• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

JEMI NE MEDYSHJE

January 30, 2014 by dgreca

Opinion nga Faik KRASNIQI/

Kam dëgjuar të thuhet se njerëzit, shpesh herë nuk janë normal, se gjërat nuk rrjedhin normalisht, që të ecësh kështu apo të vishesh ashtu nuk është normale, ose është normale të veshësh fundin deri pak sipër gjurit por jo më sipër. Kam menduar shumë se çfarë duan të thonë njerëzit kur thonë fjalën “normale” në të gjitha trajtat e saj. Shqiptarët në mënyrë të veçantë kanë filluar ta përdorin shumë këtë term që po duket se i lodh për ta kuptuar, dhe nuk e kuptojnë dot pavarësisht se e thonë me dhjetëra herë në ditë. Shqiptarët ishin mësuar nëpër shkolla të forta që të visheshin të gjithë njësoj të ecnin të gjithë njësoj, të hanin të gjithë njësoj, të kriheshin të gjithë njësoj. Madje shqiptarët janë mësuar që të gjitha këto veprime jo vetëm t’i bënin të gjithë njësoj por edhe t’i bënin pak a shumë në të njëjtën kohë pasi kishin pothuajse të njëjtat orare punë. Nëse jo të gjithë njëherësh i bënin sipas turneve të punës. Shqiptarët sot janë në një katrahurë midis normales dhe jo normales dhe kjo sipas çdo shqiptari, dhe jo më sipas një shqiptari që tregonte qartë dhe në mënyrë të pa diskutuar dhe të pa diskutueshme se çfarë është normale dhe çfarë jo. Si mund ta kuptojmë normalen nga jo normalja, cili e ka të vërtetën në lidhje me këtë term dhe me atë çfarë donë të thotë ky?!Unë mendoj se normale ka një lidhje të pa diskutueshme me normat e një shoqërie të caktuar. Pra do të na ndihmonte shumë të dinim me çfarë normash jetojnë shqiptarët sot, cilat janë normat të cilat një shqiptarë i ruan kur ecën, kur vishet, kur krihet, kur han dhe kur komunikon.Mendoj se jemi në një mëdyshje të madhe në lidhje me këtë temë, sepse ne nuk kemi më një standart të cilin është i yni dhe që punojmë për ta arritur ose punojmë për ta ruajtur. Ne tani po shohim shumë gjëra të ndryshme në vende të ndryshme të botës, dhe jemi shpërndarë në mendime moderne që jo patjetër janë edhe vlera njerëzore. Ne duhet të krijojmë një standart me qëllim që ta arrijmë. Më ka bërë shumë përshtypje historia e një çifti shqiptarë, një diskutim mes tyre se si duhej të vishej gruaja. Kishin tre vite martesë bashkë dhe gruaja akoma diskutonte me të shoqin se pse ai nuk e lejonte të vishej me një kanatjere kur të gjitha gratë dhe vajzat e lagjes visheshin ashtu. Burri nuk e kishte lejuar dhe vazhdonte të mos e lejonte përsëri.Burrë dhe grua të dy po diskutonin duke thënë se është dhe nuk është normale veshja me kanatjere. Gruaja argumetonte mendimin e saj me shumicën e grave të veshura me kanatjere, ndërsa burri me pakicën që nuk vishte kanatjere dhe sipas tij nuk kishin shumë më shumë vapë se të tjerat që i vishnin. Në fakt ky është një diskutim i zakonshëm në familjet shqiptare mes bashkëshortëve mes prindërve dhe fëmijëve, e gjithë kjo sepse normalja është e pa qartë për të gjithë ne. A është normalja absolute apo relative?! Unë mendoj se është absolute me që për mua ka të bëjë në një mënyrë të padiskutueshme me norma të caktuara. Fakti që ne po vuajmë kaq shumë mes normales dhe jo normales, është sepse shpesh ngatërrojmë absoluten me relativen dhe kjo i ndan i bën njerëzit konfuz dhe si pasojë të mos ndjehen rehat kur ecin, kur vishen, kur krihen dhe kur flasin. Mendoj se një ndikim të madh në këtë katrahurë mendimesh për normalen dhe jo normalen, ka edhe mungesa e idealeve të cilat janë zhdukur nga mesi i shqiptarëve. Ne i zhdukëm idealet ndoshta duke i parë si pjesë të komunizmit dhe e patëm të vështirë t’i ndanim ato si vlera që do na mbanin akoma shqiptarë. Çfarë është normale për një shqiptarë që nuk ka një standart që donë ta arrijë dhe nuk ka një ideal që donë të imitojë. Mungesa e standartit të caktuar dhe mungesa e një ideali për t’u ndjekur po shkakton sot probleme të mëdha dhe serioze në familjet shqiptare.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: faik Krasniqi, medyshje

IBRAHIM RUGOVA ËSHTË LIDERI HISTORIK – BERAT BUZHALA ËSHTË NJË GRAFOMAN KOMIK

January 23, 2014 by dgreca

Nga Elida BUÇPAPAJ/

„President historik? Kjo është histerike…“, kështu titullohej shkrimi i botuar sot tek MAPO i Berat Buzhalës, deputet i PD-së në Parlamentin e Kosovës. Hashim Thaçi në fillim e emëroi kryeredaktor të gazetës Express dhe pastaj, për shërbime shembullore, e përfshiu në listën e deputetëve të PD në zgjedhjet e nëntorit 2007. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Ky është folklori shqiptar, më jep të jap, që në zhargonin e politikës quhet klientelizëm. Unë po e zhdramatizoj dhe po i them loyal.

Sapo mori pushtetin, Hashim Thaçi gjënë e parë i pastroi gazetat e Kosovës nga çdo zë kritik. Në trevat shqiptare ku demokracia është vetëm fjalë goje, nuk është ndonjë habi që politika të mbajë mediat nën kontroll. Tani duan të mbajnë nën kontroll dhe historinë. Siç pretendon edhe Berat Buzhala, që i quan histerikë të gjithë ata që e konsiderojnë lider historik Ibrahim Rugovën!
Kur Rugova ishte gjallë, grafomanët e tipit të Berat Buzhalës, që ngrysen gazetarë dhe gdhihen deputetë, kanë harxhuar tonelata bojë e letër për të nxirë imazhin e liderit indipendentist. Pasi mendonin diabolikisht se duke nxirë imazhin e Rugovës do të lartonin imazhin e kundërshtarit të tij politik.
E vërteta është se, sa më tepër ata shpenzonin e shpenzojnë bojë e letër dhe sa më tepër shfaqen nëpër televizionet shqiptare duke anatemuar Rugovën, aq më tepër rrënojnë imazhin e tyre.
Ibrahim Rugova ka formatin e mendimtarit europian, shkencëtarit iluminist dhe liderit indipendentist që, sa qëndroi në politikë, asnjëherë nuk u prononcua publikisht kundër Hashim Thaçit, megjithëse e dinte mirë se të gjitha fushatat propagandistike kundër tij ishin të orkestruara politikisht nga rivali i tij që nuk i fitoi kurrë zgjedhjet sa Rugova ishte gjallë.
Gjatë procesit të pavarësisë, kur të dy bashkë ishin pjesëtarë në Ekipin e Unitetit dhe kur Hashim Thaçi pranoi të shtrëngonte duart me Ibrahim Rugovën, kam shkruar se ky duarshtrëngim ishte historik, sepse kam menduar se, më në fund, lideri i krahut të luftës hap një kapitull të ri për fatin e Kosovës, duke hequr dorë nga ndasitë për arsye ideologjike për hir të idealeve kombëtare dhe europiane-atlantike.
Pas vdekjes së Rugovës, Hashim Thaçi është njëri nga ata që e ka vizituar varrin e Rugovës, që, sipas Beratit, vizitohet nga karvanë të politikanëve hipokritë.
Unë jam dakord në këtë pikë me Berat Buzhalën, por nuk besoj se Berati e fut edhe Hashim Thaçin në rradhët e këtij karvani. Them kështu sepse Hashim Thaçi është prononcuar qartas për Ibrahim Rugovën me tone vlerësuese.
Por lider historik Ibrahim Rugovën nuk e ka cilësuar politika. Këtë cilësor ia dha populli i Kosovës dhe Perëndimi që e ka patur aleat loyal Ibrahim Rugovën.
Berat Buzhala për të definuar histerikë ata që e konsiderojnë Ibrahim Rugovën lider historik, citon Çu En Lain, numrin dy të Kinës komuniste. Sipas Buzhalës, kur presidenti Richard Nixon, gjatë takimit të tij më 1972, e kishte pyetur se çfarë mendimi kishte për Revolucionin Francez, Çu En Lai është përgjigjur, se “është shumë herët të japim për këtë ngjarje mendim”. “Edhe 200 vjet pas revolucionit francez”, magjepset Berat Buzhala, “Çu En Lai thotë se duhet të presim”. Prandaj,konkludon Buzhala,kush e quan Rugovën lider historik,është histerik.
Sepse sipas Berat Buzhalës çfarë thotë Çu En Lai qenka ashtu, dhe pikë!
Mao Ce Duni dhe Çu En Lai,dy figurat kryesore të Partisë Komuniste të Kinës që udhëhoqën revolucionin kinez dhe lejfenizuan shoqërinë.Megjithatë, Çu En Lai kujtohet për dy veprime të mira: Veprimi i parë, lidhet me periudhën e Revolucionit Kulturor, kur Mao Ce Duni urdhëroi prishjen e tempujve dhe veprave të artit, Çu En Lai ndali shkatërrimin e Pallatit Imperial në Pekin dhe të disa qendrave të lashta arkeologjike. Veprimi i dytë është se arriti që të ndikojë tek Mao Ce Duni për takimin historik midis SHBA dhe Kinës. Çu En Lai e dinte sa e rëndësishme ishte për Kinën hapja e vendit dhe vendosja e marrëdhënieve me SHBA. Pikërisht me këtë rast, një stalinist faqezi në zemër të Europës, siç ishte Enver Hoxha, pas takimit Nixon-Mao Ce Dun, do të ndërpriste marrëdhëniet me Kinën Komuniste.
Berat Buzhala shfaqet si fans i Çu En Lait, por mbetet rob i një «sentence» të liderit komunist, pa marrë në analizë veprimin historik të Çu En Lait, si ndërmjetësues për të afruar Kinën me SHBA. Sepse ky veprim e ka bërë Çu En Lain të hyjë në histori.Por të mos harrojmë se çfarë regjimi udhëhoqi Mao Ce Duni dhe Çu En Lai, të cilin Berat Buzhala e mban si mentor për të rrëzuar rolin historik të Ibrahim Rugovës!
Ndërkohë, sulmi më i fundit i Beratit kundër Rugovës është në vazhdën e një fushate, e cila u evidentua me deklarimet e padenja të Adem Demaçit se Ibrahim Rugova ka qenë “frikacak”! Duket se Demaçi, Berat Buzhala dhe ata që vijnë pas tyre po ndërmarrin një Revolucion Kulturor alla Mao Ce Dun, për të rrëzuar të gjitha monumentet e kultures dhe historisë moderne shqiptare të Kosovës, ku Ibrahim Rugova padyshim që është një nga majat e saj.
Ku po shkon kështu Kosova?!
Duhet të presë Kosova 200 vjet sipas teorive të Çu En Lait, mentorit të Berat Buzhalës për të shkruar historinë!
A mos Amerika priti 200 vjet për të nderuar Etërit e saj. A mos vallë Amerika priti 200 vjet për t’i konsideruar baballarë të Kombit Jeffersonin, Washingtonin, Lincolinin. A mos vallë Amerika priti 200 vjet për ta nderuar Martin Luther King Jr. si lider historik i lëvizjes civile të të drejtave të njeriut!
Ibrahim Rugova është lider historik i pavarësisë së Kosovës, sepse kauzës së tij iu bashkangjit gjithë populli i Kosovës. Ibrahim Rugova, siç ka nënvizuar me të drejtë Jusuf Buxhovi, sendërtoi në Perëndim imazhin e civilizuar të popullit të Kosovës, të cilin pushtuesi e kishte nxirë. Ibrahim Rugova respektoi deri në frymën e fundit orientimin Amerikan, sepse e diti mirë se asnjë lëvizje çlirimtare e popullit të Kosovës nuk do të triumfonte pa mbështetjen e SHBA, Europës dhe NATO-s. Dhe kishte shumë të drejtë Rugova, prandaj është lider historik.
Hashim Thaçi e ka ndjekur kursin e Rugovës në raport me SHBA, dhe ka bërë shumë mirë, por është shumë larg formatit të Ibrahim Rugovës. Hashim Thaçi nuk është lider historik. Sepse gjatë mandateve të tij, ka ruajtur një farë sigurie dhe stabiliteti të vendit, por me profilin e një autoritaristi.
Sipas Berat Buzhalës, kush e konsideron Ibrahim Rugovën „lider historik“, nuk po bën gjë tjetër veç po e mitizon figurën e tij! Andaj Berati po merret me çmitizimin e Rugovës! Berat Buzhala vazhdon me avazin e Çu En Lait dhe thotë se Rugova nuk i ka mbushur ende 10 vjet që ka vdekur, dhe se populli i Kosovës e historianët duhet të presin të paktën edhe 190 vjet të tjerë për ta gjykuar se kush ishte!
Duke qenë me profesion gazetar, Berat Buzhala nuk i shmag dot faktet. Duke i nxjerrë vetë ai në pah, ato janë të vërteta të pakundërshtueshme që e bëjnë Buzhalën të duket qesharak. Berat Buzhala thotë se “ në zgjedhjet e vitit 2000, LDK e Ibrahim Rugovës kishte fituar rreth 80 për qind të votave në nivel vendi…”..Ndërsa më poshtë përmend se gjatë kohës së luftës, Rugova votohej 95%!” Berat Buzhala nuk bën gjë tjetër veçse me fakte tregon se Ibrahim Rugova gëzonte kredibilitetin dhe besimin e mbarë popullit të Kosovës që nuk merrte aspak parasysh makinerinë propagandistike që harxhonte tonelata bojë e letër për të rrëzuar imazhin e liderit historik.
Pastaj për t’i bërë shoqëri Adem Demaçit, Berat Buzhala përsërit se Rugova na paska qenë “frikacak”! Të fitosh 80 % të votave dhe qenke frikacak! Adem Demaçi humbi në votime sepse ishte trim!
Shumë të turpëshme këto sulme kundër Rugovës,tetë vjet pasi i është larguar skenës politike të Kosovës.
Por diku më në fund Berat Buzhala thotë me gojën e tij se “pa fijen e dyshimit kontributi i Rugovës në vitet e para pas shpërbërjes së Jugosllavisë, 1989 – 1995, ka qenë jetik”.
Le të ndalemi këtu, tek ky deduksion i Berat Buzhalës. Nëse roli i një politikani është jetik për fatin e popullit e tij, ashtu si ishte roli i Rugovës që e shpëtoi Kosovën nga skenari i një Bosnje të dytë, që do të ishte një kasphanë e vërtetë, a nuk meriton që ky lider të quhet historik.
Por roli i Rugovës nuk pushoi më 1995, përkundrazi ai edhe në vitet që do të vinin më pas deri në frymën e fundit do të ishte figura më identifikuese e liderit europianist.
Por bllofi më eklatant i Berat Buzhalës tek “President historik?Kjo është histerike…” vjen kur e akuzon Ibrahim Rugovën si “indoktrinues i popullit të Kosovës, me bindjen se shpëtimi i Kosovës i vjen nga Perëndimi”! Në fakt Ibrahim Rugova besonte se shpëtimi i Kosovës vjen nga SHBA! Dhe kishte shumë të drejtë!
Përse Buzhala e konsideron indoktrinim një të vërtetë të pakundërshtueshme. A nuk i erdhi Kosovës shpëtimi nga NATO dhe Perëndimi, bash ashtu si i kishte thënë popullit të vet Ibrahim Rugova? Prandaj quhet lider historik,sepse në momentet më dramatike dhe vendimtare për fatin e Kosovës,ai zgjodhi rrugën e duhur.
A nuk do të ishte SHBA dhe Europa që e vendosën në qendër të vemendjes Hashim Thaçin krahas Ibrahim Rugovës e faktorëve të tjerë të politikës. A nuk ishte SHBA dhe Perëndimi që i bashkoi Rugovën me liderët e UÇK-së, të gjithë bashkë në Rambuje?
Po pastaj çfarë u bë, në vend që të mos ndaheshin kurrë më, i gjithë faktori politik, pikërisht pas Rambujesë nisi lufta për pushtet politik me një nonsens gjigand. Në vend që të përdorej si model shembulli i Rugovës, nisi lufta për njollosjen e figurës së tij. Dhe sa më tepër bojë harxhohej, aq më tepër figura e tij lartësohet! Dhe sa më tepër bojë do të harxhohet, Rugova do të skalitet në ndërgjegjen e popullit të vet dhe Perëndimit si lideri historik i pavarësisë të Kosovës.
Kot e ka Berat Buzhala që lodhet me Çu En Lain.

Filed Under: Opinion Tagged With: Berat Buzhala, Cu en Lai, Elida Buçpapaj, Ibrahim Rugova

Anarkia e pronës është krijuar nga pushtetarët, për të përvetësuar zonat turistike

January 23, 2014 by dgreca

Edhe Legjislacioni ekzistues e rregullon problemin e pronave në zonën e bregdetit shqiptar/

Nga Ledja SALIU/

Raporti prej 26 faqesh i Nils Muižnieks, Komisioner i Komitetit të Ministrave të KE 2013, në analizën e kushteve që duhet të plotësojë Shteti Shqiptar, ndër të tjera, shpreh shqetësimin e thellë për mos ekzekutimin e vendimeve të GJEDNJ (pika 45) si dhe të vendimeve të gjykatave të brendshme dhe të vendimeve administrative. Raporti thekson se mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave të brendshme dhe i vendimeve administrative është një problem shumë më i gjerë, që nuk kufizohet vetëm tek çështjet e kompensimit të pronave të shtetëzuara (pika 55). Raporti evidenton dhe zvarritjet e proceseve civile mbi çështjen e pronave. Për mangësitë e thella në sistemin e drejtësisë gazeta “Telegraf”  ka sensibilizuar me kohë. Së fundi, me 07/01/2014, “Telegraf” në shkrimin “A e toleron Strasburgu mungesën e shtetit ligjor dhe korrupsionin në drejtësi?” përmes dokumenteve publikon se Shteti nuk ka ekzekutuar vendimin e GJEDNJ, aplikimi nr. 10508/02, vendim datë 23.10.2007, final me datë 31.03.2008, se Avokatja e Shtetit dhe kryetari i AKKP-së kanë raportuar me shkrim se vendimi GJEDNJ është ekzekutuar, kur në fakt thelbi konstatues (pika 11) dhe ai urdhërues pika nr. 101 i atij vendimi, nuk janë marrë në konsideratë dhe ky Vendim i GJEDNJ nuk është ekzekutuar. Mangësitë ose papërgjegjshmëria në këtë rast kapërcen kufijtë e asaj që mund të quhet gabim pasi ka arritur deri në mohim të shtetit ligjor. Janë edhe shumë vendime të GJEDNJ të pa ekzekutuara. Ndonëse për ato nuk është raportuar se janë ekzekutuar, ato të gjitha duhen ekzekutuar sa më parë, përfshi dhe vendimet e shumta të formës së prerë të gjykatave të vendit akoma të paekzekutuara.

Çfarë thonë ligjet për pronat e zonave turistike të Qarkut Vlorë

Praktikisht legjislacioni ekzistues e rregullon problemin në zonën e Qarkut Vlorë, por moszbatimi ose zbatimi i keq i ligjeve në fuqi, në periudhën 1991-2013, grykësia dhe korrupsioni i pushtetarëve ka qenë më i lartë, duke krijuar amulli të rëndë dhe anarki institucionale. Pronat e ish NB-së, praktikisht, janë përvetësuar nga politikanët, ndonëse nuk ka asnjë ligj që të justifikojë kalimin e tokave të zonave turistike në pronësi të personave të tretë. Nëse verifikohen dokumentacionet në ZRPP të Qarkut Vlorë. zbulohen menjëherë makinacionet e këtij korrupsioni të organizuar nga politikanët dhe pushtetarët e lartë. Nëse do ishin zbatuar ligjet në fuqi, pronat turistike duhet t’u ishin kthyer totalisht subjektit të shpronësuar.
-Konkretisht, për tokat e ish NB-së pika 5 e Nenit 2 të Ligjit 8053/1995 thotë: “Tokat bujqësore që: a. Janë pushtuar ose fituar në mënyrë të paligjshme. b. Kanë qenë në përdorim, por që nga përdoruesit janë bërë kalime pronësie të paligjshme ose çdo lloj veprimi tjetër të pabazuar në ligj. Veprimet për kalimin e pronësisë për rastet e përmendura në pikat “a” dhe “b”, si dhe regjistrimet e këtyre kalimeve janë të pavlefshme.”
-Ligji nr. 57/2012 në Nenin 3 ka përcaktuar qartë se përfitues me kthim fizik nga Ligji nr 57/2012 dhe Neni 2 pika 5 e Ligjit 8053 janë vetëm kategoria e bashkëthemeluesve.
-Ligji 9235/2004 i ndryshuar Neni 6, në pikë 1/b që praktikisht e kthen tek subjekti i shpronësuar token, thotë: “U njihet e drejta e pronësisë dhe u kthehen subjekteve të shpronësuara, sipas kritereve të këtij ligji, edhe pasuritë e paluajtshme, toka me vendndodhje brenda territoreve turistike, sipas Ligjit nr.7665, datë 21.1.1993 “Për zhvillimin e zonave që kanë përparësi turizmin”, të ndryshuar”.
Këto tre ligje janë shkelur dhe zbatimi i tyre nga ana e Shtetit, praktisht, zgjidh shpejt problemin dhe lehtëson gjykatat nga një mbingarkesë e provokuar nga moszbatimi i ligjeve në fuqi.
Që prona të futet në rrugën e zgjidhjes duhen veprime te shpejta, sepse Qershori 2014 i përcaktuar në vendimin pilot, datë 31 Korrik 2012 prej Gjykatës së Strasburgut është afër.
S’ka turizëm, pa kthim të pronës te i zoti!
Gazeta prestigjioze “NevvYork Times” e renditi  Bregdetin e Shqipërisë së Jugut të katërtin nga 52 vendet më të mira për t’u vizituar nga turistët. Kjo është e vërtetë, por kjo është zona me problematike për faktin se pronat në këtë zonë turistike akoma nuk u janë kthyer pronarit të ligjshëm dhe trojet turistike janë përvetësuar nga klanet e politikanëve nëpërmjet personave të tretë. Kjo gjë pengon zhvillimin e industrisë turistike, prish qetësinë dhe stabilitetin social, kultivon korrupsionin dhe mohon shtetin ligjor. Qeveria po vepron për prishjen e ndërtimeve të paligjshme dhe pavarësisht nga kundërshtimi në Facebook i ish -Kryeministrit Berisha që në një farë mënyre kërkon të justifikohet për gabimet e tij, kjo është gjë e mire, pasi rivendos zbatimin e ligjit, por duhet treguar kujdes që aksioni të mos degradojë në një veprim klientelist, ku subjekti që paguan nuk preket, edhe pse ka pushtuar tokën e tjetrit apo edhe atë që quhet publike apo e shtetit. Ndërtimet pa leje që me konsensus nuk duhet të prishen mendoj se janë vetëm ato, që pronari origjinal i truallit, i ka bërë në tokën e të parëve të tij. Këto ndërtime nuk duhet të legalizohen në mënyrë që në rast të një plani zhvillimi të mëvonshëm dhe shpronësimi apo për nevoja publike, konform ligjeve, shteti paguan vetëm truallin, por jo ndërtimin pa leje. Gazeta “Telegraf” ka trajtuar shume here problematikën e pronës në zonën e bregdetit të jugut Vlorë-Sarandë. Qeveria e re në pikën nr. 14 të Projekt -Programit të saj, e veçon zgjidhjen e problemit të pronave në bregdetin e jugut, zonë ku padrejtësitë dhe korrupsioni me pronat është shumë i dukshëm.

Anarkia e pronës

Si media e lirë, ne përsëri sensibilizojmë për faktin se, Strategjia për Zhvillim dhe Integrim 2012-2020 duhet rishikuar sa më parë, sepse s’ka për ta realizuar misionin, pasi e anashkalon anarkinë e pronës dhe detyrimin e shtetit për zbatimin e Kushtetutës. Si argument citojmë shoqatën “Bregdeti”, që i kanë drejtuar njërit prej drejtuesve të Agjencisë Pronave, disa pyetje publike në një nga mediat e shkruara. Bregdetasit thonë: “Prona tek i zoti përbën themelin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, zbatimin e Nenit 181 dhe 41 të Kushtetutës, që vazhdon të shkelet”. Në vazhdim ata argumentojnë: “Këtë fakt që e ka deklaruar në shtator 2010 në Kuvendin e Shqipërisë edhe vetë Kryeministri Sali Berisha duke thënë se: Beteja për pronën përcakton sistemin dhe lidhet me fatet e demokracisë dhe zbatimin e kushteve që BE kërkon të zbatohen prej Qeverisë Shqiptare. Edhe deputeti Fatmir Mediu, ka deklaruar në Parlament se prona është grabitur me ligj, por në këto 20 vjet, kush i ka votuar këto ligje?” Më tej bregdetasit deklarojnë: “Nga askush nuk mund të kundërshtohet deklarimi i zotit Rrapo Hajredin Danushi, se nuk ka demokraci pa pronën tek i zoti se pas vitit 1991 kemi pluripartitizëm dhe sistem kleptokracie, se nuk mund të jemi pjesë e NATO-s, e BE-së dhe demokracisë pa kthyer fizikisht pronën tek i zoti. Në kompleksin e tyre Kuvendi ka miratuar ligje anti-pronar, duke filluar nga Neni 8 i ligjit 7501, por edhe nene në ligje të tjera që bien ndesh me të drejtën tonë për pronën e trashëguar. Faji bie mbi politikanët tanë, por edhe mbi përfaqësitë e institucioneve ndërkombëtare që megjithse prej shumë vjetësh kanë monitoruar problemin e denacionalizimit të pronave, duke shpenzuar fondet të mëdha, praktikisht e konstatojnë shkeljen e të drejtës së pronës, por heshtin, duke u bërë kështu mbështetës të korrupsionit. Po ashtu nenet antipronar që shkruhen në aneksin e Ligjit të pronave nr 9235 të vitit 2004, u miratua nën kujdesin e OSBE-së. Ligjet e këqija të miratuara në Parlament dhe zbatimi i keq i tyre ka bërë të mundur banditizmin me pronat në zonat turistike dhe po imponon zgjidhjen e të drejtës së pronës nëpërmjet korrupsionit, ose nëpërmjet vetëgjyqësisë që nënkupton dhe gjakderdhjen. Veprimtaria e Agjencisë dhe e institucioneve të tjera përfshi Prokurorinë, Prefektin, Inspektoratin ose Policinë Ndërtimore konstatojnë shkeljen flagrante të ligjit me qëllim vjedhjen e pronës, por kryejnë veprime shumë të ngadalshme. Jo vetëm në Dukat, por në të gjithë zonën e mbrojtur turistike situata është tensionuar nga veprimtaria antipronar e Agjencisë së Kthimit të Pronave që në fakt vepron për të bllokuar pronarët dhe favorizon shkelësit e ligjeve. Drejtori i AKKP-së, që është një prej institucioneve që ta kthen pronën tënde ose të mban peng shumë vjet pa ta kthyer pronën tënde dhe krijon hapësirë kohe që pronën tënde ta legalizojnë ose ta pushtojnë persona të tjerë, del shpesh në TV dhe gjithmonë përdor termin ish- pronar për ne që jemi pronarët, flet për kompensimin duke anashkaluar faktin se nuk ka përfunduar kthimin fizik. Gazetat pasqyrojnë rregullisht veprimtarinë e Agjencisë dhe të ALUIZNI-t dhe çdo ditë njoftojnë për legalizimet dhe kompensimet”.

Zgjidhja e pronës në zonat turistike, detyrim i shtetit ligjor

Kjo është vetëm një nga ankesat e shumta të pronarëve që kanë rënë në veshin e shurdhër, çka është bazuar dhe në deklarimet në Kuvend të ish- Kryeministrit Sali Berisha, ku rezulton se anarkia e pronës është krijuar nga pushtetarët për të përvetësuar zonat turistike. Për sa më sipër, shoqata “Bregdeti” së bashku me shoqatën Dukati kanë përgatitur projektligjin për kthimin dhe kompensimin e pronave në Qarkun e Vlorës, zbatimi, i të cilit e kthen pronën e konfiskuar tek i zoti, shkarkon Qeverinë nga faturat financiare dhe e zgjidh më së miri problemin e pronës. Ky draft e përcakton kthim-kompensimin e pronës, detyrim të shtetit dhe praktikisht korrekton aktet zyrtare të periudhës para 2014, për pjesët që nuk janë në përputhje ligjet në fuqi. Drafti përcakton që zgjidhja e problemit të pronës në zonat turistike, është detyrim i shtetit ligjor. Zgjidhja e shpejtë është plotësisht e mundur nëse opozita do të tregohet konstruktive pasi situata e anarkisë së pronës është kryesisht produkt i qëndrimit të saj të papërgjegjshëm. Gjithsesi, mbetet vetëm vullneti politik i Kryeministrit Edi Rama, faktori që përcakton zgjidhjen e shpejtë, duke plotësuar pikën 14 të programit aktual të Qeverisë për pronat.

Ledjana SALIU

Filed Under: Opinion Tagged With: anarkia e prones, Ledia Saliu

KUSH PO E THANË DIBRËN ?

January 23, 2014 by dgreca

Nga Ibrahim Kolari/

Sot po zhvillohet një debat, për vendimarrjen e Qeverise së R. Të Maqedonisë për devijimin e lumit Radika me destinacion për përfitime ekonomike. Mirëpo në vendet me demokraci të mirëfilltë vendimarrjet e tilla gjithmonë vendosen me referendum mbarë popullor ose me një debat të gjerë publik ku fjalën kryesore e kanë ekspertet të cilët e vlerësojnë dhe e bëjnë të ditur rëndësinë e projekteve të tilla afatgjate. Në rastin e marrjes-devijimit të lumit Radika që ndodhet në rajonin e Dibrës së Madhe, jo vetëm që skemi debate me specialistët e fushës përkatëse, por nga ana e qeverisë së Maqedonisë kemi edhe injorim dhe indiferentizëm ndaj dëgjimit të zërit të popullatës vendase.

Qeveria e Maqedonisë në formë arbitrare po vepron në këtë rast dhe unë si qytetar i Dibrës dëshiroj që përfaqësuesit tanë shqiptar në qeveri të prononcohen drejtë dhe hapët rreth këtij projekti qëllimdashës për bashkëkombësit e mi. Përse qeveritarët dhe politikanët po sillen ka ashpër me Dibrën? Nuk mjafton plaga e mërgimit ekonomik prej 50 vitesh që e ka zbrazur këtë qytet të lashtë me tradita dhe histori kombëtare, por tani duan edhe ta kthejnë në një shkretëtirë në zemër të Ballkanit. Prandaj ne si dibran, por edhe të tjerët duhet ta mbrojmë sot pronën tonë të përbashkët, ujin e Radikës i cili është vetë jeta jonë. Ne, duhet bashkë, pa dallim kombësie dhe feje të protestojmë për këtë projekt që do zhduki Florën dhe Faunën, do shkatërrojë turizmit në këto anët, do të largojë njerëzit që vijnë për shërim në Banjat e Dibrës, shkurt do vdesin të gjitha ato pak biznese që funksionojnë sot.

Nuk mundet një lum të devijohet pa marrë miratimin edhe të shteteve fqinje, në këtë rast Shqipëria sepse uji është pronë e natyrës, pronë kolektive të njerëzimit jo vetëm të një kombi, por të disa kombësive, me këtë projekt qeveria po nxit edhe një urrejtje etnike duke prishur marrëdhëniet midis fqinjëve, midis shokëve dhe bizneseve.

Të gjithë qeveritarët shqiptar si në Tiranë ashtu edhe në Shkup rrahin gjoksin se marrëveshje nuk ka për devijimin e lumit Radika, se projekti është i parealizueshëm, por ka vite që kane nisur punimet në heshtje dhe fshehtësi. Duket sikur jemi të përgjumër këtë periudhë, duket sikur jemi indiferentë ndaj vetvetes, më duket sikur i thërrasim vdekjes kolektive klinike.

Prandaj si qytetar dibran, si biznesmen, si ish-kandidat i pavarur për komunën e Dibrës së Madhe e pash të arsyeshme të shkruaj këto rreshta për çështjen e lumit të Radikës me qëllimin e mirë që të gjithë se bashku të reagojmë si vëllezër  sepse uji është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetë ne bote.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ibrahim Kolari, kush po e thane Dibren, lumi Radika

VRANËSIRAT SHPËRTHYESE MBI ILIRIKUM

January 22, 2014 by dgreca

Pandalur asnjëherë, intelektuali ynë Fahri Xharra, vë në “shënjestër” gjithë të ligat e kohës, për ta kuptuar frymën negative të kohës – zërin e daullës së magjupit dhe lojën e arushanit të përjargur në hapësirat tona, duke mos u pajtuar asnjëherë me shëmtitë dhe të ligat e kohës…/

Nga Remzi Limani/

Në kuptimin e drejtë, shoqëria civile karshi pushtetit, patjetër duhet kuptuar si mbikëqyrëse e proceve demokratike në të gjitha sferat, e në veçanti të atyre me interes kombëtar. Tani, në mugëtirën e krijuar në gjithë proceset politike, shumë individë; si njohës dhe proklamues të së vërtetës shqiptare, me gjithë fuqinë e tyre intelektuale mundohen të ndikojnë në lidershipin kosovar, që rrjedhat politike të mos dalin nga shtrati i lumit, ngase, mund të vërshohemi nga të ligat e kohës…, të cilat na sjellin vërshimet si pasojë e injorancës mos mosndërhyrjes sonë në kohën e duhur, për t`i bërë drenazhën e duhur kohës dhe hapësirës sonë në zhvillimet e gjithmbarshme politike dhe shoqërore!

Së këndejmi, një intelektual, katërçipërisht i kushtuar rrjedhave politike, historike, shoqërore, dhe kritikues i shumë dukurive tjera negative të kohës, me gjithë fuqinë e tij të edukuar prej intelektuali, bëhet “kambanë” e ngjarjeve nëpër kohë, për t`i rrah gjithë rrumbat e kushtrimit, për ta kuptuar rrezikun permanent nga vranësirat shpërthyese mbi Ilirkum! Ky pra, një prej intelektualëve të mirëfilltë, quhet, FAHRI XHARRA, i cili, pa e ndalur frymën, dhe pa e kyrsyer kohën e tij, atë e gjejmë gati në të gjitha gazetat e shkruara, e në veçanti në ato elektronike, me shkrimet e tij të shumta, duke u munduar ta zgjoj trurin e kohës nga letargjia politike, për ta ndaluar mynxyrën e cila nusëlon para syve tanë, e bëhemi se nuk e shohim!!! Prandaj, zoti, Fahri Xharra, na del një korife, i cili, s`lë gjë pa e kuptuar dhe pa e shenjuar në mendjen e kohës, sepse. koha jonë akoma frymon e malcuar dhe, si e tillë, ajo duhet të dalë sa më shpejt nga konvaleshenca e kohës, për ta rimarrë veten nga plagët e kohës së vrarë… Andaj, z, Xharra, pandalur asnjëherë, vë në “shënjestër” gjithë të ligat e kohës, për ta kuptuar frymën negative të kohës – zërin e daullës së magjupit dhe lojën e arushanit të përjargur në hapësirat tona! Pra, intelektuali i kohës siç është z. Fahri Xharra, i cili, me reagimet e shumta, në vazhdimësi jep kontributin e tij, për të mos e gjykuar koha në të cilën jeton.  Ai, asnjëherë nuk ndaloi të vë në pah të shëmtuarën, duke mos u pajtua me të ligat e kohës sonë…! Andaj, është obligim i gjithë intelektualëve, ta japin kontributin e tyre në kohën e duhur, si çështje dhe e drejtë demokratike për të menduar ndryshe për gjithë tërësinë e interesave shoqërore të cilat identifikohen me kauzën kombëtare, ngase, gjithë ne jemi pjesë e saj dhe duhet të luftojmë të keqen, për ta nxjerrë frymën e kohës, të munguar shekuj me radhë, për të frymuar shëndetshëm të veshur me petkun e merituar kombëtar.(marre nga Zemer Shqiptare)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Fahri Xharra, vransirat shperthyse mbi ilirikum

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 766
  • 767
  • 768
  • 769
  • 770
  • …
  • 859
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT