• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HENRY KISSINGER: “RUSIA KA HUMBUR, POR TANI DUHET SHMANGUR SHKALLËZIMI BËRTHAMOR”

October 5, 2022 by s p

Nga FEDERICO RAMPINI/

“Rusia ka humbur luftën, tani duhet të ndalojmë shkallëzimin e saj bërthamor. Mund t’a mundim edhe n’atë skenar por natyra e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe I gjithë sistemi botëror do të çakërdiseshin. Diplomacia duhet të kthehet në veprim”

Henry Kissinger flet në Këshillin e Marrëdhënieve të Jashtëme të New Yorkut, një vënd për të i dëndur në kujtime. Në këtë qëndër studimesh të gjeopolitikës më 1957 ai botoi syzimin që u bë guri themeltar i mendimit strategjik amerikan: “Nuclear weapons and Foreign Policy”. Teorizonte lindjen e armatimeve bërthamore taktike – të paracaktuara për t’u përdorur vetëm në fushat e betejave e kundër një agresioni të trupave armike – dhe maste të gjitha pasojat.

Ai studim qe paralajmërues i një karriere të re, nga profesor universitar në krye të diplomacisë amerikane nën presidentët Richard Nixon e Gerald Ford. Në moshën 99 vjeçe urtësia dhe mëndjemprehtësia e tij janë pyetur për të kërkuar një përgjigje kërcënimeve të Vladimir Putinit, pikërisht për përdorimin e armëve bërthamore taktike në Ukrainë.

Kissingeri ka botuar një libër të ri, “Leadership”, galeria e portreteve të gjashtë shtetarëve të mëdhenj të Nëntëqindës. Nuk tërhiqer mbrapsht mbi shkallëzimin bërthamor. “Që nga fillimi i mësyemjes së Ukrainës – thotë – duhej shmangur një fitore e Rusisë. Aq më tepër duhet shmangur që të kërkojë një hakmarrje bërthamore. Nuk mund të lejojmë që përdorimi i armëve bërthamore të bëhet i zakonshëm, të normalizohet. Jo vetëm për atë që do t’ishte përfundimi i llahtarshëm i menjëhershëm, por edhe për pasojat në ndërpretimin dhe ligjërimin e pushtetit nga ana e atij që i përdor.Nuk është e pranueshme që Rusia t’arrijë me armët bërthamore rezultatin që nuk ka qënë e aftë të mbërrijë pa ato”.

Ish sekretari i Shtetit shpjegon se çfarë lloj përgjigjeje do të duhej të jepte NATO, nëse Putini do të përdorte vërtetë bërthamoren. Është një temë mbi të cilën ka pasur së fundi komunikime ndërmjet drejtuesve të nivelit të lartë ushtarakë të SHBA e të Moskës. “NATO – vëren – duhet të kundërveprojë sa më gjatë me armët e zakonshme. Por drejtuesit rusë duhet të dijnë se në rastin kur të përdorin armët bërthamore caqet për një marrëveshje paqe do të bëhen më të rënda për ta, Rusia do të dalë si një komb më i dobët se më parë”.

I paditur herë herë për cinizëm në Realpolitikën e tij, Kissinger saktëson se një rrugëdalje nuk mund të kalojë mbi kryet e popullit ukrainas. “Ukraina nuk duhet demoralizuar. Duhet të ketë një rol të dorës së parë në proçesin e paqës”. Të hartojë një listë të gjithshkaje ka fituar Kievi në fakt që kur ka ditur të qëndrojë kundër pushtuesit e që duhet raktifikuar në çfarëdo marrëveshjeje paqeje. “Mbrojtjet e lirive ukrainase përfshijnë përkatësinë e saj në Bashkimin Evropian. Ndërsa për marrëdhëniet e saj me NATO-n tashmë është zgjidhur nga ngjarjet. Prandaj Rusija ka humbur. Në luftën e Parë e të Dytë botërore Rusia kishte treguar aftësinë e kërcënimit t’Evropës në terrenin e armëve të zakonshme, tashti kjo forcë e saj është mposhtur”.

Megjithatë teoricieni më i madh në jetë i diplomacisë don të kthehet pikërisht në këtë: diplomacia.

“Një bashkëbisedim, qoftë edhe vetëm zbulues, është thelbësor në këtë atmosferë bërthamore. Nuk ka rëndësi nëse Putini na pëlqen apo jo. Nëse arma bërthamore do të hynte në veprim, sistemi botëror do të pësonte një çakërdisje me rëndësi historike. Nuk duhet të lidhim veprimin diplomatik me njeriun që n’a rri përballë. Na takon ne të përftojmë një bashkëbisedim që të ruajë sigurinë tonë por që të na riçojë tek fryma e bashkëjetesës. Përmbysja e udhëheqësit kundërshtar nuk duhet të duket si një parakusht”. Nuk është i butë me të tijtë, nuk i bën zbritje gabimeve të së kaluarës. “Kur ra Muri i Berlinit e filloi riorganizimi i Lindjes evropiane, Shtetet e Bashkuara kërkuan të integrojnë gjithë zonën në një rend nën drejtimin e tyre. Nuk qe urtësi orvajtja për të futur Ukrainën në NATO. Kjo nuk është një arsye për mësyemjen e Putinit. Por problemi tani është nëse është e mundur të bëhet një paqe me të. Dhe ky duhet përballuar në një kuadër më të gjërë: e ardhmja afatgjatë e marrëdhënieve ndërmjet Rusisë dhe Evropës, ndërmjet Rusisë dhe Perëndimit. Një Rusi që është e vetëdishme për kufizimet e saj , do të dëshërojë të jetë pjesë e Evropës apo do të zgjedhë Azinë? Mbi këtë duhet të shtjellojmë bashkëbisedimin”.

Vëndin e tij në analet e Nëntëqindit, ai e pushtoi si regjizor i shkrirjes SHBA – Kinë më 1971 – 72. Ajo marrëdhënie ka mbetur në qëndrën e vëmëndjes së tij. Në krahasim me takimin e famshëm Nixon-Mao, sot marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Pekinit janë në minimumin e tyre historik. “Kina – përsiat Kissingeri – ka qënë gjithmonë një beleg i posaçëm për Amerikën, në sajë të përmasave të saj, sot më të fuqishme se kurrë në planin ekonomik, teknologjik e ushtarak. Nuk kemi patur të bëjmë kurrë me një Vënd kaq madhështor, filozofia e të cilit është praktikisht e kundërt me atë tonën. Kinezët e quajnë historinë si një proçes të vazhdueshëm që zhdërvjellohet në mijra vite. Problemet e veçanta – që ne i përballojmë një nga një – i shohin si shprehje të atij proçesi. Sot që raporti i forcave është pothuaj i barabartë, kërkimi i një modus vivendi duket i vështirë. Edhe se është thelbësor e ka të bëjë me t’ardhmen e njerëzimit.

“Gjatë dy administratave të fundit amerikane – vëren Kissingeri që ka vazhduar të jetë pyetur nga presidentët si në Washington po ashtu edhe në Pekin – ka zotëruar ndeshja. Duhet rivendosur një bashkëbisedim mbi tema dërmuese: një luftë ndërmjet mbifuqive do të kishte pasoja më të këqija se Lufta e Parë dhe e Dytë botërore. Së paku udhëheqësit amerikanë e kinezë e njohin se ky rrezik ekziston e që ata janë të vetmit që kanë mundësi t’a ndalojnë. Për pasojë venë në punë mekanizma paraprakë për të folur me njëri tjetrin në fazat e para të një krize. Pastaj janë temat e mëdha mbi të cilat bashkëpunimi i dyanshëm është i domosdoshëm: që nga ndryshimet klimatike deri tek e ardhmja e teknologjisë”. Përfundon me një thirrje Winston Churcillit mbi cilat janë tre kërkesat themelore për të bërë politikë të jashtëme: “Të studiohet historia. Të studjohet hiatoria, Të studiohet historia”. E me një përsiatje mbi rolin e Amerikës: “Kushtet për një drejtim tonin botëror janë përkeqësuar, veçanërisht për përhapjen e armëve bërthamore. Më shumë se kurrë, sot duhet të jemi krijues”

“Corriere della Sera”, 1 tetor 2022 Përktheu: Eugjen Merlika

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika

DR. IBRAHIM RUGOVA, VIZITA E PARË NË SHBA 33 VITE MË PARË

October 4, 2022 by s p

Tonin Mirakaj/

33 vjet më parë, pikërisht me datën 4 Tetor 1989, në ora 5 të mbrëmjes, i ndieri Dr. Ibrahim Rugova i shoqëruar nga prof. Engjell Sedaj, mbërritën në Kennedy aeroport, në New York, me linjën ajrore Jugosllave “Jat”, të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Kshillit të Mirë”, për të qenë folës në Seminarin përkujtimor që ishte organizue me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdani.

Për arsye sigurie, nuk ishte lajmërue komuniteti për ardhjen e musafirve nga Kosova.Faktor tjetër ishte se komisioni përgatitor i Seminarit nuk kishte konfirmim të sigurtë për ardhjen e tyre, nga se komunikimet në atë kohë nuk ishin të lehta, nga situata e tensionuar politike në Kosovë.

Në aeroport për ti pritur, pa qenë të sigurtë për ardhjen e tyre, kishin dalur meshtarët e Kishës

të përndershmit Dom Rrok Mirdita, Dom Pjetër Popaj dhe kryetari i komisionit përgatitor të Seminarit Tonin Mirakaj.Linja ajrore nuk jepte asnjë informatë për ardhjen e tyre, pra duhej të prisnim apo dalin me turmën e pasagjerve nga “costums control”.Ipari qe i njohu nga larg, në fund të turmës ishte Dom Rroku.Erdhën u ndëgjue zëri i tij! Gëzim për ne që prisnim e natyrisht gëzim për profesorët, që më në fund arritën në Amerikë, për herë të parë!

Mbas përshëndetjeve, profesorët u interesuen për organinzimin e Seminarit, vendin ku do të mbahet si edhe a kishin mbërrijtë folësit e tjerë At Danieli, profesorët Pipa dhe Camaj? I njoftuem se vendi është “Fordham University”, dhe salla e Seminarit ka vend për më se njëmijë persona. Profesor Sedaj tha: Njëmijë persona nuk mund ti mbledhim në Prishtinë, e ju mendoni se do ti mblidhni ne New York? I njoftuem se At Danieli dhe profesor Pipa kishin mbërrijtë, dhe se Camaj nuk ka mund me ardhë, por ka dërgue ligjëratën e tij. Mbas këtyre bisedave u drejtuem tek makinat , nder to, ishte dhe një limuzinë e dërguar nga familja Biberaj, dhe u nisëm për në Beekman Towers në 49th rruge, avenuja e parë në Manhattan, ku ishte rezervue një suite për Rugova dhe Sedaj.

Kujtoj se nga dritaret e suites shihej për bukuri ndërtesa e OKB, e cila me pamjen e saj i mahniti profesorët. Dr. Rugova, mbasi ndezi një cigare“Marlboro”,e thithi 2-3 herë tha:Këtë ndërtesë,e kemi pa në fotografi,tani po e shohim nga afër, dhe vazhdoi: Aty në një të ardhme, ndoshta jo të largët do të zgjidhet problemi i Kosovës!

Mbas një pushimi të shkurtër në hotel, të gjithë u nisëm për në banesën e shkruesit të këtyre rreshtave, në Fifth Avenue në Manhattan, ku kalum një darkë të këndshme me mysafirët,klerikët dhe disa anëtar të komisionit pergatitor të Seminarit.

Të nesërmen,profesorët vizituan Kishën Katolike “Zoja e Kshillit të Mirë” ku u pritën me shumë kënaqesi nga administratori Dom Rrok Mirdita, ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, djakon Marash Shkreli,kryetari i komisionit përgatitor të seminarit e të tjerë, ku u bisedue mbi gjendjen e komunitetit, mbi qendrat fetare si edhe organizatën Pan-Shqiptare“Vatra”.Gjatë bisedave, Rugova shprehi disa herë, konsideratën e tij për Federatën Vatra:- Ruejeni Vatrën se u duhet shqiptarve tha në një bisedë mbi këtë organizatë famëmadhe!

Lajmi se mbërritën profesorët nga Kosova u përhap shpejt, kryesisht me telefon, nga se në atë kohë nuk kishte e-mail, cell phones, face book e të tjera mjete komunikimi të shpejtë.Për të lajmërue aktivitete të ndryshme në komunitet kishte disa radio emisione në gjuhën Shqipë që transmetoheshin njëherë në javë. Këto ishin “Zëri i Atdheut” me folës Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj, “Zëri shqiptarve të lirë” me folës Nehat Bakalli dhe Ramadan Turdiu dhe “Revista radiofonike e shqiptarve të Amerikës” që drejtohej nga Zef Camaj.Këto radio e dhanë njoftimin se ku dhe kur mbahej seminari, si dhe njoftuan ardhjen e profesorëve.

Me ardhjen e profesor Ibrahim Rugovës dhe profesor Engjëll Sedaj, u plotsue programi me folës që në atë kohë ishin personalitete më të shquara të fesë,kulturës dhe letërsisë shqiptare.

Ishte e qartë për komisionin përgatitor,se mysafirët kosovar duhej ti ruanim me shumë kujdes nga rryma të ndryshme politike që përbënin komunitetin tonë, prandaj me dëshirën e tyre takime individuale u kufizuan, u njoftua disa si: Imam Isa Hoxha, Prof. Sami Repishti, vëllezërit Bytyçi, At Daniel Gjeçaj, profesor Arshi Pipa dhe anëtarët e komisionit.I pyetur për situatën në Kosovë, Rugova u përgjegj shkurt: Kemi ardhë të ftuar nga Kisha Katolike për të përkujtue një klerik dhe shkrimtar që ka vdekë 300 vjet më parë.Do kthehemi me datën 14 tetor në Kosovë.Nuk kemi ndërmend të përzihemi në punë të tjera!

Dita e dytë u kalue në shëtitje në Manhattan, dhe në mbrëmje u shtrue darkë në “Amici Restaurant”, ku morën pjesë klerikët, profesorët dhe anëtarë të komisionit, si dhe Agim Fetahu, ish gazetar i “Rilindjes” në Kosovë.

Ditën e Seminarit, në ora 10 të mëngjesit, salla e Universitetit u gjet e mbushur plot me bashkatdhëtarë, shumë të ardhur nga NY, NJ dhe CT.

Pas lutjes fetare dhe hymneve kombëtare të Amerikës dhe Shqipërisë, kryetari i komisionit paraqiti drejtuesin e Seminarit të Përndershmin Dom Rrok Mirdita.Ky, mbas një përshëndetje të shkurtë, paraqiti audiencës folësit me radhë simbas programit.Kur u përmend emri i Ibrahim Rugovës, salla ushtoj nga

duartrokitje frenetike për disa minuta.Ky rast bëri të kjartë se Rugova kishte mbështetje nga shqiptarët e Amerikës.

Në program, ishte i treti, mbas At Danielit dhe profesor Pipës. Ndërsa flisnin këta të dy, Rugova kërkoj letër, ku përgatiti përshëndetjen e tij përpara temës së pregatitur që ishte: “Historia Shqiptare në veprën e Bogdanit”.

Pritja që ju bë diferent prej të tjerve, mund ti sillte rrezik mbas kthimit në Kosovë, prandaj më shumë kujdes, përgatiti “përshëndetjen që vijon”:

Zonja dhe zotërinj të nderuar!

Më lejoni që në fillim të përshëndes kishën katolike shqiptare të New York-ut, që mori kët hap të shënoj me kët Seminar 300 vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falenderojmë nga zemra për ftesën, që na të dy studiues nga Kosova të japim ndihmesën tonë në kët drejtim.

Po ashtu më lejoni të them edhe dy a tri fjalë të tjera. Nisma e kishës katolike shqiptare të shënoj kët jubile, është një nismë e mirë, që të filloj një traditë bashkëpunimi midis shqiptarve në SH.B.A. dhe shqiptarve në Jugosllavi.Pa ndonjë kompliment të tepruar, kjo nismë sikur vazhdon traditën e Vatrës shqiptare të Bostonit, e cila me decenie veproj në planin kulturor e kombëtar.

Shqiptarët, duhet dhe mund të bashkëpunojnë dhe njihen më shumë ndërveti kudo qofshin në botë, duke u lidhur me trojet autoktone dhe pa marrë parasysh sistemet ku jetojnë si edhe bindjet e tyre politike,konfensionale e sociale, ashtu si e kërkon bota e sotme.Shqiptarët sot, kanë nisur të hapin më shumë dialogun midis tyre dhe me të tjerët, sepse kështu do të forcojnë identitetin e tyre dhe do të shpejtojnë inkuadrimin e tyre si subjekt, në proceset e botës moderne.

Kolegu Sedaj dhe unë, ju përshëndesim të gjithve, që keni gjetur kohë të jemi sëbashku, për të nderuar kët fytyrë të madhe të kulturës dhe historisë së Shqipërisë.

Pas pershendetjes së duartrokitur, Rugova paraqiti temën e seminarit.

Seminari pati sukses shumë më të madh si ishte paraparë nga organizuesit. Pjesëmarrja e më shumë se 1000 bashkatdhëtarve, i dha përmasa të një veprimtarie masive kultuore kombëtare. Shtypi i mërgatës, radio, e paraqitën me madhështi suksesin. “Atdheu” botoi nje artikull nga Rasim Sina dhe Hysen Mulosmanaj me titull:”Madhështia e një Seminari”. Radiot komentuan edhe mbi rëndësinë e ardhjes së profesorëve kosovarë në Amerikë.Eshtë fakt se profesor Ibrahim Rugova u inkuraju nga pritja që ju bë, për aktivitete diplomatike dhe politike, që ndërmori mbas kthimit në Kosovë,të cilat më pas sollën rezultate me përmasa historike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët.

Në mbrëmjen e datës 7 tetor, komisioni i seminarit shtroi darke në nder të ligjëruesve, në Eastwood Manor,ku pati një pjesëmarrje prej më se 700 persona.Në darkë fjalimet u kufizuen me përshëndetje të shkurta, dhe praqitje të mysafirve të nderit.Gjatë darkës pati një program të pasur argetues.Rozofati,luejti vallen e “Rugovës”,që u pëlqeu shumë mysafirëve.

Darka u kryesue nga kryetari i komisionit.

Profesorët kosovarë udhtuen në Washington DC, të shoqëruar nga antari i komisionit Simon Simolacaj.Atje kaluen dy ditë te miku i tyre Fran Shkreli dhe familja e tij. U takuan me Elez Biberaj.Frani dhe Elezi ishin zyrtarë të departamentit të shtetit, me detyra në VOA. Mbas kthimit nga Washingtoni, koha u kalue në shetitje në New York, në shoqërinë e një grupi të vogel miqësh, kryesisht Dom Rroku, Dom Pjetër Popaj, Djakon Marash Shkreli, antarët e komisionit dhe vëllezërit Bytyqi.

Ditën e fundit të vizitës tyre në Amerikë, ndërsa po pregatiteshin për udhëtim, Rugova dhe Sedaj kërkuen me i dërgue në një dyqan, ku mund të blinin ndonjë dhuratë për bashkëshortet e tyre.

Kërkuen ti shoqëroj bashkeshortja ime Miliana,e cila kishte fillue të pregatisë drekën.Lëre drekën kur të kthehemi, tha Rugova. Në atë kohë në banesën tonë erdhi Sabit Bytyqi.I treguam për kërkesën e mysafirëve.-Shkoni,- tha Sabiti, drekën e pregatis unë! Kënaqësi për të gjith.Ashtu u bë. Vendosëm me shkue në Stern’s Dept. Store, në Rt 4, New Jersey, ku kishin mundësi me ble gjërat që dëshironin,me ndihmën e Milianës.Ndërsa po kalonin urën për në New Jersey, Rugova pyeti: Si quhet kjo urë? Kjo është “George Washington Bridge”, u përgjigjëm. George Washington përsëriti ai…. Per një George ka nevojë Kosova! Të gjithë qeshëm.Ndoshta nuk na shkoi në mend se George Washington i Kosovës ishte aty, me ne, IBRAHIM RUGOVA!

Mbasi i blenë gjërat që dëshironin, u kthyem. Sabiti kishte prëgatitë drekën, sigurisht në mënyrë profesionale, ashtu si në restaurantin e tij “Minetta”. Mbas dreke, u nisëm për në Kennedy aeroport.Aty kishin dalë me i përcjellë mysafirët, klerikët Dom Rrok Mirdita, Dom Pjeter Popaj, djakon Marash Shkreli,të gjith antarët e komisionit të Seminarit Imzot Pjetër Bogdanit, Zef Camaj e ndonjë tjetër. Profesor Ibrahim Rugova u kthye i bindur se Kosova ka miq në Amerikë.Kjo u provue nga ngjarje që pasuen deri në pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Tonin Mirakaj

VATRA PROMOVOI VEPRËN “SKËNDER IMER THAÇI MES SHQIPËRISË, KOSOVËS DHE MALIT TË ZI”

October 2, 2022 by s p

Sokol Paja/

New York, 1 Tetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA promovoi librin “Skënder Imer Thaçi, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi” në Sallën e Amfiteatrit të Qendrës Iliria në Jacobi Medical Center. Nën prezantimin e moderatores Marjana Bulku, në fjalën përshëndetëse kryetari i Vatrës Elmi Berisha u ndal te figura e Skënder Imer Thaçit si patriot, humanist dhe aktivist i çështjes kombëtare. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj u ndal në detaje të fëmijërisë së Skënder Thaçit, te persekutimi i familjes prej UDB, vështirësitë e rritjes dhe falënderoi pjesëmarrësit nga trojet kombëtare e kontributin e shqiptarëve të trojeve etnike për çështjen kombëtare. Në një video të shfaqur për të gjithë të pranishmit, u zbuluan detaje që nga fëmijëria e tij, vlerësimet, rrugëtimi patriotik dhe të veçantat e jetës e sukseseve të tij të dekoruara edhe nga dy Presidentë të Republikës së Shqipërisë. Autorja Leonora Laçi në fjalën e saj tha se libri përmban rrëfime jetësore, ngjarje që i shërbejnë historisë sonë kombëtare, vepra ideale të pastra të nacionalizmës. Harry Bajraktari e cilësoi veprën, një punë fenomenale dhe vlerësoi kolonel Xhemal Laçin e familjen Thaçi për çështjen kombëtare. Agim Aliçkaj në fjalën e tij kërkoi bashkim të shqiptarëve e trojeve shqiptare dhe u ndal te vepra, puna e jeta e Skënder Thaçit për të mirën e shqiptarëve e kombit tonë. Ambasador Mal Berisha bëri një paralele mes dy librave Skënder Imer Thaçi dhe Rob të Beqir Sinës, një jetë në dy kohë, jeta dhe vuajtjet në kampet e internimit. U ndal dhe te figura e Skënder Thaçit si patriot dhe biznesmen dhe Beqir Sinës si gazetar. Skënder Imer Thaçi në fjalën e tij përveç falënderimeve të pranishmëve dhe organizatorëve shpalosi për të pranishmit vuajtjet dhe sakrificat familjare. Ai tha se idealet patriotike të kolosëve të kombit Komiteti Shqipëria e Lirë si Prof.Rexhep Krasniqi, Xhaver Deva, Thaçi, Xhemal Laçi etj po materializohen në zhvillimin e Kosovës, Shqipërisë e kombit tonë. Në përfundim edhe studiuesi Prend Qeta e vlerësoi librin për cilësinë, faktet historike dhe ngjarjet jetësore të rrëfyera. Pas përurimit të librit, për miqtë e pranishëm u shpërndanë libra me autografe.

Filed Under: Politike Tagged With: skender imer thaci

Politika e pushtimit dhe pushtuesit e politikёs…

September 30, 2022 by s p

Prof. Agron Gjekmarkaj/

Shqiptarёt gjithmonë kanë qenë të shtrёnguar të bëjnë një zgjedhje mes malit dhe detit! Mali është gjykuar si mundёsi konservimi e izolimi ndёrsa deti rruga e bajlozit apo porta e hapur e rreziqeve. Gjithsesi i kanë respektuar të dyja kёto realitete si kanë ditur e mundur pa e futur në hasmёri atë çka natyra vetë pёrpoq.

Politika e pushtimit dhe pushtuesit e politikёs e kanë armiqësuar banorin e kёtyre anёve me ujin e kripur, me peshkun, me turizmin, me ndihmat që mund tё vinin e shkonin, nёpёrmjet e prej tij, si liri, si ekonomi, si kulturë, si komunikim.

Të kurdisur me ideologji si instrumente totalitarizmi pёrballë detit vendosёm bunkerë betoni!

Pastaj në liri me ëndje e rendje i dhunuam brigjet siç dinë vetёm oligarkёt tanë të cilёt e urrejnë kapitalizmin me fytyrë njerёzore sepse në disa raste ata janë vetë qenie pa fytyrë.

Botёn ata e masin me lartësinë e kёrthizёs dhe kёrthizёn e pёrdorin si qendёr graviteti për Botën.

Pushteti lokal në ballë – ai qendror nga pas, duke kёrkuar me ngulm vetёm një perspektivë atë individualen filluan ta rrahin detin me zinxhirë si Kserksi perandori i lashtë persian.

Vargonjtë e kёtij zinxhiri të pakёputur janë oligarkёt rrethuar me hallexhinj por të vetmuar kur numёrojnë para dhe të shoqёruar me një apo dy dinjitarë zyrash kur ndajnë hiset.

E pat thënë Hasan Zykua i gjorë “ç’e vёrtit kadiu sherianë kur ai sheh paranë!”

Fjalëpakë , autoritarë, namuzqarë e të menduar portrete balzakiane të babëzisё me kacidhet e Shqipёrisë në xhepat e tyre ata po shndёrrohen në mitet e bashkohёsisё sonë.

Ne po i harrojmë shkrimtarёt dhe artistёt tanë, tek kёta të fundit bёjmё diferencime, atyre të teatrit kombёtar që protestuan pёr shembjen fashistoide të tij nuk ua ngremё rrogёn por i rrasim në turbinёn socrealiste, ndonjë grupimi tjetёr po!

Natyrisht emrat e Palok Kurtit, Prenkë Jakovёs, Çesk Zadesё, Naim Frashёrit, Kadri Roshit, Bujar Lakos, Ndrek Lucёs, Agollit, Camajt, Arapit e të tjerёve edhe në këtë sallë do shkaktojnë hutim, një ditë jo të largёt, ndonjë do pyesë, ku kanë ndёrtuar kёta? Cili është fshati i tyre turistik? Ç’ hotel a markё sallami mban emrin e tyre?

Nga ana tjetёr do të dimё sa mace e pishina kanё manjatёt e naftёs, sa qen dhe apartamente kanë ata të kullave, sa lepuj e jahte kanë ata të bankave dhe sa ministra lepuj shёtisnin hanin e lёpinin buzёt teksa hyzmet bënin në të tilla akçihana.

Lajkatarë e joshёs kur nevoja i thёrret si dёshmorë të interesit, me mure llastiku në vend të lёkurёs sё barkut e cila zgjerohet befasisht pa cak e kufi ata e piskasin shtetin si kone ndaj plakёs që shet domate, ndaj plakut 82 vjeçar, ndaj atij që proteston kur nga deti me motor i hynë në çadёr dhe i thyejnё brinjёt apo edhe mё keq i mbysin fёmijёn.

Ata po e pinë detin me grykёn si gjyryk nga Saranda në Velipojë, nga Shёngjini më Vlorë, nga Dhёrmiu e Palasa në Orikum. Në këtë turravrap babëzie ata nuk janë vetёm.

Qeveria shqiptare i asiston siç di ajo, me kujdes e devotshmёri pёr detajet.

Nga miliona euro qё vinë nga tjetёrsimi i publikes në private ata urrejnë të bukurёn dhe të dobishmen e pёrbashkёt në emёr të sё mirës vetjake, xhepit,

trashёgimisë, pasurisë por jo Shqipёrisë. Ajo qënkesh vetёm pёr ta e fёmijёt e tyre si lopa larane pёr t’u mjelë nga një dorë rapaçe. Të tjerёt janë qyqarё, zuzarë, shёrbёtorë , skllevёr e bij skllevёrish që pasuri e dinjitet nuk dashkan.

Kёsaj frote i jepen u falet toka më e pёrshtatshme, hektarë të zgjedhur si investime strategjike për të bërë fshatrat e tyre turistikё, me vilat që njeriut të zakonshёm i duhen dy jetë për t’i blerë dhe tri per të kuptuar, de çfarë po ndodh.

– Dhe termat janë vitalizim, rijetёzim, zhvillim, pasurim.

Detit i shёmtuam tokёn pёrreth, i premë pishat, nxorrёm tapi të falsifikuara, ndёrtuam pa kriter dhe të gjitha kategoritë e jashtëqitjve i derdhёm në të me pёrbuzje!

Dhe në fund ngritёm çmimet që shoqёria normale t’i rrijё larg si djalli temjanit, pranë detit e pa freskuar!

Ata që në breg të detit jetojnë veshtirë se mund të formojnë një mendim të vetёm ku deti nuk është pjesë e tij.

Të parёt janë peshkatarёt të cilёt e dinë që deti është i rrezikshёm, e stuhitë të tmerrshme, por si kanë konsideruar ato arsye të mjaftueshme për të ndenjur në tokë kur gjuetia bëhej me krah!

Ndёrsa po ata tani rrinë në breg, në kafe pёrtypin mёrzi e varfёri bashkë. Nafta – kjo perpetum mobile me çmimin e saj, monopolet mbi anijet e kanë shndёrruar peshkatarin në të papunë që ndonjёherё rrallë, shumë rrallë ha peshk rezervati grek.

Deti nuk ka ndjena as meshirë ai sillet me ty ashtu siç ti sillesh me të.

Sapo u fitua e drejta per t’u larguar nga qyteti, për të ikur nga mali, për të dalë nga lugina e pёrdorёm detin si urë pёr të ikur, u ngri ai si deti i kuq në kohёt e Moisiut, shumë pak e pёrdoren për tu kthyer.

Po Shqiptarёt po ikin edhe nga Deti, po i mbushin tragetet.

Në lagje s’e gjen me Berberin, as shitёsin e një jave më parë, te bari ku pi kafenë rutinë shkruhet kёrkojmё banakier dhe kamarier !

Kapitalizmi pa fytyrё njerёzore po e boshatis Shqipёrinë . Qeveria me një fytyrë sot sjell një ligj për të rregulluar punёt në det, pasi në tokë i kreu të gjitha.

– Dallgёt fshijnё shkrimet në rërë po jo firmat në letёr.

Rritja e ҫmimit tё energjisё barrё e rёndё për familjet, do zgjidhej pjesёrisht sikur t’i vendosej vetёm pak kufizim luksit tё oligarkёve me paratё publike dhe jo lakun nё fyt shtreses sё mesme.

Qeverinë s’e tremb bajlozi se ai e ka xhan, i ndan gjёrat me tё ndёrsa Gjergji me të motrёn kёrkojnё azil në Londёr.

Dhe sё fundi shteti ynë mbeti pa ushkur, gati pёr t’u larë në det cullak, pasi hakerat i rrёmbyen ҫdo informacion, çdo shkresё e sekret e bashkё me të edhe dinjitetin rojtarёve të tij, qё s’ka dallgë që ua kthen mbrapsht si rraqet nga anijet e mbytura plazheve dikur motit.

Atë që e ka marrë lumi mos e kërkoni në det se deti u bë kos nga këta pas shpinës time!!

Filed Under: Politike Tagged With: Agron Gjekmarkaj

Referendumet dhe mobilizimi me dhunë, prova të krimeve dhe dështimit të Rusisë Putiniste

September 30, 2022 by s p

Gjeneral * Piro AHMETAJ/

Në respekt të disa qindra mesazheve inkurajuese por edhe rezervave ndaj opinionit me të njëjtin subjekt (publikuar gjerësisht nga media brënda & jashtë vendit), po paraqes këndvështrime strategjike rreth zhvillimeve thelbësore në fushbetejën e Ukrainës, por jo vetëm:

I. Referendumet nën zinxhirët e Tankeve dhe me bajonetat e pushtuesve, i çmoj si përpjekje dëshpëruese të Rusisë Putiniste për të mbuluar krimet barbare të luftës në Ukrainë» ! Kurrësesi nuk mundet dhe nuk do të njihen nga bashkësia ndërkombtare, (USA, OKB, BE, NATO, etj) pasi jo vetëm nuk japin asnjë zgjidhje por i përkeqësojnë pasojat e aventurave ushtarake.

I menjëhershëm dhe i prerë, qëndrimi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken: “Ne nuk do ta njohim kurrë aneksimin me referendume të territorit ukrainas nga Rusia.. Ukrainasit do të vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë territorin e pushtuar. Ne do të vazhdojmë t’i mbështesim ata në këtë përpjekje”.

Ndërsa po ashtu ndaj “referendumeve me bajoneta derë më derë”, Sekretari Përgjitshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ju përgjigj me “simbolikën e përballjes me flamujt e 30 vendeve të Aleancës Transatlantike”!

II. Mobilizimi i 300 mijë rezervistëve dhe thirrjet e Patriakut në këtë aventurë vrastare, i çmoj si: “konfirmim zyrtar të dështimit të ofensivës neonaziste të Rusisë për të arritur objektivat strategjike, ndaj integritetit teritorial të një vendi sovran (Ukrainës) duke sfiduar edhe rendin global të sigurisë» !

E thënë më tèpër, mbas +7 muajsh, makineria ushtarake e Kremlinit jo vetëm ka mbetur e rraskapitur në baltën e përgjakur me rreth 80 mijë ushtarak/qytetarë Rus të vrarë si dhe ka humbur inisiativën strategjike në fushbetejë, por edhe po diskreditohet në përballjen me fuqinë ushtarake, vlerat demokratike, solidaritetin e botës së qytetëruar si dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/BE).

III. Putini nuk do ta shtypë butonin e kuq të armëve bërthamore. Kjo pasi nëse Ai do guxonte, Rusia do merrte shpagimin e merituar nga USA/NATO si dhe Putinistët, ashtu si nazistët do të ndëshkoheshin: “për krime kundër njerëzimit”! Po ashtu, elitat mëndjehapura dhe gjenerata e re e Rusisë kurrësesi nuk do të lejojnë që Rusia të damkosej përjetësisht si Shtet Terrorist.

Kjo ishte edhe përgjigja e vendosur e Presidentit Biden, gjatë fjalimit historik në OKB, Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s dhe BE, drejtuar Putinit, Kim Jongut, Teheranit, si dhe kujdo tjetër diktatori të marrosur nga paranoja e luftrave të përgjakshme.

IV. Bashkë me dështimin për pushtimin e Ukrainës, Rusia po/do të humbas edhe peshën gjeopolitike në mbarë Botën, Detin e Zi, në Ballkan, Mesdhe, etj.

Për pasojë, kjo do të shërbejë si një rrethanë e favorrshme për t’i hapur rrugë procesit të anëtarësimit të Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës në NATO si dhe për të zhvilluar Masat e Mirëbesimit Reciprok (CSBM) mes vendeve te Rajonit në dobi të stabilitetit demokratik, mirëqënies dhe besimit të qytetarëve në axhendën e integrimit në BE.

V. Ndërsa për oshilacionet e Z. Vučič mbi: “kufijt e Ri shtetërorë; trimërimin pas lufte me (mos) njohjet e Kosovës si dhe nënëshkrimin të Marrëveshes së nënështrimit ndaj Rusisë” = nuk trembin as Kosovën, as Shqipërinë, aq më pak fuqinë e sprovuar (1999!) të NATO-s por vetëm diskretitojnē dhe minojnë rëndë axhendën e udhëtimit të Serbisë drejt BE dhe vlerave Euroatlantike!

Kështu, pa u tharë ende boja e kësaj Marrëveshje, të nëshkruar në mënyrë cinike në New York (!), vjen edhe përgjigja në Draft-Rezolutën e Parlamentit Europian (PE): “BE të vijojë negociatat e anëtarësimit me Serbinë vetëm NËSE ky vend i përmbahet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë”!

Duke marrë në konsideratat këto rrethana, do i këshilloja faktorët shtetërorë dhe politik të Tiranës dhe Prishtinës Zyrtare që: “humbja e luftës dhe kolapsi i Superfuqisë Ruse”, për pasojë edhe e peshës së Serbisë në Rajon e gjej jo vetëm si një rrethanë të artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në vendimarrjet e mëdha (me SHBA/UN/NATO/), për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në Rajon, Mesdhe, etj, por edhe në dobi të paqes, stabilitetit demokratik dhe axhendën e integrimit Euroatlantik të vendeve të Ballkanit Perëndimor”!

*Gjeneral ® Piro AHMETAJ,

Senior Expert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut, Ish:

Këshilltar Ushtarak i Presidentit të RSh,

Zv/ShShPFA & Përfaqësues në SHAPE/NATO.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 200
  • 201
  • 202
  • 203
  • 204
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT