• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PERPARIM HYSI: M’u prish gjumi në mesnatë

July 24, 2014 by dgreca

M’u prish gjumi në mesnatë/
Përparim Hysi/

M’u prish gjumi në mesnatë, më s’u mbyll ky syri im
Dhe u nisa nëpër natë, rrugë të gjatë e në shtegtim
Shkoj në vënde ku kam shkelur, nëpër miq e nëpër shokë
Ca prej miqëve s’i kam gjetur dhe nga malli bie n jë lot.

Kaq mjaftoi që mos mbyll sy dhe më mbetën sytë kllap
Ah, ç’më gjeti, miqtë e mi! Mu në zëmër kam një plagë
Mëndja shkoi e bredh azat në gjithë vëndet ku kam shkelur
Ndaj mua sytë më mbetën haptë dhe nga malli krejt jam shkrehur.

Shpirti im
Shpirti im mbushur lirika seç mbuisi tepër vonë
Në se pak unë u mbollisa,qe një kohë, për mua,zezonë!
Sepse ikje kotë së koti, mu si qeni,- thonë,- në vreshtë
Dhe nuk isha Don Kishoti që atë kohë ta gjuaj me “heshtë””

Prandaj heshta… edhe heshta (të rrah gjoksin,është e kotë)
Nuk guxova të shkruaj vjersha (qe një kohë,aman, o Zot!)
Sepse shkrimi ish dëshmi,s’ka seç duhej dëshmitari
Shkurt e shkurt lexues të mi: drejt për drejt tek Haznedari *

Ky për ditë lëpinte kosën, nuk ish kosë, po qe hanxhar
As mos pyesni për Golgotën, më mirë vdekur se i gjallë
Ndaj buisa pak si vonë,siç buis dhe Agavita **
Më mirë kurrë a më mirë vonë? Edhe heshtjes i ra pika!

* Haznedari- një nga xhelatët e asaj kohe
** Agavita çel pas 25 vjetësh.

*** Kam filluar të shkruaj pasviteve ’90-të.

Imazhi

Para meje- fleta e bardhë
Dhe stilolapsi në dorë
Në mëndje- një kumt i bardhë
Si kredhur, i tëri, nën dëborë.

Mandej imazhi i bukur
Dhe sytë: eh,ç’sy,si qiellorë!
Tek shkruaj, jam krjet turbull
Tunduar nga një tis nervor.

Se aq imazhin ma ka ënda
Sa jam nën trysni e nervoz
M’i kënda ata sy m’i kënda
Imazhi vjen e më nakatos.

Sikur të kem pirë një ilaç
Ilaç që më rregullon midenë
Ah, imazh! I bukuri imazh
Gjumin ma prishe dhe e di dhe psenë?

Dhe vjen një kohë

Dhe vjen një kohë që zihen etërit me bijtë
Zihen, nuk merren vesh dhe sa nuk kacafyten
Sikur për jetën dinë më shumë të rinjtë
Sikur,sa plaken, etërit shkuan: u “lajthitën?!”

Dhe kjo kontradiktë sa vjen e rritet
Ashtu si lumi që fryhet nga shirat
Do të thoni ju:- A mund që të zgjidhet?
Jo. Kështu vazhdojnë zënkat dhe mërirat.

Se me kut tjetër pret e mat pleqëria
Të rinjtë,s’do mend, kanë tjetër “matë”
Sa vjen e mes tyre-dëborë dashuria
Dhe, në mos zihesh me bijtë, je me fat.

Kështu shkruaj dhe,kështu, dhe po ndodh
Çdo gjë është e dukshme: pasqyra është përpara
Të mohosh ç’shkruaj, kot mos u lodh
Se kam parë shumë dhe jam me flokë të bardha.

O moj gusha rrath-rrath!

O moj gusha rrath-rrath!
A e sheh? Po bëj bërdaf!
U ciflosa porsi xhami
Dhe mëdysh më ndahet xhani.

Më këputi për ty malli
E pësoka dhe kokëbardhi
Më dogj malli mua për ty
Mua, plakut,sevdalli.

Mua plakut sevdalli
Që më plaçin që të dy
Më dogj vapa e korrikut
Dhe m’u ngjall malli i ashikut.

Ca nga vapa,ca nga malli
Shkoi e vate kokëbardhi…

Tiranë, korrik 2014

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: M'u prish gjumi, në mesnatë, perparim Hysi

MËDYSHJE

July 24, 2014 by dgreca

Tregim nga Kristaq Turtulli/
Sa të plogët bëhen trenat kur je e sëmurë…
Me shpirt u betova përmes rrëkeve të lotëve, të mos vë dorë në shtëpi deri sa të jetë ai. Të mos laj, të mos pastroj, të mos hekuros, të mos përgatit për të ngrënë, të mos bëj asgjë. U betova gjithashtu të mos i bëj insulinën, sado i sëmurë të jetë, bile as të mos e kujtoj ta marrë atë dreq mjekim, metformin, le ti bëjë derman vetes. Nëse është i zoti të përgjigjet për gjithçka, nuk më intereson asgjë, absolutisht asgjë. Mjaft më, mjaft..!
Siç më shikon jam mbi peshë, marr çdo ditë medikamente të ndryshme për stresin. Punoj prej vitesh me tre turne, pastruese në Aeroportin e madh të qytetit të Torontos, i bie kryq e tërthor, terminaleve, korridoreve, sallave të mëdha, banjave të shumta. Kur përfundon orari i punës ndjehem e dërmuar, më çajnë kockat, trupi më mban erë të fortë prej ilaçeve të ndryshme që përdor për pastrimin e ambientit të aeroportit, ndërsa duart më thahen, fishken dhe plasariten. Nuk kam kohë të kujdesem për veten, të bëj tualet.
Më pas vjen odiseja e kthimit në shtëpi, vrapoj si e ndërkryer duke tërhequr çantën zvarrë të arrij autobusin e linjës: aeroport-stacioni i Kiplingut. Zbres shkallët me vrap të kap trenin, të marr metronë. Ulem në ndenjëse, fshij djersët dhe zbraz frymëmarrjen e nxituar. Me vështrim të lodhur pres me padurim shenjën e bilbilit, lëvizjen e trenit. Tridhjetë stacione parakalojnë përpara syve të mi, hipin dhe zbresin udhëtarë të ndryshëm nga të gjithë moshat dhe sekset, kombet dhe racat. Treni i ndërkryer, i paduruar, duke shfryrë, shpërndarë vrundull ere, më shpie në stacionin e fundit të metrosë, në stacionin Kenedi. Makinisti mban frenat, rrotat fërshëllejnë, unë marr frymë e lehtësuar. Prej stacionit të Kiplingut deri ne stacionin Kenedi rruga zgjatën gjithsej një orë e tridhjetë minuta.
Ne kemi vetëm një makinë të vjetër mazdsa dhe atë e përdor burri.
Dyert e treni hapen me zhurmë, unë zbres me nxitim. Dal jashtë stacionit dhe bëj dhjetë minuta në këmbë për të mbërritur në apartamentin tim, në katin e katërt, të pallatit të vjetër pesëmbëdhjetë katesh, me kopsht të madh para dhe prapa dhe me shumë ketra që hipin dhe zbresin nëpër pemë. Atje më presin dy fëmijë; një djalë i këndshëm flokëkaçurrel dhe një vogëlushe bionde me sy të shkruar, e cila qesh shumë bukur, i bëhen dy gropëza në faqe. Armiri është tetë vjeç, ndërsa Doloreza dy vjet e gjysmë. Të dy janë fëmijë të mrekullueshëm dhe unë i dua shumë.
Ora e mbërritjes në shtëpi zakonisht është njëmbëdhjetë e dyzetë minuta, pothuaj mesnatë. Pi me nxitim një gotë qumësht, mbuloj fëmijët, i mat burrit përqindjen e sheqerit në gjak. Kur e ka mirë e lë të flejë, kur e ka të lartë e zgjoj të marrë mjekimin. Ai është shkatarraq i madh. Kontrolloj prizat dhe dritat, më në fund bie në shtrat të fle. Shtrati më duket i fortë, vërtitem një copë herë majtas djathtas, burri grindet, ankohet, është i lodhur edhe ai, punon në fabrikën e plastikut. Mua gjumi më vjen me vështirësi.
Tringëllima e lebetitur e ziles më zgjon herët në mëngjes, ngrihem, hedh krahëve penuarin e zbardhur me lule, përgatis ushqimin për burrin dhe fëmijët. I përcjell ata në punë, në shkollë dhe në çerdhe, laj pastroj dhe përgatis si gjithnjë gjellën për drekë. Koha për të ikur në punë v jen tmerrësisht shpejt. Djalli ta marre, më duket sikur dy duar përbindëshi tërheqin kohën! Pa shkuar në punë ndjehem e lodhur, më janë acaruar nervat dhe është ngritur tensioni!
Mbushem me frymë për të larguar plogështinë. Nuk kam futur asgjë në gojë për të ngrënë, e ndjej veten pakës ligsh, hap dollapin, ha me nxitim, si e babëzitur. Kafshatat e mëdha të pa përtypura mirë i kapërdij në stomak. Koha vrapon. Përgatis teshat e punës, mbyll derën dhe pres me nervozizëm elevatorin të ngjitet, kur e shikoj që ai vonohet, u turren shkallëve. Dal jashtë dhe shpejtoj drejt stacionit të trenit, të rënduar nga trafiku.
Bulëzat e para të djersës shfaqen në ballë dhe rrëzë veshit, për dreq jam mbi peshë, sytjenat me shtrëngojnë, jam gati ti këput dhe ti flak tutje. Kur hip në shkallët lëvizëse për të zbritur poshtë në stacionin e trenit, lë trupin për disa sekonda të prehet i qetë, paçka se shpesh herë shkallët lëvizëse bllokohen, vijnë mekanikët, i shkulin pllakat e mëdha, i vaisin, ingranazhet e griparura i ndërrojnë, ndërsa unë ngjitem dhe zbres në këmbë.
Më pas vjen i njëjti ritual, një orë e gjysmë udhëtim për të mbërritur në punë. Paraqitem, ndërrohem, fut kartën në fole të më shënohet emri dhe të fillojë dita e punës. Marr karrocën ku janë brenda fshesa, lecka dhe kova me ujë, filloj të bëj punën rutinë, të laj, të pastroj pllakaqet, muret dhe banjat. Nuk është e këndshme, por gjithsesi është një punë dhe marr një rrogë.
Pardje kisha vjellje dhe marrje mendsh ndaj nuk munda të bëja punët e zakonshme të shtëpisë, në punë shkova dhe shpirti ma di sesi e shtyva atë ditë. Më dridhej trupi, më dukej sikur do të bija përdhe, në mes të turmës laramane, për turp dhe faqe të zezë. Kur gjeja ndonjë kthinë të qetë ulesha një grimë të mblidhja veten, pija ujë prej shishes që mbaja me vete. Hija e përgjegjësit shfaqej në fund të sallës, me shpirt ndër dhembë filloja punë përsëri. Dita mu duk tmerrësisht e gjatë, mbahesha fort mbas karrocës për të eliminuar rrëzimin. Mesi prisja të shkoja në shtëpi, të shtrihesha, të mblidhja kockat. Për dreq autobusi erdhi me vonesë dhe mua më zuri mesnata. Treni ishte i ngathët, lëvizte, shfrynte dhe nxirrte avull të nxehtë.
Sa të plogët bëhen trenat kur je e sëmurë!
Më në fund treni mbërriti në stacionin e Kenedit. Lashë trupin të prehej një copë herë në shkallët lëvizëse. Dola jashtë, koha ishte e vranët me shi të imët. Hapa çadrën, duart dridheshin, ishin të lodhura.
Fshiva ballin, shkunda flokët e qullura prej shiut dhe fillova të ngjisja shkallët duke tërhequr këmbët zvarrë, ndaloja, mbushesha me frymë, vazhdoja ngjitjen përsëri. U gëzova kur mbërrita më në fund përpara derës së shtëpisë, bëra një frymëmarrje të thellë dhe të plotë. Luajta kryet dhe shtyva derën lehtë. Nuk arrita të thosha mirëmbrëma, se menjëherë ndër veshë mu përplas zëri i lartë dhe nervoz i burrit, që vinte nga banja:
‘Punë muti, nuk kemi asgjë për të ngrënë, asnjë rrobë për të veshur, asnjë shtytkë për të ndërruar fëmijën, asnjë rrobë të hekurosur, phu, jetë leshi.’ Ai ishte spërkatur fund e krye me ujë, përpiqej të lante këmishën e punës.
Shtyva derën nga pas, lëshova çantën mbi stol dhe fola me zë të lodhur:
‘Tomi, nuk ke të drejtë të shash. Sinqerisht doja të bëja diçka në mëngjes, por s’isha në gjendje. Kam pasur marrje mendsh, më dridhej trupi si gjeth.’
Tomi shkundi kryet, më vështroi pjerrtas, nënqeshi:
‘Ah, ah,nuk paskam të drejtë të shaj, ç’na the!’ ia bëri dhe luajti kokën me nervozizëm, flaku këmishën në govatë dhe më vështroi ngulët: ‘Mos duhet të brohoras? Tu drodh trupi si gjeth, i bukur krahasim!’
‘Bëhu i arsyeshëm Tomi, të thashë isha e sëmurë,’ i fola me ton të thatë.
Tomi luajti shpatullat dhe mërmëriti:
‘A ç’më çan kokën, e sëmurë ti! Hëm, që je dy herë sa unë!’
Më dokëndisi e folura e tij, ktheva vrulltas kokën nga ai:
‘Tomi !?’ ngrita zërin, por çuditërisht zëri më doli i ulët: ‘Tomi, i mendon fjalët kur i thua, më dukesh krejt ndryshe sonte?’
‘Dhe ti dukesh krejt ndryshe,’ ma ktheu ai.
‘Jam e dërmuar, mezi erdha në shtëpi,’ fola ultas dhe kryqëzova duart në pëqi.
Ai përvoli buzët, bëri një lëvizje moskokëçarëse me dorë dhe më ktheu shpinën. Ndoshta i dukej e pazakontë se mund të sëmuresha unë, nuk isha ankuar kurrë. Eh, ku më linte kohë ai te ankohesha! Jam i lodhur, më dhemb këtu , më dhemb atje. E kam sheqerin e ulët, e kam sheqerin e ngritur. Unë e fërkoja, përkujdesesha pa hapur gojën.
Tomi me hapa të shpejta doli prej banjës, përplasi derën, hoqi teshat në ecje e sipër, i flaku përdhe.
‘E sëmurë ti!’ mërmëriti me të keq, luajti kryet dhe shtoi: ‘Nuk thua i bëra naftën shtëpisë!’
‘Unë i kam bërë naftën shtëpisë?!’ ia bëra e habitur.
‘Po, më le të laja rrobat vetë.’
‘Unë nuk jam shërbëtorja jote,’ i fola me zë ulët, të zvargur,duke përmbajtur inatin dhe shtova, ‘ngriji teshat e tua, vendosi në vend.’
Ai më zhbiroi me shikim të akullt, veshi pizhamet, shkundi kryet dhe shkoi u shtri në shtrat.
‘Tomi,’ ia bëra me zë të ngjirur, por zëri im u përplas në shurdhëri.
Doja të grindesha, të bërtisja, por nuk mundja isha e lodhur. U ula në stol kryqëzova këmbët, u mundova të mblidhja veten. Ndjenja një goditje të fortë mbrapa kokës. U kujtova për fëmijët, ata po flinin në shtratin e madh, më vinte keq ti zgjoja, ti vija të flinin në krevatet e tyre. I mbulova me kujdes me kuvertë. Dhembja e kokës nuk më ndahej, vura xhezven me ujë të ziente. Televizori po jepte reklama për mbrojtjen e mjedisit, ndërsa uji valonte mbi stufë. Prapa kokës ndjeva një goditje si tokmak. Përgatita çajin shpejt e shpejt, piva menjëherë dy aspirina, në djall të shkonte stomaku, i cili kishte filluar të më cimbiste herë mbas here. Kontrollova shtëpinë, fika dritën dhe shkova në shtrat të flija me mendimin të fiksuar të ngrihesha herët.
Ai po flinte në shpinë, me gojë hapët, gërhiste, fytyrën e kishte të skuqur. Ne jemi një moshë ai është akoma elegant, i pashëm, pa asnjë thinjë, me kaçurrelin e harlisur në ballë. Por dhe unë kam qenë shumë elegante dhe e pashme. Tomit i ranë këmbët derisa me mbushi mendjen të martohesha me të, delikatesa e tij më dukej e ngjashme si e një fëmije dhe mua më hyri në zemër. Lindja e vajzës më tjetërsoi, mu shëndoshën vithet dhe shpatullat. Ngandonjëherë trishtohem, më bëhet të ulërij, të shkul leshrat për këtë ndryshim.
Tomi ka vite që vuan prej sëmundjes së diabetit, merr vazhdimisht mjekime, kur i ngrihet ose ulet sheqeri, i bëj insulinë. Tomi nuk është mësuar të bëjë punët e shtëpisë, i ka gjetur gjithnjë gati. Mua më është dhembur, më është dukur gjithnjë delikat. Duke luajtur kryet e menduar u zhvesha dhe lëshova trupin ngadalë në shtrat të prehej një copë herë. Isha vërtet e dërmuar, të dy aspirinat e mëdha ma bënë trupin të plogët dhe unë u flaka rrëmbimthi mbi një sfungjer të qullët, atje ngela e lidhur në një rrjetë lagësht merimange dhe nuk shkulesha dot.
Gjithën kohën qëndrova e mbytur në djersë, u ngrita rrëmbimthi dhe vështrova përtej dritares, ishte akoma natë dhe hijet e shelgjeve lëviznin pjerrët, duke bërë hieroglifë të dyshimta. Fshiva djersën dhe sytë e lodhura, vështrova orën e dorës. Ishte tre e mëngjesit, gjumi mu prish dhe nuk kishte kuptim të flija më, sqetullat më ishin qullur, sumbulla djerse rrokulliseshin në ullukun e gjoksit të madh. U ngrita, shpëlava fytyrën me ujë të ftohtë, fshiva sqetullat, qafën, gjoksin dhe iu përvesh punëve. Vura rrobat të laheshin, mblodha të gjitha këmishët e burrit dhe teshat e fëmijëve, i hekurosa, punoja e përqendruar, avulli i hekurit më përplasej në fytyrë.
Nuk e ndjeva zhurmën e derës së dhomës së gjumit të hapej, por dëgjova hapa, ktheva kokën ngadalë dhe përmes perdes së djersës pashë burrin që po ecte në të mbathura drejt banjës. Fshiva djersën me shpinën e dorës dhe prita të më thoshte ndonjë fjalë të ngrohtë, për sakrifikimin e gjumit dhe përfundimit e të gjitha detyrave të shtëpisë.
‘Tani nuk ke çfarë të thuash,’ i thashë më në fund duke vënë buzët në gaz.
Tomi ndaloi përpara meje u shkerpërrua, luajti kryet lart dhe poshtë dhe qeshi me të keq.
‘Hëm, do të mbulosh mutin me shurrë, dosë!’ më foli me zë të ngjirur.
‘Çfarë!’ bërtita me sa zë që kisha në kokë, hekuri i nxehtë më shpëtoi nga duart ra mbi qilim e përzhiti. Ai nuk më kishte thirrur kurrë më parë, ashtu s’ma nxë goja: ‘do..së’. Unë sakrifikova gjumin, braktisa vetveten dhe ai pa pikë turpi më thotë të mbuloj mutin me shurrë dhe në fund, do…së! A ka vend për të marrë në konsideratë ndonjë gjë, sigurisht jo.
‘Ti je i pashpirt Tomi,’fola me zë të ngjirur.
Ai ndaloi qeshi me sarkazëm dhe tha:
‘Po ti a nuk je e pashpirt që më le të mbytem në pellgun e djersëve të tua.’
Hoqa hekurin nga priza, shkova në banjë dhe qava. Nuk dola prej banjës deri sa ai u largua për në punë, dëgjova zhurmën e derës së jashtme që u përplas dhe unë u betova të mos zija asgjë me dorë. Bëra betim të rëndë. Hyra në vaskën e dushit, hapa rubinetin e ujit dhe lashë ujin të derdhej rrëmbyeshëm mbi trupin tim të bëshëm.
‘Mos ka ndonjë tjetër? Ndoshta mund ta ndaj atë. Unë tashmë kam dy fëmijë po të dojë le të ikë. Do ti them të ikë, si ta ketë qejfin, por nuk do ta lejoj të më thërrasë do..së.’ gati sa nuk fola me zë, vështrova me dhembje gjoksin e madh dhe trupin tim të shëndoshë. Edhe kur bëjmë seks, unë e afroj e para, ai lëviz me përtesë me shikim të bredhur nëpër tapet, e bën si lepuri dhe më pas bie mbi shpinë.
Uji i ngrohtë i dushit më kërcente mbi lëkurë: ‘Me siguri duhet të ketë ndonjë!’
Vonë dola nga uji, shkunda trupin, fshiva flokët, piva përsëri aspirinë, hëngra drekë dhe u nisa për në punë. Çdo minutë i a përsërisja vetes, mbaje betimin Rudinë, ndoshta ai ka ndonjë tjetër.
Treni pati dy ndalesa të paparashikuara, nga pesë minuta dhe unë mbërrita vonë në shtëpi. Elevatori nuk punonte, shkallët i ngjita ngadalë, në këmbë duke mëshuar në thembra, kokë rënduar nga mendimet dhe me vete përsërisja:
‘Mbaje betimin Rudinë. Asgjë mos prekësh me dorë, as atij nëse i nevojitet, injoroje, mos i bëj insulinë, me vendim të madh.’
Nuk më bëhej të shtyja derën dhe të hyja brenda. Ai më kishte lënduar shumë. Korridori ishte i shkretë, prej tapetit vinte me duhmë erë pluhuri të vjetër. Hundët e një pastruese me përvojë ishin të pa gabueshme. Lëviza trupin ngadalë, hapa derën pa zhurmë dhe hyra brenda. Drita ishte e fikur dhe shtëpia dergjej në qetësi. Shtyva derën me shpinë dhe qëndrova një copë herë në errësirë, me përtaci shtriva krahun dhe hapa dritën, u rrotullova, burrin e gjeta të shtrirë në mes të dhomës, pa ndjenja dhe stoli i përmbysur. Instinktivisht bëra një hap prapa. Ai dergjej në pozicion të frikshëm, kokëvarur, gojëhapur, këmbë dhe krahë hapur.
‘Mbaje premtimin Rudinë, asgjë mos zërë me dorë,’ më foli një zë i rëndë brenda vetes.
‘A e urrej këtë njeri?’ I mbajta erë mos kishte pirë, asgjë.
‘Lëre të shtrirë, të vdesë!’ Shungulloi i paduruar zëri brenda meje.
Ndjehesha e mpirë.
’Po ai është babai i fëmijëve të mi?’ kundërshtova. Zëri i kundërt u përdrodh brenda gjoksit.
Përshkunda kryet, largova tutje zërin që më shkundte zemrën dhe betimin. Ai më kish fyer rëndë, Ky njeri asnjëherë nuk ish përkujdesur për mua.
‘Mos ka ndonjë tjetër dhe mua nuk më duron dot? Atë ezmeren e dobët e kam parë disa herë me Tomin dhe ky është justifikuar, bënin biseda pune?’ u grinda.
‘Atëherë lëre të vdesë?’ ngriti krye zëri.
‘ O Zot!’ Rënkova me shpirt:’ Çdo të bënte ky po të më shihte mua në këtë gjendje?’ Lukthi më dridhej. Shtrëngova gishtërinjtë fort sa më kërcitën. ‘Nuk e di, ndoshta më linte të vdisja përderisa nuk më duron as erën, Oh!’
‘Sigurisht do të linte të vdisje,’ buçiti zëri, më dërmoi gjoksin.
U kapërdiva me vështirësi.
’ Jo, njeriu nuk është krimb.’ Gati sa nuk bërtita.
Zëri brenda vetes po këlthiste. Lëviza krahun fort me nervozizëm të largoja trusninë e zërit të keq:
‘Ti flas për ndarje nesër?’ fola.
Ai nuk lëvizte, shprehja e fytyrës i ndërronte çdo sekondë. Me mëdyshje u përkula, i mata gjakun e kishte shumë të lartë. Fytyra e tij dukej e pafajshme, si fëmijë i humbur që bridhte në tjetër botë, aty ish xhungël dhe ai kërkonte ndihmë.
I bëra me të shpejtë insulinë dhe lajmërova urgjencën.
KRISTAQ TURTULLI
Shtator 2010

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kristaq Turtulli, medyshje

MOTRES ÇAME-Neki Lulaj NE SOFREN E DIELLIT

July 24, 2014 by dgreca

Motrës sime çame/
Neki LULAJ?
Larg, o larg, të kam o motër
Të prek zgjuar e në gjumë
Preka shtigje mbarë botës
Por si ti nuk gjeta kurrë.
Muza kurrë s’më le të qetë
Kur e shoh se si po vuan
Larg prej trojesh larg-o mbete
Larg prej vatrës së bekuar
Si ta prek malin dhe zjarri
Që më bëhet pus pa ujë
Fyti thahet si gur zalli
Përt ty motër, zemërprush
Ti më je zemër plagosur
Palcë guri e patharë
Mbi një shekull e brengosur
Për ty qielli derdhi lotët varg.
Do të puth në buzë e faqe
Të prek duart shqiptarisht
Do të mbjell ca manushaqe
Përmbi shpirtin tënd fisnik
E do mbyll dyert lakmie
në folenë që të ngre hasmi
nga një shkëmb me fluturime
Vjen për ty kjo fjalë stërralli
Do të lidhim besë të fortë
Fjalë pas fjale si vullkan
Çamërisë atje në Jon
Do t’i ndezim prapë zjarr.
Nëpër trojet me gërmadha
Në themele kaq të fortë
Shpresa jonë do marrë flatra
E flamuri do valojë.

Masakra e Paramithisë
Në Kllogjer ndjej sërish zgjim kllapie
Era kreh flokët e dëshmorëve të Paramithisë
Pipa të rinj po nxjerrin burrat nga lisat
Drejtë Çamërisë rrugëtojnë burrat me plis

Atë mot përkundeshin mes fletëve degët e ullinjve
E shpirtërat përpëliteshin me dhimbje pas hijeve
thërrisnin për ndihmë për bukë, për ujin në kroje
Europa lavire flinte në gjumin e pajtimeve mortore.

Zbraznin breshër plumbash mes gjokseve foshnjore
Vritnin ëndrrat e thurura në gjergjef nusërie
Me mokër shpirtërash dënesnin kodra, male, hone
Një lot hëne binte mbi troje Çamërie

Valë e lot shkërmoq plisin dhe shkëmbin e rreptë
Gjaku rrëshqet si trimat mbi tokën e tharë
As toka as gjaku, eshtrat tona nuk do i tresë
Nga dhimbja kodet ulin qerpikët se s’ka dëshmitarë.

Në udhë shkronjash ecin krushqit e kombit mes dallgëve
Nisen nga trevat shqiptare drejt Jonit shtegtojnë
Ecin në gjurmë të stuhive tragjike çame
Në agim në fshatin Kllogjer do të ndalojnë

Atje do takojnë 2700 rreze pavdekësie
Që do të shuajnë etjen dhe urinë që kanë përsëri
Atje do të shfletojnë palë të dhimbshme historie.
Te Rrasa e Kujtimt do të rizgjojnë tragjedi.

Malli

Kalinjtë me farë misri varen në hambarë\
Trastat e tagjisë varen në gozhdën e vjetër
Koshat e mbushur flasin për vjeshtë të mbarë.
Grazhdi me rrjetë merimange është mbledhur.

Kjo heshtje e harlisur prek botën e zjarrtë
Në ahur të kuajve kam mall dhe për një bajgë
Kam mall për një fletore të mbetur në sirtar
kam mall për plisin që mbillet në maj.

Mes zgalave të murit rri trasta e grisur
Ngarkuar me ëndrrat që sillen vërdallë
Dua të lëpij plagën e të puth tokën e zhuritur.
Të shpejtoj ikjen me kthim në tokën e etur për zjarr.

Ky lëmsh jete i mbushur si thes me përjetime.
Të fshehura në kurmet e zemrës mbyllur me kapak.
Shpendmira këndon në çardak këngën për kthime.
Blatojnë lulet e manit nga gëzimi në shpat.

Mbi pllakën e kujtimit xixëllojnë shekujt e pavdekësisë.
Shkëlqejnë rriska drite që qetësinë gllabërojnë.
Me mall dashurie thërret mërgimtarët në kthim në agime.
Me gardhin mistik të jetës memorien thurojnë.

Kush bën mur

Shoh zemrën e urës të tokës binjake të palcosur
Kolliten shekujt e sëmurë në ikjen pa kthim
Struken nën ombrellën e trupit të njollosur
Mbuluar nga blozë e zezë e padrejtësisë.

Ibri përplaset mistershëm e me valët pëshpërit
E hapen portat e kohës si bedena me zë briri
Më dalin përpara si pleq që koha kurrë nuk i thinj
Si dy mokra gruri me blojë të mbarë mulliri.

Stinica gjarpëron si gjaku në damarë
Një çarçaf mjegulle që nga Bajgorja po vjen
Shtrihen krahët e freskisë në fushë dhe në mal .
Për të huajt “mollë të ndalueme’ lakmie e kthen.

Plisat e bardhë varen në Ibër e në Trepçë
E ndalen mbi gjamat e kullave të Boletinit në prag.
As myshku, as eshka mbi parmak nuk lënë shenjë.
Gurët e mullirit në oborrin e lesës bënin konak.

Ata ishin e janë kulla bacaloke qëndrese
Zgjojnë burrat që nga Dukagjnin e deri në Prekaz.
Te Urat e Ndasisë digjen mbeturinat me urrejtje
Me Ilirisë Çamëri, Preshevë e deri në Tivar.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Motres Came, ne sofren e Diellit, neki Lulaj

Sofra e Diellit- Tri poezi nga Agim Xh. Dëshnica

July 6, 2014 by dgreca

FORT PO SHNDRIT E PAK PO XE’!/
Vërviten dallgët një mbi një,/
në ag, kur befas drita shkrep./
Herë hiqen mbrapsht në largësi,/
herë shtyhen hovshëm për në breg./

Këtu të qeta, më tej me bujë,/
atje më sipër ngadhnjimtare,/
pa vezullojnë, ndërrojnë ngjyrë/
me valëzime ledhatare./

Si marrin frymë në thellësi
i derdhen tokës përmbi shkëmb,
buçimë e tyre këngë e moçme
këtu si gaz, atje si brengë.

Ah! sikur të isha ajër-ajër
mbi male tej dallgësh, nën re,
te lugjet e lahutave, ku
“fort po shndritë njaj diell e pak xe’!
borë e madhe që ka ra
p’e merr frima rrapin e Jutbinës
rrandojnë ahet për me u thye” 1)
prej rrungajash e suferinës..,

1-Vargjet në thojza janë të përshtatur
nga rapsoditë
e veriut.

SHKEMBI DHE LUMI

Turbull, turbull lumi, rrjedh në çaste zgjimi
përplaset brigjeve në vrull vërshimi.

Turbull lumi, ndesh, uturin nën urë,
zhyten, brofin e shtyhen, drurë e gurë.

Gjeratoret shtillen e kridhen nën shkëmb,
ujrat mal ngrihen e bien me gjëmë.

E sipër valësh vjen me vërshëllim,
thëllimi i stoçenit nëpër mjegullim,
drejt shkëmbit dëshmitar
në shekuj, dramash,
të vërtetash tragjike e bëmash.
ku ujrat, kohrat e fati i mbrapsht,
gdhëndin legjendat e misterit të lashtë,
për qytetin e bardhë e të përgjakur,
që jeton mbi lumë i ri e i plakur.

ÇEKBEN, ÇEK BEN!*

Çekben! Çek beni!
Shi, rrufe, erë, furi,
sulen, çajnë përmes resë
rrahin shkëmbin e pabesë.
Çekben, Çekben!

Ç’ësht’ një hije, shket në lumë,
kur gjithçka hesht në gjumë?
Kthehet lajmësi si nata,
purpurantët flenë mbi shpata.

Një litar i zi si gjarpër,
natën zbret nga shkëmbi ashpër.
Çek beni!-dëgjohet zëri,
kapet, ngjitet lart asqeri.
Çek beni! Çek beni!

Shkëmb i zymtë i prapësisë,
Çekben i pabesisë,
nga rrufetë ditën nxin,
nga thëllimi natën ngrin.
Çekben! Çekben!

Ndihen zëra nëpër terr:
Skënderbe! Skënderbe!
Vjen pashai, vret ushtria!
Prapa shpine pret tradhtia!

Ah! Çekben Çekben i nëmur!
Mure e Kulla të përnëmur!
Purpurantët e përgjakur
tok me djemtë e përflakur
mbetën n’atë tragjedi,
mes zjarreve për liri
në kujtime mot e jetë,
afër lumit, që nuk hesht,
dhimbje e mallkim
nëpër valë e uturimë.

2014
———————-
*Çekben-(Më terhiqni!- turq.) një shkëmb në Kalanë Beratit, nga zbriti me litar ushtari osman, gjatë marrëveshjes së armëpushimit dhe njoftoi Portën e Lartë për rrethimin e kalasë nga ushtria e Skënderbeut. Ushtari u kthye dhe u ngjit me litar me thirrjen ”Çek beni!“ (më tërhiqni!) Pas tij, një ushtri e shumtë në numur nën komandën e Isa bej Evrenozit mbërriti pa pritur dhe masakroi ushtarët shqiptarë të shpërndarë e të shkujdesur në pritje për rifillimin e luftimeve, ndërsa Skenderbeu ndodhej për vizitë në një këshjellë diku pranë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: - Tri poezi nga, Agim Xh Deshnica, Sofra e Diellit

MË THËRRET GJAKU

July 5, 2014 by dgreca

Vullnet Mato/

MË THËRRET GJAKU/
Më thërrasin disa rreke të kuqe gjaku,/
që kullojnë mbi kokat njoma të shqiptarëve,/
nga kamxhiku që na godet djemtë te pragu,/
ku kërkohet drejtësi në atdheun e të parëve…/

Më thërrasin disa rrëke të hidhura lotësh,/
që kullojnë nga sytë e nënave shkupjane,/
të pikëlluara në dhimbjen e madhe të kohës/
për bijtë e përgjakur në trojet e lashta iliriane…/

Më thërresin gjaku dhe lotët e atdhetarëve
të shkoj për ndihmë, vëllezërve shekullor të mi,
me vërshimin e njohur të shpatave skënderbejane,
të vëmë në vend një herë i mirë të vjetrën drejtësi…

Atëherë koka ime e pabindur te miqësia e rreme,
do i bëjë pluhur shkopinjtë e egër të kaukazianëve,
do thyej njëqind copash pasqyrat e paqes ekstreme,
që të qajnë me lot gjaku edhe nënat e tyre sllave…

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: MË THËRRET GJAKU, Vullnet Mato

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 91
  • 92
  • 93
  • 94
  • 95
  • …
  • 132
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • DIAMANT HYSENAJ HAP FUSHATËN PËR KONGRESIN AMERIKAN – FJALA E MBAJTUR PARA KOMUNITETIT SHQIPTARO-AMERIKAN
  • Nga Besa në New York: Shoqata Besi organizoi një mbrëmje të veçantë për Festën e Flamurit
  • Në 90 vjetorin e lindjes së poetit Faslli Haliti
  • Dilemat e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë
  • Nga Shkodra në Bejrut…
  • Faik Konica, fryma e pavdekshme e një atdhetari dhe dijetari shqiptar
  • Abetaret e para të shkrimit të shqipes, fillesa të letërsisë shqipe për fëmijë
  • Valon Nikçi, një shqiptar pjesë e ekipit të Kongresistit George Latimer në sektorin e Task-Forcës për Punësimin dhe Ekonominë
  • Dega e Vatrës në Boston shpalli kryesinë
  • VATRA NDEROI KRYETARIN E KOMUNËS SË PRISHTINËS Z. PËRPARIM RAMA
  • NDJESHMËRIA SI STRUKTURË – NGA PËRKORËSIA TE THELLËSIA
  • Si Fan Noli i takoi presidentët Wilson the T. Roosevelt për çështjen shqiptare
  • TRIDIMENSIONALJA NË KRIJIMTARINË E PREҪ ZOGAJT
  • Kosova dhe NATO: Një hap strategjik për stabilitet, siguri dhe legjitimitet ndërkombëtar
  • MEGASPEKTAKLI MË I MADH ARTISTIK PAS LUFTËS GJENOCIDIALE NË KOSOVË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT