• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ELEZ BIBERAJ, PASUES I DENJE I NOLIT DHE KONICES

November 16, 2012 by dgreca

Nga Gjek Gjonlekaj*/

 New York, 15 nëntor – Në këtë njëqindvjetor të madh të historisë së kombit, Elez Biberaj e ka vendin të përmendet për meritat në historinë e zhvillimeve të fundshekullit XX, dekadës nga më të rëndësishmet për kombin shqiptar. 
Pasi u vendosa nё New York nё fillim tё viteve ’70-ta dёgjova pёr herё tё parё pёr Elez Biberajn. Aty u njoha me Kadri Avdyl Gjonbalaj dhe familjen e tij. Ata flisnin jashtëzakonisht mirё pёr Elezin.Tregonin pёr karakterin e tij tё shkёlqyeshёm dhe sukseset nё shkollё.U bёra kurioz pёr ta njohur kёtё djalë shqiptar. 
Nё verёn e vitit 1978, “Vatra” organizoi nё New York njё konferencё shkencore pёr 100-vjetorin e Lidhjes Shqiptare tё Prizrenit. Nё atё akademi morёn pjesё profesor  Rexhep Krasniqi, profesor Zef  Nekaj, Nermine Vlora, Elez Biberaj e tё tjerё. Pjesmarrёsit i pёrgёzuan ligjёruesit pёr kumtesat e tyre. Por Elez Biberajn e pёrgёzuan edhe mё shumё pёr kumtesёn e tij me titull: “Veprimtaria Ushtarake e Lidhjes Shqiptare tё Prizrenit nё Shqipёrinё Veriore nё vitet 1878-1881”. U gёzuan pёr paraqitjen dinjitoze tё kёtij studenti shqiptar, i cili posa kishte mbaruar studimet post-diplomike nё Universitetin Columbia – magjistёr i filozofisё. Shihej qartё se ky pinjoll i familjes sё Haxhi Zekё Biberit po vazhdon  rrugёn e tij tё lavdishme pёr çёshtje kombёtare. 
Pas konferencёs bisedova shkurt me zotin Biberaj dhe kёmbyem numrat e telefonave dhe adresat. Ishte shumё modest dhe i pёrzemёrt. Herё pas here shkruante pёr shtypin shqiptar tё Amerikёs. Shkrimet e tij ishin tё veçanta. Nё atё kohё Elez Biberaj bёnte kёrkime nё arkivat e New York-ut, bile njё ditё kishte zbuluar nё Ivo Institut pёr Kёrkime Hebreje njё letёr tё Gjergj Fishtёs, dёrguar ambasadorit amerikan, Herman Bernstien, me rastin e botimit tё Kanunit tё Lekё Dukagjinit. Letra e Gjergj Fishtёs mban datёn 27 maj 1933 dhe, sipas kёrkesёs sё zotit Biberaj, u botua nё gazetёn “Dielli”.  
Pavarёsisht se Elez Biberaj ishte shumё i ri nga mosha e nderonin tё gjithё akademikёt dhe dijetarёt shqiptarё e amerikanё. Shumё organizata shqiptaro-amerikane e ftonin pёr fjalime nё konferenca tё ndryshme kombёtare, edhe pse  Elez Biberaj nuk bёnte pjesё nё asnjё grupim politik. Fjalimet e tij ishin mё shumё akademike se politike. Nё fund tё viteve të ’70-ta e vizitova nё shtёpi, nё Bronx, New York, ku aso kohe jetonte me familjen. Mё priti mirё dhe mё tregoi nё dhomёn e tij tё vogёl  bibliotekёn personale tё pasur dhe elegante. Mё plotёsoi njё lutje pёr punё pranё ‘Zёrit tё Amerikёs’, duke mё dhёnё disa udhёzime me rёndёsi. Njё vit mё vonё Elez Biberaj filloi punёn pranё ‘Zёrit tё Amerikёs’. Pak me vonesё, por e pranova, bile nё fillim banova nё shtёpinё e tij, nё Washington. Zoti Biberaj pas njё kohe u pranua nё Agjensinё Amerikane tё Informimit (U.S. Information Agency)  si specialist pёr çёshtje sovjetike dhe evro-lindore. Atje punoi deri nё vitin 1986, kur u emёrua  drejtor  i seksionit shqiptar tё ‘Zёrit tё Amerikёs’. Tёrё kohёn botonte studime pёr Kosovёn nё revistat dhe gazetat mё prestigjioze amerikane dhe britanike. Elez Biberaj merrte pjesё nё tё gjitha demonstratat dhe aktivitetet pёr Kosovёn, pavarёsisht se ndonjё zyrё amerikan aso kohe nuk e shikonte me sy tё mirё pёr ato pjesёmarrje. Cenzura amerikane ishte shumё e ashpёr ndaj shkrimeve tё tij. Shumё nga ato shkrime tё cenzuruara i kam parё me sy para se janё botuar. Kosova pёr Elez Biberaj ishte qendra e universit, ishte dashuri e dhimbje. 
Me 13 maj tё vitit 1981 lajmet ndёrkombёtare njoftuan pёr rёnijen heroike dhe tragjike tё Tahir Mehёs, nё Prekaz tё Kosovёs. Elez Biberaj atё ditё kishte qёlluar spiker dhe ndёrsa lexonte atё lajm tё hidhur kishte pёrjetuar emocione tё papёrshkrueshme pёr rёniien e Mehёs. Ndërkohë, edhe pse ishte larguar nga Shёrbimi Shqiptar i “Zërit…”, çdo ditё bёnte telefonata nё zyrёn tonё dhe pyeste pёr situatёn nё Kosovё. Vazhdimisht sillte shkrime dhe komente tё shtypit tё huaj pёr Kosovёn. Elez Biberaj kishte bёrё disa vjet mёsime nё Gjakovё dhe ruante kujtime tё mira pёr atё qytet, sepse vendlindja e tё parёve tё tij, Shoshani i Tropojёs, ёshtё Malёsi e Gjakovёs, kurse vetë Kishte lindur në Guci.
Menjёherё pas studimeve postdiplomike nё Universitetin Columbia, Elez Biberaj paraqiti kёrkesёn pёr disertacionin e doktoratës. Tema “Marrёdhёniet Shqiptaro-Jugosllave 1945-1948” nuk iu pranua, prandaj pas njё kohe paraqiti tezёn tjetёr tё doktoratës me titull: “Marrёdhёniet Kino-Shqiptare”, që u prit mirё. Nё vitin 1984 mbrojti me sukses nё Universitetin Columbia disertacionin e doktoratës dhe mori  Ph.D – doktor i shkencave politike. Njё ditё mё vonё erdhi pёr vizitё nё zyrёn tonё nё Washington dhe editori i shёrbimit tonё, Gaspёr Kiçi, u ngrit nё kёmbё dhe duke buzёqeshur i shtriu dorёn: “Good Morning Dr. Biberaj”! (Mirё mёngjesi Dr.Biberaj!) tё gjithё u ngritёm nё kёmbё dhe e uruam pёr kёtё sukses akademik.  
Ndërkohë Dr.Elez Biberaj u emёrua drejtor i Seksionit Shqiptar tё ‘Zёrit tё Amerikёs’ (nё verёn e vitit 1986). Emёrimi u vonua pёr shkak tё qendrimeve tё tij  politike ndaj Kosovёs,  sepse ishte çёshtje shumё delikate pёr politikёn e jashtme amerikane. Diplomatёt dhe specialistёt amerikanё tё Ballkanit parashikonin turbullira tё mёdha nё atё rajon dhe Kosova ishte “Thembёr Akili” pёr Jugosllavinё. Elez Biberaj e pranoi kёtё barrё tё rёndё. Pranoi pёrgjegjёsinё mё tё madhe qё mund tё kishte pranuar ndonjё shqiptar nё shekullin e kaluar nё Shtetet e Bashkuara. Ai drejtoi ‘Zёrin e Amerikёs’ nё periudhёn mё kritike nё historinё e popullit shqiptar. Ndryshimet politike nё Shqipёri dhe Lufta nё Kosovё pёr pavarёsi ishin tema tё pёrditshme pёr ‘Zёrin e Amerikёs’. Dëgjuesve do t’u kujtohen reportazhet, intervistat e raportet nga aktorë në frontin e luftës në Kosovë, si dhe nga ata të dramës shqiptare në Shqipëri gjatë dekadës së fundit të shekullit njëzet. Nё atё kohё ‘Zёri’ ishte i vetmi zё lirie pёr botёn shqiptare. Elez Biberaj para se tё largohej nga shёrbimi shqiptar, nё vitin 2004, organizoi transmetimet e pёrditshme televizive tё ‘Zёrit tё Amerikёs’. Mobilizoi tё gjitha forcat e profesionistёve shqiptarë qё e drejtojnё sot kёtё emision radio-televiziv. 
Pёr dy dekada Elez Biberaj e transformoi kёtё shёrbim nё emisionin mё tё sukseshёm tё ‘Zёrit tё Amerikёs’, prej ku transmetojnё pothuajse nё 50 gjuhё tё huaja. Elez Biberaj bёnte komente tё shkёlqyeshme nё ditёt mё kritike tё çёshtjes shqiptare. Dёgjuesit shqiptarё i prisnin çdo mbrёmje komentet e tij. Kёshtu i kishin pritur dikur komentet e Tajar Zavalanit dhe tё Anton Logorecit nё Radio Londёr. Mund tё thuhet lirisht se Elez Biberaj ishte gazetari, analisti dhe drejtori mё i suksesshёm i ‘Zёrit tё Amerikёs’ i tё gjitha kohёrave. Elez Biberaj ёshtё ikonё e ‘Zёrit tё Amerikёs’ (icon of Voice of America). 
Ai ka botuar anglisht disa libra pёr çёshtjen shqiptare. Ka publikuar studime me autorё amerikanё nё shumё vepra tё tjera shkencore. Ka botuar artikuj nё Enciklopedinё Britanike, nё Conflict Studies, Problems of Communism,The World Today, East European Quarterly, dhe ka bёrё komente nё tё gjitha kanalet televizive amerikane nё periudhёn mё kritike tё Kosovёs dhe Shqipёrisё. Ka mbajtur ligjёrata nё dhjetёra institute e qendra politike amerikane. Ështe i njohur pёr analizat e tij politike nё Woodrow Wilson Center nё Washington. Ka marrё pjesё nё Amerikё e nё Evropё si gazetar e specialist nё shumicёn e konferencave ndёrkombёtare pёr çёshtjen shqiptare. Tё gjithё gazetarёt dhe editorёt amerikanё e pranojnё se Elez Biberaj e shkruan gjuhёn anglisht shkёlqyeshёm dhe ёshtё editor “par exsellence”, njësoj sikurse edhe në gjuhën shqipe, pavarësisht se gjithë shkollimin e pati në gjuhë të huaj. 
Elez Biberaj  ka pёrkthyer e shoqёruar dhe sekretarin amerikan tё Shtetit, James Baker nё Shqipёri, nё vizitën historike të vitit 1991.  Me kёrkesёn e State Departamentit ka shoqёruar delegacione tё Senatit dhe Kongresit amerikan nё Kosovё e Shqipёri.  Ka vizituar zyrtarisht dhe privatisht tё gjitha tokat shqiptare nё Ballkan,duke i dhёnё shpresё popullit shqiptar pёr ditё mё tё mira. 
Tani  Elez Biberaj ёshtё drejtor i Divizionit Evro-Azi pёr Zёrin e Amerikёs.     
Familja Biberaj ёshtё sot njё ndёr familjet mё fisnike dhe mё tё sukseshme shqiptaro-amerikane. Djemtё dhe bijat e tyre kanё mbaruar studimet e larta nё universitetet mё tё njohura tё Amerikёs, nё Columbia, nё Harvard, nё George Mason University, nё American University dhe disa tё tjerё. Ata janё profesionistё dhe specialistё. Djemtё dhe vajzat e familjes Biberaj kanё punuar nё zyrat e senatorёve dhe kongresmenёve amerikane. Zoti Ken Biberaj, djali i Elez Biberaj, ka punuar pёr presidentin Bill Clinton. Kene Biberaj tani ёshtё kandidat pёr njё detyrё politike me rёndёsi nё New York. Ata kanё pasur suksese tё mёdha edhe nё fushёn e biznesit. Pёr sukseset politike dhe ekonomike tё familjes Biberaj ka shkruar shumё herё shtypi mё serioz amerikan sidomos gazeta “The New York Times”. Kjo familje ёshtё vёnё nё dukje pёr tё mirё nё shtypin amerikan mё shumё se asnjё familje tjetёr shqiptare nё Shtetet e Bashkuara. Ata kanё njё perspektivё tё shkёlqyeshme nё shoqёrinё amerikano-shqiptare. 
Dr. Elez Biberaj meriton nderimet gjithkombetare. Meriton vend nderi nё shoqёrinё shqiptare. Meriton antarёsimin nё tё gjitha akademitё dhe institutet shqiptare tё shkencave politike e shoqёrore. Elez Biberaj meriton shpёrblimet mё tё larta tё Shqipёrisё, të Kosovёs dhe viseve tё tjera shqiptare për kontributin dhe përkushtim e tij ndaj tyre. Ai, sipas gjykimeve të mia,  ёshtё patrioti mё i madh shqiptar nё Shtetet e Bashkuara tash 42 vjet. Shumё shqiptarё, sidomos gazetarё, mё kanё pyetur disa herё kush meriton nderimet mё tё mёdha pas Fan Nolit e Faik Konicёs. Unё çdo herё jam pёrgjegjur: Elez Biberaj. 
Drejtori i Pёrgjithshёm i ‘Zёrit tё Amerikёs’ David Ansor ka bёrё kёtё deklaratё me shkrim atё ditё qё Presidenti i Shqipёrisё, Bamir Topi, nderoi zotin Biberaj nё New York, Ish-gazetari i famshёm i kanalit televiziv amerikan CNN, tani drejtor i ‘Zёrit tё Amerikёs’ David Ansor tha: “Elez Biberaj ёshtё njё bir i dalluar i Shqipёrisё”.  Elez Biberaj ёshte shumё optimist dhe entuziast pёr tё ardhmen e popullit shqiptar. Ështё idealist, ashtu siç ishin patriotёt e Rilindjes Kombёtare Shqiptare. 
(Autori, Gjekё Gjonlekaj, është ish-gazetar i ‘Zërit të Amerikës’ aktualisht botues dhe biznesmen në New York) 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Elez Biberaj, i Nolit, Konices, pasues i denje

KLITHMA E SHPIRTIT

November 16, 2012 by dgreca

NGA RESHA KRIPA/

Para tre ditësh në sallën e bibliotekës së Muzeut Historik Kombëtar Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë Demokratë të Shqipërisë organizoi promovimin e librit “Klithma shpirti” të ish-të burgosurit politikë nga regjimi komunist, që ka bërë 23 vite burg në atë regjim,  poetit dhe prozatorit Luan Burimi. Takimi u zhvillua në mënyrë të përsosur. Atë e hapi sekretarja e përgjithshme e shoqatës zonja Lili Ndoci e cila ia dha fjalën për përshëndetjen e rastit kryetarit të shoqatës zotit Simon Mirakaj. Për jetën dhe aktivitetin e poetit foli shoku i tij i burgjeve, edhe ky me 22 vite burg, Bedri Çoku. Poeti Uran Kostreci, një i dënuar politikë që ka kryer 20 vite burg, foli për poezitë e tij plot ndjenjë. Për prozën e autorit foli shkruesi i këtyre rradhëve. Pastaj folën edhe anëtari i Bordit Drejtues të Komisionit Shtetëror të Hetimit të Krimeve të Komunizmit. zoti Uran Butka dhe drejtori i këtij instituti, zoti Agron Tufa. Së fundi përshëndeti dhe deklamoi një nga poezitë e tij më të bukura zoti Luan Burimi.

Ajo që ra në sy në këtë takim ishte mungesa e të ftuarve nga institucionet kryesore të vendit, Presidenca dhe Kuvendi . Jemi të ndërgjegjshëm se drejtuesit e tyre mund të kenë qenë të angazhuar në objektiva të tjera më të rëndësishme por, sidoqoftë, një përfaqësues të tyrin duhej ta kishin dërguar. Megjithatë ajo që ra më tepër në sy ishte mungesa e disa të përndjekurve në institucionet e Presidencës dhe Kuvendit, të cilëve nuk dua t’ua përmend emrat vetëm për hir të besimit që kam patur për korrektësinë e tyre. Kur iu dërguam ftesat menduam se ata do të ishin të parët që duhej të kishin ardhur dhe kjo pasi ata janë ose ish të burgosur, ose ish të internuar, madje ndonjëri edhe i lindur në internim, ose bij të pushkatuarish, të burgosurish apo të internuarish. Mungesa e tyre na la një shije të hidhur dhe kjo u shfaq edhe në fjalët e oratorve. Si ta quajmë një veprim të tillë, mospërfillje, neglizhencë apo nënvleftësim. Cilado prej këtyre të ketë qenë nuk është në nderin e tyre një veprim i tillë.                                       Por le t’ia lemë ndërgjegjes së tyre ta gjykojë këtë veprim dhe le të kthehemi tek tema për të cilën u zhvillua takimi.

Ata kishin një pasion, një dëshirë të madhe për të shkruar. Donin të shkruanin atë që mendonin, atë që ëndërronin. Por për fatin e tyre të keq, jetonin në një kohë kur nuk mund të shprehnin atë që u buronte nga zemra e tyre. Nuk mund të shprehnin mendimet e tyre të lira, ndjenjat e shpirtrave të tyre të pastër. Jetonin në një kohë, ku sistemi totalitar politik mbyste mendimin e lirë që në lindjen e tij. Për t’ia arritur kësaj, ai kishte shpikur një formulë po kaq totalitare të letërsisë dhe artit, për t’ia kundërvënë mendimit të lirë formulën e të ashtuquajturit   “realizëm socialist“, një formulë absurde që ndrydhi talentet e mëdha dhe u hapi rrugën veprave standarte që në më të shumtën e rasteve nuk kishin asnjë vlerë.

Talentet e mëdha i rezistuan çuditërisht shtrëngimeve në format nga më të ndryshmet. Ata më stoikët pranuan më mirë plumbat në gjokset e tyre se sa lirinë e dhunuar. Këtu ia vlen të përmendim emrat e paharruar të martirëve Trifon Xhagjika, Genc Leka, Vilson Blloshmi, Havzi Nela e të tjerë.

Të tjerë provuan prangat e hekurta në  vend  të  nënshtrimit. Ata  nuk  bënë  kurrë  art  të imponuar, duke marrë me vete edhe pasojat. Arti i tyre kishte brenda vetes të koncentruar një kod të brendshëm të demokracisë, lirisë dhe bukurisë njerëzore. Brenda veprave të tyre nëpërmjet alegorizimeve apo formave të tjera artistike indirekte, jepeshin mesazhe të qarta të domosdoshmërisë së mendimit të lirë. Në rradhën e këtyre më lejoni të përmend Visar Zhitin, Pjetër Arbnorin,  Pirro Kuqin, Frederik Reshpen, Pano Taçin, Astrit Delvinen e të tjerë.

Por kishte edhe një kategori tjetër që shkruanin. Dora e tyre i hidhte këto në  letër. Autori i lexonte dhe rilexonte me vete, pa guxuar t’ia trgonte njeriu, me përjashtim ndoshta ndonjë miku shunë besnik. Kishte edhe nga ata që shkruanin nëpër qelitë e burgjeve apo  kasollet ku jetonin të izoluar nga bota e madhe. Në to shkruhej për atdheun e robëruar, për lirinë, për dashurinë. Shkruhej për dhimbjen, për mallin, për shpresën, për gjithçka. Në shkrimet e tyre sundonte besimi për të ardhmen, edhe atëhere kur shumëkush e kishte humbur atë.

Këto shkrime mbetën të panjohura për adhuruesit e letërsisë së vërtetë. Me to kënaqej vetëm autori i tyre dhe që prisnin një ditë që të shpërthenin lirisht. Autorët e këtyre shkrimeve nuk u bënë kurrë  servile

dhe hipokritë, nuk u bënë kurrë lakej oborri.

Fundi i viteve 80-të do të tregonte se forca e mendimit të lirë do të fitonte  betejën me diktaturën. Perdet e hekurta që ndanin të dy botët do fillonin të  shembeshin.  I  fundit nga vendet totalitare të Europës do të ishte vendi ynë. Lëvizja studentore e dhjetorit 1990, do të ishte konkretizimi logjik i fitores së ideve demokratike mbi ato diktatoriale. Lufta për këtë fitore kishte filluar qysh më 28 nëntor 1944 dhe për të ishte derdhur shumë gjak dhe ishin bërë shumë sakrifica, për gati pesëdhjetë vjet me rradhë.

Midis plejadës së madhe të atyre të përndjekurve politikë, që kanë shkruar në qelitë e burgjeve ishte edhe Luan Burimi. Ai i përket asaj plejade që kishte dëshirë për të mësuar por nuk e linin të mësonte, pasi edhe shkolla ishte pronë e “bijve të Stalinit”, kishte dëshirë të punonte, por nuk e linin të punonte përveç në ndonjë kanal apo bujqësi, kishte dëshirë të jetonte por nuk e linin as të jetonte dhe, për këtë e përplasën, për gati nje çerek shekulli, në humnerat më të thella të burgjeve komuniste.                         Megjithatë ai shkroi. I regjistroi këto shkrime në trurin e tij dhe ja ku na i serviri tani në librin me titull “Klithma shpirti”. Poezit dhe prozat e paraqitura në këtë libër janë me të vërtetë klithma të një shpirti të brengosur për miqtë dhe shokët e vuajtjeve, për ata që janë dhe për ata që s’janë më në këtë botë. Ja ç’thotë autori në fillim të tregimit “46 shekuj më parë”:                                                                                                                                                                                   Unë as nuk mundem as nuk duhet të flas për vitet 40-të, sepse kam qenë fëmijë atëherë. Po për ata vite të lodhur me kufoma bij e bijash, diçka do të flas dhe unë. Se jo më kot atë periudhë të papërshkruar ende ashtu siç duhet, e veçanërisht te ne, disa shkrimtarë e kanë quajtur “epoka e degradimit njerëzor”, disa “epoka e pasigurisë totale” e disa të tjerë “epoka e hibrideve të stepës”. Po unë, natyrisht, duke mos qenë i aftë të përqasja një epitet timin, përballë këtyre epiteteve aq të gjetur, po ndjek bëmat e “hibridëve të stepës”. Me ta zë fill edhe tregimi im, që s’është imagjinatë, por një realitet i zhveshuir, i frikshëm e qesharak.

                            

          Para syve tanë shfaqen, si në ekranin e një televizori, pamjet makabre të dhunës komuniste, të asaj dhune që e shndërroi një popull të tërë në skllav të bindur ndaj kupolës më të egër që ka parë bota, kur, siç shkruan autori, kur gdhiheshe në mëngjes e shihje fshatin në flakë nga shtëpitë e nacionalistëve që digjeshin, apo kur një ditë ngryseshe në Shkodër, Durrës apo Tiranë, të nesërmen gdhiheshe si i deklasuar në ndonjë kamp të punës së detyruar.

Shfaqjet ndjekin njëra-tjetrën. Ja ku na shfaqet N. Pjetri nga Postriba që tregon historinë e tij. Ngjarja kishte ndodhur pas kryengritjes së famshme. Hienat kishin ardhur në mes të natës. Pasi kishin kapërxyer gardhin ishin derdhur brenda në shtëpi me armët e ngrehura. Kundërshtimi i të zotërve të shtëpisë kishte sjellë shkrehjen e armëve. Dy të vrarë, i ati dhe një kushëri. Dy vëllezër të arrestuar dhe kjo vetëm në një familje. Po në gjithë Postribën? Nuk gjen penë që ta përshkruaj.                                          21 maj 1973. Në oborin e kampit të Spaçit kthehet Zef Pali i përgjakur nga goditjet e shkopinjve të gomës mbi trupin lakuriq. Atë e ndjekin një turmë hienash. Por grumbulli i të burgosurve u pret rrugën. Në mbrëmje dy persona i shoqërojnë në komandë. Kthehen të lidhur dhe shoqërohen në birucën e izolimit. Kërkohen dy të tjerë por turma nuk i dorëzon. Kështu fillon revolta e madhe e cila do të zgjaste tre dite dhe ku për të parën herë në historinë e kampeve të diktaturës atje do të valonte flamuri pa yllin e komunizmit i ngjyer me gjakun e të torturuarve dhe me zhgabën dykrenore të vizatuar nga i paharruari Mersin Vlashi. 39 makina me ushtarët e Korpusit të Burrelit, 3 autoblinda dhe 1 makinë gazi, të komanduara nga krimineli Fiçor Shehu, i cili më vonë do binte pre e vet  satërit komunist, bën që revolta të shtypej me gjak. Katër heronj të pushkatuar: Skënder Daja, Dervish Bejko, Hajri Pashaj dhe Zef Pali. Dhjetra të tjerë të ridënuar me burgime të rënda. Midis tyre autori i librit dhe bashkë me të edhe Sami Dangëllia, Mersin Vlashi, Luan Koka, Bedri dhe Caush Çoku, Gëzim Medolli, Gjergj Kadeli, Napolon Kaleci, Ylber Merdani, Demir Pojani e të tjerë.

Me mikun dhe shokun tim të klasës, Luan Kokën, autori ishte njohur në kampin e punës së detyruar në Skrofotinë. Qysh prej asaj dite u bën miq të ngushtë. Luani i tregoi historinë absurde të burgimit të tij. Kishte një kushëririn e tij të arratisur. Një natë të vitit 1960 ai kthehet fshehurazi në familje. Përqafon nënën dhe motrën dhe pasi çmallet për disa orë largohet për të kryer misionin e ngarkuar. Me vete mer disa fotografi të tyre dhe një revistë Hosteni që Luani e kishte lënë kur kishte qenë për vizitë te nëna e të arratisurit. Pas disa ditësh bie në pritën e sigurimit të shtetit dhe vritet. I gjejnë revistën Hosteni ku, në një cep, ishin shkruar inicialet L.K. Kjo mjaftoi që sigurimi të arrestonte Luanin dhe megjithse ai nuk pranoi kurrë që revista i përkiste atij, të dënohej me 15 vjet burg, dënim që iu shtua edhe me 25 të tjera pas revoltës së Spaçit. U lirua pas 29 vjetësh burg. U burgos në moshën 25 vjeç dhe u lirua në atë 54 vjeçare. Sot jeton i sëmurë, pa fëmijë dhe pa asnjë të ardhur tjetër përveç dy pensioneve, së bashku me bashkëshorten me të cilën u lidh pas lirimit nga burgu.                                                                 Përveç këtyre ngjarjeve të dhimbshme dhe reale në libër  pasqyrohen  edhe  çaste  të  tjera historike të ndodhura në tokën shqiptare siç janë masakra e tmerrshme e Cërrikut,  ku  mbetën  të djegur të gjallë nga bandat komuniste gjashtë gardistë në atë vit të zi 1997. Përshkruhen tetë vitet e asaj “anarkie të çmendur” të sundimit socialist pas “Revolucionit të vonuar” të Rexhep Qoses dhe skafet e drejtuar nga trafikantë dhe të mbushur me fatkeqë që në më të shumtin e rasteve gjenin vdekjen në ujrat e Adriatikut.             Të gjitha këto përshkruhen me një gjuhë dhe stil të sigurtë. Lexuesi duket sikur jeton me ngjarjet. Duke lexuar tregimet nëpërmjet përshkrimeve të holla të penës së tij, ndjen një dridhje në zemër. Këtë dridhje e ndjen sepse të duket sikur vazhdon të jetosh në atë botë të zymtë e mbuluar nga dimri i tmerrshëm i quajtur komunizëm. Duke parë gjuhën dhe stilin e sigurtë, të lind mendimi se ke të bësh me një autor të vërtetë.                                                                                                                   Duke lexuar veprën e Luan Burimit dhe ato të autorëve të tjerë si ai në zemër të lindin ndjenja të forta, ndjenja që të mbushin me krenari. Në zemrat e tyre ata ruajnë po ato ndjenja për të cilat u sakrifikuan. Në atë kohë ata nuk mendonin as për fron dhe as për pasuri. Ndjenja e tyre kryesore ishte “Për liri, për Shqipëri, për Flamurin Kuq e Zi!” Pikërisht kjo ndjenjë vazhdon edhe sot të vlojë në zemrat e tyre. Luan Burimi është i detyruar të jetojë larg atdheut të tij të shtrenjtë për të cilin e sakrifikua. Luan Koka jeton vetem me dy pensione të zakonshme. Si këta ka edhe qindra të tjerë. Por asnjëherë nuk iu është ndier zëri i tyre për këto çështje. Atyre iu vjen rëndë të venë në plan të parë kërkesa të tilla. Meraku kryesor i tyre është “A do të bëhet Shqipëria?”                                                                         Për këtë ata dhe të gjithë ne kërkojmë zbatimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë “Për zhdukjen e pasojave të regjimit komunist”. Në bazë të kësaj rezolute kërkojmë dënimin ligjor të diktatorit Enver Hoxha. Kërkojmë ligjin e lustracionit për të gjithë bashkëpuntorët e sigurimit dhe organeve të tjera të diktaturës. Kërkojmë rishikimin e historisë së vendit tonë dhe përpilimin e teksteve të reja shkollore të mbushura deri më sot me propagandën komuniste. Kërkojmë ngritjen e muzeve nëpër qëndrat kryesore të përndjekjes si në Tepelenë, Burrel dhe Spaç. Kërkojmë ndërtimin sa më parë të memorialit të viktimave të komunizmit në një nga sheshet kryesore të kryeqytetit. Së fundi kërkojmë ngritjen dhe financimin e një komisioni shtetëror për gjetjen dhe rivarrosjen e martirëve të rënë në luftën kundër komnuizmit.  Këto kërkesa i bëjmë sepse duam një Shqipëri të pastër dhe demokratike ashtu siç kemi ëndërruar dhe luftuar për dyzetegjashtë vjet me rradhë.

Duke përfunduar dhe duke u kthyer edhe nje herë tek libri i Luan Burimit natyrshëm të lind pyetja: Ku do të ishte vendi i tij sot, në rast se sundimi totalitar nuk do t’ia priste me shpatën e Damokleut dëshirën për jetuar i lirë? Përgjigjen kësaj pyetje, ju lutem, jepjani juve të nderuar lexues!

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Klithma, Luan Burimi, reshat kripa

“PËR KAUZËN KOMBËTARE, VEÇ M’BANI ZA, SE UNË JAM GATI“

November 15, 2012 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

 Dikur moti një hokatar mendjendritur mirditas, pos tjerash, kishte thënë: “Eh, mor vëllaçko, për të bërë “pordhë” në një ndejë a në një mexhlis, nuk mjafton vetëm të kesh prapanicë, por duhet të kesh edhe këllqe dhe guxim për ta “arsyetuar atë budallaki që e ke bërë”! Në vitet 60, kur unë dhe disa shokë të tjerë të klasës vijonim leksionet në vitin e tretë, kishim shumë “telashe” me një nxënës që quhej Pëllumb B., i cili sot e kësaj dite, njihet me nofkën “kandarxhiu”. (Ai (nuk) kishte po edhe sot, nuk ka hiç gjë të përbashkët me “tyxharët dhe tregtarët toptanxhinj”, që kur afrohet koha e mbylljes së pazarit, blejnë për pak para mallrat që kanë mbetur pa myshterinj). Ai shpesh, me rast e pa rast, me “kandarin e tij mental” mëtonte të maste heshtjen e akëcilit që qëndronte pranë tij, ose maste edhe të (pa) vërtetat, arrogancat, dëshpërimet, dufet patologjike të shqiptarëve dhe gabimet e përbashkëta të tyre, si dhe lavdet e njerëzve që sot nuk përmenden hiç fare. Nuk harronte të vinte në kandar çdo fjalë të shkruar e të pashkruar, çdo mendim qoftë të ishte i qartë, i gabuar a edhe i paragjykuar…, e vinte në kandar edhe historinë e ndasive shqiptare. Pasi i evidentonte faktet a provat e grumbulluara, ashtu me përpikmëri i redaktonte dhe i bashkëngjiste në “rabushin e tij”, sa për të mos i harruar. Në “kryeminderin e rabushit”, që moti i kishte vënë edhe nja tri, katër fjali, fjali këto për ne të mirënjohura, siç janë: “O sa mirë me qenë shqiptar…, Bac u kry! Rroftë Shqipëria e Madhe, pa ujë e pa rrymë ”e të tjera “thashetheme”!

          Ç’është e vërteta, i nderuar lexues, ky “kandarxhiu” edhe pas pesë dekadash, as që e ka ndërmend të mbyllë gojë e veshë. Një ditë më takoi në “udhëkryqin e tij” dhe ashtu me “dhunë ma preu rrugën”. Më sugjeroi që me vëmendje të duhur t’ia dëgjoj shpjegi-

min e tij lidhur me një mesele a një vaki. Më tha: …, eh, sa të lezetshëm jemi ne, shqiptarët, sidomos kur debatojmë (në vetën e parë), për atë prirjen tonë të brendshme për të pasur diçka që nuk e meritojmë…, për ato çrregullimet tona mentale, për narcizmin tonë politik, për udhëkryqet e historisë shqiptare…, për ca çështje tonat madhore të pazgjidhura, për çështje të paragjykuara, për çështje që na zvarriten ditë për ditë e njëra pas tjetrës, si ato gjarpërinjtë e varrezave të humbura…, për do çështje kombëtare, në veçanti për do festa të saj, të cilat i kremtojmë kuturu, gjegjësisht pa e ditur se në ç’kohë dhe në ç’vend duhet të ndodhin. Më duhej t’ia përgjysmoj fjalën, sepse e zgjati a e trashi tmerrësisht hyrjen e “muhabetit”. (mbase ngjashëm siç e stërzgjas edhe unë këtë paragraf gazete).

      Nejse, t’i biem shkurt këtij “muhabeti”! Ia parashtrova pyetjet: kush të futi në siklet, kush ishte ai qaraman e qerrata që ta përpiu, ta drodhi dhe ta bëri fjalën dysh dhe veresi!? Ma dha këtë përgjigje: “Para disa ditësh, ca biznesmenëve shqiptarë u parashtrova një kërkesë për  ndihmë materiale. Me këto lekë, kisha ndërmend që të shpirtëzoj një ide timen të kahershme…, gjegjësisht sa i përket gjallërimit të një date të shqiptarisë. (nuk e kuptova dot, se për cilën “shqiptari” e kishte fjalën, për të djeshmen apo për “shqiptarinë” e sotme). Çuditërisht, në kohë të caktuar disa prej “punëdhënësve”, më dhanë përgjigje nga më të ndryshmet. Njëri prej tyre, “hazërxhevapin” e kishte të paqartë, tjetri e kishte në xhepin e xhupit të qëndisur “alla katundarçe”, tjetri përgjigjen e bëri tërkuzë, tek ai që nuk besoja se nuk do na jepte hiç gjë, na dha më shumë lekë, se ç’na duhej, njëri na dha përgjigjen: nuk japim lëmoshë (nuk kërkoja lëmoshë), një tjetër më tha: kërkesa juaj nuk kaloi në komisionin ekonomik të ndërmarrjes që ju drejtuat…, një tjetër na tha se kërkesa juaj nuk u mor në konsideratë, e të tjera përgjigje (jo) meritore!

       Pëllumb “kandarxhiut” më duhej t’i them se është e drejta e çdonjërit të të ndihmojë apo mos të të ndihmojë. Ato lekë janë pjellë e djersës së tyre dhe, rrjedhimisht, akëcili prej nesh kur shtrin dorën për mbështetje materiale, parimisht nuk ka të drejtë të hidhërohet. Pëllumb “kandarxhiut” i thashë se assesi nuk ka të drejtë të zemërohet  me “zemërngushtësinë mikroborgjeze” të ca biznesmenëve, përkundrazi, mund ta shqetësojë vetëm cinizmi i tyre. Me këtë “gjysmë sentencë” timen, sikur u pajtua bashkëbiseduesi, por nuk ra dakord me pyetjen që ia kishte parashtruar “një taze biznesmen” (me kombësi shqiptare), e cila përafërsisht tingëllonte: “…, po më thuaj ti, gjynahqar e lëmoshëtar, vallë a nuk kanë të sosur këto festat “E TUA” kombëtare, ç’janë këta 100-vjetorë, ç’janë këta flamuj e këta Ismail Qemala, e të tjera festa e festivale folklorike, konferenca, kongrese (“manastiresh”) akademi shkencore, mbrëmje përkujtimore, manifestime politike e artistike…, ç’janë këto Shtatë a Tetë Mars, ç’janë këta Kurban Bajrama, ç’janë këto donacione a ndihma humanitare, ç’janë këta përvjetorë dedikuar Skënderbeut, a edhe asaj Nëne të përbotshme, ç’janë këta përvjetorë kushtuar dëshmorëve të 2001-it e të tjera broçkulla!??? ” E gjithë kjo, te Pëllumbi, kishte krijuar përshtypjen kinse ky “biznesmen” dorërrudhur, (paraprakisht) i paskësh mbështetur (materialisht) të gjitha këto manifestime, kinse ky farë burri paskësh “b…ë për t’i bërë pordhë”. Historisë së Ismail Qemal Bej Vlorës dhe 100-vjetorit të mëvetësimit të shtetit të tij. Nuk “doja t’i besoja” shokut të klasës, për meselenë që ma shpjegoi, andaj edhe nuk i thashë: qofsh i gabuar, për këto shpjegimet e tua. Unë, shpreh bindjen se ky biznesmen, ka të ndërtuar një dallim të madh material ndërmjet njerëzve dhe një diferencë të tillë morale.

       Që “…, mos t’i hyjmë në hak këtij biçim qyqari që zemrën e ka të ngarkuar me një furgon urrejtjesh” dhe i cili me kësi “mut pyetjesh” dhe me kësi marrëzirash të zakonshme vetëm për të…, do t’ia shtojmë atë thënien e Fan Stilijan Nolit: “Bishti i qenit, bisht qeni mbetet. Nuk ka shkencë që e ndreq. Madje as varr”!…, apo edhe ajo mesele për punën e gomarit: “Hall ta lësh pa ujë se e ngordh, hall t’i japësh shumë se e mbyt, hall t’i japësh të ftohtë se e ftoh, hall t’i japësh të ngrohtë se e…,”! Pëllumb “kandarxhiu” aq shumë qe i dalldisur me meselenë a vakinë, me të cilën ishte ballafaquar, më propozoi që këtë “muhabet” ta vazhdojmë në “mejhanen” e tij të preferuar, diku te mëhalla e “tabakëve”, aty ku tubohen “hallallët”, të cilët i “kanë dalë shtëpisë nga pas”, siç do të thotë, gjyshi, Ilir kosovari. Ai priste edhe përgjigje të tjera nga unë, por nuk ia dhashë, nga “frika” se mos vallë po ia ngarkoj edhe më shumë shqetësimin dhe, në fund, të mos ia “shtrembëroj” krejt ato llafe që m’i “plasi në fytyrë”!?  

      Që nuk më gënjeu, jam i ndërgjegjshëm këmbë e krye, që nuk ma trullosi rradaken, edhe këtë e di, që nuk më bezdisi, edhe këtë e di…, por ama se ku e gjeta durimin ta dëgjoj, veç shpirti im e di. Një gjë nuk e kuptova Pëllumb “kandarxhiun”, pse i kishte ardhur majë hunde “tahmahqarllëku” i njerëzve, që hiç nuk u ha palla për “romantiz-

min, utopinë dhe folk-patriotizmin ” e tij dhe shqiptarëve të tjerë të tillë si ai. Ikëm nga “mejhaneja” duke mos i vënë kapak bisedës, njashtu siç shqiptarët edhe në vigjilje të 100-vjetorit nuk do t’i zgjidhin do çështje të rëndësishme. Fatura na ngeli pa paguar, sepse kamerieri ishte bërë “dërrasë”, dhe ne, “pakëz tapë”!

 P.S. Urime 100 vjet mëvetësi!

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, Kauza Kombetare, opinion

REPLIKE ME Z. PANAJOT BARKEN

November 15, 2012 by dgreca

Greqia në sulm për aneksimin e jugut të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria në mbrojtje të vetvetes së saj/

Nga Arben LLALLA/

FOTO: Nacionalistët grek, midis tyre prof. Panajot Barka, Harallambis Karathanos. Siç shihet z.Barka është pranë flamurit të vorioepiriot…/

 

Më 14 nëntor profesori i Katedrës së gjuhës greke në Universitetin e Gjirokastrës prof.dr.Panajot Barka botoj një shkrim me titull: “Nacionalizmi, antihelenizmi dhe antishqiptarizmi”, ku ngre shqetësimet e tij rreth nacionalizmit të “brishtë” grek dhe të nacionalizmit të “frikshëm” shqiptar. Që në fillim të shkrimit të tij z.Barka nuk është i sinqertë dhe real, ai në mes rreshtave shfaq ndjenjat e tij të djathta nacionaliste greke duke bërë krahasime të padrejta midis respektimit për ushtarët anglez të vrarë në Shqipëri dhe mosrespektim për ushtarët grek të vrarë në luftën italo-greke 1941 nga ana e përfaqësuesve të shtetit shqiptar. Panajot Braka e di shumë mirë që nuk mund të respektohen pushtuesit ashtu siç respektohen çlirimtarët, dua ti rikujtoj se vërtet ishte luftë italo-greke ajo e 1941, por Republika Greke ende nxjerr kartonin e kuq të Ligjit të Luftës me Shqipërinë kur duhet ti bëj presion shtetit shqiptar dhe imponuar politikën greke. Panajot Barka e di shumë mirë se ushtarët grek nëpër librat e historisë së Greqisë dhe në aktivitet e përkujtimit paraqiten si çlirimtarë të Vorio Epitir, dhe ekziston një betim për ushtarët grek të cilët duhet të luftojnë për çlirimin e motrës Vorio Epiriote.

Megjithatë dua ti rikujtoj z.Barka dhe atyre që punojnë nëntokës kundër interesave të Shqipërisë se përfaqësuesit të shtetit shqiptar gjithnjë i kanë respektuar ushtarët grek të vrarë në Shqipëri në luftën e 1941, por z.Panajot nuk dëshiroj të thotë të vërtetën, ai si gjithnjë shkruan me penën e tij për të nxitur nacionalizmin grek brenda territorit të Shqipërisë. Unë i rikujtoj z.Barka se më 28 nëntorë 2011, në fshatin Bularat ishin të pranishëm për respektuar ushtarët grek Prefektja e Gjirokastrës znj.Mimoza Çomo, anëtare e PD, kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës z.Flamur Bibe i PS, ministri Spiro Ksera si dhe deputet të cilët nuk përfaqësojnë minoritetin grek, por votuesit shqiptar të LSI dhe PD, Vangjel Tavo dhe Kosta Barka. Këta përfaqësues të shtetit shqiptar të pranishëm z.Barka nuk ju mjaftojnë? Mos harroni se pa lejen e shtetit shqiptar këta nuk do ishin të pranishëm në atë ceremoni, nuk do të merrnin pjesë për të respektuar ushtarët grek të 1941.

Sa për ironinë që bëni ju z.Panajot Barka se shqiptarët janë nacionalistë ekstremistë dhe grekët nacionalistë të izoluar, unë ju rikujtoj se deri më sot asnjë deputet apo përfaqësues i shtetit shqiptar nuk ka guxuar që brenda territorit të Greqisë të çirret apo të bërtasë për autonominë e Çamërisë dhe çlirimin e saj, gjë që ne jemi mësuar ta shohim edhe të dëgjojmë britma dhe çierrje nga deputet dhe përfaqësuesit e shtetit grek brenda territorit të Shqipërisë për autonomi dhe çlirim të Vorio Epirit sa herë që ju kujtohet atyre apo kur vijnë për kafe në fshatrat e Dropullit.

Ju rikujtoj i nderuar profesor se sot në Kuvendin e Greqisë janë rreth 20 deputet që zyrtarisht i përkasin grupit me ideologji naziste, ideologjisë që shfarosi miliona njerëz gjatë Luftës së Dytë Botërore. Të mos harrojmë se më 10 prill 1994 një grup terrorist grek me emrin Fronti për Çlirimin e Vorioepirit (MAVI) hyn në territorin e Shqipërisë dhe vret ushtarin Arsen Gjinin dhe kapitenin Fatmir Shehu. Për fat të keq njerëzit që ndihmuan në këtë masakër lëvizin lirshëm në Shqipëri dhe Greqia, bile njeri është shtetas i Shqipërisë.

Më 21 gusht të 1994 piloti grek Kosta Vrakas me avionin e tij hodhi fletushka antishqiptare në territorin e Republikës së Shqipërisë. Në fletushka u bëhej thirrje popullit shqiptar për t’u ngritur në protesta për të larguar nga pushteti Kryetarin e Shqipërisë Sali Berishën dhe kryeministrin Aleksandër Meksin.

          Profesor Baraka ju ku bëni pjesë tek ata që ngrenë Flamurin e Vorio Epirit apo tek ata që ngrenë flamurin e miqësisë dhe paqes midis Shqipërisë dhe Greqisë? Ju z.Barka jeni i dëshmuar tashmë se mbani në duar lart flamurin e aneksimit të jugut të Shqipërisë, ndërsa ne asnjëherë nuk kemi guxuar të ngremë flamurin e aneksimit të Çamërisë. Shqipëria njeh dhe respekton të drejtat e njeriut, të drejtat e minoritetit tuaj grek, ndërsa Greqia edhe pse ka firmosur që njeh minoritetin shqiptar, ajo ndër vite me dhunë dhe presione ka dëbuar dhe asimiluar minoritetin shqiptar, ku ndër kohë Greqia ka njohur zyrtarisht minoritetin sllavë në Follorinë.

Në vitin 2003 organizatat greke përpiluan një raport për historinë e Vorio Epirit dhe gjendjen e minoritetit, të drejtat e tyre etj. Raporti në fjalë është rreth 86 faqesh dhe fillon me historinë e themelimit të shtetit shqiptar, protokollin e Korfuzit.

Në fund raporti mbyllet me emrat e të gjithë minoritarëve grek që kanë probleme me të drejtën e pronave në qytetin e Sarandës. Për çdo informatë rreth këtij raporti janë lënë emrat dhe telefonat e disa intelektualëve minoritar që njihen si drejtues të disa shoqatave që luftojnë për aneksimin e jugut të Shqipërisë si Panajoti Lezos, ish sekretar i shoqatës Vorio Epirit , Panajot Barka, profesor në Universitetin E.Çabej në Gjirokastër, Harrallambos Karathanos, anëtar i partisë LAOS, ndërsa sot iND, A. Soku, K. Saferatis

Mos ti kthehemi të shkuarës sepse shumë padrejtësi kombi juaj i ka bërë kombit tim shqiptar.Unë personalisht z.Barka kam shumë miq e shok në Greqi, e respektojë popullin grek, por nuk mund të lejoj askënd të injorojë, të shpifë apo të hedhë baltë mbi kombin që i përkas, nuk ju lejoj as juve që ne ju kemi shkolluar dhe edukuar kam mirë. Ju lutemi ndaleni ironin tuaj në shkrimet që shkruani sepse shumë mirë e dimë se çfarë doni të thonë dhe çfarë mesazhi përcillni. Ju nuk jeni i sinqertë me shqiptarët dhe lexuesit e medieve shqipe, ju duhet të thoni të vërtetën, të pranoni se jeni përpiluesi i disa Raporteve shpifëse ndaj Shqipërisë dhe këto Raporti i dërgonin në BE dhe NATO.

Në përfundim z.Panajot Barka ju nuk përdorin argumenta sepse argumenta nuk kenë, por vetëm përdorin akuza politike. Kjo është metodë klasike për tu mbyllur gojën atyre që thonë të vërtetën.

 

Propaganda për “Autonominë e Vorioepirit“ e pas vitit 1990

 

Shteti grek nga frika e vërtetë për problemin e pasurive të Çamëve, rikthimin me të drejtë në tokat dhe pronat e baballarëve të tyre, nxit njerëz të ndryshëm për tu grupuar në shoqata me ide për autonomi në jug të Shqipërisë ose siç u pëlqen Autonomi të Vorio Epirit. Shoqatat për autonomi të vorio epirit mbështeten fuqishëm zyrtarisht nga shteti grek. Që nga viti 1918 në Selanik funksionon zyra e shoqatës Vorioepiriote. Mbas viteve 1990 u themeluan shoqatat e “Vorioepiriotëve të Gjirokastrës-Sarandës-Delvinës”, shoqata e “Çobenjëve grek vorioepiriot nga Shqipëri”, e cila u themelua dhe u drejtua nga vëllezërit e ish-deputetit Kristo Goxhit. Këto shoqata ishin shumë aktive në drejtim të propagandës për autonomi të Vorioepirit. Shoqata e Mihal Goxhit zhvillonte aktivitete kulturore nëpër malet e Korçës për autonomi të “VORIOEPIRIT”, për ta flitet se kanë ngritur në vitin 1997-1998 flamurin grek në Korçë. Drejtuesit e këtyre shoqatave dolën hapur kundër shqiptarëve të Shqipërisë në periudhën e vështirë të luftës në Kosovë në vitet 1998-1999. Kur populli shqiptar i Kosovës vritej dhe digjej i gjallë dhe opinioni mbarë botëror përkrahte dhe ndihmonte popullin e shkelur të Kosovës, shoqatat e minoritetit grek me ideologji për aneksimin e jugut të Shqipërisë protestonin duke gjuajtur me gurë dhe vezë mbi Konsullatën e Përgjithshme Shqiptare në Selanik, duke kërkuar autonominë e të ashtuquajturit “Vorioepir”. Grekofonët dhe grekofilët dolën nëpër ekranet televizive greke duke akuzuar UÇK-në si organizatë terroriste, ato dolën hapur në përkrahje të ushtrisë barbare serbe të Millosheviçit. Nuk lanë gjë pa thënë kundër shqiptarëve dhe Shqipërisë, duke dhënë intervista nëpër gazetat e ndryshme greke dhe në revistat që botonin organizatat e minoritarëve grek. Kështu, revista e minoritarëve në Gjirokastrër “OAZI” e dhjetorit 1998, -janar 1999 që botohej në dy gjuhë greqisht-shqip botonte një shkrim keqinformues, një shkrim keqdashës që që i shërben urrejtjes dhe injorimit të kulturës shqiptare. Shkrimi kishte titull “Pozicioni i Shqipërisë dhe i shqiptarëve në Ballkan” i autorit minoritar Pavllo Vllahos i cili na sjell opinionin e tij për shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë. Ku shkruante: “Shqiptarët e Kosovës, por edhe të Shqipërisë guxuan të vënë dorë në djepin e kulturës serbe, në vendlindjen e heronjve popullorë të princave”. Ky minoritar na dilte atë periudhë mbrojtës i çështjes shoviniste të serbëve të Millosheviçit. Deklarime kundër shqiptarëve të Kosovës atë kohë kishte edhe nga organizata e “OMONIA-s” të cilët deklaronin se refugjatët e luftës të Kosovës nuk duhet të strehohen në qytetet e Jugut të Shqipërisë si: në Vlorë, Korçë, Gjirokastër, Sarandë Ersekë, Pogradec, Tepelenë. Pra, grekët, minoritarët grek u tregonin në vitin 1999 se deri ku guxojnë të vendosen shqiptarët e Shqipërisë së vërtetë, se ku duhet të strehoheshin njerëzit e ardhur nga lufta, të tmerruar nga krimet çnjerëzore të kryera nga ushtarët serbë të Millosheviçit.

Në vitin 2002 nëpër rrugët e Selanikut shoqatat “Vorioepirote” shpërndanin fletushka kundër Shqipërisë dhe kërkonin ndërhyrjen e NATO-s për të “shpëtuar” rreth 80 mijë minoritar grek që jetojnë nëpër disa fshatra të Sarandës, Gjirokastrës nga gjoja “terrori” që ushtrojnë shqiptarët kundër tyre.

          Sot populli shqiptar dhe ai grek ndodhen politikisht shumë larg njëri-tjetrit. Lufta e Kosovës dhe mos njohja e pavarësisë së saj nga Greqia tregon se grekët janë besnik, avokat të politikës raciste serbe, janë në anën e kundërshtarëve të kombit shqiptar. Teoria sipas të cilës “mërgimtarët shqiptarë në Greqi dhe minoriteti grek që jeton në Shqipëri janë urë lidhëse midis dy vendeve” bie poshtë si e pa vërtetë. Mërgimtarët shqiptarë janë pengje, urë e minuar që shpërthen sa herë që Tirana nuk i bindet Athinës, kur kjo e fundit me “fshesat e veta periodike të hekurta” kthen me forcë në heshtje ose me bujë mijëra njerëz të halleve, njerëz të bukës ës gojës që nuk merren me politikë. Sa herë që Shqipëria do të kërkojë të drejtat e mërgimtarëve në Greqi të drejtat e çamëve, ngritjen në Forumet dhe Asambletë botërore për zgjidhjen e drejtë të çështjes Çame, atëherë Greqia me satelitët e saj minoritar do të kërkojnë autonomi të “Vorio Epirit”. Nga pikëpamja numerike Greqia është një komb i vogël i krahasueshmëm me shqiptarët në Ballkan, ndërsa progresionet demografike të çojnë në përfundimin se në mesin e shekullit 21 do ketë më shumë shqiptar se grekë.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Panajot Barka, Vorio-Epiri

MALËSI E MADHE, O NDERI I KOMBIT

November 14, 2012 by dgreca

Nga Frank Shkreli/

Njoftohet se Presidenti i Republikës së Shqipërisë zoti Bujar Nishani ka vendosur të dekorojë Malësinë e Madhe me titullin ”Nderi i Kombit”. Pritet që Presidenti Nishani të zhvillojë cermoninë e dorëzimit të titullit, “Nderi i Kombit” Malësisë së Madhe më 25 Nëntor, pak ditë para Festës së Madhe të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, për të cilën trevat e Malësisë së Madhe , kësaj kalaje të patundur të Arbërit ndër shekuj — kanë dhënë një kontribut të çmueshëm dhe historik.   Është e drejtë historike dhe morale që Presidenti Nishani njeh meritën dhe kontributin e malësorëve, të cilët me ndihmën e Ismail Qemalit, Luigj Gurakuqit, dhe patriotëve të tjerë, përpiluan memorandumin me 12 pika, të ashtuquajturin ”Libër i Kuq”, e i cili përfshinte kërkesat e të gjithë shqiptarëve, ndër të tjera, për vet administrim, me gjuhë, buxhet dhe guvernator të vetin.   Memorandumi, që në atë kohë bëri jehonë të madhe anë e mbanë Evropës, përfaqësonte kërkesat e të gjithë shqiptarëve.   Në një gazetë  të kohës Kolnische Zeitung, cituar në librin Kosova të Jusuf  Buzhovit në artikullin, ‘’Shqiptarët dhe Evropa’’  thuhet se ‘’Malësorët e fiseve shqiptare të Grudës, Hotit, Kastratit, Kucit dhe të Shkrelit nuk i lëshojnë armët prej dore dhe më me dëshirë vdesin për çështjen e tyre të shëjntë se sa të jetojnë në robëri.’’

Sipas revistës Leka të vitit 1937, nënshkruesit malësorë të këtij memorandumi ishin: Sokol Baci i Grudës, Ded Gjon Luli i Traboinit të Hotit, Dedë Nika Bajraktar i Grudës; Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit; Tomë Nika i Shkrelit, Col Dedi i Selcës Këlmendit; Lul Rrapuka i Vuklit të Këlmendit; Llesh Gjergji, Bajraktar i Nikçit; Gjeto Marku i Hotit; Mehmet Shpendi, i pari i Djelmënisë së Shalës; Martin Preka i Shkrelit; Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi Toplanas; Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia.

Këta ishin prijësit heroikë të malësorëve trima, këtyre rojtarëve të fateve të kombit shqiptar ndër shekuj, që sipas Ismail Qemalit ”ishin pushkë të ngrehura të Shqipërisë”, të cilëve gjatë asaj periudhe kritike për shpëtimin e kombit shqiptar nga copëtimi, iu bashkangjitën në Podgoricë edhe mendjendriturit e atëhershëm të kombit shqiptar, Ismail Qemali, Ekrem Vlora, Luigj Gurakuqi, Fadil Pashë Toptani, Pandeli Cale, Qazim Kokoshi, Hamit Bej Toptani, Risto Siliqi, Xhemal Kondi, Hil Mosi, Mark Kakarriqi e të tjerë.   Ishte ndoshta hera e parë, ç’prej Lidhjes së Prizrenit, që kryengritja e malësorve kishte përkrahjen e të gjithëve, gjë që i jepte asaj edhe një frymë pjekurie kombëtare që do ta çonte Shqipërinë në pavarësinë e saj.   Më 24 Mars 1911, malësorët trima, me kryengritjen e tyre hodhën hapin vendimtar drejtë lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, megjithëse e copëtuar, e pasuar nga kryengritja e Kosovës më 1912, e prirë nga Bajram Curri, Hasan Prishtina dhe Isa Boletini, duke kurorëzuar kështu një mori kryengritjesh të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të tij  kundër robërisë shekullore otomane.

Si një mërgimtar me origjinë nga ato treva, falenderoj Presidentin e Republikës  për akordimin e titullit ”Nderi i Kombit”, Malësisë së Madhe me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në këtë ditë të shënjtë të kombit shqiptar.   Ky përvjetor, le të festohet në trekëndshin shqiptar: Tiranë-Prishtinë-Shkup, si një festë mbarë-kombëtare në të gjitha trevat, përfshirë edhe Malësinë e Madhe, duke shënuar një moment historik të kombit, kur shqiptarët janë më të lirë se asnjëherë tjetër në historinë e tyre, kurë me fatin e tyre nuk luan më as sllavi as greku e as edhe Evropa shtrigë — dhe kur kombi shqiptar është duke luajtur rolin që i përket atij për ruajtjen e paqës dhe të stabilitetit në Balkan, ndërkohë qe ëndërra e rilindasve të kombit shqiptar, që Shqipëria e natyrshme të jetë pjesë e pandarë e botës përendimore ështe në prag të realizimit.

Le të shpresojmë qe brezat e sotëm shqiptarë të jenë bartës të denjë të vuajtjeve, sakrificave dhe luftërave të malësorëve dhe të gjithë shqiptarëve gjatë historisë, duke jetuar sipas trinomit në bazë të cilit jetonin dhe vepronin malësorët tanë, e që janë besa, nderi e burrënia, të bindur se këto vlera bazë të përmblidhej udhëzimi i drejtë për një jetesë të ndershme e të kënaqshme për të gjithë kombin.   Me gjith lirinë që gëzojnë sot shqiptarët   pas aq shumë vjetë mohim lirie dhe nepërkëmbje të të drejtave bazë të tyre — së bashku të gjithë festojmë këte ditë shënjte — të mirëfilltë se liria dhe shpëtimi i vërtetë i kombit vjen nga njohja e vlerave të këtij trinomi dhe të traditës frytdhënse të historisë tonë kombëtare, të pastruara nga ideologjitë dhe influencat e huaja.

Duke uruar Malësinë e Madhe për nderimin që i bën Kombi në këtë përvjetor, dhe të gjithë shqiptarët për këtë jubile historik, shpresoj dhe lutem  që liria që gëzojnë sot shqiptarët, të çojë në një përmirësim të gjithanëshëm të jetës politike dhe ekonomike si dhe në një diskurs më të denjë politik dhe në një jetë më të lumtur dhe më të begatshme për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Frank shkreli, malesia e Madhe, nder I Kombit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 859
  • 860
  • 861
  • 862
  • 863
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT