• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kodi i etikës – rregullatori i munguar i mediave shqiptare

January 23, 2013 by dgreca

Nga Lutfi Dervishi*/

Në ndihmë edhe të atyre që kopjojnë dhe bëjnë sikur nuk e kuptojnë se kanë kopjuar …dhe pasojat që mund të vinjë/

“Kodi etikës ka aq efekt te gazetarët sa edhe urdhri i oficerit te ushtarët një ditë para lirimit të tyre nga shërbimi ushtarak.” – Kjo thënie cinike të vjen ndërmend sa herë që flitet për kodin e etikës dhe efektet e tij në punën e gazetarëve.

Kodi i etikës në Shqipëri ka një histori 15-vjeçare. Në vitet e para pas ’90-s, lektorë dhe trajnerë perëndimorë vinin në Tiranë dhe flisnin për etikën e Nju Jork Times, dhe të gazetave të tjera perëndimore. Në disa seminare dhe work shop-e, gazetarët kishin mundësi të lexonin në shqip, kodin e etikës, nevojën e ndarjes së lajmit nga opinioni, ndarjen e sektorit të reklamës nga sektori lajmeve, objektivitetin, paanësinë etj. etj.
Por seminaret shkonin e vinin dhe kodi i etikës nuk gjeti vend në tryezat e gazetarëve dhe redaktorëve.
Në fund të vitit 1996 nis përpjekja e parë për të pasur një kod “made in Albania”! Me ndihmën e Institutit të Medias, kryeredaktorë dhe botues gazetash hartuan dhe miratuan kodin etik të gazetarëve shqiptarë. Neni 1 i të cilit nënvizonte nevojën e respektimit të rregullave të drejtshkrimit të gjuhës shqipe dhe shmangien sa më shumë të ishte e mundur e përdorimit të fjalëve në gjuhë të huaj

Më 1996, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon ku gazetarët kishin një kod etike. Por “zbatimi” praktik i kodit të etikës u pa një vit më pas me ngjarjet e vitit 1997! Vendi në prag të anarkisë dhe gazetat kryesore të ndara më dysh në përkrahje të qeverisë dhe opozitës! Kodi i parë etik nuk kishte parasysh televizionet, sepse në atë kohë “violinë e parë” ishin gazetat dhe ekrani përfaqësohej vetëm nga Televizioni Publik Shqiptar.
10 vite më pas, sërish Instituti i Medias, pas një procesi të gjatë konsultimi me aktorët e medias, harton Kodin e Etikës, këtë radhë duke marrë parasysh edhe zhvillimet e vrullshme në median elektronike! (për t’u shënuar është se gazeta ‘Shekulli’, që në themelimin e saj [1998] kishte hartuar kodin e brendshëm etik dhe për disa vite funksiononte edhe zyra e etikës).
Projekt-kodi u hartua duke pasur për bazë 46 kodet etike të gazetarëve të vendeve anëtare të Këshillit të Europës. Gjatë diskutimeve me gazetarë, redaktorë, drejtues mediash dhe publikun kodi mori formën përfundimtare – atë që kemi sot. Kodi etik i gjithëpranuar në fazën e konsultimit dhe miratimit, nuk ka mundur të zërë vend në punën e përditshme të reporterëve.
Me zhvillimin e platformave on line, problemet dhe debatet për etikën janë shtuar. Kufiri mes “prodhuesve” të lajmit dhe konsumatorëve të tij është shuar. Fenomeni i osmozës mes gazetarëve dhe konsumatorëve është gjithnjë e më i pranishëm dhe pyetja “kush është gazetar sot?” – nuk merr dot përgjigje të shpejtë dhe të lehtë.
Pse nuk mundi të zërë rrënjë kodi i etikës në truallin e medias shqiptare?
Përgjigjen (jo shteruese) do të përpiqem ta jap me tri histori nga diskutimet në redaksitë e gazetave për kodin etik (botim i vitit 2006).
Në përfundim të seminarit treditor me një nga gazetat më të mëdha në vend, – duke menduar se gjithçka kishte shkuar më së miri gjatë debateve për kodin e ri, në momentin e daljes nga dera e redaksisë, një reporter i ri mërmëriti: “mirë shumë me kodin, por si i bëhet që u bënë tre muaj pa marrë rrogat…”. Kushtet e punës dhe niveli i pagës është një prej faktorëve që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Sigurisht që nuk ka asnjë garanci se një pagë shumë e lartë do ta bëjë reporterin/redaktorin shumë më etik – por gjithsesi është një faktor që nuk mund të neglizhohet. Kur gazetari punon në kushtet e pasigurisë ekonomike, kur gazetarët punojnë pa kontrata pune – gjëja e fundit që u shkon në mendje është kodi etikës! Madje druaj se u tingëllon si tallje.
Koha e diskutimit të kodit të etikës nëpër disa redaksi televizionesh përkoi me një ngjarje të rëndë në Tiranë, ku 17 persona humbën jetën në liqenin e Lundrës, përfshi gra dhe fëmijë. Shumica e stacioneve televizive (sidomos kanalet me 24 orë lajme) u vunë në garë për të qenë “live” gjatë gjithë kohës me gjithfarë lloj detajesh. Atë ditë dukej sikur kryeqyteti ishte me neurozë.
A duhet që televizioni të ishte “live” gjatë gjithë kohës me këtë ngjarje? A kishte vërtet lëndë për të raportuar “live” gjithë ditën? – Përgjigjja e redaktorëve në të tre televizionet ishte: jo. Por vendimi ishte marrë për po… për shkak se “televizioni tjetër” (konkurrenti) ishte live dhe do të dukej sikur ne nuk i kishim mundësitë për të qenë “live”.
Konkurrenca mes operatorëve mediatikë është një tjetër faktor i rëndësishëm që ndikon në zbatimin e kodit të etikës. Me një skenë mediatike të “mbipopulluar”, ku ka mbi 20 gazeta të përditshme, mbi 60 stacione televizive dhe po aq stacione radio, – thepi i etikës gjithmonë do të jetë i ulur. Një kryeredaktor gazete është nën presionin e shitjes së gazetës. Në momentin e faqosjes së faqes së parë, gjëja e fundit që do t’i bjerë ndërmend është “kodi etikës”! Presioni i tregut sa vjen dhe rritet. A ka logjikë tregu që të jenë kaq shumë të përditshme në treg sot, aq më tepër kur e ardhmja e gazetës nuk shihet më në letër, por në platforma të tjera? Pyetja është retorike. Përgjigjja është jo! Nga numri i lartë i të përditshmeve që në fillim të viteve 2000 pritej që “vdekshmëria foshnjore” mes gazetave të ishte shumë e lartë. Nuk ndodhi kështu. Pak gazeta falimentuan, por si për të sfiduar shenjat ogurzeza të së ardhmes së gazetës, gazetat e falimentuara u zëvendësuan me tituj të rinj. Nëse sot revista e njohur Newsweek nuk shtypet më në letër, por është vetëm në formatin dixhital, nëse Financial Times në Gjermani mbyllet sepse është me humbje… si është e mundur që gjunjët e gazetave shqiptare rezultojnë më të forta, për më tepër dalin gazeta të reja?! Përgjigjja shteruese merr kohë dhe vend, por nëse shikohet sa gazetarë punojnë në gazetë kupton se më shumë se reporterë për të mbledhur, përpunuar informacion, gazetarët i ngjajnë punonjësve të ngarkim shkarkimit që duhet të mbushin faqe çdo ditë. Pyetja është: sa faqe ke për të bërë sot? Është luks i pashijuar për shumicën e reporterëve, të kenë dy apo tri ditë kohë për të bërë një artikull të mirë.
Ka një lidhje të fortë mes profesionalizmit dhe etikës. Sa më profesional gazetari/redaktori aq më etik është. Por stafi i gazetave është shumë i vogël dhe nën efektin e presionit ekonomik, prirja është që gazetat të përfundojnë me 4-5 njerëz! Gazetarët nuk kanë kohë për të bërë gazetari, nuk kanë kushte dhe është shumë e vështirë të flasësh për etikën e profesionit në një terren që nuk nxit zhvillimin e profesionit. Tek e fundit reporterët e rinj do të kërkojnë aq etikë sa është tradita etike që do të gjejnë në redaksi.
Kodi i etikës i botuar më 2006-ën nuk ka marrë parasysh median on line, ku problemet etike janë edhe më të mprehta se në median tradicionale.
Një komentator i njohur politik vendosi të mos bashkëpunojë më me një të përditshme për shkak të gjuhës denigruese (pa lidhje me artikullin), fyerjeve, sharjeve e shpifjeve të komentuesve anonimë në faqen on line të gazetës!
Pse duhen lejuar komente fyese? A nuk është më mirë të mos botohen fare komentet që nuk kanë lidhje me temën e shkruar? – Po, – ishte përgjigjja e një redaktori të njohur, por nuk i fshijmë se u tregojmë atyre që janë të interesuar për reklamë se gazeta lexohet dhe komentohet shumë on line. Pak më vonë e njëjta gazetë nisi të fshijë komentet, por për të mos humbur numrin e komentuesve në çdo koment të fshirë vinte rreshtin: koment i fshirë për arsye etike.
“Një gazetari e keqe shkon me këmbët e veta në dyert e gjykatës”- ky postulat është gjithmonë i vlefshëm, por ende në Shqipëri nuk ka të regjistruar një rast në gjykatë ndaj një mediaje për “fyerjet, shpifjet, denigrimet on line”. Duket se redaktorët e gazetave nuk e konsiderojnë veten përgjegjës për produktin e tyre on line. Etika on line është një terren i pashkelur, por më shumë problematik sesa etika në media tradicionale.
Si është e ardhmja e kodit të etikës? Po kaq e pasigurt sa vetë e ardhmja e medias tradicionale. Etika nuk është një detyrim ligjor, as detyrë shtëpie për t’u kryer, është një “detyrë” e brendshme e medias.
Përvoja e mediave më të mira ka treguar se në biznesin e medias, “besueshmëria” është monedha kryesore. Për ta pasur këtë “monedhë”, rruga kalon nga kodi etikës. E vetmja rrugë që të rrit besueshmërinë te lexuesi, shikuesi, përdoruesi!

*Botuar fillimisht në revistën on line Medi@Link të Institutit Shqiptar të Medias.

Filed Under: Kulture, Opinion Tagged With: Kodi i etikes, Lutfi Dervishi, rregullatori i munguar

Hetime për dëmtimin e varrezave serbe

January 23, 2013 by dgreca

Nga Bekim Bislimi/

Në zonat e përgjegjësive të drejtorive rajonale të Policisë së Kosovës, tashmë janë iniciuar procedurat hetimore lidhur me dëmtimin e varrezave ortodokse serbe, të cilat, ditë më parë ishin cak i sulmeve vandale në disa pjesë të Kosovës, njoftojnë zyrtarët e Policisë së Kosovës.
Zëdhënësi i kësaj policie, Arbër Beka, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se në drejtorinë rajonale të Prishtinës janë iniciuar dy raste, ashtu sikurse edhe në drejtorinë rajonale të Gjilanit.
“Njëra bën fjalë për një lapidar të luftës së dytë botore, që është demoluar dhe me këtë rast policia ka arrestuar tre persona të dyshuar. Pas konsultimeve me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt. Rasti tjetër është regjistruar në Kllokot. Është raportuar në drejtorinë rajonale të Gjilanit rasti për dëmtimin e varrezave, ku në total janë dëmtuar 27 varreza. Në Prizren është regjistruar po ashtu një rast ku janë dëmtuar 38 pllaka përkujtimore të varrezave”, u shpreh Beka.
Ai shtoi se edhe në rajonin e Mitrovicës, përkatësisht në Vushtri është shënuar një rast i dëmtimit të një varreze.
Pas incidenteve, sipas Bekës, Policia e Kosovës ka ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e sigurisë së përgjithshme në vend, me fokus në ruajtjen e objekteve të trashëgimisë kulturore dhe fetare.
“Duke pasur parasysh që gjatë ditëve të fundit kanë qenë disa raste për dëmtimin e varrezave të komunitetit, në të gjitha drejtoritë rajonale dhe stacionet policore janë ngritur masat e sigurisë për ruajtjen e tyre”.
“Sa u përket rasteve që tashmë janë iniciuar, zyrtarët policorë, qofshin nga njësia e hetimeve ose sektor të tjerë, janë në koordinim të plotë për të gjitha aktivitetet hetimore me prokuroritë kompetente në kuadër të Republikës së Kosovës dhe do të presim zhvillimet në detaje të kësaj procedure hetimore”, tha ai.
Në anën tjetër, Ministria për Komunitete dhe Kthim e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje institucioneve qendrore dhe lokale, por edhe atyre ndërkombëtare, që të angazhohen për sanimin e dëmeve në varrezat e dëmtuara.
Ivica Tanasijeviq nga kabineti i ministrit për Komunitete dhe Kthim, Radojica Tomiq, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se kjo ministri ka paralajmëruar gatishmërinë për ndarjen e mjeteve për sanimin e varrezave të dëmtuara ortodokse serbe në disa pjesë të Kosovës.
“Sa i përket Ministrisë së Komuniteteve dhe Kthimit, ministri tashmë është në bisedime me partnerët në pushtetin qendror, por edhe me ata ndërkombëtarë, u ka thënë se në rastin e ngjashëm që kishte ndodhur në Fushë Kosovë, mjetet ishin miratuar me kërkesën e zëvendës-kryeministrit, për sanimin e dëmeve në varreza”.
“Pra, ministri ka shprehur gatishmërinë që të marrë pjesë në ndarjen e mjeteve për sanimin e përkujtimoreve të varrezave, por ai gjithashtu ka thënë se këtë do ta kërkoj në qeveri”, tha Tanasijeviq.
Ai ka theksuar gjithashtu, se kjo ministri ka kërkuar që riparimi i varrezave të dëmtuara të nisë urgjentisht.
“Qëndrimi i Ministrisë për Komunitete dhe Kthim është që dëmet të sanohen sa më parë që është e mundur, do të thotë në në afatin më të shkurtë të mundur. Kjo do të kërkohet edhe nga vet Qeveria”, ka theksuar Tanasijeviq.
Ndryshe, aktet vandale të dëmtimit të varrezave ortodokse serbe në rajonet e ndryshme të Kosovës, kanë pasuar pas heqjes së lapidarit që u ishte kushtuar luftëtarëve të rënë të UÇPMB-së në Preshevë nga ana e xhandarmërisë serbe.
Krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, të mekanizmave ndërkombëtarë në vend, si dhe institucioneve fetare, i kanë dënuar aktet vandale mbi varrezat ortodokse serbe, duke i quajtur si veprime të papranueshme dhe u kanë bërë thirrje organeve të rendit që t’i kapin autorët e këtyre akteve vandale dhe t’i vënë ata përpara drejtësisë.

Filed Under: Opinion Tagged With: e varrezave serbe, Hetime, ne Kosove, per demitimin

Shpirti i Isuf Luzajt, endur mes rreshtave …

January 23, 2013 by dgreca

Në kuadër të 100 vjetorit të lindjes së tij (1913 – 2013)/

Nga Zyba Hysen Hysa/

Gjatë bisedave të ndryshme që kam bërë në lidhje me shkrimin e librit “Sharrajt në jetën e kombit”, ka dalë në pah edhe emri i Isuf Luzajt, si një ndër patriotët e devotshëm që veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare e ka nisur që në bangat e shkollës së mesme në Shkodër e më pastaj deri sa dha frymën e fundit.

Që kur më ra në dorë libri “Filozofia e bukurisë”, më pas “Përtej të mirës e të ligës”, “ Glorja e çmendjes”… të gjitha ato libra që kanë pasur fatin të botohen, nuk ka bisedë mes miqsh dhe krijuesish që të mos shpalos adhurimin tim për veprën e tij dhe me mundësitë e mia shpirtërore jam përpjekur që të ndikoj sado pak në institucionet shqiptare për të financuar në botimin e plotë të veprës (rreth 120 vepra) së të veçantit, që siç tha Z. Elaham Sharra në një bisedë se: “Isuf Luzaj, duke lëmë mënjanë politikën e të flasim të drejtën, nuk pati fatin e shumicës së shqiptarëve që ikin jashtë shtetit dhe ‘humbën’, ai bëri emër dhe këtë emër e bëri në Amerikë”

Shpesh në debate, shpalosen mendime të ndryshme për Isuf Luzajn. Më trondit ky fakt, ndaj mendoj se këto kanë qenë dhe janë qëllime dashakeqe të njerëzve antikombëtarë, që familjet patriote në Vlorë t’i vendosin përballë njëra – tjetrës, pra të krijojnë përçarje për të sunduar më lehtë. Unë nuk kam pse zgjatem për madhështinë e familjes Sharraj në kontributin për çështjen kombëtare, se diçka kam thënë (nuk kam arritur të them shumëçka, aq sa e meritojnë, kurrë nuk do të ketë penë ta përshkruajë), por një gjë shihet qartë, se në këtë familje, Isuf Luzaj hynte e dilte si në shtëpinë e kombit e ndaj dhe goditet kjo figurë me një “gur” që vret këtë bashkëpunim patriotik në Vlorë. Unë kurrë nuk do nxirrja nga goja ime, aq më pak nga mendja ime ndonjë fjalë ndryshe për shenjtërinë e veprimtarisë patriotike të Sharrajve, por nëse do hesht për Isuf Luzajn, do të thotë që unë jam shumë fytyrëshe, këtë nuk e pranoj kurrën e kurrës, ndaj duke folur hapur, duhet që të zbardhim hijet e së kaluarës, ato hije që na çuan në keqkuptime, mëri, vëllavrasje, përçarje deri në thelb.  Unë mendoj, që e kaluara jonë nuk ka qenë bardhë e zi, por nuk ka qenë edhe vetëm e bardhë, apo vetëm e zezë, se siç tha një ditë z. Shemsi Rrapaj se “Isufi, këtu në Vlorë, për fat të keq, interpretohet bardhë e zi, por nuk ka argumente për ato që fliten, Isufi është intelektual brilant i shkallës së lartë nga më të rrallët”

Të kesh ide ndryshe nga tjerët është më se normale e të kesh kundërshti për to nga të tjerët, përsëri është më se normale, por e rëndësishme është që këto ide të nxisin iniciativën individuale për t’i vënë në jetë, se siç thekson Isuf Luzaj në librin “Rindërtimi i tipareve shpirtërore” në faqen 52 “Janë burra vetëm ata që e lëvrojnë vetë vijën e ugarit të tyre” dhe më poshtë shton: “Poet ose filozof, apostul ose artist, ki besim në veten tënde dhe mos ndiq rrugë të huaja, mos e var vullnetin tënd prej vullnetesh të tjera, mos e lidh dhe mos u ngatërro me hije që errësojnë, as mos kërko mbrojtje nga të tjerët, sepse ajo mbrojtje të përul. Nga ata që dinë më shumë, mëso pa i imituar, nga ata që japin më shumë, largohu, mos kërko kurrë. Në qofsh i aftë të realizosh idealin tënd, nuk të nevojitet asnjë diçka potente; asgjë, askush nuk të bën të zotin për të realizuar ëndrrën tënde, duaj, duaj, me këmbëngulje, me të gjithë mendjen tënde e me të gjithë zemrën tënde…”

Të mendosh se Isuf Luzaj shkonte deri në antagonizëm me personat që e kundërshtonin në idetë që shpaloste ai, është absurde, por gjithashtu nuk e mendoj Isuf Luzajn të mos kishte kurajë të shpaloste idetë e tij dhe të luftonte për t’i vënë ato në jetë, por unë dal në përfundim se: Isuf Luzin pak e kuptuan e shumë pak e mbështetën, ai nuk ishte vetëm nacionalist që i përkiste vetëm organizatës së Ballit Kombëtar, se në fillim kjo organizatë u krijua mbarëkombëtare, më pas denigroi në parti politike e unë sikur kam qënë aty, e mendoj Isuf Luzajn, për kushtet në të cilat ishte vendi ynë, të ishte prijësi i popullit tonë, se idealet e tij i kapërcenin bindjet politike, ai ishte patriot dhe kërkonte bashkimin kombëtar. Një veteran, Serri Petanaj në opinionin e tij për Isuf Luzajn tha: “Unë e kam parë dhe dëgjuar vetë Isuf Luzaj, kur erdhi një herë në Llakatund, mblodhi popullin dhe u foli: “Të bashkohemi rreth  organizatës së Ballit Kombëtar, si e vetmja organizatë që do na çojë në marrjen e Kosovës dhe trojeve tjera etnike, se komunistet kanë rrugën ruso – serbe dhe kurrë nuk do na lejojnë të bashkojmë kombin tonë’. Unë isha rreth 12 – 13 vjeç, por nuk kisha dëgjuar njeri orator si ai, ai fliste pa letër dhe të bënte për vete me fjalët që thoshte”. Pra Ai është i gjithë shqiptarëve, ndaj atë nuk e përmendin as të majtët, as të djathtët e sotëm, se si të majtët, si të djathtët e pse e kanë të shkruar në kushtetutë që do të luftojnë për bashkimin tonë kombëtar, nuk kanë as më të voglën ide dhe nuk kanë asnjë projekt për këtë bashkim,nuk kanë trokitur në asnjë organizatë apo shtet në botë qw t’i paraqesin me shkrim platformën e Bashkimit tonë kombëtar, përveç se shfrytëzojnë ndjenjat kombëtare të popullit për të siguruar një kolltuk për vete. Ai ishte një njeri iluminist dhe si i tillë kurrë nuk mund të ishte tiran, diktator, ndaj e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh për realizimin e idealit të lartë që i vuri vetes për çështjen kombëtare, e pse mund të ketë pasur mospërputhje idesh, për të realizuar idealin e madh të Bashkimit tonë kombëtar, (kjo është normale), është absurde për mua,të besoj akuzave që dashakeqët i zhveshin nga vetja dhe kërkojnë t’ia veshin Isuf Luzajt, por sa ditët kalojnë, sa vitet rendin, Ishuf Luzaj po del më në dritë dhe lum ai që di të përfitojë nga veprat e tij dritë pa fikura, se kam lexuar disa libra tij dhe unë që shkruaj, di të njoh fisnikun nga krimineli, hajduti… se kriminelët shkruajnë vetëm për ato prapësi, ndërsa Ai flet për Kombin, për  te bukuren, te pastrën, për dritën, te mirën, për fisniken dhe nuk e bën njeriun absolut të keq, por me te mirat e te ligat e tij. Meritë është e atyre që mendojnë veprojnë dhe jetojnë përtej të mirës dhe të ligës.  Unë kurrë nuk do ta besoja se Isuf Luzajt do t’i shkonin për shtat epitetet e pabaza që i kanë vënë ndër vite. Mendoj se ka ardhur koha, që të mos merremi më me fjalët “e lopçarëve”, apo me të atyre që kurrë nuk e arritën dot lartësinë e tij për ta parë në sy, por i ka bezdisur hija e tij prej drite, prej një drite që sa vinte e shkëlqente më shumë, prej një drite që sa vite shkojnë, aq me shumë ndrit.

Isuf Luzaj dallohet edhe pas kaq vjetësh që ka ndërruar jetë e njihet përmes shkrimeve të tij, po kush mund ta shikojë e ta dallojë shpirtin e tij? Sigurisht ata që kanë sy të shohin përmes të vërtetës dhe të lexojnë edhe përmes rreshtave të krijimtarisë së tij, se në bardhësinë mes rreshtave shtrihet shpirti i tij prej një mendimtari, luftëtari, poeti dhe filozofi nga më të rrallët që ka pasur Shqipëria.

Të përmendësh Isuf Luzajn, është nder, është privilegj, është vlerë për atë që e përmend, se ai nuk ka nevojë për fjalët tona për t’u ndriçuar, se ai ndriçoi në një shtet aq të madh sa është Amerika, ne na duhet ta shfletomë e të mësojmë prej tij, se vepra e tij janë drita e së ardhmes sonë, janë udha e bashkimit tonë si komb.

Gjetja e së drejtës përherë dhemb, por nuk ka dhimbje më të bukur se ajo që shkakton zbulimi dhe thënia e së vërtetës, ajo ngjan me dhembjet e lindjes, që më pas nëna provon kënaqësinë më të bukur të jetës, kur merr foshnjën në prehër dhe e vendos për herë të parë në gji. Ndaj është e vështirë të kërkosh të vërtetën, ajo është një perlë që për fat të keq gjendet në thellësi, sa më shumë mundim, aq më shumë shkëlqim i falim jetës, kohës, shoqërisë, së ardhmes…

Shumë kanë shkruar për Isuf Luzajn, shumë më shumë do të shkruajnë, por të kërkosh deri fijet e rrënjëve të tij, do të thotë, se ke bërë pjesë të shpirtit dhe mendjes kauzën e tij, atë kauzë që e ushqeu me dritë shpirti dhe mendjeje, me luftë, sakrificë, vetmi, dhembje malli për familjen, plisat, gurët dhe drurët e këtij vendi që e rriti dhe që e ushqeu me një dashuri sublime, deri në antagonizëm të thellë mendimesh dhe veprimesh me antikombëtarët e sot duket si në dritë të diellit se cili kishte pasur të drejtë dhe se idealet e Isuf Luzajt për bashkimin e Kombit tonë, janë dhe sot e kësaj dite më se të ndritura, ndaj t’i njohim dhe të luftojmë për t’i vënë në jetë, ato që ai nuk mundi t’i realizonte prej përndjekjes nga diktatura komuniste.

Në një studim të kryer më 28 prill 2012 publikuar tek “Diaspora shqiptare, ndër të tjera shkruhet: “Ndoshta dikush do të hapë e të pasurojë në të ardhmen një bibliotekë, galeri apo muze, që do ta ketë zili edhe simotrat e trojeve shqiptare! Pale, kur të bashkëngjiten arkivat e bibliotekat e Vatrës, të dijetarëve Fan S. Noli e Faik Konica me shokë, të nobelistëve Nanë Tereza e Ferid Murati, të shkencëtarit e artistit fotograf me famë botërore Gjon Mili, kineastit Sten Dragoti, të studiuesit dhe autorëve të disa librave me vlera të veçanta, Prof. Petër Prifti e Xhevat Kallajxhi, Prof. Nikolla Cako, Prof. Isuf Luzaj, Prof. Rexhep Krasniqi, studiuesit e arkivistit të pasionuar Idriz Lamaj, koleksionistit Bekim Lajci e Sait Kryeziu, Nexhat Peshkopia, Hasan Dosti, Qerim Panariti, Gaqo Goga, Halim Begeja,Shaqir Gjoka, Dr. Nuci Kota, Tonon Mirakaj dhe nga shumë patriotë të tjerë, të bisnesmenëve bujarë të Atdheut të kahershëm e gjer te më i riu Richard Lukaj, vëllezërit Bitici, studio “Iliria”, të Shoqatave, institucioneve e individëve të shumtë. Gjithçka do të jetë e vlefshme dhe në përkushtim të rritjes shpirtërore, krenarisë e identitetit të gjithë popullit e Kombit Shqiptar”.

Siç e shohim, Isuf Luzaj nuk ka nevojë për vlerësimin që i bëj unë, apo dikush tjetër, ai është i vlerësuar dhe i vendosur në radhën e ndritur të kokave që i kanë dhënë këtij vendi mundin dhe mendjen, që i kanë falur Kombit shpirtin, si të vetmen pasuri të pavdekshme që ka njeriu e këtë shpirt ai e ka shpalosur mes rreshtave të librave dhe të bëmave në dobi të çështjes kombëtare. Ne na mbetet për detyrë ta njohim veprën dhe të frymëzohemi prej saj për të nxitur brenda vetes ide përparimtare që na zgjojnë dëshirën për veprim në dobi të çështjes kombëtare, për të cilën jetoi, punoi, luftoi dhe shkroi Prof. Dr. Isuf Luzaj. Kush nuk ka në gji mirësinë dhe dëlirësinë, se  siç thotë vetë Isuf Luzaj “Të fluturojmë lart, përtej të mirës dhe të ligës dhe të hyjmë në një sferë mbinjerëzore ideale në të cilën njeriu jeton i zhveshur nga të gjitha pasionet, veset dhe ethet e mishit dhe të gjakut…” (Përtej të mirës dhe të ligës),  nuk besoj se ka dritë të mjaftueshme për të dalluar veprën e Isuf Luzajt e aq më pak për ta bërë pronë të tij.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Isuf Luzaj, Zyba Hysa

DEKORIMI I OFICERËVE JUGOSLLAVE PJESË E TURPIT TONË KOMBËTAR

January 23, 2013 by dgreca

Shkruan Eugen SHEHU/

Dëshmitë e vetë historiografisë së shtetit amë shqiptar,e kanë përcaktuar qartë rolin e madh të të dërguarve të Beogradit për krijimin e Partisë Komuniste shqiptare në Tiranë.Ky rol.në ato momente ka qenë tejet determinant po të kemi parasysh se komunizmi si doktrinë ishte fare i panjohur dhe për më tej,ai nuk mund t’i shkonte për shtat konstitucionit moral të popullit tonë. Po të kemi parasysh se në vitet 1939-1940, në Shqipëri,Kosovë e Maqedoninë shqiptare,po rritej së tepërmi rezistenca nacionaliste për t’i ofruar si zgjidhje të vetme kombit tonë,kufijtë etnike të tij,atëherë do të bindemi plotësisht se “ndihma” e ardhur nga Beogradi nuk ishte as vëllazërore dhe as e sinqertë siç donin ta paraqsinin komunistët shqiptarë të atyre viteve.Shqiptarët kishin edhe një impresion të fuqishëm,për të mos i hapur dyert kanat për komunizmin.Ky impresion lidhej sidomos me sulmin gjerman kundër Beogradit (prill 1941) me ç’rast në trevat të Kosovës e Maqedonisë shqiptare,u rikthyen ëndrra e vjetër e Shqipërisë  etnike.Duam apo s’duam të kujtojmë sot,unë mendoj se shqiptarët në krejt trojet etnike tona,përpara se të dëgjonin përallat komuniste,ishin të vendosur të luftonin për të vënë në jetë,padrejtësitë prej të cilave ende kullonte gjaku i ngohtë.Ndërkaq,disa prej ideatorëve dhe udhëheqësve të parë të grupeve komuniste në Shqipëri,ishin futur në rrugë pa krye,duke dashur të mirrnin flamurin e shpëtimtarit të kombit.Ata kryen në vitin 1941 disa takime por në vend që të bashkoheshin për të shpalosur alternativa,grindeshin për të ndarë karriket dhe për më tepër,nuk kishin vizione të qarta se ç’far duhej të banin në ato momente.Tepër saktësisht përshkruhet kjo situatë e komunistëve shqiptarë në vitin 1941 në një raport të hollësishëm që Koço Tashko i ka dërguar në vjeshtën e vitit 1942,kryesis së Kominternit ku pos të tjerave shprehet ; “Nga ana tjetër isha koshient se shokët e propozuar prej meje nga tërë grupet, sado të sakrifikuar për çështjen dhe të pakursyer në punët,s’kishin përgaditjen politike të duhur për të qenë anëtarë të Komitetit Qendror (këtë fakt ma kishte cilësuar edhe shoku Miladin) domethënë për të kuptuar problemet politike dhe ekonomike të Shqipërisë… Këto të meta kryesore të tyre shpresoja të menjanoheshin deri sa të mblidhje Kongresi i Partisë,prej qenies si instruktorë të dy shokëve jugosllav, Miladin e Dushan.Me pak fjalë gjithë përgjegjësinë ua dorëzova këtyre dy shokëve (sado që skisha asnjë ide të së kaluarës së tyre) vetëm duke u bazuar në rekomandimin e Komitetit Qendror për Kosovë e metohi, të Partisë Komuniste Jugosllave”.(Arkivi Qendror i shtetit –Tiranë, Fondi 14 , dosja 5 , fleta 4 ).

Nga ky dokument autentik i njërit prej krerëve kryesorë komunis në Shqipëri,në vitet 1940- 1944,merret lehtë me mend se marëdhëniet ndërmjet komunistëve të shtetit amë dhe atyre të Beogradit nuk mund të egzistonin si marëdhënie partneriteti,apo vëllezërore.Këto marëdhënie do të konceptoheshin që në fillim si marëdhënie vasaliteti,ku të parët,sllavët do të dirigjonin gjithë “bëmat” e komunizmit në Shqipëri,ndërsa të dytët,komunistët e servilosur shqiptarë do të përpeliteshin nëpër labirintet e politikave serbosllave,duke shitur nderin e tyre,vetëm e vetëm për një copë karrige të përgjakur kur të “çlirohej” Shqipëria. Komunistët sllav,duke parandjerë rrezikun e rritjes së lëvizjes nacionaliste shqiptare,lëvizje e cila që në fillim u shtri në krejt kufijtë etnike tona, ndërhyri energjikisht në lëvizjen komuniste,së paku për të dominuar këte e mandej, në saje të dredhive të vjetra serbosllave të niste në trojet shqiptare luftën e egër vëllavrasëse.Kështu,në verën e vitit 1942,ata hodhën në nismën e tyre,në Kosovë,një trakt ku i bëhej thirrje popullit shqiptar këtu, të rrëmbente armët për të luftuar kundër armikut të përbashkët,fashizmit.Ustallarët e Beogradit jo se donin lirinë e Kosovës, sepse po ta kishin dashur sigurisht ata do të kishin lejuar shqiptarët në trojet etnike të tyre,të paktën të jetonin pa ate kalvar vuajtjesh.Por ata kërkonin të ngrihej krye kundër fashizmit për të ruajtur të pandryshuar statukuonë e organizmit të kufijve pas vitit të mbrapshtë 1913.Ndonëse proklamata e shpërndarë në Kosovë,kishte poshtë edhe nënshkrimin e Partisë Komuniste shqiptare,ajo mirrej vesh menjëherë se ishte gatuar në guzhinën e Beogradit,me ç’rast edhe mungonin fjalët se çdo të bëhej të nesërmen me fatin e popullit shqiptar në Kosovë.

Kjo pozitë e mjerueshme e komunistëve të shtetit amë,të cilët,vinin në rend të ditës parrullat e tyre internacionaliste dhe harronin vuajtjet prej tre deceniesh,të vëllezërve të tyre prej gjaku,dëshmohen vetë prej dokunetave të tyre,pikërisht në vitin 1942,komunistët e tiranës ishin të detyruar të dëshmonin se ; “Për shqiptarët e Kosovës që përbëjnë 50-65 përqind të popullsisë së atjeshme si dhe dy të tretat e popullsisë së Shqipërisë së Vjetër (kufijt e vitit 1913) Partia e jonë ka heshtur sistematikisht duke thënë (fjalët e shokut Miladin) se kjo çështje s’na përket neve por i përket Partisë Komuniste Jugosllave”. ( Arkivi Qendror i shtetit – Tiranë. Fondi 14,dosja 5, fleta 11 ).

Edhe në vitet 1943-1944,bashkëpunimi i klikës komuniste tëTiranës me atë të Beogradit,do të ishte determinant,sidomos në veprimet e atyre të parëve ndaj nacionalistëve shqiptarë.Diku e kam thënë krejt haptas mendimin tim se Mukja ishte shpresa e mbrame e shqiptarëve për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin në luftën kundra okupatorit.Por pikërisht pse mbante me vete këtë shans të madh historik,Mukja u sabotua dhe anatemua për pesë decenie me radhë nga histriografia shqiptare. Post – Mukja,do të përbënte ndër faqet më të dhimbshme të popullit shqiptar,i cili,ndonëse i coptuar në vitin 1913,ndonëse i sulmuar e kërcënuar dhe zhdukur prej grekërve,sllavëve e bullgarëve, tanimë provonte edhe thikën e ngulur tinëz në shpinë prej vëllaut me nanë.Pa dashur të sjell në këto radhë,gjëmën e madhe e tragjike të luftës vëllavrasëse në Shqipëri,në vitet 1943-1945, unë mundet natyrisht të pohoj se krejt idetë dhe organizimet e kësaj lufte kanë qenë të ideuara në Beograd,ndërsa Miladini e Dushani,ishin veç zbatuesit e urdhërave të padronëve të tyre. Sidomos në ndjekjen ndaj nacionalistëve të shquar shqiptar,dora serbosllave do të shtrihej ngado.Prej asaj dore tradhëtare, ranë në fushën e nderit trima të mëdhenj të kombit shqiptar. Dhe një pjesë e tyre duke parandjerë thikën pas shpine sllavoshqiptar,luftuan me armë në dorë kundra tyre, duke u shndruar në simbole të përjetshme të nacionalizmit shqiptar. Në krejt këtë maskaradë,nuk kanë munguar as idelogjizimi i skajshëm bolshevik dhe as veprimet e fshehta serbosllave për t’i quajtur këta burra ( që sot përbëjnë krenari kombëtare) si bashkëpuntor me okupatorin,sipas parimit paradoksal : O me ne, O kundra nesh !.

Në vitin 1945,klika komuniste e Tiranës,duke iu përmbajtur tërësisht udhëzimeve të beogradit, nisi të konstruktojë modelet e para të diktaturës komuniste,modele të cilat,do të quheshin të veçanta në krejt Evropën Lindore,për nga egërsia me të cilën u zbatuan.Ndër këto modele famëkeqe, mund të përmendim shkurt vetëm njërin,ate të përndjekjeve të krejt kundërshtarëve politik të tyre, familjarisht nëpër burgje apo kampe përqëndrimi sipas modeleve të huazuara nga Stalini.Mijërat e nacionalistëve shqiptarë,u drejtoheshin në vitin 1945 togave të zeza të pushkatimit, burgjeve apo kampeve të punës për të vetmin “faj” se kishin luftuar për lirinë e Shqipërisë si edhe për kufijtë etnike të saj.Dhe përballë kësaj tragjedie të re shqiptare,duhej diçka butaforike,duhej diçka për ti dhënë botës komuniste të kuptonte se qeveria shqiptare nuk kishte mendjen vetëm për punë të zeza.Dhe pikërisht në këto momente aq të dhimbshme për krejt kombin tonë,kjo qeveri, enkas për të dhjetëfishuar tragjedinë shqiptare, zgjodhi pikërisht procedurën e dekorimit të dhjetra oficerëve serbosllav të cilët sigurisht ishin vrarë duke luftuar kundër forcave nacionaliste shqiptare. Me këtë akt të shëmtuar ,si turp kombëtar,klika komuniste e shtetit amë,kërkonte gjithashtu të thoshte fjalën e vet, lidhur me qëndrimin e saj pro idesë së Beogradit për tu integruar në republikë të shtatë të krijesës jugosllave. Kësisoj më 5 shtator 1945,në ish pallatin mbretëror në Tiranë,u zhvillua një ceremoni tejet pompoz, me pjesmarrjen e krejt qeverisë shqiptare si edhe përfaqsuesive diplomatike dhe forcave aleate në kryeqytet.Me tone oratorike,Omer Nishani,në cilësinë e kryetarit të Këshillit Antifashist,lexoi vendimin e këtij Këshilli numër 117 , datë 5 shtator 1945 : “Në bazë të propozimit të kryetarit të Qeverisë Demokratike të Shqipërisë dhe Komandant I Përgjithshëm i Ushtrisë Kombëtare ;Duke marrë parasysh se shumë personalitete të huaja të vendeve aleate gjatë Luftës Nacionalçlirimtare të popullit t’onë kanë kontribuar dhe ndihmuar me të gjitha mjetet në Luftën e popullit shqiptar qoftë brenda në Shqipëri krah për krah me ushtrinë tonë, qoftë jashtë Shqipërisë dhe për të shfaqur mirënjohjen e për t’a shërbyer e nderuar veprimtarinë e tyre në dobi t’Atdheut e të popullit shqiptar.

Kryesia e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar, Vendosi Të dekorohen me dekoratat e shënuara për sejcilin,personat që përmenden në listën që vijon :

Gjeneral Ivan Milutinoviç,me Urdhër “Heroi Kombëtar”, Lolo Ribar,me urdhërin “Heroi Kombëtar”,Ramiz Sadiku,me Urdhërin “Heroi Kombëtar,Ivan Ribar,me Urdhërin e “Flamurit”, Eduard Kardelj,me Urdhërin e “Flamurit”,Bllazho Jovanoviç,me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”,Radovan Zagoviç me Urdhërin e “Flamurit,dëshmori Miladin Popoviç,me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”.Dushan Mugosha,me Urdhërin e “Flamurit” dhe me medaljen e “Kujtimit”.

Me urdhërin e “Yllit Partizan Klasi i I” dhe me medaljen e Trimërisë Brigadier E.F.Davies. Me urdhërin e “Yllit Partizan klasi i I “, Gjeneral-Lejtnant Arso Jovanoviç, Aleksander Rankoviç, Milan Gjilas,Petko Dapçeviç,Breigadier T.Churchuill,Kolonel Velimir Stoiniç,Lejtnant-Kolonel, Palmer,Major Ivanov Konstantin,Kapiten Thomas Stefan.

Me Urdhërin e “Yllit Partizan i klasit të II” dhe me medaljen e “Kujtimit” ; Kolonel Vojo Todoroviç. Me urdhërin e “Yllit Partizan i klasit të II” dhe me “Medaljen e Trimërisë” ; Major Savo Stonjou,W.V.G.Smith. Me Urdhërin “Partizan i klasit të II”, Gjeneral,Terziç Velimir, colonel Kiler Peter,Kolonel,Obrat Cicmil,Nenkolonel,Mijat Vuletiç,G.W.Seymour,Major J.K.H. Shaw, Major, M.J.Fornton, Major, V.Robinson, Kapiten Northop, Kapiten J.M.Lyon,Toger John O’Keefe.

Me Urdhërin “Ylli Partizan i klasit të III” ; Major Timochek Teodor,Major Viktor Bobol,Kapiten Miazi Dizdareviç,Toger Nick Cooky,Kaporal George Routsis. Me Medaljen e “Trimërisë” dhe me Medaljen e “Kujtimit” ; Bije Vokshi, Dëshmor, Hajdar Dushi, Emin Duraku, Xhevdet Doda, Vaso Strugari, Mikel popoviç”. ( Gazeta “Bashkimi “ Tiranë më 6 shtator 1945 ).

Ndërsa kreu i klikës komuniste të Tiranës,Enver Hoxha,do të deklaronte solemnisht në atë mbrëmje se ; ”Të gjithë këta oficerë që u dekoruan,na kanë ndihmuar me shpirt, në përpjekjet tona për çlirim”. Shërbetori i zellshëm i sllavokomunistëve,falenderonte kështu mësuesit e tij nga beogradi për kontributin e madh të tyre në përpjekjet sllave për shuarjen e rracës shqiptare. Me këtë mesazh ai gjithashtu donte të siguronte padronët e vet se do të ishte kurdoherë rob i politikave shovene serbosllave.

Si mund të dekoroheshin oficerë të lartë jugosllav kur vetëm në vitet 1944-1945 në territoret e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare u vranë,u burgosën,dhe u shperngulën më shumë se 50 mijë shqiptarë etnik të pafajshëm ? si mund t’i shpërndaheshin dekorata atyre që pos të tjerave, nuk lane pëllëmbë toke shqiptare pa e përgjakur me gjak shqiptari ? si mund të dekoroheshin ata të cilët populli i ynë i konsideroi dhe i konsideron pushtues të tokave shqiptare ? Si mund të përgëzoheshin këta kriminelë të zakonshëm lufte,kur pikërisht në ato momente në malet shqiptare,endeshin dhjetra e dhjetra heronj nacionalistë,të cilët,falnin pranverat e tyre për kufijtë tanë etnik ?.

Përballë këtyre pyetjeve,mund të hamendësosh shumë përgjigje.Por përgjigjja e parë që të vjen ndër mend është pikërisht ajo se klika komuniste e Tiranës,në vitin 1945,e fryrë prej përallave të internacionalizmit proletar,duke dekoruar vrasësit e popullit të vet,merrte mbi vete barrën e rëndë të një turpi kombëtar.E përbaltuar në pozitat mjerane ku e futi çorba serbosllave,kjo klikë po I bënte nderet dhe shërbimet e para Beogradit duke dëshmuar sigurisht antishqiptarizmin e vet, me të drejtë duke pranuar dhe njohur pushtimin e tokave shqiptare të Kosovës, Preshevës Bujanovcit e Medvegjes, të Maqedonisë shqiptare nga serbosllavët. Koha dëshmon tradhëtitë komuniste shqiptare tanimë i mbetet qeverisë së djathtë shqiptare dhe Institutit për Krimet e Komunizmit që të gjithë të dekoruarit, ti zhvleftësoi dhe dënojë.Krimit dhe tradhëtisë duhet shartuar nga rrënjët.(Ne Foto:Diktatori Enver Hoxha me Miladin Popovicin)

Bern-Zvicër

Filed Under: Opinion Tagged With: dekorimi i oficereve jugosllave, Eugjen Shehu, turp kombetar

TAKIMI ME AKADEMIKUN MARK KRASNIQI NE TIRANE

January 23, 2013 by dgreca

Nga Prof. Murat Gecaj/

1.

Kisha kohë pa e takuar prof. Mark Krasniqin-Akademik, njërin ndër figurat e njohura dhe të shquara të arsimit, kulturës, shkencës e politikës në Kosovë. Prandaj ndjeva kënaqësi të veçantë, kur mora një ftesë nga kryetari i Shoqatës “Nikaj-Mertur”, në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), se në mbrëmjen e datës 18 janar 2013, do të organizohej një koncert dhe manifestim masiv, në Pallatin e Kongreseve të kryeqytetit Tiranë. Ndër të tjera, aty shënohej se do të ishte pjesëmarrës edhe prof. M.Krasniqi.

Ende pa nisur shfaqja, hyra në sallën e stërmadhe, që gumëzhinte si “koshere” bletësh. Nga radhët e mezit, drejtpërdrejt me skenën, ku diku afër e kisha të caktuar edhe unë vendin, e vërejta të ulur atë, bashkë me një mik të tij, nga Gjakova, Gjokë Gecin. U përshëndeta me prof. Mark Krasniqin me përzemërsi dhe iu luta një personi që të na fotografonte, për ta patur shenjë kujtimi. Ndërkaq, edhe më pas gjeta rastin të bisedonim bashkë, sigurisht jo gjerësisht. Më  erdhi shumë mirë që, megjithëse në moshën mbi 92-vjeçare, gëzonte shëndet të qendrueshëm, mbahej i fortë dhe kishte kujtesë të admirueshme. Këtë gjë e vërejta edhe  kur ai u shfaqi dashamirësi gjithë njerëzve të shumtë, të cilët vinin ta takonin dhe ta respektonin. Bile, pati nga ata nikajmërturas, që ia treguan shtëpinë dhe iu lutën që, pas shfaqjes, të shkonin në familjen e tyre.

Në bisedë e sipër, por dhe  kur u ndamë aty, pasi nisi shfaqja “e zjarrtë”, e titulluar “Nata e Nikaj-Mërturit”, në vijim të disa veprimtarive të tilla, solla në kujtesë njohjen tonë. Ishin vitet ’70-të e 80-të të shekullit të kaluar, kur në kryeqytetun Tiranë, por dhe në rrethe të vendit, u organizuan veprimtari masive, konferenca, simpoziume e kongrese shkencore. Ato ishin për çështje të historisë e gjuhësisë, kulturës, etnografisë, arkeologjisë e tjerë. Megjithëse dihen vështirësitë e kohës për lidhjet me Kosovën e robëruar nga rregjimi serb, në ato merrnin pjesë edhe studiues e shkencëtarë shqiptarë prej saj. Një ndër ata, padyshim, ishte edhe prof. Mark Krasniqi. Ai nuk vinte këtu, në “shtetin amë”,  si një një “vizitor” i thjeshtë, por edhe lexonte punime të thelluara shkencore.

Një ndër udhëtimet e tij në Tiranë, por dhe në Malësinë e Gjakovës (Tropojë), ishte ai i marsit të vitit 1980. Në qytetin më verior alpin, Instituti i Historisë, pranë Akademisë së Shkencave në Tiranë, kishte përgatitur një sesion shkencor, me rastin e 55-vjetorit të vrasjes së “Heroit të Popullit”, “Dragoit të Dragobisë”, Bajram Curri. Në udhëtimin, nga kryeqyteti për atje, pasi kisha për të lexuar një temë për figurën e tij në këngët popullore, arrita në Fushë-Arrës dhe aty u ndalëm pak për të pushuar. E dija që, në përbërje të grupit nga Prishtina, ishin Ali Hadri, Zekeria Cana e një tjetër. E pyeta prof. Markun, pak me shaka: “Për ku jeni nisur kështu, profesor,  apo për në sesionin shkencor, kushtuar B.Currit?” Aty për aty, ai m’u përgjigj me një shprehje popullore, duke e anashkaluar shpjegimin e saktë: “Jo, po, me që i kisha opingat veshur, mendova dhe unë të dal një herë në Malësi”. Në fakt, meqenëse e ka origjinën nga krahina e Nikaj-Mërturit dhe larguar shumë kohë të parët që andej, ai ma shfaqi dëshirën se donte t’i njihte të afërmit e tij, atje. Kur arritëm në qytetin “B.Curri”, sigurisht, këtë gjë ua thashë drejtuesve të partisë e shtetit të asaj kohe. Me sa kuptova, një ndër arsyet, se përse nuk donin ta lejonin të shkonte për vizitë tek ata prof. Marku, ishte varfëria e tejskajshme në atë krahinë. Ndërsa përgjigja  e pëligjia, për atë, ishte se: “Rruga është e prishur dhe nuk mund të kalohet për andej!?”

Megjithëse nuk mori pjesë në sesionin shkencor, të organizuar në qytetin “B.Curri”, pasi nuk e kishte “lejën” nga organet jugosllave,prof. Mark Krasniqi erdhi me ne në fshatin e bukur Valbonë. Aty hëngrëm një drekë së bashku, ku dhe u kënduan këngë popullore. Por pati edhe një recitim, nga rapsodi i mirënjohur vendës, Sokol Arifi. Në vargjet e tij, me përmbajtje të theksuar atdhetare, ai përmendëte edhe të këqijat e regjimit serb, ndaj shqiptarëve të Kosovës. Prandaj, të ftuarit kosovarë  u ndjenë ca “ngusht” dhe, për të mos i venë ata në pozitë të vështirë, raspsodi nuk vazhdoi më gjatë, me recitime të tilla. Megjithatë, e pashë që prof., Markut i shëndritën sytë, kur i dëgjoi ato vargje rapsodike, të cilat e shprehnin realitetin e vertetë e të dhimbshëm historik të shqiptarëve, nën pushtimin e huaj serb.

Në vitet pasardhëse, kam lexuar shpesh për  studimet, botimet e pjesëmarrjet në detyrat dhe veprimatritë e ndryshme, nga Akademiku Mark Krasniqi. Sigurisht, si atëherë dhe tani, jam ndjerë krenar për këtë bashkëkrahinas e  atdhetar të mirë, i cili jetën e tij të gjatë e ka venë në shërbim të arsimit, shkencës e kulturës kombëtare shqiptare. Prandaj, si unë, por dhe të gjithë ata, që e takuan e biseduan këto ditë me të në Tiranë, i uruan nga zemra: Shëndet të plotë, jetëgjatësi dhe krijimtari sa më të frytshme, për të mirën e Shqipërisë dhe të Kosovës.

Në darkën, që u shtrua nga Shoqata “Nikaj-Mërtur” për të ftuarit dhe artistët amatorë, përsëri u përshëndeta me Akademikun e shquar Mark Krasniqi. Bile, me ftesën edhe të Gjokë Vukajt, që e filmonte tërë veprimatrinë, shkuam e i takuam gotat me atë dhe kolegë të tij nga Kosova, unë dhe kryetari i Shoqatës, Av. Gjin Niklekaj. Sigurisht, për këtë gjë, ai na falënderoi dhe u ndamë përzemërsisht.

2.

Mark Krasniqi  lindi më 19 tetor 1920, në fshatin Gllaviçicë (Shëngjon-Kolaj), në afërsi të Pejës, në Kosovë. Arsimin fillor e ndoqi në vendlindje, ndërsa gjimnazin në Prizren. Në vitet 1941-1943,  vazhdoi studimet e larta për letërsi, në Universitetin e Padovës së Italisë. Ndërsa më tej, studioi për gjeografi dhe etnografi, në Universitetin e Beogradit (1946-1959). Nisi të shkruajë që herët në shtyp. Kështu, në vitet 1945-1946, ishte redaktor i gazetës “Rilindja”, në Prizren, së bashku me Esad Mekulin e Omer Çekrezin.  Në tri vitet vazhduese, punoi në redaksinë e emisioneve në gjuhën shqipe, në Radio-Beogradi. Në vazhdimësi, gjatë viteve 1950-1961, ishte asistent dhe pastaj bashkëpunëtor shkencor, në Akademinë e Shkencave të Serbisë. Ngjarje më rendësi për të ishte marrja e diplomës, në Beograd, më 1950 dhe pastaj mbrojtja e doktoraturës, në Universitetin e Lubjanës, më 1960.

Për aftësitë e tij pedagogjike e shkencore, në periudhën 1961-1981 ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, kur shteti serbo-komunist e largoi nga puna arsimore e pedagogjike. Disa herë ka shërbyer dekan dhe prodekan i Fakultetit Juridik-Ekonomik, në Prishtinë. Gjithashtu, është ngarkuar me detyra të larta, si: zëvendëskryetar dhe kryetar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës, kryetar i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës (1970) dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës (1993). Është anëtar i Akademisë së Shkencave e Arteve të Kosovës dhe i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ka marrë pjesë dhe ka lexuar punime të tij në shumë kongrese, konferenca e simpoziume kombëtare e ndërkombetare, ku janë diskutuar çështje të traditave, gjuhës letrare kombëtare, historisë, etnografisë, folklorit shqiptar e tjerë.

Përveç punës pedaogjike e shkencore, detyrave drejtuese dhe veprimtarive të tjera, ka hartuar e botuar rreth 20 libra shkencorë, letrarë, publicistikë e tekste shkollorë. Prof. M.Krasniqi është autor i disa vëllimeve me poezi, si për të rritur e fëmijë, ndër të cilët veçojmë librin për të vegjëlit, “Posta e porositur”. Po kështu, ka shqipëruar, nga serbishtja e sllovenishtja, disa romane e përmbledhje me poezi

…Me përvojën e gjatë shumëvjeçare dhe shërbimet e çmuara, q ë i ka bërë popullit tonë, për të cilat folëm shkrutimisht më lart, prof.Mark Krasniqi-Akademik, është jo vetëm krenari e natyrshme për banorët e krahinës së prejardhjes, pra Nikaj-Merturit, por edhe për vendlindjen, mbarë Kosovën e Shqipërinë dhe, më tej, për të gjitha trojet amtare e diasporën tonë shqiptare.(Ne Foto: Nga e majta: M.Krasniqi e M.Gecaj (Tiranë, 18 janar 2013)

Tiranë, 22 janar 2013

Filed Under: Opinion Tagged With: me mark Krasniqin, Murat Gecaj, Takimi, Tirane

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 838
  • 839
  • 840
  • 841
  • 842
  • …
  • 867
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • SHUHET VATRANI KUJTIM FUNICI, VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI
  • Ditëlindja e Skënderbeut, kujtesë, frymëzim dhe thirrje për bashkim
  • Lavdi luftës çlirimtare dhe respekt për çlirimtarët e kombit!
  • Kujtojmë në ditën e lindjes shkrimtarin Vath Koreshi, një zë origjinal i letërsisë dhe kinemasë shqiptare
  • PROF. DR. JUSUF ZEJNELI – REKTOR ME VIZION NDËRKOMBËTAR DHE ARKITEKT I MODERNIZIMIT TË AKADEMISË SHQIPTARE NË MAQEDONINË E VERIUT
  • Përtej së mirës dhe së keqes: Morali si strategji e vetëmbrojtjes
  • “Kosova në NATO, kështjellë e interesave të ShBA në rajon”!
  • PA AMERIKË NUK KA KOSOVË
  • MEMORIALI I “VATRES” DREJTUAR PRESIDENTIT, WILSON DHE ‘ÇËSHTJA E ADRIATIKUT”
  • Ndarja në vilajete e territoreve shqiptare si përpjekje e osmanëve për të penguar vetëdijen e përbashkët kombëtare të shqiptarëve
  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT