• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

B.E. Dështimi i bisedimeve për reformën në drejtësi “një rast i humbur

June 7, 2016 by dgreca

Bashkimi Evropian e quajti një “rast të humbur” dështimin e bisedimeve të politikanëve shqiptarë për të arritur një marrëveshje për reformën në drejtësi, që do të dëmtojë hapat e ardhshëm të Shqipërisë drejt integrimit në B.E.

Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes së politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, duke folur sot (të martën) me gazetarët në Bruksel, tha se “takimi i djeshëm ishte një rast i humbur. Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar: kjo reformë duhet të miratohet”.

Zëdhënësja Kocijancic tha se projekt-ligji “është në përputhje me standartet ndërkombëtare” dhe ajo u bëri thirrje politikanëve shqiptarë të rifillojnë bisedimet.

Demokratët e opozitës hezitojnë të japin miratimin e tyre. Votat e demokratëve janë të nevojshme për të siguruar miratimin e ndryshimeve kushtetuese në parlament.

 Opozita: Varianti ynë ai i ndërkombëtarëve

Mblidhet grupi parlamentar demokrat pas dështimit të takimit Rama-Basha. Paralajmërim deputetëve: Rrjedhja e votave pro Reformës do çojë në djegien e mandateve

Një ditë pas dështimit të takimit me kryeministrin Edi Rama për Reformën në Drejtësi opozita këmbëngul se ajo ka mbrijtur një variant të propozuar nga ndërkombëtarët

“Opozita votoi variantin që ia kanë kërkuar ndërkombëtarët, që e kanë sugjeruar ata, që ia kanë premtuar ndërkombëtarët. Të gjitha të tjerat janë trillime, mashtrime të paskrupullta të cilitdo që t’i bëjë. Se duhet të them që është mjerane kur një përfaqësues ndërkombëtar i raporton qeverisë së tij të kundërtën e asaj që ka thënë vetë”, deklaroi në përfundim të mbledhjes ish kryeministri Sali Berisha.

Edhe brenda takimit të zhvilluar me dyer të mbyllura, mësohet se nuk kanë munguar kritikat ndaj disa përfaqësuesve ndërkombëtarë, ndërsa kryetari demokrat Lulzim Basha citohet të ketë thënë se nëse do të jetë e nevojshme do të publikohen edhe shkëmbimet e email-eve.

Në mbledhje mësohet të ketë zënë vend kryesor edhe qëndrimi i demokratëve, veçanërisht pas deklaratës së mbrëmshme të kryeministrit Rama se projekti i Reformës do të shkojë menjëherë në parlament për t’u votuar, Kryetari Basha ka paralajmëruar se nëse do të ketë rrjedhje nga radhët e deputetëve të tij atëherë Partia demokratike do të mund të marrë edhe vendimin ekstrem të djegies së mandateve.

Tiranë: Takimi Rama – Basha, komentojnë studiuesit e politikës


Mbyllja pa marrëveshje mbi reformimin e sistemit të drejtësisë e takimit të djeshëm mes qeverisë dhe opozitës është për vëzhguesit e politikës shqiptare një dështim i pritur dhe rezultat logjik i ecurisë së këtij procesi, pavarësisht angazhimit serioz të faktorit ndërkombëtar; SHBA dhe BE.

Dr. Romeo Gurakuqi, drejtor i shkollës doktorale në UET, thotë që ngjarja e fundit tregoi se Shqipëria ka nevojë për një reformë të thellë institucionale, që duhet të përfshijë sistemin e drejtësisë dhe të gjithë republikën.

“Një reformë e sistemit të drejtësisë, e kontrolluar në një masë të madhe nga parlamenti dhe nga partitë politike, dhe një reformë e ndërtuar, pavarësisht mbështetjes së ndërkombëtarëve, qysh në fillesë nga faktorë, të cilët janë të lidhur me partitë politike të ekstremit të majtë, unë mendoj që rezultati do të ishte ky që ndodhi. Edhe mënyra se si u organizua takimi, edhe mënyra se si ka ndryshuar përbërja e delegacioneve në minutën e fundit tregon që midis palëve ka një mungesë besimi të theksuar. Nuk e kanë marrë seriozisht atë çfarë duhej të bënin dhe atë çfarë priste publiku” – thotë zoti Gurakuqi.

Takimi ngalli shpresa pas zvarritjes dy vjet të reformës dhe deklaratave të forta të partnerëve ndërkombëtare amerianë dhe europianë, si dhe kur u tha se palët ranë dakord për disa pika bazë.

Por studiuesi shkencave sociale në po atë universitet, dr.Roland Lami, thotë se takimi i djeshëm ishte zhgënjyes.

“Palët kanë zgjedhur që ato gjëra që i thonë në publik t’i thonë edhe një herë ballë për ballë me njëri tjetrin dhe të bëjnë më pak mund për të gjetur gjuhën e përbashkët me njëri-tjetrin dhe më shumë përpjekje për të treguar se kush e do më shumë reformën dhe kush e do më pak reformën. është zhgënyjese për ne si qytetarë, dhe për partnerët tanë strategjikë, të cilët kanë investuar për këtë reformë dhe ka një kosto për ne kjo e gjitha, si në afrimin me Be-në ashtu edhe në marrëdhëniet me SHBA-të” – tha zoti Lami.

Nevoja për t’u rikonceptuar çdo institucion i republikës demokratike, thotë dr. Gurakuqi vjen sepse në Shqipëri të drejtat e njeriut shkelen në mënyrë masive si nga mungesa e shtetit të së drejtës ashtu edhe nga mënyra se si jepet drejtësia në gjykata.

“Ne jemi një republikë parlamentare me një asambleizëm të copëtuar politik, me një fragmentim të theksuar të partive politike, me një korrupsion të lartë. Ne kemi një situatë shumë të rënduar të krimit të organizuar dhe të krimit në përgjithësi, kemi edhe lidhje të politikës me krimin e organizuar dhe kemi një situatë të rënies së republikës për shkak të rënies së incizimeve të paakorduara nga ligji, nga ente private, të cilat kanë skanuar të gjithë territorin për qëllime ogurzeza. Kjo e ka rënduar situatën dhe republika ndodhet në rrezik. Si rregullt, në raste të tilla, partitë duhet të merren vesh për një gjë tjetër; për të reformuar jo vetëm drejtësinë, por edhe të gjithë republikën në pikëpamje institucionale” – tha zoti Gurakuqi.

Qëndrimet e të dy palëve ndaj reformës në drejtësi kanë pikëpyetje mendojnë studiuesit dhe ato nuk sqarohen më thellë; për shembull PD, thotë dr. Lami, duhet të sqarojë pse faktori ndërkombëtar këmbëngul që opozita të heqë ngurrimin për të përparuar me këtë reformë, sepse deri tani po lë të kuptohet se është opozita ajo që nuk e do reformën e drejtësisë.

Por në fakt të dyja palët po bëjnë prova force në vend që të bëjnë prova tolerance, shtoi ai.

“Është i papranueshëm qëndrimi i liderit të maxhorancës, zotit Rama, i cili pas takimit deklaroi se tashmë shumica do ta dërgojë projektin e amendamenteve në parlament. Por ne e dimë që nëse nuk jepet dakordësia nga opozita, atëherë nuk bëhen 94 vota. Atëherë ti ke vajtur për të negociuar, a i ke shterruar të gjitha alternativat, a i ke shterruar të gjitha hapësirat që del me këtë deklaratë, apo edhe ti nuk e do këtë reformë? Unë dyshoj se këta të dy nuk e duan këtë reformë, se duan ta zgjasin, pavarësisht se kush është më interesant në argumenta, apo se kush gjen më shumë artificat, apo kush lobon më shumë te faktori ndërkombëtar. Thelbi, për mua është që të dy palët nuk kanë vullnet për ta kaluar këtë reformë. Është lajm i keq për të gjithë ne” – tha zoti Lami.

Të dy studiuesit besojnë se reforma themelore si ajo e drejtësisë dhe fusha të tjera kryhen nga njerëz të paanshëm që angazhohen me konsensus të përgjithshëm.

Ata mund të krijojnë ekuilibra të reja midis institucioneve që dështojnë në hapat demokratike, por deri atëherë duhet më së pari mirëkuptimi i partive, i cili mungon thuajse gjithmonë.(Kortezi:VOA)

Filed Under: Opinion Tagged With: analistet, Be, Bisedimet Rama-Basha

Athina po ndjek me vetëdije të plotë gjurmët e Millosheviçit

June 4, 2016 by dgreca

Opinion nga Prof.dr. Eshref Ymeri/ Indiana/ SHBA/

Në faqen internetike ta gazetës së nderuar atdhetare “Dielli” të datës 04 qershor, lexova artikullin e Profesorit Arben Llalla, me titull “Kushtëzimet e rrezikshme të ministri grek Nikos Kotzias(Koxha)”.Profesori Arben Llalla është një intelektual me formim të lakmueshëm atdhetar, nacionalist, i cili, për vite të tëra, është marrë me studimin e shovinizmit grekokaragjoz dhe çështjen e shqiptarëve të Greqisë. Prandaj informacionet e tij për qëndrimin shovinist të Athinës zyrtare ndaj Çështjes Shqiptare, kanë një bazë të shëndoshë besueshmërie. Edhe në rastin e vizitës në Tiranë më 06-07 qershor të ministrit me botëkuptim nazifashist Kotzias, informacioni i Profesorit Arben Llalla për kushtet që Athina do t’i vërë Tiranës zyrtare, patjetër që atij i ka ardhur nga një burim mëse i sigurt. Pra, Athina e pabesisë shumëshekullore kërkuaka që Tirana, para se të hapë bisedimet me Bashkimin Evropian, të plotësojëmedoemos disa kushte. Ja cilat na qenkan këto kushte, që i bën publike Profesori Arben Llalla:

“1.Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do të bëhet me anë të një marrëveshjeje të përjetshme ku Shqipëria dhe shqiptarët s’do të kërkojnë kurrë Çamërinë dhe pronat e tyre në tërë Greqinë.

2.Ndërtimi edhe i pesë varrezave të tjera për ushtarët grekë, të vrarë gjatë luftës italo-greke më 1940-1941, ku numri i varreve bosh të jetë 7000.

3.Njohja e Autonomisë së Epirit të Veriut (aneksimi i jugut të Shqipërisë), ku gjuha greke do të jetë zyrtare në jugun shqiptar. Shqipëria të jetë e varur de jure nga Greqia, ku në të ardhmen të bashkohen në një Federatë të përbashkët”.

       Në një analizë të dikurshme, të botuar në internet, duke folur për lëshimet që tradhtarët Thaçi dhe Mustafa i bënë Serbisë për krijimin e kushteve të pakicës serbe për autonomi, kam pasë theksuar se edhe Greqia të njëjtën gjë do të kërkojë: shpalljen e autonomisë për Shqipërinë e Jugut. Sepse e tillëështë logjika e gjërave: edhe Beogradi, edhe Athina nuk kanë hequr dorë kurrë, respektivisht, nga Naçertania dhe nga Megaliidea e vitit 1844, të cilat kishin për qëllim zhdukjen e etnisë shqiptare nga gadishulli ynë dhe fshirjen e Shqipërisë nga harta e Evropës.

Meqenëse pas vitit 1913(kur shovinizmi evropian, me yshtjen e armikut të tërbuar të kombi shqiptar – shovinizmit rusomadh – na i copëtoi për të dytën herë trojet tona etnike), në Shqipëri kanë qenë në pushtet jo pak tradhtarë, edhe Beogradi, edhe Athina e kanë pasur shumë të lehtë shtypjen dhe robërimin e shqiptarëve të përtejkufirit. Kurse gjatë këtij çerek shekulli të fundit në Shqipëri dhe pas shkëputjes së Kosovës nga Serbia në vitin 1999, edhe Athina, edhe Beogradi i kanë arritur dhe po i arrijnë pak e nga pak objektivat e vitit 1844 me ndihmën e tradhtisë brendashqiptare. Se sikur Shqipëria Londinezë të kishte pasur zot me kohë e me vakt, ajo duhej të kishte kërkuar me forcë, deri në forumet më të larta ndërkombëtare, hedhjen poshtë nga ana e Athinës dhe e Beogradit të platformave shoviniste antishqiptare të Megaliidesë dhe të Naçertanies. Shqipëria s’e ka kërkuar kurrë hedhjen poshtë të atyre dy platformave shoviniste, prandaj edhe grekosllavët po bëjnë ç’është e mundur për zbatimin e tyre: Beogradi, i bindur plotësisht për përkrahjen e Thaçit dhe të Mustafës, dy kryatradhtarëve të popullit shqiptar të Kosovës, ka shtruar si objektiv ngritjen e 15 komunave të tjera në Kosovë dhe popullimin e tyre me kriminelë serbë që u larguan nga Kosova gjatë viteve të luftës, si edhe me kriminelë serbë të Kroacisë, të cilëve Tuxhmani u vuri drunë njëherë e mirë nga Kroacia. Domosdo, se Kroacia ishte dhe vazhdon të jetë vend me zot, prandaj Beogradi nuk kuturis të kërkojë rikthimin e tyre në Kroaci. Pra, Beogradi, me dorën e vetë tradhtarëve Thaçi e Mustafa, po rikthehet përsëri në Kosovë, përmes një rikolonizimi të butë, pa çak e pa bam. Dhe populli shqiptar i Kosovës, dhe opozita, po u mbajnë ison tradhtarëve Thaçi dhe Mustafa.

Edhe Athina, nga ana e saj, po me përkrahjen e tradhtisë së Tiranës zyrtare, po i arrin dalëngadalë objektivat e veta në Shqipërinë e Jugut me ndërtimin e kishave greke, me hapjen e shkollave greke, me ngritjen e varrezave për ushtarët agresorë grekë. Pra, edhe ajo, ashtu si edhe Beogradi në Kosovë, po e kryen çikë e nga një çikë kolonizimin e Shqipërisë së Jugut.

Duke mohuar tërësisht Çështjen Çame, Athina po ndjek me vetëdije të plotë gjurmët e Millosheviçit, i cili dikur pati deklaruar botërisht: “Çështja e Kosovës nuk ekziston”. Me mohimin tërësor që i bëri  “Çështjes së Kosovës”, Millosheviçi vetë u bë sebep që në Kosovë të ndizeshin shkëndijat e para të luftës guerile, e cila, pak e nga pak, erdhi e mori formatin e plotë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që u bë një mbështetje e fuqishme e Aleancës së NATO-s gjatë bombardimeve që ajo ndërmori kundër Serbisë.

Athina po ngutet me dërgimin në Tiranë të ministrit Kotzias. Ajo kërkon t’u dalë përpara katër dosjeve të Çështjes Çame, të cilat, më 11 shkurt 2016, Kryetari i Shoqatës “Çamëria”, zotëria Festim Lato, dhe Profesori Koço Danaj, ia dorëzuan Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për krime kundër njerëzimit. Kësisoj Athina e hileve dhe e pabesive mijëravjeçare, kërkon të sigurojë mbështetjen e Tiranës zyrtare për mohimin, për mosekzistencën e Çështjes Çame, në mënyrë që nesër-pasnesër t’i deklarojë Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës: “Nuk ekziston ndonjë Çështje Çame, se një Çështje të tillë nuk e njeh as Tirana zyrtare”.

Unë e kuptoj se të gjitha këto fatkeqësi të rënda që e kanë pllakosur mbarë kombin shqiptar (me një shtet të vdekur në Prishtinë dhe me një shtet të pavarrosur në Tiranë), e kanë burimin, para së gjithash, te përçarja mbarëshqiptare dhe te tradhtia brendashqiptare. Se diktatura komuniste i zbehu dhe i degradoi deri në leqendisje ndjenjat kombëtare, e plagosi për vdekje nacionalizmin shqiptar, duke i mbyllur në fondin e harresës krimin evropian kundër trojeve tona etnike, Çështjen e Kosovës dhe Çështjen Çame. Në gjurmët e tradhtisë komuniste të këtyre interesave madhore të kombit shqiptar, ka vazhduar dhe vazhdon të eci edhe klasa politike shqiptare gjatë këtij çerek shekulli pluralizëm. Athina zyrtare është e bindur në tradhtinë e intereave kombëtare të klasës politike shqiptare, prandaj edhe e mohon kategorikisht Çështjen Çame dhe vazhdon të avancojë drejt kolonizimit të Shqipërisë së Jugut, me Janullatosin si guvernator të vetin në Tiranë. Prandaj ajo ka krijuar bindjen se nacionalizmi shqiptar është varrosur një herë e përgjithmonë.

Megjithatë, unë mendoj se, pavarësisht se rinia shqiptare hesht, pavarësisht se inteligjencia universitare hesht, pavarësisht se mjetet e informimit masiv heshtin, pavarësisht se moderatorët e kanaleve televizive dhe gazetarët heshtin, duke u shndërruar në tellallë të pështirë të politikës antikombëtare të Tiranës zyrtare, pavarësisht se populli shqiptar ka rënë në një gjumë letargjik dhe bën të paditurin për ato që kanë ndodhur në Shqipërinë Jugut, pavarësisht se rinia e Tiranës nuk do të dalë ta presë Kotziasin me domate të ndenjura dhe me vezë të prishura, pavarësisht se përfaqësues të rinisë universitare më 07 qershor do të ulen në auditor dhe do të dëgjojnë fjalën e nazifashistit Kotzias (në vend që ta pëzënë me sokëllima), pra, pavarësisht nga të gjitha këto, nacionalizmi shqiptar nuk është varrosur përfundimisht. Bindja ime është se poshtë hirit të tradhtisë kombëtare të Tiranës zyrtare, prehen në qetësi ca thëngjij, ca gaca të shndritshme nacionalizmi, të cilat, duke parë që shovinizmi grekokaragjoz nuk dëshiron që Çështja Çame të zgjidhet me mirëkuptim(çka personalisht e dëshiroj me gjithë zemër, ashtu siç duhet të zgjidhen të gjitha çështjet mes dy vendeve fqinje, me paqe dhe me respekt të ndërsjellë), mund të bashkohen dhe të rrezatojnë me dritë verbuese, fillimisht në formë guerilesh dhe mandej, siç ndodhi në Kosovë, të marrin përmasat e një Ushtrie Çlirimtare të Çamërisë. A është e sigurt Athina zyrtare (mbrojtëse e tërbuar e krimeve inkuizicioniste të Napolon Zervës) se një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndodhë?

Indianapolis, Indiana

04 qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Athina, gjurmët e Millosheviçit, Prof. dr. eshref Ymeri

Kushtëzimet e rrezikshme të ministri grek Nikos Kotzias(Koxha)

June 4, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Në shkrimet e më parëshëm kemi shkruar se gjyshi i ministrit të jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias, Konstandini kishte lidhje të ngushta me partinë naziste gjermanë, bile ai gëzonte mbështetjen direkt të ministrit të propagandës Joseph Goebbels.

Edhe Nikos Kotzias ashtu si gjyshi i tij ka sot lidhje të ngushta me partinë naziste ruse Fronti Nacionalistë Bollshevik që drejton Aleksandër Dugini, i cili është këshilltar i kryetarit të Rusisë Putinit.

Ministri i jashtëm grek që do të vizitoj Tiranën nga 6-7 qershor, Nikos Kotzas ka ndjenja të theksuara raciste që shpesh herë ai i shpreh haptazi. Në një intervistë që ai ka dhënë para disa kohës shqiptarët i ndante në dy kategori a) Shqiptar normal, b) Shqiptar jo normal. Kotzas shqiptarët nga Çamëria i quan shqiptar jo normal sepse këta kërkojnë pronat e tyre të grabitura pa të drejtë nga Greqia. Por nga burojnë ndjenjat raciste të Kotzas? Nikos Kotzias ka kaluar një fëmijëri dhe rini të dëshpëruar, ku shpeshherë ai është injoruar dhe ofenduar rënd nga moshatarët e tij për të kaluarën naziste të gjyshit Konstandin Kotzias i cili ishte pro Gjermanisë naziste. Ai ka kaluar një fëmijëri të mbyllur, plot urrejtje. Kjo ka ndikuar thellë në botën e tij shpirtërore. Publicisti grek Failos Kranidhitotis ka thënë: “Nikos Kotzias është ende fëmi, kjo nuk është rastësi aksidentale. Ai ka në zemër dhe mendje qartë nacionalizmin“.

Në valixhen diplomatike të ministrit grek Nikos Kotzias që do e shpalosi në Tiranë më 6-7 qershor ka disa kërkesa ekstremiste që dëmtojnë rëndë shqiptarët. Në atë valixhe ndodhen kushtet për hapjen e bisedimeve të Shqipërisë me BE si dhe njohjen nga Greqia të pavarësisë së Kosovës. Për këto dy vendime që duhet të votoj Greqia ka vënë disa kushte si: 1.Njohja e pavarësisë së Kosovës nga Greqia do bëhet me anë të një marrëveshje të përjetshme ku Shqipëria dhe shqiptarët s’do të kërkojnë kurrë Çamërinë dhe pronat e tyre në tërë Greqinë. 2.Ndërtimin edhe të pesë varrezave të tjera për ushtarët grek të vrarë gjatë luftës italo-greke më 1940-1941, ku numri i varreve bosh të jetë 7.000. 3.Njohjen e Autonomisë së Veriut të Epirit (aneksimi i jugut të Shqipërisë) ku gjuha greke do jetë zyrtare në jugun shqiptar. Shqipëria të jetë e varur De Jure nga Greqia ku në të ardhmen të bashkohen në një Federatë të përbashkët.

Kushtet ekstremiste që mban valixhja diplomatike e Nikos Kotzias duhet përbuzur dhe flakur tej, prandaj shqiptarët që kanë mend dhe duan mend ditën e hënë më 6 qershor të dalin në protestë ora 8.30 minuta për ti treguar grekut Kotzias se nuk do arrihen asnjë marrëveshje midis dy vendeve në dëm të Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Kushtëzimet e rrezikshme, Nikos Kotzias(Koxha), të ministri grek

LETËR E HAPUR Z.Z. EDI RAMA E LULZIM BASHA

June 1, 2016 by dgreca

NGA EUGJEN MERLIKA/ITALI/

   Me kënaqësi mora vesh lajmin se Ju, në cilësitë e Kryeministrit të Shqipërisë dhe të Kryetarit t’Opozitës demokratike të këtij Vendi, keni vendosur të takoheni për të biseduar, sigurisht jo për çështje vetiake, por për probleme të rëndësishme të çastit politik të veçantë, që po kalon Atdheu dhe Kombi. Temat e bisedimit do t’ishin të panumurta, ashtu si janë sot problemet e shqiptarëvet kudo ku jetojnë, por ata mund të ceken kalimthi, duke u thelluar në ato më të ngutëshmet.

Kjo letër nuk ka për qëllim as t’u lavdërojë as t’u qortojë, sepse në jetët tuaja , si n’ato të gjithë njerëzve të politikës kudo e kurdoherë, nuk mungojnë as dritat dhe as hijet. Kjo letër nuk ka si synim as t’u këshillojë dhe as t’u drejtojë, sepse do të dilte jashtë arsyes për postet në të cilët jeni. Kjo letër kërkon t’u nxisë. Vjen nga një bashkatdhetar i juaji, që si moshë, i përket brezit të prindërvet tuaj, që ka mbi shpinë një përvojë jetësore të hidhur, duke pasë paguar familjarisht e në vetë të parë, fatkeqësisht ashtu si shumë shqiptarë, “faje” të paqena e “krime” që ekzistonin vetëm në fantazitë e sëmura të të tjerë shqiptarëvet. Por kjo nuk është tema e bisedimit, e cila i përket takimit tuaj.

Fati, rrethanat, aftësitë ju kanë ngarkuar me një detyrë jo të lehtë, të drejtoni në rrugën demokratike Shtetin në të cilin keni lindur. Nuk e di si e konceptoni këtë detyrë : si një zotim shpirtëror, mendor, moral e fizik për t’i shërbyer interesave të nënshtetasve tuaj, apo si një synim për t’u arritur, i cili siguron mirëqënie (nuk po them pasuri), famë, pushtet mbi njerëzit, pjesëmarrje në mbledhje të institucioneve ndërkombëtare e hyrje n’ata qarqe dhe një vend në histori. Të dyja konceptet janë të ligjëshme, por ndryshimi mes tyre është i madh, si përsa i takon vendit në histori, ashtu edhe përsa i takon ndërgjegjes suaj. Uroj me gjithë zemër, për të mirën e Shqipërisë dhe tuajën, të keni bërë zgjedhjen e parë.

Nëse është kështu takimi juaj i ardhshëm do të jetë guri i provës. Si pjesëmarrës i brezit tjetër, i atij që, për mangësi të çdo tipi përvojash, mendësish, largpamësie e guximi për t’u shkëputur nga e shkuara, e solli Shqipërinë në gjëndjen që është sot, larg asaj që ëndërronim një çerek shekulli më parë, ju ftoj të jeni të vetëdijshëm për rëndësinë që merr takimi juaj. Ju i njihni shumë më mirë se un rrethanat e brëndshme dhe të jashtëme, që përcaktojnë veçantinë e këtij çasti politik. Në rast se do të shkoni n’atë takim, të pa detyruar nga të tjerë, për të ripohuar qëndrimet tuaja të njohur e të kundërt me njëri tjetrin, duke patur si yllin polar të ecjes suaj vetëm numurin e votave që do të merrni vitin e ardhshëm, atëherë përfundimi dihet që në nisje. Mund t’a kurseni mundimin e atyre orëve për veten tuaj, duke kursyer edhe iluzionet e shumë bashkatdhetarëve tuaj që ju besojnë. Nëse niseni me idenë e qëllimin që nga ajo bisedë e të tjera mbas saj, duhet të dalë një marrëveshje e mundëshme e në dritë të diellit, për të zgjidhur ngërçin e Reformës së Drejtësisë, si më e ngutëshmja, por edhe të tjera probleme, atëherë besoj se takimi, në vartësi të përfundimeve, mund të marrë dhe epitetin “historik”.

Do t’u kujtonja këto ditë të mbanit parasysh historinë e vërtetë të Vendit tonë, të cilën uroj t’a keni studjuar, të kujtonit sa i pamëshirshëm ka qenë dënimi i saj për Kombin tonë, pothuaj në të gjitha fazat e ecjes së tij në shekuj, vetëm e vetëm se nuk kemi patur vullnetin dhe aftësinë për t’u marrë vesh me njëri tjetrin, sepse mbi interesat e bashkësisë kemi vënë gjithmonë ata vetiaket, të grupit, të krahinës e, në shekullin e fundit edhe të partive. Është një përvojë tepër e hidhur, nga e cila duhet të nxjerrim mësimet e duhura. Ndoshta do të jetë meritë e brezit tuaj të filloni kthesën e madhe në atë drejtim.

Takimi juaj ndoshta do të jetë rasti për t’a sendërtuar atë kthesë, që duhet të na çojë në ndreqjen e gabimeve të së shkuarës, për të vënë bazat e të mirave të s’ardhmes. Për t’i u afruar kësaj ëndërre, duhet të hidhni mbas krahëve gjithë arsenalet e fyerjeve, dyshimevet, padive e të tjera veprimeve të ndërsjellta që nuk ju nderojnë, t’a quani njëri tjetrin kundërshtar politik me të cilin duhet të ballafaqoheni ndershmërisht, e jo armik për t’u asgjësuar me të gjitha mjetet. Mbani parasysh se atë ditë tek ju do të jetë i pranishëm edhe shqetësimi i bashkatdhetarëvet tuaj, të cilët dëshërojnë të jetojnë në një Shtet në të cilin të sundojë ligji i qytetërimit e jo ai i mafjes, merita e jo klientelizmi partiak, drejtësia e jo e kundërta e saj.

Atë ditë, nëse ju do të jeni në lartësinë e detyrës suaj, për të projektuar një rrugë që do të jetë ajo e respektimit të interesave të vërteta t’Atdheut dhe banorëve të tij, e jo e kastave dhe sahanlëpirësve të tyre, mbi ju do të jenë edhe sytë e atyre që u flijuan për Shqipërinë “Zonjë të madhe”, por dhe t’atyre që do të vijnë e kanë të drejtën që Vendi i lindjes t’u japë shpresën e një jete normale. E kuptoni shumë mirë se çfarë dua t’u shtie ndër mend. Ju jeni njerëz të politikës dhe dini mirë se n’atë fushë marrëveshjet janë të domosdoshme. Dini gjithashtu se ato janë të shumëllojshme e se ato që përcaktojnë vlerën e tyre të vërtetë, janë qëllimi dhe thelbi i tyre. Një kompromis në ulje, që do të prodhonte një “reformë” formale kozmetike, për t’i lënë gjërat kështu si janë, që nuk do t’ishte në gjëndje të luftonte me rrënjë korrupsionin që shfaqet në prirjet e shtrembëra për t’u pasuruar, në sajë të detyrës shtetërore, pra duke shfrytëzuar atë, nuk është ai për të cilin ka nevojë Shqipëria. Marrëveshje të tilla të hapura e më shumë të fshehta, në këta vite kemi parë mjaft e ja u kemi parë edhe sherrin, mjafton të kujtojmë kalvaret e shqiptarëve të shpronësuar nga komunizmi, në kërkim të të drejtave të tyre të ligjëshme.

Ju dhe kolegët tuaj të politikës jeni para një prove të madhe, jo vetëm për Reformën e Drejtësisë, që është bërë e domosdoshme për një seri arsyesh, jo vetëm për të tjera reforma, për të cilat ka nevojë të ngutëshme Vendi, por edhe për përfytyresën që jep politika shqiptare  sot, në një kohë kur nuk është më ajo e “kalasë së pamposhtur të socializmit në botë”, por e pjesëmarrjes në Bashkësinë e popujve t’Evropës. Ju duhet të tregoni se jeni t’aftë të kryeni ato veprime për të cilët jeni të ngarkuar nga detyra shtetërore apo partiake, që janë në kompetencat tuaja, e të cilat i kërkon koha dhe Vendi.  Ju duhet të tregoni me fakte se nuk keni nevojë për ndërhyrjet e ambasadorëve të huaj që t’u nxisin për të kryer detyrat tuaja në dobi të Vendit, se ata vendime që duhen marrë jeni në gjendje t’i merrni vetë, se ato reforma e ligje që duhen hartuar e miratuar, jeni t’aftë e të gatshëm t’i sendërtoni e t’i  veni në jetë. Deri tani nuk e keni dhënë këtë provë jo vetëm ju personalisht, por e gjithë politika shqiptare, kur ka qenë fjala për të ndërhyrë në çështje që kanë të bëjnë me sferën e interesave të saj korporative.

Jam i vetëdijshëm se “kalimi i Rubikonit” nuk është i lehtë, por nuk është i pamundur. Gjithshka varet nga ndërgjegja juaj  dhe dashuria për Vendin tuaj. Mosha e pjekurisë mendore, por dhe e vrullit dhe energjive fizike, e një farë idealizmi që duhet të jetë i pranishëm, ende i pafikur krejtësisht nga llogaritë e vogla, duhet t’u japin fuqinë e duhur e vendosmërinë për të hedhur hapin e nevojshëm. Ky është hapi i rishkrimit të rregullave e duhet t’a bëni së bashku, me bindjen se ato rregulla do t’i shërbejnë për një kohë të gjatë këtij Shteti. Pastaj do të vijë ballafaqimi zgjedhor e secili prej jush do të shpalosë projektin e tij politik dhe ekonomik për Shqipërinë.

Tregohuni shqiptarë të mirë, politikanë të zgjuar e largpamës, të ndershëm e guximtarë ! Koha, e vetmja gjyqtare e paanëshme dhe e palëkundur do t’u gjykojë….

Zoti ju ndihmoftë, punë të mbarë !

Qershor 2016

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Edi Rama & Lulzim Basha, Eugjen Merlika, leter e hapur

Kryeministri Mustafa: Kosova qendër e diversitetit etnik, fetar dhe shoqëror

June 1, 2016 by dgreca

Prishtinë, 1 qershor 2016/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare, që po organizohet në Prishtinë.Par të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se Kosova ka qenë historikisht rajon I diversitetit etnik, i diversitetit fetar dhe shoqëror dhe se Kosova është një shtet i ri, por me një kulturë të vjetër.

“Ne ekzistojmë tash e 8 vjet si Republikë parlamentare, por para më se 2 mijë vjetësh mu këndej është shpërndarë krishterimi. Këtu ndodhi edhe ndarja e dy kishave, lindore ortodokse dhe asaj perëndimore katolike. Këtu është shpërndarë islami para mbi 600 vjetësh, fillimisht nëpërmjet mistikëve sufi, e më vonë edhe nëpërmjet Perandorisë Osmane që sundoi gjatë në këto treva. Këtu ne kemi po ashtu bashkësi të vogla si protestantë, hebrenjë, bektashinjë dhe tarikate tjera. Prandaj të gjithë e përbëjnë një mozaik të pasur të besimeve dhe mozaik etnik në Kosovë”, tha kryeministri. 

Duke folur për fokusimin e konferencës ndërfetare në këto begati shumë të rëndësishme për Kosovën, kryeministri tha se duhet të punohet shumë në mënyrë që të ruhet kjo pasuri.

“Kosova gjatë mandatit tim është bërë anëtare e rëndësishme e aleancës kundër ISIS-it. Ne kemi pasur në fund të vitit të kaluar Sekretarin John Kerry dhe ai ka deklaruar publikisht se Kosova është lidere e rajonit në luftë kundër ekstremizmit. Në këtë aspekt ne kemi marrë masa ligjore ndaj individëve dhe grupeve ekstreme dhe shumë prej tyre kanë marrë dënime të merituara. Megjithatë, unë nuk mendoj se policia dhe gjyqësia e kanë ilaçin e ekstremizmit. Qeveria ka aprovuar edhe Strategjinë për Luftimin e Ekstremizmit, e cila përfshinë shumë grupe të interesit dhe shumë palë. Konsiderojmë se arsimi, puna në familje, puna me shoqërinë civile, është e një rëndësie të veçantë dhe, po ashtu vlerësojmë se roli i grave dhe aktivisteve gra, është thelbësor në shoqëri. Dëshiroj të potencoj se emancipimi dhe fuqizimi i rolit të gruas, është agjendë tepër e rëndësishme për promovimin e progresit shoqëror dhe po ashtu edhe për emancipimin fetar”, tha kryeministri.

 Emancipimi dhe fuqizimi i rolit të gruas, siç tha kryeministri Mustafa, është agjendë tepër e rëndësishme për promovimin e progresit shoqëror dhe emancipimin fetar.

 Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa në konferencë.

 Kam nderin që t’ju përshëndes të gjithëve këtu në Kosovë, në qendër të Ballkanit, që ka qenë historikisht rajon i diversitetit etnik, i diversitetit fetar dhe shoqëror, dhe të konstatoj se Kosova është një shtet i ri, por ka një kulturë të vjetër.

Ne ekzistojmë tash e 8 vjet si Republikë parlamentare, por para më se 2 mijë vjetësh mu këndej është shpërndarë krishterimi. Këtu ndodhi edhe ndarja e dy kishave, lindore ortodokse dhe asaj perëndimore katolike. Këtu është shpërndarë islami para mbi 600 vjetësh, fillimisht nëpërmjet mistikëve sufi, e më vonë edhe nëpërmjet Perandorisë Osmane që sundoi gjatë në këto treva.

Këtu ne kemi po ashtu bashkësi të vogla si protestantë, hebrenjë, bektashinjë dhe tarikate tjera. Prandaj, të gjithë e përbëjnë një mozaik të pasur të besimeve dhe mozaik etnik në Kosovë.Ndoshta ju keni kujtime të veçanta nga konflikti dhe lufta që përfundoi në vitin 1999, mirëpo mund t’ju them se ne kemi pasur periudhë shumë më të gjatë të bashkëjetesës, tolerancës, se sa periudha të konflikteve ndëretnike këtu dhe tek ne është e zakonshme që Teqetë shqiptare shërbejnë për t’u lutur krishterët, që në objektet e pelegrinazheve krishterë të luten myslimanët për shërimin e sëmundjeve të ndryshme dhe ky është një vend specifik, në të cilin kam nderin të jem kryeministër i vendit.

Konferenca ndërfetare në Kosovë ka arritur të fokusohet në këto begati, të cilat janë shumë të rëndësishme për ne dhe po ashtu unë pajtohem me ju për vlerësimet që i keni dhënë dje, që duhet të punojmë shumë, në mënyrë që ne ta ruajmë këtë pasuri tonën 

Por, po ashtu, duhet të konstatojmë se kohërat kanë ndryshuar, se pas sulmeve të 11 shtatorit në SHBA, por edhe së voni pas luftës në Siri, armiqtë e diversitetit, pluralizmit dhe tolerancës, kanë okupuar margjinat ekstreme të shoqërisë, si në Bruksel, Paris, por edhe këtu në Kosovë.

 Prandaj, ne jemi duke luftuar që ta rikthejmë këtë hapësirë dhe të mos dorëzohemi para gjuhës së urrejtjes dhe para veprimeve të dhunshme.Kosova gjatë mandatit tim është bërë anëtare e rëndësishme e aleancës kundër ISIS-it.Ne kemi pasur në fund të vitit të kaluar Sekretarin John Kerry dhe ai ka deklaruar publikisht se Kosova është lidere e rajonit në luftë kundër ekstremizmit. Në këtë aspekt ne kemi marrë masa ligjore ndaj individëve dhe grupeve ekstreme dhe shumë prej tyre kanë marrë dënime të merituara.Megjithatë, unë nuk mendoj se policia dhe gjyqësia e kanë ilaçin e ekstremizmit.Qeveria ka aprovuar edhe Strategjinë për Luftimin e Ekstremizmit, strategji e cila përfshinë shumë grupe të interesit dhe shumë palë. Konsiderojmë se arsimi, puna në familje, puna me shoqërinë civile, është e një rëndësie të veçantë dhe, po ashtu vlerësojmë se roli i grave dhe aktivisteve gra, është thelbësor në shoqëri.

Dëshiroj të potencoj se emancipimi dhe fuqizimi i rolit të gruas, është agjendë tepër e rëndësishme për promovimin e progresit shoqëror dhe po ashtu edhe për emancipimin fetar.

 Dje, nobelistja Shirin Ebadi, para jush ka deklaruar se Zoti nuk ka gjini, që feja nuk është patriarkale, por janë meshkujt ata që e interpretojnë fenë në mënyrë patriarkale dhe me këtë duhet të pajtohemi plotësisht, pajtohem edhe unë tërësisht.

 Prandaj, ne po punojmë që të forcojmë ekonominë, që ta forcojmë pozitën ekonomike të gruas, që ta forcojmë pavarësinë e saj në familje dhe që familja pastaj të jetë shtytëse për krijimin e një balanci midis burrit dhe gruas në shoqëri.

Ne kemi probleme këtu, sepse jemi në një gjendje akoma të pakonsoliduar në pikëpamje ekonomike, kemi papunësi të madhe sidomos të grave dhe të rinjve, por, do të mundohemi që këto t’i tejkalojmë përmes politikave nxitëse ekonomike, sepse konsiderojmë se pa angazhimin e gruas në ekonomi nuk ka emancipim gjinor, ndërsa pa gruan e emancipuar nuk mund të jemi të suksesshëm në luftimin e ekstremizmit. 

Roli i grave padyshim është thelbësor në promovimin e dialogut, para së gjithash në nivel të familjes dhe pastaj edhe atë shoqëror.Por, poashtu, sinjalet e para të radikalizmit tek individët vërehen në familje, vërehen tek prindërit, tek nëna.

Është e domosdoshme që familja të jetë shtyllë thelbësore e ndërtimit të vendit dhe tani ne kemi nevojë që sa më shumë ta ndërlidhim familjen me shkollën dhe me institucionet tjera edukative, shoqërore, në mënyrë që ajo të jetë shtyllë e rëndësishme e ndërtimit të shoqërisë.

Para disa ditësh kam vizituar një komunë të vogël në Kosovë, atë të Vitisë dhe në këtë qytet jetojnë se bashku shqiptarët, kroatët, serbët e Kosovës dhe këtu mund të gjejmë distanca shumë të vogla ndërmjet xhamive të shqiptarëve që janë myslimanë, mes kishës ortodokse, qytetarëve serbë dhe mes kishës katolike, në të cilën luten shqiptarët e besimit katolik dhe kroatët e besimit katolik. 

Në këtë qytet po ashtu e gjejmë edhe shkollën multietnike, ku bashkë mësojnë shqiptarët, serbët e besimeve të ndryshme, myslimanë, katolikë dhe ortodoksë.

Kam vizituar edhe shkollën e parë zyrtare në Kosovë, ku mësuesi i parë ishte prift katolik dhe banorët katolikë të këtij fshati me krenari e përsërisin se shkolla e dytë zyrtare shqipe në atë qytet atëherë, ishte shkollë, të cilën e udhëhiqte një hoxhë mysliman.Pra, ne kemi një gërshetim të madh të kulturave që ndërlidhen edhe me kulturat fetare.Mirëpo, mund të them se si qyteti i Vitisë, janë shumë qytete dhe mjedise tjera në Kosovë.

 Ne jemi duke ndërtuar një shtet të vogël, por sivjet jemi të interesuar që të kapërcejmë shumë faza të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Tani kemi një obligim shtesë, që të adoptojmë të gjitha kriteret evropiane në ndërtimin e shoqërisë dhe ekonomisë sonë.Po përfundoj me një citat të nobelistit Desmond Tutu. Ne e dimë se Afrika e Jugut ishte viktimë e aparteidit shekullor, sikurse që ishte viktimë edhe Kosova nga pushtimi, dhuna dhe padrejtësia që ju bë. Por, në shoqëritë tona gjithmonë gjejmë forcën që të normalizojmë marrëdhëniet edhe mes armiqve.

 Ipeshkvi Tutu e ka pasur me plotë të drejtë kur ka thënë se, “Njerëzimi im, është i lidhur me njerëzimin tënd. E vetmja mënyrë që të jemi njerëz, është kur jemi bashkë”.

Prandaj, edhe unë gëzohem që sot jemi të gjithë bashkë këtu në Prishtinë në një platformë të përbashkët të humanizmit global.Qeveria e Kosovës e mbështet plotësisht këtë takim ndërfetar, do ta përkrahë plotësisht të gjeturat tuaja dhe rekomandimet që do t’i jepni ju këtu dhe do të mundohemi që ato t’i implementojmë, në mënyrë që bashkërisht të ndërtojmë një rrugë të përbashkët, të bashkëjetesës, tolerancës fetare, por edhe të perspektivës sonë humane edhe në Kosovë, por në bashkëpunim me të gjitha vendet tjera.

Ju uroj suksese në punën e mëtejme dhe vlerësoj lartë këtë tubim!

Filed Under: Opinion Tagged With: fetar dhe shoqëror, Mustafa: Kosova qendër e diversitetit etnik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • 576
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT