• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SOFRA POETIKE E DIELLIT- POEZI NGA ISUF LUZAJ

April 5, 2013 by dgreca

FISHTËS /

Nga Isuf Luzaj/

Concerto/

Allegro/
Burimi te zalli nën hënë udhëtimin/

Tek qau e ndaloi./

Bilbili malor/

Mbi lulet bërbuqe të pishës cicrrimin/

Në fllad mëngjesor:/

E preu, e ndau, e, e pushoi./

Kreatyra gjallore/

E ujit, piskatse, tek ikte, vishkllimin/

Nën valë të rrepta të plakut dimror/

Me ndejenjë mugullore/

E këputi that, veshi ngrehosi/

Fare s’pipëloi,/

Natyra e gjithë me dimra e vera/

Me pemë e shtazë e kreatyra të tjera/

Heshti:

Një fytyrë shenjtëesije u duk sikur deshti

Të ndëgjojë

Atë tingull të ëmbël që zu të prodhojë

Një shpirt I madh I gjërë e I trishtuar

E rrezët të gjitha I ndau caktuar

Seicilli n’udhë të tija

Një hije të zezë bota ish mbuluar

Me yje lozi shah, Mat, vetë Perëndija

Botën gjith e bëri e e bëri rop të saj

Rruzujt vdiqën e lënda e tyre

Iku ngadalë, si këngë në bylyre

A si vaj

I një nëne plakë për të birë q’u palos.

Shqipet shqipot dhe nën shqiponja

Një mjegullë t’rënd ishin errsuar

Një tingull lyre

U ndëgjua atëher or Zot

Një gjisht Zaroastre i madh sa hapsira

U ënt, nëpër sfera të gjakut Shqiptar

Tregoj shpirtin e madh të pa vdeksuar

Atë shpirt të frymzuar

Ndjenjash të tija

E në të gjithë pamë, e djalërija

Bres pas brezi do t’a mbajë mënt

Këtu në këtë vent.

Fjala e shenjt që jehoj qe zotrote

Kushtrim legjendar qe Lahuta jote

Or Zot që tinglloi tek Ty

E LEKET pran saj I mblodhi

Zjarrin në dej t’arbrorit e hodhi

Dhurata të shënjta të Zotit t’Madh Hy.

Oh po u hidhrove t’padrejtës shekullore

Shqipot e egër një nga një për dore

I zure, u fole e u tregove

Bijt e kujt ishin, e detyrat që kishin

Detyrat e shenjta të nderit të tyre

Tinglloi at-her ajo fare lyre

Mbi fushat pjellore

Në brigje të zalltë lumënjsh argjëntar

Në kum të breshëritur të hupët si ar

E mbi male prej bore

Ti

Dritë

Brezit t’ri

Dhe q’at ditë

Agimi veror

Shëndriti ëmbël ne

Lype t’bëhshe theror,

Për liri nder e atdhe

Fyelli kushtronjës frymzoi

Gjaku t’ënë të zjarrtë në vite

Një hershi

Një komp të tërë në këmbë e ngrite

Mbi zjarr kush mundi m’I pari vrapoj.

E kushtrim më I mire në botë s’u pat dhënë

Vec atij të bilbilit Frashërit zë madh.

Kur fyelli kushtronjës që me frymë I fryve

Të ra në dorë

Fiset kombi e rraca t’u përgjunj

Shpata vetëtima e armë të lara

u-kkryqëzuan përpara teje

me shkëndi rrufeje

e me frëngëllime

Burrat në gerxhe si shqipet në erë

Ball e vetull gjak e gryka me vrerë

Arbreshkat ngarkuar me bore

Q’e shkrinin

E bijve luftëtarë

Uj’ u a epnin t’a pinin

I pe!

Dejet e grisur të shqipove bujar

Kuqën cdo shkëmb e cdo bucë dheu

Balli I tyrej m’kuror dafin e ar

Bëri cdo gërxh altar memedheu.

Arbreshi I Shashicës me zjarr nëpër deje

Stërnipt e Komnenvet që në shekuj që’shkuan

Mbi shpata u betuan

Arbreshi I Cikës në maja prej veje

I ujit boror me flakë rrufeje

Rritur me shpënt e egra në natyrë

Gaboi I Gramozit e I Lunxhërisë

Që në tym zjarr’ e mjegull I dha sisë

E ëma kur lindi

Shqipua I Tomorit Dodanës kreshnike

Që n’muret e vjetra në kohra jetike

La fame zulmë madhi tek derdhi gjak

Një popull të egër aziatik e bindi

E e hodhi në lak

Atë bishë myxyre

Leka sy kuq vetëll madhi Hotit

Tmeronjës, flakën e barotit

Armikut I a fut në zemër e në sy

Leka I Grudës porsi vetëtima

Si hastrit bje në luftë. Si bubullima

Shpata e tij gjëmon.

Shaljani trim I hollë e I gjatë

Që luftën me t’mirë e bën nëpër natë

E plagëve të tija kurrë s’u ankon

Si bishë e tërbuar merr udhën përpara

E ti o shpirt I madh me gojë të Martit

U flet:

“Urra djem u dhasht e mbara”

Në statutin t’ënd këta janë skalitur

Marash sy vetëtima e Oso rrufeja

Askujt më shumë s’I ngjajnë

Se kastriotve që kur u the eja

E u bë beja

Në zjarr ranë

Zonjushëza shqipe, zonjë në vete dolli.

.               .               .               .               .               .

Kënga jote lumturinë e mbolli

Kur e pe shqiptarin ashtu si t’a kish kënda

E këndove ëmbël e e përkëdhele

Herojt e ketij kombi janë fryti I pendës t’ënde

Gjaku I nxeht që n’a vlon nëpër deje

E kemi zjarr të marrë prej teje

Rilindjen e shpirtit na I fale ti.

Pomendoren e kombit të platintë e ngrite

Bijt e mëmëdheut në të I skalite

Burra të cilve kur fringllonte ajo pallë

Botën drithmonin e rrallë

Dielli të tjerë si ata pa.

Piramid e mermertë që ti themelove

GJuhë e popull me të lëmtërove

E I pasqyrove

Të mbet ty gur mos harrimi

Për ne mbeti altar gjunjëzimi

Kur po falemi te Zoti

E si do që t’a bjerë stina e moti

Emri yt për ne ësht plot “Një Shenjtësi”

Statutn t’ënt të Shenjt e mori “Përjetësi”

Koha nuk ka të bëj fare me të.

Bota jote me ndjenja bujare

Shëmbëll do jetë për rracën shqiptare

Në vijat e gjëra të jetës së saj

Ti dhe vetëm ti

Parathe popullit udhën e shpëtimit

Këndove me laved gazin e fitimit

Këtë vetëm ti e ke bërë

Një njeri bën të njohur një popull të tërë

Në fletët e kohës ngadalë e skalite

Në stina e vite

E atë mëngjezin e ftohtë të nëntorit

Kur pranë një deti lot I arbërorit

I shkiste mbi faqe, mbi një varr tëmath

Burrat e kombit rrinin gjunjëzuar

Përpara heroit veprash të shkuar

Q’e bëri Shqiprinë gëzimin si a pa

Se iku e e la,

Adagio

Atë ditë or Zot zana jote qau

Me lote në faqe e në shoqe e ndau

Hidrimin e saj

E zun dhe ato të ckriheshin në vaj

Pastaj ajo hipi

Te shpell e Petritit

Mbi mal të Bishkasit

E Asaj të Tirteut I thirri e I tha

–          Ti s’erdhe të qaje me mua që mbaj zi

Por qofsh sa për vete un s’ta kam lakmi!

Ndënji dhe pak e lotet I fshiu

E bashk me një erë veriu

Notën e lshoi

Vark

E zëri sajë jehoi

Sa lark e shumë lark.

–          Oj ti e bukura ne ora perrallzore

Oj ti Herë zonja

E ti o Afërditë dashurore

Broj ti Kaliope sy shqiponja

Oj ti Melpomenë, oj ti zona e Tirteut

Pa ndëgjoni një zanë shqiptare

Te vjeshkve Ljubotimit

Burimesh të akulltë të uji të Drinit

T’Arbërit

Që këndova në të katër anët e dheut!

Dije oj zanë e lumtur dija

Moj e gjezdisura hije më hije

Dije se kenga m’e bukur hyjnore

S’u gjet vetem tek ju e s’u gjet vargu pike platin

Vetëm tek ju. E as kurrë kushtrim

Kaq të forte ju s’kini dhën kurrë

Sa që me mija armiq vec një burrë

Të qëndrojë në luftim.

Jo vetëm Ju dijtët t’këndonit së pari

Fitimet e larta të popujve t’vjetër

Jo vetëm ju late zulmë në letër

E ngadhnjyesit I vutë kurorë ari

Jo vetëm ju ndër sfera bujare

Me Zot Pindarin fluturuat

E atje lart Zotin vështruat.

Jo kurrë e as fare

As ndryshe Tirteu

As Homer famë madhi

Dot s’e pat thënë

Kushtrim kaq të zjarrtë si ky që imzot

M’Lahutë amalcorë rracës arbrore

Po I thëret sot

Ashkush s’e ka then dot.

Me mija shekuj dot’ jehojë eteri

Frym’ e t’im zot vjen nga Jupiteri.

Këtë melodi të këputur në shpella

E në gryka të thella

Me oshëtima

Në lisa të lartë ku qëllon vetëtima

Jehoi e lumtura lugin

E Malit Ljubotin.

Ja o I madh c’thosh e lumtura zanë

Atje në veri, e botës m’at anë

U ndëgjua jehona e saj

Mërisë, Ora e Qorrit t’ndëgjuar

Mbi varr t’llionit ngurruar

Filloi të qaj

Allegro Finale

Oh merri të lutem këto lulet e mija

Të rëna prej ere nga zonjë selvija

Brenda në vorrezë

Vorreza e madhe varre ka me mija

Por s’gjendet një emër as një pllak e shkruar

Për t’u kujtuar

Cila familje paska mbetur e zezë

Për trupat heronjsh që kalb balt mavrija

Oh po vorrez e heronjvet shqyptarë

Që për komb flamur e atdhe jan ndarë

Nga jetat e reja

Vorrez e heronjvet luftash të tua

Që ti u a ke hua

Pomendoren e madhe të kombit t’ënë

Ata u nisnë kur pat qënë bër beja

Kur paten ndëgjuar që ti thoshje: “Eja”

Tash Lahutës t’ënde I a kërkojnë zënë.

Ku rata jetonin or Zoti im hyjnor

Atdheu gjendej në buzë të humnerës

Vetëm vdekja e tyre vëndin arbror

I a hiqte nga duart bishës n’prak t’derës

Që po e gëlltit’ te më së fundi

Pa menduar Perëndi

Ata u lëshuan si lshohet rrebeshi

Lëftuan pa frik si lëfton arbreshi

Burrat më këmbë

Vetëm shesh për shesh

U ndesh, luftim I pa barazuar

Si Anteu me armikn e tërbuar

Herkulin përrallzor. Të gjith dhëmb për dhëmbë

Shqipua I Arberit lëftoi

Armikn’ e tmeroi.

Atje u bë tym e flake e mjegull

Bota gjithë u ngëthye në crregull

Dolli uji I zi!

Dheu u ca u bë zgavër e vrima

Malet e pemët e gjata vetëtima

Për dhe I ka shtri.

Botën të gjithë e drodh si tërmeti

Deri yjet cuditen me veti

Udhën e ndërrojnë

Djelli I kuq si I gjakosur

Rruzulli I gjithë merr si të plagosur

Duket se Shqipua lëfton

Për besë lëfton në këmbë shqiptari

E ikën përpara kush të vejë m’I pari

Armikun t’a zerë me dorë

Zjarr e mjegull për dhe e për erë

Me gojë shkrrumuar mbushur me vrerë

Kocka të cara nëpër shkëmbenj

Gjaku rrëke

Trajtoi lumënj

Lumënj gjaku që rrjeth tatëpjetë

Shqipua në këmbë qëndron

E lëfton

E shënon

Me sy të rrëshqepur bërë kupë filxhan

Të qofsha falë aman Zot aman

Lufta pushoi e I huaji iku

Shqipua c’duku cdo gjurmë armiku

E tymi I barotit t’luftës kur nga qielli

U ngrit përpjetë

Për të then te Zoti sipër në për retë

C’pa në këtë jetë

Në mes një pylli një mjegull të zezë

Mbeti një vorrezë

Me varre me mija

Ku hidhsi përralli e driza ka mbuluar

Heronjtë q’I dogji Atdhe Dashurija

As një pllakë atje njeri s’e ka shkruar

Ja lulet selvish të heronjvet mbuluar

Me baltë të zezë

Janë këta lot që po më bijen mua

Këtyre hernonjvet Epopoenë hua

U a ke ti or Zot!!!

E si vjet si sot si mot

N’atë yorrezë në mes selvish t’mija

Mbuluar pirgje lulesh që hija

Ftohtëson

Pushojnë or Zot Heronjt e Kombit t’on.

Në mbrëmëje aty vonë

Nga kok e cdo varri

Dalën cikëndi nure cika zjarri

Atje vjen edhe një Hy

E rri me ta. Un këndoj Haj Botë Haj

Kur lodhem nga fyelli I care,

Filloi duke qarë

E ckrihem në vaj

Por o Zot as njeri

S’do të më ndëgjojë se thon jam I ri

Ashkush s’do të dijë se qaj se ankoj

At botë un foshnjës në vesh I këndoj

I këndoj fosnjës e varrit

Që nxjerr shkëndi zjarit

Hyu I varrevet fillon t’më pushojë

Me gjishtin tregonjës q’e pështet përmbi gojë

–          Ka kush ti qajë

Me lot e me vajë

Këta – më thot I madhi Hy.

“Heronjtë dëshmorë or Zot kërkojn Ty.”

 

Druvarit

të

Qafës së Vreshtavet

 

nga Isuf Luzaj

 

O ti druvar, që me spatën e ngarë

hedhur në qafë zë udhën e mbarë

që në mëngjes e n’agim të parë

I bje pishës së lartë e e rrëzon,

Ndalou të lutem shumë e ndëgjomë mua

Sa herë të shtrihec të picë ujë në krua

Fytyrën t’ënde ti ke për t’a parë

në ujë: si të nëmur si nga lija e vrarë

në eshtra e lodhur e syri i carë

nga nëmat mallkonjse që druri t’ka dhënë

sa herë q’e ke prerë

e Zoti dhe bimvet u a ndëgjon zënë

Po ti a e ndëgjon?

– Ja’ kricma e trungut që kur e can rënkon.

Pastaj mos harro se cdo pemë e lartë

me moshën e vjetër tregon kohën e artë

Ai ah i madh që ti pa mëshirë fare

prej reje ku piqej me të e në dhe

Te shtritur sa gjerë e gjatë e shkurton

Esht për të gjitha kohët legjendare

Krenar që ndodhit e kombit dëshmon

Gjakun e ri të flijes djaloshare

…………….që për atdhe

…………….pa u trembur ra

…………….Syri i tij e pa

Tek ai ah buz’ atij burimi

Pështeti shpatullat e gjëra burrërore

……………luftëtari trimi

e plagës së plubmit madh në krahruar

……………si pëndë ndalimi

të gjakut, i vuri një feste verore

Si currjegë cesme tatëpjetë rridhte gjaku

……………në rrënjët t’atij ahu

dufeku në sy e në këmbzë rrih dora

– O djema përpara se u muar zjarr Vlora –

bërtiti goja e luanit nga vreri

……………e me burrëri

mësynte si tigri armikun e ti

e shkonte gjaku rrëke

si gjaku i kaut me shkumë qe theri

……………mishtari i zi.

– O djema përpara

Kush të vdes për atdhe! –

……………Tha goja e tij.

I përgjunjur burri me këmbë të ndara

nga turpi, u unj e nduku n’at ah

ku kish mbetur në eshtra qindra vjet përpara

stërgjyshi i tij në luftë si rrufe

e u ngrit luftëtari pa thenë një Ah

– burra me dorë me palla të lara

O burra o djema kush të vdes më përpara

…………….Kush të vdes për atdhe –

E shkuan pas sajë stina luftëtare

Q’i soditi mirë ajo pemë legjendare

Që nga gjaku i barotit e tek gjaku i heshtave

I ka parë nëpër shekuj ajo qafa e vreshtave

C’do buce gjelbrine ësht ngopur me gjak

Kur fisi i shqiptarit dha e mori hak

Dëshmitarë tek janë ato pemë të larta

Që mbëllyjnë në moshë kujtime të arta,

Prandaj o druvar të lutem ndalo

spatën e shpejtë e rri pak e mendo

se sa ahu që pret ësht i shenjtë për ne

……………..Për komb e atdhe

T’a dicë ti, t’a dinte spata jote

Se ahu i madh që pa mëshirë zotrote

…………….po e pret

Sa vleftë pati në kohët që shkuan

me njerzit e vjetër që fare u harruan

……………Ti kurrë s’e pret

Atje nënë hije për anë burimit

heronjt e një kombi e bënin betimin

Krahët me shpata zgjatur kryqëzuar

përmbi armët e lara nderuar

Në luftra ku gjaku pat marrë kullimin

E bërtisnin burrat një zëri

që kush e ndëgjonte e ngiste hajgërri

-Na burrat e maleve betohemi për Besë

Të vdesim në luftë për mëmëdhe

Asnjë i gjallë nuk duhet të mbesë

Përpara se armiku të shkelë ndër ne.

E pastaj si gjarprinj e astrita mali

I visheshin pyllit ai farë djali

E bëhej lufta e tmershm sa s’ke.

Kur turma barbare me shuma e mësynte

Djalërija shqiptare për pritë i vinte

Armikut, kraharorin e saj

E vetë ferri me turmat e tija

Të ngrihej mbi dhe e vetë mizërija

Botash të egra të vinte kundër ne

Shqiptari kurrë nuk do e lshonte

pritën e fortë që me dhëmbë e mpronte.

O krahë të druvarit e ti spata e tija

Kini mëshirë pse ahu zotrija

që gjysmën e pyllit të madh e mbulon

Ka parë në burra se si mbahet beja

Si shkëlqejnë shpatat nga fjala dhe theja

Se si merrte flakë era dhe reja

Kur luft’ e pa ndarë një vënt e tmeron.

Oh ai ah me syt e tij i ka par

…………….Heronjt legjendar

…………….të kombit Shqiptar

Prandaj o druvar të lutem mos e pre!

(Marre nga “Rrefimet” (1932)

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Fishtes, Isuf Luzaj, Sofra Poetike

1 Prill!

April 1, 2013 by dgreca

Tregim nga Pierre-Pandeli Simsia/

Jashtë shiu vazhdonte të binte imët dhe shtruar.
Dhoma e shtëpisë ishte e madhe dhe mezi ngrohej.
Violeta shkoi te stufa, hapi derën e saj dhe futi dy dru të tjera. Vazhdonte të ndjente gëzimin për fejesën e Valbonës.
Nga jashtë, disa pika shiu trokitën në xhamin e dritares, si për ta ftuar të ulej edhe ajo në minderin pranë dritares dhe të zodiste atë peisazh pranvere, që në atë ditë të parë të prillit dita dukej e zymtë.
U ul mbi minder. Vështroi drurët e pemëve të lagura me gjethet e tyre të njoma të porsadala.
“Rrënka shi me erë” – the me vete dhe mendja i shkoi përsëri tek i shoqi, Dhori. “Pse u vonua shumë sot edhe ky i uruar? Shkoi ora 3!”
U çua nga minderi dhe shkoi përsëri te stufa. Në anë të saj kishte lënë tenxheren e gjellës. Hapi kapakun e tenxheres. Fasulet e ziera kishin zënë një cipë të hollë. Nuk po i kujtohej, nëse i kishte hedhur kripë gjellës apo jo. Mori lugën që e kishte lënë mbi një pjatë aty pranë dhe filloi të trazojë gjellën. Një fjollë tymi doli nga dera e stufës dhe i kaloi para fytyrës. Ajo ndjeu erën e druve të djegura. Shkoi përsëri te dritarja dhe u ul mbi minder. Nga dritarja e dhomës ku rrinte dukej avllia dhe porta e shtëpisë, kështu që edhe Dhorin do ta shihte kur të vinte.
I dukej se ai po vonohej më shumë nga ditët e tjera. Mezi po e priste, donte t’ia thoshte edhe atij sa më parë lajmin për fejesën e Valbonës.
” Lavdi o Zot, që ia hape fatin edhe asaj çupe. Çupë e mirë është, sa s’ka ku të vejë, por, ç’ti bësh fatit. Vetëm me fatin nuk hahesh dot. Lavdi o Zot! Si për vajzën time po gëzohem. Epo, vajza jonë është, komshi të vjetër jemi. Kot s’e kanë thënë të parët tanë atë shprehjen: “Njeriu do vejë në ditën dhe fatin e tij” Ja, i erdhi fati edhe asaj çupe. Mendove o Zot edhe për atë, se nuk është e pakët, është 30-të vjeçe. Si harrova ta pyes Ritën, nga është dhëndri? Ndoshta edhe ajo nuk e di, sapo ia tha Manjola dhe erdhi e ma dha mua lajmin e mirë. Manjola…! Po Manjolës, kush i tha? Nga e mori vesh? Apo, shoqe me shoqe. Jo, ç’ne shoqe, ato s’janë moshatare! Manjola vjet sikur i mbushi të njëzetat. Hajt tani edhe Manjolës një fat i mirë, heqtë këmbën zvarë Valbona edhe për të…”
Tringëllima e ziles së portës ia prishi mendimet. Që kur kishte qenë gjallë i vjehri, te trari sipër portës kishte vënë një zile hekuri dhe, sa herë hapej e mbyllej porta, zilja tingëllonte fort, sa edhe në dhomën më të thellë të shtëpisë të ishe e dëgjoje tringëllimën e saj.
Në portë hyri Dhori. Violeta sa e pa u ngrit nga minderi dhe shkoi të hapë derën e dhomës.
Dhori i lagur dhe me fytyrën e skuqur ku i dallohej qartë nervozizmi, po ngjiste shkallët e drunjta.
– Ku je, ç’u bëre? – i tha ajo, duke mbajtur me njërën dorë derën e hapur të dhomës.
Dhori ngjiti edhe shkallën e fundit, iu afrua të shoqes, e pa në sy dhe shtrëngoi dhëmbët. – Rrufjanka! Edepzëska! Kurrë burrë mos u gjendtë për atë! – mërmëriti me zë të ulët dhe hyri në dhomë; iu afrua stufës. Violeta po e shihte e hutuar dhe s’po kuptonte ç’po ndodhte. Hyri edhe ajo në dhomë, duke i shkuar nga pas.
– Ç’ka ndodhur? e pyeti e trembur.
– Opo, është rrufjankë ajo, – tha Dhori, duke hequr xhaketën e lagur. Violeta ia morri nga duart duke e parë në sy, si për t’i thënë, hë, vazhdo, ç’farë të ka ndodhur?
– Unë e kam pjellë dy herë atë. Ç’më pandeh mua ajo, shokun e saj?
Violeta ishte hutuar e tëra dhe s’po kuptonte përse bëhej fjalë.
– Më bjer benevreket; nuk e shikon si jam bërë? Jam lagur i tëri, që u lagtë dhe mos u thaftë kurrë.
E shoqja shkoi te dollapi i rrobave, nxorri një palë benevreke dhe një fanellë. – Shumë qenke lagur sot – i tha, duke ia dhënë rrobat.
– Edepsëzka! – mërmëriti përsëri Dhori.
– Ulu – i tha e shoqja, ndërsa ai po fshinte kokën me peshqir.
– Do ulem, do ulem, – tha dhe u ul në minderin pranë sobës.
– Për kë edepsëzkë po flet?
Dhori nuk foli, zgjati duart pranë sobës për t’u ngrohur.
– Kohë e keqe po bën sot, si dimër. Do ulemi të hamë drekë, apo do thahesh njëherë – e pyeti Violeta.
Edhe bukë do hamë, por të marr një afsh të ngrohtë njëherë.
E shoqja shtroi mbulesën e tavolinës dhe filloi të presë bukën. I hodhi një shikim shkarazi të shoqit me bisht të syrit.
– E di ç’më bëri sot ajo rrufjanka e Taqit? – filloi Dhori të flasë. Violeta lëshoi thikën e bukës mbi tavolinë dhe iu afrua të shoqit; u ul pranë tij.
– Për kë rrufjankë e ke fjalën?
– Për thuthuqkën e Taqit, që kurrë burrë mos u gjendtë për të.
– Kush Taq, Taqi ynë?
– Taqi yt, se unë s’kam të bëj me të. Po edhe ti… hajt ma, ç’farë kushurinj jeni, po nejse…
– Njeriu kur bëhet me tjetrin nuk pyet nëse je gjak apo jo. Po hë, vazhdo, ç’farë të ka ndodhur?
– Vdiq i ndjeri Taq, po ç’farë la prapa, një thuthuqkë, që kurrë burrë mos u gjendtë për të.
– Shshsht, se është gjynah nga Zoti, është edhe çupë. Mos e mallko deri te fati. Është gjynah edhe për të ëmën, Dafinën; ajo e di si po i rrit, grua e ve, pa burrë.
– Si nuk i ka ngjarë fare Dafinës; as nga Taqi nuk ka ngjarë. Ajo tjetra e motra, është më e vogël dhe nuk e njoh mirë, po kjo e madhja, Manjola, mjerrë kujt do t’ia zërë derën…
– Lëri tani mallkimet me fatet e të tjerëve se është gjynah, janë punët e Zotit ato. Më thuaj, ç’farë të ka ndodhur?
– Poo… ishim të dy me Milton. Edhe ai i papunë si unë. Ku të shkojmë, ku mos të shkojmë; i rramë tre katër herë rrugëve të qytetit. Hall të madh e ka zënë edhe atë të shkretin. E bija, Valbona, i ka shkuar 30-të vjeçe. Djali, po edhe ai nuk është i pakët, dy vjetë më i vogël se e motra. Edhe ai tjetri po i shkon 24 vjeç. Atë po më thoshte: Jam në hall të madh Dhori, ngushtë nga shtëpia, ngushtë nga ekonomia. Po ekonomisë, ç’i dhjet t’ëmën; se nuk hëngra tre herë bukë në ditë, do ha njëherë, por fatit të çupës ç’farë ti bëj, që nuk po i del, të iki edhe ajo si gjithë shoqet në rehatin e saj. Çunat të bëjnë ç’të duan, çuna janë ata.
– Për kë Milto e ke fjalën, për Milton e Sofijes? – e pyeti e shoqja e habitur.
– Jo po, të Maries. Një Milto kemi ne këtu. Kush Milto tjetër ka këtu në lagje çupë që po i ikën mosha?
– Uaa! Po ajo… – e ndërpreu të folurën Violeta, duke pritur të vazhdonte bisedën e porsanisur i shoqi.
– Eee, ajo, ajo. Nuk të pyet njeri sot po të kaloi pak mosha, si ka ardhur koha tani. Ma tha vetë me gojën e tij Miltoja: “Mosha e saj tani, besoj se nuk gjen më djem beqarë” Sikur po kërkonte ndihmë edhe nga unë.
Violeta s’po kuptonte ç’po ndodhte, gati sa nuk i tha për fejesën e Valbonës, por e mblodhi veten menjëherë. Po mendonte edhe për Manjolën; pse Dhori po shfrynte gjithë atë duf kundër saj.
– Po Manjolën, ku e takove? – e pyeti, si për t’i kujtuar të vazhdonte bisedën e porsanisur.
– Pamë qiellin që po mbyllej me re të murme e thamë të kthehemi në shtëpi pa na zënë ndonjë shi i madh. Ai na zuri që na zuri. Sikur e hapi njeri me dorë rrubinetën e çesmës, ashtu u hap edhe gryka e qiellit. Sapo u ndava me Milton, nga prapa, dëgjoj një zë femre të më thërriste. Ishte vulhumbura, Manjola e Dafinës, se nuk dua t’ia zë as emrin në gojë. Mezi po merrte frymë, si duket kishte vrapuar.
– Dhoti, Dhori!
– Po ti ku shkon në këtë mot të keq? – Sa mirë që të gjeta; kam dy orë që po të kërkoj. Isha në bashkinë e qytetit, që andej po vij. Të kërkon kryetari i bashkisë… më duket se një vend i mirë pune po të troket në derë. Duhet të shkosh sa më parë, që tani.
– Punë?
– Po, për ty. E pash vetë emrin tënd në listë. Ishit tetë veta, ti ishe i pesti. Ti bëj si të duash, unë po iki tani, se kam ca punë.
Dhori u kthye nga rruga dhe u nis drejt bashkisë.
Kur hyri në derën kryesore, qendroi para sportelit. Filloi të bisedojë me punonjësen e shërbimit.
– Kryetari ka dy ditë që nuk është këtu, ka shkuar me shërbim jashtë qytetit. Për listat që thoni ju, s’kam fare dijeni, megjithatë, prisni një minutë. Ngriti receptorin e telefonit dhe se me kë foli.
Pas pesë minutash nga shkallët Dhori pa të zbriste një grua e re, e bukur.
– Zotëri, më vjen keq që jeni munduar, sidomos në këtë ditë me shi – i tha e porsaardhura. -Tani nuk kemi ndonjë mundësi për t’ju punësuar. Ne e dimë, ju jeni në listën e urgjencës. Kur të na krijohet mundësia, do t’ju njoftojmë vetë.
– Je e sigurtë për këto që po më thua? e pyeti ai.
– Kjo është detyra ime zotëri, megjithatë, kur të vijë kryetari, ju mund të vini përsëri e të flisni me të.
-Të faleminderit shumë zonjë për sqarimin – i tha ai dhe u nis për në shtëpi.
Duke ecur rrugës, Dhori po mendohej të shkonte e të pyeste Manjolën mos ishte ndonjë keqkuptim. U nis drejt shtëpisë së Dafinës.
Kur po ngjiste shkallët, pa Manjolën të dilte nga guzhina ku rrinin zakonisht, dhe hyri në dhomën tjetër. Ajo i hodhi një shikim të shpejtë që u duk sikur po mbante të qeshurën.
Dafina kur e pa Dhorin, iu lut të hynte brenda për të pirë një kafe.
Dhori i ruhej edhe fjalëve të njerëzve, ngaqë Dafina ishte grua e ve, pa burrë, megjithëse ajo i kishte të rralla shoqet për nga karakteri.
Që kur kishte vdekur Taqi, ishte hear e parë që Dhori hynte vetëm në atë shtëpi pa të shoqen. I tha Dafinës arësyen e vajtjes atje. Fytyra e Dafinës menjëherë ndryshoi ngjyrë, herë të trëndafiltë e herë në limonti. Shtrëngoi nofullat dhe thirri të bijën.
Manjola, sapo hyri në dhomë, kur pa Dhorin e trembur dhe të mërzitur dhe rrobat e trupit të lagura, ia dha të qeshurës me të madhe.
– Hë – i tha, – kemi ndonjë të re?
Dhori e kuptoi që ishte tallur me të. Iu drejtua Dafinës: – E shikon ç’më bëri jot bijë?
Dafina u bë më tepër nervoze. Nxehtësinë e brendëshme filloi ta ndjejë në të gjitha pjesët e trupit. Nuk iu durua. I qelloi të bijës me pëllëmbë në fytyrë.
Manjola atë veprim të s’ëmës në sy të Dhorit nuk e priste.
– Mama! Pse vepron kështu? Ç’farë të keqe kam bërë unë sot më tepër se të tjerët. Sot është 1 Prill, të gjithë njerëzit argëtohen sot në këtë ditë.
– Të bëfsha gropën. Burrë për të bërë shaka me ty është ky? Shakaja nuk bëhet me hallet e njerëzve…
– Sa turp! – tha Violeta.
– Posi s’është turp – iu përgjigj ai.
– Jo jo! Më vjen turp nga Dafina – tha përsëri ajo.
– Neve, s’ka pse të na vijë turp; turp duhet t’i vijë asaj, për atë soj malli që ka në derë.
– Turp i ka ardhur asaj nga ty, përderisa i qelloi të bijës me pëllëmbë në sy tënd.
– E mirë, le të mbajmë turpin e çupës së Dafinës ne.
Violeta po rrinte e menduar me sytë ulur përdhe mbi qilim. Ia hodhi përsëri sytë të shoqit dhe e pyeti: – Domethënë, nuk është fejuar Valbona?
– Moj grua, dëgjon ti ç’po llomotis unë deri tani? Pse, për të martuar Valbonën shkova unë në bashki? Valbonën, si vajzë e mirë që është e ndihmoftë Zoti për ndonjë fat të mirë. Ne po të na jepet mundësia do ta ndihmojmë.
– Nuk është puna tek mundësia, por…
– Ç’farë por, se mos i kam unë mbyllur çunat në dhomë dhe, hajt, të marr një e t’ia jap Valbonës?
Violeta nuk foli, uli përsëri sytë përdhe.
Dhorit i pëlqenin shumë fasulet, sidomos në atë ditë me shi. Për t’i shijuar edhe më mirë, po i shoqëronte me ullinj e me qepë.
– Po ti, pse s’po ha? – e pyeti të shoqen, kur pa pjatën e saj që pothuajse s’e kishte filluar fare. – Apo ke ngrënë?
– Jo jo! Nuk kam ngrënë, ty po të prisja, por…
– Mos e mba mendjen aty tani. Ja edhe mua më zbritën nervat sapo e bisedova me ty, megjithatë, e kam një lëmsh të mbledhur nga brenda.
– Nuk e di ç’paskam sot – tha ajo. Mori një copë bukë, e futi në gojë dhe filloi ta përtypë. Edhe asaj i ishte mbledhur një lëmsh nga brenda; nuk po e mbante vendi të rinte në shtëpi. E shihte të shoqin tek hante dhe i dukej se po vonohej më shumë nga ditët e tjera në të ngrënë.
Dhori mori kafshatën e fundit të bukës bashkë me dy kokrat e ullinjve dhe i futi në gojë.
– Të hedh edhe pak gjellë? – e pyeti ajo.
– Jo, jo. U kënaqa shumë. Hahen këto të uruara fasule. – U çua nga tavolina dhe eci drejt sobës.
Edhe Violeta u ngrit dhe filloi të mbledhë pjatat. Tek e shihte të shoqen, Dhori ndjeu dënesë që i kishte folur aq ashpër me ato fjalë për Manjolën.
– Do që ta bëj tani kafen ta pijmë, apo do presësh pak? – e pyeti Violeta.
– Pse, ç’farë do bësh ti?
– Më duhet të shkoj deri tek Rita. Nuk vonohem, as pesë minuta.
– Pse, ç’i ka ndodhur Ritës?
– Jo, po…
– Mirë, shko dhe kur të kthehesh e pijmë kafen. Dëgjo – i tha ai, sapo e shoqja preku dorezën e derës për ta hapur. – Mos i thuaj gjë Ritës për ç’farë të thash, se ju gratë i keni qejf këto gjëra.
– Pse muhabete për të bërë janë këto – tha Violeta dhe doli jashtë dhomës.
Violeta po ecte me hapa të shpejtuar në rrugicë, sa që, kush e ka parë, do ketë menduar se diçka do ti ketë ndodhur. U gjend përpara portës së shtëpisë së Ritës.
– Ç’farë po më thua moj! – i tha Rita e shqetësuar, duke e parë Violetën në sy. – Nuk është e vërtetë që është fejuar Valbona? E zeza unë, shkova dhe i thash edhe Nadires, vazhdoi Rita të flasë, duke prekur faqet me duar.
– Pse edhe asaj i the ti? Po ç’të duhet ty që flet lart e poshtë?
– Ç’të duhet, thotë! Edhe Nadirja ashtu si ne u gëzua; qau edhe ajo e shkreta nga gëzimi.
Violeta po e dëgjonte dhe nuk po fliste, vetëm mblodhi pak buzët.
– Je e sigurtë që nuk është fejuar Valbona? e – pyeti përsëri Rita si për t’u bindur.
– Edhe më pyet? Unë për këtë erdha tani. Kishin qenë bashkë sot, Miltoja dhe im shoq. I kishte qarë edhe hallin e tij i shkreti për moshën e të bijës që po i kalon.
– Kur kishin biseduar, sot?
– Sot sot!
– Po shejtanit, Manjolës, kush i tha?
– Ty kush të tha, Manjola?
– Manjola, kush tjetër!
– Nuk di ç’të them, këto gjëra janë me zarar. E mira është të shkosh te Dafina, bisedoje edhe njëherë me Manjolën. Është mëkat edhe për Valbonën. Është çupë në moshë dhe i del nami kot së koti dhe mos harro, Manjola është pak çapkëne.
– Moj po… le të jetë sa të dojë çapkëne ajo; këto çapkënllëqe nuk i shkojnë tek mua.
– Unë për këtë erdha tani tek ty. Ika, se kam edhe Dhorin vetëm në shtëpi.
Kur Violeta u largua, Rita po rinte e menduar te pragu i portës. Gjaku i kishte hipur në kokë.
” Jo, jo! Do iki që tani” – tha me vete dhe eci drejt shtëpisë së Dafinës.
Trokiti në derë. Doli Manjola. – Hajde Rita, po mamaja nuk është këtu.
– Ti me kë je aty? – e pyeti Rita, që mezi po merrte frymë.
– Vetëm jam.
– Pse, ku ka shkuar jot ëmë?
Manjola psherëtiu, e pa në sy, u mendua pak pastaj tha: – Ka shkuar…, por, do vonohet ca.
– E po mirë – tha Rita, – unë për ty kam ardhur, por edhe për Dafinën.
Manjola shtrembëroi buzët si për t’i thënë se s’po e kuptonte. – Mua, ja këtu më ke.
– E po thashë, t’i them edhe Dafinës, të marim edhe Violetën dhe Nadiren e të shkojmë te Vangja, ta urojmë për fejesën e çupës, Valbonës.
Manjola kur dëgjoi këto fjalë, sa nuk ia plasi të qeshurës me të madhe, megjithëse për këtë kishte bërë fjalë me të ëmën. Kafshoi buzën e poshtëme dhe i tha: – Rita, nuk e kuptoj si e more seriozisht atë që të thashë. Unë mendova se sot është 1 Prill, megjithatë, faji është imi, që merem me plakat për të bërë shaka. Njëherë në vit është kjo ditë. Edhe ti, gjinkallë je, shkove dhe e hape në gjithë lagjen.
Ritës nuk iu durua. – Shaka për të bërë është ajo që bëre ti? Ti je vetë çupë beqare; e kupton që i del nami tjetrës? Më thua edhe gjinkallë.
Fytyra e Ritës kishte marrë një shtrembërim të theksuar. Manjola, duke e parë Ritën me atë pamje të fytyrës, sa edhe buza e poshtëme po i dridhej, iu kujtua, çfarë Rita kishte treguar njëherë për veten e saj. Kur kishte qenë e vogël ishte goditur në buzën e poshtëme dhe plaga i kishte lënë një shenjë të përjetshme. Buza e Ritës anonte pak nga ana e djathtë, sa edhe gratë e lagjes i kishin vënë nofkën, buzështrembëra. Ndërsa kur po fliste me Manjolën, buza po i dridhej më tepër. Manjola mundohej ta mbante të qeshurën, duke vënë dorën përpara gojës dhe kafshonte buzën me dhëmbë.
Rita e kuptoi që ajo nuk po shqetësohej fare për atë që kishte bërë.
– Dëgjo Manjola – i tha: Ti ndoshta kërkon të tallesh, se po e shoh, qe s’je fare e shqetësuar, por dua të them, se kjo punë ka vajtur shumë e madhe. Do të rëndojë shumë ty. Valbonës, mos i dil përpara syve, ndërsa të vëllezërit e saj, sidomos ai i vogli, ishte bërë xhind. Unë që andej po vij tani; nuk luajnë nga e tyrja ata. Donin të vinin këtu tek ty, por Miltoja nuk i la.
Manjola kur dëgjoi ato fjalë u zverdh menjëherë dhe zemra filloi t’i rrahë me shpejtësi. Gjunjët po i dridheshin, i dukej se do rrëzohej përdhe. Qeshja e mëparshme që i rinte varur në cepin e buzëve i iku menjëherë. Balli i shkëlqeu nga djersët. U përtyp, megjithëse pështyma në gojë i ishte tharë: Pastaj e pyeti: – Vërtet?
– Pse, po tallem unë? – tha Rita me njëfarë krenarie.
– Kush u tha atyre?
– Unë shkova, nuk po më mbante vendi nga gëzimi. Doja t’i uroja sa më parë.
– E shikon? Kot nuk them unë që ti je gjinkallë.- foli prap Manjola e frikësuar.
– Moj po… lëre gjinkallën ti! Ka vajtur shumë e madhe kjo punë.
Tani Manjola po e shihte Ritën, sikur ajo të ishte shpëtimtarja e saj. Po mendohej, si mund të dilte nga ai qorrsokak ku vetë kishte hyrë.
– Po vetë Valbona, çfar thoshte? – e pyeti pasi u mendua ca.
– Valbona? Ajo po i thoshte…
– Dëgjo Rita!- e ndërpreu Manjola. – Meqenëse ti që andej po vjen, të lutem shumë, mund të shkosh përsëri atje.
– Përse duhet të shkoj?
Manjola nuk foli. Vetëm po mendonte. U pendua shumë për atë shaka të tepruar që kishte bërë. Fytyra e Ritës, që para pak çasteve e kishte bërë të qeshte, tani po i dukej e frikshme. Mendonte se vetëm nga Rita varej zgjidhja e asaj ngatërese.
– Rita! Të lutem shumë! Ti duhet të shkosh menjëherë atje.
Rita lëvizi kokën në shenjë mohuese.
– Të lutem shumë Rita. Duhet ta bësh për mua. Mos u shpejto, vetëm më dëgjo. – Nuk mundi dot të fliste. Sytë menjëherë iu mbushën me lot dhe filluan t’i ridhnin në faqe. Ishte buza e Manjolës ajo, që po dridhej në ato çaste.
Rita që po e shihte në atë gjendje, iu dhimbs shumë dhe mendoi ta ndryshojë drejtimin e lojës.
– Çfarë ke? Pse qan?
Manjola nuk iu përgjigj. Ngriti dorën e majtë dhe fshiu lotët.
– E ja, se po shkoj te shtëpia e Valbonës. E ç’farë duhet t’i them, se ishte një shaka e jotja për 1 Prill?
Manjola përsëri nuk foli. Në ato çaste trishtimi që po kalonte, menjëherë iu kujtua edhe Dhori.
– Manjola! kur do t’i heqësh këto prapsira ti nga mendtë e kokës? Vërtet ke qenë vajzë e praptë e vogël, por tani në këtë moshë nuk të shkojnë më prapsitë. Ti po më thua se ishte një shaka, por moshës tënde tani nuk i shkojnë këto shaka, ashtu siç nuk më shkojnë edhe mua që po të gënjej ty në këtë ditë.
Manjola, nga ato fjalë të papritura që dëgjoi, nuk po u besonte veshëve.
– Si the? Nuk janë të vërteta të gjitha këto që po më thua?
Rita buzëqeshi, duke tundur kokën.
– Rita, të lutem, më thuaj; nuk janë të vërteta këto që më the? Nuk po vjen nga shtëpia e Valbonës ti tani?
– Si s’janë të vërteta? Janë aq shumë të vërteta, sa ç’është e vërtetë që Valbona është fejuar, ose të them më mirë që Valbonën e fejove ti sot më 1 prill.
Manjola u çlirua nga ai makth, buzëqeshi, fshiu lotët dhe tha: – Të martë dreqi buzën e shtrembër ty, se më ngrive gjakun.
– E po, kjo buza ime e shtrembër, e shpëtoi gjuhën tënde të shkurtër që po përpëlitej brenda gojës tënde të tharë.
Manjola iu afrua, e përqafoi dhe i tha: – Hajde, ulu tani të të bëj një kafe.
– Do ta pi – tha Rita, – por jo tani. Do vij më vonë me Violetën dhe Nadiren, kur të jetë edhe Dafina në shtëpi.

 

Filed Under: Kulture, Sofra Poetike Tagged With: 1 prilli, Pierre {andeli Simsia, Tregim

NUK SHKOJ KURRË MA NË MITINGJET E TYNE

March 31, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

nuk do të shkoj kurrë ma në mitingjet e tyne/
të dëgjoj si do të na rrejnë/
ca rrejtarë /
të dalë boje/
që rrojnë aq lluksshëm/
tuj i shitë rrenat e tyne/
se gjejnë budalla/
si puna jonë/

që për 22 vjet nuk lamë miting/
shkuam e stërshkum në mitingjet e tyne/
tuj hangër e tuj pi/
rrena/
tuj i ba keq stomakut/
e trunit/

 

 

se rrenat e tyne
që nuk i hanë as qentë
i shesin si të jenë
të jenë mall bio
pa konservues dhe ngjyrues
sepse gjejnë
prapë e prapë
budallë si na

 

 

a i dëgjoni si ulërojnë
Zot i madh
runa prej tyne
mbyllini veshët me dyll
si veproi Ulisi
sepse janë
ma të rrezikshëm
se Sirenat
ato knonin magjishëm
kta knojnë si gozhdat
që gërvishtin murin
ta çajnë tipanin e veshit
nuk ka gja
më të stonushme
si ata
antimuzikë
antiharmoni
sepse
nuk e njohin zanin tjetër
sepse kështu krijohet
rezonanca
ata nuk njohin askënd
veç zanin e tyne
të çjerrshëm
tuj tjerr fjalë rrejshëm

unë nuk kam me shku
kurrë ma
në mitingjet e tyne
ku rrenën e ngritën
në piedestal
dhe piedestalët
i lanë pa krena

unë nuk kam me shku
kurrë ma
në mitingjet e tyne
sepse e kthyn
gjuhën shqipe
në gjuhë rrenash
e nuk ka dhimtë ma të madhe
me dëgju në gjuhën e nanës
se si po ta ngopin
barkun e trunin me rrena

nuk do të shkoj ma në mitingjet e tyne
tuj e pa veten si delja Dolli
tuj t’i ofru rrenat
pa doreza krejt
tuj të than troç hape
gojën
se po të hedh si në kosh plehnash
rrena
tuj të thanë troç
« jam tuj ta shpla trunin me rrena»
ashtu turpshëm
tuj e sakatos gjuhën e bukur shqipe
tuj i llabuçit nëpër gojë
fjalët e gjuhës shqipe
tuj t’i ofru rrenat
krejt të zhveshuna
lakuriqe ose zhele-zhele
krejt pa ambalazh
qyqanisht
tuj të konsideru si bagëti
e tufëzash kooperativash

nuk shkoj ma në mitingjet e tyne
rrenat e tyne ma nuk i ha
prej 22 marsit 1992
jam çlirue prej vargojve të rrenave

edhe durimi e ka sensin e masës

e kta rrenat e tyne
t’i hajn për veten e tyne
sa herë të dojn
në drekat e tyne të pasura
me proteina rrenash
me karbohidrate rrenash
me 100 përqind rrena
pa organe, pa zorrë, pa zemër,
pa mushkëri, vetëm rrena
edhe pjata e parë
rrena
edhe pjata e dytë rrena
edhe dezerti rrena
edhe në vend të verës
franceze
pini rrenat e juaja
sepse
ky asht malli i juaj

ndërsa unë

nuk shkoj ma në mitingjet e tyne

do të qëndroj sa ma
larg shesheve të mbushur
me smogun e rrenës
që në vend të ajrit të pastër
të bëjnë të frymëmarrësh
helmin e idhtë të rrenës
që ta shkurton jetën

nuk shkoj kurrë ma në mitingjet e tyne
do të rri sa ma larg tyne…

e çlirume prej rrenës
e të jetosh e çlirume prej rrenës
do të thotë ta ndish
shijen e vërtetë të lirisë…

 

Filed Under: Kulture, Sofra Poetike Tagged With: E TYNE, Elida Buçpapaj, MA NË MITINGJET, NUK SHKOJ KURRË

MIK, NË ÇASTIN E SHKATËRRIMIT- NE SOFREN POETIKE TE DIELLIT

March 30, 2013 by dgreca

Erik Johan Stagnelius (1793-1823)

Është një prej poetëve më të dalluar në historinë e letërsisë suedeze, në të njëjtën kohë duhet thënë se ai është enigmatik, jetoi në një farë izolimi, dhe mendimet për figurën dhe jetën e tij ndër studiuesit nuk përputhen.Poezia e tij ka një gof, një forcë të rrallë emocionuese.
Më e njohur nga vjershat e tij është ”Mik, në çastin e shkatërrimit”. Bëra një interpretim shqip para 17 vitesh:

MIK, NË ÇASTIN E SHKATËRRIMIT

Mik, në çastin e shkatërrimit, kur në brendësi terri të mbulon
kur në humnerë po zhduken mendja dhe kujtesa,
mendimi i hutuar kërkon diçka midis hijës dhe dritës së vagëlluar,
zemra nuk mund të psherëtijë, syri nuk mund të qajë;
kur nga shpirti yt, i mbështjellë nga nata, po bien flatrat e zjarrta,
dhe kur po ndihesh me frikë se përsëri do të zbritesh në hiç,
kush do të të shpëtojë atëherë? – Kush është ky engjëll i mirë
i cili brendësinë tënde prapë rregullon, hijeshon,
dhe në botën tënde të humbur, duke rimëkëmbur altarin e rrezuar,
po ndez aty flakën me dorë atërore? –
Vetëm ajo qenie e fortë, që në natën pa fund e ngjalli serafin,
duke nxitur diejt të vallëzojnë,
vetëm ajo fjalë hyjnore, që u thirri botrave: “Bëhuni!” –
që edhe sot me fuqi të gjallë i bëjnë të lëvizin me vrull.
Gëzohu, pra, mik, dhe këndo në terrin dëshpërues:
Nata është nëna e ditës, Kaosi komshiu i Zotit.

E shqipëroi Ullmar Qvick më 26 janar 1996.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: erik Johan Stagnelius, Mik, ne castin e shkaterrimit

GEZUAR DITELINDJEN E LIRISE, KOSOVE!

February 17, 2013 by dgreca

Gëzuar Ditëlindjen e Lirisë , Kosovë! 5 vjet Pavarësi, u bëfshin për ty, miliarda vite lumturi !/

 Vilhelme Vranari Haxhiraj /

Hapma zemrën, o Nënë!/

Me krenari ty të falem,

Kosovë!

Para teje në gjunjë

përulem o nënë!

Nderim…

mirënjohje…

përkushtim…

për shekuj të tërë!

 

Mbështetur kokën ,

në kraharorin tënd,

hapma zemrën…

dhe më bëj pak vënd.

Kosovë!

O bijë martire…

lejomë,

që mallin të ta shuaj

për djemtë e vajzat lastarë,

që jetën s’e kursyen

për ty, o nënë… e dhanë.

 

Kosovë!

o bijë e Shqipes krenare,

përse shekujt të drobitën?

luftrat…

hallet…

dhe dertet të rritën…

 

Kosovë!

më fut në gji ti, o mëmë,

me ledha…

ngrohtësi

e dhembshuri…

të t’i shëroj plagët

e shpirtit tënd!

 

Ndaj, hapma zemrën

e më bëj pak vend,

qetësinë do ta gjej

në kraharorin tënd!

Kosovë!

këtë pesëvjetor lirie

Të ndrit fytyra…

dhe kurmi i larë

me dritë Perëndieë

Ta gëzosh

kurorën e artë mbi krye

se të paska hije!

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Hapma zemren, o nene, Vilhelme Vranari

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • 114
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Charles McGonigal…
  • Sopranoja Shqiptare Ermonela Jaho “Artisja e Vitit 2023” Sonte në Operën Metropolitan
  • ASLLAN BUSHATI: “DIKTATI I ADM-ve NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”
  • Eksperimenti, Asociacioni/Bashkësia …!
  • Department of State Signals Pressuring Kosovo to Discuss the EU Proposal, Vucic “Drama Queen” Says President Osmani
  • ZGJEDHJET PRESIDENCIALE TEST PËR ATO PARLAMENTARE
  • Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale Ushtarake komandantin e Gardës Kombëtare të Iowa-s, gjeneralmajor Benjamin J.Correl
  • VATRA PROMOVOI “DIKTATI I ADM NË LUFTËN E FTOHTË E PAS SAJ”, BOTIM I GJENERAL ASLLAN BUSHATIT MBI ARMËT BËRTHAMORE DHE SIGURINË KOMBËTARE
  • Biseda me Mjeshtrin e Fotografisë Roland Tasho
  • Deputeti i Parlamentit të Kosovës Prof. Besnik Tahiri mbajti fjalën në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës
  • ÇËSHTJA E KOSOVËS DHE ROLI I DIPLOMACISË NDËRKOMBËTARE NË PROCESIN E ÇLIRIMIT TË SAJ
  • ZËRI DHE FJALA MAGJIKE…
  • Nderim 179 vjetorit të lindjes dhe 104 vjetorit të vdekjes së Themeluesit të shtetit të pavarur shqiptar, Ismail Qemal Vlora
  • Përse akoma në vend numëro?!
  • Njё arap Vlore qё quhet Otello

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT