• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Lamtumirë prej botës shpërndarë

February 9, 2016 by dgreca

…. Nexhmije Hoxha tha se Enveri i saj i bëri vrasjet në emër të shtetit. Nga që ishte burrë shteti. Por bilancet e shtetit janë çfarë thamë mësipër. E njëjta histori …, nuk ka punë, nuk ka treg, nuk ka shtet. Megjithatë Nexhmija tha se Enveri bëri punën si shtetar. Dhe rezultatet e shtetit të saj ishin…, 85% e shtetarëve shqyen kufijtë e maleve.
Opinion Nga Ilir Levonja-Florida/
A ishte dominante në shtyp intervista e Nexhmije Hoxhës? Kjo është çështja në botën virtuale shqiptare. Dhe ka një lloj ngutje, një lloj kërshërie mikluese, ku të vihen në dukje një lloj triumfi i të ashtuquajturës nana Shqipëri. Megjithëse në lamtumirën e saj kjo nanë, veç foli si shtetare. Asesi si nanë.
Megjithatë bota ime shqiptare kështu qënka. Gjithmonë bumin apo gjëmimin mediatik e bëjnë nga mosha shtatëdhjetëvjeçare e sipër. Referohuni po deshe edhe memories. Shërret për të drejtën e njërit apo tjetrit. Kështu qënka e shkruar. Ndërsa gjaku virtual, rinia, ha fara luledielli bulevardeve. Ose trotuareve të provincës. Gjuajnë me romuze njëri-tjetrin. Bëjnë plane për të ikur. Nuk ka punë. Nuk ka treg. Nuk të përkrah shteti. Nuk bëhet më këtu. Ky vend ka mbaruar. Duhet lekë të gjesh një vend pune. Duhen kaq milionë. Duhen lekë të blesh diplomën. Duhen lekë të marrësh një vertetim. Një çertifikatë. Duhen lekë të marrësh një vendim gjykate. Duhen para të hapësh një biznes. Punon tek tjetri, por nuk ke asgjë të siguruar. Dhe me të drejtë mbajnë sytë nga emigrantët. Por po ua them unë, se edhe këta, janë një botë mashtrimi më vete. Tjetër hiqen e tjetër janë. Dhe prapë bëjnë nga marrëzitë më të çuditshme, më aventureske si e si të ndihmojnë të afërmit e tyre. Kam dëgjuar e parë kaq shumë histori, sa, edhe kjo është një temë tjetër. Që ndofta në një të ardhme do rrëfej me pjesë. Por e vërteta është e hidhur. Deri në sakrfica absurde. Si e si që të tregojnë se janë të zotët. Si e si tu mburren shoqi-shoqit se bëjnë për të afërmit e tyre. Në fakt janë deri çmenduri të botës së boshe të shfrymit shqiptar. Që tjetër është, tjetër hiqet dhe tjetër bën. Kam parë muhaxhirë që rrojnë vet si eremitë, si e si vajza me dhëndrrin të rrojë në luks në mes të Tiranës. Kam parë e dëgjuar shumë. Ashtu sikur dëgjojë refrenin e mësipërm nga, vendi mëmë…, nuk ka punë. Nuk ka treg. Nuk bëhet më këtu. Duhet kaq para për një vend pune. Këto e të tjera janë shprehjet që vinë si dush fytyrës. Dhe ti gufosesh. Nuk ke se çfarë të thuash.
Megjithatë, çdo kohë ka bilancet e veta. Përshembull Nexhmije Hoxha tha se Enveri i saj i bëri vrasjet në emër të shtetit. Nga që ishte burrë shteti. Por bilancet e shtetit janë çfarë thamë mësipër. E njëjta histori …, nuk ka punë, nuk ka treg, nuk ka shtet. Megjithatë Nexhmija tha se Enveri bëri punën si shtetar. Dhe rezultatet e shtetit të saj ishin…, 85% e shtetarëve shqyen kufijtë e maleve. Duke lënë kockat borës dhe rrëpirave, burgjeve të Greqisë. Ndërkohë edhe ata që jetojnë akoma atje, edhe pse qytetarë të devotshëm, janë të tunduar nga operacionet fshesa. Shtetarët e saj thyen dyert e ambasadave, rrëmbyen zgërvallat e industrisë dhe transportit socialist e iu vërsulën detit. Duke mbushur Adriatikun me trupa, duke i siguruar Italisë e më tutje, mish për seks, drogë, mafie etj. Por edhe shenjtorë si punëtorë e familjarë të mirë, edhe intelektualë e artistë profesionistë të klasit të parë. Pasi nuk kanë se çfarë i duhen shtetit të saj. Pa le t’i kthemi bilancit të burgosurve, atyre që ajo nuk do t’i lëndojë plagët nga shteti i saj. Kështu tha ajo, ndaj nuk foli për burgun e saj. A e dinë shqiptarët se vetëm për të drejtën e fjalës, për pikëpamje të kundërt politike, janë dënuar 35 mijë njerëz. I bie më shumë se një qytet. Sa gra janë vrarë, sa burra, sa njerëz në përgjithësi janë poshtëruar…?
Megjithatë bota virtuale vazhdon. Nexhmija më e klikuara. Në fakt paneli i shtadhjetë, tetëdhjetë vjeçarëve. Tashmë u thye rekordi. E theu Nexhmija me rastin e 95 vjetorit të saj.
Shqipëri vendi im, mos u merr me fjalët e shtetatëreve por me bilancin e punës së tyre.
Dhe deri sot ai është i qartë, shtatëdhjetë, tetëdhjetë apo nëdhjetëvjeçarët bëjnë bumin mediatik. Dhe rinia ha fara luledielli totuareve nëpër qytete. Lamtumirë nuk është fjala e duhur.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonaj, Lamtumire, Nexhmija

Dështimet politike te Kosovës,fryt i politikës përcarëse brendashqiptare

February 7, 2016 by dgreca

Shkruan: Mr.sc.Nue Oroshi/
Kohëve të fundit jemi dëshmitar se proceset politike ndërshqiptare, kanë marrë një kahje të një gremine politike që nuk po kanë të ndalur. Refuzimi i Kosovës për antarësim në UNESKO, fitorja e Serbisë kundër Kosovës në Keshillin e Evropës për një votë madje në munges edhe te dy deputeteve shqiptare Ermira Mehmeti dhe Valentina Leskaj tregon qartë se politika shqiptare është e qakorduar ne kahje të ndryshme dhe aspak e kordinuar në mes vete për qështje madhore të kombit shqiptar. Madje këta politikan fatkeqsisht janë në gjendje që edhe shtetin ta shkatrrojnë vetëm e vetëm të ruajnë pushtetin.
Vlimet e mbrendshme politike ndërshqiptare po japin rezultatët negative në aspektin ndërkombëtar. Madje kët munges të vetdijës politike ndërshqiptare po e shfrytzojnë më shumë sukses armiqt tanë shekullor. Shqiptarët po tregohen shumë të pa interesuar që ta mbrojnë vendin e tyre. Diplomacia shqiptare dhe bashkpunimi diplomatik ndërshqiptar është për momentin në një huti te plotë politike, çdo gjë pritet e gatshme që të iu vie sikurse „hutit në fole“, dhe duhet të kenë parasysh politikanët tanë se çdo gjellë që pregatitët nga kuzhinat e ndryshme nuk janë gjithmonë të shishme, sepse mund të ndodhë që kuzhinjeri të jetë person i cili qëllimisht i hedhë krip shumë gjellës për ta prishur ushqimin. Por si duket politikanët shqiptarë janë bërë imun ndaj gjellerave të ndryshme, madje ata hanë çdo gjë që i servohet vetëm e vetëm që ata ta ruajnë karrikën e tyre. Karrika mbi të gjitha thërrasin politikanët tonë shqiptarë dhe harrojnë apo nuk janë të vetdishëm për pasojat që do t‘i kenë gjeneratat e ardhme.
Pasi që jam rritur në odën e burrave dhe shpesh herë në këto oda kishte thenje të menqura. Njëra ndër to është edhe kjo „Pasi që nje person me emrin Tuc kishte qenë shumë problematik, një plak i menqur i kishte thënë: Or Tuc mos mbledh therra në rrugë, sepse nëse nuk të hyn ty kanë me i hi djalit tënd apo djalit të djalit tënd.” Politikanët tanë të vetmën punë që din ta bëjnë mirë është ajo që të mbledhin therra në rrugë dhe të bëjnë kurthe politike kundër njëri – tjetrit. Kjo është metodë politike lindore dhe jo përendimore. Fatkeqësisht politika jonë shqiptare në të gjitha trojet etnike shqiptare po funksionon me metoda politike lindore edhe pse gojën e kanë plot perëndim.
Krizat politike po thellohen njëra pas tjetrës dhe nuk janë në gjendje politikanët tanë asnjë punë ta kryejn vetë pa ndërhyrjen ndërkombëtare. Kjo ndërhyrje tani ka filluar edhe më rastin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës. Pazaret politike për zgjedhjen e të parit të Shtetit kanë filluar. Kosova për momentin është në një fazë të disfavorshme në aspektin politik në botë. Zgjedhja e një Presidenti me të kaluar kriminale apo destruktive do të thotë edhe një izolim shtesë pesë vjeçar për Kosovën. Shpeshëherë kam vënë re se politikanët tanë kur kanë ndonjë takim me diplomatët përendimorë flasin për tolerancën ndërfetare , thua ta merrë mendja se vërtetë në Kosov paska tolerancë fetare. Por unë e them të kundërten. Sistemi politik në Kosovë është i ndërtuar nga koncepti Erdoganist i politikës dhe ky koncept lindorë ka përjashtuar komplet shqiptarët katolikë nga pjesmarrja në jetën politike të Kosovës.
Meqë jam historian dhe flas me fakte atëherë po i jap faktet e pakontestushme. Fillimisht shkojmë tek tre funksionet më të larta të Republikës së Kosovës : Presidenti, Kryetari i Parlamentit dhe Kryeminstri i Kosovës, asnjëri preji tyre nuk janë shqiptarë katolik, vazhdojmë me tutje tek Qeveria e duetit Isa Mustafa dhe Hashim Thaqi , edhe pse kjo Qeveri ka një përbërje shumë të gjërë, dhe në mesin e saj ke diverzitete mishmashesh politike, por as për ilaq nuk e ke një Ministër Shqiptar Katolik, madje edhe njëri që ishte kandidat seriozë për Ministër u blloku në mënyrë cezariane. Përveq Qeverisë shkojmë tutje tek Diplomacia e Kosovës.
Asnjë Ambasador i Kosovës në Evropë dhë në botë nuk është shqiptar katolikë, madje më erdhi rënd kur një mik i imi gjerman më tha këto fjalë. Kot zoti Oroshi t‘i e mbron Tolerancën fetare në Kosovë, ma thuaj një emër të një Ambasadori shqiptar katolik në botë, apo një emër të një Ministri në Qeverinë e Kosovës. Mbeta pa tekst se nuk kisha përgjigje sepse këtë ma kishin pamundësuar vëllëzerit e mi të besimit islam me ndërtimin e një koncepti lindor të Politikës në Kosovë duke përjashtuar heshturazi dhe pa bërë zë vëllëzërit e tyre shqiptarët katolik nga çdo funksion politik në Kosovë.Ky fakt më rendoj shumë ndjenjat e shpirtit tim se pse nuk më është mundësuar nga vëllezërit e mi shqiptarë të besimit islam t‘i jap përgjigje mikut tim gjerman që është pjesë e politikës gjermane.
Për ta bllokuar këtë sistem lindor të orjentimit politikë të Kosovës kam një kërkesë direkte tek partitë politike shqiptare në Kosovë, pozitë dhe opozitë. Tani e keni rastin ta tregoni tolerancën fetare në vepër. Mblidhuni pozitë dhe opozitë dhe zgjidheni një shqiptarë katolikë për President të Kosovës. Jam i bindur plotësisht se intelektualë dhe atdhetarë shqiptarë katolik keni sa të doni në mesin tuaj, i cili me përkushtim do të kryente detyrën e Presidentit të Kosovës, dhe do të ishte një rrezatim i ngrohtë i prezentimit të Kosovës ne Evropë dhë në Amerikë. Në këtë aspekt Kosova do të kishte një përparësi politike karshi Serbisë, në shumë aspekte. Edhe mua përsonalisht do të më jepni mundësi edhe pse me vonesë t‘i pergjigjesha mikut tim gjerman dhe ti thosha” Po në Kosovë funksionon toleranca fetare ndërshqiptare sepse edhe pse shumica derrmuese në Kosovë i takon besimit islam ‚Presidentin e Kosovës e kemi shqiptarë katolik.”

Filed Under: Opinion Tagged With: Dështimet, Mr.sc.Nue Oroshi, politike te Kosovës

C’po ndodh me politikanët e inkriminuar?

February 7, 2016 by dgreca

Nga Blendi FEVZIU/
Të dyja palët ranë dakort! U desh më shumë se sa një vit e gjysëm debat; u desh që PD të largohej nga parlamenti; u desh që ndërkombëtarët të ndërhynin me forcë në nivelet më të larta; u desh që opinioni publik të bëhej i gjithi njësh e solidarë dhe më në fund të dyja palët ranë dakort. Ranë dakort që “dekriminalizimi” të nisë menjëherë dhe që të mos përseritet më. E bënë me bujë dhe me zhurmë. E firmosën nën vështrimet shpresëdhënëse të shqiptarëve që besuan se më në fund kjo gjë nuk do të përsëritet më. Sepse të gjithë e dimë. E dimë që Parlamenti është i mbushur me njerëz problematikë! Që administrata e lartë shtetërore ka në nivelet më të larta të saj persona që kanë pasur probleme me drejtësinë shqiptare apo europiane! E kemi dëgjuar përditë, për më shumë se dy vjet. E kemi publikuar në artikuj dhe përmendur në emisione. Kemi bërë lista dhe kemi sjellë në studio dënime gjykatash dhe krime monstruoze që të lenë pa frymë. Jemi bashkuar të gjithë në idenë që ky vend ka nevojë për një pastrim të thellë dhe që kjo gjë nuk duhet përsëritur më kurrë.
Por një muaj që nga aprovimi i ligjit (Ka hyrë në fuqi më 5 Janar 2016), asnjë personazh i politikës shqiptare apo i administratës së lartë nuk ka dorëzuar dorëheqjen e tij. Ligjerisht, çdo person që preket nga ligji i dekriminalizimit duhet të japë vetë dorëheqjen. Ky është hapi i parë. Dhe këtu pritershin lëvizjet më të mëdha.
Hapi i dytë është firmosja e një formulari të vetdeklarimit, në të cilin, personi do të pranojë që s’ka pasur asnjë problem me drejtësinë për krimet që parashikon ligji në fjalë. Formulari i hartuar edhe me ndihmën e ekspertëve amerikanë pritet të jetë gati shpejt dhe përbën fazën e dytë. Por këtu ka një problem. Nëse dikush mbush formularin dhe nuk i deklaron problemet e tij të shkuara, nëse do vërtetëhet se ka gënjyer, pra se ka pasur probleme që si ka thënë vetë, mund të merret i pandehur. Sipas nenit 190 të Kodit Penal ai mund të dënohet nga 6 muaj deri në 7 vjet burg për fallsifikim të formularëve.
Faza e tretë është ajo e verifikimit të formularëve përmes dokumentave shtëtërore, por edhe përmes shenjave të gishtrinjve, për të cilit u debatua aq shumë. Kjo pritet të jetë edhe faza finale.
Për çudinë tonë në fazën e parë nuk është seleksionuar askush. Asnjë person i vetëm. Duke e ditur kërcënimin që vjen nga fallsifikimi i formularit, mund të ngresh tre hipoteza:
Ose ligji është bërë më një mënyrë të tillë që mos të prekë asnjë prej kriminelëve të veshur me pushtet politik. Që do të ishte një katastrofë.
Ose kriminelët janë aq të papërgjegjshëm sa besojnë se do të gënjëjnë sërish. Pra do t’ja hedhin.
Ose në politikën shqiptare nuk ka persona me të shkuar kriminale.
Kjo e fundit padyshim që bie. Pritet të shohim se cila nga dy hipotezat e para do të vërtetohet. Por pavarësisht kësaj, të gjithë ata që e njohin anën e errët të së shkuarës së tyre, do ishte mirë të largoheshin vetë. Nëse politika do të tentojë t’i mbrojë. Nëse komisionet do të fshehin fakte, ose nëse ligji do lexohet si gjithnjë me syze pa xham, ky vend nuk ka më shpresë./opinion.al

Filed Under: Opinion Tagged With: Blendi Fevziu, politikanet e inkriminuar

Prof. Sami Repishti i shkruan Letër të hapur deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë

February 6, 2016 by dgreca

Zonja dhe Zotënij, Quhem Sami Repishti, qytetar i lirë i Shteteve të Bashkueme të Amerikës, me origjinë shqiptare, për të cilën jam kryenalt. Jam arratisë nga Shqipëria në gusht 1959 (mbas nji burgimi dhjetëvjeçar) për papajtushmeni me parimet dhe praktikën e qeverisë së ish-Partisë së Punës së Shqipërisë.
U detyrova të largohem nga atdheu, por ruejta dhe ushqeva dashuninë për “Nanën Shqipëri”, të dhanun nga dy prindët e mi që paguen çmimin ma të naltë: baba im ra viktimë e terrorit fashist italian, dhe nana e ime u dërmue në kampin famëkeq komunist të Tepelenës, së bashku me motrën e vëllaun akoma të parritun. Por Shqipëria, viktimë e tri diktaturave të shekullit 20, mbetet gjithëherë “vendi i shenjtë” për mue.
Ashtë me këtë frymë që mora inisiativën me ju drejtue sot anëtarëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, e me shfaqë shqetësimin tim të pakufishëm për nji zhvillim sa të papritun, aq edhe të pafalshëm. Në emisionin shqip të Zërit të Amerikës (VoA) të datës 25 janar 2016, ndigjova shprehjet e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në lidhje me shqetësimin e tij rreth nji orientimi të mundshëm, dhe thellësisht të gabuem të mbylljes me kyç nga organet e “drejtësisë” shqiptare të dosjeve dhe çështjeve të ndryshme… “Dosjet e krimeve të komunizmit kanë 71 vjet që mbeten pa u hapur dhe pa gjykuar.
Ligji për hapjen e dosjeve, ndonëse dhe i paplotë, ende nuk ka filluar të zbatohet. Ligji i hapjes së dosjeve nuk mund të jetë, dhe nuk do të jetë kurrë i plotë pa ligjin e lustracionit”. Ai shtoi se “… hetimi dhe dënimi i krimeve të komunizmit janë të lidhura me sigurinë kombëtare të shqiptarëve në kontekstin strategjik”.
Presidenti Nishani foli edhe “për provokacione të papranueshme”: “E quaj të papranueshme, -deklaroi ai, … tendencën e një neni të tillë nga të ashtuquajturit ekspertë në Drejtësi për të vendosur në Kushtetutën e Shqipërisë një nen që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit.
Nga kjo trevë dhe tokë martirësh, u bëj thirrje deputetëve të përgjegjshëm të Kuvendit të Shqipërisë të refuzojnë mbështetjen dhe miratimin e një neni të tillë në Kushtetutën e Shqipërisë”. E pabesueshme! Sinqerisht e pabesueshme! Kush ka frikë nga hetimi, zbulimi dhe dënimi i krimeve komuniste në Shqipëri? Në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, të vitit 1992, kur kryetari i Kuvendit kërkoi nga deputetët të ngrihen për nji minutë heshtje në shenj respekti për viktimat e shumta të komunizmit në Shqipëri, asnji deputet socialist nuk u ngrit në kambë.
Imazhi i kësaj skene sa primitive, aq edhe ofenduese, nuk më hiqet asnjiherë nga mendja. Në vitin 1996, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës miratoi Rezolutën Nr.1096: “Masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve totalitare-komuniste”. Kjo “Rezolutë” në Shqipëri as që u publikue fare, dhe mediat tona të asaj kohe nuk e panë të arsyeshme me e botue.
Në vitin 2006, përsëri, u aprovue nga Këshilli i Europës Rezoluta Nr.1481: “Domosdoshmëria për dënimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare-komuniste”. Në lidhje me këtë, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi: “Rezolutën për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”. Deputetët socialistë dolën nga salla pa votue(!) Në vitin 2010, nji delegacion i OKB-së kërkoi nga Shqipëria të dënonte krimet e komunizmit në Shqipëri.
Lajmin nuk e dha asnji burim informimi shqiptar. Më 14 dhetor 2010, u paraqit nji kërkesë për nji Gjykatë Ndërkombëtare për dënimin e krimeve komuniste nga ish-vendet komuniste. Vetëm Shqipëria nuk firmoi “kërkesën”. Shqipëria ashtë me të vërtetë “vendi i çudirave!” Edhe data “23 gusht” e caktueme me Rezolutë të Parlamentit Europian si Dita e Përkujtimit të Viktimave të Deportimeve, Masakrave -akte të cilësueme si “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”- shkon e vjen çdo vit pa asnji ceremoni përkujtimore me karakter zyrtar.
Viktimat e vdekuna mbajnë heshtjen e përjetshme, ndërsa viktimat që akoma gjallojnë nga vuejtjet e mëdha kanë humbë aftësinë e tyne të shprehjes, të denoncimit, e dënimit të krimit e të kriminelit….!
Kumbona e alarmit në Koplik të Malësisë së Madhe, që u dha nga Presidenti i Republikës –simbolikisht në përkujtimin e 71-vjetorit të “kryengritjes së Malësisë së Madhe”- ashtë jashtëzakonisht shqetësuese! Njohja dhe demaskimi i krimeve të kryeme, dhe paralelisht me ata edhe respekti për viktimat e pafajshme të këtyne krimeve, janë dy aspekte të së njëjtës monedhë: natyra dhe pesha e përgjegjësisë sonë, si dëshmitarë të kësaj tragjedie thellësisht njerëzore dhe rranjësisht kombëtare, ashte nji problem ekzistencial për të gjithë njerëzimin e ndershëm, problem që ka karakter politik e personaldhe fetar për ata që besojnë! Këtu kemi të bajmë me “…një terrorizëm shtetror të markës shqiptare”(B. Shehu) Pavarësisht nga përpjekjet e “propagandistëve” të pakurueshëm, që nuk pranojnë këtë fakt të qartë si drita e diellit, e që nuk tregojnë asnji interesim me dëshmue rrjedhimet shkatërruese të atij regjimi gjakatar që përjetojmë edhe sot, duhet pranue se shkalla e krimeve komuniste ka arrijtë në pikën ku mund të cilësohen si “krime kundër njerë- zimit” të dënueshme nga legjislacioni ndërkombëtar.
Këto përpjekje të “propagandistëve” nuk kanë qëllim tjetër veçse me largue vëmendjen e popullsisë shqiptare nga e kaluemja, sa ma gjatë që të jetë e mundun… deri sa t’i mbulojë harresa. Me nji zhvillim të këtill ndërgjegjet tona do të mbeten të njollosuna; si rrjedhim, pamundësohet integrimi i jonë në Botën e Lirë, si qytetarë të lirë, që na synojmë. Ky zhvillim duhet të shërbejë dhe për zbulimin e nji aspekti të vendit tonë, në nji kohë të caktueme…!
Si ashtë e mundun që i kemi lejue vetes, si shoqëni shqiptare, me zbritë kaq poshtë? Si ashtë e mundun që politika e vendit tonë ashtë degjenerue deri në nji shkallë, sa të pranojë “propozime” të këtilla? Si ashtë e mundun që rinia shqiptare, sidomos ajo e shkollueme mbrenda dhe jashtë vendit, nuk ka gjetë akoma forcën e nevojshme me veprue kundër nji atmosfere ku e keqja nuk dënohet, ashtu si e meriton?
Shkalla e pafytyrësisë që karakterizon “tendencën” me përfshi në Kushtetutën e Shqipërisë nji “nen”… “që ndalon njëherë e përgjithmonë hetimin e krimeve të komunizmit” kalon çdo kufi moral dhe ligjor. E para, kush ashtë ai ose ajo që ka të drejtën me “falë fajin” e kryem nga kushdo qoftë, kur ai ose ajo nuk ka qenë viktimë e krimit komunist?
Kush ashtë ai ose ajo që ka autoritetin moral me falë e me vendosë në emën të mijëra të pushkatuemve në gjyqe false ose pa gjyq fare, në emën të ma shumë se 26.000 të burgosunve politikë; në emën të ma shumë se 50.000 pleqve, grave e fëmijëve të dëbuem e të internuem për 45 vjet me rradhë në zonat ma të vështira të vendit, ku u mbyllën fëmijtë e fëmijëve të qoftë ish-personaliteteve politike kundërshtare të regjimit komunist, qoftë ata të arratisunve të thjeshtë, e qytetarë të pafajshëm?
Me “falë fajin” pa marrë parasysh qindëra-mijëra qytetarë të “Republikës” të shpronsuem, të rij e të reja me arsim të mohuem, ish-pronarë me banesa të sekuestrueme arbitrarisht… dhe nji popullsi e tanë që jetoi dekada të gjata me bukë të racionueme e mungesa ushqimore të përditshme, kufoma lëvizëse në sheshet e qytetit dhe rrugët e fshatit, të frikësuem deri në palc nga kërcënimet e pandërpreme të “Nanës Parti” dhe të legjoneve famëkeqe të Sigurimit të Shtetit?
E dyta, si ashtë e mundun që nji “nen i Kushtetutës” të aprovohet në nji sistem ku Kushtetuta ashtë ligji themeltar i vendit, dhe esenca e këtij ligji ashtë mbrojtja e jetës dhe lirisë së qytetarëve? Me nji fjalë, të mohohet e drejta e qytetarit të lirë me hetue, me u ankue, me denoncue krimin, e me kërkue drejtësi nga organet shtetnore për krimin e kryem? Nji tendencë e këtill ashtë absurde në formën e saj dhe perverse në substancë!
***
Zhvillimi i ngjarjeve në “kampin socialist” mbas L2B ka vërtetue se me qenë nji ish-i persekutuem nuk do të thotë garanci se nuk do të persekutosh të tjerët. Shumë nga udhëheqsit komunistë ndërkombëtarë kanë kalue nëpër persekutime, dhe me “fitoren” e tyne kanë persekutue të tjerët me dhunë, kanë mbushë burgjet, e kanë vendosë regjimin e terrorit.
Nji klasë e re e privilegjueme ka ardhë në fuqi dhe ashtë mbajtë me dhunë …por ka dështue në krijimin e nji shoqënie të re që trajton të gjithë qytetarët me dinjitet, tue mbjellë kështu farën e vetëshkatërrimit! Koncepti “diktaturë ma parë, nevojat jetësore ma vonë” ashtë nji koncept që korrupton natyrën e njeriut. “Nostalgjikët” në çdo vend ish-komunist, sot të pasunuem arbitrarisht, do të vazhdojnë me mbajte nji gjendje të tensionueme me konflikte, padrejtësi, korrupsion e mjerim… dhe mundësisht me diktatorë të rij!
Dhe kjo mjafton që vendi i jonë të mos ngrihet kurrë në kambë me nji shoqëni civile të ndërgjegjshme për rolin e saj: nji shoqëni e njerëzishme, tolerante, e përmbi të gjitha, jo e dhunshme: “qytetarin” pjesëmarrës e “qytetarinë”! Koncepti i qytetarit përmban pjesëmarrjen koshiente në jetën shoqënore e politike të vendit; pjesëmarrja ashtë pengesa kryesore në luftën kundër diktaturës dhe ideologjive totalitare.
Pjesëmarrja koshiente lufton sundimtarët e këqij dhe shërbëtorët e tyne me pagesë, lufton atmosferën ku ata mashtrojnë veten, dhe nuk lejon përsëritjen e së kaluemes. Nëse e kaluemja kishte në esencë nji element tragjik, përsëritja e saj tek ne do të ishte vetëm nji komedi fatale! Mbetet vetëm shpresa! A mund të na vjedhin “shpresën” e na të rrijmë indiferentë? – shkruente nji mendje e ndritun këto kohët e fundit.
E vazhdon: “A mundet të na mashtrojnë dhe të mos shqetësohemi? Si do të dalim nga kjo gjendje? …Si do të zhdukim anormalitetin e politikës? Si t’u kthejmë njerëzve shpresën për të ardhmen? Unë mendoj se tani ka ardhë koha që të bëhet një përpjekje e re me sjellë ndryshimin…”(A. Starova) Ky ashtë ndërgjegjësimi, hapi i parë i zgjidhjes.
Njeriu duhet të jetë koshient dhe i bindun për drejtësinë e kauzës që mbron, para se të aktivizohet… që ashtë hapi i dytë. Paralajmërimi i Presidentit të Republikës ashtë shumë shqetësues! Po të vërtetohej, kjo “andërr e keqe” do të përbante nji nga turpet ma të mëdha në historinë tonë kombëtare. Do të ishte nji njollë e pashlyeshme për të gjithë neve të rezistencës antikomuniste.
Edhe të vdekunit, nga varri do të protestojshin këtë padrejtësi monumentale. Tashti, ajo që mbetet nga sulmi pro-komunist ashtë kërkesa për riarrestimin tonë, të gjithë neve, “për fajet e së kaluemes”.…e të mbushen burgjet përsëri….me viktimat e së djeshmes tragjike! Jetojmë në botën e absurdit? Me të vërtetë jemi jashtë aftësisë sonë me perceptue nji monstruozitet të këtill!
Sinqerisht i juaji,
Sami Repishti, Ph.D.
Pedagog në pension Ish-i burgosun politik (1946-56)
Aktivist për të drejtat e njeriut

Filed Under: Opinion Tagged With: deputetëve, Letër të hapur, Prof. Sami Repishti i shkruan, TE KUVENDIT, te Shqiperise

Mbështetje për Zbatimin e Ligjit për Dekriminalizimin

February 5, 2016 by dgreca

Deklaratë e Ambasadës së SHBA ne Tirane/
Sot, ekspertë teknikë nga Shtetet e Bashkuara bënë një prezantim në parlamentin shqiptar mbi praktikat më të suksesshme në SHBA për hetimin e të kaluarës së zyrtarëve në qeverisje dhe udhëheqësve politikë. Prezantimi u organizua nga Ambasada e SHBA, në mbështetje të përpjekjeve të Shqipërisë për të zbatuar ligjin e dekriminalizimit të miratuar së fundi. Ambasada mirëpret përpjekjet e parlamentit për të zhvilluar më tej aktet nënligjore të këtij ligji të rëndësishëm, dhe mbështet me forcë zbatimin e plotë të ligjit për dekriminalizimin.
Support for Implementation of Decriminalization Law
Technical experts from the United States delivered a presentation today at the Albanian parliament on U.S. best practices for investigating the backgrounds of government officials and political leaders. The presentation was organized by the U.S. Embassy in support of Albania’s efforts to implement the recently passed decriminalization law. The Embassy welcomes the efforts of parliament to develop bylaws for this important law, and strongly supports the full implementation of the decriminalization law. {Sh.K}.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dekarate e ambasades amerikane, Shefqet Kercelli, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 593
  • 594
  • 595
  • 596
  • 597
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT