• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DOKUMENTET ZYRTARE SERBE TREGOJNË SI E VRAU SERBIA UKSHIN HOTIN

August 22, 2020 by dgreca

Ekipi i emisionit “Udhëve” hulumtoi një kohë të gjatë për rrethanat e zhdukjes së veprimtarit shqiptar Ukshin Hoti dhe arriti të zbulojë shumë fakte.

Në bazë të dokumentave të ushtrisë dhe policisë serbe që i ka siguruar redaksia e “Udhëve”, ditën që ishte nxjerrë nga Burgu I Dubravës, Ukshin Hoti nuk ishte liruar. Fillimisht u rrëmbye. Më pas Ukshin Hoti ishte vrarë e masakruar në mënyrën më makabre nga policia serbe e asistuar nga Ushtria Jugosllave. Kështu thuhet në dokumentet e siguruara nga redaksia e “Udhëve”, të cilat kanë vulën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, departamenti i hetuesise për krime lufte. 

Ditën kur ishte liruar, te dera e burgut e kishin pritur pjesëtarë të sigurimit shtetërorë serb. Jozyrtarisht thuhet se ishte Sreten Cemoviq, pjesëtar i sigurimit shteteror serb me kodin 9787960, ai qe e priti te dera e burgut. Cemoviq shpeshherë kamuflohej edhe si gazetar. Në një dokument zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, me numër protokolli 03/4-3-1 SB nr.270/13, të datës 4 tetor të 2013 poashtu të siguruar nga redaksia “Udhëve”, një person të cilit ky dokument i referohet si personi X-1, që ishte dëshmitar i rastit, kishte zbardhur gjithë ngjarjen që kishte ndodhur me Ukshin Hotin në majin e vitit 1999. 

Personi X-1, kishte qartësuar mënyrën e kryerjes dhe përpjekjen për fshehjen e krimit nga policia dhe ushtria serbe në rastin e Ukshin Hotit por edhe disa vrasjeve të tjera në rajonin e Pejës. Ky person përmes fotografive kishte identifikuar shtëpinë, dyert e shtëpisë, oborrin e shtëpisë dhe si ishte vrarë Ukshin Hoti. Personi X-1 pa menduar dy herë ka pohuar që ka njohur në fotografinë me numër 1 dhe 2 derën e hyrjes prej druri në oborrin e shtepisë së një shqiptari. Deshmitari e përshkruan vendin e krimit dhe jep detaje per deren dhe oborrin siç i kishte pare në maj të vitit 1999. Pas luftës ai mur është ndertuar me blloka të betonit, pasi që shtëpia ishte djegur gjatë luftës. Qytetari X-1 më pastaj ka sqaruar që në fotografinë numër 3 ka njohur pamjen e oborrit e cila ishte e drejtuar ka gardhi i oborrit dhe rruges lokale e cila kalon skaj shtëpisë së përmendur. Personi X-1, e ka vizatuar skicën e vendit të ngjarjes dhe në të cilën në mënyrë të detajuar ka sqaruar me hollësi planifikimin e brendshëm të atëhershëm të oborrit të shtëpisë: porta hyrëse përmes së cilës hynë në oborr ku në anën e djathtë të portës hyrëse ai pa 2 kufoma në ndërtesë, pastaj para një shtëpie më të vogël në oborr 1 kufomë. Kufomat në skicë janë shënuar me x. Ai sqaron se kufoma e Ukshin Hotit përfundimisht ishte mbështjellë me qese najlloni në oborrin e shtëpisë së përmendur dhe ishte marrë nga ana e djathtë e portës hyrëse në fund të oborrit nga një shupë ose shtallë, ku më pas gjetën disa dru ose pisha të thara. Kufoma e Uksin Hotit shënohet me + në skicë, sipas këtij dokumenti zyrtar të policisë serbe. Ky dëshmitar i ngjarjes thotë më tej se e vendosën kufomën pranë atyre pemëve, dhe me një sasi të vogël eksplozivi ia shpërthyen kokën dhe të dy duart e kufomës së Ukshin Hotit dhe më pas ata e mbuluan kufomën me pemët e përmendura dhe e dogjën për të fshehur krimin. Gjatë gjithë kohës kur pjestarët e MUP-it të cilët kryenin masakrat dhe veprat makabre mbi civilët shqiptarë që ishin në oborrin e asaj shtëpie, në rrugën lokale të shënuar në skicë, ishin të siguruar nga ushtarë të ushtrisë jugosllave të udhëhequr nga Komandanti Milićko Janković. Të gjitha këto të dhëna thuhen në dokumentin e siguruar nga redaksia jonë.

Filed Under: Politike Tagged With: dokumentet Serbe, Si u vra, Ukshin Hoti

Përkujtohet Bajram Rexhepi, vlerësohet shembull patriotizmi

August 21, 2020 by dgreca

-Para 3 vitesh ndërroi jetë Bajram Rexhepi, kryeministri i votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të para në Kosovën e lirë

-Tituj nga deklarata e intervista: Kryeministri Rexhepi: Gjithçka në Kosovë është me përparësi; Pavarësia e Kosovës kërkon një çast të volitshëm

-Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi: BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari

PRISHTINË, 21 Gusht 2020/ Para 3 vitesh ka ndërruar jetë kryeministri i votuar në Kuvendin e zgjedhjeve të para në Kosovën e lirë, Bajram Rexhepi, i cili më parë pas luftës ishte edhe kryetar i parë bashkie në Mitrovicë.

Në të njëjtën ditë e votim në Kuvend kur u zgjodh Ibrahim Rugova president i parë i Kosovës edhe i pas luftës, Bajram Rexhepi u zgjodh kryeministër në 4 mars 2002 pas zgjedhjeve të para nacionale në Kosovën e lirë që u mbajtën në 17 nëntor 2001. “Gjithçka në Kosovë është me përparësi”, theksonte ai në deklaratën e parë si kryeministër.

“Natyrisht, nuk duhet harruar kurrë se ne duhet t’i ndërtojmë institucionet tona demokratike dhe të krijojmë kushte të domosdoshme që statusi final i Kosovës në fund të jetë aq i lartë”, theksonte kryeministri Rexhepi duke u përgjigjur në pyetjet që të sapozgjedhurve që ua bëra si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, pasi fillimisht urova për zgjedhjen, në 4 mars 2002, pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u votua. “Presidenti Rugova dhe Kryeministri Rexhepi flasin për Rilindjen”, ishte paralajmërimi në ballinë. Gjatë viteve kisha intervista ekskluzive.

Në një nga intervistat ekskluzive  që kam zhvilluar për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, e botuar në 13 shkurt 2003 me titullin “Pavarësia e Kosovës kërkon një çast të volitshëm”, kryeministri Rexhepi theksonte se Pavarësia, çështja më madhore për të ardhmën e Kosovës, kërkon “çastin më të volitshëm” dhe që subjektet kryesore politike të vendit ta vlerësojnë një gjë të tillë në mënyrë unanime, “në pajtim edhe me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe fuqitë e mëdha europiane”.

I pyetur se, “si e shihni perspektivën e serbëve dhe të komuniteteve të tjera në një Kosovë të pavarur”, ai përgjigjej: “Si perspektivën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ku të gjithë do të jenë të lirë, të sigurtë dhe të mbrojtur nga ligji”.

E, i pyetur “në veçanti, si i vlerësoni marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Shqipërinë”, kryeministri Rexhepi përgjigjej: “Nuk ka dyshim se raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raportet më të mira se me të gjitha vendet e tjera fqinje. Ky është edhe një realitet i natyrshëm. Shqipëria e ka ndihmuar gjithmonë Kosovën, por, ka dëshmuar gjithashtu se politika e saj e Jashtme është në përputhje me rregullat dhe normat ndërkombëtare. Lidhja e Kosovës me Shqipërinë është në interes të zhvillimit ekonomik mbi të gjitha, sepse përmes Shqipërisë ne dalim drejtpërdrejt në kufi me vendet e Bashkimit Evropian, siç është Italia dhe Greqia. Do të thoja se ky është një privilegj i natyrshëm, i cili duhet shfytëzuar në maksimum”.

Bajram Rexhepi ka lindur në Mitrovicë në 3 qershor 1954. Ishte mjek-kirurg, gjatë luftës edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e në Kosovën e sapoçliruar edhe kryetar i Mitrovicës. Ishte edhe ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Ka ndërruar jetë në një spital në Turqi, në 21 gusht 2017.

PRESIDENTI THAÇI: BAJRAM REXHEPI, NJË FIGURË SHEMBULL E PATRIOTIZMIT

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka shkruar:

#NjereztePaharrueshem

Kryeministri i parë i Kosovës së pasluftës, BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Bajram Rexhepi ishte intelektual, humanist, diplomat dhe politikan shumë i vendosur.

Ai dha kontribut shumë të madh në vijën e parë të frontit të luftës, duke shpëtuar qindra jetë të ushtarëve të UÇK-së dhe duke iu mundësuar atyre që të ktheheshin sërish në istikamet e luftës për mbrojtjen e atdheut.

Ishte figurë unifikuese në momentet më të ndjeshme të politikës sonë të brendshme pas çlirimit, duke bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike si kryeministër i parë i Kosovës.

Bajram Rexhepi dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për vendlindjen e tij, Mitrovicën, të cilën e udhëhoqi shumë vite me radhë.

Angazhimin dhe përkushtimin për fuqizimin e shtetit të Kosovës, Bajram Rexhepi nuk e ndali në asnjë moment.

Ishim së bashku, si në luftë, ashtu edhe në paqe!

Së bashku fituam shumë beteja, deri para tre vjetësh kur fatkeqësisht humbi betejën me sëmundjen e rëndë, duke u ndarë vetëm fizikisht prej nesh.

Kontributi, trashëgimia politike dhe patriotike që Bajram Rexhepi ka lënë për brezat e ardhshëm do të jetojë përgjithmonë!

Prehu në paqe, miku im i paharruar! HTH

Filed Under: Politike Tagged With: Bajram Rexhepi, Behlul Jashari, perkujtohet

MALI I ZI- ZGJEDHJET PARLAMENTARE,NË ATMOSFERË TË KRIZËS SHUMËDIMENSIONALE

August 20, 2020 by dgreca

Në sajë të gjendjes ekzistuese  zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi(30 gusht), do të mbahën në një krizë shumëdimensionale të pa parë deri më tash  ku përveç asaj ekonomike e politike i është shtuar edhe ajo shëndetësore(Corona-19), që nuk ka dilemë së do të ndikojë  në daljen e qytetarëve për të votuar, nga del se do të kemi rezultat të diskutueshëm  deri në momentin e fundit  për të përcaktuar shumicën e ardhshmë parlamentare.-

Shkruan: Nail  Draga-

Në zgjedhjet parlamentare të cilat do të mbahën më 30 gusht, Komisioni Zgjedhor Shtetëror(KZSH) ka verifikuar listen e pjesëmarrësve, të cilët do të jenë 6 koalicione dhe 5 parti politike.Këto do të jenë zgjedhjet e njëmbedhjeta nga miratimi i pluralizmit dhe të pestat nga pavarësia e Malit të Zi në vitin 2006.

Ndonëse më herët ka pasur iniciativë që opozita të dalë me një listë zgjedhore, përpjekjet e tilla mbetën vetëm tentime dhe ata do të marrin pjesë në zgjedhje në dy kolona(DF dhe DCG), ndërsa PSD dhe URA do të marrin pjesë të vetme. Dhe janë këto subjekte politike që do të jenë konkurent  të DPS-it  por edhe partnerëve të saj që janë partitë e popujve pakicë. Nga numri I subjektëve politike për pjesëmarrje në zgjedhje dy koalicionet(DF dhe DCG) kanë ndikuar që partite e vogla të mos garojnë të vetme, që është një veprim pozitiv politik me mundësi të mëdha me rritë numrin e deputetëve të opozitës por edhe për të qenë pjesë e parlamentit të ardhshëm, më përfaqësuesit e tyre legjitim.

Në kuadër të pjesëtarëve të popujve pakicë,në këto zgjedhje nuk ka ndonjë risi, sepse  pothuaj gjendja është identike si më parë, më përjashtim të kroatëve. Pjesëtarët e popullit boshnjak kësaj here marrin pjesë me një subjekt politik(BS), ndërsa shqiptarët marrin pjesë me  dy lista zgjedhore(koalicione).

Risi në këto zgjedhje paraqesin kroatët  të cilët deri më tash kanë pasur një subjekt politik(HGI), ndërsa  kësaj here është paraqitur edhe një subjekt tjerët(HRS), që do të konkurojnë për një mandat të deputetit.

Fushata  parazgjedhore pa dinamikën e mëparshme

Subjektët politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 gushtit 2020, këto ditë janë duke shpalosur programin e tyre, por jo me dinamikë siç jemi mësuar në zgjedhjet e mëhershme. Janë pikërisht rrethanat e reja shoqërore, që kanë ndikuar në një model të ri parazgjedhor të panjohur deri më tash.Madje edhe retorika e subjektëve politike është përcaktuar në tema të veçanta.

Kështu për dy konkurentët kryesor në këto zgjedhje  për DPS-in  dhe DF-in   parësore janë temat  identitetare,  në anën tjetër SDP dhe Demokratët iu premtojnë qytetarëve paga dhe pensione më të mëdha, ndërsa URA ofron qeverisjën me eksperta. Çështje tjetër  është se çka premtohet dhe sa realisht mund të realizohet në praktikë, sepse qytetarët janë ngopur me deklarata të tilla të cilat, nuk i degjojnë për herë të parë.

Katërmbëdhjetë vite pas pavarësisë dhe  në zgjedhje te pesta parlamentare, për DPS-in, siç duket mbrojtja e shtetit është çështje kyçe. Më ndryshim nga zgjedhjet e deritashme, kësaj here siç duket kundërshtari kryesor nuk iu është opozita, por KOS-i, sepse të gjithë e kanë të qartë se ajo është opozita  me e rrezikshme, edhe pse ata nuk marrin pjesë në zgjedhje si parti politike.

Për temat ekonomike nga  qeveria nuk prononcohen në fushatë sepse kriza momentale do ti dekurajonte qytetarët, ndërsa analistët thesojnë se  ajo do të jetë edhe ma e theksuar pas zgjedhjeve.

Nga ana tjetër partitë politike të popujve  pakicë, nuk janë të zëshme në fushatë parazgjedhore, ku  edhe pse  janë pjesë e qeverisë, ka qenë e udhës për të ndryshuar retorikën, sepse votuesit e tyre, presin angazhime konkrete përmes projektëve të ndryshme në mjediset përkatëse, përkatësisht për barazi qytetare e nacionale në Mal të Zi,  si vendi me  multinacional e multikulturor në Europën Juglindore.

Nuk ka dilemë se kjo fushatë parazgjedhore ishte e veçantë por dhe shumë e shkurtër, andaj si e tillë është e pa parashikueshme.

Pensionistët faktor në zgjedhje(!?)

Në Mal të Zi në kuadrin e spektrit politik ka kohë që është në funksion  Partia e pensionistëve, invalidëve dhe e restitucionit(PIR), të cilët kohë pas kohe deklarohen në lidhje me pozitën e pavolitshme sociale te kësaj kategorie të popullsisë. Dhe ndonëse një shqetësim i tillë është i vazhdueshëm, deklarimi publik është bërë dukuri  sidomos në prag të zgjedhjeve parlamentare, sepse kemi të bëjmë me një kategori të qytetarëve të cilët kanë dhënë kontributin e tyre dekada me radhë në zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.

Në sajë të dhënave që disponojmë, momentalisht në Mal të Zi  në tërësi janë 130.300 pensionistë  ku pensioni mesatar është  289,1 euro, ku këtë shumë e marrin  63.578 pensionistë.Nga ana tjetër pensioni minimal me rritje në vitin 2020 është 128,82 euro ku e marrin  11.700 pensionistë. Rreth 3.000 pensionistë  e kanë pensionin nën 100 euro, por madje bëhët me dije se ka pensionistë që e kanë pensionin nën 50 euro(!?).

Duke marrë parasysh se pensionistët më vëshirësi e mbyllin muajin, për të  mbijetuar, ndërsa një numër i tyre ushqehën nga kuzhinat popullore e madje edhe nga kontejnerat, dëshmon se kemi të bëjmë me një kategori të qytetarëve të rrezikuar në aspektin social. Pikërisht kemi të bëjmë me një moment të veçantë, andaj nuk duhet të nënçmohet kontigjenti i votave të  pensionistëve, sepse, votat e tyre mund të jenë vendimtare për formimin e shumicës së re parlamentare.
Andaj duke marrë parasysh këtë gjendje të mjerueshme sociale, Qeveria, më 16 korrik 2020, miratoj vendimin për  rritjen e pensionëve më të dobëta(128 euro) për 13 %, si dhe ndryshimin e Ligjit për dalje në pension.

Duhet theksuar së këtë ligj  e ka propozuar  më herët SDP dhe ka qenë gati nga viti 2018, por ka mbetur në sirtar, sepse nuk ka ekzistuar vullneti politik i DPS-it, ndërsa tash ndryshuan qendrim duke e mbeshtetur ate në parlament, nga del qartë së kemi të bëjmë me marketing parazgjedhor, për përfitime politike!

Më shumë votues se sa qytetarë të moshës madhore


Çështje të veçantë   paraqet regjistri zgjedhor i qytetarëve të cilët do të marrin pjesë në ditën e votimit. Ne regjistrin  zgjedhor janë gjithsej 541.232 qytetarë. Në krahasim me zgjedhjet presidenciale  që janë mbajtur me 15 prill 2018, numri i votuesëve është rritur për rreth 8.6 mijë.

Në lidhje me këtë çështje  ja vlen të cekim se nga zgjedhjet presidenciale në vitin 2013 deri ato në  prill në vitin 2018, numri i votuesve është rritur për 21.194, gjegjësisht  nga 511.405  në 532.599. Nga një e dhënë e tillë ku sipas MONSTAT-it në këtë periudhë kohore numri i banorëve është rritur për 1.844 persona,  del se më shpejt rritet  numri i votuesve  se sa numri i qytetarëve të moshës madhore, që paraqet  paradoks të llojit të vet, andaj mbetet çështje për hulumtim të veçantë, nga ana e KZSH, për të eliminuar dilemat dhe  spekulimet në këtë kohë të fushatës parazgjedhore.

Shqiptarët me dy lista zgjedhore

Ndonëse janë bërë përpjekje në vend e në veçanti  nga diaspora shqiptare në SHBA por edhe nga Shqipëria, që shqiptarët  kësaj here të dalin në zgjedhje me një listë  të përbashkët zgjedhore, angazhimi nuk solli sukses, sepse në rend të parë ishin ambiciet personale e ato lideriste. Kështu me 30 gusht shqiptarët do të dalin me dy lista zgjedhore: Lista Shqiptare”Koha është tani” e përbërë nga Forumi Shqiptar(AA,LDSH), Forca, Unioni i Tuzit dhe Lëvizja Perspektiva  si dhe lista e dytë Koalicioni  “Bashkë  një za” i  përbërë nga ”PD, UDSH dhe LDMZ.

Kujtojmë më këtë rast se në zgjedhjet e fundit(2016) shqiptarët u prezantuan me tre lista: Koalicioni “Shqiptarët e vendosur”(Forca. UDSH, AA) ku fitoi  4854 vota(1.27%) me 1 mandat të deputetit,     Koalicioni shqiptarë “Me një qellim”PD, LDMZ,  3394 vota (0.89%)dhe lista e tretë LDSH 1542 vota(0.40%), pa mandate të deputetit.

Në vitin 2016   votuesit shqiptarë për subjektet politike nacionale votuan 9790 votues, nga del se po të ishin në një listë të përbashkët do të ishin fituar dy deputet. Por, në sajë të mos unifikimit në një listë zgjedhore dhe ligjit zgjedhor ekzistues, që është diskriminues për shqiptarët, nuk do të jetë çudi që shqiptarët të mbesin përseri me një deputet si në mandatin e kaluar, që do të ishte humbje e madhe  jo vetëm politike.Sidoqoftë kësaj here votuesit shqiptar, kanë mundësi të zgjedhin në mes dy koalicionëve shqiptare, sepse në këtë mënyrë do të zgjedhin përfaqësuesit autentik  në skenën politike në Mal të Zi.

Në zgjedhjet lokale në Guci, shqiptarët me listë të përbashkët

Ne  këto zgjedhje megjithate kemi një lajm pozitiv, sepse në zgjedhjet lokale në Guci që do të mbahën të njëjtën ditë me ato parlamemntare shqiptarët do të dalin  me listë të përbashkët”Shqiptarët e bashkuar për Guci”(LDSH, UDSH, ASH).Kujtojmë së në zgjedhjet e fundit lokale ata kishin gjithsej 7 këshilltarë në Kuvendin Komunal në Guci, ndërsa kësaj here të bashkuar ky numër  sipas të gjitha gjasave duhet të jetë më i lartë, sepse të bashkuar mundësitë janë më të mëdha.

Enigma  për shumicën parlamentare(!?)

Gjendjes së pavolitshme ekonomike e politike iu bashkangjit ajo epandemisë së Covid-19, që do të ndikojë në pjesëmarrjën  e qytetarëve në ditën e votimit. Kemi të bëjmë pikërisht me kategorinë e qytetarëve të cilët jo vetëm në zgjedhjet e fundit kanë abstenuar, andaj  motivimi i pjesëmarrjës së tyre në zgjedhje mbetet çështje e diskutueshme. Sepse pjesëmarrja  në votime e kësaj kategorie të qytetarëve, do të vendosë rezultatin definitiv dhe përcaktimin e shumicës parlamentare.Madje, nëse pjesëmarrja do të jetë më e lartë së në vitin 2016(72.6%), ajo do të jetë në favor të opozitës. Pikërisht kjo kategori e votuesëve e bën të pa parishikueshëm dhe enigmatik rezultatin e tyre zgjedhjeve.

Duke marrë parasysh së asnjë subjekt politik  vetë apo në koalicion nuk do të ketë shumicën parlamentare, nuk ka dilemë së këtu rol përcaktues do të kenë  partitë politike të popujve pakicë, si deri më tash duke qenë pjesë e pushtetit. Ndërsa nuk përjashtohet  mundësia që rol vendimtar për formimin e shumicës parlamentare  ta kenë edhe dy partitë tjera opozitare promalazeze (PSD dhe URA), duke qenë alternativa të besueshme për formimin e shumicës parlamentare, përkatësisht të qeverisë së re.

(20 gusht 2020)

Filed Under: Politike Tagged With: kriza shumedimensionale, Nail Draga, Zgjedhjet ne Mal te Zi

Përfaqësues të MPJD-së të Kosovës në Departamentin Amerikan të Shtetit

August 20, 2020 by dgreca

-Ministrja Meliza Haradinaj Stublla në Washington takoi Zëvendës Ndihmës Sekretari Matthew Palmer, Kosova për herë të parë do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashmte dhe Diasporës në Departamentin Amerikan të Shtetit/

WASHINGTON DC, 20 Gusht 2020-Gazeta DIELLI/  Republika e Kosovës, për herë të parë në historinë e saj, do të mund të dërgojë përfaqësuesin e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Departamentin Amerikan të Shtetit (DASH).


Këtë ia ka konfirmuar Ministres Meliza Haradinaj Stublla vet Zëvendës Ndihmës Sekretari për Çështjet Evropiane dhe të Euroazisë, Matthew Palmer, gjatë takimit që zhvilluan së bashku në Washington,  thekson njoftimi  dërguar sot nga Ministria e Punëve të Jashmte dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.  

 “Koordinimi i ngushtë i politikës sonë të jashtme me SHBA-të, dhe profesionalizimi i Shërbimit të Jashtëm sipas praktikave më të larta ndërkombëtare, mbeten prioritet i yni”, tha Ministrja e Punëve të Jashmte dhe Diasporës e Republikës së Kosovës.
“Diskutuam me z.Palmer edhe dialogun me Serbinë, ku bashkë me Ministrin e Drejtësisë, Selim Selimi theksuam se vetëm nën lidershipin amerikan, dialogu do të ketë dinamikën dhe qartësinë e duhur për t’u përmbyllur me njohje reciproke në kufijtë ekzistues, duke ruajtur karakterin unitar dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, tha kryediplomatja e Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Ministrja Meliza Haradinaj Stublla, Zëvendës Ndihmës Sekretari Matthew Palmer

Telefonatat e Edi Ramës me Llukashenkon

August 19, 2020 by dgreca

….Edi Rama ka 22 vjet në pushtet, Llukashenko 26. Edi Rama restauron shtëpinë me gjethe, kurse Llukashenko lyen me gëlqere pemët me brigada vullnetare. A ja hapi telefonin në fund Llukashenko Edi Ramës, sigurisht që po. I dha ftesën për ceremoninë e radhës, triumfin e diktatorit.

Nga Ilir Levonja-

Në kohën që Edi Rama përpiqej të lidhej me Llukashenkon, me që Shqipëria ka kryesimin e radhës së OSBE, presidenti bjellorus po u shpërndante medalje nderi policëve besnikë. Burgjet ishin mbushur, të rrahur sa të duash, madje edhe dy a tre kishin ndërruar jetë. Çfarë në fakt kërkon Edi Rama t’i ofroj Llukashenkos, përvojën shqiptare apo atë të OSBE-s? Kjo është një pyetje naive për faktin se OSBE, një grupim ndërqeveritar, ka për qëllim të gjendet në krizat brenda grupit, sidomos aty ku mungon dialogu, zgjedhjet e lira, liria e fjalës dhe të drejtat e njeriut. Pasi vet Shqipëria ka qenë një vend problematik për sa u përket këtyre kritereve, për më tepër kur parimi bazë i ekzistencës OSBE është vendim marrja me konsensus të gjerë. Jo më larg se disa javë, në 30 korrik 2020 Shqipëria ndryshoi Kushtetutën e vendit me veto dhe pa konsensus. Jo më larg se një vit mbajti zgjedhje moniste, pa faktorin alternativë a opozitën, duke shpallur një rezultat alla Llukashenko. Eshtë pyetje naive për çdo pikë të ekzistencës së OSBE-s në lidhje me demokracinë në vendin tonë, pasi shqiptarët kurrë nuk e pranuan dot vetë rolin e saj. Jo vetëm të OSBE-s por edhe të plot institucioneve ndërkombëtare. Dhe ajo që është më thelbësorja, hapjen e krahut a rrotacionin politik. Ndofta mund të jetë rasti kur OSBE shikon me sytë e vetë firot e institucionit. Ose atë se si hajduti mund të ndihmoj hajdutin, se si one man show drejton, sundon, pret e vret në emër të demokracisë. Nëse sot do të ofrohej ndihma e OSBE-s bjellorusëve prej çdo vendi tjetër të rajonit tonë, Shqipëria nuk e meriton. Fare mirë mund të ishte edhe Maqedonia, madje me zgjedhjet e fundit dha një shembull të përkryer të pushtetit me qytetarin. Dhe mos të na vij hidhur fare, madje mund të jetë shumë herë përpara nesh brenda komunitetit europian. Mund të ishte edhe Kosova jonë, një model tjetër i përkryer i rotacionit dhe konsensusit, i pranimit dhe dialogut. Por asesi Shqipëria e Edi Ramës. Kjo edhe për një fakt të thjeshtë, Edi Rama ka 22 vjet në pushtet, Llukashenko 26. Edi Rama restauron shtëpinë me gjethe, kurse Llukashenko lyen me gëlqere pemët me brigada vullnetare. A ja hapi telefonin në fund Llukashenko Edi Ramës, sigurisht që po. I dha ftesën për ceremoninë e radhës, triumfin e diktatorit.

Filed Under: Politike Tagged With: Edoi Rama-Llukashenko, Ilir Levonja, Telefonata

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 324
  • 325
  • 326
  • 327
  • 328
  • …
  • 654
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit
  • KOLONJËN E BËJNË EMËRMADHE RILINDASIT E SAJ TË SHQUAR
  • Kosovo Between Political Noise and the Need for Civic Clarity
  • TË FALËSH, TË MOS HARROJSH!
  • PREJARDHJA ILIRE DHE AUTOKTONIA E SHQIPTARËVE
  • Fitoi “Gold Winner” në konkursin ndërkombëtar “New York Photography Awards”, Erion Halilaj: “Promovim i talentit shqiptar në një skenë ndërkombëtare”
  • Kur filozofia dhe psikologjia ndërveprojnë për të shpëtuar njerinë
  • BALFIN REAL ESTATE HAP ZYRËN E PARË NË SHBA, NJË MUNDËSI E RE INVESTIMI PËR DIASPORËN SHQIPTARE
  • Konferenca “Diaspora 2025” organizuar nga Federata Kombëtare Shqiptare në Itali ( FNAI)
  • Koncepti i lumturisë dhe Krishtlindjet sot

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT