• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NA ISHTE DIKUR LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT

May 17, 2018 by dgreca

1 Frank shkreli (2)

Nga Frank Shkreli/

Viti 2018 është shpallur zyrtarisht, si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova, si “Viti i Gjergj Kastriotit-Skendërbeu”, me rastin e 550-vjetorit të vdekjes. Por ky vit shënon gjithashtu edhe 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.  Po kalon pothuaj gjysma e vitit dedikuar Heroit Kombëtar dhe vihet re se shumë pak ose pothuaj aspak aktivitete të jenë shënuar deri tani për këtë përvjetor, në trojet shqiptare.  Mund të jem gabim, por më duket se për 140-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, hiç e hiç, të pakën deri tani as nuk është përmendur fare.

lidhja-e-prizrenitLidhja e Prizrenit 2Në vend të kujtimit të këtyre dy përvjetorëve, me shumë rëndësi për historinë, për identitetin, për bashkimin dhe terësinë gjeografike të Kombit Shqiptar – diskursin në politikë dhe në median shqiptare, në të dy anët e kufirit, pikërisht këtë vit – po e dominon sot debati mbi influencën ruse dhe turke dhe mbi ndarjen e influencave të tyre në trojet shqiptare kryesisht,  ashtu siç kishte ndodhur pas marrveshjes së Shen Stefanit midis Rusisë dhe Turqisë së atëhershme, për ndarjen e trojeve shqiptare midis tyre dhe fqinjëve të shqiptarëve.  Si nuk mësojmë kurrë nga historia.  Historia po përsëritet dhe autoritetet shqiptare, ndryshe nga koha e Lidhjes së Prizrenit, po rrinë indifirent, duarkryq, ose më keq, siç thonë disa, po bëhen pjesëmarrrës të kësaj loje të flliqtë të këtyre fuqive të huaja.  O tempora o mores, do të thonte Ciceroni.

Por, duan e nuk duan sllavët e turqit, na ishte dikurë (140-vjetë më parë) Lidhja historike Shqiptare e Prizrenit e cila meriton të kujtohet, sidomos në këtë kohë të turbulltë nepër të cilën po kalojnë shqiptarët.  Ngjashëm deri diku me situatën e sotëme ndërkohë që jemi dëshmitarë të lojrave të të huajve me fatin e shqiptarëve,  autoritetet shqiptare të Lidhjes së Prizrenit 140-vjet më parë, pas vendimeve të padrejta në kurriz të shqiptarëve të Kongresit të Berlinit, u mblodhën të vendosur dhe të bashkuar, për të luftuar në mbrojtje të interesave tokësore dhe të interesave të kombit në përgjithësi. Për tu përballur me sfidat e asaj periudhe, aty morën pjesë përfaqsues nga të gjitha trojet shqiptare pa dallim — për herë të parë ç’prej kohës së Gjergj Kastriotit -Skenderbe — për të biseduar mbi fatet e Kombit.  Po e kujtojmë këtë ngjarje të madhe historike për Kombin Shqiptar – me përvujtëri, modesti dhe me respektin më të madh për burrat e Kombit të Lidhjes së Prizrenit — me ndihmën e Poetit të Kombit, At Gjergj Fishtës, i cili i ka dedikuar Lidhjes së Prizrenit, “Kangën e Nandët” të veprës së tij madhështore, Lahuta e Malcisë.

Në këtë poemë, Fishta fton Zanën që së bashku me ‘të, të këndojë në “Lahutë” ngjarjen historike të shqiptarëve, që është Lidhja e Prizrenit.  Ai e fillon vjershën me thirrjen e Ali Pashë Gucisë.  Mbas vendimeve të Kongresit të Berlinit, Ali Pashë Gucia qet kushtrimin anë e mbanë  trojeve shqiptare për të mbledhur në Prizren, burrat më në shenjë, “Krenët e Shqyptarisë”, të Gegërisë dhe Toskërisë.  Duke iu përgjigjur kushtrimit të Ali Pashë Gucisë, turren kreshnikët e Kombit në qytetin zëmadh.

M’ato maje të Prizrenit

Ku kanë ndejun rend pas rendit

Me Ali Pashën në krye të vendit…

 

…Ai nuk asht, more lum vasha

Tjetërkush veç se Ali Pasha

Që për të drejta të Shqyptarisë

Vet ia jep zjarmin shtëpisë,

E s’i dhimben nanë as djal:

Për to jetën vet e falë.

Nëqoftse më lejohet të jem pak krahinor e të përmend që Fishta, ndër të tjerë pjesëmarrës në Lidhjen e Prizrenit, në poemën kushtuar Lidhjes së Prizrenit, i dedikon disa rreshta Vat Marashit, Bajraktarit të fisit të Shkrelit:

E njaj tjetri ma përtej

Me ata dy mustakë të mëdhej

Me i prekë m’shoq që ka për bri vedi,

Ai nuk ashtë jo Diomedi

Por ashtë Bajraktari i Shkrelit,

Si njaj pyrgu m’ball të kështjellit,

Që s’ tremb as topi as shpata,

E i thonë emnit Marash Vata…

Natyrisht, se në poemën e tij Fishta përmend disa ndër pjesmarrësit dhe u këndon atyre si grup i dalluar dhe i zgjedhur ndër shqiptarët e asaj kohe e hapësire:

Jo që ka aty burra të tjerë,

Bajraktarë, Krenë e Beglerë

Që për fjalë e për urti

Për trimni, për bujari

Nuk ia lëshojnë vendin kurrkuej

As në Shqipni as ndër të huej…

Në Epopenë Kombëtare të Fishtës, “Ora e bardhë e Shqipënisë”,  i shef krerët e Shqiptarisë, “Trima në za, burra me nderë”, të mbledhur aty në Prizren — nga mrizet e lartësive të malit më të lartë, Lubotenit, ku e Mira ka ndejën e vet dhe gëzohet, thërret Zanën e Sharit –“Në gjuhë të ambël të Shqyptarit, “Thirrë i paska Zanës së Sharit” — dhe e pyet nëse i njihte ata burra të rreshtuar në Kuvendin e Prizrenit.  Zana, disi e habitur para asaj pamjeje madhështore të homeridave të rinjë, kujton se Shqiptarët e mbledhur aty, mund të jenë Akejt e vjetër që dikur kishin “kallur” Trojën e vjetër, ose  ndoshta mund të ishin Dardanët.  Ban buzën në gazë Ora e maleve dhe i shpjegon Zanës motër se ata nuk ishin, “As Akejë, as s’janë dardanë, as vigaj as katallaj”,  por ishin pjesëmarrësit heronjë shqiptarë: Ali Pasha, Marash Vata, Abdyl Frashëri, Prenk Bib Doda, Toptani, Zogolli, Gjetë Gegë Shllaku, Çun Mula, Mar’ Lula, Dod Preçi, Vrioni, Deralla, Shan Deda, Abdullah Dreni…

Ndërsa Abdyl Frashërin, At Gjergj Fishta e portretizon kështu në poemën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit:

A e she” ‘i herë njat burrë zeshkan,
Me kollçikë e me fistan,
Që m’ a ka sýnin si zhgjeta,
Që m’ i bâjn t’ gjith t’u ngjatjeta,
E që folka ashtû pa u zé,
Herë tue mâtë, mandej tue pré:
Që prandej njat fjalë që e flet,
Mbreti as Krajli nuk i a shklet:
Pse edhè e tij bujare
Larg permendë âsht n’ tokë Shqyptare
Për kah pupla e për kah dija,
Pá të cilat s’ rron Shqypnija?
Ai âsht trimi Frashër Begu,
Që gjithkund, ku e qiti shtegu,
I la naâm aj Toskënís,
Faqe t’ bardhë i la Shqypnís.

Fishta përcjellë në poemën e tij mbi Kuvendin e Lidhjes së Prizrenit se ndërsa Ora dhe Zana bisedojnë me njëra tjetrën, Abdyl Frashëri hap Kuvendin dhe flet me një gojtari të shquar, si i përket derës së tij letrare, mbi vjetërsinë e fisit Shqiptar, kulturën e lashtë të tij, trimërinë e qëndresën gjatë shekujve, dashurinë për Atdhe dhe për luftërat e racës shqiptare për të ruajtur pavarësinë. Abdyl Frashëri vazhdon fjalën e tij duke bërë thirrje për daljen zot trojeve shqiptare të sakatuara, për shpëtimin e tokave shqiptare, Hotit, Grudës e Plavë e Gucisë nga Mali i Zi.  Ndërsa Bajraktari i Shalës Mar’ Lula i thotë Kuvendit se për ‘të dhe për Shqiptarët mbarë, si Shkjau, si Turku  janë armiqë të njëjtë.  Në fund, sipas vjershës kushtuar Lidhjes së Prizrenit në Lahutën e Malcis,  Ali Pashë Gucia propozon që nga Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit t’i dërgohej një letër fuqive të mëdha të asaj kohe dhe mbretit – “Të shtatë krajlave dhe Mbretit të Stambollës”, duke venë qartë në dukje se trojet shqiptare nuk janë as të italianëve, as të hinglizvet, as e franzezëvet, as të gjermanëvet e as e sllavëve dhe as otomanëve, këndon Fishta.  Ai ka përfunduar vjershën e tij kushtuar Lidhjes së Prizrenit, se Mbretit të Stambollit — i cili “do t’i falë Shkodër e Malci”, Knjazit të Malit të Zi — t’i thuhet se Shqipëria nuk “ashtë një shportë me fiq”, për t’ua shpëndarë miqve peshqesh.

“Por ashtë toka e t’Parvet tonë,

Asht Atdheu, po, i Skanderbegut…

Prandej s’ka as Krajl as Mbret

Që ket tokë e falë a e shet…

A ka sot burra Shqiptaria, porsi dikur motit, që të mbrojnë interesat kombëtare dhe të mos shesin, as mos të falin tokën dhe interesat kombëtare të shqiptarëve, përfshirë edhe ato ekonomike për interesa afat shkurtëra personale e partiake.  Në këtë udhëkryq të historisë së Shqiptarëve dhe në këta dy përvjetorë të mëdhej për Kombin Shqiptar – 550-Vjetori i Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe 140-Vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit — kah do t’ia mbajnë udhëheqsit e sotëm shqiptarë, kah do e drejtojnë timonin?  Këndej, a po andej?  Drejtë një rruge pa krye që çon në greminë, a po drejtë horizonteve të reja, duke ndjekur, sidomos në këto dy përvjetore kombëtare, shembullin e heroizmave dhe të bashkimit kombëtar të Gjergj Kastriotit-Skenderbe dhe të burrave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit?

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Lidhja e Prizrenit, Na ishte nje here

Urim për muajin e Ramazanit

May 16, 2018 by dgreca

Skender-Brucaj-768x432

*SOT është dita e parë e agjërimit të këtij muaji ku mbizotëron paqja, solidariteti dhe ku dalin në pah vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror/

  • Presidenti Meta uron besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit/
  • *Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Redaksia e Gazetes së saj  “Dielli” urojnë bashkatdhetaret e besimit Musliman:Gëzuar Muajin e Madhërishëm të Ramazanit! Agjerim të lehtë, mbarësi , paqe dhe harmoni!/

Praktikantët e besimit mysliman nisin sot, të mërkurën muajin e agjërimit, privimit me vetëdije nga ushqimi prej agimit deri në perëndim të diellit. Muaji i agjërimit mbyllet në 14 qershor.

Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Skënder Bruçaj ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e këtij muaji, më të rëndësishmit në fenë islame sa i përket dedikimit ndaj besimit dhe sakrificës për Zotin: “Të nderuar besimtarë myslimanë shqiptarë kudo që ndodheni, në Shqipëri, në trevat Shqiptare, si dhe në mbarë botën. Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, por edhe në emrin tim personal, kam kënaqësinë dhe nderin t’ju uroj gëzuar muajin e begatë të Ramazanit! Me datë 16 maj është dita e parë e muajit të madhnueshëm të Ramazanit, është dita e parë e agjërimit të këtij muaji ku mbizotëron paqja, solidariteti dhe ku dalin në pah vlerat që simbolizojnë moralin e lartë shoqëror”, thuhet ndër të tjera në urimin e Bruçajt.

***

Presidenti Meta uron besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit

1 Meta

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka uruar të gjithë besimtarët myslimanë për Muajin e Ramazanit.Përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, Meta ka uruar të gjithë shqiptarët për më shumë solidaritet, dashuri dhe paqe sociale.

“Të dashur besimtarë myslimanë,
Gëzuar Muajin e Bekuar të Ramazanit, muajin e sakrificës dhe të reflektimit! Ky Muaj i madhërishëm, që lartëson shpirtin e kthjellon mendjen, uroj të sjellë më shumë dashuri për njëri-tjetrin, paqe sociale dhe besim. Solidaritet për ata që kanë nevojë për përkujdesje, për të qenë bashkë në ditë të mira e në ditë të vështira, në dhimbje dhe në gëzime. Agjërim të lehtë dhe të shëndetshëm, mbarësi dhe begati në familjet tuaja! Zoti ju ndihmoftë për ta përmbushur më së miri atë! Zoti ju bekoftë ju, familjet tuaja, Shqipërinë dhe mbarë kombin shqiptar!” – ka uruar Presidenti.

PS: Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA dhe Redaksia e Gazetes së saj  “Dielli” urojnë bashkatdhetaret e besimit Musliman:Gëzuar Muajin e Madhërishëm të Ramazanit! Agjerim të lehtë, mbarësi , paqe dhe harmoni!

Filed Under: Politike Tagged With: për muajin e Ramazanit, Urim

Zgjedhjet si zgjedhë apo Zgjedha e zgjedhjeve

May 15, 2018 by dgreca

1 andon Deda 2

Nga Andon Dede, Nju York/

Një përkitje jo fort e këndëshme kjo e dy termave që përmendëm më sipër, në gjuhën tonë, madje do të thosha ndjellakeqe: zgjedhje dhe zgjedhë, kur duhet të ishte e kundërta: që ato të ishin sa më larg apo dhe ta përjashtonin njera tjetrën. Pse e them këtë? Se zgjedhjet e lira dhe të ndershme, janë hapi i parë dhe më i rëndësishmi, pas përmbysjes së diktaturave dhe vendosjes së pluralizmit. Kujtoni vetëm fillimin e viteve ’90, të shekullit të kaluar: Sa u ngazëllyem ne të gjithë për zgjedhjet e para pluraliste?! A ju kujtohet Parlamenti i parë, deputetët e tij, diskutimet që na linin pa gjumë deri pasmesnate? Na dukej një mrekulli e sikur nuk na besohej se i përkiste realitetit tonë, kur kishim parasysh groteskun e zgjedhjeve të Diktaturës, që çoheshim sa më herët, viheshim në radhë dhe hidhnim fletën e votimit në kuti, pa e parë ndofta as emrin e kandidatit…Pyes veten shpesh: si ka mundësi të ishim aq trushpëlarë e pa dinjitet sa të mos reagonim me atë teatër absurd që ia kalonte edhe fantazive të Oruellit?! Por kjo është një çështje tjetër. Kthehemi tek tema që nisëm.

Pse u ndala tek kjo temë apo tek ky problem? Se të ashtuqauajturit “rilindas”, sidomos kreu i tyre, Rama e megafonët e tij të bezdisëshëm, sa herë diskutojnë nëpër portalet e shumta të Televizionit, duan të na mbushin mendjen se populli i votoi përsëri në këtë mandat të dytë nga që pati besim tek ata, edhe pse shumë reforma të tyre kërkuan e kërkojnë një kosto të lartë. A qëndron kjo? Jo vetëm që nuk qëndron por është një gënjeshtër aq e trashë sa mund ta thotë vetëm dikush që i trajton dëgjuesit si dele, edhe më keq se “Enveri ynë”. Këtë e kupton secili që njeh sadopak realitetin e sotëm shqiptar. Nuk e vlen të humbasim kohë për ta argumentuar këtë, se është e qartë si drita e diellit, por megjithtë le të ndalemi sadopak tek “fitorja” e Ramës në qershorin e kaluar.

Jo vetëm Opozita e një pjesë e mirë e analistëve kanë argumentuar bindshëm se ato qenë zgjedhje komplet të blera e të manipuluara, madje me paret e pista të drogës, por këtë e kanë pranuar edhe vëzhguesit ndërkombëtarë, herë me gojën plot e herë me gjysëm zëri, sipas interesave të tyre. Ato, me të drejtë, janë konsideruar si zgjedhjet më të shëmtuara dhe më të papranueshme të pluralizmit, produkt i drogës dhe i krimit të organizuar, të bërë njësh me qeverinë dhe policinë e shtetit.

Por, për një moment, le ta zëmë se nga Rama e ekipi i tij u fituan normalisht. Sa ishte pjesëmarrja në zgjedhje? Më pak se gjysma e atyre që kishin të drejtë votimi. Sa votuan për të ashtuquajturit “rilindas”? Përsëri më pak se gjysma. Pra, Ramën e shpurrën e tij e kanë votuar gjysma e gjysmës së shqiptarëve që i bije më pak se çereku i popullit. Jo vetëm kaq, por sa e sa të tjerë nga ata që i dhanë votën, e bënë këtë për arsyen e thjeshtë se janë punonjës të administratës e nuk donin të rrezikonin vendin e punës. Hë, pra, a mund t’i biesh gjoksit për një fitore si kjo?

Parë nga një këndvështrim tjetër, zgjedhjet e kaluara ishin nga më të pamerituarat dhe për shumë faktorë të tjerë. Më shumë se fitore e “rilindasve”, ato ishin një dështim i turpshëm i opozitarëve, sidomos e kreut të tyre, Bashës. Me kompromiset e tij të papërligjura ai tërhoqi nga pjesëmarrja në zgjedhje qindra mijëra votues. Këtë e pranojnë tashmë jo vetëm kundërshtarët e tij por dhe ata që arritën të futen në Kuvend. E ashtuquajtura “qetësi” apo “zgjedhje të rregullta si asnjëherë tjetër, pa incidente e kundërshtime të dhunshme”, nuk qe gjë tjetër veçse indiferenca e imponuar e votuesve, tregues ky që nuk e nderon as opozitën dhe as ata që siguruan shumicën e pamerituar. Këto broçkolla mund t’i hajë ndonjë që nuk merr vesh nga pluralizmi e demokracia, por, të na e thonë ata që mbahen për specialistë, siç qe rasti me një ish-kryetar të KQZ-së, në një bisedë televizive, kjo është për të vënë duart në kokë, aq larg jemi nga sistemi që ëndërruam kur u ndamë nga diktatura e shkuar. Po të nisemi me kriterët që Rama e megafonët e tij, vlerësojnë zgjedhjet e qershorit, unë po e them me gojën plot se ato të Diktaturës qenë më të mirat e mundëshme se në to nuk kishte jo më dhunë e kundështime por as edhe një shprehje sado të vogël pakënaqësie, qoftë edhe për gjumin e ndërprerë më herët se zakonisht, se po të vonoheshe kishe pasoja.

Zgjedhjet e fundit dëshmuan edhe njëherë se, në vend që nga njera legjislaturë në tjetrën të ecim sado pak përpara, ne po bëjmë hapa mbrapa, paçka se ndërkombëtarët do përsërisnin si zakonisht refrenin e tyre bajat se “ato ishin përgjithësish të rregullta, me ndonjë përjashtim të vogël”. Ato qenë, as më shumë e as më pak, një zgjedhë e re në qafën e popullit tonë të shumëvuajtur që një Zot e di nëse do të marrë ndonjëherë frymë i lirë. Themi kështu se jo vetëm zgjedhjet e fundit por dhe ato para tyre, kanë lënë shumë për të dëshëruar. Lufta për pushtet tek ne ka qënë dhe është tepër e ashpër. Kam parasysh disa reportazhe nga zgjedhjet e mëparshme, si, fjala vjen, atë që publikoi A.Patozi, për “betejën” e Vorës: tek njiheshe me atmosferën që përshkruante ai, sikur të hynte frika dhe ty si lexues, mendo pastaj se si e kanë përjetuar atë situatë votuesit: nga çasti në çast të dukej se mund të kërciste pushka.

Është folur e po flitet aq shumë për këto probleme sa që të duket e kotë të shkruash e të flasësh për to. E keqja zë fill qysh tek Kodi Zgjedhor, vazhdon me propozimet e kandidatëve dhe finalizohet me proçesin e votimit. Duket e pabesueshme, por është realitet: të shkosh e të votosh për një person që ndofta nuk ia ke dëgjuar as emrin. Po nga ç’motive të nisesh që ta votosh atë? Nga fjalimet që mban e premtimet që jep? Ato nuk i ha më njeri. Ndaj them se duhet ndryshuar gjithçka me rrënjë, në të kundërt zgjedha e zgjedhjeve do të vazhdojë t’ua marrë frymën shqiptarëve edhe më tej. Tek ky realitet i hidhur e ka burimin ajo krekosje e Ramës për fitoren e sigurt edhe në zgjedhjet e ardhëshme. Unë e besoj këtë: ai, tani për tani, i ka mbyllur të gjitha shtigjet për zgjedhje të lira e të ndershme dhe ka krijuar tërë mekanizmat e nevojshme për t’i manipuluar apo blerë ato.

Nju York, 14 maj 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Andon Dede, apo Zgjedha e zgjedhjeve, Zgjedhjet si zgjedhë

Vajza me hemodializë

May 13, 2018 by dgreca

1 alma Lico2

Nga Alma LIÇO/

Autobuzi i linjës u ndal në afërsi të spitalit ku duhej të kryeja një kontroll kardiologjik. Si asnjë herë tjetër, atë ditë, trafiku në atë segment rrugor të Tiranës, nuk ishte aspak i rënduar. Trotuari përbri stacionit gumëzhinte nga kalimtarët e shumtë që nxitonin për problemet e tyre. Madje, kishte dhe nga ata që vraponin për të mbërritur dyert e autobuzit para se ato mbylleshin me kërkëllimë. Vështirësisht çava përmes asaj turme, për të arritur në kangjellat hyrëse të godinave spitalore. Në të vërtetë, me kot ndjehesha e paduruar, pasi më ndanin njëzet minuta nga orari i vizitës. Ishte ditë e bukur dhe preferova të ulem në njërin prej stolave të vendosur në lulishtet e gjelbëruara. Një fllad i freskët pranveror më valëzonte e përkëdhelte flokët. Gjithsesi, qëndrimi në ato ambiente dhimbjeje dhe fatkeqësish njerëzore, nuk ishte aspak i këndshëm. Ashtu pa kuptuar, ai më përfshinte në një atmosferë paqartësie të mundimshme. Sirenat acaruese të autoambulancave që shkonin e vinin me shpejtësi, më kujtonin se për shumë të pafat, ekzistenca në mes të aparaturave që pulsonin, shndërrohej në një realitet mjaft të brishtë. Jeta dhe vdekja pas atyre dyerve hermetike ishin kaq pranë, sa që dukej sikur harmonizoheshin në një të vetme. Ajo mpleksje aspak e natyrshme,  ngjasonte me një ndeshje armiqësore që nuk njihte kompromis.

Ndërkohë që po kontrolloja minutat që më ndanin nga takimi me mjekun, një vajzë rreth të njëzetave, u ul në stolin ku po qëndroja. Sytë e akullt, nuk e fshihnin dot dhimbjen dhe pasigurinë që ajo përjetonte. Dukej kaq e vetmuar. Instiktivisht, ktheu disa herë kokën në drejtimin tim. Pastaj sërish përhumbej. Në vështrimin e lodhur lexohej qartasi refuzimi dhe indinjata për botën që e rrethonte. Lëvizjet pa orientim të atyre syve të kaltër, reflektonin një reagim të zemëruar. Ajo vajzë ngjasonte me një sorkadhe vetmitare të zënë në çark, që  ishte dorëzuar tërësisht në kthetrat e luftës së pabarabartë e bllokuese të pamundësisë.

Unë nuk e njihja atë. Nuk dija asgjë për luftën e saj. Nuk njihja përpjekjet, dilemat, dështimet, që dukej të kishin qënë bashkëudhëtare në ato pak vite jete të asaj vajze aq të re. Nuk dija kurrgjë për gjëndjen në të cilën ajo ndodhej..nga se vuante… Fundja, nuk kisha nga ta dija.

Disi e rezervuar, e pyeta si ndjehej dhe nëse mund të bëja diçka për të. Ajo, nuk reagoi aspak, aq sa m’u duk se nuk më kishte dëgjuar. Gjithsesi, nuk e konsiderova të arsyeshme të insistoja. Mbase, nuk dëshironte të përgjigjej. Sërish ngrita mëngën e xhaketës për të kontrolluar orën. Në atë lloj pritjeje, minutat dukeshin pafundësisht të gjata. Sërish, një sirenë shurdhuese me ngacmoi mendimet duke më mbështjellë me një mjegull padurimi.

Atëhere, kur nuk e shpresoja më komunikimin e vajzës,  ajo  u kthye drejt meje. Përmes një psherëtime, me zë të mekur, mezi arriti të thotë:

– Po pres orën e dializës……jam shumë rëndë…… Askush nuk mundet të më ndihmojë……ndoshta dhe pak muaj më kanë mbetur….

Shqiptoi këto fjalë dhe mori frymë thellë. Vura re se ishte vajzë e bukur, por sëmundja kishte lënë gjurmë dramatike në pamjen e saj. Dukej si një gonxhe që po fishkej, ende pa lulëzuar. Supet e kërrusura dhe fytyra e zbehtë në të cilën kishin filluar të vijëzoheshin rrudhat e para, përcillnin një situatë të pashpresë. E tërë qenia e saj dukej të ishte vendosur në honin e një kambane të heshtur, e cila,  ndonëse lëkundej, nuk arrinte të nxirrte tinguj.

Kisha njohur dhe më parë të sëmurë me këtë lloj patologjie, por kurrë një vajzë kaq të re. Pasi u mundova të gëlltisja keqardhjen e ta trajtoja qetësisht gjëndjen e saj, e inkurajova të më konfidonte më tej.

Vallë, i kishin dhënë  shpresë se mund të trajtohej suksesshëm me anën e një trapianti?  Ishte në kërkim të ndonjë donatori…..familjari  mbase….???.

Ajo u vrejt dhe heshti. Fytyra e saj mori një pamje të përvajshme. Ndoshta, pa dashje e kisha prekur aty ku nuk duhej, aty ku lëndohej më shumë. Shtanga për një moment. Teksa,  gati gati po pendohesha për pyetjet e mia,  ajo u drejtua sërish nga unë.

  • Nuk kam para……kushton shumë trapianti…..pastaj jam vetëm, krejtësisht  vetëm.

Tha këto fjalë dhe ngriti sytë në boshllëk. Ndjeva një lloj hezitimi të ndërhyja më tej, ndërkohë që mundohesha të kontrolloja keqardhjen që mund të rezultonte lënduese, pse jo edhe fyese për atë të gjorë. Me sa dukej, edhe ajo nuk priste asgjë nga unë. Pas disa çastesh zhytjeje në kotësi, vështrimi i saj u përqëndrua tek dy trumcakë që tundnin krahët e vegjël, për t’u ndalur më pas në degët e një plepi aty pranë. Cicërima e tyre mbytej nga zhurmat e shumëllojshme rreth e rrotull. Sërish heshtje. Ndërsa më ndanin edhe pak minuta nga orari i vizitës, dëshiroja me gjithë shpirt t’i shqiptoja asaj vajze disa fjalë inkurajuese. Por nuk po arrija të artikuloja asnjë rrokje. Ato, frazat e magjishme “çudibërëse” që më vinin ndërmend, më dukeshin tërësisht të pakuptimta për situatën e saj pothuajse të pashpresë.

Kur nuk prisja më të vazhdonte rrëfimin e saj të dhimbshëm, me gjysëm zëri vijoi:

– Jam rritur në jetimore. Nëna ime nuk kishte para të më mbante, as në punë nuk ishte. Im atë e kishte braktisur atë para se të lindja unë…. Ajo vinte herë pas here të më takonte.….U largua nga kjo botë kur unë isha vetëm pesë vjeç….Shumë pak e mbaj mend….Ndoshta kujtoj vetëm sytë e saj me lot teksa më kthente krahët…..vërtet…ato nuk do mundem t’i harroj kurrë…….Nuk njoh asnjë tjetër nga familja. Asnjë të afërm, gjysh apo gjyshe. Kupton??? Jam  vetëm. Fati im është i parashkruar…… Mbase do bashkohem me nënën time. Kurrë nuk e kam gjykuar atë. Sikurse unë, ajo ishte veçse një fatkeqe. Kam nevojë të kem dikë pranë…..nuk ka më rëndësi se në cilën botë…..

Shqiptoi këto fjalë dhe sërish ktheu kokën në krahun tjetër. Më ishte mbledhur një lëmsh në grykë. Teksa po përpiqesha të mblidhja copëzat e rrëfimit të saj të përvajshëm e  tragjik , ajo u ngrit nga stoli, tundi lehtas njërën dorë në formë përshëndetjeje. Sytë e saj të drobitur përcillnin mesazhet e një lamtumire të ndrojtur, të ndërthurur padukshëm me një dashuri të fshehur. Ndoshta ishte dashuria  për jetën që përpiqej të triumfonte mbi sëmundjen e saj. Ashtu, instiktivisht dhe pakuptuar. E si të mos e donte atë? …..Ishte veçse njëzet vjeç.

Mesa duket kishte afruar ora e dializës. Disa sekonda më pas, ajo humbi në një zvarritje mes njerësve që nxitonin drejt ambulatorëve spitalorë. U zhduk, e vetme në dhimbjen e saj.

E tronditur nga gjendja e dëshpëruar e asaj vajze, mezi u kujtova  që më duhej të nxitoja për të arritur orarin e vizitës kardiologjike. Shpejtova hapat. Vonesa e ashensorit më detyroi t’i ngjisja pothuajse me vrap shkallët deri në katin e tretë, ndërkohë që isha përfshirë e tëra nga situata dramatike e asaj vajze të gjorë, të braktisur në fatkeqësinë e saj.

E ngecur në spiralen e indiferencës dhe pandjeshmërisë së një shteti mizor e një shoqërie si kjo e jona, mezi arrita të dëgjoja të më shqiptohej emri nga një zonjushë me uniformë infermiereje. Pas asaj që kisha përjetuar pak çaste më parë, ajo vizitë rutinë nuk më ngjallte asnjë emocion. Nuk më shqitej nga mendja fytyra e mjeruar e asaj vajze jetime që nuk kishte të holla të operohej. Jeta e saj po shuhej tragjikisht. Në mënyrë cinike, pamja e saj ndërthurej me imazhin e dhjetra vajzave të llastuara, të zhytura në kotësinë milionere të botës sipërfaqësore të silikoneve e ndërhyrjeve estetike. Për fat të keq, ky është realiteti i hidhur i epokës që po jetojmë.

Filed Under: Politike Tagged With: Alma LIÇO, Vajza me hemodializë

Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

May 11, 2018 by dgreca

Nga Sami Repishti, Ph.D./*

Graduate Center,  C.U.N.Y- 6 maj 2018/ E ndiej vehten të privilegjuem me përshëndetë këte Tubim për lavdinë e Herojt tonë kombëtar Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, me rastin e ditëlindjes. Më lejoni të kujtoj nji shkrim, afër dy shekuj ma parë, nga Princesha shqiptare Elena Gjika, e njohun si Dora D’Istria, me banim në Rumani:

  “ Mund të dukej se shqiptarët të vendosun prej nji kohe shumë të gjatë në bregun tjetër të Adriatikut (ashtë fjala për Arbëreshët tonë në Itali) nuk do të kishin ruajtur veçse një kujtim të vagëlluar për bëmat e Herojt të Krujës. Po s’është kështu, dhe fjalët që thuhen mbi mosmirënjohjen e popujve nuk mund t’u zbatohen këtyre shqiptarëve. Në qoftë se pushtuesët e huaj nuk lejojnë të ngrihet një monument Kastriotit të Madh në vendin e tij të lindjes…. emrin e Herojt vazhdojnë ta bekojnë dhe kujtimin e tij do ta lavdërojnë për sa kohë të rrahë edhe një zemër shqiptare në të dy gadishujt” (e Ballkanit dhe Italik)(1)

  Në këte pozitë dhe në këte moment historik jemi na sot në Shtetet e Bashkueme të Amerikës, dhe emnin e tij do ta bekojmë dhe  do ta lavdërojmë deri sa te rrahë edhe nji zemër e vetme shqiptare në këte vend.

   Qoftë bekue emni i Gjergj Kastriotit, Skenderbeu, për jetë të jetëve!

   Sot, tekstet e historisë sonë kombëtare na përforcojnë se “kujtimi i Skenderbeut jetoi jo vetëm në zemrën e popullit që e lindi. Ai pati nji shtrirje që kalonte kufijtë e Gadishullit të Ballkanit, kishte nji rendësi europiane. Skenderbeu i bëri të gjitha kohërat të flisnin për te”.(2)

   Homeri, poeti i Greqisë antike, e përcaktoi fjalën “hero” nji njeri që ka nji forcë të mbinatyrëshme, guxim të jashtëzakonshëm, dhe nji aftësi që favorizohet nga perenditë; dhe ky epitet e ban atë të përjetëshëm. Në këte sallë që mban emnin e shenjtores “Nana Tereza” na bekojmë dhe lavdërojmë sot emnin e Skenderbeut, siç ban nji komb i qytetnuem, të krishtenë e myslimanë, pa dallim. Sot, Shqipëria ashtë i vetmi vend në botë me popullsinë në shumicë myslimane që respekton nji hero kombëtar të krishtenë. (Prof. Stavro Skendi). Kështu vepron nji komb i qytetnuem!

   Por “heroj” duhet të jap nji kuptim emnit tij, duhet të luftojë për nji kauzë ose nji ide. “Ka shumë pak vend për herojt e luftave që kërkojnë pushtet, që ndryshojnë kufijtë, etj …” (3)  Heroj Skenderbeu luftoi të huejin e paftuem, dhe mbrojti lirinë e jetën e nji popullsie që dëshironte nji jetë në paqë. Luftëtari i madh ishte mik i paqës. Dhe për këte ai admirohet dhe adhurohet nga të gjithë shqiptarët pa dallim!. Kështu tregon historia!

    Pyetja themelore: “ç’ashtë historia”? duhet të shoqënohet me pyetje konsekutive: ashtë nji kronikë, nji “tregim interpretues”, përshkrim ngjarjesh të thjeshta apo evenimente që kërkojnë analiza politike, studimin e orientimeve ekonomike, traditave kulturore, ideologjive konfliktuoze dhe ndryshimeve të institucioneve të vendit. Kështu duhet qasë edhe studimi i epokës kastriotiane. Kjo ashtë edhe përshtypja e ime sa herë që lexoj shkrime në shtypin e botime shqiptare, kur ashtë fjala per ri-interpretim të ngjarjeve historike të së kaluemes sonë, akoma të pazbulueme. Vendi i jonë ka nevojë për “dritë”, me ndriçue sa ma shumë të jetë e mundun botën e errësinës që e ka mbulue shekuj me rradhë.

   “Nga kaosi, drita krijon nji botë!” (Thomas Carlyle) Ka mjaft kaos në fushën e historiografëve shqiptarë sot në vendin tonë. Dhe kjo për arsye të “vlerave” të historianëve tonë: perspektivat e tyne të ndryshme për arsye të ndryshimeve, mosha sidomos për ata që kënduen bashkë me Neronin shqiptar kur Shqipëria digjej flakë, dhe vrulli rinor për ata që vuejtën, u lindën dhe u rritën në vuejtje dhe dëshmuen përfundimin tragjik të prindëve në atë Shqipëri të mjerë që, unë pa dëshirë, e quej “republika e vuejtjes”.

   Klasa shoqënore që ndau vendin tonë në dy kategori me zjarrin përvlues të “luftës së klasave”, shprehja ma barbare e sistemit ma anti-njerëzor të shekullit njizet: -“diktatura e proletaratit”, dhe efektet e së cilës, e konceptet ideologjike të saj ndiehen akoma sot në vendin tonë të indoktrinuem pa sherim:

– botëkuptimi personal i “historianëve” që përqafojnë orientimin pro-perendimor si nji paevitueshmëni historike për Shqipërinë, dhe të tjerëve që shohin në këte orientim vazhdimin e përherëshëm të diktaturës së kuqe.

– logjika e “historianit”, përzgjedhjet, përjashtimet, sistemimi, tregon prirjen e gjykimit të tij me paraqitë si “të vertetë” atë që i pëlqen.

***

Pak kohë ma parë, unë shkruejshe sa vijon:“…Mbas vdekjes së Skenderbeut, Traktati i vitit 1479 në mes të Venedikut dhe Turqisë njohu pushtimin e Shqipërisë. Dritarja e “Botës së Perendimit’ u mbyll për Shqipërinë pikërisht në nji kohë kur fryma jetëdhanëse e Renesances dhe idetë fisnike të Humanizmit po krijojshin nji Europë të re me nji etje gargantueske për njohuni të  reja, për hapësina dhe nji botë të re, me nji zhvillim të lirë, të pakufizuem të shpirtit kërkues, e thellësisht njerëzor. Pavarësisht nga faktori fetar – që mbetet gjithmonë nji çeshtje krejtësisht intime për çdo ndërgjegje personale- okupacioni otoman ka nxjerrë Shqipërinë nga historia e kontinentit europian, dhe e ka denue atë të jetë nji krahinë e harrueme mbrenda nji perandorie të mbyllun, me kulturë të kundërt nga ajo e Europës, që po rilindte në Perendim…”

  Ajo që deshta me thanë ashtë se epoka e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastritoti-Skenderbeu, bashkë me lavdinë e rezistencës heroike kundër agresionit otoman ka përmbajtë në vehte edhe nji dëshirë, nxitje e mbrendshme, e papërmbajtun, logjike ose instinktive, me u orientue plotësisht, qoftë edhe me sakrificën e jetës, kah bota perendimore – natyrisht, në atë kohë Krishtenimi Perendimor, me epiqendër Vatikanin. Ky orientim i ndjemë thellësisht nga luftarët shqiptarë, që nga Skenderbeu deri tek ushtari i thjeshtë që e ndoqi udhëheqsin për 25 vjet me rradhë, parashikonte triumfin e luftës së ndërmarrun si nji kryqëzatë që luftonte jo vetëm për mbrojtjen e Shqipërisë, por edhe kundër “besimit të ri”, kundër orientimit kah shoqënia otomane, rivale e Perendimit.

    Shqipëria nuk ka njohë atë kohë entuziasmin e Renaissance-s dhe frymën e Humanizmit që transformuen Europën Mesjetare. Por Shqipëria, përmes përvojës tragjike që solli invazioni otoman, mori nji qendrim kambëngulës kundër tij, dhe interpretoi ardhjen e Perendimorëve në vendin tonë si nji dorë shpëtimtare. Krishtënimi Perendimor ka qenë, në ato kohëna, zemra e muskujt e Europës, me pozitën superiore të Papës së Romës. Në Shqipëri krishtënimi perendimor ka qenë nji agjent historik thelbësor, sidomos mbas ardhjes së Anzhuinëve në vendin tonë, në vitin 1272. Ashtë shumë e vështirë, ndoshta e pamundun, me përfundue se nji ndermarrje e këtill epike, si ajo e herojt tonë kombëtar, Skenderbeu, mund të fillonte e të mbahej nga nji udhëheqës jo-katolik.

  Ashtë nji detyrë e historianit të sotëm në Shqipëri, që për arsye objektiviteti duhet të përqendrohet në shkrimin e “monografive”, tue lanë punën e hartimit të historisë sonë për ditë ma të vona, dhe nga grupe ekspertësh të çdo epoke, të shliruem nga “elementët infektues”. Shpresa e jonë mbetet në sallat e Instituteteve të Historisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Tetovës, dhe qendrave të jashtëme të studimeve shqiptare, si dhe degëve të tyne sekondare, të dedikuemë në profesionin e nderuem të historisë.

***

Shenime:

1)Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë. Historia e Popullit Shqiptar, v. I (Botimet Toena: Tiranë, 2000) f. 492

2) REVISTA SATURDAY REVIEW,  New York, datë: 13.IX.1862

3) Trollope – Cleaverings XXIII – 1866. Quoted by The Oxford English Dictionary, 1989,   2nd Edition, v. VII, f. 171

4) “Parathanje”. Ardian Ndreca. Kur Skenderbeu nuk ashtë “Historia e Skenderbeut”(Onufri:Tiranë, 2009)  

  • Pershendetja qe Prof. Sami Repishti dergoi me 6 maj 2018 ne Akademine perkujtimore me rastin e 613 vetorit te Lindjes se Heroit Kombetar Gjergj Kastrioti Skenderbeu. Pershendetja u lexua nga Tonin Mirakaj.

 

Filed Under: Politike Tagged With: 613 Vjetori, Lindja e Skenderbeut, pershendetje, Sami repishti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 481
  • 482
  • 483
  • 484
  • 485
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT