• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Natyra dhe ne

March 30, 2023 by s p

Astrit Lulushi/

Natyra nuk është produkt i përfunduar; nuk është ndonjë tempull i shenjtë, as shkollë. Mund ta mendoni si një punëtori. Natyra siguron lëndët e para, por mendja duhet të bëjë pjesën tjetër. Ju duhet të shpalosni aftësinë natyrore për të përdorur mjetet e ndërgjegjes. Ju mund të luani me gjysmë zemër ose me mjetet tuaja dhe të shfaqni krijime jo të plota; ose mund t’i përdorni mjetet me njohuri dhe saktësi, duke krijuar pikërisht atë që dëshironi; bukurinë, harmoninë, lirinë, dashurinë, gëzimin, bollëkun, përmbushjen, çdo gjë. Përvoja e realitetit varet tërësisht nga ju; në sferën fizike si në të gjitha sferat, ajo mund të formohet në çdo gjë, në çdo kohë – gjithçka që ju mund të konceptoni dhe dini se është e arritshme mund të bëhet përvoja juaj. Është si të pikturosh një foto. Hapësira dhe koha është kanavaca, mendimet dhe imazhet e mendjes janë furçat dhe tehet tuaja, dhe notat e energjisë janë ngjyrat në paletën tuaj. Ju mund ta pikturoni portretin si të dëshironi; i madh ose i vogël, i guximshëm ose delikat, i gjallë ose i zbehtë, i mrekullueshëm ose i tmerrshëm, i këndshëm ose i dhimbshëm, i suksesshëm ose katastrofik, krijues ose shkatërrues; çfarëdo që ju besoni dhe imagjinoni mund të jetë fotografia juaj. Krijimi juaj është ajo që ju e quani jetë, duke u shpalosur përjetësisht në çdo sekondë të së tashmes. Fryma e saj është e ngrohtë dhe e ëmbël në fytyrën time, megjithatë, e shkrirë.Jeta duket se përfshin, për shembull, tërmetet dhe përmbytjet dhe gjarpërinjtë helmues, si dhe të aftët dashamirës. E mira dhe e keqja janë thjesht paragjykime, terma që aplikoni për gjërat sipas avantazhit të perceptuar ose dëmtimit të tyre për veten ose njerëzimin. Natyra është shumë përtej së mirës dhe së keqes. Siç thotë edhe Makiaveli, ajo që është vërtet e mirë rrallë herë përkon me atë që duket të jetë e dobishme; pak janë ata që mund t’i njohin dhe t’i pajtojnë të dyja. Nuk janë gjarpërinjtë ata që janë të rrezikshëm, është vetëm frika nga gjarpërinjtë. Çdo gjë që vdes vdes nga korrupsioni i saj, gjithçka që dëmton vjen nga brenda. Mund të kalosh jetën në dukje të tronditur dhe të rrahur nga rastësia dhe fati – fjalët e tua për gjëra që nuk ekzistojnë – ose mund të marrësh mjetet dhe me to të krijosh saktësisht jetën që dëshironi nëse nuk imponon disiplinë të patëmetë mbi veten.

Photo: the nature conservancy

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Astrit Lulushi

Befasia e një urimi

March 8, 2023 by s p

Julika Prifti/

Për 91 vjetorin e ditëlindjes së babait doja të risillja kohët e koncerteve të Vjenës nga Shqipëria por duke i shtuar një befasi, një urim nga Shkëlzen Doli, violinisti i talentuar shqiptar i Orkestrës Simfonike me famë botërore. Mezi prita përfundimin e koncertit simfonik në Carnegie Hall parmbrëmë, dhe me pak druajtje vajta ta uroja bashkatdhetarin, të cilin nuk e njoh por e kisha parë në një shfaqje në Tiranë. Megjithatë e kisha vendosur se do t’i lutesha të shkruante në programin e Carnegie Hall një urim për babin. Njohjen me Orkestrën Simfonike të Vjenës e kujtoj se nisi në fund të viteve 1960 në Shqipërinë e kohës së regjimit hoxhist. Koncerti i Vjenës, një traditë e botës muzikore e mirëpritur nga të gjithë, mblidhte shumë të afërm e miq në shtëpinë tonë, të cilët vinin enkas në 1 janar për të uruar vitin e ri. Meqë asokohe aparatet televizive ishin të paktë, të gjithë e linin vizitën në orarin e programit të shumëpritur që të shijonin valset e marshet nga fisi i madh i kompozitorëve Strauss, dhe gjithashtu adhuronin pjesët koreografike që shoqëronin disa pjesë të koncertit njëorësh. “Dhoma e televizorit” mbushej plot dhe përngjante me një sallë të sajuar koncerti ndërsa mobiljet e orenditë shtëpiake ngjante se merrnin një hije klasike nga ajri që përçonte tingujt e muzikës austriake. Babait dhe neve na dukej se për një orë nuk ishim më në Shqipërinë e zymtë dhe të izoluar, se për një orë edhe ne ishim pjesë e Europës, pjesë e Vjenës. Kaq shumë ishte brendësuar lidhja emocionale e shpirtërore me Simfoninë e Vjenës sa kur erdhëm në Nju Jork vajtja në koncertet e filamornisë së saj, e cila jep tri koncerte në Carnegie Hall na jepte edhe ndjenjën e një lloj ngadhënjimi mbi sistemin e rrëzuar dhe të dështuar.Tek prisja të dilte violinisti i famshëm shqiptar, pashë një burrë me sy bojëqielli, me flokë të zeza, dhe trup të derdhur, dhe ju afrova sakaq duke e pyetur shqip “Ju jeni Shkëlzen Doli?” Ai nuk u përgjegj dhe unë mendova se nga zhurma e njerëzve të mbledhur rrotull tij për ta takuar nuk më kishte dëgjuar. “Ju jeni Shkëlzen Doli?” përsërita pyetjen duke uruar që mosmarrëveshja të ishte dëgjimore.-Ich spreche nur deutch, – erdhi përgjigja e tij.-Oh, so, dann du bist nicht Shkelzen Doli – i thashë unë.-Shkelzen ist nicht hier, – sqaroi ai. Aty për aty mu fshi buzëqeshja teksa ndieja sesi ideja për një dhuratë të veçantë për ditëlindjen e babit po mbetej vetëm një dëshirë e mirë. Pranë meje violinisti dhe koncert maestri austriak Rainer Honeck po fotografohej me adhuruesit e tij. Mendova të mos e humb rastin për të bërë foto me të dhe i shpreva keqardhjen që nuk munda ta takoja bashkatdhetarin tim. -Po ne kemi edhe një shqiptar tjetër në orkestër, – më tha ai. – Celisti Edison Pashko.“Zbulimi” i një shqiptari tjetër në Simfoninë e Vjenës më erdhi edhe mua si një dhuratë të cilën ia përcjell sot babait në përvjetorin 91 të ditëlindjes bashkë me urimet për shëndet të mirë dhe për të ardhur vitin tjetër në Carnigie Hall në koncertin simfonik të Vjenës me dy bashkatdhetarë, e mbase edhe të tjerë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Julika Prifti, Naum Prifti

BETEJA E SHEKULLIT QË NDRYSHOI HISTORINË E KOSOVËS

March 6, 2023 by s p

Dr. Lulzim Nika/

Në mëngjesin e 5 marsit të vitit 1998, shteti kriminal serb do të sulmojë kullën e Komandantit Historik të UÇK-së Adem Jashari dhe gjithë familjen e tij. Lufta e ushtrisë çlirimtare në fillim hasi në vështirësi nga faktori ndërkombëtar që dhanë deklarata kundër veprimtarisë çlirimtare te UÇK-së. Vendimi që u mor në zyrën e kriminelit S.Millosheviq, kryetar i Serbisë, dhe me përkrahjen e shumicës se këshilltarëve të tij, që të zhduket familja e Komandantit Adem Jashari, dhe që me ketë të shuhet ideja për një luftë çlirimtare e shqiptarëve të Kosovës, doli e dështuar. Kjo llogaritje ishte e gabuar, që duke u përdorur makineria ushtarake serbe ndaj një familje emblemtatike, siç ishte familja e Adem Jasharit, të shuhet ideja e lirisë së Kosovës. Pas rënies së Komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij, shqiptarët e Kosovës mundën frikën ndaj regjimit serb dhe filluan të rreshtohen masivisht në radhët e UÇK-së. Beteja treditore, më 5, 6 dhe 7 mars 1998 nga familja Jashari në Prekaz të Skënderajit vuri themelet e lirisë së Kosovës.Sot, në këtë ditë të shënuar, kujtojmë sulmin mbi familjen Jashari. Sakrifica e tyre u bë dritë e lirisë së Kosovës. Kjo betejë ndryshoi historinë, sepse u bë frymëzim për çdo shqiptar që t’i merrte armët e të luftonte për liri. Ato ditë të kësaj beteje epike, edhe ata më skeptikët, më pesimistët, e panë se rruga e vetme që çonte drejt lirisë, ishte lufta çlirimtare. Kjo betejë, pra u bë frymëzim për shumë të rinj e të reja që u rreshtuan në radhët e UÇK-së dhe kështu kombi shqiptar anekënd trojeve të veta, u bashkua në këtë rrugë të fitores së madhe historike.Përjetësisht, do t’u jemi mirënjohës ndaj atyre grave dhe burrave, që u flijuan dhe u bënë gurthemel i lirisë së Kosovës.I përjetshëm qoftë kujtimi, respekti e vlerësimi për ta!Lavdi

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Lulzim Nika

Xhevat Kallajxhiu, kontributi patriotik e publicistik nga “Zëri i Amerikës” te gazeta “Dielli”  

February 4, 2023 by s p

Dr. Paulin Marku/

Xhevat Kallajxhiut lindi në vitin 1903 në Gjirokastër. Profili i tij në fushën publicistike-gazetareske është i lartë. Fillimisht e nisi në Shqipëri dhe pastaj e zgjeroi veprimtarinë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Edhe pse larg Shqipërisë, ndjenja dhe dashuria për vendlindjen nuk u zbehen asnjëherë. Lidhjet me atdheun demonstrohen të forta dhe nuk i humbi asnjëherë marrëdhëniet dhe interesin për vendlindjen dhe mbante kontakte të vazhdueshme me bashkëkombësit. 

Kallajxhiu gjatë karrierës dëshmoi profesionalizëm në fushën mediatike e publicistike që në Gjirokastër drejtor i gazetës “Demokracia” dhe botoi disa vepra të rëndësishme, të cilat u mirëpriten me interes. Ai ishte besimtarë i devotshëm religjioz, si një bektashian me edukim shpirtërore e njohës i mire i komunitetit, i cili arriti të botonte në vitin 1964 librin, “Bektashizmi dhe Teqeja Shqiptare në Amerikë”; “Skënderbeu”;“Larg Atdheut.”; “John Kenedy, Kampion i Paqes dhe Lirisë”; Abraham Linkoln, etj…  .Xhevat Kallajxhiu punoi në Zërin e Amerikës nga ku doli dhe në pension, dhe më pas për 10 vite në krye të gazetës Dielli, si editor.  

Xhevat Kallajxhiu përjetoi ngjarje të rëndësishme në Shqipëri. Ai ishte në moshe të mitur kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë, Luftërat ballkanike si dhe përjetoi qeverinë e Princ Vidit, qeveri të ndryshme në Shqipëri dhe shndërrimin e republikës në monarki nën mbretnin e Ahmet Zogu. Po ashtu, përjetoi Luftën e Parë dhe të Dytë botërore. Ai shpesh here shkroi dhe publikoi rreth ngjarjeve të rëndësishme të Shqipërisë në këndvështrimin e njohësit të mirë të ngjarjeve historike të popullit shqiptar. 

Ashtu, si shumë atdhetar të tjerë nacionalist që u larguan nga Shqipëria për shkak se nuk pranonin t’i nënshtroheshin regjimit komunist, edhe Xhevat Kallajxhiu u largua nga atdheu. Ai mori rrugën e emigrimit në vitin 1944. Me vete mbarte një eksperience të madhe politike e publicistike, si njohës i mirë i ngjarjeve historike që do t’i shërbenin në emigracion për të pasuruar vizionin e tij, intelektual e profesional. Këto eksperienca, të përjetuara qysh prej fillimit të shekullit XX-të, ishin frymëzim e vizion që do ta shoqëronin gjatë gjithë jetës për të informuar opinionin publik shqiptar dhe të huaj në SHBA në fushën publicistike e gazetareske. Veprat e tij u mirëpriten në opinionin publik dhe patën interes të madh, ku mund të përmendim “Bektashizmi dhe teqeja e parë në Amerike”; Monografinë për Skënderbeun; Presidentin, Jon F. Kenedy; Librin për Abraham Linkoln që u ribotua dhe u promovua së fundmi në Vatër në bashkëpunim me Teqenë bektashiane shqiptare të Detroitit me parathënie të Eliton Baba Pashaj.

Xhevat Kallajxhiut e shikonte si frymëzim për shoqërinë jetën dhe veprimtarinë e Abraham Lincoln, i cili kishte patur një udhëtim të gjatë e të vështire deri kur arriti të behej president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 

Lincoln, u përball me vuajtje dhe vështirësi nga fëmijëria me plot sfida e sakrifica të ndryshme. Autori analizon mënyrën si u rrit e u shkollua, jetën në adoleshencë dhe mënyrën autodidakt të shkollimit të tij, si dhe për formimin universitar. Kallajxhiu sjell në vëmendje të lexuesit qasjen optimiste me një frymëzim pozitiv për mënyrën se si një njeri i familjes së thjeshtë që vinte nga shtresa e ulet e shoqërisë, ku punët e tij të para ishin, bujk, druvar e detar për të arritur në të ardhmen, në majat me të larta politike, si President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Abraham Linkoln kaloi vështirësi të mëdha dhe dëshmoi vlera dhe virtyte të larta për qasjen autodidakte dhe këmbëngulës për të realizuar synimet e tij. 

Sipas Kallajxhiut, profili i Lincolni ishte i larte, i një intelektuali humanist të jashtëzakonshëm dhe të veçantë, të një presidenti që la gjurme pozitive në historinë institucionale amerikane. Shprehjet e Lincolnit janë mjaft domethënëse, i cili pohonte, se:“njerëzit nuk mund të jetojnë gjysmë të lirë dhe gjysmë skllevër”, dhe e përshkroi “Deklaratën e Pavarësisë Amerikane” me këto fjalë: “Liri jo vetëm për popullin e këtij kombi, por edhe shpresë për të gjithë botën dhe për të gjitha kohët e ardhme”. Teoritë dhe analizat e shumta politike e filozofike rreth Lincolnin me parimet bazë: “Liria e Mendimit”, “Liria e fjalës”, “Liria e Shtypit”, “Liria e Besimit Fetare dhe për të Drejtat e Njeriut”. Për këto arsye, e shume të tjera, Lincolni arriti të realizojë dy objektiva thelbësore “zhduku sistemin e skllavërisë dhe siguroi bashkimin e përjetshëm të kombit”. Figura e Lincolnit ishte frymëzim dhe shembull pozitiv për Kallejxhiu, fakt ky që e dëshmon mënyra se si analizon jetën dhe veprimtarinë e Presidentit të SHBA në librin e tij.

Veprimtaria publicistike e mediatike e Xhevatit Kallejxhiut është e gjerë në fushën e botimeve. Po ashtu, ishte i kujdesshëm për ruajtjen e marrëdhënieve me bashkëkombësit, si dhe përpiqej të mbante lidhje me miq dhe koleg kudo që ndodheshin, brenda dhe jashtë Amerikës. 

Ndërsa, lidhjet e tij me regjimin komunist dhe me drejtuesit në Shqipëri nuk qenë aspak të mira për arsye se ishte një kritik i forte i komizmit dhe i veprimeve të ashpra të sistemit diktatorial të Enver Hoxhës. 

Xhevati ishte adhurues e bashkëpunues me Federatën “Vatra” dhe “Diellin” që kur punonte në Zërin e Amerikës, para se të merrte drejtimin e gazetës Dielli. Këtë e vërtetojnë shkrimet dhe letërkëmbimet e tij me Vatrën. Krahas veprimtarisë publicistike e mediatike në Zërin e Amerikës, la gjurmë edhe në Federatën “Vatra”, i cili drejtoi gazetën “Dielli” për dhjetë vjet, 1976-1986. Pasi doli në pension në Zërin e Amerikës, krerët e Vatres e ftuan për të drejtuar  gazetën Dielli, post ky që e pranoi me shumë dashamirësi. Kallajxhiu kishte të ardhura të mjaftueshme nga pensioni dhe pohonte se “tashti kam kohë të mjaftueshme për të shërbyer në komunitet dhe për të qenë editor i Diellit me kohë të plotë. Shprehej  krenar që drejtonte gazetën “Dielli”, e cila vazhdonte të ruante traditën qysh prej 15 shkurtit 1909 kur doli në Boston në shërbim të Atdheut dhe popullit shqiptar. Xhevati arriti të botonte dhe të shpërndante gazetën kudo ku kishte shqiptare në Amerike, në Departamentin e Shtetit në Washington, dhe në disa vende të ndryshme të Evropës. 

Fakti që vinte nga një eksperience e gjatë mediatike, si njohës i mire i historisë, si  dhe një mbrojtës i të drejtave të shqiptareve, arriti të publikonte shkrime të shumta rreth situatave në trojet shqiptare. Për shkak se qëndrimet e tij antikomuniste i kishte bërë publike, nxitën sigurimin e shtetit të ishte vigjilent dhe të ndiqte veprimtarinë e Kallajxhiut. Gjenden disa letërkëmbime të sigurimi të shtetit që raportonin mbi veprimtarinë dhe për qasjen e tij antikomuniste. Shkrimet e shumta në gazetën Dielli, dëshmojnë ndjenja të larta atdhetarie dhe guxim për të demaskuar të vërtetën që përjetonin shqiptarët. Si shume intelektual shqiptar të mërgatës, edhe Kallajxhiu bënte pjese në listën e sigurimit të Shtetit që përndiqej në aktivitetet publike dhe publicistike të tij. 

Oficeri i sigurimit të Shtetit njoftonte eproret për qëndrimin e gazetës Dielli në radiogramin, 28 qershorit 1977, nr 290 njoftonte MPJ, citoj: “Xhevat Kallajxhiu, në një artikull mbi të kaluarën e “Vatrës”,  bën thirrje për forcimin e saj dhe për t’u përgatitur për mbrojtjen e “Shqipërisë etnike”, se e ardhmja mund të sjellë të papritura edhe më shpejt se sa parashikohet. 

Një tjetër dokument, oficeri i sigurimit të shtetit pohon për Kongresin e Legalitetit dhe fjalimin e përfaqësuesit të Federatës “Vatra” Xhevat Kallajxhiu. Dokumenti konsiderohet Sekret, i nxjerre nga relacioni i kongresit të “Legalitetit” më 13 mars 1978 dhe thuhet se me insistim të kryesisë së Kongresit, e mori fjalën Xhevat Kallajxhiu. Puna është që të gjithë së bashku të punojmë, të heqim dorë nga akuzat, sepse “Dielli” bëri të dëgjohet në të gjitha anët puna e Kosovës. Xhevati shprehte qëndrimet e tij edhe për çështjen e Kosovës. Ai pohonte: “Ne morëm kontakte me senatorë amerikanë, sepse Kosova nuk shpëtohet pa përkrahjen e amerikanëve e të senatorëve amerikanë. “Të jini të bindur, – tha më në fund Xhevati, – se Xhevat Kallajxhiu e ka në zemër Kosovën sa edhe çdo kosovar e shqiptar tjetër. Për mua çdo shqiptar është besnik, është patriot, fisnik e i ndershëm, është raca më e bukur që ka lindur perëndia në këtë botë”. (Nxjerrë nga relacioni i dërguar nga rezidentura e New York-ut më datë 22.12.77, për Xh. Kallajxhiun e “Vatrën”, nga p.op. R. Leli, më datë 13.3.78 AIDSSH, Dosje e organizatës “Vatra”, volumi 2)

Për survëjimin që i bëhej Vatres dhe publikimeve te gazetës Dielli

një tjetër dokument pohonte: “Ne po punojmë që “Vatra” të jetë e vetmja organizatë ku të grumbullohen të gjithë shqiptarët të çfarëdo tendence politike, duke përfshirë këtu ata nga Jugu e Veriu, Kosova e Çamëria”.

Veprimtaria e Xhevat Kallajxhiu dëshmon se ishte një profesionist me njohuri të përgjithshme, i cili botoi monografi të ndryshme dhe pati veprimtari të gjerë gazetareske e mediatike. Po ashtu, në drejtimin e gazetës “Dielli” la gjurme pozitive si editor i gazetës për dhjete vite. Ai ishte një  zë i fuqishëm  për opinionin publik shqiptaro amerikan dhe institucionet në SHBA për çështjen shqiptare. Xhevat Kallajxhiu ishte një kritik konsekuent i regjimit komunist dhe i padrejtësive ndaj shqiptareve , i cili i bëri publike nëpërmjet  shkrimeve te tij.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Paulin Marku

Revista “Pena” në numrin e saj të 10-të

December 26, 2022 by s p

Revista letrare “Pena”, organi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, del para lexuesit në numrin e saj të 10-të. Ashtu siç ka dalur zakonisht edhe në numrat paraardhës, revista vjen nën kujdesin e kryeredaktorit Adnan Mehmeti dhe redaktuesve Mëhill Velaj, Yllka Filipi dhe Arjeta Ferlushkaj Kotrri.
“Pena” hapet me gjininë e kritikës, e cila nis me një emër të nderuar të letrave shqipe, siç është Visar Zhiti. Në shkrimin “Robi i kohës dhe koha e robit, kur dosjet janë hapur përgjysmë…”, Zhiti i bën një analizë të shkurtër librit “Rob. Një biografi për dy kohë” të gazetarit Beqir Sina.
Frank Shkreli vjen në këtë numër të revistës me shkrimin “Gjekë Marinaj, poeti erudit malësor shqiptaro-amerikan që po pushton botën me poezinë e tij”, duke përmendur arritjet e njëpasnjëshme të poetit të suksesshëm ndërkombëtarisht, Gjekë Marinaj, themeluesit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Raimonda Moisiu vjen tek lexuesi kësaj here me një vështrim mbi poezinë e autores Ermira Mitre Kokomani, konkretisht për librin e saj me poezi “Lotus”.
Pal Ndrecaj, me shkrimin e tij “Poezia si mozaik dhembjesh shumëngjyrëshe” trajton disa tipare të krijimtarisë së poetit Luigj Çekaj, me rastin e një-vjetorit të vdekjes së tij.
Eris Rusi me “Shtegu prej drite në poezinë e Julia Gjikës” i paraqet lexuesit njëfarë parathënieje për librin “Miku im është një zog” me autorësi të Julia Gjikës.
Bexhet Asani, me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe sjell hulumtimin me titull “Nga historiku i gjuhës letrare shqipe”.
Rubrika e kritikës mbyllet me shkrimin e Thanas Gjikës: “Konkurenca e lirë nxit cilësinë”. Z. Gjika bën disa vlerësime për punën 20-vjeçare të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë duke u përqëndruar tek botimin prej dy vëllimesh i librit “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë 2001-2011” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë 2012-2021”, me autorësi të Adnan Mehmetit.
Nga krijimtaria letrare, në revistë kemi mundësi të lexojmë nga zhanri i poezisë dhe i prozës. Poezia na vjen përmes autorëve si: Eli Rusto me: “Drejt qiejve”, “Me sy çelë” dhe “Ti”; Arjana Fetahu Gaba me: “Të lamë atdhe i dashur”, “Kulaçi” dhe “Kot dhe unë nuk di çfarë shkruaj”; Hamdi Alaj me: “Porosi për dallëndyshen”, “Jem të parë” dhe “Buzë detit”.
Ndërsa proza përfaqësohet në këtë numër nga tregimi “Pianisti” me autor Kostaq Duka.

Autorja Majlinda Pajaj shpalos botëkuptimin e saj dhe planet e ardhshme në krijimtari përmes një interviste të dhënë Eneida Jaçaj Lamçes, intervistë të cilën e ka titulluar “Shpirti artistik i Majlinda Pajajt nuk do të mbetet vetëm në poezi, së shpejti do të vijë me një roman”.
Kontributi i shkrimtarit të njohur Visar Zhiti në këtë numër të revistës, vjen edhe në rubrikën e eseve, ku kësaj radhe do të kemi mundësinë të lexojmë esenë me titull “Poezia në New York”. Në këtë ese, Zhiti i përcjell lexuesit përshtypjet e një eksperience unike personale siç është pjesëmarrja në “The Americas Poetry Festival of New York 2022”. Në këtë festival, shkrimtari Visar Zhiti ishte i vetmi shqiptar pjesëmarrës, mes shkrimtarëve nga e gjithë bota.
Ashtu siç është vepruar në thuajse çdo numër të revistës “Pena”, edhe këtë herë redaksia i ofron lexuesit informacion mbi fituesin e radhës për çmimin “Nobël” në letërsi: shkrimtarja franceze Annie Ernaux.
Kronika e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është një rubrikë që i vlen shumë lexuesit serioz dhe atij dashamirës për kulturën shqiptare në diasporë sepse në këtë rubrikë janë përmbledhur një sërë aktivitetesh, kryesisht promovuese, ku kemi mundësinë të njihemi me jetën kulturore të komunitetit. Ndër këto aktivitete, radhisim: Mëhill Velaj vjen tek lexuesi me një shkrim për përurimin e librit të Bexhet Asanit “Zjarri arbëror i pashuar”; Besim Muhadri sjell një pasqyrim të promovimit të librave të Idriz Çelaj “Për ty dhe Arbanën” dhe “Arti i fjalës”.
Në këtë kronikë, gazetari dhe njëkohësisht editori i gazetës “Dielli”, Sokol Paja, vjen me dy shkrime: njëri për promovimin e librave “Një ardhje tjetër” të Jeton Kelmendit dhe “Heshtja” të Bora Balaj, ndërsa tjetri për ditët e alfabetit shqip, duke e quajtur një festë letrare në “Vatër”.
Ndërsa, Emrije Krosi vjen me një shkrim për Shtëpinë Botuese “Adriatic Press”, duke përmendur misionin dhe dashamirësinë e kësaj shtëpie botuese ndaj krijuesve shqiptarë në diasporë, e jo vetëm.
Abdullah Troshupa, përmes shkrimit “Poeti amerikan Bill Wolak boton librin e ri në shqip” na informon jo vetëm rreth botimit të librit “Çdo ëndërr ofron dy pasqyra” të Bill Wolak me përkthim të Jeton Kelmendit, por edhe për anëtarësimin e poetit Wolak në Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë.
Arjeta Ferlushkaj Kotrri me shkrimin “Jubileu i drejtshkrimit të shqipes” sjell një pasqyrim të akademisë solemne që Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë organizoi në “Vatër” me rastin e 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe.

Nuk kishte si të mungontë në revistën “Pena” një hapësirë mirënjohjeje dhe nderimi për emra që i dhanë shumë kulturës shqiptare këtu në Amerikë. Në “In Memoriam” të këtij numri, lexuesi ka mundësi të shfletojë shkrime nga Keze Kozeta Zylo për poezinë e Luigj Çekaj: “Luigj Çekaj si shenjt i poezisë”. Ndërsa, Adnan Mehmeti e përkujton këtë poet përmes shkrimit “Kujtesa e pashlyer e anëtarit të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë Luigj Çekaj”.
Redaksia e revistës ka njoftuar për humbjen e parakohshme dhe të papritur të gazetarit, ish-editorit të “Diellit”, z.Dalip Greca dhe bën një biografi të shkurtër të tij. Gazetari dhe editori aktual i “Diellit”, Sokol Paja vjen në këtë rubrikë me shkrimin “Lamtumirë Dalip Greca”, ndërsa Arjeta Ferlushkaj Kotrri me shkrimin “Ata u bënë tre”, kushtuar Gjon Buçajt, Zef Balës dhe Dalip Grecës.
Kryetari i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, z. Mëhil Velaj, bën një njoftim për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Guri Stefani, shoqëruar edhe me një biografi të shkurtër të tij.
Besojmë se lexuesi i apasionuar pas librave, e pret me padurim rubrikën e dashur të pasqyrimit të botimeve të veprave të reja nga anëtarët e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë për vitin 2022. E sjellim këtu për lexuesin listën e plotë:
Revista “Pena” nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë
“Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë 2001-2011” dhe “Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë 2012-2021” nga Adnan Mehmeti
“Dritë nga letërsia kombëtare” nga Agim Xh. Dëshnica
“Rob. Një biografi në dy kohë” nga Beqir Sina
“Studies in Albanian Literature and Ethnology” nga Besim Muhadri
“Zjarri arbëror i pashuar” nga Bexhet Asani
“Çdo ëndërr ofron dy pasqyra” nga Bill Wolak.
“Nuk i them jetës lamtumirë” nga Fjorela Çela Forde
“Paradigma e parajsës” nga Gjekë Marinaj
“Në pikë të vapës së vatrës” nga Idriz Çelaj
“Kujto poetin” dhe “Mirënjohje për zërat që më ndjekin” nga Iliriana Sulkuqi
“Miku im është një zog” nga Julia Gjika
“Në kërkim të Mimozës” nga Mëhill Velaj
“Kur fjala bekon fjalën”, “O, ky malli për Gjakovën”, “Kujtesa e blertë”, “Mirëseardhje” dhe “Mbjellësi i diturisë” nga Namik Selmani
“Disa korigjime në shënimet sqaruese dhe hartat e Dhiatës së Re” nga Thanas Gjika
“Këpuca e aktorit” nga Visar Zhiti
“Rrugëtimi ynë në 20 vite” nga Vlashi Fili

Dhe në përmbyllje, le të mos harrojmë moton e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë: “Misioni i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë është t’i sjellim komunitetit tonë dhe të gjithë shqiptarëve kudo që janë, një krijimtari të cilësisë së lartë në përputhje me standardet bashkëkohore të botës ku jetojmë. Po kështu, do të bëjmë ç’të jetë e mundur që të zbulojmë dituri të reja e të krijojmë një art të ri letrar, për të pasuruar civilizimin shqiptar dhe për të kontribuar në mënyrë të ndjeshme edhe ndaj progresit letrar botëror”.

Arjeta Ferlushkaj Kotrri
New York-New Jersey
Dhjetor, 2022

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Arjeta Ferlushkaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 18
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • …
  • 134
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT