• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në shkolla, Studim jo i fesë, por i historisë së feve

April 11, 2016 by dgreca

Nga Ardian Vehbiu/

Kryeministri Rama paska hedhur idenë për studimin e fesë në shkollat e republikës, çka është pritur me kundërshtim dhe skepticizëm nga shumë anë.

Disa media kanë folur për një futje të “mësimit të fesë” në shkolla, gjë që nuk më duket e saktë.

Në mësimin e fesë, nxënësit mësojnë për fenë e tyre; përkundrazi, ideja e kryeministrit, që përsiatet prej kohësh në Europë, është që në shkolla nxënësit të mësojnë për fenë e tjetrit.

Mes pështjellimit dhe formulimeve të pasakta, kam frikë se ideja e kryeministrit përfundoi në një batutë për t’u kundërshtuar me batuta të tjera.

Nuk besoj se sot në Shqipëri mund të kërkojë kushfutjen e fesë në shkollat publike, qoftë ai edhe kryeministri vetë; por vetëm studimin e historisë së feve, diçka krejt tjetër.

Njohuritë për fetë, që nuk duhen ngatërruar me besimin fetar, janë bërë tashmë të domosdoshme për formimin qytetar europian (dhe jo vetëm); në rrethanat kur fetë e ndryshme ballafaqohen mes tyre, por edhe me ateizmin, agnosticizmin dhe misticizmin haptazi dhe fshehurazi.

Brezi im u rrit në një mjedis fetarisht të sterilizuar; por kjo sot na krijon jo pak vështirësi, në përpjekjet për të komunikuar me kulturën, në Perëndim dhe në Lindje.

Brezat më të rinj se imi, që kushedi i ekspozohen trysnive nga burime të radikalizuara të dijes fetare, ndeshin në vështirësi të një lloji tjetër: atje ku ne më të vjetrit mezi i dallojmë diferencat dhe fillesat e ndryshme kulturore, atyre më të rinjve këto mund t’u duken arsye të mjaftueshme për konflikt moral dhe jo vetëm.

Të dyja këto patologji ekspozojnë ndaj rreziqeve dhe konflikteve sociale, sidomos në afat të gjatë.

Padija që shpesh kemi për fenë e tjetrit, por edhe fenë tek e cila thjesht nuk besojmë, shndërrohet në burim përçarjeje dhe dhune.

Të paditur, e shohim Tjetrin si karikaturë, ose veç duke ia lexuar shenjat e jashtme.

Tjetër punë si do të realizohet njohja e fesë së Tjetrit, ose kush do t’i mësojë mësuesit dhe kush do t’i edukojë edukatorët: historia e feve është displinë komplekse dhe e vështirë për t’u rrokur, përtej klisheve pseudo-ekumenike ose kurioziteteve antropologjike.Vetëm vullneti i mirë nuk mjafton; puna e filluar tani, do të japë frytet e saj shumë më vonë.(Peizazhe.com)

Filed Under: Opinion Tagged With: Ardian Vebiu, Në shkolla, por i historisë së feve, Studim jo i fesë

POLIFONIA SHQIPTARE NUK KA PSE TË RIPAGËZOHET

April 10, 2016 by dgreca

Nga Nelson R . Çabej/

Dje në shtypin shqiptar u botua letra e hapur e zotit Fitim Çaushi, drejtur kryeministrit Edi Rama, në emrin e tij e të dhjetë shoqatave atdhetare e kulturore, në të cilën i kërkon që të hiqet termi “iso-polifoni shqiptare”, që në mënyrë arbitrare dhe pa miratimin e instancave kompetente dhe institucioneve shkencore, u fut në vitin 2002. Autori i letrës e motivon nevojën e këtij ndryshimi me implikimet serioze që ka termi ‘isopolifoni’ në identitetin kulturor e kombëtar shqiptar.

Kjo letër më shtyu të shpreh edhe unë këtu mendimin tim modest për këtë çështje.

Eshtë shumë paradoksale që në ndonjë rast ne si popull nuk kemi njohur vlera të vërteta të trashëgimisë sonë kulturore dhe jemi bërë të vetëdijshem për to vetëm pasi na i kanë treguar të huajt.

Në mënyre paradigmatike kjo ilustrohet nga shëmbëlli i polifonise shqiptare. Para se të niste vlerësimi zyrtar i polifonisë me zhvillimin e festivaleve folklorike nga fundi i viteve 60te, fillimi i një  kënge polifonike popullore nga shumëkush pasohej me shprehjen ’Tani do fillojë shiu”.

Në atë kohë etno-muzikologu britanik Albert Lloyd i kërkoi nën-drejtorit të Institutit të Folklorit, të dërgonte në një festival botëror të këngës popullore që do të zhvillohej në Londër, grupin polifonik të Xhevat Avdallit, duke i shprehur bindjen e tij, si kryetar i jurisë, se do të fitonte çmimin e parë. Kërkesa e tij u refuzua sepse ai grup ”nuk përfaqësonte denjësisht muzikën tonë popullore” dhe çmimi u fitua nga një grup popullor bullgar.

Tanimë ato kohë kanë kaluar dhe të gjithë ne e dimë natyrën unikale dhe origjinalitetin shqiptar të polifonisë sonë popullore, kësaj perle të pakrahasueshme të kurorës kulturore të popullit tonë të lashtë. Tanimë, me meritë të padiskutueshme, UNESKO e ka futur atë në thesarin e kryeveprave (masterpiece) të kulturës shpirtërore botërore

Vite më parë në Vjenë, etnografi dhe etno-muzikologu austriak Dietrich Schüller, drejtor i Fonogramarkivës së Akademisë së Shkencave të Austrisë, në përgjigje të pyetjes se çfarë vlerësonte mbi të gjitha në këtë polifoni, më tha se është e habitshme shkalla e lartë e sofistikimit që ka arritur ajo, sidomos në polifonine 4-zëshe të grupit të rajonit të Labërisë. Dhe shtoi se kjo sigurisht është një tregues i një jete shoqërore të zhvilluar në trojet shqiptare në të shkuarën.

Polifonia jonë, karakteri origjinal i saj dhe ndikimi i saj në polifonitë relativisht modeste të vëndeve fqinjë, janë vënë në dukje nga shume studiues të huaj. Në Enciklopedinë Amerikane 10-vëllimshe të muzikës, në zërin e polifonisë, lexojmë se polifoni dy-zëshe ka edhe në Itali edhe në Sllovaki, në Bullgarinë perëndimore, Maqedoni dhe Greqi, etj. e madje në rajonin e Kosturit ka një grup bullgar që këndon me tre zëra, por shktuhet më tej, ata ”e kanë huazuar këtë nga polifonia toske”. Në artikull theksohet se ”madhështore është polifonia 4-zëshe e rajonit të Gjirokastrës” (magnificient is the polyphony of the region of Gjirokastër).

Po të shikosh përhapjen e polifonisë shqiptare, ajo tregon qartë atë model (pattern) që ka vënë re së pari etnomuzikologu i shquar shqiptar, Ramadan Sokoli, sipas te cilit Labëria përfaqëson qendrën e polifonisë shqiptare me 4 zëra dhe, duke u larguar prej asaj qendre, ajo bie në polifoni me tre e me dy zëra, brenda dhe jashtë territorit të Shqipërisë.

Studiuesi shqiptar i polifonisë, Eno Koço, citon muzikologen gjermane Doris Stockmann që ka kryer kërkime dhe regjistrime në magnetofon të këngëve polifonike në shumë treva shqiptare nga fundi viteve 50-të. Në artikullin e saj mbi muzikën e çamëve të Shqipërisë së jugut (Zur Vokalmusik der südalbanischen Çamen), ajo thekson se muzika kishtare bizantine mund ta ketë marrë ison nga polifonia shqiptare. Dhe me të vërtetë, po të ishte e kundërta, atëhere qendra e polifonisë në Ballkan do të ishte diku në Thrakinë bullgare e greke e jo në Labëri qe gjendej në periferi të Bizantit e në skajin e kundërt ballkanik të Konstantinopolit.

Lashtësinë ilire të polifonisë shqiptare duket sikur e dëshmon jo vetëm gjetja në zbulimet arkeologjike të rajonit e figurinave  të njerëzve që luajnë më cule dyjare, por edhe gjurmët e polifonisë popullore në veri të Shqipërisë e madje deri në folklorin e Bosnjës së sotme.

Futja e termit iso-polifoni koincidon në Shqiperi edhe me dy dukuri që nuk mund të shikohen të shkëputura

  1. Një përpjekje për ta lidhur polifoninë shqiptare me një dukuri mitologjike, me këngët e sirenave greke. Në rastin me të mirë, kjo përpjekje përfaqëson një absurditet sepse një mit, si pjellë e fantazisë (as sirenat as këngët e tyre nuk kanë ekzistuar realisht) nuk mund të jetë burim i një dukurie reale, siç është polifonia shqiptare.
  2. Një përpjekje të hapur për ta nxjerrë ison e polifonisë shqiptare si të prejardhur nga këngët kishtare greko-bizantine, ndonëse askush nuk ka mundur të provojë bindshëm ekzistencën e një lidhjeje të këtillë (dhe po të mos marrësh parasysh arbereshët e Greqise  dhe ndikimin e tyre kulturor nw Greqi polifonia popullore nuk njihet). Duhet mbajtur parasysh se përgjithësisht polifonia popullore është më e lashtë se sa polifonia e muzikës së kultivuar, dhe specialistë të huaj e shqiptarë që e kanë studiuar në bazë polifoninë popullore shqiptare, siç theksuam më parë, mendojnë se isoja e kënges kishtare greko-bizantine mund ta ketë prejardhjen nga  polifonia shqiptare dhe jo e kundërta.

Veç lidhjeve të pabazuara me mitologjine greke dhe me muzikën greko-bizantine termi ’iso-polifoni’ çalon rëndë edhe nga pikëpamja thjesht semantike, sepse isoja nuk është elementi thelbësor i polifonisë shqiptare dhe termi “iso-polifoni” jo vetëm që nuk shpreh origjinalitetin, unikalitetin dhe nivelin e lartë të polifonisë shqiptare 3- dhe 4-zëshe, por e zbeh karakterin e saj të vërtetë.

Sa më sipër, prekin identitetin kulturor e kombëtar të shqiptarëve, andaj mua më duket se autori i letrës ka të drtejtë të shqetësohet për sa shtron në atë letër.

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Nelson R. Çabej, NUK KA PSE TË RIPAGËZOHET, Polifonia shqiptare

Rinia dhe Feja-Opinion i një maturanti

April 10, 2016 by dgreca

Nga Renato Shkulaku/

Feja është rruga, e cila na mëson dhe na edukon të bashkëjetojmë mes paqes, drejtësisë, dashurisë, lumturisë etj,  dhe na ndalon rreptësisht kryerjen e shumë gjërave negative. Ajo është mënyra e duhur, ku nëse ke humbur “rrugën” e drejtë, të gjesh forcën për tu rikthyer dhe për tu bërë një person i dobishëm si për veten, ashtu edhe për shoqërinë. Por pavarësisht se feja është kaq e vlefshme, kaq e dobishme për jetët tona, a duhet të na e imponojnë, ne të rinjve shqiptarë në shkolla?

Ditët e fundit, kryeministri Edi Rama, propozoi  që në shkollat publike shqiptare, nxënësit të mësojnë mbi kulturën fetare. Ky fakt sipas kreut të qeverise nuk do të cënojë laicitetin e sistemit arsimor, por do të shërbejë si nje armë e fortë, për të mos u bërë pre e propagandës së atyre që kryejnë krime ne emër te Zotit.  Ky propozim i  kryeministrit, u mbështet nga disa individë dhe kundërshtua me forcë nga disa të tjerë . Në të vërtët objektivi i  këtij mendimi është mbrojtja e të rinjve nga ideologjitë kërcënuese, qëllimi i të cilave  mbetet mashtrimi i njerëzve.

Por si e gjykojmë ne të rinjtë shqiptarë, këtë ide të kryeministrit?

Në fakt kjo ide, për ne të rinjtë shqiptarë është e gabuar. Pavarësisht se qëllimi është edukimi i brezave, që të mos bjenë “pre” të rrymave të ndryshme dhe dëmtuese për shoqërinë, përsëri mendojmë se ky propozim nuk duhet të lejohet. Një njeri duhet të afrohet me besimin, kur ai vërtet e ndjen, dhe jo kur e detyrojnë. Pasi realisht kjo gjë do ndodhi, do imponohet feja me detyrim tek të rinjtë, kur në të vërtët ata ose madje edhe prindërit e tyre, mund të mos e duan një gjë të tillë. Në Shqipëri, ka shumë shkolla private, ku mësohet edhe për fenë. Për këtë shkak, pra për edukimin fetar, shumë të rinjë sot, nuk i pëlqejnë këto shkolla, dhe ju drejtohen shkollave publike. Por ç’farë do të ndodhë me kta rinj, nëse edhe shkollat publike zhvillojnë në procesin e tyre mësimor, edukimin fetar?  Pra para se të merret ky mendim, duhen analizuar mirë edhe dëshirat, mendimet e të rinjve, pasi kjo ide lidhet drejtpërdrejt me ta. Gjithashtu Shqipëria është një vend , ku shquhet për bashkëjetesën fetare, e cila na vërtëton se të rinjtë nuk kanë nevojë të mësojnë mbi kulturën fetare në shkolla, pasi atë kulturë mund ta marrin nga familjet e tyre, të cilat duhet të japin maksimunin për edukimin e tyre. Por ka individë që mund të jenë ateist, dhe në asnjë mënyrë ata nuk dëshirojnë të mësojnë për fenë. Kjo është një e drejtë e tyre, që nuk mund të shkelet pasi jemi një vend demokratik, ku respektimi i së drejtës dhe lirisë së individit mbetet detyra kryesore e vendit tonë .

Por si mund të mbrohen të rinjtë të cilët mashtrohen nga individë të ndryshëm dhe të papërgjegjshëm, të cilët nuk kanë aspak ndjenja humanitare?

Shteti ynë duhet të rrisë ndikimin e tij në vend, dhe të përpiqet me të gjitha mundësitë për ndalimin e këtyre personave. Në çdo vend fetar duhet me patjetër të këtë dhe përfaqësues të  cilët të jenë fetarë, por që të punojnë për shtetin. Ata duhet të garantojnë dhe të sigurojnë mbrojtjen e njerëzve, por gjithashtu mund edhe të edukojnë edhe të rinjtë që mund të jenë aty. Gjitashtu një rol shumë të madh, në edukimin e fëmijëve luan edhe familja. Aty të rinjtë duhet të mësojnë të gjitha vlerat e jetës, dhe në të ardhmen , falë familjes, ata të mos bëjnë zgjedhje të gabuara, duke lufuar padrejtësitë dhe duke bashkëpunuar edhe me familjet apo shtetin .

Pra ekzistojnë shumë mundësi për edukimin e të rinjve në rrugën e drejtë, për ti përgatitur për të ardhmen. Këto mundësi duhet të trajtohen seriozisht nga shteti, i cili nuk mund të lejojë edukimin fetar në shkolla, por të shohë mënyra të tjera , të pëlqyeshme nga të gjithë, ku të gjithë të japin kontributin e tyre. Ne jemi vend kanditat për në Bashkimin Europian, dhe duhet të edukohemi mbi parimet europiane, të cilat do të jenë bazat e së ardhmes së Shqipërisë. Rina do të jetë e ardhmja e vendit, dhe një rini e europianizuar do të jetë shumë e dobishme për Shqipërinë europiane.

Filed Under: Opinion Tagged With: i një maturanti, Renato Shkulaku, Rinia dhe Feja-Opinion

Për kë votoi Edi Rama?!

April 10, 2016 by dgreca

Nga Ilir LEVONJA/

Po Edi Rama për kë votoi? Qe kjo një pyetje që më bëri të nënqesh. Më erdhi ashtu papritur. Ndërkohë po kërkoja në internet epokën e luftës politike midis treshes amerikane Barak Obama, Xho Bajden dhe Hillari Klinton. Koha e fushatës së kandidatëve brenda demokratëve. Nga republikanët dukej sheshit që Xhon Mekej kishte shance të mëdha. Dhe shumë shpejt do ishte kandidati i vetëm i tyre. Ndërsa demokratët akoma po luftonin ashpër. Po sulmonin keqas njëri-tjetrin. Këta ishin ata që përmenda më sipër…, Obama, Bajden, Klinton. Këtu e nëntë vite më parë. Atëhere se si më dukej politika e këtij vendi. Si teatër. Si një lojë e përkryer ku drama luhej faqe njerëzimit. Pas atyre që thoshin këta aktorë për  njëri-tjetrin, dukej sikur nuk kishin për ta përfunduar kurrë bashkë atë shfaqje teatrale. Mirëpo ndodhi e kundërta. Si Klinton dhe bajden i hapën rrugën Obamës dhe u kërkuan zgjedhësve të votonin për ‘të. Ky qe pragu i konturimit të rivalitet të ardhshëm elektoral midis Obamës dhe Xhon Mekejt. Midis republikanëve dhe demokratëve. Tashmë dihet, atë betejë e fitoi Obama.  Për të drejtuar Shtëpinë e Bardhë ai ftoi pikërisht dy ish kundërshtarët e tij në parti. Dhe ai që ishte në tavolinën e nderit në darkën e inagurimit qe po rivali presidencial Xhon Mekej.

Të gjitha këto më kishin futur në botën e kërkimeve për shkak se Kryeministri im sapo ishte përgojuar në Associated Press, një bashkësi gazetarësh me seli në New York. Quante rrezik të madh fenomenin Donald Trump për marrëdhëniet e Shqipërisë sime me Amerikën.

Në memorien time dilnin fytyrat e rivalëve të mësipërm. Dhe natyrisht pamja e Edi Ramës më bëhej naive. Më dhimbseshin dhe ato këshilltarë qeveritarësh…, që edhe pse kanë një barrë edukimi në supe prapë nuk mund të dalin dot para njëshit të sojit shqiptar. Ai i di të gjitha.

Tani që t’i shpjegosh Edi Ramës se raportet e presidentit amerikan me Kuvendin. Apo raportet e Shtëpisë së Bardhë me Kushtetutën e vendit. Se si rregullohen dhe administrohen…, është të një gjë e pakonceptueshme për kaplloqet e politikës shqiptare. Kështu që nuk ia vlen as të t’i kujtosh se sa rrezik është në të vërtetë Donald Trump për amerikën dhe qytetarët e saj.

Por po ua them shqiptarëve me dy a tri rreshta. Donald Trump është një produkt sfidues i qytetarëve të lodhur me premtimet e politikës. Një njëri që vjen nga biznesi dhe fal kulturës së demokracisë amerikane ka mundësinë të konkurojë mes një grupi kanditatësh politikë me përvojë. Në Shqipërinë e Edi Ramës një rast të tillë kanuni politik të nxjerr nga dera e mbrapme. Dhe me ceremoni degjenerimi. Mirëpo Kryeministri ynë duke menduar se di gjuhë të huaja, di edhe poltikën, kulturën dhe demokracinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tani që t’i përgjigjem pyetjes së atij njeriu, që më largoi nga këto meditime. Se për kë votoi Edi Rama …, mjafton t’i përmend një mesazh tjetër. Ai më erdhi nga një qytet jugor i Shqipërisë…

Nga 1777 pjesëmarrës, vetëm 27 votuan kundër referendumit. I bie 1750, pro. Ose 99. 08%

pro fortlumturisë së tij Edi Rama.

Për kë votoi atëhere vet Edi Rama? Për askënd. As për veten e tij. Vetëm se kur u fut aty, në kthinën e krimit, pështyu fletën, e shau…, çfarë nuk i tha. Se ua dhjeva të gjithëve. Por të parit ty o Blush.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, Për kë votoi Edi Rama?!

Ministrat shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë…

April 9, 2016 by dgreca

Vëzhgim nga Abdurahim Ashiku- Athinë/

REGJISTRIMI I EMIGRANTËVE DHE AUTOBUSËT PËR VOTIM…/

Ministri Tahiri shfrytëzoi udhëtimin në Athinë lidhur me problemet e refugjatëve nga Lindja e Mesme, ku Greqia mban peshën kryesore në udhëtimet e tyre drejt Evropës, për tu takuar edhe me emigrantët (dikur refugjatë) shqiptarë në Athinë.
Takimet e pushtetarëve të lartë me emigrantët shqiptarë në Greqi historikisht janë bërë me “tel të nëndheshëm”, pa njoftime të gjera e pa ndonjë program diskutimesh dhe debati. Kështu që edhe fjalët e tyre, edhe diskutimet e të pranishmëve, kanë korrur “mbi kalli”, pa mbledhë bereqet për të bluar miellin dhe për të gatuar bukën e detyrimeve që ka shteti për mërgimtarët tashmë 25 vjet  larguar e harruar.
E natyrshme do të ishte që edhe vendi i takimit të ministrit Tahiri, (oborri i një institucioni universitar amerikan – siç e treguan fotot dhe kronikat e përcjella), edhe tema e diskutimit të ishte pa “kalem”.
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e emigrantëve, një hap shumë i vonuar për një shtet të organizuar, për një shtet i cili e ka mbajtur (dhe e mban) frymën gjallë nga dërgimi i parave (remitancave siç thuhet me një fjalë që nuk e ka fjalori i shqipes) dhe nga investimet në ndërtim dhe në hapjen e bizneseve me paranë e djersës, gjakut dhe mundit të më se një milionë shqiptarëve.
Në 25 vjet shteti shqiptar nuk qe në gjendje të regjistrojë shtetasit e vet që i kishte ”dërguar” në kurbet ndërkohë që shteti më i ri në botë, Kosova, e ndërmori këtë hap dhe e përfundoi plotësisht !
Në 25 vjet shteti shqiptar, me një numër ministrish rekord, nuk bëri një MINISTRI EMIGRACIONI  që të dëgjonte zërin dhe të kujdesej për një të tretën e shtetasve të vet që punojnë e jetojnë në emigracion. Kosova, shteti më i ri dhe me një numër shumë më të vogël mërgimtarësh se sa Shqipëria, ka vite që komunikon me mërgimtarët e vet nëpërmjet MINISTRISË SË DIASPORËS (!)
Ka 15 vjet që në Selanik (7 mars 2001) është hapur shkolla e parë shqipe për mësimin e fëmijëve të shkruajnë, lexojnë e këndojnë në gjuhën e nënës, shkollë e drejtuarnga mësues atdhetarë të SHKALLËS SË PARË –“Rilindës të kohës sonë” (jo rilindje të Edit e Ilirit), shkollim vullnetar, pa asnjë lloj shpërblimi e stimuli moral e material.
Në 15 vjet të Ilirit, Nanos, Saliut e Edit-kryeministra, nuk u arrit të bëhet një ligj i posaçëm për shkollën shqipe në mërgatë, të regjistroheshin në një amzë të ministrisë së arsimit mësues e nxënës(!)
Këtë e bëri Kosova, shteti më i ri në botë. E bëri me disa nene në ligjin për ministrinë e diasporës dhe me një “Udhëzim administrativ për shkollat e mësimit plotësues në gjuhën amtare në diasporë”.
Për shkollimin shqip të fëmijëve në Greqi nuk ekziston asnjë marrëveshje midis dy shteteve dhe dy ministrive të arsimit për krijimin e hapësirave legale për zhvillimin e mësimit shqip në mjedise shkollore greke, pse jo edhe si gjuhë e dytë për një popullsi legale që kap rreth 10 për qind të banorëve në hapësirën greke.
Problemet e mërgatës në Greqi shtruar me gojë e me shkrim, me letra në drejtim të organeve të larta të shtetit, kanë rënë në vesh të shurdhër dhe në sy të mbyllur.
Është kërkuar të njihen kontributet e mërgimtarëve në Greqi, kontribute që kanë mbajtur (dhe mbajnë) në këmbë sistemin grek të sigurimeve të IKA-ve, OGA-s, T.E.V.E. etj. Nuk është bërë dhe as që flitet që të bëhet ndonjë marrëveshje për këtë gjë.
Është kërkuar të njihen patentat e shqiptare në Greqi.Nuk është bërë dhe nuk është vënë “uji në zjarr” për bisedime e njohje.
Greqia është i vetmi vend në Bashkimin Evropian që nuk i njeh ligjërisht prindërit e djemve dhe vajzave shqiptare, gjyshet dhe gjyshet e vogëlushëve shqiptarë. Ata jetojnë ilegalisht, pa asnjë mbrojtje ligjore dhe pa asnjë mbrojtje shëndetësore.
Vargu i problemeve që shteti shqiptar duhet të zgjidhë në marrëveshje me shtetin grek dhe në ligje kuvendare nga shteti shqiptar, është i gjatë…
Ministri Tahiri foli për regjistrimin e mërgimtarëve shqiptarë në Greqi e më gjerë, për ligjin e miratuar por nuk foli për zbatimin praktik të tij.
Regjistrimi i emigrantëve shqiptar do kohën e vet, do njerëzit për regjistrim, do edhe shpenzimet e veta. Do ta uroja dhe përgëzoja z. Tahiri në qoftë se Ai, atë ditë, në prani të emigrantëve të mbledhur të niste procedurat praktike të regjistrimit, ta fillonte regjistrimin nga pjesëmarrësit në takim.
Thuhet që regjistrimi i emigrantëve do të bëjë që secili shqiptar që i ka mbushur në bazë të ligjit 18 vjeç do të votojë në zgjedhjet e ardhshme atje ku banon; në Athinë, Selanik, Kretë…në të gjithë hapësirën greke. Dhe më gjerë, në të gjithë botën.
Thuhet por asnjë hap nuk është hedhur.
Zgjedhjet e ardhshme parlamentare tashmë janë shumë afër, një vit e tre muaj larg, në qershor të vitit 2017. Regjistrimet nuk kanë filluar dhe nuk dihet kur do të fillojnë e kur do të mbarojnë. Votimi i emigrantëve në zgjedhjet e 2017 është i komprometuar.
Në shtyp flitet për autobusë që u nisën në Shqipëri për të votuar për kreun e partisë socialiste. Se ku do të votojnë dhe mbi bazën e cilave lista, nuk dihet.
Partia në pushtet nuk e din numrin e anëtarëve të saj në Greqi se po ta dinte do tua dërgonte kutitë e votimit atje ku punojnë dhe jetojnë, atje ku militojnë si anëtarë të devotshëm të Partisë Socialiste.
Siç “duken bathët”, votimi i emigrantëve atje ku punojnë dhe jetojnë, është larg.
Ministra e deputetë të “Rilindjes” shkojnë e vijnë nga Tirana në Athinë. Vetëm muajin e fundit kanë ardhur dy ministra dhe një deputet.
Vijnë, flasin, dhe nuk dëgjojnë…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 9 prill 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Andurrahim Ashiku, Ministrat shkojnë e vijnë, ne Athine, NGA TIRANA...

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 582
  • 583
  • 584
  • 585
  • 586
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT