• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A është Shqipëria sot një Kolumbi e vogël?

September 24, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nevoja për punë, e ka detyruar shqiptarin të pranojë një sërë sfidash. Së pari emigrimin. Së dyti vënien e personalitetit në dispozicion. Ku pavarsiht të tjerave, mjafton që nga darka të ketë një grusht parash. Së treti, aderimi patriarkal në një parti politike. Si rruga e artë për një plan katër a pesëvjeçar, punësimi. Ndonjë përqindje tenderimi. Dhe përfitimi titujsh si hero i demokracisë, qytetar nderi etj. Së katërti mbushja e mendjes se gjithçka është e mundshme mjafton që të mbjellësh, përpunosh, a të shesësh, çfarë do lloji bime narkotike. Madje kjo e fundit është bërë thuajse obsesion.

1)Nuk do ta besoja asesi, sikur një i njohuri im, të ma dëshmonte me fakte të gjalla. Dikush, prej dikund, i çonte foto me sms. Mund të ishin nga malësia e Kurveleshit. Mund të ishin nga veriu i vendit. Mund të ishin nga Myzeqeja. Mund të ishin nga Dumreja. Nga lugina e Vjosës. Nga Lugina e Osumit. Nga metropoli i shqiptarëve, Tirana etj. Kultivuesit i përkisnin të gjitha moshave. Dukej sikur mbillnin e përpunonin si në kohë, duhanin. Këtë monopol të rremë. A foragjeret për silazh.., kaq të impenjuar ishin.
Por frikshmëria fillonte dhe pluskonte me rrëfimet. Se si i mbanin të lidhur në stane. A kampingje çadrash ushtrie, nën kërcënimin me jetë. Ata…, të pabindurit.
Qe pikërisht fotoja në fjalë, e cila më shpuri tek ato mijra sekuenca nga luftrat prej dekadash midis policisë së shtetit të Kolumbisë, antidrogës amerikane, me kartelin e Pablo Eskobarit. Fermat e bimëve narkotike, ku punëtorë të skllavëruar, punonin në brigada. Nën një mbikqyrje të rreptë, të sejmenëve të bosëve të mariuanës.
Por le t’i marrim me radhë disa përkime kohësh.
2)Kolumbia sot i ka dhënë njerëzimit një gjeni të fjalës. Si, Gabriel Garsia Markez-i. Mirëpo në të gjitha bisedat që zhvillon me qytetarë nga bota. Emri i gjeniut zbehet, për shkak të volumit të kartelit të drogës. Sidomos i kreut të saj Pablo Eskobar. Djalit që u lind në Rio Negro 1949. Dhe që u rrit në Medelinin fqinj. Aty ku krijoi, sundoi. Nga ku preu dhe vrau. Ku edhe u vra.Sapo kishte pushuar së festuari 44 vjetorin. Në dhjetorin e 1993-it. Megjithatë, shtetit kolumbian, ligjëvënsve, njerëzve që dëshironin të ardhmen pa kokainë të Kolumbisë, iu desh vite e vite të mundnin fuqinë e kartelit. Ose shtetin paralel të drogës. Por akoma nuk kanë mundur atë, njollën. Tashmë për të famshmin qytet, si mbretëria mallinje e Kolumbisë tropikale.
Ai ishte shumë bujar, në dhurime. Deri në hedhje parash nga qielli me helikopter. Fakt që e beri edhe deputet. Njihet për tekat e sojit Eskobar. Kur sajonte zjarr për të ngrohur, për vajzën e tij. Ashtu duke djegur thasë me dollarë…
Njihet për dhurime të mëdha sociale. Si ndërtime pallate për të pastrehët. Objekte kulti, shkolla etj. Qëndra sportive si palestra, stadiume etj. Pasi fitimi ditor kalonte milionat neto të dollarëve. Amerika qe një treg i artë. Por, ai njihet që ishte po kaq bujar edhe në vënie tritoli. Eshtë fakt tashmë, kur një vendimi qeveritar më 1985 dhe pallatit të drejtësisë iu vunë 250 kg eksploziv si si për të treguar pushtetin e tij.
Vdiqën 90 veta dhe qindra të tjerë u plagosën.
Këto edhe shumë si këto. Por që Kolumbia i vuan edhe sot, për faktin e thjesht. Nga një kartel droge, nga një perandori si ajo Medelinit. Sot aty ekzistojnë mini perandoritë mallinje që e mbajnë vendin akoma në një luftë kartelesh. Sa analfabetizmi dhe puna e detyruar janë kontigjent real. Brigada kokaine punojnë maleve. Njerëz që nuk njohin asgjë tjetër. Vetëm plantacionet dhe tezgat e kokainës. Punëtorë të skllavëruar. Ku kundërshtimi paguhet me dhunë mizore.
Unë njoh të tillë qytetarë kolumbian, që qëndrimin këtu, në Amerikë.
E përfitojnë nga statuti i të përndjekurve prej karteleve të drogës.
3)Nuk e di se kur do kthjellohet shteti tek ne. Ose politika në tërësi. Pasi lufta me drogën, është një betejë që nuk e mundin dot vendimet e vona. Dhe me inat pozitarësh, apo opozitarësh partiakë. Të atyre selive partie që tashmë janë në kulmin e vetëm denoncimit.
Para pak ditësh, Corriere della Sera, e Italisë fqinje, shkruante se pak, fare pak… Gjysëm kilometri pistë u duhet pilotëve tanë. Dhe kartelet shqiptare nuk e kanë për gjë. Ta ndërtojnë një të tillë për pak orë. Të tjera të përditshme, e paraqesin hartën tonë. Një maket me flamuj prej gjethesh kanabisi. (The Economist, e Londrës…)
Institucionet e investikimit në vendet fqinje, prej kohësh dëshmojnë një shqetësim. Hemorigjinë shqiptare të kanabisit.
Një Shqipëri aktuale, me brigada kultivuesish dhe përpunuesish në male. Një Shqipëri që është kthyer në Medelinin e Ballkanit perëndimor. Një magazinë qëndër grumbullimi dhe shpërndarje. Edhe për Bullgarinë, Rumaninë e vende të tjera.
Nuk e di se kur do pushojë se ekzistuari, ajo mendësi shtetare. Që bëj një sy qorr, e një vesh të shurdhët. Lëri të ushqehen. Në fund të fundit botës matanë po ia shesin. Një lloj taktike tashmë dominante tek ne. Deri në shkelje marrëveshjesh apo embargosh. Dhe që burrat tanë e deklarojnë me qetësi. Në ca foltore peçikllasi, se nuk janë avionë ato që rrëzohen, por mushkonja.
Kjo është periudha më e errët e vendit.
E qorratisjes që shumë shpejt do na kushtojë, aq sa ndonjë ditë të afërme. Armiku i shqiptarëve do jetë kushdo që jeton jashtë Shqipërisë. Atdheut që i pëlqen t’i shkoj në vend vetëm e tija.
4)Dje mbrëma në orët e vona të natës, disa djem shkruanin emrat e deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë…, koshave të plehrave nëpër rrugët e Tiranës. Unë jetojë e punojë në një vend ku riciklimi është parësor. Nisur nga deviza se kujdes me atë që ia merr tokës dhe nuk ia kthen më. Dhe që asaj, tokës, do i duhen me mijra vite për ta krijuar. Mirëpo kur nuk do populli, nuk do. Dhe nuk mund të vendosin dot 63 apo 64 deputetë. Ashtu sikundër disa parti që vendosin si të jenë gdhirë në mëngjes. Herë majtas, e herë djathtas. Kjo sepse Shqipëria eshtë bërë sot, vendi i mendësisë pra që i pëlqen t’i shkojë e tija.
Ata djem, aq më tepër që kishte aty edhe nga Prishtina, duhet të bëhen me shumicë. Koshave të plehrave, që vërtetë e kanë mbytur Shqipërinë. Do bëjnë akoma më mirë t’i ”dekorojnë” me gjethe kanabisi. Madje këtu do bëja sërish një ftesë publike. Me foto, malesh…, çadrash ngujimi. Me brigadat deri familjare, kur punojnë e përpunojnë kanabisin. Si në kohërat e tharjes së duhanit.
Se vonë, nuk është asnjëherë.

Filed Under: Opinion Tagged With: e vogel, Ilir Levonja- Shqiperia, Nje Kolumbi

PROTESTË PËR RIDËNIMIN E FAIK KONICËS NË TIRANË

September 23, 2016 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

Studiuesi i njohur i Faik Konicës, z. Fotaq Andrea, sapo më dërgoi nga Tirana një mesazh për atë c’ka i kanë bërë bustit dhe varrit të Konicës, të shoqëruar me imazhe. E tmerrshme, një përdhosje e vërtetë.Shikojeni bustin original, shikojeni dhe gjendjen sot.Turp!

Gazeta Dielli shpreh indinjatën për atë c’ka ka ndodhë me bustin dhe varrin e Faik Konicës. A nuk ndjehen ndopak përgjegjës Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, Institucionet e mbrojtjes së monumenteve, shoqatat e ambentalistëve, drejtoria e Parkut Kombëtar ?

Vatra proteston për indiferencën e shtetit shqiptar, qe për mbi një vit janë qorruar e shurdhuar për të mbrojtur figurën e lartë të Konicës. Ky është një ridënim pas asaj që ndodhi gjatë regjimit komunist, që  e dënoi , dhe “pushkatoi” veprën dhe emrin e tij. Vatra ishte kontributore në riatdhesimin pas vdekjes të Konicës, duke riatdhesuar eshtrat.

Është e turpshme që Konica po ridënohet nga rrugacët, jo vetëm nga disa palo studiues, që po e përdhosin figurën e Konicës, Rilindësit të shquar, në emër  gjoja të lirisë së mendimit e të shtypit(turp për ato gazeta të Tiranës që hapin faqet e tyre për pseudostudiuesit antiKonicë) , por edhe nga rrugacet që duan ta paraqesin figurën e Konicës si “bandit”. Turp!

E pafalshme edhe për ambientalistët,që protestuan aty afër për betonizim e prerje pemësh, por “nuk vunë re ” mbi gati dy vjet monumentin e përdhosur e të përlyer të Konicës, kur në fakt disa individë me qëndrime politike ekstremistë kërkojnë edhe një herë në demokraci ,se si e si të godasin emrin dhe veprën e Konicës.

Qeveria para pak ditësh, me anë të ministrit ët Jashtëm Ditmir Bushati, e shfrytëzoi politikisht(për Samitin e Diasporës) marrjen në dorëzim të Shtampës së Faik Konicës, ndërsa mbyll sytë për cafrë po i ndodh Faik Konicës në Tiranë!

Filed Under: Opinion Tagged With: dalip greca, Fotaq Andrea, perdhosja e Faik Konices

Diaspora -LETËR E HAPUR PRESIDENTIT TË SHQIPËRISË, Z. BUJAR NISHANI

September 23, 2016 by dgreca

PSE NUK DO TË MARR PJESË NË TAKIMIN E PRESIDENTIT NISHANI ME BASHKATDHETARËT NË NJU JORK?/

NGA XHELADIN ZENELI/

I nderuari President Nishani,

Së pari dëshiroj t’ju falenderoj për ftesën tuaj në takimin që Ju do të mbani në Nju Jork, këtë të Premte me 23 Shtator me pjesëtarët e komunitetit shqiptar .Në një rrethanë tjetër, do të ishte një nder dhe kënaqësi e veçantë për mu që të marr pjesë në këtë takim, por më vjen keq që kësaj rradhe nuk do t’i përgjigjem kësaj ftese për arsyen që do t’a potencoj më poshtë.

Me 12 Korrik të këtij viti, zyra e Presidentit të Shqipërisë, pra zyra e Juaj i ndau kryeministrit të Malit të Zi, z. Millo Gjukanoviq, ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, e cila iu dorozua nga kryetari i kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta me rastin e vizitës së tij në Podgoricë,dekoratën më të lartë që i jepet një qytetari të huaj nga zyra e presidentit të Shqipërisë . Mendoj se vendimi për dekorimin e kryeministrit Gjukanoviq nga zyra e Juaj ishte e nxituar dhe si e tillë tepër e gabuar, për shkak se shteti shqiptar dekoroj kryeministrin i cili mban përgjegjësinë kryesore e mos realizimit e të drejtave të plota të shqiptarëve në Mal të Zi, gjatë 25 viteve të fundit, dhe si e tillë është fyese për aspiratat e shqiptarëve autokton në këtë shtet dhe së dyti, shteti shqiptar dekoroj politikanin më të korruptuar në rajon.

Z. President,
Supozoj se një gjest i tillë ishte i nxitur nga motivi i përforëcimit të marrëdhenieve fqinjësore në mes Shqipërisë dhe Malit të Zi. Por unë mendoj se pikë së pari, këto marrëdhënie duhen të bazohen në politikë parimore të shtetit tonë amë,ku prioriteti kryesor duhet të jetë interesi kombëtar i mbrojtjes së të drejtave të asaj pjese të popullit e cila jeton jashtë kufijvë administrativ të tij, pra të shqiptarëve në Mal të Zi. Këtë e parashikon edhe Kushtetuta e Shqipërisë ( neni 8 i saj) i cili thotë: ” Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj”.
Të drejtat e tyre nuk mbrohen duke akorduar dekorime por duke hapur dialog me mirëkuptim të ndërsjelltë për çështje të hapura. Çështja e të drejtave kombëtare të shqiptarëve në Mal të Zi është gjithënjë çështje e hapur dhe e pazgjidhur. Niveli i realizimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, do të duhej të ishte barometri kryesor i nivelit të marrëdhënieve me Malin e Zi nga ana e shtetit të cilët ne preferojmë t’a quajmë ” amë”, pra nga Shqipëria.

I nderuari President ,
Gjithashtu, akordimi i dekoratës në fjalë, dashur apo pa dashur nënkupton ate që Shqipëria aprovon metodat asimiluese dhe ç’kombëtarizuese që regjimi i Gjukanoviqit dhe i partisë së tij ( PDS) aplikon ndaj shqiptarëve me dekada me radhë. Për statusin e pa barabartë të shqiptarëve në Mal të Zi dëshmojnë edhe statistikat zyrtare të cilat konstatojnë shkeljen e të drejtave të tyre kolektive kombëtare në shumë sfera të jetës si në ekonomi,punësim, përfaqësimin proporcional në organet e administratës shtetërore, arsimim, qeverisjen lokale në vendbanimet shqiptare, çështjet pronësore, planet hapësinore,infrastrukturë etj.

Z. President,
Nuk e di se a jeni në dijeni se pak kohë para dekorimit të kryeministrit malazez me ” Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, së paku në dy rastet e fundit në Ulqin dhe Budvë) u gjobitën shqiptarët për mënyrën festive të përdorimit të flamurit shqiptar. Ironia më e madhe është ajo se derisa në njërën anë kryeministrit malazez i dorëzohet dekorata me simbolin tonë kombëtar, në anën tjetër qeveria e tij, për të njëjtin simbol,dënon qytetarët shqiptarë!. Gjithashtu, nuk e di se a jeni në dijeni që në Mal të Zi egziston një ligj ( Ligji për Rendin dhe Qetësinë) i cili është aprovuar nga kuvendi dhe zbatohet nga qeveria e Millo Gjukanoviqit, flamurin shqiptar, i cili njëherit është edhe flamuri i shqiptarëve në Mal të Zi, e konsideron si flamur i “një shteti tjetër” apo i një “shteti të huaj”, dhe si i tillë kufizon dukshëm përdorimin e tij në shtetin me të cilin Tirana zyrtare shpeshëherë thekson se ka ” marrëdhënie të shkëlqyera miqësore”.

Z. President,
Dekorimi i kryeministrit malazez ishte poashtu mohim i punës dhe veprimtarisë së organizatave shqiptare në diasporë me prejardhje nga trojet e tyre etnike nën Mal të Zi të cilat angazhohen me vite me radhë për lobizmin dhe sensibilizimin e çështjes së të drejtave të shqiptarëve në at shtet. Ju rikujtojmë se me 8 Prill të vitit 2014 organizatat shqiptare me prejardhje nga trojet e veta etnike nën Mal të Zi që veprojnë në SHBA në bashkëpunim dhe me përkrahjen e disa organizatave të tjera të kumunitetit shqiptar dhe me mbështetjen e fuqishme të anëtarit të Asamblesë së Nju Jork-ut ,z. Mark Gjonaj, organizuan protestë paqësore para Shtëpisë së Bardhë në Uashington, në të njëjtën ditë kur kryeministri Gjukanoviq vizitoj kryeqyetin amerikan,protestë kjo e cila u cilësu nga disa mediume shqiptare si ” protesta më e madhe e dekadës në Uashington”. Kjo protestë kishte për qëllim ndërgjegjësimin e çështjes shqiptare në Mal të Zi , përkrahjen e aspiratave për realizimin e të drejtave të plota të tyre dhe kundërshtimin e politikës diskriminuese të pushtetit malazez me në krye z. Gjukanoviq.

Përveç aspektit të mohimit të drejtave të shqiptarëve, me dekorimin e z. Gjukanoviq u bë edhe një gabim në aspektin moral.
Në fillim të këtij viti, Millo Gjukanoviq muar titullin “kriminel i vitit” nga organizata e njohur Projekti Raportues i Krimit të Organizuar dhe Korrupcionit ( OCCRP) e cila merret me hetimin e korrupcionit të politikanëve dhe qeveritarëve të vendeve të ndryshme dhe si i tillë do të duhej të ishte personi i fundit që të konsiderohet për t’u dekoruar !

I nderuari z. President Nishani,

Me shpresë se do t’a kuptoni drejtë shqetësimin tim,shqetësim ky të cili mendoj se e ndaj edhe me shumë bashkëvendas dhe bashkatdhetarë të mij, si dhe me shpresë që Tirana zyrtare ( pra, shteti ynë amë) në të ardhmen do të demonstrojë më shumë ndieshmëri dhe ndërgjegje për vëllezërit dhe motrat tyre të një kombi,gjaku, gjuhe e flamuri, të cilët patin fatin e hidhur të jetojnë jashtë kufijëve administrativ të saj,
Ju përshëndes dhe uroj vizitë sa më të këndshme në Nju Jork !

Me nderime,

XHELADIN ZENELI

(Xheladin Zeneli eshte Ish-Deputet në Parlamentin e Malit të Zi)

Filed Under: Opinion Tagged With: bujar nishani, Leter Presidentit, xheladin Zeneli

DËSHMORËT E GREHOTIT

September 22, 2016 by dgreca

NGA URAN BUTKA/

Data e 14 shtatorit 1943, është një ditë e shënuar në historinë e Luftës Antifashiste të popullit tonë, kur ranë në luftën për çlirim nga pushtuesit italianë 37 luftëtarë nacionalistë të Ballit Kombëtar me në krye komandantin Hysni Lepenica. Kjo ditë e vlerësuar si Dita e Dëshmorëve nacionalistë, dëshmon për pjesëmarrjen, kontributin dhe flijimin e forcave nacionaliste në luftën kundër pushtuesve nazifashistë, një luftë e mohuar dhe e tjetërsuar nga regjimi komunist dhe historiografia komuniste, por që është vlerësuar me  shpalljen Dëshmorë të Atdheut të 37 komandantëve dhe luftëtarëve ballistë të rënë për atdhe, me rastin e 50 vjetorit të vrasjes së tyre në Grehot.

Grehoti është vatra ku ndeshet lufta për liri me intrigën e pushtuesve fashistë, shqiptarizmi me pabesinë komuniste, e vërteta me falsifikimin gjysmëshekullor.

Lufta dhe sakrifica e martirëve të Grehotit lidhet në radhë të parë me emrin e Hysni lepenicës, këtij burri të madh të Shqipërisë.

I ushqyer me patriotizëm në familjen Lepenica dhe në trevën e Lumit të Vlorës, i frymëzuar nga idetë e Rilindasve dhe në mënyrë të veçantë nga mëmëdhetarizmi i arbëreshëve të Shën Mitër koronës, ku ai kreu shkollën për mësues, djaloshi Lepenica eci në udhën e tyre, sidomos të xhaxhait atdhetar Ahmet Lepenica, por, në kohë të tjera, shkeli edhe në rrugë të reja. Ndonëse u pushua nga puna si mësues prej autoriteteve pushtuese italiane, ai nuk e ndali hovin patriotik. Mori pjesë në Luftën për çlirimin e Vlorës të vitit 1920, mandej, pas krijimit dhe njohjes së shtetit shqiptar, shërbeu si oficer i gjindarmarisë shqiptare në Vlorë e Gjirokastër. Demokrat i spikatur, bashkëpunoi me Avni Rustemin në shoqërinë “Bashkimi”. Vrasja e Avni Rustemit e vendosi Lepenicën në mesin e forcave kryengritëse të qershorit 1924. Ai mbështeti qeverinë demokratike të Nolit dhe, pas ”Triumfit të Legalitetit” të dhjetorit 1924, ai emigroi nga Shqipëria. I amnistuar, u kthye në vitin 1927 dhe së bashku me Hasan Dostin, Skënder Muçon, Bilal Golemin etj veproi në organizatën e fshehtë kundërmonarkiste “Lëvizja e Vlorës” e cila u dekonspirua dhe veprimtarët e saj republikanë u arrestuan dhe u dënuan me vdekje: Hysni Lepenica, Muharrem Hamzaraj, Qazim Kokoshi, Skënder Muço,Beqir Sulo, Murat Tërbaçi, Tare Libohova. Protestat bënë që vendimi me vdekje t’u kthehej në burgim të përjetshëm.

H.Lepenica mbeti në burg deri në vitin 1938. I priti me armë në dorë pushtuesit italianë në Vlorë më 7 prill 1939 dhe organizoi qëndresën dhe demonstratat antiitaliane në qarkun e Vlorës. Në Himarë organizoi vrasjen e togerit Italian Moreti dhe u hodh në ilegalitet.

Abaz Ermenji shkruante: “Unë, Safet Butka dhe Hysni Lepenica krijuan në vitin 1942 çetat e para të Ballit Kombëtar kundër pushtimit Italian”

H.Lepenica formoi çetën nacionaliste Shqiponja” në qarkune Vlorës, një nga çetat e para antifashiste në Shqipëri. Komisari i saj politik ishte avokat Skëndër Muço, bashkëpuntori më i ngushtë i Lepenicës dhe anëtar i KQ të Ballit Kombëtar.

Kulmi i veprimtarive luftarake të Hysni Lepenicës është beteja e Gjormit, 30 dhjetor 1942-2 janar 1943 kundër italianëve, ku morën pjesë1600 luftëtarë nga Mesapliku, Sevasteri, Dukati, Gjormi etj, si edhe çeta partizane “Plakë” e Vlorës me komandant Neki Ymeraj, që përballuan sulmin e ushtrisë italiane prej mëse 2000 ushtarësh të komanduar nga koloneli Franko Klementi, në kuadrin e një operacioni spastrimi, në të cilin merrnin pjesë përkrah pushtuesve italianë edhe forcat mercenare kolaboracioniste të Halil Alisë dhe Selim Kaloshit, me urdhër të kryeministrit Mustafa Kruja nr.107/5 dat 17.12 1942.

Në këtë betejë, që vazhdoi pesë ditë, u vra edhe komandanti italian Klementi me rreth 180 ushtarë italianë, ndërsa ranë në fushën e luftës 6 luftëtarë dhe 4 të plagosur nga të dy grupimet kryesore të rezistencës antifashiste shqiptare.

Kjo betejë e përbashkët, e komanduar nga Hysni Lepenica, u tjetërsua nga politika dhe historiografia komuniste. Në dhjetë faqet që ajo zë në botimin “Historia e Luftës NÇ” e vitit 1975, nuk përmendet farë emri i Hysni Lepenicës, si edhe i forcave luftarake të Ballit Kombëtar. Aty thuhet shprehimisht: “Një qëndresë të tillë u përpoqën ta sabotonin H.Lepenica  dhe S.Muço me shokë, ndërsa veprimet luftarake i drejtonin drejtpërdrejt shokët Hysni Kapo dhe Mehmet Shehu”.

Ky falsifikim u rrëzua nga dokumentët që u gjendën në Arkivin e Shtetit dhe që u botuan prej meje në vitin 1993.

H.Lepenica dhe S.Muco, jo vetëm në këtë betejë të përbashkët kundër italianëve, por edhe përgjatë vitit 1943 u përpoqën të bashkëpunonin me forcat partizane, ata negociuan me drejtuesit e lëvizjes NÇ dhe bënë edhe marrëveshje për luftë të përbashkët kundër pushtuesve si në Shkozë, Dushkarak, Mesaplik, Gjorm etj, ndonëse drejtuesit komuniste se E.Hoxha, H Kapo, M.Shehu i sabotuan dhe i shkelën këto marrëveshje.

  1. Lepenica dhe Skënder Muço morën pjesë si delegatë të Ballit Kombëtar në Kuvendin e Mukjes, 2-4 gusht 1943 dhe nënshkruan marrëveshjen me delegatët e Nacionalçlirimtares për një luftë të përbashkët antifashiste nën drejtimin e Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë si edhe për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike. Fjala e H. Lepenicës ne këtë kuvend kombëtar është lapidare: “ Ne delegatët e ballit Kombëtar kemi ardhur vetëm për të gjetur rrugët dhe për të arritur një bashkëpunim me frontin N. Ç në luftë kundër okupatorëve. Po pyes: ç’na ndan në? A mos vallë, përveç qëllimit të përbashkët na pengojnë emrat që mbajmë? A nuk kuptohet që front N. Ç, i përkthyer në shqip do të thotë Ball Kombëtar? Atëherë kur është kështu, ç’na mbetet për të rënë dakord që të bashkohemi në këtë luftë?”

Në  Mukje, H. Lepenica u emërua komandat i përgjithshëm i fuqive të Ballit Kombëtar për Jugun. Më 9 shtator H. Lepenica dhe S. Muço, në krye të çetës “Shqiponja” hynë në Gjirokastër, liruan të gjithë të burgosurit dhe iu drejtuan me një letër shtabit N. Ç. në Cepunë, duke i ftuar drejtusit  e tij, që edhe ata të vinin në Gjirokastër dhe ta qeverisnin bashkërisht qytetin:

\

“ Ju njoftojmë se Gjirokastra është në duart e shqiptarëve. Qysh pardje kemi kërkuar  të viheshim në kontakt  me ju për të bashkëpunuar dhe kordinuar veprimet. Ju ftojmë që sa më parë të delegoni përfaqësuesit tuaj për këtë qëllim. Çasti është kritik, nuk lypset t’i shmangemi detyrës që na imponojnë rrethanat e luftës kundër okupatorit të ri, intereasat e larta  të kombit dhe ato të demokravcisë shqiptare. Në qoftë se nuk i përgjigjeni kësaj thirrjeje të sinqertë nga ana jonë, me hovin që imponohet nga rasti, na duket se merrni një përgjegjsi të rëndë përpara popullit.

Me prurësin presim një përgjigje të shpejtë.

Komandanti i Përgjithshëm i Fuqive të B.K të Jugut

Hysni Lepenica

Anëtari i Këshillit të Qendrës së BK

Av. Skënder Muço “

 

Kjo letër dëshmon për tolerancën dhe dialogun dhe bashkëpunimin që kërkonte të arrinte H.Lepenicca me përfaqësuesit e Frontit Nacionalçlirimtar në luftën për çlirim, Por udhëheqësit komunistë me në krye Bedri Spahiun iu përgjigjen negativisht thirrjes për bashkëpunim, ndërsa Enver Hoxha, në Qarkoren që i drejtonte Komitetit Krahinor te Partise Komuniste të Gjirokastrës jep urdhrin që të mos e ndajnë pushtetin me nacionalistët, por t’u vënë pushkët atyre. Kështu filloi edhe lufta civile në Gjirokastër, Vlorë dhe në gjithë Shqipërinë, luftë e brendshme vëllavrasëse, e urdhëruar nga Partia Komuniste dhe E.Hoxha dhe e nxitur nga emisarët jugosllavë.

Fundi i veprimtarisë atdhetare dhe luftarake të Hysni Lepenicës është lufta e Grehotit. Çetat e Ballit Kombëtar të komanduara nga Hysni Lepenica u goditën papritur nga ushtarët italianë në Grehot më 14 shtator 1943, tek kishin shkuar për të marrë në dorëzim armët dhe për t’i përcjellë italianët e kapitulluar të Divizionit “Peruxhia” në Gjirokastër deri në bregdet, sipas marrëveshjes, që kishin arritur më parë. Atje ranë në pritë dhe u vranë duke luftuar 36 luftëtarë ballistë me gjithë komandantin e tyre Hysni Lepenica. Nxitje për këtë masakër u bënë edhe krerët e LNÇ Bedri Spahiu, Shefqet Peçi etj, që ndodheshin në zyrën e gjeneralit italian të divizionit “Peruxhia” në kazermat e Grehotit.Komanda italiane hapi zjarr pa asnjë paralajmërim në drejtim të Hysni Lepenicës dhe forcave të tij, sipas skenarit të krerëve komunistë.

Në Grehotin e pambrojtur, kryekomandanti H.Lepenica dhe luftëtarët e tij luftuan trimërisht dhe ranë dëshmorë për Shqipërinë , ndër ta: Sefer Imeraj, Hasan Xhaferri, Nano Gjoni,i biri i tij, Hasan Gjoni, Mehmet Koka, Izet Ruka, Shazivar Karabina, Abaz Dauti, Neki Mahmutaj,Sherif Buhuci, Bilal Bilaj, Ali Sheme, Agim Cane, Agim Selfo, Hamza Tola, Ibrahim Graca  e të tjerë.

Filed Under: Opinion Tagged With: deshmoret, E GREHOTIT, Uran Butka

ZOTI PRESIDENT NUK KENI TE DREJTE TE PARAGJYKONI PROTESTEN E STUDENTEVE

September 20, 2016 by dgreca

Nga Luz Tomaj, SHBA/*Studentët e UP-s,  protestuan me kërkesë që, prona e universitetit të lirohet nga objekti i ndërtuar në kohen e okupimit, i cili pretendon me qenë kishë sllavoorthodokse.Pa as nji as dy, Presidenti i vendit protesten e quajti të papranueshme, madje edhe të turpshme. Të kuptohemi, protestimi është forma e fundit e individit, grupit ose mases, për realizimin e një të drejte ose pengimin te donjë të padrejtësie. Ndonëse jo çdo herë, protestat dalin në shesh, si pasojë e neglizhencës, lëshimeve ose mosfunksionimit të plotë të pushtetit.

Së pari, rasti në fjalë, duhet shikuar në lidhje me rrethanat para dhe pas formimit të shtetit të Kosoves. Në kohen kur është përzgjedhë lokacioni dhe lloji i objektit për ndërtim, në Kosovë nuk kanë egzistuar ligji dhe institucionet legale. Ka dominu regjimi i kasapit të Ballkanit, zëdhënës i të cilit ka qenë ministri i Jashtëm aktual i  Serbis. Universiteti i Prishtines ka qenë therrë në sy të Serbisë. E mbaj në memorie se, kur është themeluar ky universitet, forcat reaksionare serbe edhe publikisht, duke aludu në aksionet për mbledhjen e armëve në Kosovë, të dirigjuara nga Rankovici, thonin se tani ia keni dhënë armët Kosoves. Prandaj, përzgjedhja e lokacionit dhe lloji i objektit nuk kanë qenë koinçidencë. Marrja e lokacionit ka qenë plumb në shpirtin e kultures kosovare ndërsa lloji i objektit, vazhdimesi e tradites serbomadhe me kriju gjurma në trevat e okupuara.

Së dyti, rasti duhet shikuar edhe në konstelacion me të metat, në legjislacion, pas formimit të shtetit. Zatën, e ka dhënë zoti dhe historia e argumenton se me formimin e shtetit, pas aprovimit të aktit konstituiv (Kushtetutes) të nxjerret edhe ligji i veçante me tëcilin rregullohet ajo far anarkije e krijuar nga pushtuesi. Edhepse përpiqem me qenë i  informuar, nuk jam i sigurt se një ligj i tillë është nxjerr.

Sidoqoftë, në aspektin juridik, nuk ka fuqi e cila mundet me e legalizu uzurpimin e prones së universitetit  dhe ndërtimin e kishes në atë lokaciion.

Po bëhem subjektiv, po i  tejkaloj kufijtë  sepse po mendoj se mosha dhe vendi ku linda po më japin të drejtën me i sugjeru z. president se ke punë me atë, të cilit ia nep doren por ai nuk ngihet pa t’a marrë krahun dhe trupin. E kuptoj se duhet me bë politikë por edhe politika kërkon ndërgjegje.

***

Një grup i studentëve i Universitetit të Prishtinës, kanë protestuar të hënën me 19 Shtator përpara objektit të Kishës Ortodokse Serbe brenda kampusit të Universitetit të Prishtinës, në kundërshtim të, sic thonë, funksionalizimit të këtij objekti fetar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Luz Toma, Presidenti Thaçi, Protesta e studenteve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 538
  • 539
  • 540
  • 541
  • 542
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Sot dita e lindjes së atij që i dha Shqipërisë Pavarësinë numër 2: Thomas Woodrow Wilson
  • DR. STEPHAN RONART (1933)  : “JA SI PJETËR BUDI DO TA RISHKRUANTE LETRËN E TIJ DËRGUAR 4 SHEKUJ MË PARË DUKËS SË SAVOJËS PËR TURIZMIN AKTUAL NË SHQIPËRI…”
  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT