• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kisha ortodokse shqiptare e drejtojnë myslimanët tradicional?

April 19, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Dy ngjarje historike pa KOASH në jetën e saj këto ditë. Themelimin e dy mitropolive të reja dhe fronëzimin e dy peshkopëve të konvertuar nga islami në to, si pasojë e punës bindëse dhe misionit të Anastas Janullatosit, që me këtë veprim i tregoi botës publikisht, se jo vetëm që me ardhjen e tij i rikrishtërizojë shqiptarët e dalë prej fesë, por disa prej tyre i ngjiti dhe në frone peshkopale, madje ndonjë prej tyre, shumë shpejt, mund të ngjitet edhe në atë kryepeshkopal.

Po këtu nuk ka ndonjë çudi të madhe, pasi ekzistencën e peshkopëve të konvertuar e dëgjon në përshpërimat e shumë besimtarëve, të cilët, për hir të së vërtetës, nuk është se janë shumë të kënaqur me këtë taktikë të kryepeshkop Anastasit, pasi do të donin që të kishin peshkopë shqiptarë të traditës ortodokse, por djem të tillë, duket se kryepeshkopi nuk mundi t’i bindë ta ndiqnin këtë rrugë. Personalisht mendoj se ka arsye konkrete pas kësaj strategjie, që do ta shpalosim në të ardhmen. Megjithatë, këta gjeti, këta bëri, urojmë që të jenë të vlefshëm për komunitetin ortodoks në Shqipëri dhe të kthejnë edhe këta sa më shumë njerëz në kishë, edhe pse duhet ta fillojnë predikimin së pari me familjet e tyre. Personalisht ndjej një gëzim të madh, se me peshkopët e rinj ndaj të njëjtën “origjinë fetare”, sipas përcaktimit që më bëri para disa kohësh në gjetje gjeniale, zyra e shtypit të KOASH.

Por ajo që më bëri më shumë përshtypje, ishte fakti se në ditën e inaugurimit të tij, peshkopi i ri i Elbasanit, sulmoi ashpër priftin patriot at Nikoll Markun, bash ditën që për herë të parë hipi në fronin dioqezan, në prezencë të Janullatosit dhe të sinodit. Dukej se fjalimi i tij kishte vetëm dy boshte, falenderime për kryepeshkop Anastasin dhe mallkime për at Nikollën Markun, duke e akuzuar këtë të fundit për uzurpim të kishës. Kujtojmë këtu se më shumë se 20 vjet, at Marku kritikon hapur Janullatosin për antishqiptarizëm, teza të njohura dhe të vërtetuara tashmë. Gjithashtu është e udhës të përmendim se Nikolla Markun nuk na e dërguan sllavo-maqedonasit, por ai ishte student dhe kontigjentin për prift që studionte në shkollat e Janullatosit, por shokët e tij arritën me makinacione të ndryshme ta mënjanonin, duke e detyruar këtë të fundit të gjente një rrugë alternative për t’u bërë prift, pasi kjo ishte gjëja që donte më shumë. Një rrugë të ngjashme ka ndjekur edhe Fan Noli i cili nuk u vesh prift nga shkolla greke, por ajo ruse. Në këtë shkrim, nuk kam aspak qëllim të marr në mbrojtje at Markun, por të analizoj disa rregulla apo kanone kishtare që janë shkelur nga peshkopi i ri, pasi ky i fundit, që të akuzonte at Markun, duhet të ishte i rregullt dhe i saktë për veten e tij, ndryshe duhet të heshte.

Së pari, është shkelur rregulli dhe tradita kishtare që asnjë i porsakonvertuar apo neofit, nuk mund të ngrihet në grada peshkopale, jo më një i konvertuar nga islami. Sigurisht Janullatosi e di shumë mirë se cili kanon apostolik ia ndalon këtë, di madje edhe përmbajtjen e tij, jo se jam ekspert i fushës, por se m’i thonë ata që janë brenda kishës, që nuk e durojnë dot këtë situatë “antikanonike” siç ma cilësojnë, por që nuk kanë guxim të flasin, pasi mbajnë familjet me bukë. Ndaj dhe rrugën e vetme që kanë, është të më bëjnë mua “katekizmën”, me shpresë se mos konvertohem edhe unë ndonjë ditë si peshkopët e rinj.

Së dyti, peshkopi i Elbasanit, at Andon Merdani ka një paralajmërim me shkrim nga sinodi i KOASH-it për “tradhti të lartë” ndaj Anastas Janullatosit, dhe ndoshta i detyruar nga ky i fundit, që ia ka dosjen në dorë, u përpoq t’i tregonte botërisht besnikëri. Por “scripta manent”, e kaluara nuk harrohet, një dokument konfidencial dhe pikërisht kabllograma me kod 06TIRANA662 e 21 qershorit 2006, (lexo gazetën SHQIP, 6 shtator 2011), dëshmon se peshkoi i Elbasanit, u jepte informacion konfidencial njerëzve jashtë kishës duke dëshmuar se për varrezat e ushtarëve grekë, Janullatosi i merrte urdhrat nga Athina, e cila kishte gjithë fondet dhe koordinimit e operacionit. Kjo gjë shkaktoi asokohe furtunë në KOASH. Edhe pse hirësia u detyrua të bënte një përgënjeshtrim, ne sërish besojmë fjalët e DASh se këto janë dokumente sekrete dhe nxjerrja e tyre përbënte krim, pikërisht se përmbanin të vërtetën. Ndaj pyesim hirësinë: Kush është burrë më i ndershëm, at Marku që i doli kundra Janullatosit hapur dhe botërisht apo ti, që botërisht e lanë dhe e lyen me falenderime dhe nën rrogoz i bën gropën duke “rrjedhur” jashtë kishës të dhëna që e kanë vënë kryepeshkopin në pozitë të vështirë? Madje guxojmë të themi, se edhe ngjitja në fronin e Elbasanit, largimi yt nga Tirana “me ngritje”, duhet të ketë shpërblimin e merituar të kësaj bëme.

Dihet që unë e kam mik të vjetër at Markun, dhe nëpërmjet tij njoh dhe klerikë të tjerë të Elbasanit, të cilët më thonë se i ka zënë halli i madh për peshkopin e ri, pasi ka shfaqur shenja arrogance në komunikimin me ta që kur ishte përgjegjës për zonën e tyre, e disa prej tyre, janë bërë gati për ta përballuar me guxim realitetin e ri. Disa thonë se nuk është çudi që nga ardhja e peshkopit të ri që u zotua se do i kthente kishën e kalasë Janullatosi, të dalin dhe të krijohen probleme më të mëdha. Nuk është çështja e kishës së kalasë dhe at Markut, pasi do vijë një ditë, që ajo sërish do meshohet prej priftërinjve të rinj ortodoksë, se Nikolla Marku nuk do ua lërë trashëgim fëmijëve, se nuk e ka të babait. Puna është që neofiti ynë peshkop, me sjelljen dhe arrogancën e tij, mund të shtyjë klerikë të tjerë t’i bashkohen at Markut dhe rrymës së tij të rezistencës patriotike dhe kështu Janullatosi, nëpërmjet tij, në vend që të vërë vetullat, do nxjerrë sytë.

Ajo që ngelet për t’u parë tani është se si do e menaxhojë peshkopi i ri dioqezën e vetë, që nuk është më shumë sesa dy qytete dhe ca fshatra. Sigurisht, fillimi nuk ishte i mbarë, pasi një histori shpirtërore nuk mund të niste kurësesi me sulme dhe akuza. Nëse bariu i ri do të ishte i zgjuar, edhe mund ta kishte bindur at Markun, me butësi e durim, t’i rikthehej vathës nga e cila doli, por me veprimin e tij të pamatur dhe konfliktuale, ai nuk bëri asgjë tjetër veçse e agravoi më tepër problemin, duke treguar kështu se apostujt e motshëm, çoç dinin dhe nuk i kanë bërë kot kanonet e tilla, që ndalojnë pikërisht njerëz të tillë, që të marrin të tilla detyra delikate.

Koha, sigurisht do e tregojë, nëse kishte të drejtë Janullatosi, që doli mbi kishën, që shkeli një qerre me kanone për ta bërë peshkop të konvertuarin tonë, apo tradita kishtare, që prej shekujsh ruan një frymë konservatore, të paktën për sa i përket atyre që zgjedh si drejtues të lartë të saj. Sigurisht, herë tjetër, nëse kërkoni saktësi kanonike nga të tjerët, kujtoni që të paktën, standardin e respektimit dhe rruajtjes së rregullave, që pretendoni se mbartni prej shekujsh, ta tregoni vetë të parët. Ndryshe bëheni qesharakë dhe të pabesueshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kisha ortodokse shqiptare e drejtojnë, myslimanët tradicional?

LETER RAMES DHE BERISHES: MOS GUXONI TA PREKNI VALBONËN TONË!

April 18, 2016 by dgreca

Nga Dr. Islam LAUKA*/

Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Edi Rama,/

Ish – Kryeministrit të Shqipërisë, zotit Sali Berisha,/

  1. Rama,

Ka dy muaj që Tropoja po zien për shkak të njoftimeve se në Luginën e Valbonës do të fillojë ndërtimi i 11 hidrocentraleve, të cilët, do të shfrytëzojnë ujin e Valbonës, si dhe të përrenjve e të përroskave, që derdhen në të, duke dëmtuar rëndë aortën, venat dhe kapilarët e kësaj lugine të mrekullueshme.

Shqetësimi për rrezikun që paraqet kjo masakër mjedisore ka çuar në organizimin e protestave në Bajram Curr, Tiranë dhe në New York (dhe nga emigrantët tanë atje), si dhe në dërgimin, në adresën tuaj, të disa letrave nga ata që preken drejtpërsëdrejti nga kjo masakër–banorët e saj dhe shoqëritë turistike vendore dhe të huaja.

Megjithatë, deri tani, nuk ka patur asnjë reagim zyrtar, nga ana juaj, nga Ministria e Mjedisit, apo nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë dhe as nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, e cila e ka në tagrin e saj ruajtjen dhe kthimin në identitet të këtyre zonave.Në të vërtetë, ky vendim nuk i prek vetëm banoret e Luginës së Valbonës apo shoqatat turistike. Ai më prek edhe mua, si tropojan, por edhe fëmijët e mi që janë rritur me dashurinë për Valbonën, e cila çdo vit, na pret e na përcjell, siç di vetëm ajo. Ai vendim, në të vërtetë ju prek edhe ju  z. Kryeministër dhe çdo shqiptar, sepse Lugina e Valbonës është pjesë e së mires sonë të përbashkët, siç është ajri dhe dielli.

Pas shpalljes së saj si “Park Kombëtar”, në vitin 1996, u mendua se shteti do të ndërhynte me politika zhvillimore dhe vendime që do të ishin në përshtatje me natyrën e Alpeve dhe interesat e njerëzve që banojnë aty,  si për shembull investime për projekte infrastrukturore e turistike; miratimi, nga KKRRT dhe zbatimi rigoroz i një plani urbanistik për fshatin Valbonë; disiplinimi i gjuetisë dhe mbrojtja e shtimi i pyjeve, pra politika që do të mundësonin mbrojtjen dhe zhvillimin e luginës. Kanë kaluar 20 vjet, por politika dhe vendime të kësaj natyre nuk u panë. Përkundrazi, sot ne po ballafaqohemi me një vendim, i cili, duket se është krejtësisht i gabuar dhe i dëmshëm.

Së pari, ai nuk respekton legjislacionin vendor dhe atë ndërkombëtar për ruajtjen e specieve të rrezikuara të faunës dhe florës së egër, nuk mbron biodiversitetin dhe ekosistemin, pra natyrën; nuk merr në konsideratë, përkundrazi, nëpërkëmb vlerat historike, kulturore e shpirtërore të njerëzve që jetojnë aty.

Së dyti, nuk merr në konsideratë, përkundrazi e injoron të drejtën e sanksionuar nga ligjet e brendshme, nga konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare të grupeve të interesit dhe të popullsisë vendore për të marrë pjesë në vendimmarrjen mjedisore.

Së treti, nuk merr në konsideratë potencialet turistike të zonës, por as interesin, mundësitë dhe përvojat e deritanishme të banorëve të saj për zhvillimin e turizmit.

Së fundi, qeveritë e përgjegjshme në vendet e civilizuara, kur bëhet fjalë për vendimmarrje mjedisore, respektojnë një parim që njihet si parimi i barazisë midis brezave. Brezi ynë nuk e ka të drejtën e tjetërsimit të Luginës së Valbonës, për të cilën, të parët tanë, për ta mbrotjur nga fqinjët lakmitarë, e kanë larë atë me gjak. Ashtu siç nuk kemi të drejtë që brezave të ardhshem t’ua lëmë Valbonën të pranguar me 11 palë pranga.

  1. Berisha,

Sipas njoftimeve të shtypit, rezulton se për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve në Luginën e Valbonës ekziston një VKM, me numër 680, datë 16.08.2013, i firmosur nga ju. Si ish-Kryeministër, por edhe si intelektual dhe si tropojan që e njeh mire dhe e dashuron Valbonën, mendoj se është në nderin dhe dinjitetin tuaj që, ta pranoni se keni gabuar, duke e miratuar atë vendim. Gjithashtu, mendoj se pikërisht ju duhet të merrni guximin e t’i kërkoni kësaj qeverie të shfuqizojë vendimin tuaj. Nuk është turp të pranosh gabimin e të kërkosh korrigjimin e tij. Turp është  të mbyllësh sytë para kësaj masakre mjedisore, për të cilën jeni përgjegjës edhe ju.

  1. Rama,

Për të dalë nga kjo situatë e rëndë, mendoj se ka dy rrugë: të shfuqizohet VKM-ja nr. 680 për ndërtimin e hidrocentraleve në Luginën e Valbonës, që do të ishte rruga më e drejtë dhe më e shkurtër. Ose, para se të fillojë zbatimi i tij, të merret medoemos parasysh vullneti i popullit,  i shprehur nëpërmjet një referendum lokal në Komunën e Tropojës. Besoj që ideja e referendumit nuk është e huaj për ju, aq më tepër që, kohët e fundit, e keni shfrytëzuar atë edhe për një “kauzë” personale. Ndërkohë që Valbona përbën një kauzë kombëtare.

Si politikan që nuk ju mungon përvoja, shpresoj se e dini që problemet e mjedisit, nëse nuk menaxhohen mirë, çojnë në konflikte shoqërore, shpesh, me pasoja të paparashikuara. Kjo është arsyeja që e drejta e brendshme dhe ajo ndërkombëtare i kushtojnë rëndësi të veçantë marrëveshjes e mirëkuptimit me komunitetet e interesuara. Historikisht, ishin vojvodët serbë e malazezë që, në kundërshtim me vullnetin e popullit, donin ta bënin të tyren Luginën e Valbonës. Shumë prej tyre i lanë këtu rrashtat e tyre, pa ia arritur qëllimit.

Nëse shteti ynë ka vendosur të sillet si cub me shtetasit e vet, atëherë ne na lind e drejta që ta mbrojmë Valbonën tonë nga cubat dhe vojvodët shqipfolës.

Besoj se ju z. Kryeministër e dini që Lugina e Valbonës nuk është Parku Artificial i Tiranës, i krijuar nga dora e njeriut, midis rrafshit. Ajo është dhuratë e Zotit apo natyrës, midis Bjeshkëve të Bekuara. Ajo fillon me “të shtrenjtit” (ngushticën) e Valbonës në Shoshan dhe vazhdon me “të shtrenjtit” e saj deri në Qafën e Valbonës. Kush guxon e futet në të pa marrëveshje me të zotët e saj, ngushtë do ta ketë e shtrenjtë do ta paguajë. Mos guxoni ta prekni Valbonën tonë se prekni të zezën tuaj.

______

Dr. Islam Lauka, i lindur në Tropojë; diplomat i njohur kariere, studiues, pedagog; ish ambasador i Shqipërisë në Kosovë; i shpallur “Qytetar Nderi” i komunës së Bytyçit (2010) dhe i bashkisë së qytetit Bajramcurri (2015), president i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, autor i disa veprave shkencore, etj.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dr. Islam Lauka, LETER RAMES DHE BERISHES: MOS GUXONI TA PREKNI, VALBONËN TONË!

Klasa politike, helmi i shoqërisë shqiptare

April 17, 2016 by dgreca

Nga Aurenc Bebja, Francë/* 

Në Lindje apo Perëndim, përveç konflikteve gjeopolitike, feja në raste të shumta është faktor ndarës i shoqërive duke vështirësuar kështu bashkëjetesën mes tyre. Shqipëria, ky komb i vjetër evropian, deri tani mbetet shembulli më i mirë i bashkëjetesës fetare, por fatkeqësisht ka një problem tepër të madh me politikën, më saktësisht me klasën e saj politike, e cila çdo ditë përçan qytetarët e saj dhe u shuan shpresat për një jetë më të mirë.

Me gjithë ndërhyrjen e diplomatëve evropianë dhe amerikanë, Shqipëria bie në sy për politikën e saj të çrregullt e të çorientuar, që i ngjan më shumë një kopjeje sesa një modeli politik perëndimor. Politikanët shqiptarë, vullnetarisht ose jo, dallojnë se duan t’i vënë barriera progresit, zhvillimit dhe stabilitetit të vendit, me qëllim që të qëndrojnë sa më gjatë të jetë e mundur në karriget (kolltuqet) e tyre politike dhe kështu të kënaqin egot personale.

Është interesante të analizosh sjelljen e kandidatëve para dhe pas zgjedhjeve politike. Gjatë fazës ‘parazgjedhore’, ata/ato sillen si « engjuj » të vërtetë, të cilët i duan të mirën popullit, por në fazën ‘paszgjedhore’, demonët e tyre të vjetër rishfaqen dhe kështu ata/ato heqin maskat dhe bëhen « djaj ». Harrojnë premtimet e tyre elektorale, shpërfillin qytetarët dhe i distancojnë nga jeta politike. Fatkeqësisht, konsultimi apo debati publik në lidhje me projekte madhore apo çështje që prekin interesat e shoqërisë civile nuk janë të demokratizuar.

« Divide ut imperes » është një « formulë » e aplikuar në mënyrë perfekte në Shqipëri. Politika është e përhapur në të gjithë shoqërinë, si në shtresën e varfër dhe atë të pasur, si në klasën punëtore dhe atë intelektuale, si në mjedisin privat dhe atë publik. Klasa politike postkomuniste, si ajo komuniste dikur, ka arritur të infiltrohet në familjet shqiptare, qofshin ato në qytetet e mëdha apo në fshatrat më të izoluar të vendit. Qëllimi i saj është sigurimi i votës, por edhe krijimi i një lloj vartësie politike, e cila u mundëson të manipulojë më lehtë qytetarët.

Në disa raste, politikanët shqiptarë shkojnë më tej në mendimet e tyre politike. Gjatë muajit mars 2016, anëtarët e një partie në pushtet deklaruan së vinin partinë mbi Shqipërinë. Këto dalje publike tregojnë qartësisht dëmin që krijon politika në një shoqëri ende në tranzicion. A mund të ketë Shqipëria një të ardhme të sigurtë, kur klasa politike udhëheqëse mban apo toleron të tilla fjalime (qëndrime) ? A mund të kemi besim në udhëheqësa të tillë dhe a duhet që shqiptarët të vazhdojnë t’i mbështesin ?

Përsa i përket udhëheqësve të lartë politikë të vendit, shtypi i shkruar dhe televiziv evokuon shpesh akuza korrupsioni, krimi apo abuzimi me pushtetin, por si zakonisht, asnjeri nuk dënohet. Duket sikur sistemi policor (prokuror) dhe gjyqësor janë të « paralizuar », domethënë të paaftë të reagojnë ndaj politikanëve.

Cfarë të themi për seancat e të enjtes në Parlament (Kuvend), vend i cili është transformuar prej kohësh në teatrin e komedianëve « të talentuar », në cirkun e kllounëve, ku pjesmarrësit « shquhen » vetëm për skenat e turpshme të komunikimit. Aty, deputetët, të cilët kanë në dorë fatin e popullit, prodhojnë debate sterile, domethënë flasin por nuk dëgjojnë, shahen dhe akuzohen me njëri me tjetrin për çështje nga më të rëndat, pa propozuar apo gjetur rrugëzgjidhje për programin (premtimet) që janë votuar.

Si rrjedhojë, populli shqiptar, edhe pse e ka votuar apo rivotuar ndër vite këtë klasë politike, mbetet si gjithmonë viktima kryesore e saj. Shqiptarët nuk e kanë gjetur akoma antidotin i cili do t’i shpëtojë nga helmi apo virusi i kësaj lloj « specie » politikanësh. Duke shpresuar që vendi i shqiponjave të gjejë në një ditë sa më të afërt një lider të ri apo lidere të re politike, përse jo si kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, i cili do të dojë dhe do të dijë të motivojë, të krijojë besim në popull, dhe të ketë vullnetin e plotë për t’a nxjerrë atë nga situata në të cilën ndodhet.

France– 17 Prill 2016

Burimi : http://www.darsiani.com/opinion/(E dergoi per DIELLIN autori)

Filed Under: Opinion Tagged With: Aurenc Bebja, France, helmi i shoqërisë shqiptare, klasa politike

Prof.dr. Eshref Ymeri, Letër Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit

April 16, 2016 by dgreca

Dr. Bujar Leskaj/

I dashur Zoti Kryetar,/

Në faqen e internetit “Shqiptari.eu”, të datës 12 prill 2016, lexova një informacion befasues, me titull:

“Kontrolli i Lartë i Shtetit denoncon vjedhjen e 1 miliard eurove nga Edi Rama dhe qeveritarët e tij”.

Ju flas me zemër të hapur, si shqiptar i përmalluar: u trondita tej mase. Kjo është një shumë tmerrësisht kolosale. E gjora Shqipëri! Megjithëse grabitet në një mënyrë kaq të pamëshirshme, s’e kuptoj dot se ku i gjen forcat që vazhdon të mbijetojë?

Ju dhe mbarë kolektivi i nderuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit, meritoni respektin dhe nderimin më të madh të mbarë popullit shqiptar për këto të vërteta tragjike që ia keni përcjellë Kuvendit të Shqipërisë me një shkresë të posaçme.

Nderim dhe respekt të veçantë për Ju dhe për Kolektivin Tuaj.

Prof.dr. Eshref Ymeri

Sinsinati, Ohajo

15 prill 2016

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Bujar Leskaj, leter, Prof. dr. eshref Ymeri

Të zbardhet “gojëdhëna” se Agim Ramadanin e kanë vrarë shqiptarët!

April 16, 2016 by dgreca

Nga Elida Buçpapaj/

Mbushen 17 vjet nga dita kur është vrarë Agim Ramadani, në lulen e moshës, kur nuk i kishte mbushur ende 36 vjeç. Ai ishte njëri nga strategët e Luftës Çlirimtare të Kosovës për liri e pavarësi.

Agim Ramadani, artisti, poeti, ushtaraku, intelektuali dhe njeriu që i mungon sot Kosovës më tepër se kurrë, sepse ishte njeri i dijes dhe profesionist i formuar.

E kemi njohur Agimin në Zvicër, e kishim mik, bisedonim me të për letërsinë, poezinë, pikturën dhe për çështjen kombëtare. Vitin e mbrapshtë 1997 Agimi e përjetoi me shumë dhimbje, sepse tek shteti Amë ai mbështeste shpresën për të ardhmen e Kosovës.

Gjatë viteve 1996-1997, në takimet me diasporën, kishte një segment që e paragjykonte Agim Ramadanin, për faktin e vetëm, se ai kishte kryer Akademinë Ushtarake në Zagreb, pra se ishte një njeri i kompletuar.

Kur takoheshim me Agimin, një njeri i edukuar, paqësor, i kultivuar, poet, artist, shumë elitar e kishe të vështirë të besoje se do të kishe përpara një epror të ardhshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paçka se shqetësim i jetës së tij ishte thyerja e kufirit ndërshqiptar dhe çlirimi i Kosovës, çka ai e shprehte si në bisedat me ne ashtu edhe përmes artit, në poezitë dhe pikturat e tij.

Jemi takuar për së fundit herë me Agim Ramadanin në Lozanë, posa kishte nisur vera e vitit 1997 në ekspozitën e tij, ku mbizotëronte e kuqja dhe e zeza, simbolet tona kombëtare.

Përpara se të vritej, kur erdhi në Zvicër në janarin e  vitit 1999, për një seri takimesh sensibilizuese me diasporën, na kërkoi në redaksi, por ne atë ditë nuk ndodheshim aty dhe na ka mbetur peng që nuk mundëm të takoheshim dot, sepse me Agim Ramadanin ishim gjithmonë në sintoni.

Vrasja e Agim Ramadanit, sikur e gjithë Eprorëve të UÇK-së, është tragjedi kombëtare e dyfishtë, për faktin se në Botën Shqiptare qarkullon gjithmonë varianti se Agim Ramadanin e kanë vrarë shqiptarët, ashtu sikur edhe Sali Çekajn, sikur do të vrisnin edhe Komandant Drinin e Komandantë të tjerë.

Nëpër tubimet e diasporës në Zvicër kjo “gojëdhanë” ndihet. E turpëshme është për ata që e dëgjojnë dhe qendrojnë indiferentë sikur t’i kenë veshët e dyllosur apo sikur të mos e kenë fare shqisën e dëgjimit. Gojëdhana ndëgjohet dhe ndërkohë mbetet temë tabu.

Midis viteve 1999-2000 kam botuar dy intervista me Shukrie Ramadanin, bashkëshorten e Agim Ramadanit. Ajo nuk është shprehur rreth kësaj teme, as unë nuk e kam pyetur, veç ka treguar pengun e saj se për faj të largësisë nuk kishte mundur të shihte trupin e Agimit përpara se të varrosej.

Kur ia kam marrë intervistën e parë, mesa kujtoj, lufta nuk kishte mbaruar ende, ndofta gaboj, por intervistat janë të botuara, kështu është lehtë të shihen datat, Shukria kishte sjellë në redaksi fletore të Agimit, të shkruara me një kaligrafi dhe me një shqipe të përsosur, impresionuese për çdokënd. Ra fjala për Tahir Zemën. Shukria më tha se në front thuhej se Tahir Zemaj kishte braktisur luftën, unë i thashë se Kolonel Zemaj ishte larguar nga fronti sepse ishte i këcënuar me jetë. Këtë pohim e mbështesja pasi vetë Tahir Zemaj kishte ardhur në redaksi dhe na e kishte treguar këtë fakt. Dhe vrasja e trefishtë disa vite më vonë, në Kosovën e çliruar, e vërtetoi atë çka na tregoi Tahir Zemaj me gojën e tij atëherë.

Megjithëse Agim Ramadani është një nga figurat e nderuara dhe respektuara, pas vdekjes, nga shteti i ri Kosovës, ai është Hero i Kosovës që ka dhënë jetën për lirinë dhe bashkimin e kufirit ndërshqiptar, gjithësesi për sa kohë do të ekzistojë i pazbardhur varianti i gojëdhënës se Agim Ramadani është vrarë nga shqiptarë që kanë përfaqësuar krahun jo institucional, pra jo atë që përfaqësonte Ministri i Mbrojtjes Ahmet Krasniqi, edhe ky i vrarë barbarisht në mes të Tiranës, kjo do të mbetet njollë e zezë e institucioneve të Kosovës dhe faqe e zezë e shtetarëve të saj.(voal.ch)

Filed Under: Opinion Tagged With: Elida Buçpapaj, se Agim Ramadanin e kanë vrarë shqiptarët!, Të zbardhet “gojëdhëna”

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • 576
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT