Sokol Paja/
New York, 1 Tetor 2022 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës VATRA promovoi librin “Skënder Imer Thaçi, mes Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi” në Sallën e Amfiteatrit të Qendrës Iliria në Jacobi Medical Center. Nën prezantimin e moderatores Marjana Bulku, në fjalën përshëndetëse kryetari i Vatrës Elmi Berisha u ndal te figura e Skënder Imer Thaçit si patriot, humanist dhe aktivist i çështjes kombëtare. Presidenti i Nderit të Vatrës Agim Rexhaj u ndal në detaje të fëmijërisë së Skënder Thaçit, te persekutimi i familjes prej UDB, vështirësitë e rritjes dhe falënderoi pjesëmarrësit nga trojet kombëtare e kontributin e shqiptarëve të trojeve etnike për çështjen kombëtare. Në një video të shfaqur për të gjithë të pranishmit, u zbuluan detaje që nga fëmijëria e tij, vlerësimet, rrugëtimi patriotik dhe të veçantat e jetës e sukseseve të tij të dekoruara edhe nga dy Presidentë të Republikës së Shqipërisë. Autorja Leonora Laçi në fjalën e saj tha se libri përmban rrëfime jetësore, ngjarje që i shërbejnë historisë sonë kombëtare, vepra ideale të pastra të nacionalizmës. Harry Bajraktari e cilësoi veprën, një punë fenomenale dhe vlerësoi kolonel Xhemal Laçin e familjen Thaçi për çështjen kombëtare. Agim Aliçkaj në fjalën e tij kërkoi bashkim të shqiptarëve e trojeve shqiptare dhe u ndal te vepra, puna e jeta e Skënder Thaçit për të mirën e shqiptarëve e kombit tonë. Ambasador Mal Berisha bëri një paralele mes dy librave Skënder Imer Thaçi dhe Rob të Beqir Sinës, një jetë në dy kohë, jeta dhe vuajtjet në kampet e internimit. U ndal dhe te figura e Skënder Thaçit si patriot dhe biznesmen dhe Beqir Sinës si gazetar. Skënder Imer Thaçi në fjalën e tij përveç falënderimeve të pranishmëve dhe organizatorëve shpalosi për të pranishmit vuajtjet dhe sakrificat familjare. Ai tha se idealet patriotike të kolosëve të kombit Komiteti Shqipëria e Lirë si Prof.Rexhep Krasniqi, Xhaver Deva, Thaçi, Xhemal Laçi etj po materializohen në zhvillimin e Kosovës, Shqipërisë e kombit tonë. Në përfundim edhe studiuesi Prend Qeta e vlerësoi librin për cilësinë, faktet historike dhe ngjarjet jetësore të rrëfyera. Pas përurimit të librit, për miqtë e pranishëm u shpërndanë libra me autografe.