• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NDËRROI JETË NË SHBA QEMAL DEMA, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN

February 22, 2021 by dgreca

-SOT, E HËNË 22 SHKURT, ORGANIZOHEN SHËRBIMET FUNERALE TEK XHAMIA SHQIPTARO-AMERIKANE NË  GARFIELD, NEW JERSEY-

          Me 21 shkurt në mbrëmje ndërroi jetë pranë familjes së tij të dashur, Qemal Dema, i persekutuar politik dhe qëndrestar ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri. Në emër të të përndjekurëve politik ka përcjellë ngushëllimet për familjen Kryetari i shoqatës të Përndjekurëve Politik të Shqipërisë, gazetari Nebil Cika.

        Kryetari i Partisë të Lëvizjes së Legalitetit për SHBA, z. Hakik Mena, ka ngushëlluar familjen. Shumë nga të përndjekurit politk në Shqipëri dhe emigracion kanë ngushëlluar familjen Dema dhe kanë evidentuar karakterin burrëror të të Përndjkeurit Politik Qemal Dema.

Qemal Dema ishte abonent i rregullt i gazetës “DIELLI”, organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”. Kryetari i Vatrës, z. Elmi Berisha në emër të kryesisë e Këshillit të Vatrës, në emër të gjithë vatranëve, si dhe redaksia e Gazetës DIELLI, i përcjellin ngushëllimet më të thella familjes Dema, bashkëvuajtësve dhe miqëve! Pushoftë në Paqë shpirti i Tij!

 ***

Motrat Dema kanë përcjellë njoftimin në rrjetet sociale: Me dhimbje të madhe, ju njoftojmë që babai dhe gjyshi jonë i dashur, Qemal Dema, ndërroi jetë ne krahët tonë, i rrethuar me dashuri me 21 Shkurt në mbrëmje.

Ceremonia e pritjes zhvillohet te henën me 22 Shkurt tek xhamija Shqiptare-Amerikane (43 Monroe St, Garfield, NJ 07026) nga ora 14:00-21:00.

——

With our deepest sadness, we’re sharing that our beloved father and grandfather, Qemal Dema, passed away in our arms, surrounded by our love earlier in the evening of Feb.21st.

The wake will be taking place on Monday, Feb. 22nd at the Albanian-American Islamic Center located at 43 Monroe St, Garfield, NJ 07026 from 2:00-9:00PM.

Motrat Dema

Filed Under: Politike Tagged With: nderroi jete, Qemal Dema

PËRPARËSIA E BISEDIMEVE PRISHTINË–BEOGRAD

February 21, 2021 by dgreca

“Në krizat politike njeriu i ndershëm është i çoroditur, jo aq për

të kryer detyrën e tij, se sa për të kuptuar se cila është ajo.”

BONALD (1754 – 1840), shkrimtar politik francez/

SHKRUAN:EUGJEN MERLIKA/

            Më 14 shkurt 2021 u zhvilluan në Kosovë zgjedhjet e parakohëshme kuvendore. Fushata zgjedhore u zhvillua në një periudhë të shkurtër prej 12 ditësh, e kushtëzuar nga pandemia, që nuk lejonte grumbullime të mëdha njerëzish. Votimet u kryen brënda një dite e përfundimet u shpallën të nesërmen. Nuk pati ankimime për parregullsi e humbësit pranuan përfundimin duke uruar fituesit.

            I gjithë ky kuadër meriton një përgëzim të sinqertë, sepse dëshmon për një pjekuri të institucioneve, por edhe të qytetarëve të Kosovës. Është një dëshmi e qartë e një niveli të zbatimit dhe respektimit të parimeve të jetës demokratike në një shoqëri të formuar. Aq më shumë bëhet i detyrueshëm ky përgëzim nga ana e qytetarëve shqiptarë të cilët, prej një të katërt qindvjeti, janë të pranishëm në republikën e tyre në veprimtari zgjedhore, gjithmonë të vëna në diskutim si pasojë e parregullsive, të panjohura nga humbësit, që kurdoherë padisin fituesit për vjedhje votash e përfundime që zgjasin me ditë të tëra të bëhen të njohura. Kultura institucionale dhe qytetare e banorëve të Kosovës, e cila shpreh ndryshimin nga praktikat zgjedhore të Shqipërisë, i kushtohet jo vetëm mirërritjes qytetare të këtyre të fundit por edhe një nderimi për dukurinë themelore të një demokracie, që është ngulitur atje edhe nga organizmat ndërkombëtare, të cilët në 23 vitet e fundit kanë bashkëshoqëruar zhvillimin e Kosovës në rrugën demokratike.

            Një tjetër risi e atyre votimeve të ditës së Shën Valentinit qe përfundimi i qartë të cilin zgjedhësit e Kosovës, në pothuaj se gjysmën e tyre, i dhanë votat një partie, Vetëvendosjes. Edhe në këtë përfundim zgjedhor, mendoj se arsyet në bazë të tij janë dy: e para, dëshira e pamohueshme e popullsisë, sidomos e pjesës së saj më të re në moshë, për një ndryshim cilësor që duhet të japë shpresë për zgjidhjen e shumë problemeve me të cilët përballohet Vendi i tyre, dhe e dyta zhgënjimi i pjesës më të madhe të zgjedhësve nga sistemi i ngritur në këmbë nga klasa politike e ish UÇK-së e cila, në përfytyresën e përgjithëshme njëjtësohet me korrupsionin e të tjera mangësi të jetës politike.

            Kosova e brezit të saj të pasluftës ka vendosur t’i besojë fatet e saj një partie që kishte dalë në skenën politike shumë vite më parë, si një kundërpërgjigje e një pjese të shoqërisë, kryesisht e të rinjve, ndaj mbizotërimit të organizmave ndërkombëtare, përfaqësuese t’atyre Vendeve e atyre organeve shumëpalëshe  të demokracive perëndimore që liruan Kosovën nga terrori sërb, nëpërmjet ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në pranverën e verën 1999, duke i hapur rrugën pavarësisë së saj të mëtejshme. Gjatë gjithë këtyre viteve Vetëvendosja, “partia e majtë nacionaliste”, siç e kanë përkufizuar këto ditë shumë media evropiane, ka bërë rrugën e saj që përkon me atë të kryetarit të saj, z. Albin Kurtit, një gazetar që i është kushtuar politikës.

            Nga “foshnjëria politike” e viteve të para, kur fuste bombat tymëse në Kuvendin e Prishtinës nëpërmjet femrave deputete, sot ajo ka mbërritur në një pjekuri, të cilën pritet t’a verë në zbatim në drejtimin e Shtetit, tani që populli i ka besuar në mënyrë bindëse detyrën e qeverisjes. A do të jetë në gjëndje dyshja politike Kurti – Osmani  t’i kthejnë shpresën e besimin qytetarëve të zhgënjyer të Kosovës, duke bërë të mundur “vetëvendosjen” e pritshmërisë së tyre për një shoqëri të pastër moralisht e të begatëshme në nivelin e jetesës, në gjirin e një kontinenti të cilin shumica e tyre duan t’a kenë si shtëpinë e tyre? Pyetja i ngjet një mali të lartë e përgjigja bën t’i dridhen duart edhe një burri shteti me përvojë gjysëm shekullore, sepse të vështirësive të skajshme janë problemet me të cilët sot ballafaqohet Kosova e shkëputur nga dheu amë 108 vite më parë.

            Por kryeministri i mundshëm është ndjellamirë e pohon se “Dëshirojmë t’a nxjerrim Kosovën nga kriza e shumë viteve dhe t’a vendosim në binarët e progresit”. Arritja e këtij  synimi duhet të jetë dëshira e të gjithë shqiptarëve kudo në botë e urimi i njëzëshëm i tyre duhet të shoqërojë, në ditët e ardhëshme, nisjen e asaj sipërmarrjeje. Sot, sikurse pothuaj gjithë Vendet e tjera të botës, Kosova përballet me krizën shumë-planëshme të pandemisë që ka vënë në vështirësi shëndetin e popullsisë dhe financat e shteteve. Synimi i Qeverisë së re për të vaksinuar rreth 60 % të popullsisë shkon në drejtimin e duhur e kërkon një organizim të mirë të punës, si përsa i përket kontratave për të siguruar vaksinat ashtu edhe kushteve praktike të mbarëvajtjes së proçesit vetë.

            Është pohenik mendimi për të bashkëpunuar me Vendet e rajonit, duke filluar nga Shqipëria, por bashkëpunimi duhet të jetë i frytshëm edhe me autoritetet kontinentale, që duhet të venë në planet e tyre vaksinimin e Vendeve të Ballkanit perëndimor, edhe se ata nuk janë ende antarë të mirëfilltë zyrtarë të Bashkësisë. Është detyrë morale e BE, madje edhe nevojë e tij që të marrë përgjegjësinë shëndetësore të Vendeve të kontinentit, ndërmjet tyre edhe të Kosovës në këtë gjëndje pandemie. Nëse nuk e ka bërë sa e si duhet deri tani, për vështirësitë e tij të furnizimit e të organizimit, mbetet një domosdoshmëri  për t’ardhmen e afërt. Qëndrimi i ditëve të fundit i presidentit francez, mbi furnizimin me vaksina të Vendeve të varfëra, duke caktuar një sasi prej 5% të rezervave të tyre atyre, sigurisht do të mbajë parasysh edhe nevojat e Ballkanit. Këtij qëndrimi i bëri jehonë edhe mbledhja e nivelit të lartë të G7 që vendosi të verë në dispozicion të vaksinave për Vendet e varfëra 7,5 miliard dollarë. Kryetarët e shteteve e qeverive të shtatë Vendeve më të industrializuara të botës u shprehën njëzëri mbi nevojën për të paraqitur një front të bashkuar “e për të  vepruar në mënyrë të tillë që vaksinat t’u shkojnë të gjithë atyre që kanë nevojë kudo qofshin në botë”   wndrimi i bëri jehonë Qwq

Marrëdhëniet e Kosovës me botën, në larminë e tyre të detyrueshme, janë një tjetër vështrim i politikës kosovare në përmasat e saj normale. “Nuk mund t’i zëvendësojmë Shtetet e Bashkuara të Amerikës me asnjë partner ose aleat tjetër…” është shprehur ditët e fundit kryetari i Vetëvendosjes, z. Albin Kurti, që, me gjasë, mund të jetë kryeministri i ri i Kosovës. “Gjuha kocka s’ka por kocka thyen” thotë një fjalë e urtë shqiptare. Është e vërtetë që Kosova ka marrëdhënie të mira me SHBA, por ajo mbetet një Vend evropian e megjithë vështirësitë që has tani me mos njohjen e saj nga pesë Vende të BE, ajo duhet të synojë për sot e për t’ardhmen të jetë pjesë e tij. Duke i cilësuar si dy partnerë të kategorive të ndryshme SHBA dhe BE, të cilët punojnë me të njëjtin synim për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Sërbinë, nuk i shërbehet sa e si duhet interesave të Kosovës dhe as miqësive me të tjerët. Marrëdhëniet Kosovë – Sërbi përbëjnë një problem për diplomacitë evropiane dhe amerikane, mbasi një normalizim  mes tyre, lejon një gjëndje më pak kundështuese në rajonin e Ballkanit, i cili ka qënë gjithmonë “fuçia e barutit” e Evropës.

            Nëse Kosova, siç u tha më sipër, ka më shumë vështirësi me qëndrimet filoserbe të një pjese t’Evropës, mund të mbajë rezervat e saj në drejtim të tyre, por nuk është mirë të bëjë haptas shkallëzimin e parapëlqimeve të saj. Diplomacia ka ligjet e saj dhe i bën vetë shkallëzimet simbas rëndësisë e rolit të secilit shtet. Përvoja e vitit të shkuar e vetë Kurtit me të dërguarin e presidentit Trump, Grenell, duhet t’i ketë dhënë atij mësimet e duhura, ashtu sikurse duhet t’i ketë marrë edhe prej shkarkimit të zëvendësit të tij n’atë kohë, për një mendim të shprehur në kundërshtim me opinionin e atij vetë. Kosova gjindet në mes të një vorbulle situatash pa dashjen e vet, prandaj duhet të jetë shumë e kujdesëshme në deklarata lidhur me marrëdhëniet me të tjerët, qofshin këta kundërshtarë si Sërbia apo miq si SHBA dhe BE. Nëse vitin që shkoi pati ndonjë mospërputhje mes politikave evropiane e amerikane në lidhje me Ballkanin, këtë vit duken se ujrat janë qetësuar, me gjasë, qëndrimet janë afruar shumë. Mendoj se kjo gjëndje shkon në dobi të çështjes së Kosovës.

            “Politika nuk është një shkencë, si e përfytyrojnë mjaft nga zotërinjtë profesorë, por një art” Kështu shprehej “kancelari i hekurt”, Otto von Bismark, në Raihshtagun gjerman më 15 mars 1884. Nëse është kështu atë art duhet t’a venë në zbatim më shumë të vegjëlit se të mëdhenjtë. Kosova ka të drejtën nga ana e saj, por asaj i kërkohet nga BE dhe SHBA të orvatet të gjejë një marrëveshje me Sërbinë, e cila ka pohuar disa herë se nuk do t’a njohë pavarësinë e saj. Këtu duhet të punojë diplomacia për të bindur të tjerët, në këtë rast aktorët e jashtëm të interesuar, se reciprociteti është rruga m’e mirë për të arritur përfundiimin e dëshëruar. Por për të bindur duhet biseduar në takime dypalëshe e shumëpalëshe duke shtjelluar argumentat. Por z. Albin Kurti ditët e fundit deklaroi se “Dialogu me Sërbinë nuk është prioritet”.

Mund të jetë ashtu për të dhe është e kuptueshme, kur drejtuesit sërbë e përjashtojnë njohjen e pavarësisë së Kosovës, por ajo shprehje tingëllon si beleg për kancelaritë e SHBA dhe BE që ngulin këmbë për t’a patur. Në këtë vështrim ajo dalje përbën një veprim të pamatur, të panevojshëm , madje shumë të dëmshëm. Politika në këtë rast nuk ka as paraqitjen e largët të artit që përftonte kancelari prusian, ndërsa me një qëndrim të mënçur në kërkesat e me përunjësinë e duhur mund të arrihet një rezultat i dëshiruar.

Qeveria e ardhëshme e Kosovës nuk duhet të lerë asnjë rast për t’i dhënë shkas kundërshtarëve të saj të çdo lloji t’i mëshojnë tezës se shteti i saj nuk e do marrëveshjen, se gjen çdo mënyrë për t’a hedhur poshtë atë, e sa të tjera profka për të cilat diplomacia sërbe është e një shkalle sipërore për të tjetërsuar të vërtetën e për t’a hedhur atë në tregun e politikës ndërkombëtare, duke fituar pikë të dobishme për të. Pjesëmarrja n’ata bisedime, të cilët porositen e përkrahen fuqimisht nga BE dhe SHBA është një kusht i domosdoshëm për t’arritur atë marrëveshje të dobishme për Kosovën, që do t’i bënte të mundur asaj sendërtimin e të gjithë projekteve të zhvillimit, në një botë që ende luhatet, në një pjesë të mirë të saj, t’i njohë asaj të drejtat e saj të pakundërshtueshme. Në lidhje me ata bisedime është për t’u përshëndetur e përkrahur qëndrimi i fundit i presidentit të SHBA, që flet për njohjen e ndërsjelltë të dy Vendeve.

N’ata bisedime, përsa i përket opinionit publik ndërkombëtar, që është një faktor tejet i rëndësishëm, deklaratat e fundit të presidentit sërb, Vuçiç e kryetarit të parlamentit Daçiç, mbi vendosmërinë e tyre për të mos njohur pavarësinë e Kosovës, janë armët më të fuqishme që ata, dashje pa dashje i japin palës kosovare. Ata dëshmojnë se Sërbia nuk ka asnjë farë sinqeriteti në marrëdhëniet e saj me Kosovën, se për të kjo e fundit mbetet “stara Serbia” e përrallave të tyre, se ata duan të këthejnë mbrapa historinë e njëzet viteve të fundit, të shkruar nga vullneti i botës perëndimore për të ndëshkuar genocidin e krimin shtetëror sërb në fund shekullin e shkuar, se ata nuk e duan paqen në Ballkan, e cila kalon nëpërmjet marrëveshjes mes sërbëve e shqiptarëve e bindjes së tyre për të respektuar të drejtat e dy kombeve e për të hapur një epokë të re në historinë e Ballkanit.

Kërkimi i këtij synimi është domosdoshmëri historike për të dy Vendet e prandaj edhe partnerët perëndimorë të shqiptarëve mundohen të ndikojnë me politikën e tyre në arritjen e qëllimit. Por kjo bie ndesh me një tezë të përsëritur ditët e fundit nga kryetari i Vetëvendosjes: “Pa një zhvillim të brendshëm ekonomik të Kosovës nuk do të ketë as marrëveshje me Sërbinë”. Është një tezë që nuk mund të kundërshtohet si koncept, por që në gjëndjen e sotme bie ndesh me domosdoshmërinë e shpejtimit të proçesit, mbasi e shtyn atë në kalendat greke, sepse kohët e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik janë vështirësisht të parashikueshme. Madje ato mbeten si funksion i ndryshueshëm i vetë normalizimit të gjëndjes së Kosovës.

Mendoj se të gjithë përsiatjet që mund të ftillohen rreth çështjes sërbo – shqiptare vërtiten rreth domosdoshmërisë së bisedimeve të cilët kanë një mbështetje të fuqishme në drejtësinë e argumentave shqiptare, që duhen mbrojtur me aftësi diplomatike e besimin se koha punon për ne. Ata mund të jenë në rrezik dështimi, por jo për mungesën tonë, por për hipokrizinë mashtruese të qëndrimit sërb. Ne do t’a fitojmë këtë betejë me vërtetësinë dhe efektshmërinë e argumentave tona, deri sa ata të bindin fuqitë perëndimore se zgjidhja e vetme e problemit është në njohjen e së drejtës së Kosovës për të patur shtetin e saj të pavarur, ashtu sikurse u sanksionua edhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës vite më parë. Atëherë Perëndimi në tërësinë mendimit të sinkronizuar amerikano – evropian do të trysnojë Beogradin për të pranuar atë përfundim.

Shpresojmë se Qeveria e re e Prishtinës do të zotohet në këtë detyrë të rëndësishme, duke vazhduar punën e qeverive të mëparëshme, duke korigjuar ndonjë qëndrim jo fort të drejtë, por jo duke filluar çdo gjë nga e para. Proçeset e rëndësishëm politikë si ky, nuk kanë nevojë për revolucione, por për qëndrime të drejtpeshuara, largpamëse e të mënçura.

Filed Under: Politike Tagged With: Bisedimet, Eugjen Merlika

SHAQIR GASHI-TË SHTUNEN SHËRBIMET FUNERALE, TË DIELËN VARRIMI

February 20, 2021 by dgreca

Atdhetari, biznesmeni dhe veprimtari i komunitetit shqiptar në SHBA, Shaqir Gashi(i lindur me 10 Shtator 1936) ndërroi jetë me 18 Shkurt 2021. Shërbimet funerale do  të organizohen ditën e Shtunë nga ora 3.00 PM-9.00 PM në Shtëpinë Mortore:

Farenga Bros

920 Allerton Ave

Bronx, New York 10469

Varrimi

Të dielën, 21 shkurt

Ora: 11:00 am

Kensico Cemetery (Valhalla, New York)

273 Lakeview Ave, Valhalla, NY 10595

Për më shumë informacione: 917-495-3574

Filed Under: Politike Tagged With: ceremonia e varrimit, ngushellimet, Shaqir Gashi

NDËRROI JETË SHAQIR GASHI, KRYETARI I VATRËS NGUSHËLLON FAMILJEN

February 18, 2021 by dgreca

Sot kam marrë lajmin e dhimbshëm se një veprimtar i palodhur dhe shumë i njohur i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shaqir Gashi, ndërroi jetë. Me këtë rast dua t’i përcjell familjes dhe miqëve ngushëllimet më të thella në emër të Federatës Panshqiptare të Amerikës “VATRA”.

Vdekja e Shaqir Gashit është një humbje e trishtueshme jo vetëm për familjen dhe miqtë por edhe për mbarë komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkauara të Amerikës dhe në Vendlindje. Shaqir Gashi ishte një patriot i sprovuar që e ndihmoi me të gjithë fuqinë e tij shpirtërore dhe financiare çështjen tonë Kombëtare, veçanërisht çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.

Edhe pse e nisi jetën në Amerikë si emigrant duek punuar në punë të rëndomta, si shpërndarës picash, Shaqir Gashi u bë një ndër shqiptarët më të sukseshëm në biznesin e restoranteve; duke hapur dhjetra restorante në Manhattan, New York. Me bujarinë karakteristike ai priti e përcolli dhjetra e qindra bashkatdhetarë, veprimtarë, intelektualë,diplomat, politikanë që vinin nga vendlindja.

Ai është do të mbetet një nga kontributorët e mëdhenj të lobimit për çështjen tonë Kombëtare. Ishte mbështetës i fuqishëm që në krijim i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me president Joe DioGuardi.Ishte pjesë e delegacionit me kongresistin Tom Lantos dhe Joe DioGuardi në vitin ’90 në Shqipëri dhe i priu shumë veprimatrivë kushtuar çështjes kombëtare,veçanërisht Kosovës.Mori pjesë në shumë demonstarta kushtuar Kosovës.

Komuniteti shqiptar, ashtu si edhe familja, do ta ndjejë humbjen e Shaqir Gashit.

Pushoftë në Paqe shpirti i tij.

Ngushëllime Familjes dhe miqëve!

Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”

ELMI BERISHA, New Jork, 18 Shkurt 2021

Filed Under: Politike Tagged With: Elm Berisha, Shaqir Gashi nderroi Jete

ÇLIRIMI I DYTË I KOSOVËS! – GËZUAR PAVARËSIA E KOSOVËS POPULLI SHQIPTAR!

February 17, 2021 by dgreca

MA AGIM ALIÇKAJ/

Sot kemi përse të festojmë. Fitorja e Vetëvendosjes me liderët Albin Kurti dhe Vjosa Osmanin, krijon mundësinë për ndryshime të mëdha. Ngase edhe Republika e Kosovës, shpëtoi nga shkatërrimi. Dita e 14 Shkurtit mund të shikohet si dita e çlirimit të dytë të Kosovës, atij çlirimit nga klasa e verbër sunduese, promotore e korrupsionit, papunësisë, nepotizmit, servilitetit ndaj ndërkombëtarëve dhe nënshtrimit total ndaj shtetit shovenist serb.

Andaj tani të gjithë shqiptarve na pret punë e madhe për ta ndihmuar qeverinë e re, mbasi Pavarësia e Kosovës është fitore gjithëkombëtare.

Mërgata shqiptare ka qenë dhe është në shërbim të kombit. Dhe këtë e tregoi veten me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe angazhimin rreth tyre: “Ishte një gjë madhështore, kjo nuk ndodhë askund në botë, as në vendet më demokratike. Nuk ka më pushim për askend, as për Mërgatën. Gabimi më i madh i të gjithëve ishte se pas shpalljes së pavarësisë u lejuan qeveritarët të bëjnë çfarë të dojnë. Aktiviteti lobist sidomos në Amerikë duhet të forcohet dhe të shtohet”.

Në këtë 13 vjetor ri-sjell këtë shkrimi të cilin ia dedikova pavarësisë së Kosovës në vitin 2019, shkrim i cili mendojë se është e do të jetë aktual në çdo përvjetor, duke ja uruar pavarësinë mbarë kombit shqiptar:

Gëzuar Pavarësia e Kosovës Populli Shqiptar!

“To be or not to be” – “Të jesh apo të mos jesh” është pyetja më aktuale për Kosovën dhe Kombin Shqiptar sot, me rastin e 11- Vjetorit të shpalljes së pavarësisë së “mangët” të Kosovës

Pavarësia!

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 Shkurt të vitit 2008, padyshim, ishte ditë e madhe për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar. Edhe pse me mungesa të mëdha, ishte e vetmja mënyrë që Kosova, të bëhet e pavarur, dhe të njihet qysh në fillim nga vendet më të fuqishme të botës dhe vendet demokratike perendimore, përfshirë SHBA, dhe të tjera.

Kjo, u pëforcua edhe me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë

Pa hyrë në një analizë të tij, plani i Ahtisarit përbën në vete konçesionet më të mëdha të mundshme të popullit shqiptar të Kosovës për t’a arritur pavarësinë. Pas 11 vitesh të kësaj pavarësie, ngjarjet e fundit, fatkeqësisht na bëjnë më shumë të brengosemi se sa të gëzohemi. Edhe, sa koncesione tjera në dëm të interesave të veta duhet t’i pranojë populli i Kosovës? Me punën këmbëngulese të armikut tonë dhe plotësisht me fajin tonë, Kosova rrezikon të shuhet si shtet.

Bisedimet me Serbinë dhe sanksionet e qeverisë së Republikës së Kosovës

Shtrohet pyetja se çka fitoi Kosova nga bisedimet me Serbinë prej shpalljes së pavarësisë deri më sot ?! Përveç disa çështjeve të vogla që ishin me shumë në interes të serbëve, Kosova, fitoi fusnota dhe zvogëlim të metutjeshëm të sovranitetit. Tashti kemi ardhë në pikën më kritike të humbjes përfundimtare. Pse duhet të bisedohet me Serbinë kur ende nuk ka kërkuar falje për krimet dhe gjenocidin ndaj popullit shqiptar të Kosovës, kur ende nuk iu kthen të pagjeturit familjeve shqiptare në vuajtje të tmerrshme dhe të pafund, kur ende nuk pranon reparacionet për dëmet e shkaktuara. Nëse jemi shtet, pse duhet të bisedohet me Serbinë për çështje të mbrendshme të Kosovës?! A e kemi të qartë se për serbët e Kosovës duhet biseduar me përfaqësuesit e serbeve të Kosovës e jo me Serbinë. Pse nuk ngritet çështja e të drejtave të popullit shqiptar të Kosovës Lindore në nivel të drejtave të minoritetit serb të Kosovës.

Cili shtet demokratik mund t’a mohojë këtë të drejtë?

Sanksionet e fundit ekonomike të Kosovës kundër Serbisë na dhanë krenari dhe shpresë se, më në fund, edhe Kosova e mori veten dhe se edhe ajo “ka një grusht të fortë”. Kjo, ka edhe një element tjetër shumë pozitiv, edhe pse me mundime, ekonomia e Kosovës orientohet nga Shqipëria dhe vendet e tjera mike. Pse tashti duhet t’i nënshtrohemi presionit ndërkombëtare dhe fatëkeqësisht edhe atij të mbrendshëm për tërheqjen e tyre?! Serbia e thotë haptas: “ në pranojmë të hyjmë në bisedime vetëm nëse shqiptarët bëhen të arsyeshem dhe heqin sanksionet, por në kurrë nuk do t’a njohim pavarësinë e Kosovës”. Pas kësaj deklarate, çfarë kuptimi ka heqja e sanksioneve ?! Çfare kuptimi kanë bisedimet me Serbinë kur ajo po të tregon që më parë se nuk do të njeh si shtet kurrën e kurrës. Për ma keq, është e qartë se Serbia, përfaqësuesit e Kosovës dhe shqiptarët nuk i njeh as për njerëz e lërë më për bashkëbisedues të barabartë. Sanksionet nuk duhet të hiqen derisa Serbia, nuk i plotëson kushtet e lartëpermendura dhe nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Asnjë shtet demokratik nuk ka të drejtë morale të ia mohojë këtë të drejtë legjitime Republikës së Kosovës. Pas njohjes së pavarsisë, marrëdhëniet ekonomike dhe ndërshtetërore me Serbinë duhet të rishqyrtohen, varësisht nga interesat e Kosovës dhe të bazuara në reciprocitet të plotë. Historia na mëson se Serbia nuk lëshon pe kurrë me bisedime. Ajo e njeh dhe respekton vetëm forcën dhe presionin e vërtetë ndërkombëtare. Nuk duhet bërë lëshime të panevojshme në dëm të vendit tonë për të iu hyrë në hatër ndërkombëtarëve.

Shkëmbimi i Territoreve
Të dhemb zemra kur dëgjon disa politikanë apo mendimtarë shqiptarë që thonë së populli i Kosovës nuk humbë asgjë me shkëmbimin e territoreve me Serbinë dhe se kjo punë mund të kryhet “shumë lehtë”. Edhe më keq, ka nga ata që thonë se veriu i Kosovës është edhe ashtu “i humbur”. A është ky naivitet, budallëllek i kulluar, apo diçka tjetër që nuk dua ta besoj?! Edhe pse, me fajin tonë, një pjesë e territorit të Kosovës kontrollohet nga minoriteti serb, kjo nuk është tokë e humbur pa u dhënë pëlqimi nga populli shqiptar dhe deri sa atë tokë, nuk e shkelë ushtria serbe. Nëse lejohet ushtria serbe të hyje në të, atëhere do të humbet përgjithmonë. Për ta kthyer, do të duheshin bombardime të tjera të Natos, dhe një luftë tjetër, gjë që nuk mund të ndodhë më. Në një shtet demokratik, askush nuk ka të drejtë të bëj pazare me tokën e tij.

Askush!

Shihni shtetin më demokratik në botë, SHBA’të. Një President, që ka fuqi shumë më të madhe se cilido udhëheqës i Kosovës apo çfarëdo shteti tjetër, për dy vjet përpjekjeje, pa pëlqimin e opozitës, ende nuk arriti ta bëjë një murë dhe atë në tokën e vet, për mbrojtjen e kufirit të jugut nga ilegalet dhe trafikimi i drogave. Çfarëdo ndryshimi i kufijve të Kosovës do të shënonte zhdukjen e Kosovës si shtet dhe humbjen më të madhe të kombit shqiptare gjatë gjithë historisë së tij. Pse duhet të mashtrohet populli ynë i shtrenjtë i Kosovës Lindore, me qëllim të aresyetimit të ndryshimit të kufijve, se do të mund bashkohet lehtë me Kosovën. Serbia kurrë nuk do t’a pranonte këtë, me kurrfarë bisedimesh, vetëm me luftë. Me hyrjen e Natos në Ballkan, luftat kan mbaruar. Pse, për 11 vjet pavarësie nuk e gjetëm mënyrën t’a bëjmë Kosovën Shtet të mirëfilltë të pavarur dhe sovran? Dhe tashti, në vend se të merremi me mbrojtjen e vëllezërve tanë në tokat e veta, në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi dhe Çamëri, ne edhe mëtutje duhet të mbrohemi në Kosovë?

Përkrahja e SHBA-ve, dhe Shteteve Demokratike Perendimore

Roli i SHBA-ve në arritjen e rezultatit final për Kosovën është i pazëvendësueshëm .

Është gjë e njohur, se populli shqiptar i don SHBA-të, me zemër dhe pa hile. Kemi arsye të forta. Amerika (nënkupto SHBA-të) na shpëtoi disa herë nga zhdukja si komb. Ne duhet dhe do të vazhdojmë t’a duam dhe respektojmë Amerikën përjetë. Amerika dhe NATO investuan shumë në Kosovë. Ishin faktor vendimtar në çlirimin, krijimin dhe njohjen e Kosovës si shtet me kufijtë ekzistues. Eshtë absurd të mendohet se do të çojnë dorë lehtë nga përkrahja e Kosovës. Mirëpo, Amerika nuk ka kohë të merret me neve në pafundësi. Ka shumë punë tjera më të vështira dhe më të rëndësishme. Në duhet vetë ta ndërtojmë shtetin tonë. Nëse jemi të organizuar, të fortë dhe të vendosur, përkrahja nuk do të mungojë. Eshtë i dëmshëm dhe i pabazë tentimi i disa politikanëve që ta përdorin faktorin Amerikan për arsyetim të qëndrimeve të tyre të gabueshme, shpesh antikombëtare siç është shkëmbimi i territorit me Serbinë apo heqja e sanksioneve ekonomike.

“Po thotë Amerika” !

Është shprehja e tyre më e preferuar dhe më e keqpërdorur për t’jua mbyllur gojën kundërshtarëve. Amerika është gjithmonë për bisedime, por nuk e urdhëron kurrë një komb t’ja falë territorin tjetrit. Ata që janë marrë me veprime legale lobiste në Amerikë e dijnë shumë mirë, se gjatë këtyre 30 viteve veprimi, ka ndodhë që qëndrimet amerikane, nuk kanë qenë në të njëjtën vijë me interesat tona kombëtare. Êshtë dashur të punohet me senatorë dhe kongresmen Republikan dhe Demokrat, për t’a ndërruar qëndrimin amerikan në favor të çështjes sonë të drejtë. Dhe kur e ke çështjen e drejtë, kur punon me zell, përkushtim dhe vendosmëri, Amerika, të përkrahë pa rezervë. Shumë kongresmenë dhe senatorë, luftëtarë të dalluar për të drejta të njeriut e morën çështjen e Kosovës dhe kombit shqiptar me zemër. Për të realizuar përkrahjen e plotë të Amerikës sot, duhet plotësuar dy kushte themelore: organizim dhe mobilizim të gjithëanshëm gjithëpopullor në vendlindje dhe përforcim të veprimeve lobiste në Amerikë. Evropa, është çështje tjetër, është e ngërthyer me interesa të shumta nga të gjitha anët, me influencë të madhe nga Rusia. Edhe pse e dinte se çështja jonë ishte e drejtë, Evropa, nuk ka qenë gjithmonë në anën tonë. Gjermania, Britania, Austria dhe Brukseli, janë duke mbajtur qëndrim parimore. Ne duhet të bashkëpunojmë me Evropën sepse jemi pjesë e saj, por pa i dëmtuar interesat tona kombëtare. Dhe, nuk duhet të harrojmë se fati i popullit tonë vendoset në Amerikë.


Në mbrojtje të çështjes kombëtare

A është e mundur që populli jonë të reagojë edhe njëherë si komb, si në kohën e bombardimeve të NATO-s dhe luftës së Kosovës? Ishte një gjë madhështore. Sot, ka ardhur koha ta bëjmë të njëjtën gjë, të ngrihemi të gjithë në këmbë në mbrojtje të çështjes kombëtare. Të gjithë në mbrojtje të Mitrovicës, me të gjitha metodat e mundëshme demokratike. Duke mbrojtur Mitrovicën, mbrojmë Prishtinën dhe Tiranën, mbrojmë Preshevën, Bujanocin, Medvegjën dhe Novi Pazarin, mbrojmë Shkupin, Tetovën dhe Gostivarin, mbrojmë Plavën, Gucinë dhe Tuzin, mbrojmë Çamërinë dhe mbarë kombin shqiptar anëkend botës. Eshtë e pakuptueshme, e çuditshme dhe e frikshme, indiferenca e popullit tonë në këto ditë vendimtare për kombin tonë. Duke i shkruar këta rreshta, erdhi lajmi se Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, më në fund, u prononcua publikisht për situatën. Ishte një deklaratë e qëlluar. Nuk kam informata të plota por shtrohet pyetja, ku janë të tjerët? Ku është ASHA e Shqipërisë dhe forcat politike të gjitha trojeve tona, ku janë organizatat jo-qeveritare, ku janë institucionet fetare të një kombi tolerant, ku janë të gjithë tjerët, ku është mbarë populli ynë? Varet nga të gjithë në se a do të fitojmë dhe t’a këndojmë sëbashku këngën “Sa e madhe është Shqiptaria” apo do të humbim me turp dhe të vajtojmë me vargjet e Pashko Vasës “O moj Shqipni e mjera Shqiptari”.

*Anëtarë i Kryesisë së Ligës Shqiptaro-Amerikane dhe i Këshillit të Vatrës

Filed Under: Politike Tagged With: Agim Aliçkaj, Gëzuar Pavarësia e Kosovës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 294
  • 295
  • 296
  • 297
  • 298
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot
  • Nxënësit e shkollës shqipe “Gjuha Jonë” në Philadelphia festuan Festat e Fundvitit
  • Vatra Tampa Bay organizoi piknikun tradicional me rastin e festave të fundvitit
  • VATRA URON TË GJITHË SHQIPTARËT: GËZUAR E PËRSHUMËVJET KRISHTLINDJEN
  • SHQIPTARËT DHE CILA ËSHTË DOMOSDOSHMËRIA STRATEGJIKE E MAQEDONISË SË VERIUT?
  • Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini” përkujtoi shkrimtarin Bilal Xhaferi në 90 vjetorin e lindjes
  • SHBA, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (NDAA) dhe Aleancat në Ballkanin Perëndimor
  • Shqipëria, Kosova dhe Boshti Shqiptar si Gurthemeli i NATO-s dhe i Strategjisë Amerikane
  • MORGENAVISEN (1931) / RRËFIMI I PIKTORIT HUNGAREZ MÁRTON HOSSZÚ : “GJASHTË JAVË NË OBORRIN MBRETËROR TË SHQIPËRISË PËR TË REALIZUAR PORTRETIN E MBRETIT ZOG I…”
  • “Histori e vajzës rebele”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT