• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROLI AMERIKAN NË AFGANISTAN PO MERR FUND

January 14, 2013 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

 Kështu deklaroi Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama të Premten që kaloi pas bisedimeve që zhvilloi në Shtëpinë e Bardhë me Presidentin e Afganistanit Hamid Karzai mbi të ardhmen e rolit amerikan në Afganistan, duke thënë se forcat amerikane së shpejti do t’ua dorëzojnë forcave afgane rolin kryesor të luftës kundër talebanëve. Presidenti Obama tha se në bazë të marrëveshjes që u arritë gjatë bisedimeve të presidentit afgan në Uashington –përfshirë takimet që ai zhvilloi në Pentagon dhenë Stejt Department –gjatë këtij viti forcat afgane do të marrin përsipër përgjegjësinë e plotë për sigurinë në vendin e tyre — duke e shndërruar rolin ushtarak amerikan në një rol mbështetës këtë pranverë, para afatitqë pritej – ndërkohë që pomerr fund lufta nëAfganistan. Presidenti Obama tha se ”ky përparim është bërë i mundur falë sakrificave të mëdha të forcave tona dhe të diplomatëve tanë, si edhe të forcave të vendeve të shumëta të koalicionit ndërkombëtar, por edhe popullit afgan i cili ka vuajtur aq shumë”, shtoi Presidenti Obama.Ai tha se në luftën e Afganistanit, ”kanë dhënë jetën më shumë se 2000 bijë e bija të Amerikës”, duke shtuar se, ”Këta janë patriot të cilët ne i nderojmë sot, nesër dhe përgjithmonë.”Edhe Presidenti afgan Karzai tha se, ”gjatë bisedimeve….unë falenderova Presidentin Obama për ndihmën që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë popullitafgan, për të gjitha ato që kemi arritur gjatë dhjetë viteve të kaluara…”

Udhëheqsi afgan tha gjithashtu se “Forcat ndërkombëtare, forcat amerikane nuk do të jenë më të pranishme në fshatrat afgane, se tani është detyra e forcave afgane që popullit afgan t’isigurohet paqja dhe siguria.’’
Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio,Presidenti Obama dha hollësi të tjera në lidhje me bisedimet  me udhëheqsin afgan, duke thënë se objektivi kryesor i Shteteve të Bashkuara,që fillimishte çoi vendin në luftën e Afganistanit është drejtë realizimit, dmth, qëllimi amerikan që Al Kaida të mos e përdorë më Afganistanin si një bazë nga ku organizon dhe kryen sulme kundër Shteteve të Bashkuara, do të arrihet dhe lufta në atë vend, sipas Presidentit Obama, do të marrë  fund në mbarim të vitit të ardhëshëm. Në fjalimin e tij të përjavshëm në radio, Presidenti Obama tha se megjithëse misioni amerikan në Afganistan mbetet gjithnjë shumë i vështirë, ai shtoi se tani duhet të përqëndrohemi në detyrën që kemi përpara dhe në ”misjonet e vështira”, siçtha ai,për rindërtimin e Amerikës, për forcimin e ekonomisë dhe për të ndihmuar forcat tona ushtarake dhe veterantë tanë trima, duke thënë se ”vendi që ne duhet të rindërtojmë tani,është vendiynë.”

Presidenti Barack Obama dhe Presidenti Hamid  Karzai i Afganistanit gjatë një conference të përbashkët për median në Shtëpinë e Bardhë me 11 Janar, 2013 2013.

Deklarata e Presidentit Obama për tërheqjen e forcave amerikane nga Afganistani aty nga mbarimi i vitit 2014, shihet me skepticizëm nga disa vërejtës politikë dhe ushtarakë sie dhe nga disa media amerikane, duke thënë se tërheqja e plotë e forcave amerikane nga Afganistani mund të rrezikojë arritjet e deritanishme në atë vend, pasi forcat ushtarake afgane nuk janë ende në gjëndje të luftojnë talebanët, ndërkohë që dhuna vazhdon në shumë pjesë të atij vendi.

Gazeta amerikane Nju Jork Tajms, në një editorial në lidhje me bisedimet amerikano-afgane në Washington midis Presidentit Obama dhe udhëheqsit afgan Karzai, shkruan se “Plani amerikan për t’i dhënë fund luftësvaret shumë nga aftësia e forcave afgane për të siguruar vendin. 

    Zoti Obama e ekzagjeroi përmirësimin e situatatës në Afganistan dhe anashkaloi mangësitë serioze të sigurimit në atëvend. Por ai me të drejtë zvogëloi rolin dhe objektivat amerikane nëAfganistan.Dhe tani ai duhet të tërheqë sa më pare që të jetë e mundur 66,000 ushtarët nga ai vend’’, përfundon editorialin gazeta Nju Jork Tajms.

 

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Afganistani, amerika, Frank shkreli, Karazai, Presidenti Obama

1OO-VJETORI I NJË KRIMINELI

January 14, 2013 by dgreca

Nga Uran Butka/

 Një nga ngjarjet më të shëmtuara të këtij fillimviti ishte kremtimi i 100- vjetorit të lindjes së Mehmet Shehut në Muzeun historik kombëtar dhe trajtimi i tij si një figurë e shquar e burrë shteti, gjë që u pasqyrua me bujë edhe në mediat elektronike dhe shtypin e shkruar dhe tronditi opinionin, brenda e jashtë Shqipërisë.

Unë nuk kam ndërmend të risjell figurën e Mehmet Shehu, apo të jap konsiderata të plota për të, sepse e kam trajtuar gjerësisht mbi bazën e dokumenteve arkivorë në librat “Lufta civile në Shqipëri 1943-1945”, “Një bombë në Ambasadën Sovjetike” dhe në botimet “Krimet e njerëzimit në Shqipëri”.

Do të sjell vetëm disa dokumente ( nga qindra që ndodhen në Arkivin e Shtetit dhe arkivat e huaja), që rrëfejnë se Mehmet Shehu ka qenë një kriminel, që ka kryer, veç të tjerash, krime kundër njerëzimit.

1.Në luftën e Selenicës, 1 prill 1943, kundër 126 karabinierëve dhe 116 bersalierëve italianë të komanduar nga një nënkolonel, forcat nacionaliste të prof.Isuf Luzajt dhe ato partizane të Çetës Plakë të Vlorës, komanduar nga Neki Ymeraj,  i shpartalluan italianët, duke lënë mjaft të vrarë e të plagosur dhe duke zënë 83 robër. Menjëherë pas luftës, atje arriti Mehmet Shehu, komandasnti i Brigadës I, i cili mori një pjesë të robërve me gjithë nënkolonelin, që e kishte pasur shok shkolle në Itali. A  i pushkatoi dhe i masakroi barbarisht dhe pa gjyq 83 robërit italianë, bashkë me nënkolonelin, natën e 2-3 prillit 1943 në luginën e Romsit, Mallakastër.(AQSH, F.270, v.1943)

Për pushkatimin e nënkolonelit dhe të robërve italianë, shkruan edhe i biri i Mehmet Shehut, Bashkim Shehu në librin “Vjeshta e ankthit”

    2. Krerët komunistë të Luftës NÇ në qarkun e Vlorës zbatonin udhëzimet dhe urdhërat e Dushan Mugoshës, i cili kishte synim të shkulte nga rrënjët atdhetarizmin e kësaj treve me tradita të shquara patriotike dhe të impononte me dhunë e terror komunizmin hibrid jugosllavo-shqiptar. Edhe M.Shehu Sh.Peçi, H.Kapo,  informonin për çdo gjë Dushan Mugoshën, i cili u jepte direktiva e urdhëra, i kritikonte dhe i vlerësonte, duke u bërë njeriu-referencë dhe personi i plotfuqishëm i Luftës NÇ. Në letrën e datës 30.11.1943 Mugosha, zv/komisar i Brigadës I, e qorton M.Shehun  për moskordinimin si duhet të forcave të Brigadës I  dhe i kërkon atij që forcat e kësaj brigade të jenë të pamëshirshme “ tue përdorë zjarrin më të tmerrshëm” kundër nacionalistëve. “Pashë se kini rrezikue forca nga mungesa e koordinimit me Besnikun (Hysni Kapo, shën.im), por siç tha edhe vetë, ke ra në pozitat e Delos  që s’ka dasht në asnjë mënyrë. Por gabimi u ba, duhet të mendohet për një sulm tjetër, duke kordinue luftën me Besnikun si edhe me forca të tjera të brigadës, tue përdorë zjarrin  më të tmerrshëm dhe duke qenë të pamëshirshëm…Shiko sesa forca të Brigadës të nevojiten për me shkelë Dukatin dhe kërkoi menjëherë.”(AQSH, F.177, D.8, v.1943, letër e D.Mugoshës)

    Dukati ishte një fshat i madh në qarkun e Vlorës, që s’e pranonte as fashizmin, as nazizmin, as komunizmin, ndaj D.Mugosha e urdhëroi M.Shehun “ për me e shkelë” Dukatin, tue përdorë zjarrin më të tmerrshëm, ashtu siç ndodhi realisht. M Shehu po atë ditë, më 30 nëntor, e çoi menjëherë në vend porosinë e  Mugoshës dhe e sulmoi Dukatin me afër 1000 ushtarë, tue qenë  të pamëshirshëm e duke e kombinuar mësymjen me forcat e Hysni Kapos nga Tërbaçi. Kështu Mugosha fuste në armiqsi e në luftë  edhe Dukatin me Tërbaçin, dy fshatra pranë njëri-tjetrit, duke vrarë me një gur dy zogj.

    Në luftën e Dukatit, më 30 nëntor 1943, merrte pjesë edhe  batalioni  italian “A.Gramshi” që kishte dezertuar nga ushtria kapitulluese italiane dhe ishte inkuadruar në Brigadën e Parë Sulmuese. Jo vetëm pjesëmarrja aktive e batalionit italian të pajisur me altileri të rëndë kundër banorëve të një krahine  patriotike si Vlora, por edhe të një fshati si Dukati, si edhe goditja e fshatit me predha altilerie nga italianët, zgjoi zëmërimin e dukatasve, që rezistuan me heroizëm. Beteja  zgjati 14 orë, u vranë mjaft luftëtarë nga të dy anët ndërluftuese,  si dhe u plagosën shumë të tjerë nga popullsia, midis tyre edhe 4 gra, që shërbenin si ndërlidhëse midis dy lagjeve: Feride Aleni, Xhemile Shajake, Dudi Havara dhe Xhixhe Jazo. As në ato lagje, as në krejt fshatin Dukat s’kishte të huaj, as italianë as gjermanë, as rusë, por vetëm shqiptarë që luftonin kundër njëri-tjetrit. Forcat e Brig.I e rahën fshatin me mortaja të drejtuara nga oficerë italianë, duke shkaktuar djegien e disa shtëpive dhe vrasjen e banorëve të pafajshëm të fshatit. Sipas informacioneve arkivore, nga banorët e fshatit u vranë tetë vetë: Beqir Elmazi, Salo Mëhilli, Shyqyri Nezha, Murat Bodo, Muharrem Beqiri, Musa Aliçka, Bino Hasani dhe Selim Hasani si dhe 10 të plagosur, ndërsa nga komunistët 15 të vrarë, 4 robër, ndërmjet të cilëve edhe një italian. Në “Historinë e batalionit II të Brigadës I” shkruhet : “Pasi u rrethua fshati, filloi lufta në mëngjes,  bashibozukët ndodheshin brenda në shtëpijat e nëpër llogoret e përgatitura me kohë. Natyra e vendit ishte në disfavorin tonë. Përpjekja zgjati tërë ditën. Ne mundëm të hynim deri në mes të fshatit, duke vrarë 16 prej tyre dhe duke zënë 6 robër.. Tërheqja jonë u bë në rregull, mbetën nga ana jonë  dy të vrarë: Jashar Vlashi, zv.komandant kompanie dhe Agim Çomja, përgjegjës i rinisë së kompanisë…” (AQSH, F.177, d.8, v.1943)  Sipas një burimi të tretë, u vranë partizanët Fadil Dauti, Myrto Sadiku, shoqja Babushe Dogani dhe 6 të tjerë”.(H.Xhelo, 860 dit lufte)

Populli i Dukatit e rrëfen këtë  realitet tragjik të luftës civile  në varget:        

                                       S”jam fashist, po jam dukat,

                                        As ti rus, po je tërbaç.

                                        Po i thonë taksirat,

                                        Që vjen e të vret në prag.

 Në rast se në të ardhmen do të ngrihet ndonjë monument në kujtim të  viktimave të  luftës civile, këto vargje popullore mund të vendosen si një epitaf – sintezë i luftës së shqiptarëve kundër shqiptarëve. Ndërkohë, me dy vargjet e fundit përcaktohet qartësisht, se kush është shkaktar i kësaj lufte vëllavrasëse, kush e nxiti dhe kush “vjen e të vret në prag. Dukatasit antifashistë e atdhetarë qëndruan e luftuan në fshatin e tyre për t’u mbrojtur, siç e thotë edhe populli, në pragun e shtëpive të  tyre. As tërbaçasit nuk janë rusë, po janë shqiptarë. Janë  serbët që i ngatërrojnë shqiptarët, janë  komunistët ekstremistë M.Shehu e H.Kapo që shkojnë në Dukat për të vrarë vëllezërit e tyre. Në vatrat  e tyre. Kjo ishte tragjedia e luftës civile.

    3.Një nga masakrat më të shëmtuara të M.Shehut  ishte ajo e Martaneshit, më 5 mars 1944. Brigada I marshonte nga Kaptina në Shëngjerg. Në fshatin Peshk parti një shkëmbim zjarri në largësi, që shkaktoi vrasjen e një partizani, Kamber Sadikut. Me urdhër të M.Shehut, partizanët u futën në çdo shtëpi të fshatit dhe arrestuan burrat që gjetën, nga një për çdo shtëpi, ndoshta edhe më tepër. Pleqtë dhe gratë vikasnin: “Pse i merrni lidhur? S’kanë bërë asgjë të keqe? Partizanë apo ballistë jeni? Kështu s’i ka marrë as gjermani!” I rreshtuan për t’i pushkatuar, por doli nga radhët partizane zv.komandanti i batalionit partizan të Martaneshit   Hysen Peshku dhe kundërshtoi: “Këta janë të pafajshëm, shoku komandant! Këta që janë rreshtuar për t’u pushkatuar, shumica janë baballarë e vëllezër të partizanëve të çetës së Martaneshit, nuk janë armiq.” Mehmeti dha urdhër që të rreshtohej edhe ai bashkë me ta dhe dha urdhër për zjarr. Kështu u vranë 22 njërëz krejt të pafajshëm dhe pa gjyq, me në krye kryeplakun e tyre, Rremë Çelën. Viktimat e tjerë ishin:  Hysen Peshku, Ibrahim Çela, Musa Balla, Fejzulla Grica, Shaban Grica, Rexhep Grica, Riza Grica, Abdulla Grica, Sulë Balla, Asllan Gurra, Ali Gjoka, Qerim Gjoka, Sulë Peshku, Kamber Peshku, Islam Çela, Liman Hasballa, Isa Çela, Gëzim Koçi.(S.Grica, Rilindja, 1993) 

Më pas M.Shehu u përpoq t’i  lante disi duart nga kjo përgjakje, kur shkruan se “partizanët e Brigadës I luftuan 6 orë me xhandarët e Abaz Kupit dhe tradhëtarët e Martaneshit, se në Martanesh pushkatuam 25 xhandarë e ballistë”(Mehmet Shehu, vepra I), ndërsa  historianët  puthadorë e justifikojnë: “Martaneshi  si bazë e partizanëve, si një pishtar i lëvizjes,  që i kish dhënë dërmën aty e një viti më parë ushtrisë fashiste italiane, tani po i kthente pushkën Ushtrisë NÇ. Gjithçka  tregonte se Brigada nuk mund të dilte nga Martaneshi pa u ndeshur me armiqtë…Një ndikim veçanërisht të madh në shpartallimin e armiqve në Martanesh, parti pushkatimi  i disa reaksionarëve të kapur robër. Pasoja e saj pozitive u ndie menjëherë.”(Brigda I S, Tiranë 1977)

    Në radhë të parë, Martaneshi nuk ka qenë asnjëherë bazë e ndikimit të A.Kupit dhe se A.Kupi nuk ka pasur as luftëtarë e as xhandarë në Martanesh.. Martaneshi ka qenë një krahinë më tradita partiotikë dhe luftarake, vatër e lirisë dhe e luftës antifashiste. Martaneshi nuk i ka kthyer pushkën Ushtrisë NÇ, siç thuhet në Historinë e Luftës NÇ, por terroristi Mehmet Shehu i ktheu pushkën Martaneshit duke pushkatuar  25 njerëz të pafajshëm.

    Së dyti, nuk u bë asnjë gjyq, madje edhe vetë M.Shehu në veprën e vet të parë, nuk pretendon se është bërë një gjyq. Së fundi, e quajnë me ndikim veçanërisht të madh këtë masakër, e quajnë me “pasoja pozitive” pushkatimin e 22 njerëzve të thjeshtë e të pafajshëm të Martaneshit! Po a ka masakër me pasoja pozitive? Është veçse një krim masiv kundër njerëzimit.

    4.Përveç të vrarëve në luftë, pasuan të pushkatuarit e robërve të luftës si edhe viktimat e shumta nga popullsia e pafajshme, grabitjet e pasurive, djegiet e shkatërrimet. Në ballë të kësaj lufte u vu Mehmet Shehu, komandant i Brigadës së Parë Sulmuese, e cila, betejat e saj të para i bëri kundër forcave nacionaliste në gjithë vendin. Një  nga ato qe lufta në afërsi të Lushnjës, tek kodra e Cen Hasanit në fshatin Golem,  më 21 tetor 1943. Mehmet Shehu shkruan: “ U ramë befas dhe i shpartalluam të 400 bashibozukët ballista: 172 robër dhe 10-15 të vrarë” (AQSH, F.41, D.32, v.1943)

    Pas betejës, Mehmet Shehu urdhëroi, në kundërshtim me çdo rregull lufte, pushkatimin e 65  robërve , që s’ishin tjetër veçse luftëtarë të thjeshtë e të rinj të pafajshëm nga fshatrat e Myzeqesë, që nuk pranuan të bashkoheshin me Brigadën I Sulmuese ( vetëm njëri pranoi) dhe nuk donin të luftonin më, po të ktheheshin në shtëpitë e tyre. Ata që nuk i zuri plumbi, i theri thika e Dushan Mugoshës, zëvendëskomisarit të Brigadës I S me pseudonimin Salë. Atje nuk kishte as italianë, as gjermanë, kish vetëm shqiptarë, kishte vetëm një të huaj, një komunist malazez që ushtronte luftën civile si një zanat të vjetër. Këtë masakër e pranon edhe vetë  M.Shehu në një letër-autokritike drejtuar Shtabit të Përgjithshëm, ku shkruan: “Me të vërtetë Ballit i dhamë një grusht të fortë në ekzekutimin e 65 ushtarëve të tij, porse mua më duket se kemi qenë të gabuar, kemi ekzagjeruar, kemi qenë shumë të rreptë. Do të mjaftonte të pushkatoheshin 10-20 ballistë nga më përgjegjësit…Gjurmët e këtij terrori duhen zhdukur dhe shpresojmë se do t’i zhdukim në të ardhmen. Kjo do të vlejë shumë edhe për mua personalsht, që të mos nxitem herë tjetër, të jem m’i matur e të mos lë të tërhiqem  nga sentimentet dhe buçitjet e çastit, që në mua shfaqen akoma si konsekuencë  e një origjine mikroborgjeze, patriarkale, prapanike, mesjetare.”(Po aty, Letër e M.Shehut) E pohon me gojën e vet Mehmet Shehu masakrën ndaj njerëzve të pafajshëm e robërve të luftës, që s’ishin veçse shqiptarë, fshatarë të Myzeqesë.

    Sipas dëshmive të Xh.Staraveckës, i pranishëm në këtë masakër kolektive, pushkatimet u urdhëruan nga Mehmet Shehu dhe Dushan Mugosha, i cili ishte shpirti dhe mendja e Brigadës I. Fiqrete Sanxhaktari (Shehu) ndikoi tek Mehmeti për të hequr nga rreshti i ekzekutimit 10 “lafshëpaprerë”, meqenëse balanca rëndonte nga ortodoksët, për t’i bërë qejfin Dushanit. Me gjithë  12 të vrarët në përpjekje dhe tre të tjerëve që M.Shehu i mori me vete dhe i pushkatoi, numri i këtyre viktimave të luftës civile  arriti në rreth  80:

    Prej katundit Remas: Rako Nako, Bani Lika, Ramë Koçi, Prof Gjata, Qazim Pina.  Kryekuq: Murat Malsori, Hysen Ismaili, Osman Plaku, Hamdi Çoku, Shyqyri Leka.   Shënkollas: Tafil Doka, Daut Gjata, Haxhi Dedej.  Grabian: Ndin Ndoni, Gaqo Ndoni. Çiflig: Beqir Cani, Sabri Bullari, Tafil Llusha, Roç Llusha, Ymer Bullari, Haxhi Sina, Arif Halili. Prej katundit Kalosh: Shemsi Arapi, Cen Arapi, Nazif Qylafi. Prej katundit Gur: Selim Kuqi, Til Bello. Shënepremte: Haxhi Murrizi, Kadri  Murrizi, Avni Murrizi, Hysen Murrizi, Ismail Murrizi. Sulzotaj: Trifon Gjeko, Alush Kasemi, Met Kasemi,  Prej katundit Biçak: Asllan Vrapi, Elmas Xhepa, Arif Muça, Rakip Xhepa, Bajram Agushi, Shaqir Sula, Çaush Xhepa, Shaban Sina, Haxhi Sina dhe  Ndoni Sako,  Fani Trungu, Gori Todi , Jani Gjeka,  Jorgji Gjoni, Jorgji Lala, Kozma Zhuka, Ibrahim Luzha, Nasi Zhuka, Koli Tashi, Kristo Shkoza, Loni Bita, Llazi Prifti, Lili Shkoza, Mihal Bita, Nasi Janko, Nasi Sako, Nasi Zaho, Perikli Prendi, Pali Zaka, Ristan Bani, Simon Gjini, Stefan Prendi, Todi Gjurgji, Vasil Përboti, Myslim Bedalli, Bajram Jeshili, Mehdi Pirra, Ruho Nako, Hysen Dupi, Latif Karafili, Muharrem Meshani, Bajram Bilbili, Ismail Koçiu, Isuf Buzi, Ramazan Kofsha, Shefik Tota, Gori Lala.( AQSH, F.41, d.32 v.1943 dhe libri “Gjëmat e komunizmit)

    Vlas Arapi (Pelivani), kuadër i Brig.I, që erdhi pas masakrës, i tha Mehmetit: “Këta pushkatove ti? Trimëri të madhe paske treguar!”. M. Shehu iu përgjigj: “ Kjo s’është asgjë, me ato që kam parë unë në luftën e Spanjës. Atje janë derdhur lumenj gjaku…”(Fatos Arapi, kush ishte Vlas Arapi)

Ja ç’thotë një kronikë e kohës: “Në vendin tonë lufta civile ka plasë pikërisht atëherë kur i huaji ndodhet në Shqipëri. Shqiptari po vret shqiptarin… Isa Toska dhe gjeneral Zanini ringjallen në personin e Mehmet Shehut”.(AQSH, F.41, d.32, v.1943)

5. Në afërsi të Labinotit ( e njohur si masakra në Malin me Gropa) Mehmet Shehu urdhroi pushkatimin e 140 ushtarakëve italianë të vetëdorëzuar tek Ushtria NÇ për t’u marrë rrobat  dhe këpucët, sipas propozimit të zëvendësit të tij, Tahir Kadaresë. Ja dokumenti: “ Këtu në afërsi të Labinotit ndodhen 20 oficerë dhe 120 karabinierë italianë, të cilët s’kanë lënë gjë pa bërë, ndërmjet tyre ka karabinierë që kanë vrarë personalisht shokë. Në krye të oficerëve është një kolonel që ka qenë nënkomandant i përgjithshëm i shtatmadhorisë së karabinierisë. Unë propozoj në lidhje me këta që t’i jepen në dorëzim batalionit II dhe me disa orë vonesë nga ne të kalojnë lumin dhe të ekzekutohen gjatë rrugës, larg nga fshatrat dhe në fshehtësi nga ushtarët italianë të brigadës. Të ekzekutohen përtej lumit, pse këtej ku janë jo vetëm që bën bujë, por është e vështirë dhe transporti i teshave personale që ata kanë.” (AQSH, F.177, D.8, v.1943)

M.Shehu, pasi e bisedoi me Enver Hoxhën dhe Ramadan Çitakun në Labinot   këtë propozim të T.Kadaresë dhe mori pëlqimin e tyre,  urdhëroi komandantin e batalionit II të Brigadas I, që t’i merrte në dorëzim nga komandanti Kadri Hoxha dhe t’i pushkatonte ushtarët dhe oficerët italianë me në krye nënkolonel Akile Rosito  dhe kolonel Gamuçi, që ishin bashkuar vullnetarisht me partizanët. Xhelal Staravecka dëshmon se në Orenjë kishte vrarë me dorën e vet 17 karabinierë, ndërsa italianët  e tjerë i pushkatuan, pasi i kishin zhveshur lakuriq për t’u marrë rrobat dhe këpucët. Ja, si e rrëfen ai këtë masakër:“ Më thirrën në mesnatë nga gjumi dhe më thanë: “Ngreu se të duan në shtab”. U ngrita, shkova në një shtëpi pa dritë  dhe kur kapërceva prakun, njoha Dushanin me sytë që i ndritnin…Më thanë: O Xhelal, në Orenjë të Çermenikës janë 111 karabinierë italianë, merr batalionin tënd , shko atje, vraji se kemi nevojë për petkat e tyre për të veshur partizanët. Ruaju, mos të shpëtojë ndonjë fjalë, pse është konspirative. E na del sekreti në shesh se italianët tani janë miqtë e Aleatëve e protestojnë kondra nesh. Aq më tepër, po ta kuptojë këtë gjë Balli, merr një armë në dorë për të na luftuar.” Çfarë del nga goja e Dushanit, s’ka diskutim. Shkoj në Orenjë në qendrën e batalionit të Çermenikës  e të Brigadës II që ishte në formim e sipër. Të nesërmen, të 111 karabinierët bashkë me kolonel Gamuçin në krye dhe dhjetra oficerë të tjerë i mora duke u thënë se do të shkonim në Burrel. Mbas dy orë udhëtimi, karabinierët i lidha, i ndava në pesë grupe dhe mbasi i xhvesha lakuriq, i pushkatova. 17 i kam vrarë vetë…”(AQSH, XH Staravecka, trakt:Torturë e terror).

    Këtë masakër makabre e pohon edhe Kadri Hoxha në dëshmitë e tij,  e pranon edhe vetë Mehmet Shehu në raportin që i dërgon Shtabit të Përgjithshëm më 29.10.1943: “Në Labinot na lajmëruan se në Orenjë ndodheshin rreth 130 karabinierë italianë dhe oficerë të karabinierisë ( edhe koloneli, nënkryetar i shtatmadhorisë së karabinierisë italiane në Shqipëri). U këshilluam me shokun Baca, i cili pranoi propozimin tonë për ekzekutimin e këtyre.. I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative.”(AQSH, F.41, d.32, v.1943). Këtë krim kundër njerëzimit, për vrasjen e të vetëdorëzuarve, e pohon me gojën e tij Mehmet Shehu: ”I ekzekutuam që të gjithë në mënyrën më konspirative”(Kadri Hoxha, luftëtar i paepur,Tiranë 2006).

6.Gjejmë në Arkivin e M B, mes të tjerash, dy dokumente që meritojnë vëmendje.

I pari, një telegram tepër urgjent drejtuar nga Mehmet Shehu Komandantit të Përgjithshëm, Gjeneral Kolonel E. Hoxhës, ku i propozon që “12 vetë nga kryengritësit e Koplikut, të pushkatohen pa gjyq, të tjerët me burgime të përjetshme e burgime të rënda, ndëkohë që mund të dënohen me vdekje edhe 20 kryengritës të tjerë”.

Kreu i regjimit totalitar E. Hoxha i përgjigjet me radiogram urgjent: (Arkivi i MB, telegrame 9.2.1945)

Radiogram urgjent

Korpusit III-të

Gjegje radiogramit Nr. Extra datë 9 Fruer 1945

Aprovohen ndëshkimet me vdekje të 12 vetëve dhe ndëshkimi i të tjerëve me dënime të ndryshme propozue me të sipërmin. Na njoftoni datën e ekzekutimit.

                                                                                       Enver Hoxha

                                                                                              Firma

    Ky dokument tregon hapur se pushteti komunist që ishte vendosur në Shqipëri me anë të pushkës, po mbahej po me anë të pushkës. Pushkatimi i 12 personave me urdhër administrativ, pa vërtetuar fajësinë e tyre me anë të gjykatave, por vetëm për shkak të lidhjeve miqësore apo gjinore me kryengritësit, ishte një genocid i egër që kish filluar qysh gjatë luftës, që kish marrë përmasa më të gjëra pas Luftës së Dytë Botërore dhe që do të vazhdonte edhe për gjysmë shekulli në mënyrë intensive.

Telegrami i M.Shehut dhe radiogrami i E.Hoxhës mbajnë të dy datën 9.2.1945. Hoxha pa u menduar gjatë, por brenda ditës, pa gjykuar nëse ishin fajtorë ose jo, pa pritur vendimin e gjykatës, nënshkruan pushkatimin e tyre. Vendimi i gjykatës ushtarake për pushkatimin e tyre mban datën 28.2.1945, njëzet ditë pas ekzekutimit të tyre, duke shkelur në mënyrë flagrante çdo ligj e moral njerëzor.

Le të nënvizojmë edhe një fakt tjetër nga dokumenti i mësipërm: Mehmet Shehu i propozon Enver Hoxhës dënimin me 39 vjet burg të mjaft viktimave që siç theksohet në dokument “s’janë fajtorë kryesorë por janë vetëm popull i gënjyer”. Dhe Hoxha e miraton këtë dënim kaq të rëndë të fajtorëve “pa faj”, ashtu siç miraton edhe dënimin me burg për 6 këshilltarë të Melgushit “që kanë dijeni, por nuk i janë përgjigjur thirrjes për kryengritje”!

Po ashtu propozohet nga M.Shehu dhe miratohet urgjentisht nga E.Hoxha ekzekutimi i dënimit me nga 30 vjet burg i këshilltarëve të Bërdicës, të Beltojës, të Trushit etj, vetëm e vetëm se “kanë dijeni për veprimet e kryengritësve”.

    7. Këto krime pas luftës, pra, në vitet e regjimit komunist, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe klika e tyre në pushtet, i vazhduan gjatë gjithë periudhës gjysëmshekullore të diktaturës së egër komuniste. Tipike është masakra me pretekstin e “bombës” në Ambasadën Sovjetike, më 26 shkurt 1951. Ideator dhe realizues i kësaj masakre, që përbën një krim tjetër monstruoz kundër njerëzimit, ishte ministri i Brendshëm i asakj kohe, Mehmet Shehu.

Në mbledhjen e Byrosë politike të KQ të PPSh më 20 shkurt 1951, Mehmet Hoxha, pasi raportoi për këtë ngjarje, propozon masa represive në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë, “pa marrë parasysh ligjet në fuqi”(AQSH, F.14, D.1/a, v.1951) “Të arrestojmë menjëherë, brenda kësaj nate, 100 apo 150 vetë dhe të pushkatojmë nja 10 apo 15 prej tyre, pa marrë parasysh ligjet në fuqi. Një masë të tillë e kemi marrë edhe kur u vra Bardhok Biba, dmth kemi pushkatuar edhe jashtë ligjeve në fuqi”, -deklaron Mehmet Shehu pa iu dridhur qerpiku dhe pa e vrarë ndërgjegja për hdukjen e dhjetra njerëzve të pëfajshëm, që s’kishin asnjë lidhje me incidentin e Ambasadës Sovjetike. “Kjo masë të procedohet edhe me një masë tjetër spastrimi  nga Tirana të familjeve reaksionare brenda një muaji” –vazhdoi terroristi Mehmet Shehu.

    Kemi të bejmë me një terrorizëm shtetëror të paparë, që shkel e përdhos edhe ligjet që ka miratuar vetë, që arreston, pushkaton, burgos e internon me qindra persona të pafajshëm, pa asnjë vendim gjyqësor, pa asnjë fakt ligjor, pa  respektuar asnjë procedurë ligjore, por vetëm me vendime të Byrose politike të partisë, të drejtuar nga diktatori Enver Hoxha.

Kështu, përveç qindra të burgosurve dhe të familjeve të internuara pa asnjë vendim gjyqësor, u pushkatuan pa gjyq  22 intelektualë të shquar nga gjithë trevat shqiptare: Sabiha Kasimati, Tefik Shehu, Pjetër Guraziu, Jonuz Kaceli, Anton Delhysa, Haki Kodra, Gafurr Jegeni, Myftar Jegeni, Manush Peshkëpia, Reiz Selfo, Qemal Kasoruho, Zyhdi Herri, Gjon Temali, Petro Konomi, Niko Lezo, Pandeli Nova, Thoma Katundi, Mehmet Ali Shkupi, Ali Qorralliu, Fadil Dizdari, Hekuran Troka, Lluka Rashkoviç.

Sipas të Drejtës Ndërkombëtare, edhe një njeri të vetëm të vrasësh pa faj e pa gjyq apo në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, konsiderohet krim kundër njerëzimit, dhe jo, mandej,  mijra krime kundër njerëzimit që ka kryer Mehmet Shehu, i denjë për në gjyqin e Hagës!

 Një popull nuk mund të jetë plotësisht i lirë, nëse nuk njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar e civil, nëse nuk distancohet nga krimi e kriminelët, të çdo kohe qofshin, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë, nëse nuk është në harmoni me veten dhe të vërtetën.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: 100 vjetori, i nje krimineli, mehmet Shehu, Uran Butka

VIT I RI – PROBLEME TË VJETRA

January 14, 2013 by dgreca

Nga Eugjen Merlika /

Çdo 31 dhjetor, që i përgjigjet një rrotullimi të planetit tonë rreth diellit, është një kufi kohor, që njerëzit e kanë caktuar në vetëdijen e tyre për të bërë një shqyrtim të bëmave të 365 ditëve dhe një parashikim apo planifikim të atyre pasuese. Jo rastësisht, kjo ditë karakterizohet nga urimet e shumta mes individëve, familjeve, bashkësive, deri në nivelet e larta të organizimeve të këtyre të fundit që quhen shtete apo bashkime shtetesh.

Në këta urime shprehet shpresa për një vit më të mirë që, me fjalë të tjera, do të thotë më shumë begati lëndore e më pak probleme të llojeve të ndryshme, që nga shëndeti, puna, siguria, harmonia familjare në rrafshin individual e deri në konfliktet apo krizat e natyrave të ndryshme në sistemin botëror. Në bilancin e zakonshëm të këtij kufiri kohor të fundit të atij viti që shkoi apo fillimit në të cilin jemi futur, hasim në dukuritë reja apo të përsëritura. Në Vendin tonë këto të fundit duket se janë më shumë të pranishme.

Përballimi në çdo vit me të njëjtën problematikë është një tregues i paaftësisë sonë, si sistem Vend, për t’i zgjidhur çështjet që kanë të bëjnë me ecjen tonë përpara, për pasojë tregojnë një qëndrim në vënd, për vështirësi, shpesh të pakapërcyeshme, që frenojnë, në mënyrë të përsëritur, lëvizjen tonë drejt synimeve të paracaktuara.

Viti 2012 qe një vit i veçantë, që u përcaktua nga përkatësia historike e një shekulli të qënies sonë si shtet. Festimet e këtij njëqindvjetori qenë një shfaqje pozitive e shoqërisë shqiptare dhe klasës së saj drejtuese, në drejtim të pohimit të vlerave historike të kombit që, megjithëse i ndarë në përvoja të ndryshme shtetërore, tregoi se, në pjesën më të madhe të tij, mbetet i lidhur shpirtërisht me to. Pamjet e ndryshme të festimeve, që do të ngelin për një kohë të gjatë në kujtesën tonë, jo vetëm në truallin e Shqipërisë zyrtare, por dhe në atë të asaj virtuale, tregojnë se çështja kombëtare, e traumatizuar deri në asgjësim në gjysëm shekullin komunist, po përtërihet e fuqizohet, jo aq për meritë të koniukturave të politikës, se sa për një shtysë të brëndëshme të faktorit psikologjik e mendor të bashkësisë shqipfolëse kudo. Ai entuziazëm i njëqind vjetorit të Pavarësisë, me të gjitha këndvështrimet e tij politike, kulturore e rivlerësuese të trashëgimisë historike nën një prizëm respektues të së vërtetës së saj, për herë të parë mbas afër 70 vjetësh, qe një motiv i veçantë kënaqësie për këdo që, në botën e sotme, vazhdon të ruajë e të pasurojë identitetin kombëtar.

Si në çdo veprimtari të zgjeruar shtetërore, për të cilën mund të ketë gjithmonë vërejtje, edhe në organizimin e saj mund të shmangej ndonjë shfaqje folklorike e pavend si ajo e tortës në kryeqytet, por në përgjithësi, mendoj se organizimi i festës së madhe nuk çaloi e organizatorët duhen përgëzuar.

Lë për të dëshëruar, simbas mendimit tim, kundërveprimi i një pjese të politikës, asaj të majtë pas komuniste që, para pohimit të guximshëm të problemit kombëtar nga ana e kryeministrit në raste të ndryshme, doli me kritika të hapura që i u bashkëngjitën atyre të qarqeve qeveritare të Vendeve fqinjë. Qeveria dhe kryeministri në vitet e fundit, si pasojë e real-politikës dhe “porosive” të ndërkombëtarëve, patën luhatjet e tyre në pohimin dhe përballimin e atij problemi, që me gjithë ndryshimin e kohëve, mbetet më thelbësori i shoqërisë shqipfolëse. Një klasë politike përgjegjëse dhe e vetëdijshme për rolin e saj, para çështjesh madhore, siç është ajo e bashkimit kombëtar të shqiptarëve, ulet në tryezë dhe harton një strategji synimesh që mbeten si program veprimi për këdo që merr pushtetin. Çështja kombëtare, që prej një shekulli ka kushtëzuar të gjithë jetën politike e kulturore të shqiptarëve pa gjetur zgjidhje, duhet të jetë edhe sot një gur prove për klasën politike shqiptare. Termi “nacionalizëm primitiv” nuk tregon modernizim konceptesh, mbasi nacionalizmi si shprehje e dëshirës për të jetuar në një atdhe të përbashkët për të gjithë shqiptarët, mbetet gjithmonë një synim që, sigurisht, do t’i përshtatet ndryshimeve të botës, përsa i përket sendërtimit, që do të bëjë kompromiset e domosdoshme, por që nuk ka nevojë për epitete denigruese që nuk i bëjnë nder atyre që i shqiptojnë.

Fryma e bashkëpunimit për çështjet e mëdha të kombit duhet të jetë një detyrë, zbatimi i së cilës duhet të jetë mbi kundërshtitë, mëritë, programet e ndryshme politike, formimet e ndryshme kulturore, interesat e ndryshme të grupeve, partive apo individëve. Fundi i 2012-ës na solli dhe një lajm të keq, që më duket se nuk gjeti sa duhet shqetësim në shoqërinë shqiptare dhe mjetet e saj të shprehjes së opinioneve. Qe refuzimi për të tretin vit rradhazi i kërkesës për statusin e Vendit kandidat për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Sa i takon politikës sonë, mangësia e saj në përcaktimin e atij vendimi negativ apo shqetësimeve të vetë Evropës së Bashkuar në pështjellimin e një krize financiare dhe ekonomike të pashëmbullt në historinë e saj, është një çështje e diskutueshme. Ne nuk mund të ndikojmë në faktorët përcaktues të fateve të kontinentit, por duhet të jemi të ndërgjegjshëm se duhet të kryejmë deri në një detyrat tona për të “kaluar klasën”.

Fakti që për herë të tretë “mbesim në klasë” duhet të na bëjë të thellohemi në përsiatjet tona, si qytetarë të këtij Vendi që në vetëdijën e tij ka bërë një zgjedhje të qartë : të jetë pjesë e Evropës së Bashkuar, të bashkojë fatin e tij me atë të kontinentit të cilit i përket gjeografikisht, historikisht, kulturalisht e shpirtërisht. Fakti që edhe në këtë proçes kontinental ne rrezikojmë të mbetemi të fundit, madje edhe mbrapa Serbisë që, jo më shumë se 13 vjet më parë, ishte në luftë me pjesën më të madhe t’Evropës, duhet të na bëjë t’a shohim me një sy tepër të mprehtë e kritik të gjithë punën tonë n’atë drejtim. Roli i politikës në këtë proçes vendimtar për fatet e Shqipërisë mbetet i dorës së parë, veprimtaria e saj mjaft e diskutueshme. Premtimet se çdo fund viti do t’i a arrijmë synimit nanurisin shpresat e shqiptarëve gjatë gjithë vitit, për të përfunduar në një shkëmbim akuzash të ndërsjellta mes dy forcave kryesore politike, mbas çdo dështimi janë kthyer në një dukuri sa të dhimbshme aq dhe qesharake. Opinioni publik vazhdon të zhvillojë këtë shkëmbim padish, pa u thelluar në analizën për të zbuluar një të vërtetë të hidhur : klasa politike, në tërësinë e saj, krijon përshtypjen se nuk e dëshiron bashkimin me Evropën dhe bën  çmos të mos arrijë në të.

Nuk e dëshiron mbasi prania n’Evropë ka detyrime të cilat do të cënonin “pavarësinë” e veprimeve të saj. Ndryshe nuk ka si shpjegohet fakti që parametrat e kërkuara nuk “plotësohen” kurrë. Me gjithë ndërhyrjen këmbëngulëse të institucioneve të Evropës për të gjetur një marrëveshje mes përbërësve të klasës politike që do të bënte të mundur plotësimin e atyre parametrave, duket se synimi i përgjithshëm është e kundërta. Problemi dhe pengesa kryesore e mos plotësimit të tyre qëndron në korrupsionin e gjërë që karakterizon një pjesë të mirë të jetës politike shqiptare me ndonjë përjashtim të rrallë. Ka njëzet vjet që politikanët padisin publikisht njëri tjetrin, apo më saktë kundërshtarin për korrupsion. Është në sytë e të gjithëve pasurimi i mjaft prej politikanëve të të gjitha niveleve, standarti i tyre i jetesës që nuk përligjet nga shpërblimi zyrtar i punës së tyre. Në bazë të këtij pasurimi, nuk  mund të jetë tjetër veç mitmarrjes në forma e mënyra të ndryshme. Nuk është i vetëm Vendi ynë në këtë rrugë, në Lindje e në Perëndim. Por paraqet një veçanti të rrezikëshme, nuk e lufton seriozisht korrupsionin në fushën e administratës publike, madje jep përshtypjen se sa më lart ngjiten shkallët e saj, në mbrojtje të keqbërësve vihen dhe organet e ligjëshmërisë, gjykatat. Kjo është dukuria më shqetësuese sepse aty ku nuk funksionojnë organet e Drejtësisë nuk kuptohet se ku mund të varen shpresat e qytetarit të ndershëm për të jetuar në një Vend normal.

Para se të hynte në Evropë Rumania, që përballohej me të njëjtat probleme të korrupsionit pas komunist si ne, ose ndoshta më keq, gjeti forcën të kalojë në proçese penale më shumë se 1400 vetë, të paditur për krime e shkelje të formave të ndryshme, njerëz që vinin nga funksione shtetërore të rëndësishme, duke filluar nga maja e piramidës qeveritare. Tek ne një dukuri e tillë është e pakonceptueshme. Edhe një rast, që u duk se mund të ishte një fillim i mirë i një kursi të ri, siç ishte ai i ish ministrit Meta, fajësia e të cilit provohej nga filmime të quajtura të sakta nga ekspertët e FBI-së amerikane, u mbyll me një vendim gjyqi për pafajsinë e t’akuzuarit! Në Tiranë një gjyqtare, “ish e përndjekur politike”, jep një vendim “paligjëshmërie” për grevën e urisë të disa ish të burgosurve politikë! Ndërsa në Fier gjykata merr në shqyrtim e jep vendime në kundërshtim me një të tillë të Gjykatës së lartë, që e përjashton me të drejtë si materie të punës së saj shqyrtimin e ndryshimit të barazpeshave politike të organeve të zgjedhura, si pasojë e kalimit nga një formacion në një tjetër të “tregtarve të flamujve”

Ky është një nga arsyet e dështimit të sipërmarrjes shqiptare në Evropë e dëmi që pëson Vendi është tepër i madh. Një Vend ku sistemi i Drejtësisë ka këto rezultate nuk mund të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. Një klasë politike që shpreh institucione të këtilla nuk ka asnjë interes të bëhet pjestare e një bashkësie, në të cilën do të ishte nën një mbikqyrje të vazhdueshme që mund të vinte në pikëpyetje vetë qënien e saj.

Mesazhi i Evropës për shqiptarët është i qartë. U takon atyre të nxjerrin prej tij mësimin e duhur e të mos njëjtësohen me të keqen. Në çdo demokraci ka mjete e mënyra të larmishme për të kërkuar ndryshimet e një opinion publik i shëndoshë duhet të gjejë kurajën dhe fuqinë për të gjetur rrugën e drejtë të sendërtimit të tyre.

Janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugjen Merlika, probleme te vjetra, Viti i ri

“KALLËPE LLAFESH POLITIKE”?

January 14, 2013 by dgreca

NGA Fadil LUSHI/

Këtë shkrim të radhës po e filloj me thënien e një mjeku gjerman, me emrin Andreas Heinz, përndryshe Shef i Departamentit të Psikiatrisë pranë Universitetit të Berlinit. Ai në një studim të tij, pos tjerash, thotë se “…, përjashtimi social dhe përvojat negative u shkaktojnë njerëzve dëme të paparashikueshme… dhe gjëja më e keqe që mund t’i ndodhë dikujt është që ta fusin atë në ndonjë kallëp”. Fjalori i gjuhës së sotme shqipe, fjalën arabe “kallëp”, e shpjegon kështu: 3. keq. Model a skemë që pranohet dhe zbatohet verbazi, pa e studiuar, pa ia nënshtruar kritikës, shabllon, shtampë. 4. fig. keq. Njeri që nuk është në gjendje të gjykojë e të mendojë në mënyrë të pavarur, që nuk i vështron gjërat me syrin e vet dhe i merr a i zbaton ashtu siç janë, pa i gjykuar fare; njeri i trashë nga mendja. 5. keq. …, Njerëz të çdo kallëpi.., nuk duhen futur në një kallëp, në një plan politik a moral.

Cilido qoftë lexues ka të drejtë të parashtrojë pyetjen se ç’lidhje ka ky paragraf me vështrimin gazetaresk!? Unë, me “takatin” tim mental do të bëj përpjekje që të ndërtoj një lidhje logjike mes paragrafit të lartpërmendur me ato në vijim, duke thënë se viti 2012, që kohë më parë shkoi a na iku ashtu me inate, u karakterizua me protesta, rebelime dhe tensione politike, gjithsesi të llojit ballkanas. Të gjitha këto ishin produkt a pjellë e “votimit të dhunshëm të buxhetit (kundërthënës) për vitin 2013”. Ata që ishin prezent në Kuvendin e Maqedonisë do të thonë se…, “aty u përdor dhuna ndaj deputetëve opozitarë, aty ku edhe “kinse” u lënduan  dy deputete të partisë opozitare, gjegjësisht të LSDM-së…, kinse kishte pasur tentim për sulm ndaj kryeparlamentarit z.Trajko Veljanoski”!?? Kulmi i këtij rebelimi do të hetohet në momentin kur sigurimi i Kuvendit largoi me dhunë nga galeria gazetarët e akredituar, me qëllim që të mos mund të ndjekin nga afër “zënkat e ca adoleshentëve politikë”!?

Pas gjithë kësaj hallakame, u shfaqën dy reagime, njëra ishte politike dhe tjetra mediale…, e shkruar a elektronike. Opozitarët maqedonas thanë me gojën plot se u “kontrabandua demokracia parlamentare”, ndërkaq kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, z. Naser Selmani, me të drejtë u prononcua se u suspendua demokracia e gazetarisë respektivisht opinionbërjes!

Se çka u solli “viti i dështuar parlamentar” maqedonasve, kjo ka pak rëndësi, sepse kjo ishte punë e “kurdisur” e partive politike maqedonase (pavarësisht se janë në opozitë a në pozitë), po edhe kjo është me pak rëndësi…, për ne është me vlerë se partitë politike shqiptare, në këtë fillimvit politik, a mos vallë do ta kopjojnë këtë “kallëp llafesh politike” a model të palës tjetër dhe kështu ta zbatojnë verbazi dhe në instancë të fundit, a do t’i shkojnë pas kësaj zallamahie a avazi të vjetër. Në këtë fillim viti neve na mbetet të shohim se “pushteti aktual” (që assesi nuk do t’i nënshtrohet pyetësorit të demokracisë parlamentare) a do të vazhdojë ta margjinalizojë dhe ta atrofizojë “ortakërinë politike, ekonomike, arsimore, sociale, kulturore etj., ortakëri” nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, a do të mëtojë  ta monopolizojnë “kryeminderin” e pushtetit absolut. Neve edhe në këtë fillimvit gjithqysh do të duhet të na interesojë se ky shtet “biblik” a do vazhdojë të mbajë inat me vetveten…, a do të vazhdojë të thyejë kokën e vet, sepse kjo “vetëthyerje koke” mund t’ua dërrmojë turinjtë atyre që i ka  rreth e rrotull, përfshi aty edhe shqiptarët!? Ata që kanë sado pak njohuri politike, do parashtrojnë pyetjen se maqedonasit me çfarë të drejte do të na e “imponojnë kodin e tyre të mospërfilljes”…, ca të tjerë “nacionalistë të përbetuar” shqiptarë, do të thonë se pse ne me aq lehtësi e “heshtim” këtë IMPONIM politik!?

Se ky fillimvit “parlamentar” do të jetë i mbarë a jo, do të duhet të presim e të shohim. Se ky fillim viti do jetë a jo “ogurbardhë”, do të duhet të jemi “hem sabërxhi, hem sahatçi”!? Që ky vit të mos jetë “ogurzi”, toptan partitë politike shqiptare, duhet ta rrënojnë dhe t’ia vënë flakën kështjellës së “karantinës sonë inatçore”…, do t’u duhet ta ndryshojnë atë konservatorizmin dhe provincializmin e tyre të mykur politik…, do t’u duhet ta asgjësojnë “shkollën (politike) famullitare dhe atë të fallxhorëve”!? Nëse nuk do ta ndryshojnë këtë filozofi, atëherë zor se do ta prishin a anulojmë “ortakërinë politike, financiare, kulturore e të tjera ortakëri”!? Ne edhe këtë vit duhet bërë përpjekje që të mos mbetemi peng gjithfarë premtimesh, peng gjithfarë zhurmash politike, retorikash nacionaliste, shoviniste dhe përbuzëse…, peng “heqje veshi”…, apo pse mbamendja jonë kolektive, duhet të mbetet peng i “miqësisë politike, peng i hatërisë, peng i dëgjueshmërisë”…, peng i ndërmjetësuesve të Brukselit a edhe Uashingtonit…, peng i (jo) Marrëveshjes së Ohrit…, peng i autoritarizmit të lidershipit që është ulur në kryeminderit e pushtetit makiavelist e të tërbuar…, peng i mospajtimeve të mendimeve ndërpartiake maqedonase…, peng i marrëzive politike…!

Unë nuk di se ç’kuptim do të kishte që edhe pas dy dekadash të mëvetësimit të shtetit të Maqedonisë, shqiptarët duhet lejuar vetvetes që vullneti dhe toleranca e tyre e kallkanosur dhe e çuditshme, të shndërrohet në peng të politikëbërjes stereotipe dhe jo pjellore të palës tjetër. Nëse shqiptarët, nuk do ta ndryshojnë filozofinë e politikëbërjes, atëherë hiseja tyre, në kuadër të institucioneve kushtetuese të shtetit, o do të zbehet, o do të anulohet a edhe toptan do të përjashtohet. Përjashtimet janë të dhimbshme. A mos vallë shqiptarëve, edhe këtë fillim moti “dikush do t’u sugjerojë që të bëjnë avokatllëk”, gjegjësisht të ndërmjetësojnë ndaj zgjidhjes së “mosmarrëveshjeve” mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së !??…, po ç’kuptim do të kishte ky “avokatllëk” a kjo ndërmjetësi jona, sidomos kur kemi parasysh se neve historikisht na kanë konceptuar si “huamarrës, si zaptues tokash, qaramanë, kokëkrisur, pllaninari e kokëndryshkur”!? Së fundi, ne kemi nevojë për avokatinë tonë. “Inshallah” kundërshtarët tonë politik, nuk na fusin në ndonjë kallëp kumarexhinj, kallëp tyxhari, sapuni a kallëp këpucëtari!?

Ju, të nderuar lexues, mos vallë mbani mend që dikur maqedonasit të kenë bërë një të vetme përpjekje për të na pajtuar neve? Unë për këtë as që kam dëgjuar ndonjëherë. Qofsha i gabuar. Mos dhëntë Zoti që kjo “shemëri” me shumë “hata” të vazhdojë së funksionuari me përpikëri edhe në motin 2013.

Ata që i kanë “shijuar hilet e ortakërisë” me të drejtë do të thonë se po të ishte “ortaku” i mirë, atëherë edhe Perëndia do të kishte një të tillë!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, kallepe llafesh, koment, politike

PO, PSE O PREKË CALI, PËRBUZE “LAVDINË” SLLAVOKOMUNISTE ?

January 13, 2013 by dgreca

SOT  EDHE  TI,  DO  T’ ISHE  NË  MAOZOLEUM…/

Nga Fritz RADOVANI/

Tradhëtari dhe terroristi Mehmet Shehu, bashkluftari dhe bashkpuntori i Enver Hoxhës,kur arrijti pabesisht si të gjithë komunistët, me shti në dorë, me ndihmen e tradhëtarëve të vendit dhe forcave ushtarake sllavokomuniste të Jugosllavisë, Malësorin Trim të Maleve të Kelmendit, Burrin Legjendar dhe Atdhetar Prekë Calin, e pyeti: “E more Prenkë Cali, të pat ardhur dita t’a mbyllje historinë tënde me shkronja ari po t’ishe bërë me ne! Po, pse bërë kështu?” dhe, trimi legjendar i përgjegjët burrnisht: “Zotni, faji bjen mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me serbin!” (Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë, Dosja P.Cali, 1998.)

Ky ishte Burri i Maleve Prekë Cali, që braktisi “lavdinë” sllavokomuniste e,  që për gati 70 vjet po vazhdon me qendrue nën grumbujt e plehut ende sot, i pushkatuem dhe i dhunuem  në Zallin e Kirit të Shkodres pa një Shenjë tek koka..!

Ja, pra, Ky ishte Burri i Maleve, që nuk pranoi me u shkrue emni i Tij me “shkronja të arta”, ashtu si u shkrue edhe emni i tradhëtarit t’Atdheut, që i ofroi “nderimin” komunist..!

Ky ishte dhe asht sot Prekë Cali, Burri i Malësisë së Madhe, që brezat e ardhëshem një ditë do të përulën me respekt para Atij Guri, që do të daltohet me Shkronja të Arta Emni i Prekë Calit dhe i gjithë Atyne Atdhetarve të Malësisë së Madhe, që me 13 Janar 1945 ngritën krye kundër komunizmit, të Parët në krejt Lindjen Evropjane, që u pushtue nga Rusia bolshevike.

Per këte arësye Enver Hoxha me kliken e tij gjakatare, në bashpunim me komunistët e qeverisë jugosllave, vendosën me shfarosë me të gjitha format e terrorit dhe të genocidit të njohtun komunist këte rezistencë mbarëkombëtare, tue fillue nga koka që ishte Malësia e Madhe e Prekë Calit, Atij Burri që e kishte fillue luftën për mbrojtjen çdo pëllambe tokë t’ Atdheut dhe Flamurit të Skenderbeut, njëheresh me fillimin e shekullit XX.

Atdhetari Prekë Cali perbuzi këto “dekorata”… se ka dashtë Atdheun e vet Shqipninë,  ma shumë se komunizmin gjakatarë që shiti Trojet tona, per kolltukët e atyne tradhetarëve…

 

Nga të huejtë…

                         – Urdhri i Trimërisë së Klasit të I-rë i (Bullgari) 1944.

– Urdhri i Heroit Kombëtar (Jugosllavi) 1946. Jepej nga vetë Tito.

– Urdhri i Leninit. (Bashkimi Sovietik).

– Urdhri i Suvorov i Klasit të Parë. (Bashkimi Sovietik).

Tradhëtarët e Atdheut u nderonin nga Kuvendi Popullor i RPSSh:

 

Hero i Popullit– Për meritat në udhëheqjen e LANÇ

 

Hero i Popullit – Për luftën e tij në mbrojtjen e socializmit.

– Hero i Punës Socialiste.

– Medalja e Çlirimit

***

Sot, perveç këtyne “dekoratave”, presidentët tanë mund ta dekoronin edhe “Nderi i Kombit” ose ma e pakta… me titullin “Mjeshter i Madh”…

Sot edhe Prekë Cali, po t’ ishte tradhëtar…do t’ ishte në Maozole….

 

Melbourne, 12 dhjetor 2012.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fritz radovani, Prek Cali

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 840
  • 841
  • 842
  • 843
  • 844
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kur Michigan-i bëhet Ballkan: Kush po e financon garën dhe pse shqiptarët nuk duhet të flenë
  • PATRIOTI LIBERAL VELI HASHORVA DHE GAZETA “DRITA” E GJIROKASTRËS (1920-1924)
  • POEZIA E FATMIR MUSAIT: VAZHDIM I NJË TRADITE LETRARE
  • Misioni i amerikanes, Rose Wilder Lane në “Majat e Shalës” dhe historia një komiti
  • SAVE THE DATE
  • THE AUCKLAND STAR (1930) / RRËFIMI I ARTISTIT HUNGAREZ, MIHÁLY MÉSZÁROS : “JETA E PËRDITSHME E AHMET ZOGUT, MONARKUT PROGRESIV TË SHQIPËRISË…”
  • Lufta ndaj fesë përgjatë diktaturës në Shqipëri e mishëruar në sulmet ndaj Biblës, Kuranit, Ikonave dhe bazës spirituale fetare
  • Lionel Jospin, një nga politikanët e rrallë të virtutit dhe të moralit
  • SOT NË DITËN E TEATRIT
  • Andon Zako Çajupi, in memoriam…
  • Kosova edhe 1 finale larg Botërorit, Shqipëria pa fat në Poloni
  • “LISSITAN/LIS/LISSUS, Qyteti i 12 portave” dhe fortifikimet e tij të admirueshme…
  • ME Dr ELEZ BIBERAJN NË TIRANË NË ÇASTIN KUR U THYE VET-IZOLIMI KOMUNIST, MARS, 1991
  • Beyond the Game: Kosova’s Roadmap to Victory 2026 FIFA World CUP
  • “Saint Paul in Dyrrach”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT