• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROVINCIALI

December 29, 2013 by dgreca

tregim nga Teodor Keko/

Ferit Ferra lindi një ditë të acartë dhjetori pranë oxhakut me një lopë te koka, gjithashtu mbarsur rëndë, në vend të mamisë. E para, që e lëpiu, ishte lopa, e cila e vështronte pa nxjerrë tingull me sytë e saj të mëdhej gjysmë të fikur, duke menduar ndoshta mundimet, që do të hiqte ajo vetë pak më vonë. Nuk kishte telefon në fshatin e thellë të ngritur kush e di pse rrëzë shpateve të thikta të Tomorrit, siç nuk ka ende as sot, e as bëhet fjalë të merrje rrugën deri në qendrën e kooperativës, ku ndodhej e vetmja mami e zonës: dëbora pat mbuluar edhe dritaret e kateve të dyta të shtëpive me gurë e rrasa.

Me të mbaruar punë me foshnjën e porsalerë, nëna e tij u detyrua të ngrihej prapë, sepse i erdhi rradha lopës për të lindur. Ajo polli viç të bukur mashkull, të cilin e therën pas një viti plot dhe e varën në çengel në bodrumin e ftohtë.

Feriti u rrit si gjithë fëmijët e tjerë të zonës, duke vrapuar pas kafshëve të shtëpisë e zogjve të pyllit, deri sa u bë për shkollë. Në fillim në fshat, pastaj në qendër të zonës, dy orë larg më këmbë, ai mbaroi klasën e tetë shkëlqyeshëm. Pak nga kjo arsye e shumë, sepse familja e tij i kishte nja dy miq në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, atij i dhanë një bursë për të vazhduar politeknikumin në Tiranë për elektronikë dhe kështu fëmija, që kishte filluar të hidhte shtat e të bëhej një djalë balash, u nis me një boçe plaçka për në kasaba, siç shpreheshin pleqtë e fshatit.

Pa kapërcyer mirë qafën mbi fshat, ai u betua me vete, se nuk do të kthehej më në humbëtirën që po linte pas, ndërsa puna e dytë, që bëri, ishte gënjeshtra e thënë shokëve të rinj të konviktit, se ai vërtetë e kishte emrin Ferit, por nga koha e fëmijërisë e patën thirrur të gjithë Riti. Kështu e ndërroi emrin shpejt e shpejt.

Në shkollë ai mësoi ditë e natë dhe, pa mbaruar ende vitin e parë, u bë një teknik i shkëlqyer për riparime radiosh e televizorësh. Shkathtësia dhe talenti i tij i ra në sy profesorit të Ritit, një mjeshtër në këtë fushë, që kishte aq shumë kërkesë për njerëzit, sa nuk ia dilte dot vetëm, dhe ai, pasi njohu dëshirën e djalit për të mos u kthyer në fshat gjatë pushimeve verore, e pajtoi në punë në dyqanin e tij me një rrogë të mirë. Kaq i zellshëm u tregua Riti, sa profesori vendosi t’ia japë rrogën në vazhdimësi, pasi me këtë ndihmës ilegal ai jo vetëm kishte tani shumë më pak punë, por edhe fitonte shumë më tepër lek.

Kjo histori vazhdoi gjatë të katër viteve në shkollën teknike dhe Riti ia doli të pranohet në Universitet për elektronikë, sigurisht i ndihmuar nga rezultatet e shkëlqyera dhe klientët e tij të profesorit. Atë vit, kur filloi studimet e larta, i vdiq babai, por ai nuk shkoi as në varrim e as për ngushëllim. I mbushi mendjen vetes, se rrugët qenë të zëna nga dëbora, ndërkohë që lajmin e kobshëm nuk ia tregoi askujt.

Pa hequr dorë nga riparimi i televizorëve, ai ia mori dorën shpejt edhe kompjuterave dhe, pa mbaruar vitin e parë të studimeve, siguroi një punë me kontratë në PTT-në qëndrore të asaj kohe. Lekë kishte pa hesap e shoqet nuk i mungonin, se ai nuk kishte turp e shtinte me çifte, duke ia kërkuar kujdo që i dilte përpara, e duke mos u fyer asnjëherë nga refuzimet, por Riti sërisht nuk ndjehej i kënaqur. E kuptonte se vajzat e Tiranës, pavarësisht se ai i kishte futur në shtrat e i pat trajtuar në mënyrë të shkëlqyer, i largoheshin, sapo merrnin vesh nga ç’fshat i humbur vinte. Pikërisht, kur ai po vriste mendjen, se si mund ta fshihte origjinën e tij, siç kishte fshehur emrin e vërtetë dikur, plasi revolta e studentëve dhe Riti e preu me mendje, se nuk duhej ta humbte këtë shans, pavarësisht se ai e kishte pasur gjithmonë xhepin plot dhe i lutej përnatë Allahut ta trajtonte në këtë mënyrë gjithë jetën. Ai punonte mirë me bërryla, deri sa doli në ballë të lëvizjes studentore, firmosi me ngut anëtarësinë e 300 themeluesve të një parite opozitare dhe, sa shihte ndonjë kamera televizive përreth, do bënte çmos t’i dilte portreti në ekran.

Ai donte të bëhej deputet dhe bëri maksimumin, që partia ta vlerësonte, mirëpo kjo përçarje e madhe nuk i eci. Për këto lodra ai ishte akoma amator. Atëherë ai bëri sikur u ofendua, bërtiti koridoreve të partisë e tavolinave të kafeneve, se atë nuk e donin, nga që ishte antikomunist i vërtetë, dhe dha dorëheqjen nga partia.

Një vit më pas Riti përfundoi studimet e larta dhe menjëherë, me të gjitha lekët e mbledhura nga puna gati tetëvjeçare, jo pak për atë kohë, themeloi një firmë private me destinancon import kompjuterash e riparim të këtyre pajisjeve. Ai mblodhi disa lekë borxh me përqindje dhe puna filloi t’i ecë mirë, se kërkesa kishte boll e ai dinte t’i gllabëronte fondet shtetërore për këtë punë, duke ua mbushur mirë xhepat nëpunësve të shtetit, por, megjithëse kontua e tij bankare ishte majmur tamam, ai prapë ndihej i pakënaqur: e nuhaste se qytetarët nuk ia hapnin derën e nuk e afronin, sapo merrnin vesh origjinën e tij. Atëherë ai vendosi të ndryshonte kurs! U afrua te një parti e majtë, shumë e dobësuar me elektorat atë kohë, financoi pa kursim disa aktivitete të tyre dhe, kur ata i afruan teserën e partisë së tyre, ai e pranoi, por me një kusht: në zgjedhjet e ardhshme donte ta seleksionin si kandidat për deputet. Funksionarët e partisë, që ai i mbante me bukë e me lek, e ndihmuan dhe kontrata u firmos! Riti zgjodhi si zonë, ku do të kandidonte, një krahinë në Jug të Shqipërisë dhe, pasi seleksionoi një staf të mirë me njerëz të njohur të asaj treve, ia nisi ca investimeve të vogla, por që po i jepnin emër e po e bënin figurë popullore. Ai çoi në krahinë një makinë funeralesh e një autobuz në dispozicion të komunës dhe kaq mjaftoi, që atë ta uronin të gjithë vendasit. Ishte i bindur se mjaftonin dy ndere, ta bëje fshatarin mik me kokë: ta çosh si njeri në kasaba e në varr! Të tjerat, filozofonte ai, ia jep toka dhe lopa….

Atë ditë, që ai mbushi 25 vjeç, organizoi një darkë madhështore në Plazhin e Durrësit me miqtë e tij. Atje njohu një vajzë zeshkane, me një trup të bukur e sy ekspresivë, studente në juridik, me një emër të çuditshëm për shqiptarët: Sindi! Pasi e ngrohu disi bisedën me tjetrën, ai mori vesh se edhe ajo kishte lindur në një fshat në këmbët e Tomorrit, jo shumë larg fshatit të tij. Atëherë Ritit diçka iu kujtua dhe e pyeti tjetrën menjëherë fare hapur, se si e kishte emrin e vërtetë. Tjetra u skuq, hezitoi një hop, pastaj mërmëriti: Sindikata!…Por shoqet nuk e dinë, shtoi.

Riti e ngushëlloi, duke i treguar, se edhe ai kishte të njëjtën histori me emrin. Kjo koiçidencë i afroi çuditërisht menjëherë! Pa u mbushur java nga njohja e tyre, ata u bashkuan në shtrat dhe zjarri i asaj vajze të ardhur nga provinca e habiti Ritin. Ajo e bënte me një pasion artisti atë punë dhe, pasi ta kishe provuar një herë seksin e saj, edhe sikur ta urreje, mbeteshe skllav i asaj femre! Riti iu fut thjesht një aventure me Sindin, pasi ai e kishte ndarë mendjen të martohej me ndonjë vajzë nga familjet e njohura të kryeqytetit, por shumë shpejt e ndjeu se nuk ndahej dot nga tjetra. Veç kënaqësisë, që Sindi i afronte në shtrat, ai e kuptoi, se sa herë shfaqej në publik me atë femër, ndodhej menjëherë, si me magji, në qendër të vëmendjes të të pranishmëve. Tani edhe lobi i dashamirësve të tij në parti po zgjerohej dhe Sindi kishte shumë dorë në këtë punë, pasi partiakët e lartë, sapo e shihnin figurën e saj, fillonin të lëngëzoheshin. Riti nuk e kuptoi kurrë, se deri në çfarë mase i afroi ajo figurat e partisë, por fakti, që disa patriakë të kuq filluan të bëjnë be për kokën e Ritit dhe ta paraqisin figurën e tij, si figurën model të të majtit evropian, linte shumë për të dyshuar.

Një mbrëmje vonë, pasi kishin bërë një seks të harbuar, meqë të dy ishin euforikë nga pija, ai mori guximin dhe e pyeti Sindin për marrëdhëniet e saj me disa emra të njohur të majtësh.

Tjetra e pa gjatë, pastaj ia ktheu e bezdisur:

-E ç’të duhet ty?! Këto janë probleme të mijat! Ti, sa kohë të jesh me mua, ata do të të mbështesin dhe fjala jote do të jetë ligj!…

-Po sikur unë të dua të martohem me ty? – e pyeti befas Riti.

Atëherë ai mori përgjigjen më të papritur për të:

-Ah, këtë gjë duhet ta mendoj njëherë! – ia ktheu ajo pa as më të voglin emocion, në një kohë, që femrat e tjera provinciale, me të cilat ai kishte pasur të bënte, do të hanin çarçafët me dhëmbë nga gëzimi e do t’i kthenin sakaq ata tabakë pëlhurë gjashtë metra katrorë në fasho për pacientët e kirurgjive!

Riti u ndje për herë të parë, pas shumë e shumë vitesh, i nënshtruar. Nuk bënte dot pa këtë femër dhe largimi i saj do të ishte i barabartë me falimentimin total!

-Po mirë, mendohu, të lutem! – i ra nën këmbë ai dhe Sindi ia ktheu se do të mendohej, por nuk donte t’’a vinte litarin në fyt. Për atë, marrja e këtij vendimi, duhej menduar mirë, pasi këtu nuk bëhej fjalë për një aventurë kalimtare.

Pavarësisht se ata vazhdonin të bashkëpunonin rregullisht, Sindi e mbajti në hava tjetrin nja gjashtë muaj. Ajo tani e bënte edhe më mirë e më pacipërisht atë punë në shtrat dhe ai e lëshoi dorën e nisi ta mbushë me dhurata të shtrenjta e lekë, deri sa një ditë nuk duroi dot, me gjithë betimin e marrë me vete, dhe ia kujtoi propozimin e asaj nate.

-Mirë jemi edhe kështu, – ia ktheu qetësisht ajo, – martesa mund të na krijojë probleme, sepse, ti, je xheloz…

Riti ndihej krejtësisht i robëruar nga ajo femër e çuditshme me një vështrim manjetik e pamje joshëse.

-Unë nuk jam fshatar, – belbëzoi, – unë jam për martesë të lirë, ku partneri ka prioritete të jetojë jetën e tij dhe jo të respektojë në mënyrë fanatike besnikërinë…

Zoti ia futi menjëherë në kokë këto fjalë, të cilat ai nuk i kishte menduar kurrë! Ajo e kundroi një herë gjatë, me një vështrim mosbesues e zhbirues, pastaj shqiptoi thatë:

-Po të jenë të vërteta fjalët, që the, pranoj, por, përpara se të celebrohemi, këto fjalë duhet t’i shkruajmë në një kontratë ligjore. Nuk kam ndërmend ta lidh jetën me ty sot dhe nesër të ngelem me gisht në gojë e kalamaj nëpër këmbë rrugëve!

-Dakort! -pranoi Riti dhe tjetra ia nisi hartimit të kontratës.

Pasuria dhe firma tregtare e Ritit do të regjistrohej menjëherë në dy emra dhe, nëse ata do të shkonin në divorc, gjithçka do të ndahej në mënyrë të barbartë mes tyre dhe fëmijëve të tyre, të cilët, gjithmonë në rast divorci, do t’i kalonin nën kujdestari asaj.

Megjithëse të dy ishin myslimanë e të dy me emra të ndryshuar në Gjendjen Civile, ata u martuan një të dielë korriku në Kishën e madhe Katolike dhe pasi morën bekimin e priftit e të të majtëve, u nisën për muajin e mjaltit në Sejshellin e largët.

Ishin shqiptarët e parë, që shkelnin në atë vend të bekuar nga Zoti në fund të botës, dhe Sindi menjëherë u vendos edhe në atë parajsë në qendër të vëmendjes. Natën i dhuronte lumturi Ritit e ditën, kur ai bridhte ishujve të vendosur në oqean, çmendtte një xhentëlmen anglez, që pa e zgjatur shumë, i futi një goxha çek në xhep, duke iu lutur ta lajmëronte menjëherë, nëse do t’i mërzitej ndonjë ditë Riti.

Sindit i pëlqeu anglezi fisnik dhe, për t’ia kthyer me të njëjtën monedhë respektin tjetrit, fëmijën e zuri me anglezin xhentil një paradite të kaltër-të kaltër, duke i lënë të kuptonte diçka partnerit të saj të ri. Më pas, ajo do ta sillte mikun e saj dy – tre herë në Tiranë e po ashtu do të shkonte një dy herë në Londër, derisa të dilte në dritë një djalë i bukur i shëndetshëm, që Sindi do të këmbëngulte ta pagëzonte Roi, në kujtim të babait të vërtetë të foshnjës.

Lindja e djalit solli fatmbarësi në familje, pasi atë vit edhe Riti ia doli të zgjidhej deputet dhe tani familjes Ferra nuk i mungonte asgjë: kishin lekë, fëmijë, pozitë e miq. Por përsëri Riti ndihej i pakënaqur!

-Kur të sistemohesh, ti, e unë të bëhem ministër, janë kopsitur problemet tona! – i tha ai një mbrëmje Sindit, duke përdorur një fjalë të hershme të gjyshes së tij, të zgjuar kush e di se si nga kujtesa.

-Të dyja do të bëhen realitet shumë shpejt! – ia ktheu ajo dhe, meqë e dinte më mirë se kushdo se me cilin flinte ato kohë, ishte fare e sigurtë për fjalinë, që tha.

Edhe Riti e dinte me cilin duhej të qe lidhur ato kohë Sindi, sepse me të dalë ai nga vila e tyre e madhe buzë liqenit, shtëpia rrethohej nga ca truproja, që njiheshin se cilin mbronin. Por Riti nuk bëhej i gjallë. Po ta hapte gojën tani, vetëm do të humbiste dhe as Zoti vetë nuk do t’i bënte derman!

Në pritje, deri sa të bëhej ministër, Riti iu fut derrçe punës së tij private. Tani ai kontrollonte nga lart çdo tender shtetëror dhe nuk kishte më nevojë t’ua lyente qerren të tjerëve, si dikur. Sillej mirë e sponsorizonte, apo ndihmonte jo pak njerëzit, të cilit i duheshin për të përmbushur objektivat e tij, kokën e mbante ulur e kishte fituar namin e modestit, të cilin nuk e prish kamja, por thellë – thellë qëndronte i ulur në një karrige krejt tjetër: ai tani depozitonte fare pak lekë në bankat shqiptare dhe duke shfrytëzuar imunitetin e tij diplomatik, shumicën e parave i fuste në një konto të tij bankare sekrete diku andej nga Luksemburgu. Me shkresa ligjore firma e tij figuronte për vit me humbje…

Sindi vazhdonte ta lumturonte natën Ritin e ditën të tjerët, duke filluar namin e një kurve klasi, që të bënte ta shijoje parajsën për së gjalli, deri sa erdhi momenti i lumur, kur borxhet e ngri – këmbëve të saj e rrotëlyerjes së tij u lanë e ai u zgjodh ministër.

Riti mblodhi të gjithë ndihmuesit e tij në një darkë madhështore dhe ua shprehu mirënjohjen e thellë hapur, aq sa i bëri të gjithë me turp, por ndërkohë emrat e tyre i kishte ngulitur thellë në kokë dhe i shihte, duke u pjekur të gjallë në hell, si Ali Pashai përdhunuesit e së jëmës dhe të së motrës. Planin e hakmarrjes e kishte hartuar deri në detaje dhe këto gjëra ai dinte t’i bënte tamam, se vetëm hakmarrjen e njihte me dhëmbmë e dhëmballë.

Riti duroi edhe nja një vit, deri sa i realizoi me duart e të tjerëve goditjet e mëdha financiare, dhe, atëherë kur nuk e priste akush e ai qe pagëzuar si “leshko”, e kapi Sindin lakuriq në shtrat pikërisht me peshkun e madh, me atë që dëshironte ta kapte! Ai i përzuri të dy gjysmë të xhveshur nga vila me tesha përpara organeve intime, duke realizuar një spektakël unikal publik; ia doli, që të pranishëm të ishin edhe disa gazetarë naivë, të cilët as e morën vesh ndonjëherë përse u ndodhën atë çast atje, dhe shpalli luftën! Pa i lënë asnjë sekondë kohë krahut tjetër të mobilizohej, ai iu dërgoi nga një kasetë televizive për dhuratë, ku ata mund të kundronin qetësisht veten e tyre, duke u shkrirë në krahët e Sindit e duke kryer gjithfarë perversitetesh me të.

Kishte vetëm dy rrugë për t’u ndjekur me këtë njeri: ose ta zhdukje nga faqja e dheut, ose ta pyesje se çfarë donte për ta mbyllur gojën! E para ishte punë, që nuk bëhej: jo vetëm sepse ai ishte ministër, por nuk dihej ku i kishte depozituar kasetat, që të tmerronin më shumë se një armë atomike! Atëherë brirëvënësit e tij naivë dërguan përfaqësues te Riti. Ky biznesmen i suksesshëm, që ia kishte futur të gjithëve, nuk kërkonte shumë. Ai do ta mbyllte gojën, nëse do ta zgjidhnin në drejtimin e lartë të partisë!

-Paska qenë i pangopur! – psherëtiu Sindi, kur ia treguan ç’kërkonte Riti.

Pavarësisht se duart i mbante mbi tryezë e i shihte të dhjetë gishtrinjtë e saj, ajo e ndjeu se tani një gisht, atë të mesit, e kishte në gojë! Ia pati futur sa krahu fshatari i poshtër, që dukej si letër për të fshirë prapanicën, dhe tani as bëhej fjalë për t’i xhvatur gjë!

Ditën, kur Riti kapi një nga postet më të larta në parti, ajo kërkoi të takohej me të. Riti e priti pa bërë as edhe një fjalë! E priti në zyrë. Ai e kundroi qetësisht figurën magjepëse të Sindit dhe ajo e kuptoi se e pati gënjyer mendja, kur kujtoi se ky njeri do të ishte përjetësisht robi i saj. I kishte pasionet shumë më të mëdha, me të cilat nuk vinte në peshore asgjë, as shtatë mrekullitë e botës!

-Ne nuk mund të jetojmë dot bashkë, besoj, – ia nisi ajo.

-Kjo gjë është e qartë! – ia kthue thatë tjetri.

-A mund t’i ndajmë atëherë disa gjëra? – pyeti me zë të mekur Sindi. Ne… sikur kishim bërë një…

-Kontratë…

-Po…

 

Tjetri vazhdoi ta kundronte qetësisht. Rrotullonte një stilograf vezullues në gishtrinj, pastaj ia nis, duke zhgarravitur në një letër të bardhë:

-Unë kontratat i respektoj! Djalin mbaje, ti, meqë është i yti! Pensioni, besoj, do t’ia pagojë i jati i tij… Nga unë do të marrësh edhe 50 000 dollarë amerikanë, me kusht mos më dalësh më përpara dhe mos dëgjoj pallavra në gjyq!…Dakort?

-Përse pyet formalisht? – shqiptoi ngadalë Sindi. – Si erdhën punët, unë nuk kam të drejtë fjale..

-Vetë e kape këtë pozicion! – ia ktheu tjetri. – U bëre mbretëreshë dhe nuk dite të lexosh realitetet… Tjetri nuk të ka asnjë faj, kur, ti, e merr për budalla edhe ai është tjetër gjë fare!… Mbase të ec me atë anglezin, Roin e madh, – bëri sikur e uroi ai.

Sindi u ngrit me një pamje të rraskapitur dhe mori për nga dera, por papritur ndaloi dhe, duke u kthyer për herë të fundit nga njeriu i vetëm, që e kishte shkelur me këmbë, e pyeti me një zë të akullt:

-Rit, kur do të ngopesh?

Tjetri buzëqeshi lehtë.

-Kur kjo turmë pordhacësh ta kuptojë se fshati ka më shumë resurse se qyteti dhe prandaj duhet t’i tespektojë fshatarët! Nuk ka ardhur akoma koha, që të këndohet kënga “Janinës, ç’i panë stë!” Ik, tani!

Jashtë binte shi, një shi me baltë dhe njerëzit shihnin gjithë habi nga qielli, pa e ditur se nga vinte kjo baltë pa hesap…

Tetor, 2000

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: provinciali, Teodor keko, Tregim

ROJË PSHERËTIMASH

December 27, 2013 by dgreca

POETI QAZIM SHEHU NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT/

ÇUÇURITJE/

Siç çuçurit kroi me rrjedhën e paktë,/

Eja të rrimë bashkë këtë natë./

Ta ndiejmë si rrjedha ikën e zhduket në bar,/

Ashtu të rrjedhë te ne freskia e natës së parë./

Dhe duke çuçuritur të gazmuar/

Veten ta ndjejmë të rrëzuar,/

Në barin e jeshiltë të kujtesës,/

Në honet e ngrira të mbijetesës,/

Dhe të rrjedhim gjersa të shkojmë,

Tek deti i madh , mos harrojmë,

Atë rrjedhën e hollë mbi bar,

Fshikullin e ujit lozonjar,

Në thellësitë e errta ku do zbresim,

Marrëzitë trallisëse mos na përqeshin.

Ne s`jemi njerëz të mëdhenj,

Le të ngrihen ngjarjet si shkëmbej,

Na mjafton veç një çuçurimë ,

Të na flladisë dashurinë….

ATDHEU

Çdo ditë e ndërtojmë nga pak,

Për ta prishur dyfish kur duam,

Si të ngrinim një statujë në park,

Në një tokë që luan.

Dhe e sajojmë Itakë të shpikur,

Dhe mall e dhembje e dashuri,

Kozmopiltin më të çmeritur,

E bindim me rëndësinë etij.

Kur të joshur  jemi gjer në skaj,

Pa një dyshim ,pa hamendje,

Dhe pse e duam ,pse prandaj,

E mbajmë si diell nëpër mendje.

Dhe nuk e dimë kur do e sjellim,

Portretin e tij më të plotë,

Por e ndjejmë  se sado bredhim

Vetëm nga ikjet e mësojmë…

TIRANI E BUKURISË

Kjo botë ka shumë tirani,

Tirania më e madhe je ti, bukuri,

Se shkon pa aresye dhe shijohesh,

Në prehër të arrogantëve ngrohesh,

Dhe kur të kapim bëhesh më e madhe,

Më e mistershme ,më lozonjare.

Duke kujtuar se të kemi ,na ik,

Dhe duke na ikur na tërheq,

Si një mirazh me vesë për dreq.

Dhe ne s`ngopemi me ty kurrë,

Grua qoftë apo burrë.

Dhe ti faj s`ke aspak,

Për dobësinë tonë merr hak.

Në botë ka shumë tirani,

Veç tirania jote meriton lavdi…

DEGË E THYER

Një vijë e drejtë ku fillon me të qara,

Segmentet e jetës ngjiten me pikëza rrufeje.

Si vijat e horizontit i vizatojnë malet

Me një kryeneçësi me brerore reje.

Nëse kjo jetë do vazhdonte drejt pa segmente

Shpesh thyerlarguar nga dorë e fatit,

Atëhere jeta s`dihej ku do na gjente,

Braktisur prej nesh nga monotonia e flashkët…

PSHERËTIMA

Një psherëtimë me një ndjesi falje midis,

I ngjan një hapësire ku një filiz buis.

Një psherëtimë pa keqardhje të thellë,

I ngjan tronditjes së kokrrës së mbjellë.

Dhe sa lule do çelin pastaj, sa fruta e bukuri,

Kaq të mundura pa psherëtimën ku falja si brilant i rri

KJO PEMË

Kjo pemë dhe pema tjetër,

Dhe tjetrën që shkuli stuhia,

Na kujtojnë një trini të vjetër,

Një herioglif shpirti sa dashuria.

Dy të parat në këmbë,

Njëra tjetrën dot s`ndihmojnë,

E nga kjo qajnë rëndë,

Lotët e gjetheve lëshojnë.

Mbi trotuarin pllakashkulur,

Dhe mbi asfaltin e vjedhur,

E mbi rrëkezat ku loti i pemëve,

Të tjera, është derdhur…

MJALTI I BUZËVE

Ti mjalt i mjaltit ,ëmbëlsirë,

Që turbullon, ofshan e shkon,

Një pikë helm me plot dëshirë,

E derdh në fjalë plot pasion.

Dhe kur kujtohesh të gjesh fjalën

Ajo diku është marrosur

Dhe gjithë imazhet që u ngjallën,

Në shtrate ikjesh për t`u sosur.

Në shtrate ikjesh plot me gjemba.

Ti mjaltë i mjaltit me mjaltë brenda,

E thua fjalën edhe shkon,

Po mjalti i buzëve s`të mjafton…

 

I FLAS ERËS

I flas erës fjalë dhembshurie,

Kështu duhet të ketë folur edhe Lasgushi.

Ai i kërkonte fjalë dashurie,

Në cep të gjolit si gushkuqi.

Dhe era sillet kapedane

Pa ndjerë keqardhje për askënd,

I sheh kufijtë si burg, hapsane

E ngaqë si shemb veten çmend…

MASKA

Gjithnjë më pëlqen të vë një maskë,

Duke kujtuar se shëmtisë ia hodha,

Pa u kujtuar se në prehër të saj rashë,

Kur veten se njoha e tradhtova.

Pataj kujtohem e maskën hedh,

Gjithë neveri, i penduar,

Si në një kanal mbuluar me gjeth,

E hedh një hap bie i rrëzuar

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Ne sofren poetike et Diellit, Qazim Shheu, Roje psheretimash

NJERËZIT E EGËR

December 24, 2013 by dgreca

Vullnet Mato/

 NJERËZIT E EGËR/

 Njerëzit e egër/

s’ishin aq të egër,/

sa modernët e sotëm./

Bukuroshet epshndjellëse,/

pas shfrimit, nuk i vrisnin./

Rivalit egërshan,/

nuk ia hiqnin nga trupi kokën/  

dhe nuk përdhunonin/

vogëlushët e egër të fisit./

 

Nuk u vinin zjarr shpellave,

as kasolleve të tjetrit.

Grave u linin punët e lehta

përqark lëkurëve. 

Nuk i linin pa fruta

dhe pa mish gjahu të vjetrit.

Nënat nuk hidhnin

foshnjat e gjirit shkurreve.

 

Femrat e reja linin ç’kishin,

në sytë e lakuriqësisë, 

por nuk i tërbonin meshkujt

me kureshtje formale,

me dy gisht reçipeta

te sumbullat mbi sisë

dhe me një rrip të hollë

mbi foletë gjenitale.

 

Njerëzit e egër

nuk i shkatërronin

sendet e bashkësisë,

për të pohuar tek i pari 

besnikërinë e verbër.

Ata u faleshin kafshëve

vizatuar mbi shkëmbinj,

por nuk figuronin prijësin

në çdo perimetër.

 

Ata kishin në tru botëkuptimin

primitiv të një turme.

Por nuk lakmonin të kishin

shumë shpella me dritë.

Nuk laheshin e lyheshin,

me kremra e parfume,

trupin e linin si kafshët, pis,

por binin erë njeriu në shpirt…

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Fofra e Diellit, Njerzit e eger, Vullnet Mato

GËZUAR KRISHTLINDJEN!

December 23, 2013 by dgreca

Nga Vjollca TIKU PASKU/

Harpa magjike e krishlindjeve tingëllon,/

valët qiellore e përhapin nëpër vezullime./
Nata e bekuar rilind,/
për vite e veshur me yje./

Zëri i urimeve përhapet,si mëndafsh,/
të mbështjellë zemrat ngrohtësisht,/
me kundërmim,/
aroma e parfumit engjllor/
të mbështjellë shpresat
me dritën e besimit,
në përjetësinë e shpëtimit.

Urimi ushton,
rritet nga toka në qiell,
natë e ëmbël krishtlindjesh gëzon,
çdo shpirt,
në fjongon e frymarrjes tokësore.

Atherë ngjitem në qiell,
dhe puth çdo yll, me buzët e mia,
teksa flurojnë të kuqe shkëdijat,
e bien: “GEZUAR !!!…”

Vjollca Tiku Pasku

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gezuar Krishtlindjet, Vjollca Pasku Tiku

A nuk thashë se ish pushkë e keqe ajo që ra..?

December 21, 2013 by dgreca

KRISTAQ TURTULLI/

I ati, Shtjefën Tota, u vra përpara syve të tij për gjakmarrje kur Marku ishte fëmijë i vogël. Krisma e pushkës u ndje e thatë, fërshëlleu si nepërkë dhe përcëlloi ditën e mugët e të ftohtë të prag dimrit. Shtjefni u ndeh dhe mbërtheu gishtërinjtë në gjoks si të shkulte plumbin. U lëkund disa herë, ktheu sytë nga i biri, donte ti fliste, nuk mundi. Ra përmbys si lis i prerë, i mbytur nga gjaku, pranë përroit të Zefit të vogël, në këndin e shtegut të verbër. Plumbi e pat marrë në gjoks. Qesja me kripë blerë në pazar, i shpëtoi prej duarsh, ra në përrua dhe u tret në çast. Fëmija klithi i llahtarisur, i përmbytur nga lotët, mbërtheu krahun e pajetë të atit dhe bërtiste:

-Tatë, të lutem, ngrehu!

Pranë fëmijës u ndeh një hije e rëndë, shtypëse, me pushkën e madhe në dorë. Marku donte ta shihte vrasësin e të atit por ia vrau sytë dielli i fortë. E qëlloi disa herë me grushtet e vegjël në këmbë.

-Hesht, voc,- foli mbytur vrasësi. Ai qëndroi gjithë ditën e perëndisë në pritë dhe gjymtyrët i ndjente pothuajse të mpira. Kur e pa objektin që do vritej tok me fëmijën, u tundua keqas. Oh, e shitoftë zana, – shfryu me inat dhe pastaj shau ditën dhe motin, por durimi i ish sosur dhe nervat i kish të lodhura. Tyta e pushkës lëvizi horizontalisht, preu horizontin dhe gishti i lëvizi plogështish në këmbëz. Krisma e pushkës e tronditi, i shungulloi në kokë. Atje përtej viktima ra si dru i prerë. Mbështeti fundin e kondakut të pushkës dhe u ngrit me vrull.

-S’kam më tatë,- qante fëmija dhe vazhdonte ta qëllonte me grushtet e vegjël.

-Nuk kisha çka me ba. Or ti fëmi, morti kërkonte mort,- mërmëriti me dhembje marrësi i gjakut. Vështrimi i tij nuk kish urrejtje, ish i zbrazët, si të kish bërë vend në kokërdhokë cepi i mprehtë i kosës së vdekjes. Sklepat e hirta  vareshin si kortina në cepat e syve. Vrasësi u kollit, derdhi ujin e qelbur prej opingave dhe shmangu fëmijën me lehtësi. Ktheu mbarë trupin e të vrarit, ia mbështeti pushkën tek koka, pastaj kapi Markun përdore që dëneste, e nxori në krye të rrugës së fshatit dhe i tha:

– Shko, voc, shko në shtëpi. Tregoi lokes për vrasjen dhe të lajmërojë mortin në fshat.

Marku i vogël qëndronte  i hutuar, ulur në postafin e gurtë poshtë, pranë shkallëve dhe risillte nëpër mend, fërshëllimën e befasishme të plumbit, lëvizjen e kalamendur të babës, shkundjen e mundimshme, ofshamën, rënkimin dhe rënien me zhurmë  si lis i prerë përfundi. Përsëri  fëmijës i dukej krejt e pamundur të vritej baba dhe të mos ngrihej më ngaqë i pëlqente ta krahasonte me kreshnikët e bjeshkëve, Mujin dhe Halilin. Marku priste që baba të çohej me vrull, të fshinte gjakun prej trupit, të lante fytyrën e rreshkët, të mbërthente gjakësin për gryke dhe të merrte vrapin drejt bjeshkëve dhe zanave.

Lart në kullë kishte shpërthyer kuja e madhe. Babë Shtjefni nuk bëzante, i mbështjellë me çarçaf të bardhë. Lokja Drande, nuse e re dhe gjyshja shkulnin faqet dhe flokët. Gjyshi plak Pjetër gjunjë mbledhur, dyllë i verdhë, ballin e rrudhur e kishte mbështetur mbi grykën e pushkës, psherëtinte:

‘A nuk thashë se ish pushkë e keqe ajo qi ra,’ mërmëriste me vete me sytë e ngulur në frëngjinë e ngushtë. ‘Pushka e keqe i kositi jetën tim biri.’

Marku nëpër mjegull dëgjoi shungullimën  e fortë që po përhapej nëpër fshat:

-Hej, hej, Simon Shkaba vrau Shtjef Totën!

Oshëtima e vrasjes së Shtjefën Totës shkundte kullat  dhe përplasej në malin e lartë të Shën Ndreut.

Gërvishti me shkop dheun e butë, bëri vija të shtrembra në tokën e fortë dhe nuk po kuptonte përse bërtisnin aq fort të rriturit, bashkëfshatarët e babës, përhapnin zëçjerrë lajmin ogurzi nga kulla në kulle, kur njëri prej tyre i vrau babën.

Gjyshi plak Pjetër Tota ja dha besën njëzetekatërorëshe familjes vrasëse, por nuk premtoi se do të jepte besën e madhe, tridhjetëditëshen të kërkuar prej katundit. Qe gati të përzinte dërgesën e katundit me të shara e të bërtitura, por kanuni i qëndronte mbi krye si sfinks i tmerrshëm dhe do ta ndëshkonte. Edhe ai, dikur, si gjithë të tjerët e kërkoi me të drejtën e kanunit besën e vogël dhe besën e madhe dhe iu dha prej familjes së viktimës. Prindi plagëhapur në zemër qe i dërmuar, i  brengosur së tepërmi. I shpartalluar, që plumbi i shpejtë si vetëtima i gjakësit nuk shkoi të merrte jetën e pavlerë të një plaku me një këmbë në varr, që e kish ngrënë me kohë kullotën. Por qëlloi keqas, pa mëshirë, i shkurtoi jetën djalit të tij, trimit, të mirit, në lule të burrërisë.

Shtjefën Tota u varros në varret stërgjyshore, ceremonia u mbyll me lot dhe dhimbje. Marku i vogël, i mbajtur në krahë nga nëna, Drandja, vështronte i përhumbur turmën e malësoreve që përshëndoshnin pjesëtarët e familjes së tij, me sy të akullt, shprehje të ngrira, shpërndaheshin kokulur pishtarë ndezur, një nga një e dy nga dy nëpër shtigje e monopate dhe humbisnin në mjegull. Ato ditë ra shumë mjegull dhe ish lagështirë e madhe. Ditën e nesërme pleqësia e katundit erdhi përsëri në kullë për të marrë besën e madhe, tridhjetëditëshen. Fshati dhe pleqësia ishin te shqetësuar, ngaqë e njihnin mirë mërinë e plakut Pjetër dhe mund të derdhej shumë shpejt gjak, nga sa ish e nevojshme dhe e pranueshme prej kanunit. Zerrja, nëna e vari këmishën e përgjakur të djalit, Shtjefnit, lart në katin e sipërm të kullës siç e kërkonte kanuni.

-Pjetër, përse nuk e jep besën e madhe?- e pyeti për herë të tretë plaka, e shoqja Zerrja, përpara se të binin të flinin:- I miri ynë, djali Shtjefën, që më hëngrët mortja, i vuri shpatullat dheut. E për ne, more burrë, nuk ka shumë rëndësi një ditë apo tridhjetëditë.

-Nuk e sheh, jam i sëmurë dhe nuk e di a do jetoj pas tridhjetë ditëve, të marr hakun e djalit,- i tha gjyshi Pjetër. Hoqi me vështirësi tirqet dhe duke rënkuar u fut në shtroje.

 Të dy pleqtë nuk fjetën gjatë natës. U çanin kockat, u therte zemra, merreshin me kujtimet e njerëzve të vrarë në vite dhe së fundi me birin e porsa mbuluar prej dheut të shkrifët. Ndërsa këmisha, e rënduar prej gjakut, lart në katin e sipërm, tundej dhe gjëmonte prej erës së fortë. Dhoma ishte e ftohtë dhe mola gërryente me zhurmë monotone musëndrat. Shtjefni, djali i tyre i dashur u kish premtuar prindërve, se do sillte një mikun e tij nga qyteti, usta të mirë, tu  ndërronte çatinë dhe gjithë faqen kullës së tyre të vjetër, nga brenda dhe jashtë.

Gjyshi Pjetër Tota dëgjoi këshillën e dhembshur të plakës, nënës së të vrarit. Nuk mund të ngjallej i biri i vrarë në gjakësi, në tridhjetë ditë dhe as në njëmijë vjet. Ai ishte burrë malësie dhe nuk mund të dilte jashtë vetes dhe ligjeve të ngurta të kanunit, paçka se nuk i besonte pleqërisë, plagëve të vjetra dhe shëndetit të rënduar. Zëshuar, kokërënduar, duke tymosur duhan të fortë, me vështrim të murrëtyer u dha të dërguarve të pleqësisë së katundit besën e madhe, tridhjetëditëshen. Të dërguarit ikën me  nxitim dhe përhapën lajmin në katund. Plaku Pjetër i ndoqi me sy mospërfillës. Ai edhe pse po vyshkej, po thahej e mplakej dhe ish me një këmbë në varr, nuk e kuptonte fort mirë mokrën lëvizëse të kësaj mendësie, shoqërie kanunore. Pleqësia e katundit, e flamurit e deri lart në kullën e Oroshit. Kur ishin kaq të  vendosur, vendimmarrës dhe kompaktë për atë që duhej dhe ishte e domosdoshme të kërkonin, të merrej fjala dhe besa, në interes të përkohshëm të familjes së vrasësit, përse nuk mundnin të ndalnin vetë gjakmarrjen, si plagë që kosiste familje dhe fise të tëra?

 Gjyshi Pjetër u mbyll në dhomë dhe qëndroi në heshtje në vetmi duke shtrënguar pushkën e gjatë me sytë e ngulur larg në anën tjetër të fshatit mbi kodër, në mugëtirë, ku ish kulla e Simon Shkabës. Kishin rreth katër breza dhe ishin bërë shumë vrasje, hapur, mbuluar dhe humbur varre, që kur filloi hasmëria me atë kullë të hirtë. Atij nuk i kujtohej saktësisht si lindi hasmëria dhe vrasjet e pandërprera mes dy kullave. Robt e dy kullave asnjëherë nuk kishin marrë mundimin të gjenin shkakun dhe fillesën e kësaj hasmërie dhe kasaphane, por merreshin me pasojat e viktimat dhe këmishët e përgjakura tundeshin prej erërave të forta derisa zverdheshin në pritje të marrjes sërishmi të gjakut.

Plaku Pjetër bridhte me hapa të ngadalta, i vetëm nëpër monopate dhe rrugë të hapura, me pushkën në krahë. I rënduar nga brengat dhe mendimet, por jo pranguar prej frikës së pritës dhe fërshëllimës së plumbit. Nuk ia u kthente përshëndetjen bashkëfshatarëve. Tre herë u ndesh ballë për ballë, në shtegun e verbër me gjakësin e të birit, i cili ecte i shkujdesur, ngarkuar me trasta. Plakut Pjetër instinktivisht i shkoi dora tek pushka dhe gishti i shkau tek këmbëza e ftohtë. Dalloi hapur tek tjetri frikën e pritjes së plumbit dhe të vdekjes. Për dreq nuk kish përfunduar akoma besa e madhe, tridhjetëditëshe. Pjetri nuk ish nga ata që shkelnin besën. Kish bërë vaki dikur që shkelej besa në momente të mjegullta çmendurake, ishte zbrazur arma. Shkelësi i besës ish përndjekur me mënyrat më të ashpra, megjithëse ish përpjekur të mbrohej duke thënë se: gishtin në këmbëzën të pushkës e urdhëroi  makthi i gjakut të mpiksur dhe jo ndërgjegjja.

E ftohta erdhi shumë shpejt, në fund të muajit tetor dhe ndërkohë përfundoi besa e madhe tridhjetëditëshe. Ra dëborë e madhe, u bllokuan rrugët dhe pemët u shqyen më dysh prej peshës së rëndë. Gjyshi Pjetër e priti me ankth dhe pagjumësi. Për të marrë gjakun e të birit Shtjefnit, pastronte dhe ripastronte pushkën e vjetër. Vendoste mjekrën mbi dy duart e rreshkura, kockore dhe vështronte pushkën. Si ti lutej mos më turpëro, por të qëllo drejt e në shenjë, sepse po ti shkonte plumbi huq, ish plak dhe nuk kish këllqe ta shlyente. Këmisha e varur në katin e sipërm ish zverdhur dhe prindin e dërmonte. I biri i vrarë e ftonte të merrte gjakun.

Me ndërprerjen e borës dhe zbutjen pak të motit, Plaku Pjetër u ngrit herët në mëngjes, pa kënduar gjeli, u vesh, piu me nxitim një gotë me çaj të nxehtë mali dhe doli me pushkën në krah. Plaka Zerre i ra pas duke fshirë sytë e dobëta dhe këshilluar me zë të ngjirur që ta linte pritën për një ditë më të ngrohtë, por plakut nuk i durohej sa të vinte shpagimin në vend, të merrte hakun e djalit. Pastroi dëborën, bëri një ngrehinë të vogël ku të vendoste grykën e pushkës dhe zuri pritë duke e llogaritur me mend që ta vriste vrasësin e të birit pikërisht në përroin e Zefit aty ku u këput jeta e të birit, Shtjefnit. Dikur syrin e pushkës e kish të mprehtë, si sy shqiponje, por tani shikimi i ish rrëgjuar, mpakur prej pleqërisë. Fryu erë e fortë, plakut po i thaheshin duart, këmbët dhe i kërciste nofulla pa dhëmbë. Gjakësi po vonohej ti dilte në shteg dhe dita po ikte. Një herë iu duk sikur hasmi po vinte me hapa të mëdhenj, si ti gëzohej pritës së tjetrit, por ishte veçse një përshtypje e zbehtë dimri. Shpresa se mund të shfaqej tutje në horizont gjakësi i djalit iu davarit shpejt. Vështroi rreth e rrotull, ishte vetëm në mes të masës së pamat të dëborës. Kullat e katundit dukeshin si pika të vogla të zeza. Herë si brumbuj, që iknin me nxitim në radhë njëra pas tjetrës, treteshin në sfond përpiheshin prej bardhësisë së lodhur të dëborës.

Kur iu prenë shpresat, mezi mundi të dallonte me sytë e lodhur siluetën e Simon Shkabës teksa ecte me nxitim në majat e gishtave të këmbëve, sikur kërcente mbi susta. Pjetrit i rrahu zemra me forcë dhe e mbërtheu një ankth i tmerrshëm, triumfi i pleqërisë. Mjekra dhe duart po i dridheshin prej të ftohtit të dimrit dhe padurimit. Mos më korit, mos më korit, të lutem. Futi fishekun në gojë të pushkës. Ç’ishte kjo dridhje kaq e madhe që e kish përfshirë! Oh, oh! Udha ngrihej dhe ulej si të ish e lëvizshme. Mblidhe veten Pjetër, dale, e futa në shënjestër, hë! Plaku  mori shenjë, qëlloi. Por ai nuk u mbush me frymë dhe shfryu kur lëvizi gishtin në këmbëzë dhe pushka prej forcës e goditi në sup dhe e flaku tutje, ndërsa plumbi shkoi në ajër.

Simon Shkaba sa dëgjoi krismën e pushkës mbajti këmbët, ngriu dhe vështroi andej nga u dëgjua krisma. I tmerruar kontrolloi me duar trupin e tij se mos e kish kafshuar diku plumbi. Kur pa që nuk kish asnjë gjurmë gjaku, morri frymë i lehtësuar. Hodhi trastën mbi supe dhe pa parë prapa ia krisi vrapit si lepur drejt shtëpisë nga frika e ndjekjes në fluturim të ndonjë plumbi të dytë.

 

Po binte muzgu i mbrëmjes. Erërat e forta hynin me uturimë nëpër frëngji dhe plaku Pjetër nuk po kthehej në shtëpi. As dhe lajmi i vrasjes së Simon Shkabës nuk po dëgjohej të shpërndahej nëpër kulla. Plaka Zerre dhe nusja nuk guxonin të dilnin  prej kulle, vështronin njëra tjetrën dhe nuk bëzanin. Pritat e burrave me syrin në shënjestër të pushkës dhe gishtin në këmbëz nuk përcëllohen fort prej erërave, ani pse Pjetër Tota ish plak i rrëgjuar dhe me prostatë.

Filloi të binte dëborë e rëndë, me flashka. Plaka Zerre, e merakosur, shtrëngoi mjekrën çekiç dhe i bëri zë nuses Drande të vishej. Të dyja gratë, e reja me të vjetrën, dolën së bashku të kërkonin plakun Pjetër, nëpër shtigje të verbëta, ku mund të bëhej prita dhe të vritej hasmi. Dëbora po hidhte gunën e trashë mbi kodra, prita, brigje dhe pyje. Terri i natës zuri të kafshonte  me dhembë të hidhur pelin e të ftohte akull kryqet e të dy grave të  mërdhira. Drandja ngriti pishtarin lart dhe flaka e portokalltë lëpiu me gjuhë dëborën e bardhë. Plaka Zerre shkau dhe ra si topth mbi dëborën e butë. E reja i futi krahun dhe e ngriti pothuajse peshë. Të dyja u shtynë drejt daljes së katundit. Ngjanin si silueta të holla të ndjekura nga përpëlitja e mekur në një flake pishtari.

 I ranë mes përmes monopatit të Kryqeve. Plakun Pjetër e gjetën në  shtegun e Zefvoglit të mbuluar nga dëbora dhe gjysmë të kallkanosur. Të dyja gratë e mbartën plakun në kullë. I fërkuan duart dhe këmbët e ngrira me lesh dhie të palarë, dhe i dhanë çaj të ngrohtë. Plaku Pjetër hapi sytë përgjysmë, ja nguli shikimin e shuar së shoqes. Lëpiu buzët e holla, të përthara dhe mërmëriti:

-Oj gru, më thuj, e vrava hasmin?

-Ëhë, e vrave,- e gënjeu plaka dhe kafshoi me forcë mishtat e dhëmbëve,- fli tani.

-Ah,- ia bëri plaku i lehtësuar dhe mbylli sytë:- Do bëj mirë të fle.

Plaka Zerre shtrëngoi mjekrën çekiç të mos klithte. Eci mespërthyer, krahëvarur dhe shkoi në dhomën e miqve. Shtyu derën me shpinë e mbylli dhe rrahu me grushte kokën. Çori me thonj fytyrën e rrudhosur. Lotët e mëdhenj zbutën lëndimin e fytyrës dhe të trupit. “Pse e lashë plakun të ikte mes dëborës, pse?” këlthiti.

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: a nuk thashe, Kristaq Turtulli, psuhke e keqe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 107
  • 108
  • 109
  • 110
  • 111
  • …
  • 133
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV
  • Përse duhet t’i lexojmë klasikët?

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT