• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kompromisi Kosovë-Serbi për marrëveshjen finale?

June 6, 2018 by dgreca

Sa është i mundur kompromisi Kosovë-Serbi për marrëveshjen finale?/1 Thaci VucicQeveria e Kosovës kërkon mbështetje nga Kuvendi për një platformë finale në bisedimet me Serbinë. Partitë opozitare e kundërshtojnë këtë platformë dhe nuk duan që bisedimet ti udhëheqë Presidenti Thaçi…

Kuvendi i Kosovës tashmë e ka përcaktuar si pikë të rendit të ditës platformën e qeverisë së Kosovës, e cila e parasheh fundin e dialogut me Serbinë me arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme për të dyja palët.

E përmes një marrëveshje finale me Serbinë, që është normalizimi i plotë i raporteve, Kosova synon të sigurojë heqjen e pengesave të krijuara për anëtarësimin në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, në Bashkimin Evropian dhe strukturat e organizatat tjera ndërkombëtare. Për të hyrë në këtë fazë finale të dialogut dhe për ta arritur këtë marrëveshje me Serbinë, në Kosovë po kërkohet një “Grup Uniteti”, ku do të përfshihej edhe opozita. Grupi do të kryesohej nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Ky i fundit, obligohet që në baza të rregullta ta informojë Kuvendin e Kosovës për bisedimet që zhvillohen në Bruksel.

Mirëpo akoma pa u diskutuar në Kuvend, kjo platformë u kundërshtua nga partitë politike opozitare. Është Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) partia më e madhe opozitare që nëpërmjet një deklarate për medie, tha se “Platforma për dialog, e prezantuar në Kuvendin e Kosovës nga ana e Qeverisë së Kosovës, është dokument i përgatitur dobët, joserioz, me pretendime jokushtetuese dhe si të tillë nuk do ta votojë”.

“LDK-ja mbetet e përkushtuar për një proces dialogues serioz, konsensual dhe brenda kornizave kushtetuese të Republikës së Kosovës. LDK-ja beson në vlerat e pazëvendësueshme të dialogut politik, jo vetëm si një mjet për marrëveshje, por edhe si një qenësi e jetës politike”, thuhet në deklaratën e LDK-së.

Edhe partia tjetër opozitare Lëvizja Vetëvendosja është shprehur kundër platformës së qeverisë për bisedime me Serbinë, ku fazën finale do ta udhëhiqte Presidenti Hashim Thaçi. E ky i fundit, po ashtu edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, janë pajtuar që duhet hyrë në fazën finale të dialogut me gjasë me një “kompromis” me Serbinë, por nuk jepen detaje se për çfarë “kompromisi” është fjala.

Kryeministri i Ramush Haradinaj, tha se Kosova do të pranojë pajtimin me shtetin e Serbisë në këmbim të njohjes së pavarësisë së Kosovës, por sipas tij, Kosova nuk i harron krimet e bëra nga Serbia.

“Njohja e Kosovës nga Serbia, por, çka mund të japë Kosova që të arrihet kjo marrëveshje, një pajtim, Kosova nuk ka çka jep tjetër. Pajtimi nuk është pak, do të thotë të kalohet mbi dhimbjen tonë, mbi të zhdukurit, mbi të vrarët, mbi dëmet, mbi dhunimet seksuale, me ekonomi të shkatërruar e të plaçkitur, e kur ne të pajtohemi, po japim shumë, më shumë se që dikush mund të jap. Nuk po themi me harru, nuk e bëjmë kurrë, por ne mund të pajtohemi ndonjëherë, për njohje të Kosovës nga Serbia. A është ky viti për këtë, nuk mund të ngutem të them se po, por për këtë ne kemi kërkuar ndihmën e miqve tanë ndërkombëtarë, sidomos SHBA-së”, tha kryeministri Ramush Haradinaj në një tubim të partisë së tij. Haradinaj nuk ishte në gjendje të thotë nëse gjatë këtij viti do të ndodhë një marrëveshje pajtimi me Serbinë.

Kosovo 10 Jahre Unabhängigkeit (Getty Images/AFP/A. Nimani)

Ndërkohë, mediet në Serbi shkruajnë se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq tashmë e ka “refuzuar” një plan amerikan për Kosovën, duke e cilësuar atë si të padinjitetshëm. Mirëpo ky plan nuk është konfirmuar nga Vuçiçi ndonëse vet Presidenti i Serbisë disa herë ka deklaruar se “propozimin e bashkësisë ndërkombëtare për çështjen e Kosovës tashmë e ka në tavolinë”.

Kosovës dhe Serbisë, në katër shtylla u është paraqitur marrëveshja historike:

1. Asociacioni i Komunave serbe bëhet me kompetenca të gjëra dhe me kompetenca të shtuara në fushën e shëndetësisë, arsimit e kulturës.

2. AKS do të jetë i lidhur ngushtë me nënkryetarin e Qeverisë së Kosovës që do të vinte nga radhët e komunitetit serb.

3. Beogradi pritet t’i mundësojë Kosovës hyrjen në organizatat ndërkombëtare, para së gjitha në OKB.

4. Nëse pala serbe pranon këtë pako, Serbisë do t’i mundësohej hyrja në BE, e SHBA-ja do t’i garantonte asaj përkrahje ekonomike e diplomatike në arenën ndërkombëtare”, shkruan e përditshmja serbe Vecernje Novosti.

Sa është i mundur kompromisi?

Por sa është i mundshëm në këto rrethana kompromisi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të arritur në një marrëveshje finale pajtimi? Blerim Burjani, analist politik i tha DW-së, se synimet e palëve tashmë dihen, Kosova synon vend në OKB dhe në fund njohje nga Serbia, ndërsa, kjo e fundit përmes Asociacionit të Komunave Serbe kërkon hise brenda territorit të Kosovës.

“Tash kompromisi është problematik për të dy palët. Kosova nuk mund të copëzohet dhe të jetë shtet jo funksional, edhe pse Serbia pretendon që asociacioni të jetë plotësisht i pavarur nga institucionet e Kosovës”, thotë Blerim Burjani.

Sipas tij, Serbia ka për qëllim që ta copëzojë teritorialisht Kosovën nëpërmjet Asociacionit dhe kjo ndodh më vonë nëse pala kosovar e pranon me këto kushte “marrëveshjen historike me Serbinë”.

“Serbia e dëshiron një ndarje të butë, si një variant, ku serbët do të kenë trajtim si entitet juridik i veçantë, siç është përcaktuar edhe nga grupi i punës për hartimin e statutit të komunave me shumicë serbe. Në të vetë serbet caktojnë në mënyrë të pavarur vullnetin e tyre statusor pa ndikim nga Prishtina. Nga ana tjetër, Kosova ka kërkuar që këtë statut ta kontrollojë dhe mbikqyrë Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Pra, edhe ashtu Serbia ka avantazh në këtë temë si propozuese, pastaj i mbetet Kosovës të deklarohet për këtë e që politikanët e Kosovës kësaj teme i ikin politikisht duke ia dërguar Gjykatës Kushtetuese për ta hequr qafe debatin për “tradhti” dhe gjëra tjera. Pra, kompromisi me Serbinë në këto rrethana duket i pamundshëm”, thotë Blerim Burjani.

Një analist tjetër nga Beogradi, Kryetari i Këshillit drejtues i Forumit për Marrëdhënie etnike Dushan Janjiq, ka vlerësuar se komunikimi i deritashëm i drejtpërdrejtë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk duket se po jep rezultate.

“Vendet e QUINT-it, që janë (SHBA-së, Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe Italia) qartë nuk janë për lojën e gjatë politike. Ato qartazi kanë mendim dhe po i afrohen qëndrimit se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet, pa marrë parasysh nëse Serbia dhe Kosova shkojnë ose jo drejt Bashkimit Evropian”, citojnë mediet në Serbi, Dushan Janjiqin.

Në vitin 2013 Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, nënshkruan një marrëveshje për përmirësimin e marrëdhënieve. Nga ajo kohë u nënshkruan një sërë marrëveshjesh, por disa nga to akoma nuk kanë gjetur zbatim në praktikë. Për fundin e këtij muaji është thënë se do të vazhdojë dialogu i nivelit të lartë politik, por akoma nuk është caktuar një datë. Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Carlos Martin Ruis de Gordehuela, tha sot se “BE është në kontakt të përhershëm me të dyja palët dhe do të vazhdojmë me bisedimet në Bruksel sa më parë që të jetë e mundur”. Por Gordehuela nuk saktësoi ndonjë datë.(Kortezi:Bekim Shehu DW)

Filed Under: Politike Tagged With: eshte i mundur, Kompromisi Kosove-Serbi

KUFIRI I ËNDRRËS

June 4, 2018 by dgreca

1 rugova_diogardilidhja-prizrenit125-logo11 Lidhja P1 Kuvendi1 Rilindja

Speciale e Gazetës DIELLI: KUFIRI I ËNDRRËS/

-Në reportazhin futuristik me titull “Kufiri i ëndrrës” që kam shkruar në kohë të rënda okupimi para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998, paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”/

1 akademi1 Leka rug1 rugova med1 reportazhi

-“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës/

-Këtë vit, në 2018-tën në Kosovë po bëhen të gjitha përgatitjet për shënimin e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, festojnë tradicionalisht të gjithë shqiptarët e trojeve etnike e në botë/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI

PRISHTINË, 4 Qershor 2018/ “Kufiri i ëndrrës” ishte reportazhi futuristik që kam shkruar para më shumë se 20 viteve, në fundvitin 1997, botuar 3 Janar 1998 në Prishtinë në gazetën e rezistencës e pjesë e lëvizjes e luftës për liri e pavarësi “Bujku”, kryeredaktor i parë-themelues i së cilës isha. Në atë reportazh në kohë të rënda okupimi paralajmëroja “festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut”.

Ishte ky reportazhi i tretë i ardhmërisë në kohën e viteve të rënda të okupimit, kur me shkrimet futuristike e shihja dhe e përshkruaja Kosovën e së ardhmes, të lirë, shtet, të ëndërrave.

I pari ishte reportazhi futuristik me titull “Një ditë e një viti që vjen”, i shkruar dhe  dërguar nga Prishtina drejt Tiranës në 27 Dhjetor 1995.

Ndërsa, reportazhi i dytë futuristik ishte “Udhëtimi për në Prizren…”, botuar në Prishtinë e Tiranë në 31 Dhjetor 1996.

Shumë nga ato që shkruaja në reportazhet futuristike atëherë e që dukeshin si ëndërra,  që ishin ngjarje të fantazuara-parashikuara, tashmë janë realizuar në Kosovën e lirë nga Qershori 1999 dhe të pavarur nga 17 Shkurti 2008.

Në vitin 2003, gjatë tre ditëve, duke filluar nga data 9 Qershor, Kosova festonte 125 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit me manifestime të organizuara nën përkujdesjen e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova. Ditën e parë, Presidenti Rugova njoftonte se ka dekoruar 37 personalitete të njohura nga Kosova dhe vende të botës me Dekoratën Medalja e Artë e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Njëherësh, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka dekoruar të gjithë themeluesit dhe veprimtarët e Lidhjes së Prizrenit me Dekoratën Hero i Kosovës.

“Në kuadër të shënimit të 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe në bazë të kompetencave kushtetuese të gjithë themeluesit, duke filluar nga Ymer Prizreni, Abdyl Frashëri, Sylejman Vokshi, Vaso Pashë Shkodrani, Ferid e Shaqir Curri, e veprimtarë të ndryshëm i kam shpallë Hero të Kosovës”, theksonte Presidenti Rugova.

Këtë vit, në 2018-tën në Kosovë po bëhen të gjitha përgatitjet për shënimin e jubileut të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, festojnë tradicionalisht të gjithë shqiptarët e trojeve etnike e në botë. Fillimisht është mbajtur në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare, takimi i Komisionit Qeveritar për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të kulturës të Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë.

“Nga institucionet relevante të Republikës së Kosovës, të Shqipërisë dhe të Maqedonisë po punohet jashtëzakonisht shumë që organizimi për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit të jetë sa më madhështor dhe në mënyrën sa më të mirë të mundëshme”, u tha me këtë rast.

Dhe edhe në takime në vijim theks i veçantë iu kushtua edhe koordinimit të përbashkët në aktivitetet që do të realizohen në Vitin Mbarëkombëtar të Heroit Gjergj Kastrioti-Skënderbeu si dhe në jubileun e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

“Qyteti  i Prizrenit do të jetë qendra kryesore e zhvillimit të të gjitha aktiviteteve që do të mbahen me rastin e shënimit të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut”, u  paralajmërua në takime përgatitore organizative.

Në 140 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë solemne në fund të kësaj jave, të dielën – në 10 Qershor 2018 në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare i kam raportuar nga Prizreni vit pas viti për Agjencinë Shtetërore-Zyrtare të Lajmeve të Shqipërisë, duke nisur si korrespondenti i parë nga Kosova i mediave të Shqipërisë – nga 24 Maji 1992 i zgjedhjeve të para pluraliste presidenciale e parlamentare në Kosovë.

Në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës derisa ishim në aktivitetet e shënimit të përvjetorit të Lidhjes Shqiptare bashkë me ekipin e gazetës së përditshme “Bujku”-Rilindja  u ndaluam nga policia serbe në Prizren, e cila po na mbante në shënjestër të armëve dhe na mori e asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë aktivitetet dhe raportimet për Lidhjen Shqiptare.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në Kosovë festohen në liri vetëm nga Qershori i vitit 1999, i hyrjes së forcave shpëtimtare të NATO-s.

“Në saje të përpjekjeve të përbashkëta dhe me ndërhyrjen e NATO-s më 12 Qershor të vitit 1999 Kosova u lirua”¸ theksonte Presidenti Dr. Ibrahim Rugova në akademinë solemne kushtuar 125 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku si gjithmonë thekonte mirënjohjen më të madhe dhe miqësinë e përhershme të Kosovës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky ishte reportazh i para më shumë se 2 dekadave:

KUFIRI I ËNDËRRËS

(Reportazhi i Ardhmërisë – III)

Behlul JASHARI

Një qiell i akullt hënor po mbushej me dritën e mëngjesit mbi Dukagjin. Ishte imazhi që po i fanitej prej dritares së trenit, që me rrugën nga Janina e kishte kaluar edhe natën. Vajza nga Lurasi, që po mbaronte studimet në Gjirokastër, për herë të parë po udhëtonte në veri të atdheut, në kërkimet, për punim diplome, të kufijve të botës shqiptare nëpër shekuj. Nëpër pjesën e hekurudhës së sapondërtuar po hynte në Gjakovë.

“Sapo e paskam kaluar kufirin e hekurt që ishte dikur midis Shqipërisë dhe Kosovës”, ishte mendimi i parë që i erdhi pas zgjimit nga dremitja në ulësen e kupesë. “Ishte si fundi i botës, kufiri fatkeq që i ndante shqiptarët…”

Tek po përpiqej ta maste me sy madhësinë e qytetit ku po ndalonte treni, më shumë e pëlqente një krahasim të përsëritur shumë vjet: “Kosova brenda vitit shtohet për një qytet, lind fëmijë aq sa ka banorë Gjakova”.

Zbriti vetëm për pak  sa t’i shkelin këmbët në tokën e Kosovës, që nga Çamëria e parafytyronte si një takim me legjendën… “Rekord i arit në Trepçë”, ishte titulli me shkronja të mëdha në ballë të faqes së parë të botimit të mëngjesit të njërës nga gazetat që i mori t’i lexojë në vazhdimin e rrugës për në Prishtinë, ku kishte paralajmëruar arritjen për atë ditë…

Nga qendra hekurudhore në Fushë-Kosovë nëpër metronë që çon në Prishtinë arriti në Qytetin Studenti. E gjeti lehtë Zyrën e Shërbimeve Studentore, që i kishin thënë se ndodhet pranë Fakultetit Filozofik, para të cilit nga larg shihet një përmendore e lartë e Naimit.

“O, po, ju kemi pritur, e kemi marrë telegramin tuaj, ku keni paralajmëruar një qëndrim studimor. Ju kemi siguruar vend në konviktin e studentëve nr. 9”, i tha plot përzemërsi sekretarja e Zyrës Studentore.

Zyra, që e priste plot mirëpritje, po i bënte një përshtypje të veçantë me fotografitë e pikturat e varura nëpër mure, si në një ekspozitë.

“Është një pjesë e historisë”, i tha nikoqirja, duke i treguar në veçanti pamjet nga demonstratat studentore të viteve 1968, ‘81…  ’97…

Pikturën, që ishte aty e kishte parë origjinalin në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Është “Molla e Kuqe”, një shenjë e paharrueshme e gjeografisë e historisë shqiptare.

“A do të hyjë edhe Molla e Kuqe në punimin tënd të diplomës, ajo ishte shenjë e kufirit me serbët?” – pyeti nikoqirja.

“Pikërisht edhe për Mollën e Kuqe jam nisur këndej”, tha studentja që kishte marrë udhën e largët, deri te “kufiri i ëndrrës”. Shprehja “Kufiri i ëndrrës” i erdhi nga titulli i një libri me motive të dëbimit të shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit në vitet 1877-78…

Gjumi e kishte zënë derisa po shfletonte një atlas të gjeografisë shqiptare, dhe ishte zgjuar herët për të shkuar në Bibliotekën Kombëtare e Universitare. Rrugës u ndal në një klub studentësh, që me kafenë e mëngjesit të shfletojë gazetat e ditës. Më shumë u ndal në shkrimet që lidheshin me interesimet e saj. Gazeta “Rilindja” paralajmëronte se “së shpejti do të fillojnë bisedime shqiptaro-serbe për rirregullimin e kufirit”, ndërsa gazeta “Bota shqiptare” shkruante se “rritet përditë e më shumë numri i shqiptarëve në Turqi që kërkojnë të kthehen në tokat prej nga janë shpërngulur të parët e tyre”…

Gjithçka kërkoi në Bibliotekë ia sollën nga arkivat në tavolinë. Kishte kaluar shumë orë shfletimi e kërkimi të përgjigjes në pyetjen se kah do të ketë qenë vija e kufirit të natyrshëm shqiptar në veri para vitit 1877, para dëbimeve masive të mbi një milon a më shumë shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit?

Kronikat thoshin: “Elementi shqiptar më së shumti jetonte në Qarkun e Toplicës. Toplica shtrihej në mes të Jastrebovcit të Vogël, në veri të Kopaonikut, në perëndim të Sikobicës, maleve të Arbanasit, i afrohej Moravës Jugore”… Kronikat përmendnin Jabllanicën, Qarkun e Toplicës e të Nishit, të Pirotit… “Elementi shqiptar shtrihej edhe përtej Sanxhakut të Nishit”, thoshin disa kronika, e disa të tjera se “kalonte edhe  lumin Moravë”…

Gjithë ato vende që përmendnin kronikat i kishte vijëzuar në një hartë, dhe po kërkonte vendin për të vënë shenjën e Mollës së Kuqe.

Si nga një shetitje në histori po dilte nga Biblioteka, ku do të kthente edhe disa herë ditëve të ardhme. Kishin mbetur edhe vetëm pak minuta deri në orën e takimit me shoqen e shokët që sapo i kishte njohur në Prishtinë.

E pritnin në kafiterinë “Orëjeta”, ballë hotelit “Evropa”, prej nga do të shkonin në Teatrin e Operës e Baletit, për të parë një shfaqje të trupës së artistëve nga Shkodra…

Qielli i akullt sikur po shkrihej bardh në errësirën mbi dritat e neonit shesheve e rrugëve të qytetit. Po reshte një borë e butë. Mbi bredhin e madh plot ditëza në rrugën “Nëna Tereze” nga bora që e kishte mbuluar nuk mund të shiheshin më të gjithë numrat e fundit të urimit. Mund të lexohej vetëm: Gëzuar Vitin e Ri dymijë e…”

Mbishkrimi mbi bredh ia përkujtoi të shkojë në telekom t’ia urojë në telefon Krishtlindjet familjes në Luras, dhe t’u paralajmërojë mikpritësve në Prizren shkuarjen në festimin gjithëkombëtar të pritjes së vitit jubilar të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kuvendit historik për kufijtë e atdheut. Sa shumë vjet kishin kaluar…(Botuar në Gazeta “Bujku” Prishtinë – e shtunë, 3 Janar 1998, faqe 6-Rishtypur per Diellin)

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, KUFIRI I ËNDRRËS

SOT- VATRA, TAKIM ME Z. SIMON MIRAKAJ- 4 QERSHOR

May 30, 2018 by dgreca

– VATRA, TAKIM ME Z. SIMON MIRAKAJ,ANËTAR I AUTORITETIT PËR INFORMIMIN MBI DOKUMENTET E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT-/

1 ok salle1 simon

-FTOHET KOMUNITETI DHE TË INTERESUARIT PËR MARRJEN E FORMULARËVE PËR APLIKIM PËR DOSJET E ISH SIGURIMIT TË SHTETIT, QË TË BËHEN PJESË E KËTIJ TAKIMI-/

         Njoftohet Komuniteti Shqiptar në NY dhe rrethina se Vatra do të organizojë një takim me z. Simon Mirakaj, anëtar i Autoritetit Për Informimin Mbi Dokumentet e Ish Sigurimit të Shtetit, ditën e Hënë, 4 Qershor 2018, ora 6 e 30 PM në Selinë e Vatrës, që ndodhet në adresën:

2437 Southern BLVD

Bronx, NY, 10458

     Përvec Kryesisë dhe anëtarëve të Këshillit të Vatrës  janë të ftuar edhe të interesuarit për Dosjet e ish Sigurimit të shtetit komunist. Z. Mirakaj do të sjellë formularët zyrtar që të intersuarit mund të bëjnë aplikmet për të siguruar Dosjet e tyre.

Takimi është i hapur.

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, Simon Mirakaj, Takim ne Vater

Babalja dhe babalistët e lumtur

May 29, 2018 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Ka një lajm sot, që, duket si i bujshëm…, policia e Kosovës ka arrestuar këtë Babalen për llogari të krimeve të rënda në Shqipëri. Bravo policisë së Kosovës, gjithmonë e ndjeshme. Kësaj tonës këtej  në rastin e Sajmir Tahirit përshembull, iu desh gjashtë muaj e ca t’i siguronte një ngujim të këndshëm ish shefit. Iu  desh dy minuta t’i hapte rrugën përshembull vëllait të ministrit aktual që ”lufton” krimin dhe grupet kriminale, madje me ceremoni. E ta akomodonte diku në Itali, edhe pse është ai shkaku i gjithë kësaj zallamahie shqiptare. Një mish me plot hori sociale, ca mbi dështimin e protestës, ku dallon pjesa më e madhe e shoqërisë sonë. E cila i gëzohet arritjeve nën Edi Ramën. Pse jo?! Hapje e gjerë e frontit të punës. Kudo ka punë, punë plot. Aq sa njerëzia ia bëri në kokë Llotarisë Amerike, madje janë amerikanët ata që po aplikojnë për të ardhur në Shqipëri. Dhe në zonat rurale, sidomos nga lumi i Vlorës, u kthye rishtas qetësia e punës, jemi në kohë vjelje, për kanabisin dhe të tjera droga që të bëjnë të pasur për një ditë. Pa diskutim që ka edhe ngritje rroge…., punë plot. Të na rrojë sa malet Edi Rama. Përse pra duhet të protestojmë? Por jemi tek Babalja…, një nga ata shqiptarë që janë me pikatore në Shqipërinë tonë. Një denoncues, që shtypit rozë të qeverisë, inatçorëve të Berishës, atyre që kanë harruar edhe kutitë bosh të hapeve të skaduara të tensionit, mjaft që Berisha me Lulin të mos kthehet, u duket një zhelan i pabesueshëm. Janë gati ta shqyejnë, mjaft që të mos kthehen pëdëistët. Ndofta forca më liberale dhe më sociale se çdo parti e majtë e kohërave të pas luftës në Shqipëri. Eshtë karakteristikë e jona që një denoncues ne ta përçmojmë. Një karakteristikë ”patriotësh” që tashmë është kalçifikuar deri në kockë të çdo qytetari. Të cilëve edhe pse po u shëmbet çatia mbi kokë. Kurrë nuk kanë për të besuar. Do nxjerrin kokën midis tjegullave, e, ashtu me shtëpinë e shembur rreth, si fund putanash, do bërtasin poshtë Berisha. Babalja është i gjithi një top për të kënaqur epshet e gojës. Një duf që të bën ta kthesh birrën me fund, e të fshish buzët me kënaqësi me të praptën e dorës. Kësisoj si ta linte menjanë policia e vëllezërve tanë në Kosovë? Nuk ndryshon shumë nga kjo e jona. Dha një shembull të përkryer me gylenistët. Po ju prek qimja e mjekrës këtij erdohanit tonë, nuk të falin. Sidomos me shef Batonin që në vend ta pyeste, i kërkonte llogari një tjetër denononcuesi të papunë, me meritat e ish prokurorit të Enver Hoxhës. Duhet ta dinë mirë shqiptarët se, rraca e shtypistave është po aq pa fytyrtë sa shefat e tyre të dhunshëm. Megjithatë krejt njerëzish dua t’u kujtoj se të arrestosh një Babale, që nuk i beson më askujt, qoftë dhe opozitës. Sepse e di mirë se kundër kujt ka dalë. E paranjeh atë botë valixhesh kartëmonedhash e qeskash me miell të bardhë…, a pistoleta. E di se çfarë të bëjnë në dhomat e paraburgimit a në ato gjoja apartamente me mbikqyrje etj., ka të drejtë të iki, të marri malet,  për mijëra arsye. Ne, shoqëria e grupeve dhe e tritolit, i dimë mirë, i njohim. Sidomos kur me vete ke edhe djalin… Pra të arrestosh një Babale, nuk është sukses, por regres. Ndaj lumturohuni me betejat boshe, me mullinjtë e erës, me përparimin tuaj anti opozitar.

Filed Under: Politike Tagged With: Babalja, dhe babalistët e lumtur, Ilir Levonja

PROTESTAT SHQIPTARE DHE ÇLIRIMI PREJ VETES

May 28, 2018 by dgreca

NGA SADIK ELSHANI*/

1 Proteste2 proteste

Dje ne Tirane u organizuan protestat e partive opozitare te Shqiperise per te shprehur pakenaqesine, zemraten e tyre kunder qeverise shqiptare per disa zhvillime te koheve te fundit ne Shqiperi dhe per punen jo te lakmueshme te qeverise se Shqiperise ne pergjithesi. Kerkesa kryesore ishte rrezimi i qeverise. Per fat te mire keto protesta ne pergjithesi ishin te qeta, pr policia ushtroi dhune ndaj kryeredaktorit te gazetes Rilindja Demokratike, duke i shkaktuar atij lendime trupore. Protestat ne nje shoqeri te lire e domokratike jane krejt normale, te garantuara me ligj dhe mundesojne shprehjen e lire te pakenaqesive, shqetesimeve te qytetareve, e zgjojne qeverine nga gjumi, e ngacmojne ndjeshmerine e pushtetareve per çeshtjet e caktuara per te cilat protestohet dhe jane pjese e proceseve demokratike, e mozaikut te demokracise. Protestat, demonstratat nuk jane diçka e re ne hapesiren shqiptare, posaçerisht ate kosovare dhe trojet tjera shqiptare ne ish Jugosllavi. Demonstrata te fuqishme jane zhvilluar me 1968, 1981, 1988 – 1999 dhe keto demonsrata u zhvilluan kunder regjimit jugosllav e me vone atij serb, per te kerkuar te drejtat tona te ligjshme. Por edhe me heret, shqiptaret gjithmone e kane ngre koken dhe kurre nuk u jane nenshtruar pushtuesve tane te shumte. Vete jeta jone, vete te qenit tone (ekzistenca jone) eshte nje proteste. Keto demonstrata, keto perpjekje jane shuar me dhune: me perndjekje, burgosje, vrasje te pjesemarresve dhe organizatoreve te tyre.Sot, fatmiresisht Kosova eshte e lire dhe shtet i pavarur, ndersa Shqiperia qe nga 28 nentori i vitit 1912. Demonstrata te qeta e paqesore, po, te dhunshme, jo. Dhuna nga asnjera pale nuk eshte e pranueshme. Po, protesta paqesore, dinjitoze e me qytetari, por jo, protesta me rrugaceri e huliganizem. Jo, protesta ku demtohet prona private dhe ajo shteterore, sulmohen protestuesit, sulmohet policia.

Eshte bere norme ne tere hapesiren shqiptare qe pas zgjedhjeve, rezultatet te mos pranohen nga pala humbese, ose ne çdo menyre te pengohet pala fituese per te qeverisur. Ne Shqiperi, partia qe sot eshte ne pushtet, kur ishte ne opozite, per dy vite e bojkotoi punen e Kuvendit (Parlamentit) dhe vazhdimisht e therriste popullin ne demonstrata, njera perfundoi edhe me vrasjen e kater qytetareve. Ndersa tani, partia qe dje ishte ne pushtet, dhe sot eshte ne opozite, e ben te njejten gje. Kuptohet, secila parti mendon se eshte me e suksesshme se tjetra, por fjalen e kane votuesit me voten e tyre te lire. Secila parti, me punen, perkushtimin dhe  angazhimin e saj t’i binde votuesit per ta votuar heren tjeter dhe kur te zgjidhen t’i permbushin premtimet e dhena. Partite politike i shohin problemet nga kendveshtrime te ndryshme, ofrojne qasje te ndryshme per zgjidhjen e tyre, por qellimi duhet te jete i perbashket, duhet te jete i njejti qellim: ndertimi i shtetit ligjor, institucioneve demokratike dhe mireqenja e popullit. Ineresat madhore te Shqiperise te jene preokupimi kryesor dhe i perhershem i pozites, opozites dhe çdo qytetari. Te saktesohet qarte ne kushtetute se kur dhe si bie qeveria dhe jo kur e kujt t’i teket.

Jemi ata qe jemi, dhe si jemi, ashtu edhe punet i kemi. Asnjeri udheheqes, asnjera parti politike ne Shqiperi e Kosove, as ata qe jane ne pushtet dhe as ata qe jane ne opozite, ne kete çast nuk jane ne nivelin e duhur per te qeverisur me kompetence. Ajo qe po na mungon ne skenen politike e publike te Shqiperise e Kosoves, si dhe ne gjithe hapesiren shqiptare, jane njerezit e ndershem qe kane ndjenja kombetare, udhehiqen ne jete nga parime e qellime te larta, rrezatojne vlera kombetare e njerezore. Nuk do te thote se nuk kemi njerez te tille, por ja qe nuk jane te angazhuar ne rrjedhat, proceset, jeten politike te vendit. Por derisa ta gjejme ate shkop magjik, qe me nje levizje do t’i zgjidhte problemet e Shqiperise, Kosoves, le t’i pervishemi punes. Ndoshta duke punuar me perkushtim, duke e ndihmuar njeri – tjetrin do te kemi me shume suksese – ndoshta ky eshte ai shkopi yne magjik qe te gjithe e endrrojme.

Shqiperia po ballafaqohet me shume probleme, me shume sfida: varferia, papunesia, korrupsioni i larte qe ka perfshire çdo sfere te shoqerise, imigrimi i popullsise, kanabizimi I vendit e shume probleme tjera. Po çka te habit me shume, eshte se, asnjera parti, asnjeri politikan ne Shqiperi nuk eshte i angazhuar per zgjidhjen e ketyre problemeve jetike per Shqiperine. Madje nuk paraqesin asnje propozim konkret, por vetem e akuzojne njeri – tjetrin.  Per keto probleme me heret i kam botuar dy shkrime: “Shkelqimi i kryeministrise dhe mjerimi i popullsise – qeverisje kozmetike” (Dielli, 27 gusht, 2015) dhe “Zhgenjimi i Lulzim Bashes” (Illyria, 6 gusht, 2017). Pra, shihet qarte se une nuk jam as me njerin dhe as me tjetrin, por do ta perkrahe edhe njerin edhe tjetrin kur bejne vepra te mira, kur punojne per interesat e Shqiperise dhe te kombit tone. Çdo qeverie shqiptare i deshiroj vetem suksese, sepse kur deshton qeverisja e mire, deshton Shqiperia, vuan populli. Perkrahjen e verber nuk e meriton asnje qeveri. Ne Shqiperi dallimet ne mes te parise ne pushtet, Parties Socialiste, dhe asaj ne opozite, Partise Demokratike, jane te dukshme. E para eshte duke u munduar qe ta mbaje gjalle trashegimine e baballareve te tyre komuniste dhe e dyta eshte duke u munduar qe te largohet nga kjo trashegimi shkaterruese. Ne Shqiperi ka per çka te protestohet çdo dite, por vetem me protesta nuk mund te zgjidhen problemet e Shqiperise. Atehere, perse mbajme zgjedhje, kur problemet po u gjidhkan ne rruge?! Prandaj, siç duket partite politike shqiptare nuk e çajne fare koken qe te organizohen, profilizohen mire, te paraqesin nje program pune te arritshem, nje platforme te qarte kombetare, te punojne me zgjedhesit dhe t’I bindin ata se perse duhet ta gezojne voten, besimin e tyre. Udheheqesit e tyre mendojne se qeveria nderrohet ne rruge dhe jo ne kutite e votimit. Revolucionet Demokratike, Bolshevike e te Vonuara Demokratike i kane dalur per hunde popullit tone. “Shqiptaret do t’i fitojne te gjitha lufterat sapo te kene perfunduar betejen e fundit ndermjet tyre” –  ka thene Mit’hat Frasheri. Per fat te keq, shqiptaret ende jane duke u kacafytur, duke luftuar me njeri – tjetrin.

Ne nje shtet demokratik, siç eshte deri diku sot Shqiperia, betejat le te zhvillohen ne Kuvendin e Shqiperise dhe jo ne rruge. Partite politike t’i paraqesin planet e tyre dhe te angazhohen per zgjidhjen e problemeve te Shqiperise, dhe jo vetem te gjuhen me njeri – tjetrin duke u munduar t’ia zene vendin, karriken njeri – tjetrit. Dukurite negative qe po manifestohen ne jeten shoqerore –  politike, sjellja e papergjegjshme dhe joserioze e udheheqesve shqiptare, zyrtare te korruptuare, ministra te lidhur me krimin e organizuar, mosfunksionimi i ligjit, mungesa e rendit, nuk paraqsin pamjen e nje shteti te qendrueshem. Kur jam duke i shkruar keto radhe po me vjen ndermend edhe nje thenie tjeter e Mit’hat Frasherit per shqiptaret, e thene para shpalljes se pavaresise se Shqiperise, por qe vlen edhe sot: “Shqiptari, duke mos qene i mesuar me jete politike, dua te them, duke mos patur gjer me sot shtet, qeveri dhe independence, s’ka kuptuar dot akoma barren, detyrat dhe pergjegjesite qe rrjedhin nga nje jete indipendente”. Ka 106 vite qe Shqiperia eshte çliruar, eshte shtet iI pavarur. Tani te clirohemi edhe nga vetja jone, nga smira, xhelozia, joshjet, lakmite dhe interesat e ngushta vetjake. Shqiperine mund ta ndertojme vetem ne. Te ndertojme nje Shqiperi te vizionit, endrrave te Rilindesve tane mendjendritur. Ne Vitin E Skenderbeut, ne !40 Vjetorin e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit, te ndjekim nje qasje tjeter, nje qasje kombetare:Te angazhohemi e te perpiqemi me mish e me shpirt qe te ndertojme nje shtet modern demokratik, me institucione demokratike funkcionale e te inkuadruar ne familjen e madhe te vendeve demokratike, ku gjithmone ne qender te vemendjes eshte mireqenja e qytetarit. Po, te ndertojme nje shtet ku qytetaret jane te lire te protestojne te qete, me dinjitet e qytetari. Pune te mbare!

Philadelphia, 27 maj,2018

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Protestat shqiptare, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 464
  • 465
  • 466
  • 467
  • 468
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT