• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë uron delegacionin e Kosovës, pjesëmarrës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

October 12, 2022 by s p

Tiranë, 12 Tetor 2022/

Dje, Kosova për herë të parë është ulur në sallën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, ku edhe ka pasur të drejtën e fjalës.

Gjithashtu, Kosova do të ketë edhe tri ulëse të rezervuara për tre anëtarë të delegacionit të saj në AP të KiE-së.

Me këtë rast, KASH ka kënaqësinë të urojë delegacionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për paraqitjen dinjitoze në punimet Asamblesë Parlamentare të KiE-së, një prej institucioneve më të vjetra e të konsoliduara ndërkombëtare dhe mbrojtës i paepur i demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të vlerave më të larta evropiane dhe vlerëson se kjo është një arritje e madhe në arenën ndërkombëtare të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës.

Anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në të gjitha institucionet ndërkombëtare do të jetë rruga e sigurtë për paqe, siguri dhe zhvillim të qëndrueshëm në rajonin tonë.

Filed Under: Politike

Festivali i 30-të Shqiptar i dedikohet Monsinjor Zef Oroshit

October 11, 2022 by s p

Kisha Katolike “Zoja e Shkodres”/

Kemi kenaqesine te ju njoftojme për hapjen e Festivalit 30’të Shqiptar që do të mbahet me 5 dhe 6 Nëntor në Sallën e Illyria Community Center. Ky Festival i dedikohet figures larte te mërgates, të ndjerit Monsinjor, Dr Profesor Zef Oroshi, themeluesi i Lidhjes Katolike Shqiptare dhe e Kishes Pare Katolike në gjithe Ameriken por edhe mbare botës jashtë trojeve Shqiptare. Ky festival që orginazohet nga Kisha Katolike “Zoja e Shkodres” dhe për 30 vjet është evinimenti me i Madh Shqiptar ne Amerike, dhe si synim ka pasur dhe vazhdon të mbaje shpalosjen dhe ruajtjen e Gjuhës,tradites dhe kultures e shfaqjen e shumë e shumë ngjyrave të bukura që pasqyron Populli jonë Shqiptar. Do të keni mundësinë e dy netë festive, që të argëtoheni me Kengëtarë të njohur të shumë trevave, Grupet Folklorike nga Nju Jorku, Bostoni dhe Michigani qe e pasurojne Festivalin me instrumente, kostume dhe valle të ndryshme nga Rrugova e Malsia e deri te Laberia e Çameria. Festivali përkrahet nga Shqiptari i madh Mark Gjonaj ish anetar i Keshillit Bashkiak New York. Duke nisur nga kjo jave biletat jane në shitje. Ju mirëpresim dhe ejani të kënaqemi së bashku.

Filed Under: Politike

Kalendari historik-11 Tetor 1991: Tre opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare

October 11, 2022 by s p

 -Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi. “Ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”, shprehej Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova në një nga intervistat ekskluzive që kam zhvilluar/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, Tetor 2022/ Në Prishtinë para 31 viteve, në 11 Tetor 1991, është miratuar e nënshkruar Deklarata politike e Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, kryetar i të cilit ishte kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.  Deklarata e 11 partive politike kishte tre opsione për zgjidhjen e çështjes shqiptare:
“1. Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm  të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika e Kosovës si shtet  sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e  shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2. Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë për serbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3. Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë”.

Në vitin 1991, Referendumi për Kosovën shtet sovran dhe i pavarur, i mbajtur nga 26 deri 30 Shtator me  99,87 për qind të votave pro, që pasonte Deklaratën për pavarësi të 2 Korrikut e Kushtetutën e Republikës së Kosovës të 7 Shtatorit 1990,  pasohej edhe me zhvillime tjera në angazhimet për realizimin e vullnetit kombëtar e demokratik të shqiptarëve në trojet e tyre jashtë kufirit të Shqipërisë. “Deklarata politike për tri opcionet e zgjidhjes së çështjes shqiptare më 1991”, është një nga dokumentet e atyre zhvillimeve historike, pjesë e të cilave ishin edhe zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të Kosovës të 24 Majit 1992.

Presidenti historik i Kosovës, i zgjedhur atëherë, Dr. Ibrahim Rugova,  në intervistën ekskluzive që kam zhvilluar para çerek shekulli për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, derisa bisedonim gjatë ditën e enjte të 22 Shtatorit 1994, në zyrën e tij, ku sot është muzeu – Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës, duke përkujtuar e vlerësuar dokumentin e tre opsioneve  shprehej se, “ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar”,  theksonte se, “zgjidhja më e mirë është Kosova e pavarur e neutrale”, fliste edhe për “lidhjet konfederale apo bashkimin me Shqipërinë” të Republikës së Kosovës, si dhe për një “politikë globale që sa më parë të bjerë muri mes shqiptarëve”.

-“Partitë politike shqiptare në ish-Jugosllavi edhe nëpërmjet një dokumenti të përbashkët kanë shprehur kërkesat dhe opcionin për zgjidhje, pos për Kosovën, edhe për çështjen shqiptare në Maqedoni e Preshevë, Bujanoc e Medvegjë dhe në Mal të Zi. Cila do të ishte zgjidhja optimale në këtë moment?”, ishte një nga pyetjet gjatë intervistës, në të cilën Presidenti Rugova përgjigjej:

-“Tashmë e thashë se ky është një dokument mjaft i rëndësishëm, që i përfshinë të gjitha, pra edhe vizionin e një uniteti e një integrimi shqiptar. Atëherë kur e nxorëm këtë dokument, që ka validitet edhe sot, opcioni i parë, nëse nuk ndryshojnë kufijtë e brendshëm, ishte një Kosovë e pavarur e neutrale, e hapur ndaj Serbisë e Shqipërisë, që shqiptarët në Maqedoni si element i rëndësishëm i atij shteti apo asaj republike, që është në zhvillim e sipër,  të jenë shtetformues, ndërsa shqiptarët në Mal të Zi dhe në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë të kenë një vetadministrim, një autonomi lokale. Të gjitha këto pjesë shqiptare, të themi kështu, kanë deklarimin e vet, të popullit, referendumin në Kosovë, në Maqedoni, në Preshëvë, Bujanoc e Medvegjë dhe Memorandumin në Mal të Zi, që ka edhe vlerën e një referendumi.

Prandaj, në bazë të situatës që e kemi, ne qëndrojmë në realizimin e opcionit të parë, do të thotë punojmë në pavarësimin e Kosovës dhe që shqiptarët në Maqedoni të realizojnë të drejtën e popullit shtetformues në atë republikë. Po ashtu edhe shqiptarët në viset e tjera etnike në ish-Jugosllavi të realizojnë të drejtat, për të cilat janë deklaruar.

Në këtë plan janë realizuar mjaft gjëra praktikisht. Mos të harrojmë se në Preshevë e në Ulqin partitë shqiptare e kanë marrë pushtetin lokal. Ai është hap i parë, edhe pse tash komunat nuk kanë ndonjë pushtet as në Maqedoni, as në Preshevë e as në Ulqin, u bë ai centralizimi, që para shthurjes së ish-Jugosllavisë, kur filluan t’u merren kompetencat komunave. Tash ato kompetenca janë reduktuar edhe më shumë.

Ndërsa në Kosovë, ne, edhe pse të okupuar, kemi organizuar jetën tonë, kemi afirmimin e çështjes, projektit të pavarësisë. Në Maqedoni kemi hyrjen – prezencën në instiucione, gati të gjitha komunat shqiptare i kontrollojnë shqiptarët. Prandaj, është një punë, një proces, do të thotë edhe këtu janë realizuar gjëra praktike dhe pragmatike që shihen, janë rezultatet që shihen e që preken”.

DOKUMENTI I PLOTË:

DEKLARATA POLITIKE PËR TRI OPCIONET E ZGJIDHJES SË ÇËSHTJES SHQIPTARE MË 1991

Njëmbëdhjetë partitë politike shqiptare, anëtare të Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi, duke shprehur vullnetin politik të popullit shqiptar për zgjidhjen eçështjes shqiptare dhe për gjendjen aktuale në Jugosllavi japin këtë:
Deklaratë politike
 A)     Çështja e pazgjidhur kombëtare shqiptare në Jugosllavi është pasojë e copëtimit të trojeve etnike shqiptare, kur me krijimin e shtetit të Shqipërisë më 1913 jashtë tij, në territore kompakte etnike, mbeten më shumë se gjysma e popullit shqiptar, të cilët asnjëherë nuk i gëzuan të drejtat legjitime kombëtare, as në Jugosllavinë mbretërore, as në Jugosllavinë socialiste;
  B)     Copëtimi i territoreve të popullit shqiptar, që u bë pa përfillur parimin etnik në caktimin e kufijve shtetërorë dhe pa përfillur vullnetin e popullit shqiptar, vazhdoi edhe në Jugosllavi, duke e ndarë popullin shqiptar në kufij politiko-administrativë të Kosovës, të Serbisë, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Një autonomi të caktuar politike populli shqiptar e pati vetëm në Kosovë, të garantuar me Kushtetutën e vitit 1974, që është ende në fuqi dhe sipas së cilës Kosova është emement konstituiv i Federatës Jugosllave;
 C)     Serbia, në kundërshtim me Kushtetutën e Jugosllavisë, më1989 hoqi autonominë e Kosovës, suprimoi të gjitha të drejtat kombëtare të shqiptarëve, u mori shqiptarëve çdo të drejtë përsovranitet dhe subjektivitet, i largoi nga të gjitha institucionet shtetërore, suspendoi Kuvendin e Kosovës, Qeverinë e Kosovës dhe të gjitha kuvendet e komunave, ndaloi mësimin në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, mbylli mjetet e informimit në gjuhën shqipe, aplikoi gjuhën serbe dhe alfabetin qirilik si gjuhë dhe shkrim zyrtar në komunikimin publik, largoi nga puna mbi tetëdhjetë mijë shqiptarë;
D)     Si shprehje e mospajtimit me një gjendje të tillë, populli shqiptar organizoi protesta të qeta, në të cilat morën pjesë mbi gjysëm milioni njerëz, u mbajtën grevat e punëtorëve, si dhe greva gjenerale. Pushteti serb reagoi me dhunë: u vranë mbi 100 shqiptarë, u plagosën mbi 300, u burgosën dhe u dënuan me burg shumëvjeçar mbi 12 mijë veta, mbi 600 mijë veta kaluan nëpërprocedurë policore.
E)      Duke parë se Jugosllavia u tregua model i pasuksesshëmpër zgjidhjen e çështjes kombëtare në Ballkan, deputetët eKuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990 shpallën Deklaratën përPavarësi dhe më 7 shtator 1990 Kosovën e Shpallën Republikë. Kjo ishte zgjidhje logjike e organizimit shtetëror të Kosovës, si njësi politiko-territoriale, në të cilën jetojnë 90% shqiptarë dhe vetëm 10% të tjerë.
Partitë politike shqiptare në Jugosllavi, si zëdhënëse legjitime të vullnetit politik të popullit shqiptar, duke u përcaktuar për rrugën paqesore dhe demokratike të zgjidhjes së të gjitha çështjeve në bazë të së drejtës së popujve për vetvendosje, sipas parimeve të KESB-së, të Konferencës së Parisit, u përcaktuan për këto variante të zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi:
1.    Nëse nuk ndryshohen kufijtë e jashtëm e as ata të brendshëm të Jugosllavisë, duhet të ekzistojë Republika eKosovës si shtet sovran dhe i pavarur, me të drejtë bashkimi në lidhjen e shteteve sovrane në Jugosllavi. Pjesët e popullit shqiptar që mbesin të jetojnë në Maqedoni, në Mal të Zi dhe në Serbi do të kenë statusin e popullit shtetformues dhe të gjitha të drejtat që dalin nga kjo.
2.    Nëse kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë nuk ndryshojnë, por ndryshojnë kufijtë e brendshëm ndërmjet republikave, atëherë kërkesë është Republika Shqiptare në Jugosllavi, e ndërtuar mbi bazën e parimit etnik dhe të parimeve të tjera që vlejnë përserbët, sllovenët dhe popujt e tjerë të Jugosllavisë.
3.    Nëse ndryshojnë kufijtë e jashtëm të Jugosllavisë, atëherë populli shqiptar në Jugosllavi, përmes deklarimit të përgjithshëm me plebishit, do të vendosë për bashkimin e territoreve në të cilat jeton Shqipëria dhe kështu do të krijohet shteti integral shqiptar në Ballkan në kufijtë e tij etnikë.
Partitë politike shqiptare deklarojnë se vullneti politik i popullit shqiptar, i shprehur edhe në Referendumin e organizuar në Kosovë më 26-30 shtator 1991, me ç’rast Kosova u shpall Republikë sovrane dhe e pavarur, është forcë reale që nuk mund të injorohet nga askush. Kriza në Jugosllavi filloi në Kosovë, me pakënaqësinë e shprehur të popullit shqiptar me pozitën e tij dhe kurrsesi nuk mund të përfundojë pa pjesëmarrjen e më se tre milionë shqiptarëve në Jugosllav. Populli shqiptar rreth shtatë milionësh, si popull autokton e me traditë evropiane, ishte, është dhe do të jetë faktor tejet i rëndësishëm i stabilitetit në Ballkan dhe në Evropë.
Prishtinë, 11 tetor 1991
Këshilli Koordinues i Partive Politike Shqiptare në Jugosllavi
Dr.Ibrahim Rugova, kryetar
1.     Lidhja Demokratike e Kosovës
2.     Partia e Prosperitetit Demokratik
3.     Lidhja Demokratike në Mal të Zi
4.     Partia për Veprim Demokratik
5.     Partia Fshatare e Kosovës
6.     Partia Shqiptare Demokristiane
7.     Partia Parlamentare e Kosovës
8.     Partia Socialdemokratike e Kosovës
9.     Partia e Unitetit Kombëtar Shqiptar
10.     Partia Popullore Shqiptare
11.     Partia Demokratike Shqiptare

MË 22 KORRIK  1991 FORMOHET KËSHILLI KOORDINUES I PARTIVE POLITIKE SHQIPTARE TË KOSOVËS

Më 22 korrik 1991, Partitë Politike shqiptare të Kosovës u pajtuan dhe morën vendim që të themelojnë Këshillin Koordinues të Partive Politike Koordinues të Partive Politike shqiptare të Kosovës, me qëllim të zhvillimit, bashkëpunimit dhe të koordinimit të aktivitetit ndërmjet tyre, si subjekte politike të popullit shqiptar, të konstituimit të ndërsjellë të tyre dhe ndërtimit të platformës dhe të strategjisë së përbashkët për të realizuar synimet e shqiptarëve dhe për t’iu kundërvënë me sukses masave që po ndërmerr pushtuesi për thyerjen e qenies kombëtare dhe për rrënimin e çdo subjektiviteti e sovraniteti të shqiptarëve në Jugosllavi.
Këshillin Koordinues, si subjekte të mëvetësishme dhe të barabarta, e përbëjnë këto parti politike: Lidhja Demokratike eKosovës, Partia Parlamentare e Kosovës, Partia Fshatare e Kosovës, Partia Shqiptare Demokristiane, Partia Socialdemokratee Kosovës dhe Partia Republikane e Kosovës.
Formimi i këtij Këshilli le të hapura mundësi për forma të reja të organizimit dhe të koordinimit ndërmjet të gjitha partivepolitike shqiptare dhe të asociacioneve të tjera. 
Këshilli koordinues vendos në pajtueshmëri të plotë të subjekteve politike që e përbëjnë. 
Kryetar i Këshillit Koordinues të Partive Politike Shqiptare të Kosovës u zgjodh dr.Ibrahim Rugova.

Filed Under: Politike

Rrena e Vuçiçit sikur e ka në dorë të fusë Kosovën në OKB

October 10, 2022 by s p

Shaban Murati/

Presidenti serb Vuçiç deklaroi në 8 tetor rrenën e rradhës sikur Franca dhe Gjermania i kanë kërkuar atij që Serbia të lejojë Kosovën të hyjë në OKB dhe ata si shpërblim do ta fusin Serbinë në BE. (I mjerueshëm servilizmi i mediave shqiptare, që nuk lenë rrenë dhe p. të Vuçiçit pa i bërë jehonë sapo dalin).

Vuçiçi ka disa vite, që tallet dhe shet ajër sikur nga Serbia varet të hyjë Kosova në OKB. Këtë ajër serb e hengri edhe qeveria e mëparshme e Kosovës si analfabete diplomatike. Çdo fillorist e din që anëtarësimi i Kosovës në OKB varet nga Rusia. Po nuk desh Rusia, as Franca, që është anëtare e përhershme e KS të OKB, dhe as Gjermania, që nuk është anëtare e përhershme e KS të OKB, nuk e fusin dot Kosovën në OKB. Serbia, që është thjesht një votë ndër 193 shtete anëtare të OKB, nuk hyn fare në refene për anëtarësimet e reja në OKB.

Por Vuçiçi vazhdon të vetëfryhet, sikur ai e ka në dorë të hyjë Kosova në OKB. E rren mendja se ndoshta dikush në Prishtinë mund të përsërisë gabimin trashanik të paraardhësve dhe të blejë ajrin diplomatik serb të anëtarësimit në OKB.

Filed Under: Politike

FILONID DURRËSAKU – DIJETAR DHE MJEK ILIR -EMËR I NDERUAR NË ANTIKË

October 9, 2022 by s p

Duke bërë kërkime dhe hulumtime shkencore nëpër burime dhe literaturë të shumtë, në arkiva e biblioteka të ndryshme, ndeshëm edhe emrin e Filonid Durrësakut.-Filondidi ishte dijetar ilir i shquar në antikitet, që jetoi aty nga fundi i shekullit të dytë dhe fillimi i shekullit të parë të erës sonë.-Shquhej dhe nderohej nga bashkëkohanikët, si njëri ndër mjekët më të zotët të kohës.-Të dhënat dhe faktet e reja, të njohura e të panjohura, për këtë dijetar, shtrojnë para nesh një obligim dhe detyrë mjaft delikate, që të trajtojmë me paanësi, nderim e respekt, këtë pararendës të mjekësisë iliro-shqiptare.

Prof. Dr. Musa Ahmeti

Center for Albanian Studies – Budapest

Studimi dhe njohja e traditës, përcaktimi i saj, nuk ka vetëm vlerë historike; nuk bëhet për treguar ndejnjën dhe krenarinë kombëtare, si qëllim në vete, por ngaqë e reja në shkencë, nuk lindë në hapsirë dhe kohë të zbrazët, por në vazhdimësi, aty ku nuk ka ndërprerje, ku çdo gjë është e trashëguar bez pas brezi duke sfiduar kohën dhe gjithçka që është munduar ta e shkatërroj apo shlyej atë. Kjo gjë, nuk e ngushton sferën e hulumtimeve dhe krijimeve shkencore në ditët e sotme; përkundrazi e zgjeron atë, duke i dhënë asaj një ngjyrim më të theksuar të autoktonisë dhe vazhdimësisë iliro-shqiptare në këto troje.

Shfrytëzimi dhe mbështetja në dëshmitë e burimeve të shkruara antike, bëri që shkencëtarët, pa hamendje të pranojnë në përgjithësi se, qytetet ilire, në kuptimin e vërtet të kësaj fjale, u themeluan aty kah fundi i shekullit të shtatë dhe fillimi i shekullit të gjashtë, para erës sonë. Qytetet më të njohura të kohës ishin: Durrësi [Durrahu], Ulqini, Shkodra [Scodra], Apollonia, Bylisi, Dimali, Antipatrea, Zgërdheshi [Albanapolisi], Lisi, Rizoni, etj, të cilat në periudhën e parë të ekzistencës së tyre, nuk ishin vetëm qendra të njohura tergtare, por, edhe si qendra të njohura kulturore dhe ushtarake. Pozicioni i tyre gjeografik, ishte shkaks, për një zhvillim të hovshëm të mardhënjëve ekonomike, bujëqsisë, tregtisë, kulturës dhe veprimtarive të tjera shoqërore. Kjo gjë mundësoi, një rritje të shpejtë të popullsisë, kështuqë u formuan qytete të pasuara dhe ndikim të madh në bregdetin e Adriatikut, por edhe në brendësi.

Trajtimi thelbësor i këtij problemi shkencor përbëhet nga momente të tilla të rëndësishme si ajo e shkencës dhe kulturës më të lashtë të Ilirisë dhe bartësëve të saj, porblemi i origjinës së Ilirëve dhe i gjuhës; organizimi ekonomik, shoqëror dhe politk i tyre, vendi dhe roli i tyre në botën antike dhe më në fund studimi i premisave që ata krijuan për shkenca të ndryshme, shoqërore, teknike dhe natyrore, në këtë rast, veçanërisht për mjekësinë, në Gadishullin Ballkanik, Mesdheun dhe Evropën në përgjithësi. Ekziston një arsye e veçantë që e bën ilirologjinë në përgjithësi dhe shkencat teknike e mjekësore ilire, në veçanti, të zënë një vend të rëndësishëm, në kuadrin e studimeve albanologjike, ngase shqiptarët jetuan e krijuan gjatë shekujve në një vazhdimësi të pandërprerë, që nga antika e lashtë, si trashëgimtarë e vazhdues të tyre në një rrafsh të ri më të lartë dhe më të zhvilluar. Është kultura e tyre, element shumë i rëndësishëm, i cili përcakton trashëgiminë e tyre historike, kulturore dhe shkencore, të shqiptarëve të sotëm, në trojet e tyre etnike.

Ilirët, si një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit, kishin njohuri të thella shkencore në lidhje me natyrën, artin, ndërtimin dhe mjekësinë. Për pasojë, ata kishin mundësi të krijonin njohuri empirike shumëshekullore, në të gjitha sferat e jetës dhe veprimtarisë njerzore. Tashmë na janë të njohura zotësitë e Ilirëve, si mjeshtër të zotët dhe shumë të talentuar për ndërtimin e e veprave hidraulike prej guri; poashtu dalloheshin në përpunimin e pijeve alkoholike, nxjerrjen, përgaditjen dhe përpunimin e mineraleve; në teknikën e aplikimit dhe ndërtimit të bojrave, etj. 

Në këtë kohë shumë shpesh u zbatuan edhe komponimet organike, që u përfituan nga proçese të ndryshme të përpunimit të bimëve, që u ndodhën në viset e Ilirikut. Këto njohur, që të parardhësit tanë i kishin formuar, u përphapn edhe te popujt tjerë fqinjë dhe më largë. Dëshmi e fortë për këtë është etimologjia e shumë bimëve dhe emërtimet e tyre. Pikërisht, në këtë periudhë të antikitetit, jetuan dhe vepruan shumë djetar të shquar ilirë. Është mertië e dijetarëve ilirë, të antikiteti që arritën të tejkalojnë konceptet tradicionale të kohës, duke arritur rrezultate dhe zhvillime të reja shekncore, që ishte një përparim gjithsesi porgresiv në kulturën ilire.

Në fushën e mjekësisë antike, nga burime të kohës, përmenden dy emra të shquar. I pari është mbreti ilir Genti dhe i dyti Filonidi nga Durrësi! Derisa  Genti, është shumë i njohur si burrështetas ilir dhe strateg ushtarak, si mjek i shquar, ai shumë rrallë përmendet. Në brigjet e lumit Drini i Bardhë, rritet një bimë shumë e lashtë e qujatur Iris, e cila përdorej shumë në mjekësinë popullore! [Irisi, është emri mitologjik i Perëndisë së Ylberit]. Plini plaku, që ka jetuar në shekullin e parë të erës sonë, në veprën e tij: “Historia e natyrës” shkruan: “Irisi që vlerësohet shumë për cilësit shëruese … është ai i Ilirëve, që rritet në brigjet e Drinit të Bardhë”. Kjo bimë, është një simbol kuptimplotë i traditës së lashtë që përdroret në mjekësinë popullore; pra më tepër se sa për bukurinë e saj si lule, Irisi, përmendet burimet e shkruara antike! Genti, kishte njohuri të thella për bimët dhe mjekësinë popullore. Një bimë shëruese, e zbuluar nga ai, edhe sot e kësaj dite, mban emrin e tij, Gentiana. Kjo bimë që te populli shqiptar quhet edhe si sanëz ose barë zemre mban emrin e plotë në latinishte: Gentiana lutea, dëshrom se që në shekullin e dytë para erës sonë, shkenca mjekësore, jo vetëm ajo popullore, ishte mjaft e zhvilluar. Sikur Irisi ashtu edhe Gentiana janë elemente të një tradite të pashkruar, që është trashëguar brez pas brezi nga të parët tanë, ilirët, të cilët ishin njohës të mrekullueshëm, të natyrës dhe asaj që i rrehtonte.

Pas Gentit, historia antike, si emër të nderuar përmend edhe mjekun e njohur, Filonid Durrësakun [ose Filonidin nga Durrësi]. Të dhënat e para i hasim tek Stefan Bizantini, që ka jetuar në shekullin e katërt të erës sonë, në veprën e tij të njohur, të shkruar në greqishte: Mbi qytetet e popujve, i cili, thirret në një burim edhe më të vjetër, të marrë nga: Heren Filoni nga Jatrika, ku përmend, mjekur e njohur ilir, Filond Durrësakun.

Stefan Bizantini shkruan për mjekun ilir: “Filonid Durrësaku, mësimet e para i mori te Asklepiadi … ndërsa më vonë, në atdheun e tij, në Iliri, ai shkroi 45 libra, ku përshkroi përvojen e tij të suksesëshme në mjekimet e shumta”. Nga ky citat, ne nxjerrim përfundimin se, Filonidi mjeshtrinë e mjekut e mësoi pranë kryemjekut të famshëm, të kohës së antikitetit, Asklepiadi, i cili jetoi në vitet 128-65 para erës sonë, në Romë, ku zhvilloi veprimtarinë e tij dhe u bë shumë i njohur. Ndërsa burimi më i vjetër, Heren Filoni, të cilin e përmend, Stefan Bizantini, për Filondi Durrësakun shkruan: “Asklepiadi kishte si nxënës [student] Filonid Durrësakun nga Durrësi, Tit Aufidin nga Siçilia dhe Niko Akragantinin nga Athina”. Është me rëndësi të cekët, se burimet antike të shkruara, me saktësi përcaktojnë origjinën dhe qytetin e lindjes së Filonidit, si dhe pohojnë se ai, kryesisht shkroi studime mbi farmakologjinë dhe shumë sëmundje të ndryshme që ishin aktuale për kohën antike.

Filonid Durrësaku ka jetuar dhe punuar në Durrës, në qytetin e lindjes së tij, pra në atdheun e tij, duke ushtruar profesionin e mjekut, ku përvojen e tij shumëvjeqare në fushën e mjekësisë, ai e shkroi në veprat dhe librat tij, në pergamenë, të cilat janë zhdukur, sipas të gjitha gjasëve, me rastin e djegjes së bibliotekës së famëshme të Durrësit, gjatë pushtimit të këtij qyteti, nga gotët, të cilët shkatërruan çdo gjë që gjeten para vetës. 

Përpos Filonid Durrësakut, në burimet antike, përmenden edhe mjektë durrësak: Krotusi, i cili ishte skllav i liruar, dhe ka jetuar rreth shekullit të dytë të erës sonë; pastaj mjeku tjetër: Filologu, që merrej me okulistikë dhe ishte shumë i nderuar në kohën kur ushtronte profesionin e mjekut, poashtu rreth shekullit të dytë të erës sonë. Këta emra që ne cekëm më lartë, të nxjerrë nga burimet antike, janë vetëm disa nga ata qindra intelektual e shkencëtar të antikitetit që jetuan dhe verpruan në qytetin e Durrësit, të cilët me punën e tyre, dëshmuan kulturën dhe traditën e pandërprerë e cila në vazhdimësi ruhet edhe në ditët e sotme.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 202
  • 203
  • 204
  • 205
  • 206
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT