure to seize the opportunity to reach a “historic agreement” could lead to another decade of “frozen conflict.”

Putin and Vucic were expected to discuss ways to further develop bilateral relations, as well as tensions in the Balkans, the Kremlin has said.

Vucic has said he intended to ask for support from the Russian president on “the situation in Kosovo.”

Speaking to TASS after two hours of talks with Putin, Vucic expressed satisfaction with the outcome of the meeting.

“We got everything that we looked for. We agreed on everything,” he said, without providing any details.

Vucic was last met Putin in May in Moscow, where he attended celebrations marking the anniversary of Germany’s defeat in World War II.

Long a nationalist, he has remade himself as a pro-European Union reformer while seeking to maintain good relations with traditional ally Russia as well.

Filed Under: Opinion Tagged With: Putin, Russia, Serbia, Vucic

U NDA NGA JETA VATRANI MUSTAFË ELEZI

October 1, 2018 by dgreca

SHERBIMET FUNERALE-E MARTE 2 TETOR 2018, Ora 2.00 PM-9.00 PM/-F. Ruggerio & Sons/
732 Yonkers Ave/
Yonkers NY 10704/

1 mustafe elezi 100 vjet vatres30 (3)

Familja Elezit njoftoi sot, e Hënë 1 tetor 2018, se u nda nga jeta në moshën 92 vjecare Mustafë  Elezi. Mustafa u lind më 26 shkurt 1926 në Valbonë të Tropojës…Ishte luftëtar i lirisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1944-’45); ishte i persekutuar politik i regjimit komunist (1944-1990); ishte një vatran-emblemë, qysh prej vitit 1968,- deri në momentet e fundit kontribuoi për Vatrën,duke qenë një donator bujar dhe i përhershëm, ishte dhe njeri i penës: shkroi poezi e shkrime publicistike,që i botoi tek “Dielli”, “Përpjekja Jonë”, “Illyria” etj. La si trashëgimi krijuse librin  librin triptik “Nuk e harrova Malësinë e Gjakovës” (466 faqe: me shënime, kujtime, krijime);ishte dhe një qendrestar stoik antidiktaturë, punoi si i dënuar në kampet e punës së detyruar (1952-‘56) si në: Aeroportin Civil të Rinasit, aerodromin ushtarak të Kuçovës, hapjen e kanaleve ujitëse në fushën e Maliqit, Peqin-Kavajë, Levan-Fier etj.; provoi dhe qelitë e burgjeve dhe punën skllavëruse (25 korrik 1949-11 janar 1956) në Tiranë, Durrës, Maliq, Rrogozhinë, Shtyllas, Rinas;ishte dhe një besimtar i devotshëm, punoi vullnetarisht më shumë se një dekadë si veprimtar fetar i Qendrës Islame në Brooklin Nju Jork; ishte dhe një familjar i rrallë e prind i i kujdesshëm.

Mustafa u arrestuar pa kryer asnjë krim. U dënua dhe vuajti pa qenë fajtor.Arrinë që të shpëtojë nga ferri i diktaturës më 19 shkurt 1957, kur ishte 31 vjec, arratiset nga Qafa e Morinës.

Pas arratisjes ne Kosove,  u martua më 1962 me Mehanen, vajzën e atdhetarit fisnik Ukë Qerim Neza (Shipshan) e tre fëmijët e parë i pagëzuan me emra simbolik: Mërgim, Bashkim, Shpresë.

Mustafa qëndroi tranzit në Itali për të udhëtuar drejt Amerikës me 24 shkurt 1968. U vendos në Nju Jork.

Mustafa u anëtarësua që në fillim në Federatën Panshqiptare të Amerikës Vatra.Ishte qershor 1968. Prej asaj kohe nuk u nda nga Vatra duke qenë pjesmarrës i rregullt në veprimtaritë që organizonte federata. Ka qenë edhe aktivist i Xhamisë. Ishte ndër mbështetësit e ndërtimit të Xhamisë në Brooklyn-it.Për tetë vjet ka qenë nënkryetar i Këshillit të xhamisë. Ka qenë dhe sekretar i xhamisë. Përpara se të ndërtohej xhamija, Mustafë Elezi ishte pjesë e komisionit ndërfetar të shqiptarëve, në kohën kur Imam Isa Hoxha bashkëpunonte ngushtësisht me Monsinjor  Zef Oroshin dhe Kishën Orthodokse të Bostonit.

Me ikjen e Mustafë Elezi Vatra humbi një vatran të devotshëm dhe cështja kombëtar luftëarin e saj të paepur.

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe  Gazeta e saj DIELLI i shprehin ngushëllimet më të thella zonjës Mehane, djemëve Mërgim e Bashkim, vajzës Shpresë dhe gjithë miqëve dhe Familjes Elezi! Pushoftë në Paqë Mustafa!

SHERBIMET FUNERALE-E MARTE 2 TETOR 2018, Ora 2.00 PM-9.00 PM

ADRESA:
F. Ruggerio & Sons
732 Yonkers Ave
Yonkers NY 10704
914.375.1400

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 1 Tetor 2018, Mustafe Elezi, nderroi jete

NE SHQIPERI MUNGON SHOQENIA CIVILE AKTIVE

September 30, 2018 by dgreca

2 Sami-Repishti

  Shkruan: Sami Repishti*/

Ridgefield.CT.- Me shumë përpjekje, informohem mbi gjendjen dhe zhvillimin e atdheut shqiptar nga lajmet e marruna prej vizitorëvet të shpeshtë shqiptarë, por kryesisht nga shtypi. Kjo nuk mjafton! Për këte mangësi me karakter objektiv, unë kerkoj falje, sepse në mënyrë të paevitueshme krijohet mundësia e gabimit.

Pse shkruej? Shkruej, sepse e due Shqipërinë, dhe vuej!

Vuej nga ajo që ndigjoj, vuej nga ajo që lexoj! Vuej sepse nuk ndigjoj zanin e matun dhe të arsyeshëm të shoqënisë civile që karaktarizon çdo vend të qytetnuem. Shkruej sepse shoh në këte heshtje dekurajimin e përgjithëshëm, dhe mospjesëmarrjen në proceset demokratike, konditë esenciale për demokracinë. Por ndigjoj kudo zanin e zemrimit, pakënaqsisë, dhe  të deshprimit!

E ndigjoj kudo këte za të mbrapshtë: në Kuvend, në shtyp, në transmetimet televizive, në rrugë, në shkollë dhe në fqinjtë që shumë herë nuk flasin njeni me tjetrin, sepse nuk mbajnë kontakt. E ndigjoj nga zyrtarët, nga udhëheqsit politikë të të gjitha partive politike dhe organizatave qeveritare. Toni ashtë i ashpër dhe ultësia e shprehjes, nji rrugaçëri e shkallës së fundit (ndigjoni diskutimet ,qe veç diskutime nuk jane, në Kuvend!) E ndigjoj nga familjet që vuejnë për bukën e gojës, dhe nga katundet që po zbrazen nga të rinjtë që kërkojnë nji rrugëdalje në emigracion. Ndigjoj këte za që thrret në shkretinën shqiptare, pa zemër, pa mend , e vuej!

Nji vizitor amerikan që posa u kthye nga Shqipëria dhe Kosova, shkruente:”Pakënaqsitë janë të përgjithëshme, dhe të theksuara. Duke filluar nga kamerierët, shoferët e taksive, e deri tek pronarët në gjendje të mirë ekonomike, por sidomos të rinjtë dhe të rejat janë me të shgënjyrët dhe shohin emigrimin si të vetmen alternativë….Pakënaqsia në rradhët e shqiptarve ndaj zhvillimeve në vend, kudo në trojet shqiptare nuk përcaktohet nga mbështetja që ata mund të kenë për një parti ose për një tjetër…”.

Pakënaqsia ashtë e përgjithëshme në nji kohë kur  Shqipëria ashtë zhytë në nji konflikt politik, objektivi i të cilit ashtë shkatërrimi i kundërshtarit, jo shpëtimi i atdheut nga vorfënia dërmuese dhe nga frika e bandave….!

Këto ditët e fundit, duket se edhe “shteti” ashtë i frikësuem nga bandat kriminele dhe drogistët me shumicë. Simbas shtypit vendas, ka kaos në Prokurorinë për Krimet e Rënda. Prokurori i çeshtjes merr “leje të gjatë” për “arsye shëndetsore”. Dhjetë prokurorë të tjerë kan evitue marrjen e përgjegjsisë nga frika e bandave, dhe po u nënshtrohen “një hetimi disiplinor”, njofton “Zëri i Amerikës”. Ashtë nji opinion i perhapun se gjykatësit janë disa nga personat ma të korruptuem, prandej mbas vitit 1990, ata u vuen në sherbim të mshehtë ndaj ish Sigurimit të Shtetit në veprimtarinë e tij për të pengue vendin dhe çdo veprim demokratik të udhëheqjes së re të ardhun në fuqi me 1992.

Në opinionin publik ashtë formue bindja se baza e nji kaosi të këtill ashtë frika nga bandat, dhe korrupsioni që pothuejse ashtë zyrtarizue. Trafiku masiv i drogës, krimi i organizuem, shkatërrimi i administratës publike, ngecja në reformën për drejtësi, dhe ate të zgjedhjeve vendore dhe kombëtare, kerkojnë ndërhymjen energjike të autoritevet të rendit publik dhe reagimin e fortë të shoqënisë civile shqiptare KJo ashtë dëshpruese; heshtja që mbahet për arsye të ndryshme rrezikon vdekjen e shoqënisë civile shqiptare, shpresën e funidt të ringjalljes sonë. Kjo formë heshtje masive na kujton thanjen e diktatorit fashist: “Sot, detyra e nji Italjani të mirë  ashte mospasja e nji opinioni”. (Mussolini)

Procesi i vettingut në drejtësi ka verifikue vetëm 57 gjykatës nga nji numër prej 800 syresh, tue meritue kritiken e ardhun nga Gjermania, Franca, e Holanda, vende kyçe të Bashkimit Europian. Para nji gjendje të këtill, në qoftë se zgjedhjet vendore të vitit 2019 do të zhvillohen simbas ligjit të vjetër zgjedhor, në përgjithësi nuk shihet asnji shans real për hapjen e negociatave për anëtarsim në BE në vitet e ardhme.

Sepse sistemi zgjedhor në Shqipëri që nga viti 2005, ashtë formue simbas dëshirave të dy partive kryesore të vendit, Akoma ma keq: ai përfaqson pushtetin e plotë të udhëheqësve partiakë, dhe mohon zgjedhjen e lirë të kandidatëve direkt nga populli, ashtu si premton Kushtetuta. Sistemi i sotëm ashtë illegal në substancë dhe imoral në formen e tij. Ai duhet ndryshue menjiherë!

Pak ditë ma parë, Partia Demokratike në opozitë dhe aleatët e saj politikë përcaktuen kërkesat e tyne:”… për nji dekriminalizim të plotë të strukturave qeveritare nepërmjet të nji procesi të vettingut të të gjithë politikanëve të shoqënuem me krimin, për “çlirimin” e sistemit gjyqsor nga kthetrat e (KM) Rama, për zgjedhje të lira e të nderëshme, dhe për nji ekonomi të çlirueme nga presionet e monopoleve, oligarkëve, dhe korrupsionit qeveritar”, simbas shtypit shqiptar. Për habinë e të gjithëve, KM Rama pranoi me zgjanue rrjetin e vettingut tue përfshi të gjithë politikanët dhe zyrtarët e naltë të Qeverisë, dhe shtoi se ai ishte gati me bashkëpunue me opozitën me qellim që të përmirësohet jeta e qytetarëve në vend. Dhe, gjithçka përfundoi në dosje! Akuzat dhe kunderakuzat vazhdojnë.

Çdo përpjekje që shqiptarët do të bajnë me ndertue nji të ardhme premtuese duhet të filloj me bisedime të ndershme mbi të kaluemen e me pastrimin e atmosferës helmuese që shkatërron gjithçka. Sot Shqipëria përballet me nji fenomen të paparashikuem, por shumë damtues. Ashte aftësia e ish komunistëve me u kthye në pushtet mbas disfatës së vitit 1991, pa u gjykue për krimet e së kaluemes. Të pasunuem me grabitjen e pamëshirë të pasunive shtetnore gjatë ditëvet të fundit të kolapsit komunist, dhe me eksperiencë të fitueme në lamin politik të demokracisë, këta kameleonë pa ndërgjegje janë transformue sot me ndjenjën e nji narcisizmi, të bindun se Shqipëria u takon atyne, dhe vetem atyne, dhe me nji mendjemadhësi (“hubris”) të cilën ata janë kryenaltë me e shpalosë në jetën e tyne të përditëshme dhe me suksesin e femijëve të tyne në pozitat kyçe te Adminsitrates. Shqipëria në vitin 1944,, shkruente nji vrejtues i vemendshëm, zevendsoi nji okupacion të huej me nji tirani vendëse që ngriti urrejtjen në mes të qytetarëve në sistem, dhe pruni degjenerimin e mbrendshëm të vetë politikës dhe pushtetit. Këtu ka burimin degjenerimi i sotëm.

Jo kështu në botën e qytetnueme! Në vitin 1977, me qellim të simbolizimit të kalimit në demokraci, Spanja deklaroi nji amnesti për krimet e kryeme gjatë luftës civile (1935-38). Por jo të gjithë e pranuen këte akt!. Gjykatësi i njohun spanjol. Senor Garzon, e kundërshtoi, me këte argument:“Simbas ligjit ndërkombëtar, nuk mund të shpallet nji amnesti për krimet kundër njerëzimit, sepse zhdukjet e viktimave – me mijëra tani akoma në gropat e pazbulueme – përfaqësojnë vazhdimësinë e krimit të kryem”.

Komunizmi në Shqiperi ka qenë, dhe mbetet, nji krim kunder njerëzimit, nji fakt kokëfortë që duhet të pranojmë!

Shqipëria vazhdon me vuejtë sepse ka akoma diferencat e saj politike, tribalistike, fetare, dhe krahinore, ndoshta edhe ma shumë se vendet tjera për rreth . Akoma edhe ma me randësi, Shqipëria nuk e mësoj kurr sa duhet randësinë e mjanimit të këtyne diferencave dhe me u përqendrue në ndertimin e bazave solide për nji komb zot i vetes, paqësor dhe punëtor, me tregëti, e superstrukturë të mirë, kapital njerëzor të shëndosh, dhe veçanërisht respekt për shtetin ligjor e marrëdhanje miqësore me të gjithë, tue krijue kështu konditat me qene nji vend i lirë nga frika dhe i lirë nga uria.

Shqipëria duhet të mësojë e të siguroje për popullsinë e saj instrumentet që plotësojnë potencialin e kësaj popullsie.

*******

Sot, nuk mund të kthejmë mbrapa vitet e humbuna me praktika e programe zhvillimi të gabueme. Sot, na mundemi me reflektue dhe me përfitue nga gabimet e së kaluemes tue mos i përsëritë. Sot, na mundemi me rindertue vendin tonë me mënyra të reja, praktika dhe programe të reja. Sot kemi mundesi me i tregue, vetes dhe botës mbar, se vlerësojmë si duhet peshën e randë të gabimeve tona dhe meritojmë  mirëbesimin publik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar.

Integriteti moral dhe aftësia e jonë profesionale – me ndërtue nji shtet ku popullsia të jetë në gjendje me jetue e lirë dhe pa frikën e papunësisë dhe vorfënisë që ajo sjellë- janë në balancë.

Seria e gjatë e dështimeve politike të njimbasnjishme duhet ndërpre. Kemi nevojë për nji sukses real, jo fiktiv, jo slogane propagandistike e formula të mbështjelluna në ideologji të falimentueme, ose të pavertetueme. Me thjeshtësin e nji filloristi kemi nevojë për paqë e bukë në nji Shqipëri të lirë! As ma shumë, as ma pak!

Frika e vorfënia kane lodhë të gjithë.  Duhet të lirohemi nga ato, njiherë e përgjithëmonë. Ky duhet të jetë angazhimi i jonë, i të gjithëve, i dy “gjysmave politike” që përbajnë nji të tanë: shoqëninë tonë shqiptare. E ardhmja e jonë ashtë në balancë: të mbijetojmë të gjithë pa asnji dallim, ose të përfundojmë të gjithë me turp në oqeanin e harresës!

Sot, na duhet riformimi i nji koshience kombëtare kolektive me sensitivitet të ngritun për llogari-dhanje – konditë esenciale për demokratizim!- që nga rradhët ma të ulëta të strukturës shtetnore deri në kulmin e Administratës. Na duhet manifestimi i nji kuptimi ma të mirë të mungesës së kësaj llogari-dhanje si nji smundje shoqënore e jona e cila pret përgjigjen tonë sot, e jo nesër!

Na duhen ekspertët që i kanë kushtue djersë e studime njohjes së situatës së krijueme, dhe që kanë vullnetin me e përmiresue me çdo kusht. Mjeku nuk reparon maqinat; as mekaniku nuk sherben në spitale. Na duhen mendje të ndrituna që nuk “ndezen” nga flaka e propagandës partiake, as nuk “ftohen” nga dështimi i përpjekjeve t sinqerta, mendje të qendrueshme nen presion, dhe të afta me veprue pa u dekurajue nga mospërfillja e mosmirënjohja. Na duhen kuadro të pjekuna dhe me pervojë të njimendtë, pavarësisht nga bindjet dhe orientimet e tyne personale idelogjike; teknologjia dhe eksperienca afariste nuk kanë parti. Ata kanë njohunitë e domosdoshme. Nuk ashtë e nevojshme të jeshë socialist ose demokrat kur bahet fjalë për sherbim ndaj Shqipërisë. Mjafton të jeshë njeri i ndershëm dhe shqiptar i kushtuem.

Na duhet planifikimi dhe fillimi i nji procesi të drejtë, neutral, e të sajuem me shumë kujdes; hollësitë e ktij procesi që përjashton “aktin  spontan”, duhet të përgatiten me qellim sherbimi planit të përgjithëshëm të zhvillimit të balancuem të vendit, e jo kapriçeve të “udhëheqësve” që frymëzohen me veprue nga hopet e “stinëve elektorale”, e që përfundojnë në rrenimin e mijëra jetëve te pafajshme qytetarësh të denuem me vuejtje, në vorfeni e papunësi afatgjata.

Në situata të këtilla, interesi i përgjithëshëm kërkon integritet moral nga të gjithë me qellim që, së bashku, të luftojmë korrupsionin e krimin e organizuem që bren shëndetin e shoqënisë sonë. Kryesisht, na duhet të sigurojmë konditat për nji sistem gjyqsor që vepron me legjitimitet, e jo për interesa personale ose partiake që damtojnë shoqëninë tonë shqiptare. Dhe kjo arrihet me kuadro profesionale dhe të ndërgjegjëshme kombëtare.

Miqtë tonë ndërkombëtarë na këshillojnë; na duhet të ndigjojmë. Por puna kryehet, dhe duhet te kryehet nga ne, me mendjen dhe krahët tonë, punë dinjitoze që na mbushë me krenari. Mos të harrojmë se vetëm puna e kryeme me djersë ashtë ndershmëni!

Pa qellim dramatizimi, unë e shikoj Shqipërinë si nji vend në udhëtim të gjatë, sot në nji udhëkryq. Nga larg, unë ndigjoj vetëm britma e jo zane të qetësuem, grindje dhe jo bashkëpunim, nepotizëm ekstrem dhe jo profesionalizëm, akte spontane dhe jo vendime të marruna nga ekspertët, partizani politike e jo sherbim për atdheun, grupime elementësh me interesa personale që afrohen të tërhequn nga përfitimet vetiake, jo grupime teknikësh të grumulluem me sherbye interesat e popullsisë, sidomos të atyne zonave ku mbrapambetja ashtë literalisht  mbytëse….!

Jemi para nji momenti historik vendimtar!

Strategjia e deritashme e zhvillimit ekonomik dhe rindertimit të nji shoqënie shqiptare të çlirueme nga ankthi i diktaturës së kuqe nuk dha frytet e duhuna. Tendenca me fajësue të kaluemen komuniste ka humbë peshën e madhe politike të dekadës së parë, si rrjedhim i konfuzionitpolitik, korrupsionit moral dhe ekonomik, dhe krimit të organizuem. Status quo që jetojmë sot dermon vendin me vorfëni e mungesë shprese. Ajo ashte ba e padurueshme për të gjithë –perveç spekulatorëve dhe drogistëve që gjinden kudo.

Autoriteti moral e ligjor i Administratës duhet të rifitojë respektin dhe bindjen qytetare që në kondita të përshtatshme, e meriton. Sabotimi i vazhdueshem i Kuvendit nga nji parti ose nji tjeter nuk ndihmon dhe ashtë nji papërgjegjsi ndaj votuesve që presin zgjidhje të problemeve jetësore. Nuk fitohet gja nga kaosi i gjithanëshëm, thirrjet për rrëzimin e qeverisë pa votime,(ose me votime te vjedhuna si ma pare!), demonstratat e panevojshme, mos respektimi i ligjit, mospjesëmarrja në votime, mos pagimi i taksave të arsyeshme, dhe nga përvetësimi i pasunisë së paligjëshme.

Akoma sot, tri dekada mbas shkërmosjes së murtajës komuniste në Shqipëri, mijëra qytetarë e katundarë shqiptarë, nuk janë në gjendje me riposedue pasunitë e tyne të grabituna gjate 45 vjetëve të diktaturës, e vërdallen nga nji zyrë në tjetrën nga nëpunës të korruptuem që zbatojnë akoma “porositë e shokut Ramiz” për krijimin e nji atmosfere të përgjithëshme pakënaqsishë në vend- me gjithë ndërhymjet e institucioneve europiane…..në nji vend që shpreson hymjen në Europë!

Autorja anglo-italiane, Iris Origo, në nji libër mbi jetën nen fashizëm gjatë L2B, shkruen: ”A ka mundësi me hjedhë nji popull në luftë kundër traditave të tia historike, kundër instinkteve të tia natyrale, dhe kundër karakterit të shumicës së banorëve të vendit dhe me shumë mundësi edhe kundër interesave të vetë atij populli? Siç duket (nga ekspeprienca) ka mundësi!”

Kjo ashte pyetja e ime sot rreth tragjedisë gjysëm shekullore komuniste në Shqipëri: si ka qenë e mundun? Ashte akoma e mundun?

Dhe përgjigja duhet të jetë: “Na nuk mund të lejojmë nji pakicë zhurmëmadhe me mashtrue përsëri shumicën e katër milionë shqiptarëve !” Kjo ashtë detyrë qytetare për nji shoqëni civile të aktivizueme.

——————————————————————————————–

  • Autori ashtë qytetar amerikan me kombësi shqiptare.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mungon, ne Shqiperi, Sami repishti, Shoqeria civile aktive

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 408
  • 409
  • 410
  • 411
  • 412
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT