• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Refugjatët sirian kurban për mafien klandestine dhe trafikut të organeve

March 9, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Refugjatët sirian dhe irakian që janë të bllokuar prej disa kohësh në Greqi janë në pritje për të nisur rrugëtimin e tyre për vendet e BE nëpërmjet kufirit të bllokuar të Maqedonisë. Rruga e tyre drejtë Gjermanisë ka qenë prej disa vitesh nga Greqia në Maqedoni-Serbi-Kroaci-Austri, por ka kohë që Maqedonia ka mbyllur kufirin e saj. Janë hedhur ide që refugjatët e bllokuar në Greqi të hyjnë në territorin e Shqipërisë. Por çfarë i pret refugjatët në Shqipëri? Shqipëria është një vend kodrinor-malor ku policia shqiptare e ka të vështirë të kontrolloj kufirin dhe mafien e klandestine që është gati të filloj trafikimin e tyre drejtë Italisë. Prej vitesh jemi dëshmitarë që mafia e trafikut detar disa herë i ka hedhur në det klandestinët duke i lënë në mëshirën e fatit refugjatët e kombësive të ndryshme. Një problem tjetër është se ka mundësi që refugjatët të bien pre e mafies së trafikimit të organeve dhe shitjes së fëmijëve për tu adoptuar në familjet e pasura duke humbur përgjithmonë identitetin e tyre kombëtar. Ideja për ngritjen e kampeve në Shqipëri për të pranuar mijëra refugjat nuk është zgjidhje, por izolim i këtyre refugjatëve ku parashikohet që të qëndrojnë me vite në këto kampe si në burgu. Ku do të ushqehen me racione të kufizuara, nuk do kenë mundësi të kryejnë nevojat e tyre të përditshme, nuk do mund të dalin lirshëm jashtë territorit të kampit. Këto kushte do çojnë në një lodhje psiqike të shumë refugjatëve deri në vetëvrasje. Jemi dëshmitarë se gjëra të tilla kanë ndodhur ditëve të fundit në kufirin greko-maqedonas.

Pra çështja për të pranuar refugjatët sirian dhe irakian në Shqipëri nuk është aq e thjeshtë sepse kushtet ekonomike, pamundësia e policisë për të kontrollua kufirin me Greqinë i cili është malor-kodrinor bënë të pamundur rrugëtimin e sigurt të këtyre refugjatëve për në vendet e BE.

Prandaj do të ishte mirë që BE të marri vendime pozitive për të përfunduar me suksese rrugëtimi i refugjatëve dhe mos të japi ide për ti çuar në Shqipëri dhe më tej këta refugjatë të bien pre e mafies duke u bërë kurbane nëpër salla operacionesh të trafikut të organeve, të shitjes së fëmijëve apo ti hedhin në det ashtu siç ka ndodhur me qindra shqiptar e mijëra kinezë. Që të shmangim një tragjedi edhe më të dhimbshëm për këta njerëz duhet që tu lehtësojmë udhëtimin duke përdorur linjën hekurudhore nga Selaniku e deri në Austri. Kështu, kryejmë një akt human njerëzor. Pranimi për kalimin e refugjatëve nëpërmjet Shqipërisë për në vendet e BE është sa i dështuar edhe tragjik duke patur parasysh problemet që ngritëm më lart.

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Mafia, REFUGJATET SIRIANE, trafiku

8 MARSI – FESTË APO PROTESTË?

March 8, 2016 by dgreca

Shkruan: Saranda R.Shala /
8 Marsi njihet si “Dita e Gruas” në të gjithë botën. Madje në shtete të ndryshme kjo ditë festohet si festë kombëtare. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave pa dallim feje, race, kulture, gjuhe dhe prejardhjeje, por dhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe, drejtësi dhe ndërtim.
Kjo ditë u dedikohet mbi të gjitha grave të thjeshta, të cilat në saj të vlerave të tyre ndryshuan historinë botërore; kjo ditë u kushtohet grave të cilat për shekuj luftuan për barazinë e gruas në shoqëri. Në Greqinë antike, Lysistrata ishte nismëtarja e grevës së seksit ndaj burrave me kusht që ata të ndalonin luftën; gjatë Revolucionit Francez, gratë parisiene kërkuan të drejtat e grave nën thirrjen për “liri, barazi dhe bashkim”.
Pra, e parë në këtë këndvështrim, 8 Marsi është një festë, ku përkujtohet data e grave, të cilat kërkonin të drejtat e tyre, sepse më 8 mars 1911 Dita Ndërkombëtare e Grave shënohet për herë të parë në Kopenhagë, Danimarkë, me nismën e Klara Zetkin, udhëheqëse e Organizatës së Grave të Partisë Socialdemokrate gjermane.E parë në këndvështrimin tjetër, kur grave u mohohen të drejtat, në këtë rast e humbet nocionin e festës dhe kalon në anën tjetër, në kërkim të mosnëpërkëmbjes së këtyre të drejtave, pra kalohet në protesta.
Është e vërtetë që 8 Marsi është një ditë që mbart në vetvete respekt, dashuri të pafund, për ato gra qe na dhanë jetë nga jeta e tyre. Për ato që natën e bënë ditë dhe na mëkuan me qumesht nga gjiri i tyre edhe të drejtën për të mos humbur të drejtat që na takojnë. Për ato që gjenden pranë, sado larg që të jemi, sa herë zemrat tona dëshpërohen, sa herë shpirtrat tanë rënkojnë nga pesha e çdo lloj dhembjeje apo padrejtësie që u bëhet. Për atë krijesë të mbushur me kaq dashuri, me kaq mirësi.
Kur kjo ditë shërben për çka u tha më sipër, lind natyrshëm pyetja:. Por sa respektohen këto përpjekje për bashkim paqe e barazi?
Sinqerisht është për të ardhur keq që kjo ditë ka humbur origjinalitetin e saj dhe është transformuar në një ditë feste, ku shtrohen me tavolina mbushur sikur të jetë një dasmë. A ja vlen të festohet kjo ditë dhe cili është perceptimi për një ditë feste? A thua se gratë i gëzojnë të gjitha të drejtat e tyre dhe patjetër duhet kthyer në një ditë feste?
Nëse do ta shohim në aspektin social, dita e 8 Marsit duhet të kthehej në një ditë të kërkimit të të drejtave të tyre, sepse këto të drejta, jo vetëm që nuk ekzistojnë, por edhe ato pak të drejta nëpërkëmben, ose shkelen. Nuk mund të flasësh për liri të gruas, kur në fakt, ajo pas martesës trajtohet si pronë e burrit dhe që në këtë moment humbet edhe elementin më themelor, atë të lirisë. Problemet në drejtim të femrës janë aq të shumta, sa do të duheshin faqe të tëra për t’i përshkruar. Ajo që vihet re sot në shoqërinë mbarëshqiptare, qëndron në faktin se femra sot është e dhunuar në të gjitha aspektet e jetës dhe aq më tepër që vazhdon akoma, sot, në shekullin e 21, femra dhunohet fizikisht, trafikohet, pra në tërësi përdoret si një plaçkë tregu.
Është me të vërtetë për të ardhur keq për ato gra e vajza që janë futur dhe merren me politikë dhe janë bërë preh e politikanëve që i drejtojnë këto parti duke zbatuar symbyllur porositë dhe direktivat e tyre, duke mos ngritur krye për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre? Dhe vetiu lind pyetja: Cili është vizioni i tyre në fushën që merren, apo duhet thënë se janë pa vizion fare? Edhe në këtë rast gruaja është e nënshtruar nga tutorët politikanë që i përdorin thjesht për fasadë dhe për vota.
Tradita e trashëguar nga regjimi monist, 8 Marsin e ktheu në festë dhe kjo traditë vazhdon akoma edhe sot e kësaj dite. Dihej qëllimi i atij regjimi, por ka ardhur koha sot, jo të festohet, por të kërkohen të drejtat e tyre, pavarësisht se mund të jenë të shkruara diku, por që kanë mbetur në sirtaret e harresës.
Meqënëse sot është 8 Marsi, dita ndërkombëtare e gruas, nga tërë ajo mori lajmesh që kam ndjekur për gjithë ditën, perveç kremtimeve dhe reklamimit tyre se si po “kënaqen”,duke festuar, nuk pashë ndonjerën prej tyre, duke protestuar e vizituar Nenat të cilat vuajnë për kafshatë goje.
Sot më shumë se festë, do te duhej të protestohet kudo nga gratë. Në jetën e tyre ka kaq shumë pabarazi, dhunë, beteja, probleme për të drejtat e tyre. Do të duhej të protestohej për të gjitha ato nëna që ende vuajnë zhdujen e fëmijëve e familjarëve të tyre. Do të duhej të protestohej për të gjitha ato femra të dhunuara nga çetnikët serbë, ku ende nuk është ndërrmarrë asnjë hap për dënimin e merituar të tyre, do të duhej të protestohej për të gjitha ato nëna që enden kufijve me fëmijë në dorë duke kërkuar strehim nga luftëra. Më shumë se festë, sot do të duhej të protestohej për liritë dhe të drejtat e tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: 8 MARSI - FESTË, APO PROTESTË?, Saranda R. Shala

Përqasja e rastit të gazetes “Zaman” me fatin e medias shqiptare

March 6, 2016 by dgreca

Nga Enver Bytyçi/

Pamjet e transmetuara nga Turqia ditën e djeshme ishin trishtuese, të paimagjinueshme dhe shkatërruese për një sistem vlerash të një vendi anëtar të NATO-s dhe kandidat për t’u bërë anëtar i Bashkimit Europian. Trupat policore kanë hyrë me forcë në godinën e gazetës “Zaman”, një gazetë kritike e qeverisjes aktuale të Turqisë, dhe kanë marrë nën kontroll administrimin e kësaj gazete, e cila çdo ditë del me më shumë se një milion kopje në treg, duke konkuruar shtypin e shkruar europian. Arësyetimi i kësaj dhune shtetërore kundër gazetës më të madhe turke lidhet me faktin se ajo kritikon qeverinë dhe presidencën e zotit Erdogan si mbështetje e kundërshtarit të presidentit turk, udhëheqësit shpirtëror të Lëvizjes “Hizmet”, Fethullah Gylen. Zoti Erdogan e ka akuzuar kundërshtarin e tij si “komplotist”, që me anën e rrjetit të tij mbështetës në drejtësi, polici, në media dhe në arsim synon të rrëzojë pushtetin aktual në Ankara. Më këtë akuzë sot u shkërmoq media më e fuqishme e fjalës së lirë në vendin e madh të Turqisë, “Zaman”, si dhe një agjenci lajmesh e lidhur me të, “Cihan”. Qytetarë të shumtë në Stamboll janë përleshur me policinë në përpjekje për ta ndaluar aktin e dhunimit të tempullit të vetëm të fjalës së lirë të mbetur në këtë vend. Policia ka përdorur pompat e ujit për të shpërndarë turmën dhe ka hyrë me forca të shumta në ambjentet e gazetës. Kjo ndodhi pasi gjykatat kanë ndëshkuar dhe dënuar disa gazetarë opozitarë të rrjetit mdiatik të mbështetur nga Gylen me akuza absurde. Rasti në fjalë ka shkaktuar gjithashtu një reagim të ashpër të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos në Bashkimin Europian dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat nuk pajtohen me veprime të tilla arrogante të tipit totalitar kundër medias dhe fjalës së lirë. Në të vërtetë tolerimi i një akti të tillë nga ana e qeverisë turke do të ishte inkurajim e frymëzim për forcat e errëta antidemokratike për të shtuar dhunën kundër kritikëve të qeverisjes dhe për të ndaluar e cennsuruar fjalen e lirë jo vetëm në Turqi, por edhe në vende të tjera anëtarë të NATO-s e të BE-së, ose në vendet që janë në rrugën e integrimeve euro-atlantike. Presidenti i Parlamentit të Bashkimit Europian, Martin Schulz, u shpreh sot se “Turqia po luan me veten e saj sa i përket afrimit të saj të mëtejshëm me BE-në”. Qeveria amerikane kritikoi këtë akt duke e konsideruar si të papranueshme përpjekjen e qeverisë së Ankarasë për të vënë nën kontrollin e saj gazetën më të madhe të vendit. Shefi i Partisë së të Gjelbërtëve në Berlin me origjinë turke, Cem Ozdemir, i kërkoi kancelares Angela Merkel që të deklarohej qartë kundër aktit të dhunshëm ndaj gazetës “Zaman” dhe stafit të saj. Ai shprehet i ashpër me ndërhyrjen qeveritare turke për vënien nën kontroll të medias dhe paralajmëron institucionet e BE-së, kur thotë se “Do të ishte fatale, nëse Bashkimi Europian do të jepte sinjalin e gabuar, sipas të cilit, “Politika për refugjatët është më e rëndësishme sesa respektimi i vlerave themelore të lirisë”. Me këtë pozicion opozita gjermane do ta vendosë në vështirësi autoritetin e zonjës Merkel, e cila do të jetë e detyruar të ashpërsojë qendrimin e saj ndaj Turqisë. Kjo do të thotë gjithashtu se presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan, llogarit në interesat konjukturale të Bashkësisë Europiane, e cila është në vështirësi për menaxhimin e krizës së refugjatëve që vijnë nga vatrat e konfliktit në Siri. Ai po e shfrytëzon këtë krizë për të rrit pushtetin e tij absolut në vend dhe për ta drejtuar atë më një dorë të fortë autoritare me elementë të shumtë të tatalitarizmit. Ai shpreson se në këto kushte Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk do të reagojnë ashpër, së paku nuk do të vendosin sanksione ndaj Ankarasë. Por nëse Perendimi vendos të reagojë me ashpërsi, atëherë qeveria turke do të vihej në vështirësi të jashtëzakonshme, sepse Ankaraja ka humbur tashmë një aleat të pazakonshëm, Rusinë, të cilën e përdori, njësoj si edhe Beogradi, si kartë për të ushtruar presion ndaj NATO-s dhe BE-së, me qëllim krijimin e një hapësire tolerance për veprimet antidemokratike të presidentit Erdigan. Tashmë Moska dhe Ankaraja ndodhen në konflikt midis tyre dhe në rastin e një reagimi serioz të Perendimit, atëhere Turqia do të gjendej në një pozitë të pafavorshme. Martin Schulz i ka telefonuar kryeministrit turk, Davutoglu, por ky i fundit e ka justifikuar ndërhyrjen dhe marrjen nën kontroll të gazetës “Zaman”, në zbatim të një vendimi të gjykatës turke, sipas së cilës gazeta në fjalë do të duhejadministruar nga një administrator i caktuar nga qeveria. Kjo do të thotë, ndryshim i politikës editoriale të gazetës dhe përfundimisht mbylljen ose vënien e saj në shërbim të qeverisë. Në Shqipëri nuk i telefonojnë kryeministrit tonë për fatin e medias, sepse tek ne nuk janë shfaqur ende skenat e tilla të dhunës policore sin ë rastin e “Zaman”. Por në përmbajtje një sjellje e tillë me median është prezente. Në dy-tri vitet e fundit të qeverisjes së antirilindjes dhuna, terrori, kërcënimi mbi median, gazetaret e moderatorët e saj, janë ngritur në sistem, aq sa kritikat e saj për qeverisjen e dështuar janë sipërfaqësore, për çeshtje anësore, duke u larguar qëllimisht nga thelbi i zhvillimeve negative në këtë vend. Panorama e sjelljes arrogante të kryeministrit dhe anëtarëve të kabinetit të tij me median kanë arritur shkallën më të lartë, por me një ndryshim nga ajo që ndodh në Republikën e Turqisë: Tek ne makiazhi, fshehja e dhunës, arroganca e shitur si debat demokratik, blerja e pronarëve të medias, kërcënimi jo publik i tyre, kushtëzimi në biznes etj, janë skemat perfide të sjelljes me median nga ana e ekzekutivit shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Enver Bytyci, Përqasja e rastit të gazetes “Zaman” me fatin e medias shqiptare

Ambasadori Amerikan, Donald Lu, Shpresa e të rinjve

March 4, 2016 by dgreca

Na shkruan një gjimnazist nga Shqipëria/

Nga Renato SHKULAKU-Maturant/

Sot, fatkeqësisht mundësite e të rinjve po zvogëlohen gjithnjë e më shume . E ardhmja e tyre në Shqipëri nuk është më e sigurt, dhe shkak për këtë janë faktorë të ndryshëm, ku më kryesori mbetet korrupsioni. Në vendin tonë ka shumë njerëz si politikanë, gjyqtarë, prokurorë etj. të korruptuar, dhe këtë fenomen e vërtetojnë mediat, por edhe arrestimet, denoncimet që bëhen nga burime të ndryshme etj. Por këto arrestime ndodhin në masë të vogël, dhe përsëri mbetemi një vend i mbushur me njerëz të korruptuar dhe të papërgjegjshëm, që mendojnë vetëm për interesat e tyre, dhe e kanë lënë popullin dhe vendin në gjendje të mjerueshme. Shumë të rinj shqiptarë, zgjidhjen më të mirë dhe më të arsyeshme, shohin largimin nga vendi. Por jo cdokush e ka mundësinë për tu larguar dhe detyrohen të qëndrojnë në Shqipëri.Por cdo ndodhë me ta? A do t’i gjejnë ata mundësitë që të jetojnë në një vend me drejtësi, ndershmëri, apo do detyrohen të qëndrojnë nën “hijen” e këtyre politikanëve të korruptuar?

Edhe pse duket e vështirë zhdukja e këtij fenomeni, në Shqipëri duket se ka lindur një “shpresë”, një “shpresë” e cila po ju shpall luftë këtyre politikanëve, dhe po mundohen ta bëjnë Shqipërinë një vend sa më të mirë, ku të mbizotërojë ligji dhe drejtësia, ku cdokush do të marrë atë që meriton. Kjo “shpresë” simbolizon ambasadorin amerikan në Shqipëri, Donald Lu. Në deklaratat e tij, ai vazhdimisht thekson luftën ndaj korrupsionit, ju bën apel politikanëve dhe institucioneve përkatëse për   reformat në drejtësi dhe marrjen e masave për zbatimin e ligjit. Gjithashtu kohët e fundit ai deklaroi se SHBA ju ka ndaluar hyrjen në vend, të gjykatësve të korruptuar. Ata ju kanë hequr apo jua kanë anulluar vizat atyre, dhe kjo gjë është një fakt i cili duhet vlerësuar dhe mbështetur në maksimum, ku tregon se prioriteti kryesor i ShBA-së në Shqipëri mbetet lufta ndaj korrupsionit. Këto hapa, janë fillimi i një lufte të gjatë për vënien në vend të drejtësisë. Ky politikan duhet marrë shembull nga politika shqiptare, ku shohim se ai vërtet mendon për Shqipërinë. Edhe fakti se ai flet shumë mirë gjuhën Shqipe, tregon edhe njëherë respektin dhe dashurinë që ka për vendin tonë. Donald Lu është një frymëzim për të gjithë ne, të rinjtë Shqiptarë. Me deklaratat e tij, me luftën ndaj korrupsionit që ai po zhvillon, ne ndihemi të “fuqishëm” përballë tiranisë së politikavë të korruptuar. Ne po na lind një fije shprese, se edhe Shqipëria, në të ardhmen do jetë një vend akoma më i mirë dhe më i zhvilluar, ku do jetojmë dhe do jemi pjesë e një shoqëri të drejtë dhe se zbatimi i ligjit do jetë qëllimi ynë kryesor . Më në fund ne po na lind siguria, se të gjithë do të jenë të barabartë para ligjit, dhe ku cdokush do ndëshkohet për ato që ka bërë. Kohët e fundit shohim se dhe shumë Shqiptarë po solidarizohen dhe shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj korrupsionit. Tashmë ata nuk kanë “frikë” por mundohen ta luftojnë këtë fenomen në mënyra të ndryshme si me denoncime, publikimet etj. Kto ngjarje janë shumë të rëndësishme që tregojnë hapat e para ndaj një shoqërie europiane, dhe meritën për këtë e ka sigurisht edhe ambasadori amerikan Donald Lu. Ne jemi me fat që kemi një mbështëtje kaq të madhe, dhe tashmë largimi nga vendi nuk është më zgjidhja e duhur, sepse ne, rinia e sotme Shqiptare, jemi e ardhmja e vendit. Ne duhet të përgatitemi në mënyrën më të mirë, duhet të përqafojmë drejtësinë, dhe sëbashku me njerëzit e duhur, ti detyrojmë të gjithë politikanët e korruptuar të qëndrojnë para ligjit, dhe të ndëshkohen për krimet e tyre. Tashmë Shqipëria nuk duhet të mbetet vend i prapambetur për shkak të këtyre personave, por duhet ta bëjmë një vend shumë të zhvilluar dhe të gatshëm për ta bërë pjesë të Bashkimit Europian dhe Kjo gjë realizohet vetëm duke besuar tëk drejtësia, tek shteti i së drejtës, dhe falë ambasadorit, ky besim po rilind pak nga pak .

Renato Shkulaku

Maturant

Filed Under: Opinion Tagged With: Donald Lu, Renato Shkulaku, shpresa e te rinjeve

Ç`më tha Gjon Keka për Skenderbeun ?

March 4, 2016 by dgreca

Me studjuesin e Skënderbeut , jetës dhe veprës se tij Gjon Kekën është një privilegj të bisedosh mu për atë se si e shpjegon  kryetrimin legjendar . Nga studimet e tija të shumta nëpër arkivat e ndryshme  e sheh  kryetrimin legjendar të gjallë mu ashtu si e përshkruan Petruzi:

“Një hundë butësisht e lakuar si shqiponjë, një fytyrë të bardhë e përzier me pamje të skuqur dhe të shëndetshme, si rezultat i aktiviteteve te tij në diell, ballë të lartë të gjerë, sy të zi në të kaftë dhe mjekër të stilit të heronjve të vjetër me reputacion…Kastrioti është i madh më tepër se madhësia e zakonshme e njeriut, i fuqishëm, muskulor… me dhunti dhe fisnikëri që nga lindja e tij…Ai ka një trup të fuqishëm dhe të pazakontë fizik dhe unë e kam parë disa herë atë në beteja…I veshur me të gjelbër me një rrip shumë të mirë në mes… pantallona të gjera me shtrese tek këmbët të çorapeve ne të kuqe dhe çizme te verdha janë stolia e tij e zakonshme…
Natën, shpata e tij gjithmonë duhet të qëndrojë tek shtrati.
Në paqe ai shkon shpesh i veshur, në bazë të veshjes kombëtare (artit të veshjes se vendit)… Ai është jashtëzakonisht i masës në të ngrënë dhe në të pirë… ndërsa, për nga morali ai mund të shërbejë si shembull (model)…I pastër, i devotshëm, i butë, orator dhe bujar…Ai zotëron një kujtesë të paimagjinueshme, në mënyrë që ai si Pirro, paraardhësi i tij i madh, emrat e pothuajse të të gjithë luftëtarëve të tij i njeh…I urtë dhe i kujdesshëm në këshillat e tij, ai i shqyrton planet e sukseseve ose dështimeve të tij, por kur ai i dizajnon planet njëherë, ai i ekzekuton ato me vendosmëri dhe shpejtësi si rrufeja. Përveç gjuhës së tij amtare, ai flet plotësisht turqishten, tatarishten, sklavonishten, latinishten, persishten dhe Velshisten; po ashtu ai e njeh mirë historinë e lashtë greke dhe romake: librat më të preferuar të tij janë jetëshkrimet e Plutarkut dhe komentaret e Cezarit. Ai përdori historinë e vjetër të Livit dhe përshkrimet (direksionet) e tij duke i nxjerrë ato si rregulla për qeverinë e tij dhe mënyrën e jetës prej tyre…”!(Fjalët e një nga bashkëkohësit e tij i quajtur Petruzi, nga letra dërguar Senatit Venecian. )

Si ta kuptojmë Skënderbeun?

-“Tashmë ka ardhur koha e të kuptuarit dhe e bindjes akademike, nëpërmjet studiuesve dhe individëve, që me arsyetim të mirëfilltë shkencor dhe argumente serioze, nëpërmjet dokumenteve që ekzistojnë në arkivat e ndryshme europiane, të faktojnë se ai jo vetëm që ishte mbret i Shqipërisë, por edhe mbret i kurorëzuar europian (pas vdekjes në Ankona të Papa Piu II). Qëllimi i kurorëzimit mbret, siç flasin dokumentet që i referohen Papa Piu II, ishte dhënia e një kurore jo vetëm si mbret i Shqipërisë, por edhe si mbret europian, pasi ai e kishte marrë ligjërisht të drejtën e udhëheqjes apo të komandës së forcave të aleancës së ushtrive të kombeve europiane kundër perandorisë barbare osmane. Madje, duhet nënvizuar se, me të hyrë në Krujë, populli e përshëndeti Gjergj Kastriotin me fjalën Mbret, pra e pranoi si mbretin e vet. Ky legjitimitet demokratik i asaj kohe përbënte rinjohjen e autoritetit dhe të trashëgimisë së tij, siç edhe theksohet më së miri te “Georgius  Scanderbegus Epirotarum Princeps, a suis Rex salutatur – 1443”.Megjithëkëtë, duhet bërë e qartë se janë autorë të shumtë dhe dokumente arkivore që dëshmojnë se Gjergj Kastrioti ishte mbret sovran dhe legjitim i Shqipërisë, si dhe mbret europian. Aftësitë e tij prej udhëheqësi dhe vizioni që ai zotëronte kërkuan aleancën e përbashkët me Europën e bashkuar, por, mbi të gjitha, kërkuan për një lidhje të ndërsjellë të kombeve për t’i dëbuar turqit barbarë nga kontinenti europian….Për ta përforcuar atë çka u përmend më lart, autorët Jean B. Ladvocat dhe Otto Ch. Von Lohenschiold kanë shkruan në veprën e tyre mbi mbretin e Shqipërisë kështu: “Skandereberg, ose më mirë Skënderbeu, që do të thotë zotëri Aleksandri me emrin Gjergj Kastrioti, Mbret në Shqipëri, një prej heronjve më të mëdhenj…”. Ose edhe sic potencohet kwtu nga kronikat e vitit 1826:”Scanderberg fut reconnu roi d’Albanie le jour même; ce fut le titre qu’il prit, et ‘ qu’il conserva jusques à’ sa mort, pendant un règne glorieux de vingt-quatre ans. Ce furent des fêtes continuelles dans tout le pays. On en conserve encore la mémoire par la haine insurmontable que l’on y porte aux Turcs.”

*E tërë historia e shkruar europiane për Skënderbeun  atë e paraqet  si atdhetar  dhe se lufta e tij  si ishte ?

-.“Po ashtu, duhet nënvizuar fort se çështja e tij – dhe për të cilën ai luftoi deri në vdekje – ishte më tepër  nacionale sesa religjioze, sepse ai erdhi për ta shpëtuar popullin e tij, për t’ia këputur atij zinxhirët e skllavërisë, për të mos i lënë më të jetojnë në persekutim dhe të vdesin si skllevër, por të jetojnë e gëzojnë si arbërorë të lirë dhe me të ardhme të ndritur për brezat në vazhdim.”
*Sipas hulumtimeve tuaja ke gjetur se sa ishte pesha e vertete e Perkrenares dhe shpates se Gjergj Kastriotit Skënderbeut  ?

-“Është shkruar dhe është folur mjafte rreth përkrenares dhe shpatës se Gjergj Kastriotit Skënderbeut, edhe pse ne disa versione qe janë dhëne mbi peshën e shpatës se tij ,ato nuk janë te gjitha te sakta, e vërteta ehte kjo: Ne muzeun historik te artit ne Vjene gjenden dy shpata te Gjergj Kastriotit dhe Përkrenarja, Përkrenarja ka mbishkrimin : * IN * PE * RA * TO * RE * BT *,dhe peshon 3 Kg.

Shpata e Gjergj Kastriotit e modelit italian ka gjatësi 89 cm, gjerësi 5,5 cm ,ndërsa hekuri i mesëm ka gjatësi 7,8 cm dhe peshon 1,9 Kg. II. Shpata tjetër e modelit turk, ka gjatesi 1,22 m

dhe peshon 3,2 Kg.

Ndërsa sipas një kronike hungareze  të vitit 1733 Gjergj Kastrioti ka shkruar me dorë të majtë ashtu siç edhe ka luftuar me shpatë mu me dorën e majtë  “

Testamenti i Gjergj Kastriotit gjendet ne librin „Skenderbeu,ideator i bashkimit europian, Botart 2012, Ndërsa shumica e letrave diplomatike gjenden ne librin „Roli politik dhe ushtarak i shtetit te arberit Qeverisja e urte e Gjergj Kastriotit ,Botart 2015.të autorit Gjon Keka

Fahri Xharra,04.03.16
Gjakovë

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ç`më tha, Fahri Xharra, Gjon Keka, per Skenderbeun

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 584
  • 585
  • 586
  • 587
  • 588
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT