• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vlerësimi i Kadaresë, nderim për të gjithë shqiptarët

May 31, 2016 by dgreca

Shkruan:Gani Qarri Cyrih/

Ishte viti i largët 1966, kur poeti i mallit dhe dashurisë së pashuar për Kosovën, protagonisti i lotëve të dhembjes, shpërfaqur si pika të shiut mbi qelq, nga imazhi i krijuar në lartësitë qiellore, derisa si udhëtar i “rastësisë”përmes vrimave të dritareve të vogla të avionit, reve dhe vranësirave të zymta, me mall shihte tokën e Kosovës nën sundimin e huaj të sertë,Kadare krijoi njërën nga poezitë më të njohura dhe të paharruara të tij, me titull “Kosova”. 

Pikërisht mu ky krijues gjenial,i shumë veprave të njohura, të përkthyera në dhjetëra gjuhë botërore, pas një kontributi shumëvjeqar, të gjatë e të gjerë letrar e kulturorë, u shpërblye me të drejtë nga njëri prej personaliteteve më të larta franceze dhe evropiane, si presidenti Hollande, me çmimin më të vlerësuar ndërkombëtar, deri më tani. 

Për Kadarenë si autor dhe personaliteti më i devotshëm i identitetit kombëtar të shqiptarëve kudo, data e 30 majit të vitit 2016, do të mbetet një ngjarje e paharruar historike dhe eveniment i pashlyer përjetshëm, në memorien e të gjithë bashkëkombësve tanë.

 Vlerësimi ndaj tij, merr peshë të veçantë edhe për faktin se nga një tubim që sipas parimit shtetëror francez, tradicionalisht organizohet për disa personalitete bashkë dhe shpërblimet në emër të presidentit, ndahen nga dikush tjetër, kësaj radhe, ky eveniment u organizua si ceremoni e veçantë solemne, vetëm për Kadarenë me një rreth të ngushtë të ftuarish në pallatin presidencial “Elize”, ku vet presidenti, Francois Hollande, nderoi personalisht shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare me vlerësimin më të lartë që Franca ndanë për personalitetet më të shquara, urdhrin; “Komandant i Legjionit të Nderit”!.

 Ismail Kadare, kohë pas kohe, është nderuar edhe me shpërblime të tjera në vend dhe në botë, madje ende pa kaluar tri javë të plota nga ky eveniment, në Konferencën Ndërkombëtare me titull “Shekulli i Kadaresë”, mbajtur më 13 Maj 2016 në Tiranë, presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, nderoi shkrimtarin më të mirënjohur të kombit tonë, z. Ismail Kadare me dekoratën e lartë të Flamurit Kombëtar.

 Por pa nënvlerësuar për asnjë çast dekorimin e lartë kombëtar dhe vlerësimet tjera të rëndësishme, dedikuar atij, Urdhri i veçantë që për herë të parë iu nda një personaliteti të shquar ballkanas, nga vet presidenti i Francës,z. Hollande, nderon Kadarenë dhe të gjithë shqiptarët, rritë pafundësisht mirënjohjen ndaj krijuesit tonë gjenial, dhe zgjeron kufijtë e vlerësimit të tij, në përmasa qindra milionëshe-evropiane dhe botërore.

 Presidenti francezë, jo vetëm se foli fjalët më të mira për shkrimtarin shqiptar, por duke njohur në hollësi vlerat dhe aftësitë gjeniale të tij, Francois Hollande, Kadaren e quajti Evropian që e do Evropën dhe “avokues” e mbrojtës të vendosur të kulturës evropiane.

 Urdhëri me të cilin Hollande nderoi Kadarenë, është i vjetër dhe me traditë. Ai daton që nga koha e Napoleon Bonapartës i cili si udhëheqësi kryesor i Francës dhe kryekomandant i ushtrisë, qysh në vitin 1802, e kishte përjetësuar këtë çmim, duke e projektuar si mirënjohje me disa shkallë vlerësimi, për ushtarët më të mirë dhe ushtarakët më të suksesshëm të tij.

 Por, më vonë, me këtë Urdhër udhëheqja franceze, filloi ti nderonte personalitetet më të shquara për kontribut të veçantë ndaj Francës, kurse me nderimin e Kadaresë me këtë çmim, kam bindjen se po nisë një epokë e re, për vlerësimin e autorëve të ngritjes dhe forcimit, tanimë edhe të kulturës dhe vlerave më të larta evropiane!.

Përndryshe, një nderim të ngjashëm në fushën e letërsisë ,deri më tani, Franca i ka ndarë vetëm autorit të dalluar francezë shkrimtarit Michel Tornier, si autor i suksesshëm i cili me arritjet e tij, ka rritë reputacionin e vendit. 

Vlerësimit të krijimtarisë së Kadaresë edhe në atdheun e tij të dytë, në Francë ku ai që nga vitit 1990 vazhdon ta zhvillojë me sukses veprimtarinë e tij letrare, Holande i parapriu me konsideratën më të lartë duke iu drejtuar atij me fjalët më të përzemërta dhe në mënyrën më vllazërore; Ju jeni edhe shqiptar edhe francez, me zemër evropiane dhe shpirt universal, një “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”!

Kështu, mirënjohjeve të shkrimtarit tonë më të mirë, iu shtua edhe një çmim i veçantë, i cili në fakt, atij i ishte ndarë që në fillim të vitit 2016,me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe ardhjes në jetë të krijuesit tonë gjenial.

Ndaj si njëri nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohor shqiptar dhe evropian, me vepra të përkthyera në mbi 50 gjuhë të botës, i nominuar disa herë edhe për çmimin “Nobel”, për letërsi, vlerësimi që iu bë Kadaresë, nderon letërsinë dhe kulturën shqiptare në sytë e Evropës dhe gjithë botës së civilizuar!

 Të gjitha këto, pa asnjë dyshim, i kishte parasysh edhe presidenti i Francës, z. Fransua Hollande, kur vendosi që Ismail Kadares, si i vetmi jo-francezë, dhe krijuesi i parë nga gjithë Gadishulli i Ballkanit, në mënyrë plotësisht të arsyetuar, ti ndante vlerësimin më të lartë shtetëror e kombëtar të Francës.Megjithatë, ky eveniment, nuk duhet të shihet as trajtohet, nga askush, si nderim vetëm për Ismail Kadaren, por të pranohet dhe konsiderohet nga të gjithë, si vlerësim i lartë dhe mirënjohje e veçantë për autorin dhe mbarë popullin shqiptar.

Kadare, me krijimtarinë e tij të tej-arritshme autoriale, ishte ndër krijuesit e parë, që kaloi kufijtë shtetëror e kombëtar edhe në kohën kur ata mbaheshin hermetikisht të mbyllur nga diktatura vendore në Shqipëri,  dhe sistemet e huaja që sundonin shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara etnike.

Veprat e tij,që nga ajo kohë, bëri të njohur kudo origjinën, traditën, kulturën dhe gjithë vlerat më të mira kombëtare e njerëzore të popullit shqiptar, të cilat nuk i dinin shumë vende të botës.

Madje, popuj jo vetëm nga vendet gjeografikisht më të largëtat, për herë të parë komunikuan me ne dhe njohën shqiptarët,përmes veprave shembullore të Ismail Kadaresë.

Ndaj, evenimenti i dekorimit të tij me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” do të mbetet një ngjarje e paharrueshme, jo vetëm akademike, por edhe akt historik, për shqiptarët dhe Kadarenë si autor, vepra e të cilit ka kohë që ka tejkaluar dimensionet e letërsisë dhe është shndërruar në vlerë të kulturës botërore.

Çdo mirënjohje, dekorim a shpërblim kombëtar e ndërkombëtar është gëzim i përbashkët për të gjithë shqiptarët. Ai bëri shumë për popullin dhe vendin e vet, duke i dalë krah me vendosmëri dhe fakte e argumente të pamohueshme edhe mëvetësisë dhe çlirimit të Kosovës, si dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo dhe në të gjitha trojet e tyre etnike. 

 Ai ishte dhe mbeti, jo vetëm ylli më rrezatues për krijimtarinë, kulturën dhe traditën e kombit tonë, por dhe u shndërrua në kalorësin më besnik të orientimit properëndimor për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

 Talenti i tij krijues dhe veprues, bindi të gjithë opinionin përparimtar evropian dhe vet presidentin francez, Francois Hollande, që me të drejtë dhe në mënyrë plotësisht të merituar, përfundimisht ta nderonte Ismail Kadarenë si shqiptarin dhe ballkanasin e parë  me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” – gjithë-EVROPIANË!, do të thoja unë, me shumë krenari, si shqiptar dhe adhurues i sinqertë i tij.

 Ndaj, si vepra gjeniale e autorit tonë, ashtu edhe vlerësimet që vijnë nga qarqet e larta evropiane e botërore për Kadarenë, janë mirënjohje edhe për mbarë popullin shqiptar”, zëri i të cilit ishte dhe mbeti gjithmonë unifikues për ne. 

 Këshillat, udhëzimet dhe porositë e urta të tij, ndikuan jo vetëm një herë si fuqi magjike, por ato edhe në momentet më kritike, bashkuan forcat e shëndosha kombëtare nga të gjitha anët e kufijve të huaj, që fatkeqësisht ende ndajnë shqiptarët. 

Vetëm porositë,veprat dhe arritjet e Ismail Kadaresë, edhe kështu si jemi, arrijnë që neve të na afrojnë dhe bashkojnë, të paktën shpirtërisht si komb.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, nderim, për të gjithë shqiptarët, Vlerësimi i Kadaresë

Shqipëria me dy fytyra dhe Konferenca e Asamblesë Parlamentare të NATO-s

May 30, 2016 by dgreca

Opinion Nga Enver Bytyçi/ Asambleja Parlamentare e NATO-s në Tiranë është dhe mbetet padyshim nje ngjarje e madhe për Shqipërinë dhe shqiptarët. Dyqind e pesëdhjetë parlamentarë të vendeve anëtare të saj për tri ditë zhvilluan një diskutim të thelluar për sfidat e sotme të Aleancës me theks të veçantë sfidën kundër Rusisë, luftën kundër terrorizmit përfshirë ISIS-in si dhe përballimin e valës së refugjatëve. Si një instrument politik i aleancës politiko-ushtarake, Asambleja Parlamentare e formuar gjashtë vite pas themelimit të NATO-s, përbën një organizëm thellësisht promovues të vlerave të demokracisë. Funksioni i saj është dhe mbetet adaptimi i një qeverisje liberale, demokratike dhe funksionale, me rregulla të qarta, të pakontestueshme dhe strikte bazuar në promovimin e shtetit të së drejtës. Pandeli Majko, sipas kryeministrit Rama, e realizoi një ëndërr të tijën, që t’i sjellë në Tiranë parlamentarët euro-atlantikë dhe të inicojë një dialog të një niveli të lartë midis palëve pjesmarrëse. Çdo shqiptar ndjehet mirë kur në Tiranë, Prishtinë ose në Shkup ndodhin ngjarje kaq të mëdha. Kjo për shumë arësye, por kryesore është promovimi i Kosovës dhe njohja e të drejtës së saj për të qenë anëtare e këtyre organizmave të rëndësishme ndërkombëtare. Kosova edhe në këtë konferencë zuri një vend të posaëëm, gjë që nuk do të kishte ndodhur, nëse kjo konferencë do të zhvillohej diku tjetër. Folën për domozdoshmërinë e anëtarësimit të saj në NATO ministrat dhe kryeministri i vendit. Dhe deri këtu shkoi mirë rezultati i kësaj konference. Po më tej? Zhvillimi i kësaj Konference të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Tiranë nxori në pah dy përqasje të ndryshme: Pozicionet e të Azebaixhanit dhe Armenisë dhe “Shqipërinë me dy fytyra”. U shfaq qartë dobësia e qeverisjes sonë në Shqipëri, dobësia e komunikimit dhe mungesa e strategjisë për t’iu përgjigjur me seriozitet sfidave të sotme. Në paraqitjen e ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, dukej qartë mungesa e vizionit dhe konceptit të tij për pozicionin tonë në NATO. Në performancën e Pandeli Majkos mungoi imazhi i bashkëpunimit politik me opozitën, por jo vetëm kaq, edhe me Presientin e Republikës, Shoqatën e Atlantikut të Veriut e më gjerë. Ai i bëri pjesë të Konferencës shumë ministra e qeverisë Rama, duke shpërfillur rolin e qeverisë së Partisë Demokratike dhe ish-kryeministrit Sali Berisha për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, pa të cilën Majko dhe Rama nuk do të mund të prezantoheshin këto tri ditë si aleatë të ngushtë të NATO-s në Tiranë. Ministrja Kodheli ishte më shumë se butaforike në fjalën e saj. Ajo me një ton urdhërues dhe aspak etik iu drejtua pjesmarrësve si të ishte në një auditor oficerësh të Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa kryeministri Rama bëri atë që di të bëjë: Të shkaktojë të qeshura në auditor me batutat e tij tashmë të shplara, por që ai i beson në rolin e liderit botëror. Konferenca e Asamblesë Parlamentare të Europës në tri ditët e saj u shqoërua gjithashtu me debate të shumta, me kritika dhe konstatime të vlefshme. Në të u trajtuan tri temat kryesore të ditës: Së pari roli destruktiv i Rusisë për paqen dhe sigurrinë në Europë e më gjerë. Së dyti, lufta kundër terrorizmit dhe organizatës së shtetit islamik ISIS. Dhe, së treti, çeshtja e refugjatëve dhe rreziku që kjo valë e fuqishme e tyre të destabilizojë kontinentin europian. Por ndërsa diskutohej çeshtja e refugjatëve, duke përmendur sidomos konfliktin në Siri, lajmet bënë të ditur një fenomen të ri për largimin e shqiptarëve nga vendi. Për herë të parë u njoftua se gomonet çojnë refugjatë shqiptarë nga brigjet lindore të Adriatikut në drejtim të brigjeve të ishullit britanik. Nuk kishte ndodhur ndonjëherë ky fenomen i trishtë. Ndërkaq një doktor shkencash, doktoruar në universitetin italian “La Sapienza”, Rezart Bejko, mori familjen dhe iku për Itali, për të mos e kthyer më kokën prapa. Vendi i tij nuk ka nevojë për të. Absurdi është se doktori i shkencave në Shqipëri ka një pagë mujore sa të një arsimtari, më shumë se dy herë më të ulët sesa akademikët e ligjëruesit në universitetet e Kosovës. Ministri i Jashtëm dhe ministrja e Mbrojtjes, në vend të flisnin për këtë hemoragji akademike, u mburrën në Asamble se do të “ngrejnë një grup elitar” për çeshtjet e ekstremizmit dhe terrorizmit. Dhe kur një deputet britanik bëri pyetjen në adresë të Ditmir Bushatit: “A keni ju politika për diasporën”?, Bushati u përgjigj sikur të ishte një ministër i “Punëve të Kota”: “Diaspora është një asset”, tha ai. Ndërsa ministrja e Mbrojtes, Mimi Kodheli, kur u pyet nga një deputet britanik se “Pse e keni ulur buxhetin për mbrojtjen”’- u përgjigj kësisoj: “Para 90-ës tek ne i gjithë populli ishte ushtar”. Turpe e skandale si këto e kanë zhvleftësuar plotësisht imazhin që duhej të fitonte vendi nga prania në Tiranë e Aasamblesë Parlamentare të NATO-s. Ndërsa zoti kryeministër në vend të fliste për përgjegjësitë e tij sa i përket fenomenit të ikjes së shqiptarëve nga Shqipëria, vazhdoi ritualin e replikave për Bexit-in britanik dhe “dobësitë e Europës”, dobësi të cilat e bllokojnë integrimin e Shqipërisë, sipas tij. Atij nuk i bën përshtypje deklarata e kryeministrit britanik, sipas të cilit “të krahasosh Britaninë,,, ekonominë e pestë më të madhe në botë, me Shqipërinë, një vend dëshpërimisht të varfër, që ka zënë radhën prej kohësh për të hyrë në BE, është diçka qesharake”. Në vend që të fliste për sfidat e sigurisë, për rrezikun rus, kërcënimin e terrorizmit etj ai iu drejtua pjesmarrësve me thirrjen që të frekuentojnë turizmin e ndotur e të shpifur të bregdetit shqiptar. Po jo vetëm kaq, i paralajmëroi asambleistët e NATO-s se “Nuk keni parë gjë akoma”!!! Shqipëria e sotme është vendi i dy fytyrave, u shpreh një deputete gjermane e Asamblesë Parlamentare të NATO-s. Në fakt është më shumë se kaq, sepse deputetja në fjalë foli thjesht për varfërinë dhe pabarazinë e zhvillimit të vendit. Kjo është njëra nga pamjet, ndërkohë që pamja tjetër është akoma më e trishtë. Ndërkohë që Asambleja zhvillonte punimet nga bregu perendimor i Adriatikut, pra nga Bari i Italisë vjen lajmi bombë: “Një ton e 200 kg drogë, armë dhe tritol”të sekuestruara nga rojat bregdetare të vendit fqinjë. Droga dhe armët në Greqi, në Itali e deri në Hollandë e Britaninë e Madhe nga organizatat shqiptare të trafikut, së bashku me valën e refugjatëve me gomone e në forma të tjera drejt vendeve të BE-së, përbëjnë pamjen trishtuese të vendit ku u mbajt kjo konferencë. Në këto kushte Pandeli Majko i ka bërë një nder të madh presidentit të Republikës, zotit Bujar Nishani dhe opozitës shqiptare, kur ai nuk u ka dërguar ftesë për pjesmarrje në konferencë. Çdo president dhe politikan do të skuqej e turpërohej përballë një auditori që ndërsa sheh në podium ministra e kryeministrin butaforik, lexon njëkohësisht në ekranin e telefonit të tij celular lajmet tronditëse që vijnë nga Shqipëria e që në këtë konferencë trajtohen si sfidat e NATO-s. Një president serioz dhe sedërli do të skuqej nga paradoksi i moralit që jepet në një konferencë të tillë në kontrast me realitetin. Tirana u bë formalisht qendra e diskutimit për zgjidhjen e problemit dhe sfidave të NATO-s, por parlamentarët e vendeve europiane nuk munguan të shquajnë faktin se problemi është vetë Shqipëria, qeverisja e saj jo demokratike, pabarazia dhe diskriminimi i qeverisë për zonat rurale, pjesmarrja dhe implikimi në aferat e trafikut të drogës, prostitucionit etj. Së paku në çeshtjet e trafiqeve dhe refugjatëve. Por edhe në çeshtjet e tjera të sigurisë në rajon, kontinent e më gjerë. Disa ministra, sidomos zonja Kodheli, folën për sfidën ndaj Rusisë. Por ndërkohë asnjëri prej tyre nuk përmendi modelin rus të aplikuar në qeverisjen e vendit nga ana e rilindjes. Në fund të fundit Asambleja Parlamtare e NATO-s ka mission demokracinë dhe promovimin e saj. Ndërkohë pikërisht këto probleme nuk u përmendën nga përfaqësuesit e Shqipërisë, përveçse një fjalie të Ditmir Bushatit, kur tha se “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO ishte razultat i zhvillimit të demokracisë në vend”. Kësisoj pala shqiptare u shfaq gjithkund e për gjithçka me dy fytyra. Me dy fytyra në zhvillimin e vendit e luftën kundër varfërisë, me dy fytyra në ndaljen e valës së refugjatëve, me dy fytyra në modelin e qeverisjes, me dy fytyra në çeshtjet e luftës kundër krimit, si parakusht edhe për suksesin e luftës kundër terrorizmit e ekstremizmit. Kjo dyftyrësi për fat të mirë u mor përsipër vetëm nga mazhoranca, e cila me cinizmin e saj e kurseu nga kjo dyftyrësi presidentin dhe opozitën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, Konferenca e Asamblesë, Parlamentare të NATO-s, Shqipëria me dy fytyra dhe

Si po trajtohen ndërtimet në Kosovë

May 30, 2016 by dgreca

Shkruan: arch. Ylber Vokshi -Ylli/

Nuk është aspak fshehtësi se procesi i ndërtimeve në Kosovë,në vitet e pas luftës, kishte shërbye si mjet për pastrimin e parave,kjo ka ndodhur edhe në vendet e tjera ku ka pasur kriza të ndryshme,ku sistemi bankar i ka lejuar këto veprime. Kjo duhej të ishte kompetencë dhe obligim i aparatit shtetëror për të parandaluar këto veprime,që në rastin tonë nuk ka ndodhur,edhe se rregullativa ligjore ekziston.

Po punohet kështu këto vite pa u penguar nga askush në ndërtimtari,si një nga sektorëve ma fitimprurëse në Kosovë. Nuk më përket mua të zgjidhi problemet e kësaj natyre në shtetin tonë,që skajshmërisht dëmton ekonomikisht dhe politikisht reputacionin e vendit dhe e rendit në kategorinë e vendeve ku nuk sundon ligji,shtet jo serioze për të investuar,çka realiteti i hidhët po e tregon këtë.

Nuk iu mjaftuan këto “benifite”,përfitime marramendëse që i patën në token e premtuar,në vendin e mundësive,në parajsën e jo ligjshmërisë,së paku është dashur të respektojnë rregullat elementare të ndërtimit,të rëndësishme  ishin vetëm fitmet e mëdha materiale e asgjë tjetër. Sa për respektimin apo zbatimin e ligjeve apo normave dhe standardeve të ndërtimit apo të planifikimit hapësinor dhe urban,as që mundet të bëhej fjalë. Ekzistonte një koncenzus në mes tyre dhe organeve shtetërore për të punuar ashtu,edhe se kishte ligje dhe dokumente hapësinore valide në fuqi.

Sa të mjerë jemi si shoqëri që lejuam këtë kategori keqbërësish dhe profiterësh të veprojnë kështu me territorin e Kosovës,i cili në aspektin hapësinor dhe urban kishte filluar të krijonte një identitet fillestar urban,që vërehej në çdo hap. Natyrisht për krijimin e parakushteve për veprim e kishin ndihmën e pa rezervë të faktorëve vendimmarrës në Kosovë,të cilët as që u brengosën për pasojat katastrofale që po i përjetojnë sot, dhe në të ardhmen gjeneratat që duhet të jetojnë dhe verojnë në këto hapësira. Si rezultat i tërë këtyre ndërtimeve,të pa kontrolluara nga shteti,do të ballafaqohemi me probleme të pa imagjinueshme me kosto të madhe, që nuk do ti kishim nëse do të ndërtohej ashtu si e kërkojnë ligjet,normat dhe standardet e ndërtimit.

Faktori kryesor duhej të ishte SIGURIA e ndërtimeve të bëra në këto vite, pa përcjelljen e tyre nga një organ i pavarur profesional (mbikëqyrja teknike),e cila do të kontrollonte dhe verifikonte anën teknike në tërësi të gjitha ndërtimeve. Tërë pjesëmarrësit në ndërtim në mënyrë të pa shpjegueshme i kanë anashkaluar këto procedura të domosdoshme për ndërtime.

Si shembull tipik i kësaj mënyre të punës më duhet të përmendi rastin që ka ndodhur në Prishtinë, me ndërtimet me leje në lagjen “Arberia 3”. Rezultatet e elaboratit gjeologjik,pas një hulumtimi detal të punuara nga një Institut gjeologjik Kroat,rekomandon kushtet e duhura për ndërtime në atë teren jo-stabil. Punë e cila është dashur të bëhet para fazës së përpilimit të planit rregullues për atë lagje, në të cilën dikur ishin të ndaluara ndërtimet e ulëta, e le ma si është lejuar me ndërtime të larta pas luftës. As vet nuk e dinë me cilat kritere të ndërtimit janë dhënë lejet e ndërtimit,pasi nuk kishte elaborat adekuat gjeologjik,dhe nuk ishte respektuar as etazhiteti i planit rregullues urban të lagjes. Mundemi të supozojmë se cilave shpenzimeve materiale iu janë nënshtruar ndërtuesit në atë zonë.

Pas plasaritjeve në objektet e ndërtuara,rrëshqitjeve të dheut dhe shembjes së rrugës në brendi të kompleksit,përgjegjësit komunal u detyruan të ndërmarrin hapa konkrete për të sanuar situatën e krijuar,që do të ketë kosto të madhe materiale.  Ndjenja e pa sigurisë do të jetë prezentë edhe disa vite tek banorët e kësaj lagjeje. Pyetja thelbësore duhet të jetë se kush duhet të jap përgjegjësi apo llogaridhënie për veprimet e bëra dhe shqetësimin me të drejtë të banorëve. Raste të ngjashme kemi në Prishtinë dhe vendbanimet tjera në Kosovë si rezultat i abuzimeve të shumta, posaçërisht me territorin urban të qyteteve tona.

Ajo çka ma së shumti brengos është sjellja e komunitetit profesional të shumtë,  pjesëmarrës në procesin e ndërtimit,në këto 17 vitet e fundit. Ata së pari është dashur të dinë aspektin e sigurisë dhe pasojat që i implikon kjo mënyrë e punës,në të cilën ishin pjesëmarrës aktiv edhe vet dhe duhej të reagonin unanimisht. E di se arkitektët e Kosovë kanë ditur të bëjnë “demonstrata” për të bllokuar procesin e licencimit të arktikëve dhe të tjerëve që janë pjesëmarrës në procesin e ndërtimit,e jo të ngritin zërin e arsyes me atë që po ndodhte në Kosovë në këto vite. Ishte ky veprim dëshpërues i të gjithë atyre që nuk ishin të interesuar që profesionistët,të iu nënshtrohen kontrollit shtetëror të punës profesionale në ndërtime, si në tërë botën e civilizuar që kam menduar se i takojmë,

I lejuam këto vite ndërtimet pa leje e me leje abuzive,nuk u respektuar as rregullat elementare të ndërtimit,nuk u respektuan ligjet e shumta që mbulojnë këtë veprimtari. Menduan se u pasuruan disa grupe të interesit me premisa abuzive, që në këtë fushë e gjetën parajsën e premtuar,të gjitha këto përfitime po i humbin dhe do të bankrotojnë financiarisht,të vetmit përfitues përkohësisht do të jenë ata që i lejuan ato ndërtime në princip abuzive. Nuk u brengosën në pasojat e mëdha të imponimit të lëvizjes së popullsisë,në ato financiare,psikologjike,sociologjike,e çka është ma tragjike me pasojat afatgjate të humbjes së identitetit urban të qyteteve tona, që në kohën e globalizmit është rrezik permanent,me të cilin po ballafaqohen edhe shoqëritë ma të avancuara se ne.

Është tërësisht jo serioze se si pas 17 vite po tentohet që me një ligj të ri të trajtohen ndërtimet pa leje,me metoda joshëse, që aspak nuk munden me qenë të bazuara në logjikën e shëndoshë të një shoqërie. Ma në fund Ministria (MMPH) dhe Komunat detyrimisht e kanë kuptuar se identifikimi i ndërtimeve pa leje është obligim parësorë i tyre,e jo dëshirë apo vullnet i paraqitjes së ndërtimit nga ata që kanë ndërtuar në këtë mënyrë. Askund në botë rregullimi i territorit nuk varret nga disponimi i individit,ai duhet të jetë obligim parësor i Shtetit,e jo të luhen këso lojëra me interesin e përgjithshëm.

Nuk zgjidhet kjo problematikë me ndryshimin,plotësimin e ligjit aktual nr 04/L-188, apo me një ligj të ri pasi i kaluari dështoi. Kjo problematikë është shumë ma komplekse, duhet analizuar dhe ri-shqyrtuar shkaqet përse u injoruar ky ligj nga ata që kishin ndërtuar pa leje,përse numri i atyre që aplikuan për legalizim ishte simbolik,vetëm 2493 veta ma pak se 1%,nga numri i përgjithshëm i të paraqiturve në 28 komuna që është zyrtarisht 352 836 raste. Në thelb është mos gatishmëria e vendimmarrësve tonë me e zbatuar ligjet,blerja e kohës deri sa të “harrohet” kjo çështje dhe të jetësohet në praktikë ky realitet që vetë e kanë lejuar.

Gjeneratat e ardhshme do të jenë të detyruara të bëjnë rehabilitime urbane të domosdoshme, kostoja e të cilave do të jenë shumë ma të mëdha se përfitimet e parapara nga legalizimet e propozuara. Në një mënyrë po shpërblehen me benificione të pakuptimta atë që kanë ndërtuar pa leje,që nuk e kanë respektuar ligjin dhe shtetin. Si me u arsyetuar ndaj atyre që kanë respektuar ligjet e ndërtimit dhe kanë ndërtuar me leje. Aspak nuk munden të krahasohen faljet e borxheve të ndryshme që kanë ndodhur në Kosovë,në intervale të ndryshme kohore me procesin e legalizimit të ndërtimeve pa lejë.

A janë të vetëdijshëm këta zotëri për pasojat afatgjatë që do të shkaktojnë këto veprime në fushën e ndërtimit. Koha e tyre po kalon,nuk do të ketë ma ndërtime pa planifikim të mirëfilltë hapësinor dhe urban,këtë edhe ata po e ndjejnë,pasi gjeneratat e reja të profesionistëve nuk do të lejojnë ma këso veprime në territorin e Kosovës edhe ashtu të vogël e të varfër. Apeloi të kokat e pakta progresive në Kosovë që me forcën e argumenteve të senzibilizojnë opinionin me pasojat dhe të kundërshtojnë,të stopojnë këto veprime të dëmshme për të ardhmen e gjeneratave të reja.

arch. Ylber Vokshi -Ylli

arkitekt i pavarur

*Autori është ish-Kryetar i Këshillit për Planifikim Hapësinor të Kosovës (KPHK),

Prishtine, 30.05.2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Si po trajtohen ndërtimet në Kosovë, Ylber Vokshi-Ylli

VERILINDJA PA ASNJË UNIVERSITET !?

May 28, 2016 by dgreca

Dua që shteti ta kuptojë se i ka borxhe të mëdha Verilindjes, borxhe që nuk ia paguan dot kurrë, as me një apo dy universitete…

* * *

Dibra, kur u “ndanë vëllezërit” mbeti “vëlla pa shtëpi”, “vëlla i ndarë për mort e për dasmë”, i “truem” …
Dhe jo vetëm Dibra, e gjithë Verilindja.
Pisha e dijes, me mbylljen e degëve universitare shtetërore në Peshkopi e Kukës u shua, mbase një herë e përgjithmonë…

Verilindja, në përbërjen gjeografike Dibër, Bulqizë, Mat, Mirditë, Kukës, Krumë, Pukë dhe Tropojë nuk ka asnjë universitet.
Në fund të viteve tetëdhjetë kjo trevë e gjerë prodhonte shtatëdhjetë e pesë për qind të produktit shoqëror. Nga kjo hapësirë gjeografike merrej pa kthim në investime për TË: kromi (deri në një milionë tonë në vit) i Bulqizës, Batrës, Selishtës, Tërnovës, Kamit… bakri i masivit të Mirditës dhe Pukës, lënda drusore e pyjeve të mëdhenj të Lurës, Pratit, Tërnovës, Masdejës, Mirditës, Pukës… mermeri i kuq i Muhurrit…
Në Rubik ishte ndërtuar një uzinë me teknologji moderne për kohën e cila i jepte vendit jo kilogramë, por kuintalë ari të pastër shqiptar, bakër blister për eksport e bakër për uzinën e telave elektrikë të Shkodrës…
Në Burrel u ndërtua një uzinë për shkrirjen e kromit dhe eksportimin e tij si metal ferro-kromi…
Lugina e Drinit të Zi në Dibër kishte plantacionet më të mëdhenj të pemëve frutore kurse Tropoja plantacionin më të madh të gështenjave që siç thuhej “vrapi i një kali nuk e përshkonte dot nga cepi në cep, nga lindja në perëndim të diellit”…
Në Peshkopi që nga viti 1946 bankat e Shkollës së Mesme Pedagogjike, u mbushën me djem e vajza nga Dibra, Mati, Mirdita, Kukësi, Puka e Tropoja dhe u shpërndanë në të gjithë Verilindjen për të përcjellë dritën e diturisë.
Në Peshkopi në vitin 1959 u hap Shkolla e parë e mesme bujqësore për të gjithë Verilindjen prej ku dolën me qindra specialistë të mesëm të bujqësisë e në vazhdim specialistë të lartë.
Kaq dha e kaluara.
E sotmja, demokracia, edhe ata që kishin i shoi si shuhet shkumësi mbi dërrasën e zezë….
Shkolla e mesme pedagogjike e Peshkopisë u mbyll…
U hap një degë e universitetit të Durrësit në Peshkopi…
U mbyll…
U hap një degë e universitetit në Kukës…
U mbyll…
Në Tiranë ka 7 universitete shtetërore dhe disa universitete private.
Në tërë Shqipërinë ka 7 universitete shtetërore. I Shkodrës, Gjirokastrës, Durrësit, Elbasanit, Korçës dhe Lushnjës, përveç universiteteve private në disa qytete.
Në Veri të Shqipërisë ka vetëm një universitet, Universiteti i Shkodrës, kundrejt gjashtë universiteteve në jug të Shqipërisë.
Në verilindje të Shqipërisë nuk ka asnjë universitet. Edhe dy degë që ishin u prenë me sëpatën e shtetit.
Peshkopia dhe Kukësi janë dy qytete që u krijuan pas prerjes për kurrizi të Shqipërisë nga hanxhari i Londrës ’13. Qendrat e tyre të kulturës dhe të tregut ishin Dibra e Madhe dhe Prizreni.
Hapja e degëve universitare në Peshkopi e Kukës gëzoi shqiptarët e Dibrës së Madhe dhe më gjerë deri në Gostivar, Tetovë, Kërçovë. Ishte gjëja më e bukur e bashkimit të shqiptarëve në një tempull dije dhe kulture…
Hapja e degës universitare në Kukës gëzoi shqiptarët e Prizrenit, Gjakovës, Pejës dhe më gjerë. Ishte gjëja më e bukur pas pritjes së kosovarëve në ditët e tyre më të vështira…
Shikuar në këtë kënd Dibra dhe Kukësi duhet të kishin jo një “degë të tharë universitare” por një Universitet të plotë me të gjitha hapësirat.
Dibra në rrugën e vet historike kishte krijuar “Universitetin Popullor”, një lloj universiteti ku emra të mëdhenj i kanë vlerësuar me notat më të larta “leksionet” që morën gjatë disa ditëve ose muaj qëndrimi si misionarë të një kohe të re.
Reginald Hibbert dhe Julian Emery përkatësisht shkruanin:
“Unë kam mbaruar universitetin e Oksfordit, por mbarova edhe një universitet të dytë, atë të Dibrës”
“…Katër ditë në Dibër më kishin mësuar më shumë për thelbin e politikës, se sa të gjitha librat për teorinë e kushtetutës dhe ekonomisë politike që i kisha lexuar në Oksford”.
Trevat Verilindore të Shqipërisë kishin dhe kanë nevojë për dije e kulturë. Djemtë dhe vajzat e Verilindjes duhet të studiojnë në universitete në qendra të trevave të tyre. Të paktën në Peshkopi dhe Kukës.
Peshkopia (Kukësin nuk e njoh) e ka të plotë infrastrukturën për universitet. Simbolike dhe e bukur ishte se dega e universitetit të Durrësit u hap në mjediset e ish Shkollës Pedagogjike, themelet e së cilës ishin hedhur që në vitin 1946.
Në Shqipëri politikanët flasin deri në ngjirje për turizëm deti e mali. Harrojnë se ka edhe një lloj turizmi shpirtëror, turizëm që i afron njerëzit dhe i fut në kujtesë tërë jetën. Përfytyroni djem dhe vajza të ardhur në Universitetin e Peshkopisë nga Dibra, Struga, Gostivari, Kërcova e më gjerë. Përfytyroni djem e vajza të ardhura në Universitetin e Kukësit nga Prizreni, Gjakova, Peja e më gjerë, deri në Preshevë e Bujanovc. Për muaj të tërë, për vite studimi, ata do të jenë mysafirë të familjeve të Kukësit e të Peshkopisë. Familjet mikpritëse do të përfitojnë po aq sa fitojnë e ndihmojnë ekonominë e tyre ata që strehojnë studentët në Tiranë, Shkodër, Durrës, Vlorë, Elbasan…
Kukësi është “dy orë larg Tiranës” dhe pedagogët cilësor mund të vijnë po aq shpejt sa një mësues shkon nga Kukësi në Bicaj.
Peshkopia, me nxitjen edhe të intelektit të ri universitar të saj, do të afrohet me Tiranën me Rrugën e Arbrit në po atë largësi sa Tirana me Fierin.
Vetëm 30 kilometra është Dibra e Madhe nga Peshkopia…
Po kaq është edhe Prizreni nga Kukësi…
Dikush, nga ata që për turp zihen në Kuvend çdo seancë, do të thotë se me këto shënime po bëj lojën e njërës apo tjetrës parti duke e ndarë Shqipërinë në Jug e në Veri. Gabohet. Nuk jam prej atyre që hy në këtë hulli. Shqipëria është një që nga skaji më jugor i saj deri në atë më verior e lindor, deri tutje ku flitet shqip e këndohet shqip.
Dhe nuk dua që mesazhi im të futet vrimave të errëta të ndarjes krahinore. Dua që shteti ta kuptojë se i ka borxhe të mëdha Verilindjes, borxhe që nuk ia paguan dot kurrë, as me një apo dy universitete…

Abdurahim Ashiku

28 qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Abdurrahim Ashiku, pa universitet, Verilindja

SHQIPËRIA ETNIKE ËSHTË NJË REALITET DHE JO ËNDËRR ROMANTIKE

May 26, 2016 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/

Kohëve të fundit jemi dëshmitar që në trojet etnike shqiptare po ndodhin shumë gjëra të pahishme, po ndodhin shumë pabesi, janë përzier shumë rryma politike aziatike dhe karpatjane të cilat po mundohen t’i nxën frymën idealit të shenjët kombëtar Shqipërisë Etnike. Madje këto rryma nuk lënë asnjë instrument destruktiv pa përdorur për të krijuar huti dhe mbjellë defitizëm në popullin shqiptar se Shqipëria Etnike qenka një ëndërr romantike dhe se ajo ëndërr nuk do të realizohet asnjëherë sepse situatat politike në botë qenkan të tilla sa nuk po e lejuakan bashkimin e Shqiptarëve në një shtet të përbashkët. Edhe në prag të shpalljes së Pavarsisë së Shqipërisë para 28 Nëntorit 1912, shumë grupe politike me mendësi aziatike e kishin hedhur parullën tashë të mirnjohur „ Duam Babën e jo Shkabën“, që në gjuhën politike do të thotë se e duam baba sulltanin dhe jo shqiponjën dykrenare. Për inati të kësaj mendesie aziatike, që fatkeqësisht persona te till,  flisnin shqip por vepronin arabisht e turqisht Shqipëria u bë por jo e tëra. U shpëtua gjysma e Shqipërisë aq sa u mundë të shpëtohet nga miqët tanë Perëndimor dhe nga rezistenca kombëtare shqiptare që prej vitit 1910-1912 , kjo rezistencë ishte mjaftë aktive dhe nuk u pushua asnjëherë. Shteti Shqiptarë e vazhdoi shtegtimin edhe pse më zemër të plagosur dhe më plagë në shpirt për pjesët e saja që mbetën jashtë Shqipërisë. Idealistët shqiptarë nuk e ndalën turrin e tyre. Por dikush me penë e dikush me kobure vazhduan në rrugëtimin e ndërtimit të shtetit Shqiptarë. Quditërisht ata që e donin më shumë babën se shkabën, u infiltruan në të shumtën e rasteve nëpër pozicione të ndryshme politike saqë atdhetarët e mirfilltë që e krijuan Shqipërinë shpesh herë shikonin me habi se cka ndodhi më adhuruesit e baba Sulltanit, a thua iu kthyn në mbrojtës të atdheut, apo prap vazhdojnë më politikën e barkut .

Koha kalonte rezistencat shqiptare vazhdonin përseri dhe erdhi fundi i viteve të nëntëdhdhjeta. Filloi një rezistencë e madhe Kombëtare për themelimin e shtetit të dytë Shqiptar të Kosovës. Edhe në këtë rast nipat e atyre që e donin babën e jo shkabën, e kishin ndryshuar stratëgjin. Ata për rreth pesë dekada ishin në shërbim të Beogradit dhe pjesmarrës në masakra kundër Shqiptarëve në përiudhnën kohore 1944-1999 kohë kur u ripushtua Kosova dhe viset e tjera Etnike Shqiptare nga regjimet pushtuse Titiste dhe Millosheviqiste. Edhe kësaj radhe bijtë e proletarve komunistë filluan me parollën „Nuk mundet mu Shkatrru Jugosllavia !“ , ’’A e dini se sa shtet i Fuqishem është ?“, „e ka në krahë Rusinë “, dhe shumë pallavra tjera Udbasho – komuniste. Por edhe në këto raste ata që tash hoqën dorë prej shkabës, dhe e puthnin yllin e kuq komunistë me një besnikëri i mbronin dhe sot e kësaj dite vazhdojnë t’i mbrojnë baballarët e tyre të kuq. Por për fatin e tyre të keq shteti i tyre që kishin ngrën me lug të arit iu shkatrru. Ju ba copë e grim. E të tillët përdorën të njëjtën strategji sikurse në vitin 1912 – të , ata filluan uzurpimin e institucioneve Shtetërore në Kosovë, dhe morën komplet në dorë frerët e shtetit, me ndonjë ndryshim të vogël. Filluan të flasin me zë të lart se ata kanë qenë dhe janë mbrojtësit e Pavarsisë së Kosovës. Sa që edhe kësaj radhe mbetën të hutuar elita e Nacionalizmës Shqiptare se cka po ndodh kështu. E tash ata e kanë filluar një strategji dhe propagandë tjetër politike. Ata thonë se asesi nuk mund të arrihet  bashkimi i Trojeve Shqiptare se duhët të shkatrrohën shumë shtete, dhe kjo nuk është në planet e Evropës dhe të Amerikës. E unë iu them direkt se edhe për të tretën herë ju pasardhës të babës e jo të shkabës, ju që e perqafuat yllin komunsit në vend të shqiponjës dykrenare, do të digji keq edhe herën e tretë . Planet afatshkurtera dhe afatmesme të Bashkimit Evropian, dhe të Amerikës, parashohin një Evrop Juglindore apo siq quhet ndryshe Ballkan, të qetë. Qetësia në Ballkan nuk mund të arrihet me krijimin e shteteve artificale por vetëm , me krijimin e shteteve nacionale. Me këtë rast adhuruesit e babës dhe adhuruesit e yllit të kuq komunist, do të bien serish. Por Nacionalizma nuk guxoj të bëj edhe për të  tretën herë gabimin e dy herave tjera që ata sërish të dalin në krye të vendit, dhë të thonë se ne kemi qenë bab e babgjysh për bashkimin kombëtar, por që kohërat kanë qenë të tilla, dhe nuk kemi guxu me fol haptas. Të tillët që bëjnë propagandë kundër Bashkimit Kombëtar,duhet  të evidentohen, dhe nuk duhet t’u lejohet kurrsesi që në të ardhmën, të infiltrohen nëpër Partitë Politike që synim e kanë Shqipërinë Etnike. Adhuruesit e baba Sulltanit, si dhe ata të yllit të kuq komunistë, do të dëshprohen edhe kësaj radhe. Evropa dhe Amerika tani më e ka caktuar, në projektet afatshkurtera dhe afatmesme, që në Evropën Juglindore të krijohet një Shtet i fortë shqiptarë. Madje Shqipërinë Etnike do ta bëjmë edhe për inat të disa Shqiptarve që këtë shtet që është i lejuar me cdo konvent ndërkombëtare e shohin si utopizëm romantik, e jo realitet politik.

Filed Under: Opinion Tagged With: Mr.sc.Nue Oroshi, Shqiperia Etnike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 573
  • 574
  • 575
  • 576
  • 577
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT