Nga Blendi FEVZIU/
Të dyja palët ranë dakort! U desh më shumë se sa një vit e gjysëm debat; u desh që PD të largohej nga parlamenti; u desh që ndërkombëtarët të ndërhynin me forcë në nivelet më të larta; u desh që opinioni publik të bëhej i gjithi njësh e solidarë dhe më në fund të dyja palët ranë dakort. Ranë dakort që “dekriminalizimi” të nisë menjëherë dhe që të mos përseritet më. E bënë me bujë dhe me zhurmë. E firmosën nën vështrimet shpresëdhënëse të shqiptarëve që besuan se më në fund kjo gjë nuk do të përsëritet më. Sepse të gjithë e dimë. E dimë që Parlamenti është i mbushur me njerëz problematikë! Që administrata e lartë shtetërore ka në nivelet më të larta të saj persona që kanë pasur probleme me drejtësinë shqiptare apo europiane! E kemi dëgjuar përditë, për më shumë se dy vjet. E kemi publikuar në artikuj dhe përmendur në emisione. Kemi bërë lista dhe kemi sjellë në studio dënime gjykatash dhe krime monstruoze që të lenë pa frymë. Jemi bashkuar të gjithë në idenë që ky vend ka nevojë për një pastrim të thellë dhe që kjo gjë nuk duhet përsëritur më kurrë.
Por një muaj që nga aprovimi i ligjit (Ka hyrë në fuqi më 5 Janar 2016), asnjë personazh i politikës shqiptare apo i administratës së lartë nuk ka dorëzuar dorëheqjen e tij. Ligjerisht, çdo person që preket nga ligji i dekriminalizimit duhet të japë vetë dorëheqjen. Ky është hapi i parë. Dhe këtu pritershin lëvizjet më të mëdha.
Hapi i dytë është firmosja e një formulari të vetdeklarimit, në të cilin, personi do të pranojë që s’ka pasur asnjë problem me drejtësinë për krimet që parashikon ligji në fjalë. Formulari i hartuar edhe me ndihmën e ekspertëve amerikanë pritet të jetë gati shpejt dhe përbën fazën e dytë. Por këtu ka një problem. Nëse dikush mbush formularin dhe nuk i deklaron problemet e tij të shkuara, nëse do vërtetëhet se ka gënjyer, pra se ka pasur probleme që si ka thënë vetë, mund të merret i pandehur. Sipas nenit 190 të Kodit Penal ai mund të dënohet nga 6 muaj deri në 7 vjet burg për fallsifikim të formularëve.
Faza e tretë është ajo e verifikimit të formularëve përmes dokumentave shtëtërore, por edhe përmes shenjave të gishtrinjve, për të cilit u debatua aq shumë. Kjo pritet të jetë edhe faza finale.
Për çudinë tonë në fazën e parë nuk është seleksionuar askush. Asnjë person i vetëm. Duke e ditur kërcënimin që vjen nga fallsifikimi i formularit, mund të ngresh tre hipoteza:
Ose ligji është bërë më një mënyrë të tillë që mos të prekë asnjë prej kriminelëve të veshur me pushtet politik. Që do të ishte një katastrofë.
Ose kriminelët janë aq të papërgjegjshëm sa besojnë se do të gënjëjnë sërish. Pra do t’ja hedhin.
Ose në politikën shqiptare nuk ka persona me të shkuar kriminale.
Kjo e fundit padyshim që bie. Pritet të shohim se cila nga dy hipotezat e para do të vërtetohet. Por pavarësisht kësaj, të gjithë ata që e njohin anën e errët të së shkuarës së tyre, do ishte mirë të largoheshin vetë. Nëse politika do të tentojë t’i mbrojë. Nëse komisionet do të fshehin fakte, ose nëse ligji do lexohet si gjithnjë me syze pa xham, ky vend nuk ka më shpresë./opinion.al