• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Përgjegjësia individuale” e deputetëve kriminelë!

June 10, 2016 by dgreca

Opinion nga Enver Bytyçi/

Faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit shqiptar që të votojnë draftin e Edi Ramës për reformën në drejtësi sipas përgjegjësisë individuale. Kjo thirrje do t’i bashkojë për herë të parë të gjitha vullnetet e deputetëve kriminelë dhe të ashtuquajturve deputetë idealistë e komercialë në votimin që pritet të ndodhë gjatë muajit qershor. Armando Prenga do të jetë atë ditë në parlament për ta dhënë përgjegjësinë e tij personale si deputet dhe do të votojë për reformën që e bën Edi Ramën despot të këtij vendi. Eshtë ai, për të cilin Rama thotë se “e ka përjashtuar nga Partia Socialiste”. Do të “ushtrojnë përgjegjësinë e tyre individuale” gjithashtu të gjithë ata deputetë që nga Edi Rama përfitojnë tendera, koncensione, favore, përfshirë dhe deputetët që kontrollojnë parcelat e kanabisit në këtë vend. Këta do t’ia japin kryeministrit despot të gjitha pushtetet me kushtetutë. Kush nuk e beson këtë, le të shohë se si sillet ai dhe si do të sillet këto ditë të ardhshme kundër prokurorisë dhe gjykatës, të cilat për herë të parë po dalin nga rrethi vicioz i apatisë për të ndëshkuar krimin qeveritar, i cili nga rrezikshmëria dhe dëmet që shkakton është i barabartë me të gjitha krimet ordinere të qytetarëve shqiptarë të marrë së bashku. Krahas Armando Prengës dhe sojit të tij kriminal në parlament këtë përgjegjësi individuale do ta ushtrojë edhe Ben Blushi. Së paku kështu deklaroi kritiku i ashpër i Ramës mbrëmë në emisionin e Ylli Rakipit në Ora Neës, “Të Paekspozuarit”. Por do ta ushtrojë këtë përgjegjësi gjithashtu Gramoz Ruçi, dhëndërrit dhe vajzës së të cilit Edi Rama i fali miliona euro të investuar nga Banka Botërore në impiantin e sterilizimit të spitalit “Nënë Tereza, gjithnjë në formën e PPP të koncensionit. Nuk dihet si do të bëjë Namik Dokle, por nuk ka gjasa që t’i shkëputet valles së rilindjes. Deputetët e LSI-së janë në rrjesht – asnjëri prej tyre nuk pritet të mos përdorë “përgjegjësinë individuale të Ilir Metës” në votimin e këtij drafti. Përgjegjësia individuale e LSI përdoret vetëm atëherë kur Ilir Meta kërcënon Ramën, duke e shkarkuar përgjegjësinë e tij te deputetët e bindur e të përulur deri në këmbët e kreut të partisë. Ndërsa deputetët e Shpëtim Idrizit në shumicë do ta ushtrojnë dhe ata “përgjegjësinë individuale” dhe do ta votojnë Edi Ramën si monark të këtij vendi, me shpresën jo për të zgjidhur çeshtjen çame, por për të kapë një kockë dikasteri. Nuk dihet vetëm përdorimi ose jo i përgjegjësisë “individuale” të dy prej këtyre deputetëve, të cilët janë rendit djathtas. Ndërsa Vangjel Dule i merr urdhërat nga Athina, çfarë t’i thonë ata, atë do të votojë ai. Opozita ka deklaruar se nuk do të përdorë këtë “përgjegjësi” individuale e as kolektive për ta votuar variantin më të keq të mundshëm për kapjen politike të gjyqësorit dhe drejtësisë. Megjithatë Edi Rama është betuar se do t’i blejë me çdo çmim disa prej këtyre deputetëve. Me siguri që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën plenare të votimit të të ashtuquajturës reformë, që synon eleminimin e krerëve të drejtësisë së sotme, të cilët shihen si rrezik për hetimin e krimeve të kabinetit qeveritar “Rama”. Por nuk dihet nëse do ta bojkotojnë aleatët e Partisë Demokratike, republikanët dhe Dashamir Shehi. Edhe pse ata i janë bashkuar publikisht qëndrimit të PD-së, në emër të fleksibilitetit mund të thonë se, ndryshe nga PD, do të jenë të pranishëm në votim. Prania në votim do të thotë rrjedhje e votës nga e djathta në favor të projektit shkatërrues të kryeministrit për drejtësinë në këtë vend. Ka mundësi që ndonjë deputet i grupit të demokratëve të kërkojë në këmbim të ofertës së Edi Ramës “ushtrimin e përgjegjësinë e tij individuale” për votimin e ligjeve kushtetuese. Por në rastin e bojkotit të seancës nga grupi, ky ose këta deputetë do të shiheshin si “delja e zezë” e familjes politike ku ata bëjnë pjesë. Nëse ka nga ata që për një grusht euro do të bëjnë metamorfozën e ngjyrës dhe pamjes, është mirë që tani të ndahen dhe të shkojnë në stanin e “përgjegjësive individuale”. Përgjegjësia individuale e deputëtëve në çdo vend normal të botës shkon në favor të interesit publik dhe të qytetarëve. Nëse është interes i këtij vendi dhe i qytetarëve uzurpimi i pushtetit gjyqësor dhe komandimi i tij nga pushteti ekzekutiv, atëherë Shqipëria nuk mund t’i përkasë Europës, me ç’rast u thuhet deputetëve se me këtë reformë Shqipëria hap negociatat për pranim në BE. Edhe nëse formalisht do të shkohej të hapja e negociatave, ato do t’i bllokojë diktatura e konfirmuar me kushtetutë, të cilën Edi Rama do ta ushtrojë në formën erdoganiste të pushtetit dhe do ta largojë Shqipërinë nga Unioni Europian. Janë bërë 12 vite që Turqia ka hapur negociatat për t’u pranuar në BE. Por as ka gjasë që të qaset me metodat e tij autoritariste të ushtrimit të pushtetit në dyert e Brukselit. E njëjta gjë do të ndodhë me Edi Ramën, i cili tashmë është familjarizuar me metodat autoritariste të Erdoganit dhe “suksesi” I miratimit të kësaj reforme do ta nxisë të ndërtojë një pallat presidencial për veten e tij. Megjithatë unë shoh edhe një shans për kompromis: Më 14 qershor vjen në Tiranë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank–Valter Steinmeier dhe ka mundësi që të gjendet një zgjidhje kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës. Drejtorja për Ballkanin në Komisionin Europian dha sinjalet se po bëhen përpjekje në këtë drejtim. Le të shohim e të bëjmë. Skenari i djeshëm që Edi Rama e shpalli në foltoren e parlamentit, gjithësesi është më i keqi i mundshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: "Përgjegjësia individuale", e deputetëve kriminelë!, Enver Bytyci

Kryepeshkop Anastasios rreshton KOASH kah kishave grekofone

June 10, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Ashtu siç pritej, Ministri i jashtëm i Greqisë z. Nikos Kotzias vizitoi edhe “kryebariun” e shqiptarëve, kryepeshkop Anastasin në selinë e tij. Kështu, ministri grek, nuk bëri asgjë më tepër nga çdo të kishte bërë çdo zyrtar i lartë i Greqisë, nëse do të vizitonte kishat helenofone të botës. Me këtë praktikë, shteti grek tregon haptazi se e konsideron dhe e trajton KOASH-in, ashtu si Patrikanat e tjera greko-ortodokse. Në MPJ greke, ekziston zyra e çështjeve kishtare (EE), që koordinon politikat dhe lëvron fondet për kishat greke të botës, me anë të të cilave arrihet edhe e ashtuquajtura diplomacia kishtare, për përhapjen e helenizmit në botë. Këtë gjë, pra që KOASH është mjet diplomatik i Greqisë, Kotziasi ia tha natyrshëm Janullatosit kur e vizitoi, dhe bëri gjënë më tëkuptueshme, sepse shteti grek, me këtë sy i sheh kishat autoqefale grekofone.

Që të kuptohet më mirë këtë iden, ortodoksia botërore konsiston në një organizatë federative prej 14 kishash autoqefale, të cilat ndajnë të njëjtën doktrinë dhe jetë religjioze. Brenda kësaj “konfederate” kishash, ka disa kisha greke, pastaj ruse, rumune, bullgare, serbe, arabe, gjeorgjiane, etj. Si çdo organizatë që ndikon në disa dhjetëra milionë njerëzish, është normale që brenda të lëvizin qëllimshmëri politike. Dy janë polet kryesore që duan të ndikojnë mbi politikat kishtare ortodokse. Poli grek, me në krye Fanarin, por që varet direkt nga shteti grek, dhe poli rus, me në krye Patrikanën e Moskës, sigurisht nën ndikimin e Kremlinit. Kishat e tjera, janë satelitë të këtyre dy poleve, pak a shumë si shtetet e vogla, që janë o me perëndimin o me lindjen, kur votojnë në OKB.

Për më shumë se 50 vjet, këto 14 kisha po përpiqeshin të mblidheshin në një forum të përbashkët botëror, i quajtur Sinod i Madh, siç mblidheshin dikur në koncilet ekumenike, por pa rezultat, pasi përplasjet e brendshme dhe debatet se kush është i pari e kush i fundit ua bënin të pamundur këtë akt. Më së fundi, u vendos që në fund të qershorit të mblidhen në Kretë, por ditët e fundit, disa kisha, e Serbisë, e Bullgarisë, e Gjeorgjisë dhe Patrikana e Antiokisë, dhe nuk dihet nëse më vonë ndonjë tjetër, po deklarojnë bojkotimin e këtij sinodi. Si pasojë, shqetësim i madh është krijuar brenda lobit grek që po lufton me thonj për të mbajtur primacinë brenda këtij forumi religjiozo-politik, pasi bëhet qesharak autoriteti i Fanarit që e shpall veten si froni i parë i ortodoksisë dhe që kur thërret sinod panortodoks, gati 1/3 e kishave e injorojnë me bojkot. Këtë panik, e ka ndarë këto ditë edhe Anastas Janullatosi, ku në një deklaratë zyrtare të KOASH, e dt. 8 qershor 2016, e quan mbledhjen e këtij sinodi të domosdoshëm dhe kritikon kishat e tjera, (ato jo greke sigurisht), se po luajnë politikisht, dhe i quan madje ato “palë”, thua sikur i konsideron kundërshtarë, duke harruar që u flet kishave simotra, për të përdorur terminologjinë kishtare. Por Athina i dha urdhër dhe duhet t’i bindet. Me këtë veprim, ai përligj më së miri, pritshmëritë e Fanarit dhe shtetit grek, që KOASH, sa herë të ketë debate brenda ortodoksisë, të rreshtohet kah kishave grekofone. Për herë të parë në historinë e kishës, mblidhet një sinod, ku harrohet modeli i lashtë kishtar, ai i votimit prej të gjithë peshkopëve, dhe imitohet modeli i OKB, ku çdo kishë disponon një votë, ndaj shqetësimi i politikës së jashtme greke, është të pushtojë dhe të ketë sa më shumë frone me orientim grekoman, brenda konfederatës prej 14 kishave. Në këtë mënyrë, lobi grek, me dinakëri odiseane imponohet me vota fronesh, pasi ka më shumë frone grekofone, edhe pse ka më pak besimtarë grekë sesa sllavë apo rumunë në botën ortodokse. Gjeniale, këtu grekët duhen lavdëruar për strategji të hollë. Por qëpo u kuptohet dhe po u hidhet në erë nga rrymat kishtare që nuk preferojnë të jenë në ombrellën e tyre.

Ndaj, shteti grek, me anë të Janullatosit, e ka arritur më së miri këtë qëllim, duke shfrytëzuar më së miri verbërinë dhe indiferencën e politikës shqiptare që u shkon shumë për shtat. Kur dikur, politika shqiptare veproi me efikasitet, e arriti marrjen e plotë të autoqefalisë. Ndërsa kur sot, ajo merret me vogëlsira dhe interesa të ditës, shteti grek, me anë të ministrit të jashtëm Kotzias, na e thotë në mes të Tiranës se Janullatosi ka bërë punë të mirë, pasi jo vetëm që ka bërë çfarë ka dashur me kishën shqiptare, që vetëm shqiptare nuk ka mbetur më, jo vetëm që greqizoi çdo ambient ortodoks të gjallësh e të vdekurish, por tani është edhe kartë e hapur dhe votë e fuqishme progreke, sa herë që forumi ortodoks botëror do të mblidhet në sinod.

Burimet e mia më thonë se Anastas Janullatosi ka përgatitur edhe një spektakël PR-i të lezetshëm, për të na hedhur hi syve, pasi ai është mjeshtër i komunikimit publik. Ai do të meshojë në shqip në Kretë, shoqëruar edhe nga kori kishtar shqiptar, si për të na thënë, që ja, ju më akuzoni për predikime greqisht, e unë jua çoj shqipen në zemër të ortodoksisë, por harron hirësia e tij, se shqiptarët janë aq të mençur sa të shohin përtej skenës, deri tek regjia matanë kufirit, që e drejton atë në misionin e tij antishqiptar për çerek shekulli. Këtë spektakël mund ta përdorë sigurisht, vetëm për konsum të brendshëm, pasi aty i duhet, ngaqë me veprimtarinë e tij politike dhe antikishtare, ka arritur ta zbresë anëtarësinë ortodokse në minimume historike.

Dy gjëra bëjnë njerëzit kur ndihen të ofenduar dhe të papërfaqësuar fetarisht, ose ndërrojnë fe, ose e lënë fenë. Por lobit grek, të dyja këto alternativa i interesojnë, pasi një kishë e vogël, pa besimtarë, që nuk protestojnë, është me e lehtë për t’u kontrolluar. Shteti shqiptar duhet të kuptojë, që i pëlqen apo jo, KOASH në Shqipëri do të jetë sa të jetë vetë shteti. A dëshiron politika jonë t’ia lërë fronin shqiptar, dhe votën që ne disponojmë në forumin e 14 kishave autoqefale ortodokse, grekëve, duke e dorëzuar KOASH-in pa kushte? Apo do të ishte më mirë, që këtë votë, këtë zë, këtë ndikim sado të vogël në ortodoksinë botërore, t’ua kthejmë sërish shqiptarëve?

Për të mos thënë, a do ta lërë akoma shteti shqiptar KOASH, si vegël e diplomacisë greke, sipas deklaratës së hapur të Kotziasit në mes të Tiranës, si mjet greqizimi të shqiptarëve ortodoksë, apo do përpiqet ta kthejë në natyralitetin e saj, si përhapëse të krishtërimit ortodoks dhe të atdhedashurisë për Shqipërinë?

Këto i shkruaj, që të mos më thotë dikush nesër justifikimin e famshëm: “Po si nuk na i the këto gjëra, se ne nuk i dinim…”. Tani përgjegjësia ju takon juve që më lexuat.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Kryepeshkop Anastasios rreshton KOASH, Nikos Kotzias

Kur prona vendoset në krye*

June 9, 2016 by dgreca

Opinion nga Majlinda BUSHJA/*

Interesi të tjetërson, por gjithsesi është në dorën tonë për të mos e vendosur në radhën  e parë për nga rëndësia, sepse vitet e fundit është vënë re një rritje e numrit të konflikteve brenda familjes për çështje pronësie. Puna ka arritur deri aty sa djali nuk njeh më prindërit e vet, babanë, e nënën, por edhe vëllanë e motrën, e konflikti pastaj është përhapur në çdo degë të fisit, që nuk njohin më damarët e gjakut të tyre kur në mes është prona. Daja i merr pronën mbesës, xhaxhai, nipit, nipi, xhaxhait, kushërinjë njëri-tjetrit, etj duke e çuar konfliktin në hasmëri, e disa vjeçar. Tipik është rasti i zonjës Dilo ( këngëtare e njohur), që po lufton kundër tre burrave për të drejtën e saj, për pronën që pretendon se po ja rrëmbejnë. E një prej tyre është dajua i saj, një njeri i afërt i familjes që duhet ta mbrojë mbesën e vet. Mirëpo, situata flet ndryshe dhe konflikti është ende i hapur, dhe kushedi sa do të zgjasë. Por ky konflik për çështje pronësie është një nga mijëra raste që hasim në të gjithë Shqipërinë. Shumë kemi dëgjuar, po dëgjojmë, e do të dëgjojmë në të ardhmen, meqenëse është një nga çështjet më të mprehta të pazgjidhura, e që hap shumë debat. Prona që i mbivendendosen pronarë, e pronari i vërtetë e ka të vështirë të gëzojë pronën e tij i qetë, pa u rropatur gjyqeve për të gjetur të drejtën e tij për vite me radhë. Dhe në se përfshijmë këtu mosmarrveshjet mes fiseve të ndryshme për këtë çështje situata bëhet më e rëndë dhe e komplikuar.

Media qoftë e shkruar, apo elektronike ka ngritur këtë shqetësim herë pas here përmes artikujve dhe rubrikave të fokusuara në konfliktet e pronësisë. Kronika që paraqesin realitetin e hidhur në familjet shqiptare, konflikte të mprehta që ndonjëherë përfundojnë me humbje jete apo cënim të saj. Nuk janë të pazakontë tituj të tillë si, “ Çmenduri ala shqiptare, konflikti për pronat, 35 vjeçari godet me thikë të ëmën e moshuar”( Javanews 20.04.2016), “Konflikti për tokën, ekzekutohet me kallashnikov babai i tre fëmijëve, 50 vjeçari u qellua nga kushëriri i tij ish-polic”(Gazeta Shqiptare 03.04.2016), Babai i tre fëmijëve masakrohet me thikë nga djali i xhaxhait, dyshohet për motive pronësie”(Ballkan Ëeb 17. 09. 2015), “Konflikti për pronën, kushëriri qellon mbi 2 vëllezër, njëri i vrarë, tjetri i plagosur” (Mapo 23.03.2016), sepse konfliktet për çështjen e pronësisë janë të vazhdueshme dhe nuk po ndalen. Ndaj, për to duhet gjendur një zgjidhje që prona të shkojë te i zoti dhe çdokush të marr atë që i takon dhe e meriton.

Kush ndjek çdo të diel pasdite rubrikën “Shihemi në gjyq” te “e Diela Shqiptare” në televizionin “Klan”, dallon qartë se si prona ka sjell konflikte të mprehta dhe përçarje brenda gjirit të familjeve shqiptare. Tashmë flitet hapur dhe me gjuhë të ashpër, pa ndrojë “e cip”, ku egoizmi arrin kulmin, dhe ndjenja e dashurisë dhe respekti fshihen si me dorë, pasi etja për pasuri e prona nuk njeh kufi, e as arsye për të kuptuar se kush është më e rëndësishme. Prona apo familja, prindërit, motrat, vëllezrit dhe njerëzit e tjerë të gjakut. Sepse, prona sot ka dal mbi gjithçka dhe dashuria për familjen dhe njerëzit e gjakut është harruar prej makutërisë për prona e pasuri. Të plagosësh nënën për pronën, siç u përmend në titujt e mësipërm, apo qoftë dhe ta lëndosh atë për këtë motiv, duke e lënduar në sytë e të gjithëve siç ndodhi tek “Shihemi në gjyq” të datës 10 janar të këtij viti, (ku së ëmës i bien të fikët pasi i biri i mohon sakrificat), do të thotë se prona  ka kaluar kufijtë e vlerës së saj. E paimagjinushme situata që po përjetojmë në familjet shqiptare, apo thënë ndryshe, “thika ka shkuar në eshtër për këtë çështje”.

Në një kronik televizive të  “Zërit të Amerikës” të datës 14 shtator 2013 thuhet se, “ Në Shqipëri po rritet me shpejtësi numri i konflikteve për problemet që lidhen me pronësinë. Përfaqësues të Fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrveshjeve” pohojnë se rreth 80% e konflikteve kanë zanafillën e tyre problemet ende të pa zgjidhura me pronësinë” Një përqindje e tillë është shqetësuese dhe kërkon një punë kurajoze nga institucionet përgjegjëse për sheshimin e tyre një orë e më parë. Për daljen nga gjendja, për mos të pasur mbivendosje të pronave të pronarëve që degjenerojnë më pas me konflikte të hapura disa vjeçare. Konflikte brenda në familjeve, apo mes familjeve të ndryshme që i detyrojnë të rropaten dyerve të gjykatave, që tek e fundit ka një kosto financiare dhe një afat kohor që zgjat në zgjidhjen e çështjes. Mungesa e mirëkuptimit  brenda anëtarëve të gjirit të familjes çon në këto situata aspak të këndshme dhe përçarëse që ndajnë pjestarët e familjes, pse jo përgjithmonë. Në kërkim të së drejtës në formë të padrejtë, përmes dhunës psikologjike, apo fizike deri në humbje jete, apo cënim. Disa ditë më parë më konkretisht, në 30 maj të këtij viti në Klos, djali godet me mjete të forta dhe plagos babanë, për çështje pronësie. Puna arrin deri aty sa babai përfundon në spitalin e traumës në Tiranë. Kaq rëndë përfundojnë konfliktet brenda familjeve shqiptare për këtë çështje. Por puna nuk duhet të shkojë më deri aty. Situatës së krijuar duhet gjendur zgjidhja një orë e më parë nga organet përgjegjëse, për të shuar  konfliktet brenda familjeve shqiptare dhe gjithkush të gëzojë atë që i takon.

*****

* Redaksia e Diellit e mirepret gazetaren Majlinda Bushaj per t’u bere pjese e kontribuesve nga Shqiperia. E falenderojme qe me kete opinion qe na dergoi sot ajo po kontribuon ne Gazeten me te vjeter te Botes Shqiptare, qe publikohet ne SHBA prej 107 vitesh. Problemi që trajton në shkrimin e saj është nga më shqetësuesit , ku ish udheheqesi i fundit komunist, Ramiz Alia, na la pas sherrin e diktatures me receten: toka dhurohet sipas frymeve!. Pa zgjidhjen e problemit të pronës nuk ka për të zënë vend shteti shqiptar i hibridizuar mes trashegimise komuniste dhe demokracisë në tranzicion.

Lexues të Diellit: Lexojeni shkrimi dhe shfaqni opinionin tuaj me shkrim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Kur prona, Majlinda Bushja, vendoset në krye

SKICA E FOTOS SE UGOLINIT NE BUTRINT

June 9, 2016 by dgreca

NGA GËZIM LLOJDIA/
 1.Igino Epicoco bëri këtë skicë Prof Luigi Maria Ugolini në vitin 1932.Për ata të interesuar në qytetërimet e kaluara, vendet arkeologjike kanë një vlerë të veçantë në bazë të lidhjes fizike që ato ofrojnë me këto civilizime ,shkruan James G. Schryver.AssProfessor of Art History at the University of Minnesota, Morris.Për të tjerët, ky interesim mund të kenë interesa financiare, politike, apo ndonjë vlerë tjetër. Artikulli Richard Hodges  për ‘ Nikita Hrushovi në këtë çështje na tregon se, në gjysmën e dytë të shekullit të 20, vlera e Butrintit varej shumë nga ata të  cilët po e shikonin. Për regjimit komunist pas Luftës së Dytë Botërore të Enver Hoxhës, ishte një lidhje mes popullit të tij modern të Shqipërisë dhe qytetërimit të madh Ilir të së kaluarës. Për Hrushovin, vlera historike e faqes ishte afër askund aq i madh sa potencialin e saj për ta përdorur si një bazë sovjetike nëndetëse. Këto ide, që hedh James G. Schryver kanë gëluar sigurisht në atë kohë ngase pak më poshtë e shohim arsyetimin e tij mbi të kaluarën e lashtë të Butrinit  si dhe të misionit arkeologjik italian në Butrint.
2.Këto pikëpamje të ndryshme të Butrintit nuk mund të na habisin sot, kur ne të gjithë jemi shumë të vetëdijshëm për faktin se atë po e sjellin  vetë  në agjendat tona kur të bëjnë të pamundurën për të përjetuar ose ri-krijuar të kaluarën. Një vështrim i përciptë në shumë publikime  të Ugolinit shpejti tregon se, për të paktën, Butrinti do të thotë shumë më tepër se shuma e zbulimeve të saj arkeologjike. Në nivel rajonal, puna e Ugolinit në Butrint dhe në të vërtetë në Shqipëri në përgjithësi, është kryer në kuadër të  sfondit të një qeverie italiane,  për të kundërshtuar atë që ata e shihnin si rritjen e ndikimit francez në kuadër të mbretërisë. Në një nivel më individual, Ugolini e pa veten si thjesht  të thelluar në një  marrëdhënie të veçantë shkencore mes Italisë me Shqipërinë dhe duke vazhduar me eksplorimet e një linjë të gjatë të arkeologëve dhe studiuesve të tjerë që shtrihen (sipas tij) të gjithë rrugën prapa në vizitën e 1435 Ciriaco d’Ancona-së , në anketat e tij më të përgjithshme të vendit në vitin 1920, në mënyrë të veçantë, Ugolini ka shmangur shpenzimet e sasive të mëdha të kohës në Shqipërinë qendrore, të cilën ai e deklaruar ishte një pjesë e vendit që ishte studiuar në mënyrë adekuate. Edhe pse, në mënyrë të veçantë, ai ishte i interesuar (rreth banorëve të lashtë të gadishullit Ballkanik), ai ishte larg nga indiferenca ndaj provave për përmirësimet e bëra në Shqipëri e lashtë nga Perandoria Romake. Këto interesa dhe lidhja që ai pa me përshkrimin e vizitës dyditore, ishin ato që në fund të fundit e çuan për të punuar në Butrint.
3.Misioni italian ngritën çadrat në akropolin në Butrint,  në vitin 1928.Në vitin 1937, një version të popullarizuara të raporteve të tij zyrtare të gërmimit  të Butrintit u botua pas vdekjes (Ugolini vdiq në moshën 41 vjec, 4Tetor  1936 në Bolonjë). Në një paralele interesante me disa nga fjalët më vonë të Hrushovit në lidhje me vendin, parathënien e këtij më të lexuar nga librat e Ugolinit ,Butrinto: Il Mito d’Enea (1937) -s në mënyrë specifike se Mussolini, ka kërkuar që Ugolinitë e shkruajnë atë, sepse “është njerëzit që paguajnë për studimet tona me sakrificën e tyre, dhe për këtë arsye që kanë të drejtë më të madhe të  gjithë të gëzojnë rezultatet.” Ajo, që Ugolini ka prezantuar ishte historia e një qyteti  i lidhur fort mes Trojës së lashtë dhe të Romës së lashtë. Ajo ishte modeluar pas ishte dhe u bë model për këtë të fundit. Si e tillë, ajo është e lidhur edhe me Italinë fashiste të  Musolinit .Për këtë ata gërmuan në Butrint  dhe puna e tyre në këtë “Colonia Augusta,” kjo Troy të dytë, nuk ishte vetëm një çështje e rëndësisë arkeologjike dhe historike, por  e krenarisë kombëtare .Ajo ishte me këtë krenari se Ugolini  e ka paraqitur punën e tij për publikun italian. Në faqet e para të tekstit, ai vuri në dukje se, që nga fillimi, Butrinti dhe rrethinat e tij kishte premtuar jo vetëm mundësi më të mirë për zbulimin e provave të kolonizimit grek apo Korintit, por edhe nga të mirat e dominimit të saj të gjatë me Romën e lashtë . Ajo ishte vetëm katër vjet më vonë, në pranverën e vitit 1928, që Ugolini ishte në gjendje për të realizuar dëshirën e tij për të punuar në Butrint. Ai arriti me ekipin e tij të vogël me anije, ashtu si Eneas, dhe ndërsa duke pritur aty pranë për të fryrë  erë dhe ujërat për të qetësuar për ndeshjen e fundit të udhëtimit, ai kaloi kohën  duke rilexuar poemën e Virgjilit. Rreziqet dhe vështirësitë e shumta e kanë pritur ekipin pasi ata arritën në vend, por asnjë nga këto nuk i ka penguar  ata për tua shuar entuziazmin e tyre .Jo vetëm që ishte vendi në vetvete mjaft i egër, por edhe prokurimi i dispozitave provuar e vështirë, me udhëtim në Sarandë, qytetin më të afërt, shpesh duke marrë një ditë e gjysmë për të përfunduar. Për fat të mirë, në sajë të punës së mëparshme të inxhinierëve ushtarakë italianë të shekullit të 20, një burim i ujit të pijshëm mund të gjendet afër katër orë larg.  Në fund, raporti i tij ishte një përzierje të angazhimit  për përshkrimin shkencor dhe analiza, eksplorim narrative (duke përfshirë një përshkrim të florës, faunës, dhe banorët e rajonit) që do të jetë në vendin e veta në faqet e National Geographic Magazine.
Origjina e Misionit arkeologjik italian në Shqipëri janë të rrënjosura në krizën politike ,që ekzistonte në rajon menjëherë para Luftës së Parë Botërore, shkruan K.Francis.Puna e misionit arkeologjik italian për të gjetur një vështrim historik të lashtësisë kanë ushqyer dhe precedentë më konkrete dhe më veçanërisht për të krijuar jetën e këtij kombi lëvizjet e mëdha të qytetërimit që kanë pas në kontinentin evropian dhe në pellgun e Mesdheut,thotë E. Benvenuto. Mirëpo lufta e dytë botërore (1939-45) dhe izolimi i mëvonshëm i vendit penguan për dyzet vjet. Gërmimet e bëra prej ekspeditave italiane në vitet’ 20-40 të shekullit të XX dhe gjetjet e saj kanë thënë tashmë shumë,megjithatë, që nga pikëpamja e organizimit etnografik dhe sociale dhe politike, si dhe kulturore, mund të njohin më shumë se 3 fazat e historisë së lashtë.Gërmimet që çuan në ringjalljen e Butrintit janë për shkak të misionit arkeologjik italian , i cili ka punuar për më shumë se 10 vjet nën drejtimin e L. M. Ugolini P.Marconi dhe në fund të D. Mustilli .Në vitin 1930, drejtori i Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, Luigi Maria Ugolini, rekrutoi L.Cardinin si prehistorian të misionit. Ndërmjet viteve 1930 dhe 1939, Cardini udhëtoi gjerësisht në të gjithë Shqipërinë jugperëndimore dhe ka regjistruar mbi 60 shpella natyrore dhe strehime në shkëmb.
4.Në vitet që kanë kaluar,  kam parë zhvillimin me interes të konsiderueshëm për hetimet arkeologjike të zhvilluara në Shqipëri në mes të viteve 1924 dhe 1943 nga misioni arkeologjik italian, dhe veçanërisht figura e Luigi Maria Ugolini, i cili ishte protagonisti kryesor i misionit dhe përgjegjës deri  në 1936, vitin e parakohshëm të tij,  shkruan  Stefano Magnani te studimi i tij: “”In Albania sulle orme di Roma. L’archeologia politica di Luigi Maria Ugolini .
Arsyet për këtë janë të shumta. Një rol kyç është luajtur fillimisht nga debati italian mbi arkeologjinë gjatë viteve njëzet apo  të kohës së fashizmit. Ishin të studiuara në Arkivat historike të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe të  dokumenteve zyrtare, që kanë të bëjnë me organizimin e misionit italian në Shqipëri, në bazë të së cilës ishte e mundur për rindërtimine  kontekstit politik dhe ideologjik në të cilin u mbajt dhe të hetojë kompleksitetin e marrëdhënieve politike të Ugolinit  dhe qëllimi me të cilën ai e udhëhoqi për dymbëdhjetë vjet. E rëndësishme doli të jetë shkruan,  Stefano Magnani ,edhe festimi i përvjetor i njëqindtë i lindjes së arkeologu, i cili u ka dhënë mundësinë për një konotacione më të mirë të personalitetit të tij, nga pikëpamja e njeriut dhe shkencore, përmes një kujtimi lokal dhe  grumbullimi i artikujve të përkushtuar për aktivitetet e Ugolinit u shfaq në guotidiani të  shumta dhe revista të periudhës .  Kjo ka kontribuar në zbulimin e një dokumentacioni të pabotuar që ishte besuar i  humbur, dhe se në fakt ai ishte harruar vetëm në arkivat e ndryshme, duke përfshirë sidomos Arkivin Shtetëror në Tiranë dhe Muzeu i civilizimit romak.
2.
Luigi Maria Ugolini, lindur në Bertinoro ,Romagna, në 18 shtator 1895, shkruan,  Stefano Magnani.Ugolini kishte luftuar gjatë Luftës së Parë Botërore, e raporton humbjen e një veshkë, dhe dobësitë e dytë e cila më pas do të çojë në vdekje të parakohshme,thotë më tej ,Stefano Magnani.
Në 1918 ai u regjistrua në Universitetin e Bolonjës, Fakulteti i Arteve, ku ai kishte si mësues dhe Gherardo Gherardini, në vdekjen e tij, Perikliu Ducati.U  diplomua në 1921 me një diplomë në arkeologji. Ai pastaj mori pjesë në Shkollën  arkeologjike të  Romës. Që nga viti 1923  i ishte bashkuar Partisë Fashiste dhe në pranverën e vitit 1924 , Ugolini ishte në krye të misionit të parë italian arkeologjik në Shqipëri.
 Zgjedhja kishte rënë mbi të, sepse si një studiues i ri ende papërvojë, por ambicioz  i mjaftueshme, ai ishte në një pozitë që të mos jetë në gjendje të refuzojë një propozim në mënyrë joshëse, por në të njëjtën kohë kishin vështirësi të dukshme. Përcaktimi i kushteve të misionit kishte qenë një diskutim i gjatë në mes vetë Musolinit, Roberto Paribeni, atëherë në krye të misioneve italiane shkencore në Levant dhe një figurë kryesore e arkeologjisë italiane të gjysmës së parë të shekullit të njëzetë, dhe Marquis Carlo Durazzo, përfaqësuesi italian në Tiranë . Qëllimi i Paribenit, Ugolini do të duhet të paguajë për të shërbyer me bindje interesat e Italisë gjatë një misioni që është projektuar kryesisht si një iniciativë politike. Një shifër kjo e fundit, e cila del nga dokumentacioni zyrtar  i  ruajtur në arkivat e Romës dhe Tirana, nga lajmi që u shfaq në shtypin e kohës dhe të lidhjes së  ngushtë të tregimit në: arkeologji dhe situatën politike ndërkombëtare.
3.
Marrëdhëniet mes Italisë dhe  Shqipërisë dh e Italisë për Shqipërinë daton disa vite më parë dhe kishte një matricat jashtëzakonisht politike dhe strategjike,cilëson  Stefano Magnani. Rajoni  i veshur në fakt një rëndësi jetike për kontrollin e Adriatikut dhe në të njëjtën kohë për një strategji më të gjerë të ndikimit politik dhe ekonomik në Ballkan. Itali, ku Mbretëria e sapo formuar e Italisë kishte  disa raste u përpoq të përfitojë nga kompleksi duke pasur parasysh gjendjen politike para shpërbërjes graduale të  Perandorisë Osmane dhe më pas rënies së Perandorisë Austro-Hungareze. Gjatë Luftës së Parë Botërore, Italia kishte krijuar një parim në vend, sipas të  cilit ishin anti-austriake  kishin zënë portin e Vlorës, ku forcat e armatosura italiane ishin operuar në drejtim të Malit të Zi dhe Serbisë, por në vitin 1920 porti  u braktis në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare, duke lënë vetëm një garnizon të vogël në Sazan, në gojën e gjirit të Vlorës.
 Interesat strategjike dhe ekonomike (sidomos në sektorin e minierave dhe në sektorin e naftës), megjithatë, vazhdoi dhe arkeologjia u bëri thirrje për të luajtur një rol të rëndësishëm, funksioni i mbuluar në kontrollin shqiptar të situatës, sidomos pas konferencës së paqes  e  vitit 1921, kishte ofruar Italisë, mundësinë e kthimit për të pasur një rol aktiv në Ballkan. Deri në vitin 1923 vëmendje italiane në Shqipëri nga hetimet arkeologjike ishte thjesht episodik. Në tetor , ajo ishte e njëjtë Paribeni për të bërë një vizitë të shpejtë, dhe më së fundi u ka P. Biagio, i cili më pas ka botuar një llogari të gërmimeve dhe kërkimi i kryer në Shqipëri nga misioni italian dhe se jo çuditërisht kishte shpresuar se disa studiues të  rinj Italian e kanë  pritur në të ardhmen një studim të plotë arkeologjike të rajonit. Rasti është prodhuar në vitin 1923. Në shtator të atij viti, u nënshkrua një marrëveshje midis Francës dhe Shqipërisë e cila i dha mundësinë për të kryer gërmime dhe hulumtime në zona të mëdha të Evropës veriore dhe qendrore . Italia deri në atë kohë kishte shikuar, me besim tek një rezultati negativ të negociatave franko- shqiptare, edhe pse ishtë e qartë se misioni francez, i cili kishte qenë mbështetur fuqimisht dhe miratuar nga Justin Godart ,gjithashtu për qëllim konsolidimin e pranisë dhe interesat ekonomike të Francës në Ballkan.
4.
“Personi i duhur për të shtytje në etnografinë  e lashtë ballkanike” për të kryer këto detyra dhe për të fituar simpatinë e qeverisë shqiptare u identifikua Ugolini  i ri,i cili qe përgjigjur menjëherë dhe në mënyrë adekuate vijon më tej,  Stefano Magnani.Pa një programim të saktë në pranverë të vitit 1924, Ugolini kryen në dy muaj, një studim në shkallë të gjerë të territorit të Shqipërisë nga Durrësi në Butrint. Udhëton kryesisht në këmbë ose me autobus  , ai udhëtoi nëpër rajonet veriore dhe jugore, pas një rruge që e mori për të vizituar vendet kryesore të protohistorike  , periudha klasike dhe mesjetare. Qëllimisht ai la pas dore zonën qendrore dhe vendin e Apollonisë, i cili tashmë ishte hetuar nga një mision austriake në fillim të shekullit, dhe ku,  rezultatet e hulumtimit të kryer nga misioni francez në Durrës dhe Apolloni u botuan ndërkohë, francezët i kishin përqendruar aktivitetet e gërmimit nën drejtimin e Leon Rey.
 Në muajin qershor Ugolini ishte në gjendje të bëjë një raport fillestar të aktiviteteve të tij, në të cilën ai theksoi veprimin e saj në favor të interesave italiane dhe u angazhua për një ndërhyrje më konkrete apo e cila ka  kundërshtuar praninë e rivalit francez. Situata politike në Shqipëri, megjithatë, ishte shumë e pasigurt për shkak të përplasjes mes fraksionit të drejtuar nga Ahmet Zogollit, dhe opozitës të udhëhequr nga Fan Noli, dhe Paribeni ka  sugjeruar që të prisni që ajo të zhvillohet rregullisht me kërkesat për një grant të gërmimit, megjithatë, duke treguar vendin e Phoenix, kryeqyteti i Lidhjes së Epirit, i cili është vizituar edhe nga Ugolini, vendi më i përshtatshëm për një intervento të  pare, qendër e rëndësishme në fakt duket të ketë karakteristikat ideale për të nxjerrë në pah atë. Karakteri origjinal i kulturës vendase dhe nivelit të perzierje me kulturën greke. Në mes të vjeshtës të vitit 1924 dhe asaj të 1925, Ugolini  ka alternuar disa qëndrime në Shqipëri. Fushata e parëtë  gërmimet në Phoenix,! Megjithatë, ka filluar vetëm në gusht të vitit 1926, në sajë të një leje të përkohshme, për shkak të vonesës të dhënë nga autoritetet shqiptare.
5.
Në vitin 1927 misioni filloi të marrë në konsistencën Phoenix me ardhjen e Darit por fondet nuk u ndanë , pavarësisht edhe  ndërhyrjeve të  Musolini në mënyrë të përsëritur, në fund të shtatorit, pas dy muajve të fushatës, puna u pezullua ,shkruan  Stefano Magnani.
 Në të njëjtën kohë, rezultatet e arritura në rrjedhën e aktiviteteve arkeologjike filloi të bëhet i njohur nëpërmjet një seri të botimeve shkencore dhe përhapjen e informacionit në gazeta dhe revista italiane dhe të huaja. Ajo nuk ishte vetëm për të siguruar për publikimin e kërkimit shkencor, por kryesisht për të marrë dhe nismat ndërkombëtare për të luftuar në krahasim me francezët
. Në pranverën e  vitit 1927 kishte lënë vëllimin :Shqipëria antike” , të cilën e  ka mbledhur nga rezultatet e kërkimet të  përfunduar në vitin 1924, zbulimi i të cilave është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme në fondin për shpenzimet e ngjarje të fshehta ndërkombëtare.Vëllimi ishte konceptuar si i pari i një serie të cilat përbënin futjen dhe konsistenca e të cilit do të ndryshohet në kohë.
Vëllimi i dytë, i dedikuar për gërmimet në akropolin e Phoenix, u shfaq vetëm në vitin 1932, në mënyrë të qartë nga ana e Ministria e Punëve të Jashtme, por teksti i  shoqëruar me fotografitë tashmë ishte përfunduar nga Ugolini në dimër në mes të  viteve 1927 dhe 1928 për shkak se ai, në fakt, misioni kishte lëvizur nga Fenice në Butrint,\.Ndër arsyet që Ugolini çoi në ndryshim rrënjësor të programeve, me siguri ishte dëshmi e rritjes së autonomisë dhe ndërgjegjësimin e rolit ndoshta duhet të mbështetej në vështirësitë logjistike dhe financiare të hasura deri më tani në Phoenix, dhe kërkimi për një vend që do të garantonte një futje dhe respektimin më të madh të ideologjisë dhe nevojat e propagandës fashiste. Si jashtëzakonisht fitimprurës nga pikëpamja shkencore  dhe madje edhe politikisht, hetimet në Phoenix nuk kishte prodhuar asnjë rezultat  mrekullueshëm, dhe Akropoli jashtëzakonisht i madh i fortifikuar nuk duket të jetë një bazë e mjaftueshme për të nxitur vëmendjen e publikut në gërmime.
 Butrinti  se Phoenix kishte avantazhin e të qënit më i lehtë  më të kapshëm . Marrëveshjet me autoritetet shqiptare për transferimin e misionit në Butrint tashmë kanë përfunduar në dhjetor dhe misioni ishte në gjendje për të filluar kërkimet në vendin e ri, që nga fillimi i viti 1928, program i ri kërkimi  ka goditur ,janë fituar shpejt rezultate të shkëlqyera. Që nga viti i parë u sollën pjesërisht në dritë muret e Akropolit, me portën lindore ( teatër, dhe disa dhoma që i përkasin pagëzimore bizantine, dhe janë gjetur mozaikë të shumta ,statujat, duke përfshirë kreu i të ashtuquajturit “perëndeshë e Butrintit”, një kopje e bukur romake e cila ishte më vonë në qendër të një histori të ndërlikuar të eksportit, i cili zgjidhet vetëm disa vjet më parë .
Gjatë viteve në vijim, gërmimet kanë vazhduar me sukses të madh dhe misioni është forcuar me ardhjen e një grupi të madh të dijetarëve të rinj dhe të talentuar, duke përfshirë Luigi Cardini, Carlo Ceschi, Hyginus Epicoco, Louis Morricone, Claudio Sestieri. Ky dimension i ri i lejohet Ugolinit të  mençur për të dhënë aftësitë  e tij të  organizimit dhe drejtimit të punës, përmes krijimit të një programi jashtëzakonisht kompleks dhe hulumtim, që përfshinte hetimin jo vetëm vendin e Butrintit, nga origjina e tij , mosha veneciane, por edhe eksplorimi i plotë i zonës përreth dhe filloi eksplorimin e shpellave dhe vendbanimeve.
   Publikimet e të cilat ende mund të shihen pas direktivës së Musolinit, Ugolini filloi një seri të gjatë të konferencave në disa qytete evropiane, marrja e një sukses të madh, i cili mbetet i raportuar gjerësisht në gazetat e kohës dhe në raportet e stafit të ambasadës . Vdekja e tij e parakohshme, e ndjekur nga Pirro Marconi, i cili pasoi atë në krye të misionit, shkaktoi braktisjen pothuajse të plotë të programeve origjinale.
6.
Duke analizuar figurën e Ugolinit  Stefano Magnani thotë: Arkeologu dhe publicist Ugolini ishte padyshim një personalitet kompleks, shumë më tepër se kushdo mund të kishte imagjinuar edhe disa vite më parë. Shkrimet e tij gjenden në arkivat romake dokumentojnë aftësitë e fakteve si një dijetar dhe arkeolog, si drejtor dhe organizator i një game shumë të gjerë të aktiviteteve gërmimeve dhe anketave. Mbi të gjitha, ajo tregon aftësitë e reja, të tilla si përdorimin e gjerë të fotografisë si një dëshmi të gërmimit, me trashëgiminë e një rekordi, që ende duket e mahnitshme sot.Vëmendje e vazhdueshme të stratigrafia e gërmimit, një tipar jo të përbashkët mes arkeologëve bashkëkohësit e tij. Ndër cilësitë e tij duhet t’i përshkruhet krijimin e një programi gjithëpërfshirës të hulumtimit, i cili kërkonte që të nxjerrë në pah aspekte të ndryshme dhe periudhave, për të ndërtuar një foto që të jetë e mundur nga zona të mëdha dhe rajone të anketuar. Ajo duhet gjithashtu të japë atij një dëshirë të sinqertë për të ruajtur trashëgiminë arkeologjike dhe artistike përmes ruajtjes lokale dhe restaurimin e monumenteve dhe krijimin e muzeve vendore.Veçanërisht efektive është aktiviteti i tij në terren i kryer jo vetëm me shkrimet e tij, shkencore, por edhe për shkak të konferencave të shumta që e  panë atë të angazhuar në Itali dhe shumë vende të Evropës. Përfshirja me fashizmin, aderimin në ideologji, pjesëmarrjes në një program që ishte në të njëjtën kohë kulturore dhe politike. Në këtë kuptim, artikujt e gazetave dhe revistave të periudhës, në krahasim me dokumentacion shkencor, mund të lejojë që të formulojnë disa konsideratë interesante.
Dosja e  artikujve të ruajtura në Bertinoro, në veçanti, të tregojnë se si disa masa që përfshihen aty, në lidhje me ngjarjet lokale apo personale, ishte mbledhja private  e Ugolini dhe është e rëndësishme për të kuptuar disa nga aspektet më pak të njohura kuratore. Raporti i parë i studimit të kryer në Shqipëri u shfaq në Journal of Apulia më 18 nëntor 1926, në një paragraf të përkushtuar për aktivitete të përgjithshme italiane arkeologjike jashtë vendit, dhe u përkthyer më pas në Dielli, gazetë shqiptare e botuar në Boston, në numrin e  7 dhjetorit . Nga ky moment fillon një pjesë gjithnjë e më e rëndësishme e informacionit, lajme dhe artikuj që lidhen me mision në gazetat dhe revistat, me ulje dhe ngritje, vazhdon deri në vitin 1943 dhe përbëhet nga mbi pesëqind artikuj qëkanë të  bëjnë me aktivitetet e misionit, por mund të supozohet në mënyrë të arsyeshme se një numër shkrimesh mund të jenë  zhdukur në mënyrë të pashmangshme nga ku shpëtoi dy koleksionet të rregulluar në Bertinoro dhe R OMA. Në këtë aktivitet shumë ose më pak, pas të cilit deri në vitin 1935 do të shihni se dora e Ugolini, ndoshta ndonjëherë i dha gazetarëve  pesë vëllime, gjashtëdhjetë artikuj shkencore, dy udhëzon të vogla dhe disa filma të shkurtër që përbëjnë trashëgimi, të botuar, të misionit. I shoqëruar nga një rezonancë të gjerë në  pranvere të  viti 1927 u shfaq vëllimi i parë në seri për Shqipërinë e  lashtë, në të cilën Ugolini kishte rezultatet e hulumtimeve të kryera në vitin 1924. Duke respektuar direktivat e marra, ai kaloi në shqyrtim një numër të madh vendesh, duke filluar nga prehistoria në vendet veneciane dhe të banuara me interes të veçantë, të tilla si nekropolin e Komanit, dokumentacioni i të cilëve ka sugjeruar ekzistencën e një vazhdimësie të popullsisë e territorit nga mosha e vjetër, duke siguruar një konfirmim të rëndësishëm të familjes së shqiptarëve moderne nga ilirët e lashtë. Kështu ai u ndesh, edhe pse me vështirësi të mëdha, me direktivat e Paribenit, i  cili  kërkonte  tu përgjigjej nevojave specifike në Shqipëri. Në disa raste në rrjedhën e librit, Ugolini prandaj thekson lashtësinë e marrëdhënieve dhe shkëmbimeve midis Shqipërisë dhe Italisë, duke kujtuar gjurmët e ndikimeve nga ilirishtja etnike dhe gjuhësore në mes të veriut të lashtë VENETI Iapigi dhe Messapians në jug. Në të njëjtën kohë, megjithatë, thekson faktin se ndikimet kulturore të lëvizur në drejtim të kundërt, Italia drejt Ilirisë. Italia dhe Roma për këtë arsye janë parë si dispenzuesve të kulturës dhe qytetërimit kundër ilirëve me anë të kontakteve dhe lidhjeve  të ndodhura në të kaluarën.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gezim Llojdia, ne Butrint, SE UGOLINIT, SKICA E FOTOS

KIM MEHMETI: Elitat e pakta shqiptare të Maqedonisë janë robër të mendësisë

June 7, 2016 by dgreca

“Një ndër arsyet pse shqiptarët e Maqedonisë nuk mund të dalin nga balta e mjerimit politik është se, elitat e pakta që ka ky popull, ende janë robër të mendësisë se je i vlefshëm vetëm kur të çmon dhe të pëlqen pala maqedonase dhe se, nuk ia vlen gjë kur të respekton dhe të çmon i yti!

Duke qenë rob të kësaj mendësie, edhe politikanët e këtushëm shqiptar, bëjnë çmos që t’i pëlqejë pala maqedonase, me çka më të lehtë e kanë komunikimin me rivalët e tyre maqedonas edhe kur ata janë antishqiptarë të deklaruar, se sa me cilëndo kundërshtar të tyre politik shqiptar! Dhe andaj, thuajse çdo parti e këtushme shqiptare, bënë çmos që të ‘sigurojë partnerin’ e saj maqedonas, e në ndërkohë, s’bënë thuajse asgjë që ta luftojë këtë mendësi të inferiorit në vetvete dhe të kuptojë se, edhe bashkëpunimi me të ‘tjerët’, është i kushtëzuar nga ajo sa i vlefshëm je për tëndin!

Andaj pra, shqiptarët e këtushëm thuajse nuk e besojnë se mund të ketë shqiptar që u nënshtrohet parimeve të veta dhe se nuk është shërbëtor i ndonjë qendre policore apo politike maqedonas!

Dhe mbase edhe nuk gabojnë shumë, kur e shohin se edhe VMRO-ja, edhe ‘laramanët’ e LSDM-së, i kanë shqiptarët e vetë të pëlqyer, por nuk ka parti shqiptare, që mund të lëvdohet se i ka maqedonasit e saj! Shkurt e shqip, duhet pranuar: ne shtyhemi dhe bëjmë çmos që të jemi sa më të pëlqyer nga qarqet maqedonase, e ato sillen thuajse nuk e dinë se në Maqedoni ekziston edhe shoqëria shqiptare!”

Filed Under: Opinion Tagged With: Elitat e pakta, Kim Mehmeti, Maqedonise, shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 571
  • 572
  • 573
  • 574
  • 575
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT