
Të nderuar lexues të paanshëm, do të bëjmë çmos që këtë vështrim gazete të radhës të mos e personalizojmë dhe, nëse ju mendoni se do ta rikompozojmë retrospektivën tonë dhe të ca shokëve të gjeneratës, atëherë do të kërkojmë ndjesë. Në këtë shkrim nuk do ta përkundim djepin e së kaluarës sonë adoleshente e as atë çapkëne. Ishte fundi i vitit shkollor 1967-68, më saktë më 20 gusht, kur edhe iu nënshtruam një provimi nga një program mësimor (drejtimi natyror-matematikor) në gjimnazin e atëhershëm prestigjioz të Tetovës. Fatkeqësisht, unë dhe katër shokët e klasës III-2 (tre, prej të cilëve aktualisht janë doktorë shkencash) nuk kaluam dot në provim dhe si rrjedhojë humbëm vitin. Në ato mote, neve “ngelaqëve” nuk na “shqetësoi” fakti se e përsëritëm vitin, aq sa na rëndoi fjala poshtëruese e “mësimdhënësit”, i cili na tha, përveç të tjerash: “…, ju jeni toptan malokë analfabetë dhe tapë, andaj nuk meritoni vlerësimin tim”!? Imazhi i ish-“mësimdhënësit” sot e kësaj dite na sillet vërdallë, sot e kësaj dite na dalin përpara tiparet karakteristike të tij… Sot ne, nëse na jepet e drejta, do të konstatojmë se ai ishte thjeshtë një “tip” që shquhej a njihej me atë urrejtjen patologjike, me atë mllefin e tij provincial…, një njeri që kurrën e kurrës nuk evoluoi fjalorin, komunikimin, qytetarinë e lëre më “burrërinë civile”. Ne, edhe sot e kësaj dite, nuk e dimë se nga erdhi dhe ku vajti…, nuk e dimë se ku prehet…, ndjesë pastë!
Kur jemi te nocioni tapë, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe na jep këtë shpjegim: Lëndë shumë e lehtë që nxirret nga lëkura e disa drurëve (sidomos nga një lloj lisi) dhe që përdoret për shtupa, për shollë këpucësh për rrjetat e peshkimit…; dru tape, shtupë mbyllëse zakonisht për shishe, ngjeshi tapën në brez, zë të çarat me tapë, taka prej tape, mjet shpëtimi nga mbytja etj. Këtë nocion do ta përdorim në vijim të paragrafëve edhe në kuptim figurativ: I dehur keq, i pirë sa nuk e mbajnë këmbët..; u bë tapë…, i trashë nga mendja…; i vuri tapën gojës, është si tapa në shpinë të detit…; S’është i zoti të zërë një vend e të qëndrojë; e të tjera shpjegime gjuhësore.
Ata që s’e kanë këtë burim informacioni dhe këtë përfytyrim pamor ndaj kësaj lënde shumë të lehtë, gjegjësisht ndaj tapës, me të drejtë do të parashtrojnë pyetjen se ç’i duhet këtij “opinionisti” që për kryefjalë të shkrimit të zgjedhë “tapën, aq më tepër kur dihet se kjo lëndë nuk ka kushedi çfarë vlere”…, ç’i duhet këtij artikullshkruesi të “sajojë fjalinë”: a mundet “tapa të pjellë tapë”…, një shkrim që për një pjesë të lexuesve do të përfundojë pa e lexuar deri në fund. Thjeshtë, një shkrim që mbetet pa portret, një shkrim i padefinuar dhe i padeshifrueshëm!… A mos vallë autori para se ta qëndisë këtë vështrim është bërë vetë “tapë”…, a mos vallë ky njeri “bën rrobaqepësi për gomaricat” a të ”samarxhiut”? A mos vallë këto janë insinuata të kurdisura a edhe thashetheme të radhës të këtij autori. Të gjithë ata që do të parashtrojnë kësi pyetjesh, unë do t’u përgjigjem në aspekt a në kuptim figurativ. Nëse do të ishte e vërtetë se “mësimdhënësi ynë tapë, dikur moti polli tapa” (përfshirë edhe shokët e mi, aktualisht doktorë shkencash), atëherë ne sot gjithandej do të ballafaqoheshim me tapa!?
Këtë paragraf timin të lartpërmendur, shoku im i klasës NN nuk ma kontestoi, por ama më sugjeroi që të njoh institucionin: MENDIM a GJYKIM NDRYSHE!…, ndërsa pos të tjerash më tha: ty, or miku im, a mos vallë nuk të shohin sytë se ç’na është bërë arsimi ynë i detyrueshëm…, a mos vallë nuk të duket se na është bërë si peshku i egër…, a mos vallë nuk të duket si tapë…, a mos vallë edhe politika nuk na është bërë si ajo bastorja…, a mos vallë nuk na është zvetënuar…, a mos vallë ty, miku im që ende urinon në “oturak”, nuk të panë sytë e nuk të dëgjuan veshët se ç’bëri ai alamet “arkivisti”, kur ditë më parë arkivin e një institucioni e shndërroi në paçavure, në leckë kuzhinash, në leckë kukullash dhe së fundi në “tapë shisheje”…, a mos vallë edhe sot e kësaj dite duhet të të “gjykoj” si njeri me gjymtime shpirtërore dhe fizike…, a mos vallë sot e kësaj dite mbetesh si një miop a edhe “otoskletorik”…, nuk do të dëgjosh se ç’ndodh pranë dhe përreth teje! Ti, miku im i dashur, a nuk sheh se si administrata publike na u shndërrua në “shollë këpucësh”…, a mos vallë komunikimi ynë ndërpartiak nuk na u shndërrua në “rrjet peshkimi, në take prej tape”…, a mos vallë ndejat tona të dikurshme nuk na u shndërruan si “tapa në shpinë të detit a në furgona pa targa”…, a mos vallë një alamet shefi (nga blloku ynë) që është ulur ashtu rehatshëm në kryeminderin e një shërbimi juridik të një institucioni serioz (i cili fillimisht kishte specializuar për jurisprudencë krahasuese dhe mandej me pak “vonesë” ishte pajisur me diplomë për mbarimin e arsimit të mesëm) nuk e ka ngatërruar “zanatin…, shyqyr që nuk përzgjodhi gjinekologjinë dhe urologjinë se për-ndryshe…!?…, ky njeri që nga momenti kur e emëruan “shef”, aq shumë u ngazëllua, saqë filloi t’i heqë anonimitetin e gjenealogjisë të familjes së tij…, a mos vallë ti, miku im i vjetër, nuk e di se ky “alamet shefi”, në çdo fundjavë i “bën vizitë nënëdajës në fshat”, prej nga kthehet me një thes të mbushur me patate, me pak fasule dhe me ca vezë ekologjike. Ky “shefi nga blloku ynë” që ende është nën mbikëqyrjen a kujdestarinë e prindërve, sa herë që kryeshefi i tij do të bëjë pordhë, aq herë këtë haber pordhë do t’ua përcjellë prindërve të tij. Kur kalamajtë e tij i kishin parashtruar pyetjen se pse e bën këtë budallaki, ai ishte përgjigjur: “E bëj që të mos mbetem pa nam e pa nishan”!? Miqtë e tij, që ia dinin defektet psikike, shpesh i thoshin: hajt, miku ynë, fli natë e ditë e mos u duk këtej pari, na lër neve të meditojmë rehat, sepse kështu, siç vepron, na bëre “rezil e maskara”!?
Që unë të mos i mërzis lexuesit e mi të nderuar, do të më duhet t’i them mikut tim mjaft më me atë fjalinë pyetëse: “a mos vallë”!…, sepse këtë trysni që ma bën, a “mos vallë edhe unë duhet të bëhem tapë…, a mos vallë?”… Pa dashur ta teproj me këtë shkrim të padefinuar e të padeshifruar dhe plot llagape” nga më të ndryshmet, le ta përfundoj për respekt të atyre që ndoshta me të drejtë do të thonë: vallë ky njeri nuk ka hallet dhe punët e veta!? Tani do largohem sepse po të vij Edvini, ndoshta do ma kishte “shkulur veshin”!
Tribalizmi i politikës shqiptare!
Nga Faik KRASNIQI/
Në kohë krizash siç është kjo e tanishmja, është mirë të rishikohen dhe analizohen gjithë shkaqet që ndër të tjera na sollën në këtë derexhe. Tribalizmi i politikës shqiptare është një nga shkaqet madhore. Është shumë e rëndë dhe e dëmshme që të mos vihet re, të mos përfillet apo të neglizhohet. Tribalizmi është shkak madhor i prodhimit të krizave të njëpasnjëshme, të kapjes së shtetit, të abuzimit me pushtetin, me ambientin, me njerëzit, me qytetarët.
Tribalizmi, në thelb, nuk është asgjë tjetër veç racizëm. Është i thellë deri në atë pikë sa t’u mohojë të drejtat elementare pjesës tjetër të popullatës që nuk i përket tribusë të caktuar për të qeverisur. Këtu ka shumë cinikë, ironikë dylekësha, të cilët nuk më ndjellin asnjë ndjesi tjetër veç shfaqjes (ironikisht shfaqja kryhet nëpërmjet fshehjes) së kompleksin të tribalitetit. Nuk mund të neglizhohet, as të shpërfillet ngjarja madhore që i vuri vizë përfundimisht ndarjes në dy kampe të mëdha. Nëse kjo situatë vazhdon në këtë mënyrë dhe në këto kondita, përplasja e madhe është e pashmangshme, sepse sistemi është jashtë mase rigjid e nuk mund të bëhet elastik. Është i dënuar të përplaset.
Historia e Shqipërisë, deri më tani është karakterizuar nga këto përplasje tribale që kanë sjellë si rezultat qëndrimin vendnumëro. Sepse, qëllimi nuk është drejtuar kah së ardhmes, kah arritjes së vendeve të tjera, por ka patur gjithnjë një qëllim të fshehur (jo dhe aq ama) përplasjen e brendshme. Zyrtarisht, mund të quhemi vend me probleme madhore të brendshme. Pa frikë fare kjo.
Kjo situatë tribale është çelësi shpjegues i shumë situatave dhe gjendjeve në të cilat ndodhemi. P.sh.: Pse abuzojmë kaq shumë me ambientin? Pse ka mungesë patriotizmi real? Pse nuk dënohen politikanët e korruptuar? Pse ekziston korrupsioni kaq i përhapur?
Në rrënjë të gjithë këtyre problemeve, do të gjeni asgjë tjetër veç tribalizmit. Sepse, tribalizmi nuk është vetëm ideja e përkrahjes dhe stimulimit me baza fisnore, por edhe dritëshkurtësia, mungesa e identitetit të “përtejmë” – identitetit civil dhe nacional. Identiteti i tribalit është fisi dhe katundi i vet i rrethuar me një gardh imagjinar. Përtej gardhit është “tjetri”. Dhe me çdo gjë të tjetrit, mund të abuzohet. Mund të abuzohet me mjedisin e “tjetrit”, me identitetin, me pronën, me votën… dhe në rastin më fatkeq, me jetën e ‘’tjetrit”.
Kur thuhet rëndom se “gjërat nuk kanë për të ndryshuar”, kjo është relativisht e vërtetë, sepse pritet që “tjetri” të aplikojë të njëjtin sistem me të “ishit” (pse më i mirë është ai “tjetri”?). I takon politikanëve të së ardhmes, që duan vërtet të civilizojnë vendin, të bindin se do të veprojnë ndryshe. Në të kundërt, do të vijojë politika e rripa-rripave.
DIELLI, DEKAN I SHTYPIT SHQIPTAR
“Dielli” është cilësuar si dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij./
Nga Baki Ymeri/Bukuresht/
Shqiptarët kanë patur gjithmonë apostuj në Shqipëri dhe diasporë. Jeronim de Rada, Nikolla Naço, Faik Konica, Josif Bageri, Mithat Frashëri, (Lumo Skendo), Visar Dodani, Ilo Mitkë Qafëzezi, Omer Nishani, Dhimitër Berati, Gjergj Bubani, ishin disa nga veteranët e shtypit të shtypur shqiptar. “Janë mjaft me interes gazetat e vjetra shqiptare që janë botuar brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe shpresojmë se autori i këtij shkrimi (B. Y.) do t i publikojë artikujt e gazetave të vjetra /pjesë-pjesë/ në mediumet elektronike, sepse janë shumë shkrime të panjohura për publikun”, thekson me fjalë identike në kuadrin e një komenti, znj. Edibe, në Gazeta Kritika. Po këtë mendim e shprehin edhe lexuesit e panumërt të Zemrës Shqiptare dhe Bota sot në kuadrin e disa komenteve të ngarkuara me energji pozitive. Numri i gazetave të shtypura është i panumërt. Për to kanë shkruar me admirim: Vehbi Bala, Ismet Dërmaku, Xhelku Maksuti, Sabile Basha etj. Për një kronologji të mirëfilltë shkencore, që nga botimi i gazetës së parë shqipe, për momentin nuk kemi kohë, por kjo nuk don të thotë se nuk kemi kohë për t’i prezantuar disa sosh, duke i dhënë prioritet atdheut, nderit, dinjitetit dhe dimensionit të tyre kombëtar.
Qëllimi elementar është ta mbajmë gjallë dashurinë ndërshqiptare si një dhuratë e bekuar e Zotit. Sipas Muharem Dezhgiut, “Gjatë gjithë historisë së vet 100-vjeçare (1909-2009-Kumtese me rastin e 100 vjetorit te Diellit) gazeta “Dielli” realizoi një mision historik në shërbim të kombit shqiptar. Mund të thuhet me bindje të plotë se historia e “Diellit” është ajo e Shqipërisë dhe e shqiptarëve. Qysh prej themelimit të shtetit shqiptar “Dielli” ka përjetësuar në faqet e veta fatet e kombit. Duke luftuar me çdo mjet (me memorandume, me protesta, me shkrime, me të holla) “Dielli” shkëlqeu në mbrojtje të kufijve etnikë të kombit shqiptar. Ai e ngriti zërin kundër rreziqeve që i kërcënoheshin ekzistencës së shqiptarëve si komb e si shtet. “Dielli”, si shprehëse e mendimit dhe e veprimtarisë së “Vatrës”, e lartësoi atë si vatër të shqiptarizmës. Me plot të drejtë “Dielli” është cilësuar si dekani i shtypit shqiptar sepse, që kur lindi e vazhdimisht, është vënë në shërbim të popullit shqiptar, duke predikuar “ungjillin” e kombësisë së tij.” Sipas Karl Gurakuqit, “Vatra” dhe “Dielli” përbëjnë për shqiptarët një simbolikë të fuqishme. Ata zgjuan tek shqiptarët idenë e zjarrit e të dritës që do nënkuptonte flakë patriotizmi dhe rreze kulture…”Vatra” na mësoi me dashtë Atdhenë. Manastiri çeli rrugën e zhvillimit sistematik të letrave (germave) tona. Këto dy institute (“Vatra” dhe “Kongresi i Manastirit”) na mësuan se kur shqiptari bashkëpunon me shqiptarin, nuk del gjë që t’ua ngatërrojë lamshat që t’ua pengojë rrugën”.
“Dielli” është organ i shqiptarëve kombëtarë që kërkojnë një Mbretëri Shqiptare të Lirë. Para nesh kemi numrin 10, tetor, 1919, me 4 faqe të formatit të madh, dhe me artikuj në gjuhën shqipe dhe angleze. Ndër to shquhen “Gjermanët fshehin topat e mëdhenj”, “Ukranianët u goditnë me rusët”, “Shqipëria dhe imperialisma” e autorit Loni Kristo që thote: “Pozita jonë si një shtet i Evropës nuk favorizon imperializmën, dhe dashuria jonë për atdhenë do t’i prishë pllanet dhe ëndërrat e bukura të mirëdashësve tanë. Po nuk duhet të flemë se rastet janë ashtu siç na i do dëshira e zemrës. Duhet të zgjojmë popullin. T’i tregojmë që duhet të ruhet dhe të jetë i ndrojtur në marrëdhëniet e tij tregtare me të huajtë. Nëqoftëse ndodhet në shtrëngim për para, mallin e tij duhet t’i shesë një Shqiptari dhe kurrë ndonjë herë një të huaji, qoftë se i jep më tepër para… Në mos ngjaftë kjo, qeveria e huaj do të hynjë në punërat tona të brendshme kurdoherë që do të ngjitet nonjë nga subjektet e saj: kështu do të jemi një shtet me nam independent, po në fakt nën kontrollin e një shteti tjatër, sikundër është Greqia sot nën kontrollin e FrankoInglizëve (…). Këta zotërinj do t’i bëjnë një të keqe të madhe Shqipërisë me veprën e tyre antipatriotike, se me këtë mënyrë do të shtojnë shpresat e imperialistëve, po do të fitojnë sigurisht urrejtjen e të gjithë Shqiptarëve dhe mallkimin e të gjithë bijve të tyre. Shqipëria ka shkuar nëpoër tërë zhvillimet e pacënuara dhe këtë rradhë do të dalë si dielli pas shiut, e shkëlyqer dhe e bukur që të trashëgohet prej bijve të saj që s’e harrojnë nga çdo çip i botës an’e mbanë që të ndodhen.”
Mendimet e Loni Kristos janë aktuale sot e kësaj dite, kur disa politikanë tanë me biografi ateiste, rrëshqasin si thiu në akull. Pse? Sepse në vend të fabrikave, për të përfituar vota politike, janë duke e mbushur Kosovën dhe Shqipërinë me faltore islamike për inkurajimin e fanatizmit fetar. Në faqet e “Diellit” pasojnë artikuj tjerë si “Teqetë kombëtare” (Mihal Grameno), “Edukata e Qytetarëve dhe Qëllimi i Shkollave Publike Amerikane”, “Mesha Peshkopale në Philadelphia”, lajme të shkurta, si “Meshë (shqiptare) në Boston”, “Një lutje këndonjësve të Diellit”, “Tiketa vapërësh për atdhe”, “Ndihni dhe përkrahni Kryekishën Kombëtare “Shën Gjergji”, “Kisha Orthodokse Shqiptare “Fjetja e Shën Marisë”. Pason “Libraria e Diellit” me vepra si: Abetare Toskërisht, Abetare Gegënisht, Ëndërr e Vërtetë (Spiridon Ilo), Dëshirat e Zemrës (Spiridon Ilo), Kalendari i Shoqërisë “Dija”, Cili është Ay (Carmen Sylva), Dëshira e Vërtetë e Shqiptarëve (përkth. Kristo Floqi), Kalendari Populli Nacionalist, Barbaritë Greke (K. P. Tomori), Psherëtima (Kasem Daut), Libra Ushtëriake (Akif I, Përmeti), Fjalor Inglisht-Shqip (Dennis Kambury), Othello (Wiliam Shakespeare), Skenderbeu i Longfellow-it, Imzot Fan S. Noli, Kalendari i Vatrës, Libra e Shërbesave të Shenjta, etj.
Shpërlarja e shekullit
Nga Albin KURTI/
Neoliberalizmi dhe krimi i organizuar ecin dorë për dore në Kosovë. I pari jep mbështetjen konceptuale e teorike të praktikave kriminale të qeverisjes në Kosovë. Të ashtuquajturat reforma strukturore e vazhdojnë privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore tek ato publike. Dhe, jo vetëm kaq: ajo që është e të gjithëve është e askujt dhe duhet të bëhet e dikujt. Mendja e tyre njëdimensionale sheh vetëm prona të pronësueshme. Ekzistenca është pronë; prona është ekzistencë. Prandaj, si bisha të etura për gjak nuk përmbahen dot në gjahun e tyre ndaj gjithçkaje publike.
Po them krim i organizuar dhe jo korrupsion sepse nuk bëhet fjalë më, thjesht, për korrupsion. Kjo fjalë është tepër e butë për ta përshkruar egërsinë e zhvatjes së pasurisë publike në Kosovë. Miliarda euro janë në pyetje – ndërmarrja kriminale kundër ndërmarrjeve publike është gjithsesi e organizuar.
Aq i kriminalizuar është privatizimi në Kosovë saqë nuk të bëhet më ta quash privatizim. Prandaj, me të drejtë sindikalistët, gazetarët dhe politikanët opozitarë nisën ta quajnë shitje, pra shitje e një malli të vdekur meqë ndërmarrja nuk trajtohet as si organizatë e punëtorëve dhe as si kapacitet zhvillimor për vendin. Mirëpo, edhe kjo fjalë me shpejtësi u zhvlerësua porsi ndërmarrjet para se të shiten: fjala shitje ia lëshoi vendin fjalës falje. Pasi që ndërmarrjet shiteshin tepër lirë, meqenëse shitja nënkupton një vlerësim adekuat të mallit të shitur, zërat që flisnin për falje të ndërrmarrjeve dhe pasurive të Kosovës nën siglën e privatizimit u rritën shumë.
Së fundmi, privatizimi nuk është më as shitje e madje as falje. Sepse, falja ka të bëjë me të kaluarën dhe të tashmen. Mund të falësh diçka që ka të bëjë me të shkuarën ose të tanishmen, i falet dikujt tjetër ajo që të përket ty. Por, këtu po falet edhe e ardhmja, edhe potencialiteti e perspektiva e shoqërisë, nga dikush që nuk ka të drejtë ta bëjë këtë dhe që po e shndërron popullin e Kosovës nga sovran në borxhli. Kjo është arsyeja që ky privatizim është para së gjithash uzurpim. Dihet që në Kosovë nuk kemi një ligj mbi privatizimin e aq më pak një ligj mbi privatizimin e Distribucionit e Furnizimit të KEK-ut apo të 75% të aksioneve të Telekomit. Prandaj, së pari, vënia për privatizim e këtyre shënon një uzurpim paraprak nga Qeveria. Dhe, së dyti, bartja e pronësisë më pastaj paraqet veçse uzurpim të ri.
Le të ndalemi pak te ky uzurpimi i ri, repektivisht uzurpimi më i ri. Qeveria e Kosovës e miratoi uzurpimin e 75% të aksioneve të Telekomit të Kosovës për 277 milionë euro, formalisht, ndërkaq përmbajtësisht kësaj shume duhet t’i hiqen 75% të 35 milionëve, dividenda që tash s’fitohet dhe lejimi i projekteve kapitale më herët të bllokuara, ashtu siç e sqaroi Federata e Sindikatës së PTK-së. Nga ajo çfarë kam mësuar deri më tash, uzurpimi i PTK-së do të mbahet mend si shpërlarja e shekullit në Kosovë. Disa kompani të ndryshme vendëse të afërta me kryeministrin Thaçi, përfshirë këtu atë të njërit apo më shumë vëllezërve Zhugolli, po marrin pjesë në blerjen e Telekomit edhe po i shpërlajnë milionat e përvetësuara pas luftës. Bile, në mesin e këtyre kompanive janë edhe aso që organizojnë lojëra të fatit dhe biznesmenë të tjerë të lidhur me politikanë që nuk janë në Qeveri.
Shuma e ofruar është bërë prej një fondi investiv, konsorciumit ‘Axos Capital Partners’ dhe ‘Najafi Companies’. Kjo do të thotë se nuk po e marrin Telekomin e Kosovës kompanitë e specializuara në lëminë e telekomunikacionit, por fonde jotransparente të cilave nuk ju dihet saktësisht përbërja e prejardhja. Ngjashëm sikurse me rastin e privatizimit të Distribucionit dhe Furnizimit të KEK-ut, ku njëherë ishin të interesuara kompanitë e lëmive të energjisë si RWE e pastaj mbetëm tek ato që erdhën të mësohet te ne, edhe te Telekomi fillimisht ishin të interesuara kompanitë si Deutsche Telecom e T-Mobile, por tash përfunduam te këso fondesh investive. Sidoqoftë, pyetja themelore në këtë rast është: kapitalin e kujt e përfaqëson dhe menaxhon ky konsorcium në Kosovë? Sigurisht që ato 277 milionë euro të përfolura që nuk i kemi parë ende nuk janë të ‘Axos Capital Partners’ dhe as të ‘Najafi Companies’. Telekomunikimi është çështje sovraniteti dhe interes strategjik përveçse pasuri publike. Është e domosdoshme të dihet se të kujt janë ato para. Në këtë pyetje duhet të përgjigjen kryeministri Thaçi dhe ministri Beqaj.
Njerëzit në Kosovë po frikësohen të flasin hapur. Posaçërisht ata që punojnë në institucione dhe kanë informata. Pas të ashtuquajturës ‘vetëvrasje’ të Dino Asanajt, në Kosovë ka njëfarë klime që t’i përkujton vitet e ’90-ta. Mbase edhe privatizimi, përkatësisht uzurpimi i pasurisë pas luftës, është vazhdim me mjete tjera i shkatërrimeve të luftës e të paraluftës.
Kosova duhet të ngritet në këmbë që të mos lejojë nënshkrimin e kontratës ndërmjet Qeverisë dhe ‘Axos Capital Partners’ e ‘Najafi Companies’. Populli e shteti i Kosovës duhet t’i kthejë herëdokur këto ndërmarrje, të cilat më parë se u privatizuan, u shitën, më parë se u shitën, u falën, dhe, më parë se u falën, u uzurpuan. Përndryshe, ky vend i pazhvilluar e me qeverisje të kriminalizuar po bëhet i pajetueshëm për qytetarët e tij.
Prishtinë,prill 2013
Albin Kurti
BASHKËBISEDIM NDËRVATRANË:MIRË SE ERDHËT NË VATËR!
BASHKËBISEDIM NDËRVATRANË:MIRË SE ERDHË NË VATËR!
Kryetarja e degës në Washington DC, zonja Merita Bajraktari i shkruan kryetarit te Degës Westchester,njëkohësisht kandidat për Kryetar i Federatës VATRA, z. Nick Markola
Përshëndetje Nick,
Gëzohem që po komunikojmë dhe po njihemi. Fatkeqësisht për arësye familjare, s’munda të marr pjesë fizikisht në Kuvend, kështu që materiali juaj elektronik* do t’më shërbejë mua dhe Vatranëve në DC të njihemi më konkretisht me mendimet dhe idetë tuaja për VATRËN Dje, Sot dhe Nesër.
Kam lexuar disa nga artikujt tuaj lidhur me ekonominë dhe financat në gazetën “Dielli”. Kam parë dhe videot nga daljet tuaja në TV (FOX Business) dhe ju përgëzoj për arritjet profesionale.
Meqë nuk kemi komunikuar më parë, dëshiroj që me këtë urim për suksesin profesional, të bashkoj edhe urimin tjetër:
Mirësevjen në Vatër dhe urime për krijimin e degës së VATRËS në zonën ku ju jetoni e punoni.
Shpresoj që të vendosim një komunikim efektiv ndërdegësor dhe të bashkëpunojmë për hedhjen dritë mbi të kaluarën e Vatrës, të përparojmë Vatrën sot dhe të piketojmë Vatrën në shekullin e dytë të jetës së saj dhe më tej.
Zoti ju bekoftë të gjithëve që lexuat mesazhin dhe faleminderit për kontributin tuaj personal e familjar.
“Gur , gur bëhet mur” – i themi ne andej nga Devolli 🙂
Sinqerisht,
Merita B. McCormack
VATRA-DC Chapter
meritabmccormack@gmail.com
• Zoti Nick Markola paraqiti në Kuvendin e Vatrës Vizionin e tij për Vatrën. Këtë material ai ua vuri në dispozicion Listës së Këshillit përmes emaileve, përfshirë edhe kryetarët e degëve.
- « Previous Page
- 1
- …
- 799
- 800
- 801
- 802
- 803
- …
- 864
- Next Page »