• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosovë-Qeveria mbledhje solemne në 10 vjetorin e pavarësisë

February 17, 2018 by dgreca

-Kryeministri Ramush Haradinaj: Kosova në këtë dhjetëvjetor ka të arritura të mëdha, por edhe shumë sfida, për të cilat besoj se në një unitet politik e institucional do t’i kapërcejmë/

1 qeveria mbledhje solemne

 -Në vijim të mbledhjes kryeministri prezantoi para kabinetit qeveritar aneks marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës, e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar për t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/PRISHTINË, 17 Shkurt  2018/ Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Ramush Haradinaj zhvilloi sot mbledhje solemne për shënimin 10 vjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku fillimisht nderoi të rënët për liri e pavarësi edhe me një minutë heshtje.

 “Përulemi me respekt para sakrificës së rënëve për liri e pavarësi të Kosovës”, u shpreh kreu i qeverisë.Kryeministri u uroi 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës të gjithë qytetarëve të vendit dhe shqiptarëve kudo që janë.“Kosova, në shënimin e dekadës së parë të pavarësisë është sot një shtet, shtëpi për qytetarët e saj e ngritur me flijimin e shumë brezave, një shtet që ndërton paqe në një shoqëri të të gjithëve, që ec në liri me miqtë e vet të shtrenjtë, në miqësi të përhershme me SHBA-në dhe e rreshtuar me Perëndimin, por e hapur për të gjithë ato kombe që e njohin dhe e respektojnë”, u shpreh kryeministri Haradinaj.

Ne, vijoi kru i qeverisë së Kosovës,  po ndërtojmë një shtet model, ku secili qytetar, grup etnik ose fetar, gra dhe burra, me diversitet etnik, kulturor e gjuhësor si dhe në pluralizëm politik dhe ideor, e projektojnë vullnetin e tyre për të jetuar së bashku në një shtet, pra me unitet shtetëror dhe kohezion shoqëror, duke krijuar vepra të mëdha që na mbajnë bashkë në shtet.

“Dhjetë vjet pavarësi të Kosovës dhe 19 vjet liri, do të thotë mbyllje e konfliktit të tmerrshëm që rrënoi shumë jetë njerëzish dhe nisje e një jete të re”, u shpreh ai.

Kryeministri Haradinaj theksoi se, Kosova e pavarur do të thotë një shtet më shumë në hartën gjeopolitike të globit, një shtet pretendent për t’u anëtarësuar në OKB, NATO dhe BE si dhe në të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare që i shërbejnë paqes dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve e kombeve.

“Kosova në këtë dhjetëvjetor ka të arritura të mëdha, por edhe shumë sfida, për të cilat besoj se në një unitet politik e institucional do t’i kapërcejmë”, tha ai.

Kosova, vijoi kryeministri, është një vend i vogël por Republikë zemërgjerë, që respekton dhe nderon aleatët, që i kanë qëndruar afër në kohë të vështira dhe që i qëndrojnë afër edhe tash në festë.

“Andaj jemi të nderuar me të gjithë që sot festojnë bashkë me ne në Kosovë”, tha ai.

Në vijim Haradinaj vlerësoi se, shteti i Kosovës e ka përmbushur kërkesën e njerëzve të vet për liri dhe po e përmbush përcaktimin për një jetë të përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa dallim të të gjithë atyre që Kosovën e shohin si shtëpi të tyre.

“Jemi të vetëdijshëm se ende nuk janë përmbushur në tërësi pritjet e qytetarëve për një shtet modern, por jemi në një rrugë të pakthyeshme, që bashkërisht me partnerët tanë, të mbërrijmë aty! Të ndjekim të drejtën për lumturi! Kosova e këtyre idealeve do të bëhet, sepse atdhedashuria dhe besnikëria e qytetarëve tanë për shtetin është e lartë”, u shpreh më tej kryeministri.

Kosova, vijoi ai, sot po promovon vlerat demokratike, të një shteti të barabartë për të gjithë, ku liritë dhe të drejtat e njeriut si dhe barazia përpara ligjit janë themelet e palëkundura të tij.

“Kosova në dekadën e dytë të jetës së saj do ta arrijë stadin zhvillimor, që do thotë një vend pune për secilin që dëshiron një punë dhe një perspektivë e dinjitet për secilin.

T’ia besojmë lirinë ligjit!
T’i japim dashuri e besnikëri atdheut tonë Republikës së Kosovës!
Zoti e bekoftë Kosovën dhe qytetarët e saj!
Zoti i bekoftë shqiptarët kudo që janë!
Zoti i bekoftë miqtë e Kosovës!
Me fat dhjetëvjetori i Kosovës-shtet”, përfundoi  fjalënHaradinaj në mbledhjen solemne të qeverisë.

Në vijim të mbledhjes kryeministri Haradinaj prezantoi para kabinetit qeveritar aneks marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, për rishikimin dhe korrektimin e drejtimit të Çakorrit dhe Kullës, e cila mori aprovimin e kabinetit qeveritar për t’ia përcjellë Kuvendit të Kosovës për miratim.

Kryeministri Haradinaj tha se kjo është një e arritur e institucioneve të Kosovës, në këtë rast e të gjithëve që ishin përfshirë në këtë temë. “Mendoj se me këtë deklaratë të përbashkët të presidentëve, si aneks i marrëveshjes së mëhershme janë krijuar rrethanat dhe mundësitë që e drejta e Kosovës në territor të respektohet në tërësi dhe bazuar në këtë po ashtu janë krijuar rrethanat që Parlamenti i Kosovës të jetë unik dhe të votoj marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi”, tha kryeministri Haradinaj, duke theksuar se kjo marrëveshje si e tillë ka po ashtu një element shumë të rëndësishëm që është vullneti politik i institucioneve të Kosovës por edhe atyre të Malit të Zi që vërtet rishikimi dhe korrektimi të jetë substancial dhe të respektohen të drejtat e bazuara në të gjeturat e trupave punuese, në këtë rast të Komisionit të Ri shtetëror të Kosovës dhe njëkohësisht krijimi i trupës së përbashkët Kosovë-Mali i Zi.

Kryeministri Haradinaj përgëzoi Kosovën për këtë marrëveshje të arritur, duke theksuar se institucionet po e tregojnë zotësinë që të gjitha temat e vështira në tavolinë t’i zgjidhin duke e respektuar të drejtën e popullit të Kosovës.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Mbledhje solemne, qeveria

Kosovë-Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi drejt ratifikimit

February 16, 2018 by dgreca

-Nënshkruhet deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç/

Thaci-Vujanovc

-Presidenti Thaçi: Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi/

  • Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 16 SHKURT 2018/ Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi shkon drejt ratifikimit edhe në Kuvendin e Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për shtypi ka njoftuar se bashkërisht dhe në të njëjtën kohë me presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanoviç, kanë dalë me një Deklaratë për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Në deklaratë dy presidentët u kanë bërë thirrje deputetëve që ta votojnë marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet dy vendeve në verën e vitit 2015.Presidenti Thaçi pas konferencës për shtyp shkruan: “Sapo prezantova deklaratën e përbashkët, që kam nënshkruar me Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic.

E falënderoj Presidentin e Malit të Zi, Filip Vujanovic, për mirëkuptimin që ka treguar për marrëveshjen e shënimit të vijës kufitare ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.Falë vullnetit të mirë të palës malazeze dhe përkushtimit të lidershipit të Kosovës, ne kemi nënshkruar deklaratën e përbashkët, e cila adreson të gjitha shqetësimet e partive politike dhe të opinionit publik lidhur me shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Siç është specifikuar në këtë deklaratë, jemi pajtuar për të adresuar dhe korrigjuar gabimet eventuale të përcaktuara në deklaratën e përbashkët për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Tani ka hapësirë të mjaftueshme për të proceduar me ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi, duke i hapur rrugë kështu liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Liberalizmi i vizave është dhurata më e mirë që mund të ndodh në këtë dhjetëvjetor të pavarësisë. Prandaj, jam i sigurt se partitë politike parlamentare do të kenë vullnet politik që pa humbur kohë ta ratifikojnë marrëveshjen. Urime”, shkruan Thaçi.

Deklarata e përbashkët e presidentëve njoftohet ndërkohë që gjatë dy ditëve të kaluara në Kosovë qëndroi kryeministri i Malit të Zi,  Dushko Markoviç.

Kryeministri kosovar Ramush Haradinaj tha se deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviç, në formën e aneks-marrëveshjes si instrument ligjor obligativ ndërkombëtar, i jep epilog një paqartësie dhe ndarjeje të gjatë në shoqërinë tonë.

“Me këtë po përfundojmë obligimin e fundit për liberalizim të vizave dhe po hapim një kapitull të ri në lirinë e lëvizjes për qytetarët tone”, theksoi ai.

Ndërkohë që Marrveshja për demarkacionin pritet të jetë në axhendë të një seance të Kuvendit, disa nga partitë parlamentare kanë ftuar sot konferenca për shtyp.

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mban konferencë për media me rastin e arritjes së marrëveshjes për demarkacionin”, thekson njoftimi dërguar nga partia që edhe në opozitë e edhe në pushtet kundërshtonte marrëveshjen për shënimin e kufirit ashtu si ishte.

Në 26 gusht 2015 në Vjenë është nënshkruar Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi. Marrëveshjen e kanë nënshkruar për palën kosovare atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

 Në 4 gusht 2016 qeveria e  Kosovës, e udhëhequr atëherë nga kryeministri Mustafa, në mbledhjen e 103-të, njëzëri miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjespër Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

 Në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi.

 “Si kryeministër i Kosovës konsideroj se sot nuk janë rrethanat dhe nuk është situatë ku duhet të votojmë ligjin për ratifikimin e marrëveshjes me Malin e Zi. Qeveria e tërheq sot këtë projektligj nga procedura kuvendore. Me bashkëbisedim do të provojmë të gjejmë një marrëveshje në lidhje me ligjin. Nuk është mënyra e duhur që të procedojmë me këtë ligj kur kemi presione mbi deputetët. Tërheqja e këtij ligji nuk do të thotë se do të ndryshojmë marrëveshjen, mirëpo do ta procedojmë në Kuvend kur qeveria e vlerëson se është gati”, tha kreu i atëhershëm i qeverisë, Mustafa.

 Më pas, qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Ramush Haradinaj i ka propozuar qeverisë shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqi, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion.

 Në 22 shtator, qeveria e Kosovës, në mbledhjen e katërt, mori vendim për emërimin e anëtarëve të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. “Komisioni do të kryejë detyrat në pajtim me Ligjin për Kontrollin dhe Mbikëqyrjen e Kufirit Shtetëror dhe Rregulloren e Qeverisë së Republikës së Kosovës për Punën e Komisionit Shtetëror për Shënjimindhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror. Vendimi obligon të gjitha institucionet kompetente që ta ndihmojnë Komisionin në kryerjen e detyrave të tij”, u theksua në mbledhje.

Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi në Komisionin për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike rinisi të shqyrtohet në 26 dhjetor  2017  në një mbledhje  ku përfaqësues të Komisionit shtetëror për kufirin prezantuan raportin e  prezantuar më parë para qeverisë në 4 dhjetor 2017.

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike u mblodh edhe pse më parë ishte njofuar se  Kuvendi i Kosovës ishte në pushim dimëror.

“Konform përfundimit të Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, miratimi në shqyrtim të dytë i Projektligjit për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2018 ka shënuar edhe përfundimin e sesionit vjeshtor të punimeve të Kuvendit.
Nga data 23 dhjetor 2017 deri në 15 janar 2018, Kuvendi është në pushim dimëror”, theksohej në njofimin zyrtar në 25 dhjetor.Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për  Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi/ Raporti i Vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për  Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit  Shtetëror Kosovë-Mali i Zi (2012-2015) ishte pikë e parë e axhendës  në mbledhjen e qeverisë së Kosovës në 4 dhjetor 2017.

Qeveria miratoi Raportin e vlerësimit të punës së ish-Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Kosovë-Mali i Zi (2012-2015). “Raporti ka vlerësuar dokumentacionin dhe të gjeturat nga puna e komisionit të kaluar dhe ka vlerësuar shumë mangësi dhe lëshime faktografike dhe shkencore”, u theksua në mbledhje.

 Qeveria vendosi që Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe Raportin vlerësues të Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit t’i procedojë së bashku në Kuvendin e Kosovës.

Në mbledhjen e qeverisë mori  pjesë edhe Komisioni Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, kryesuesi i të cilit, Shpejtim Bulliqi, tha se kufiri mes Kosovës e Malit të Zi sipas marrëveshjes së nënshkruar nuk është plotësisht në përputhme me vijën kufitare të Kosovës në kohën e autonomisë së vitit 1974, kur ishte element konstituiv me të drejtë vetoje i federatës së atëherëshme.

Qeveria e Kosovës, e zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, e votuar në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit në 9 shtator, nisi punën në 11 shtator duke mbajtur në mbrëmje mbledhjen e parë, ku u bë konstituimi dhe u shqyrtua programi qeverisës, pasi gjatë ditës fillimisht u bë pranim-dorëzimi i detyrave në Kryeministri dhe nëpër ministri.

DEKLARATA E PRESIDENTËVE THAÇI DHE VUJANOVIÇ:

 Deklaratë e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç

1- Duke filluar nga përkushtimi për të ndërtuar dhe promovuar marrëdhënie të mira miqësore dhe fqinjësore.
2 – Duke konfirmuar përkushtimin e përbashkët për të kontribuar në marrëdhëniet e mira fqinjësore , sigurinë dhe stabilitetin në rajon e më gjerë
3- Të udhëhequr nga dëshira që në mirëbesim të përmbushen obligimet që rrjedhin nga Karta e Kombeve të Bashkuara , në veçanti duke pasur parasysh respektimin e parimeve të sovranitetit, integritetit territorial, pavarësinë dhe zgjidhjeve të mosmarrëveshjeve me mjete paqësore pa kërcënime ose përdorim të forcës, në përputhje me Strategjinë e Komisionit Europian për Ballkanin Perëndimor;
4- Republika e Kosovës dhe Malit të Zi kanë nënshkruar në Vienë më 26 gusht 2015 Marrëveshjen e Kufirit Shtetëror (tani e tutje duke ju referuar si “Marrëveshja”);
5 – Duke konfirmuar së në nenin 12 të Marrëveshjes ceket shprehimisht se Marrëveshja i nënshtrohet ratifikimit dhe hynb në fuqi ditën e pranimit të njoftimit të fundit dërguar nëpërmjet kanaleve diplomatike, me të cilën Palët njoftojnë njëra tjetrën që kanë pëmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore , të domosdoshme për hyrjen e saj në fuqi;
6 – Duke rikonfirmuar vullnetin e shprehur në nenin 9 të Marrëveshjes së nënshkruar nga të dy shtetet se mosmarrëveshjet eventuale lidhur me zbatimin e Marrëveshjes zgjidhen nga Qeveritë e të dy palëve nëpërmjet kanaleve diplomatike;

Republika e Kosovës dhe Malit të Zi me vullnet të mirë duke respektuar fqinjësinë e mirë, sovranitetin, integritetin territorial dhe pavarësinë e të dy shteteve , me respektimin e parimit pacta sunt servanda pajtohen si në vijim:
* Republika e Kosovës do të procedojë në Kuvendin e Kosovës dhe do të ofrojë të gjitha përpjekjet për të ratifikuar marrëeshjen sipas Nenit 12 të Marrëveshjes

* Republika e Kosovës dhe Mal i Zi pas ratifikimit njoftojnë njëra tjetrën që kanë përmbushur procedurat e tyre të brendshme ligjore përmes kanaleve diplomatike dhe konstatohet se Marrëveshja që ka hyr në fuqi do të formojë një Trup të Përbashkët Punues për shënjimin e vijës kufitare.

* Palët pajtohen gjatë këtij procesi ,Trupi i Përbashkët Punues do të identifikojë dhe adresojë mosmarrëveshjet potenciale gjatë shënjimit të kufirit sipas marrëveshje.

* Trupi i Përbashkët Punues në mënyrë specifike do të rishikoj dhe korrigjoj sektorët në drejtim të Çakorrit dhe Kullës së Zhelepit.

* Kjo deklaratë është përpiluar në gjuhën Shqipe,Serbe dhe Angleze.Në rast të ndonjë mospërputhjeje në interpretim, Marrëveshja e përgatitur në gjuhën Angleze do të mbizotërojë.

***

Kuvendi i Kosovës të dielën seancë plenare për marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi

PRISHTINË, 16 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Është ftuar për sot në mbrëmje, në orën 18:00, mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas së cilës u bë e ditur se seanca plenare për demarkacionin me Malin e Zi do mbahet të dielën në orën 18:00.“Shqyrtimi i kërkesës për mbajtje të seancës së jashtëzaknshme, me këtë rend dite: Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, ishte pika e vetme e axhendës së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit drejtuar nga kryeparlamentari Kadri Veseli.

NJOFTIMI ZYRTAR DËRGUAR NGA KUVENDI I KOSOVËS:

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kadri Veseli, kryetar, në mbledhjen e sotme, në të cilën morën pjesë edhe kryetarët e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e presidentit dhe kryeministrit të Republikës së Kosovës për mbajtje të seancës së jashtëzakonshme, për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.Konform kërkesës, seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit do të mbahet të dielën, më 18 shkurt 2018, në orën 18:00.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, Kosove-Mali i Zi, Thaci-Vujanovic

NË HANJA TË KRETËS PO LUHET NJË DRAMË, MOS PRESIM TË LUHET TRAGJEDI?

February 14, 2018 by dgreca

Në Hanja të Kretës po luhet një dramë, dramë të cilën e ndan në fije të perit një tragjedi. Në amfiteatrin e shfaqjes nuk shohim të jetë ulur as nga institucionet e larta shqiptare e as nga ato greke. Mbase presin të ulen kur drama të kthehet në tragjedi.

1 KRETE Shqip

Në Hanja të Kretës luhet një dramë, një serial tash shtatëmbëdhjetë vjeçar (7 mars 2001) i betejës që gjuha shqipe të jetë legale, gjuhë e miratuar nga të dy qeveritë, gjuhë e ulur në bankat e klasave të shkollave greke e jo podrumeve e kioskave të emigrantëve, gjuhë për diku tek 150 mijë fëmijë të emigrantëve shqiptarë që ulen çdo ditë nga veriu në jug e nga stereja në ishuj në shkollat greke, fëmijë që kanë po aq nevojë sa fëmijët e emigrantëve grekë që e mësojnë gjuhën e nënës së tyre në mënyrë ligjore nga Evropa, në Amerikë, Azi, Afrikë e deri në Australi.

Të mos themi për minoritetin grek në Shqipëri që është në Nen të marrëdhënieve midis dy vendeve e që bëri kuvend edhe në bisedimet e Kretës dhe të Korçës, bisedime që çuditërisht nuk nxorën asnjë zë për mësimin e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, mësim në shkollat greke të paktën të shtunat e të dielat, por edhe si gjuhë e dytë në ciklin e ulët, gjimnaz e lice (!)
Dikush do të komentojë që po kërkoj shumë !
Mbase!
Nuk është hera e parë. Me qindra herë, madje në katër libra kam shkruar…
Gjuhët i bashkojnë njerëzit, kombet, sidomos kur ata janë gjitonë. Historia e marrëdhënieve njerëzore nuk ka ecur kurrë përpara pa njohur fjalën e gjitonit, pa gjuhën për të kërkuar “një dorë kripë”, “një urë zjarri”, “një grusht miell”…
Në Greqi ka tash 17 vjet që gjuha shqipe është e pranishme në të shkuar, lexuar e kënduar nga qindra fëmijë të emigrantëve. Ilegalisht, si në Rilindje kur librat i sillte Dhaskal Todri “nga Alemania”, pa ligje e marrëveshje midis dy shteteve e ministrive, nën trusninë e falangave të errëta turko-greke, asokohe dhe sot, që nuk e deshën dhe nuk e duan gjuhën shqipe në gojën e shqiptarit të rritur dhe atij që rritet.
Ka shumë shembuj por më i freskëti (dhe disa muaj fill mbas “Takimit të Kretës) është ai i Hanjasë.
Në Hanja të Kretës po luhet një dramë, dramë të cilën e ndan në fije të perit një tragjedi. Në amfiteatrin e shfaqjes nuk shohim të jetë ulur as nga institucionet e larta shqiptare e as nga ato greke. Mbase presin të ulen kur drama të kthehet në tragjedi.
E kam përcjellë kronikën e hapjes së kursit për gjuhën shqipe në germë të veprimtarit të shquar të mërgatës shqiptare në Kretë Luan Pacani. Hapjen e kursit, lejen e kryebashkiakut, pjesëmarrjen e diplomatit të Ambasadës Shqiptare në Athinë, pjesëmarrjen e disa përfaqësuesve të tubimeve shqiptare në Greqi…
E kam përcjellë edhe reagimin të nesërmen të ekstremeve greke që i vunë drynin shkollës që fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë të mos mësojnë të lexojnë, shkruajnë e të këndojnë në gjuhën e nënës.
Fatkeqësisht mesazhi i shqipes në Hanja të Greqisë nuk ngjiti as në portën e ministrisë së arsimit, as të “Shqipërisë që duam” të kryeministrit Rama, pa le pastaj faqeve të gazetave të shkruara e portaleve shqipshkruese, ku ngjarja duhet të ishte kryelajm.
Drama vazhdon me një përshkrim të freskët po nga Luan Pacani…
“Mbas shumë peripecive, pengesave dhe mbylljes së kursit të gjuhës shqipe në Hanja, të dielën në gjimnazin Elefterios Venizelios rifilluan mësimet, por dhe këtë herë me kundërshtime të ashpra dhe akte vandaliste nga njerëz e grupe që përfaqësojnë të djathtën ekstreme.
Në orët e para të mëngjesit të së dielës në shkollën ku do të zhvillohej kursi i gjuhës shqipe për fëmijët e komunitetit shqiptar u kryen akte vandaliste… Thyerja e portës…
Thyerja e të gjithë xhamave të dritareve dhe të portës qëndrore…
Shkrimi i mureve të ambienteve të brendshme dhe të jashtme…
Derdhja e disa fuçive me vaj të djegur makinash në hyrjen kryesore të shkollës dhe në ambientet e brendshme ku do të zhvillohej mësimi…
Që në orët e paradites u morën të gjitha masat që të riparoheshin dëmet e shkaktuara nga aktet vandaliste të racisteve dhe neonazistëve vendas si në ambientet e brendshme por dhe në ato të jashtme si dhe për larjen e vajrave dhe mbeturinave të ndryshme në hyrje të shkollës e korridoret e saj. Menjëherë mbas këtyre veprimeve pjesa e shëndoshë e shoqërisë vendase, këshilli bashkiak, shoqatat e mësuesve, shoqatat antiraciste të prefekturës, përfaqësues të drejtorisë arsimore erdhën në ambientet e shkollës në përkrahje të komunitetit shqiptar për tu dhënë zemër e solidaritet të plotë në vazhdimin e mësimit të gjuhës mëmë nga fëmijët e emigranteve, por dhe për tu dhënë një shuplakë të fortë atyre që iu fryjnë urave të urrejtjes dhe ndezin racizmin.
Kryetari i komisionit të arsimit e kulturës në Bashkinë e Hanjasë Andonis Vardhaqis deklaroi se të tilla veprime vandaliste me karakter racist e ksenofob, nuk kanë e nuk do kenë asnjë rezultat dhe e vuri theksin se : “mësimi i gjuhës shqipe do të vazhdojë normalisht dhe do ketë mbështetje të fortë, sepse fëmijët e emigranteve kanë çdo të drejtë të ligjshme për të mësuar gjuhen mëmë. Veprime të tilla nuk do ti lejojmë që të na ulin kokën si shoqëri, por përkundrazi do ti luftojmë ashpër dhe do jemi në krah të emigrantëve…”
Në Hanja të Kretës, në kursin për mësimin plotësues të gjuhës shqipe ka 45 nxënës dhe synohet që shpejt numri i tyre të shkojë mbi 100…
Në Hanja të Kretës po luhet një dramë, vijim i dramës tash 17 vjeçare për përhapjen e gjuhës shqipe në veri e jug, në stere dhe ishuj të Greqisë, dramë e cila po qe se shteti shqiptar nuk do të gjej rrugët për ta mbështetur dhe ligjëruar mund të kthehet në tragjedi…
Një tragjedi mbi mësuesit e pa mbrojtur nga ligji, në tragjedi për prindërit  dhe fëmijët e tyre që duan ta mbajnë lart fjalën e bukur të nënës, edhe pse larg atdheut.
Heshtja vret…
Mbështetja shëron…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 13 shkurt 2018

Filed Under: Politike Tagged With: Abdurahim Ashiku, Hanja-Krte, Jo tragjedi

Aktakuze ndaj Kryeministrit izraelit dhe realiteti Demo-autokratik shqiptar

February 14, 2018 by dgreca

1 pirro

Nga Pirro Dollani/

Policia izraelite  ka bere nje AKTAKUZE ndaj Kryeministrit Benjamin Netanjahu se ka pranuar nje dhurate prej 300,000 dollaresh nga nje çift milioneresh. Keshtu ndodh kur ke te besh me nje Shtet ku mbi ligjin s’eshte askush! Politikanet shqiptare, nga te gjithe krahet e ngjyrat, do te fyeshin po t’u dhuronte ndonje multi – milioner $300,00 dollare!!! (Dhe kane te drejte te fyhen: ata s’jane lypesa!) Ata VJEDHIN diten me diell, kerkojne rryshfete, dite e nate, shesin vendet e punes: (kaq mije euro nese do te behesh kryetar bashkie, don te behesh drejtor hipoteke, kushton dyfishi, degjo: te kushton me pak nese do te behesh drejtor dogane, apo do ambasadore ne Paris? si nuk di frengjisht, shko tek Kristali dhe merr nje Master per frengjishten, deshiron te behesh Drejtor Spitali? cfare specialiteti ke? Zetorisit! Po pse bertet e duartroket? Me eshte bere zakon se bertas e duartrokas ne çdo miting te parties tone. OK! Do te caktojme shef policie ne garde! Si the, don te behesh drejtor gjimnazi? Ç’arsim ke? Kam 8-vjeçare, por kam blere nje diplome Masteri. Ne keto kushte, na fal, por kushton kaq e aq, etj.etj.) Sepse nuk ka si shpjegohet qe politikanet e sotem qe dolen nga diktatura me pantallona doku e me fustane basme te kombinateve STALIN e MAO CE DUN (tani vetem nje pale çizme e tyre kushton 2000 euro), kishin biçikleta te sajuara (tani kane makina, jo nje, por disa dhe nga me te shtrenjtat, ata dhe femijet e tyre qe s’e dine se ç’do te thote “pune”), disa prej tyre ishin fatlume se kishin nga nje dhome e kuzhine neper pallatet me fabrikate, ndersa pjesa tjeter nga keta politikanet e sotem, te mençur, te shkolluar deri ne kufijte e gjysmeanalfabeteve jetonin 7-8 veta ne nje dhome e kuzhine apo erdhen nga krahina te largeta te Shqiperise ne Tirane, me xhepat bosh qe s’kishin as shami per te fshire qurret, por i fshihnin mbi dokun e pantallonave (tani vishen me Gucci, Stanley Korshak, mbajne ne dore ora Tiffany, kane jo nga nje, por nga disa shtepi e vila disamilionashe ne vendet me piktoreske te Shqiperise.)
Dikur hajnat hapnin gropa ku fshihnin parate e vjedhura, tani, ne Demo-AUTOKRACINE shqiptare s’u ben syri terr, me parate e vjedhura, ryshfetet, gjobat qe u vene tregtareve kane ndertuar vila e pallate luksoze disakateshe! Dhe organet e prokurorise, hetuesise, personeli i Krimeve te Renda, ecin poshte ketyre ndertesave me syte hapur per te kapur ndonje te mjere qe ka vjedhur nje cope buke per te mbajtur shpirtin e tij dhe te femijeve si nje Zhan Valzhan shqiptar I shekullit XXI. Rendni, rendni pas atij te mjeri, se ju jeni te verber, nuk i shihni keto PIRAMIDE, zbatoni ligjin mbi te mjerin, madje i pritni duart e kembet qe mos te vjedhe me! DERI KUR KESHTU?

 

Filed Under: Politike Tagged With: Aktakuze ndaj Kryeministrit izraelit dhe realiteti, Demo-autokratik, Pirro Dollani, shqiptar

Besa është kodi i nderit për kombin shqiptar…

February 12, 2018 by dgreca

…hebrenjtë në Çikago duartrokitje për Shqipërinë dhe Kosovën/

NGA SKENDER KARAÇICA/

1 Holokaust

Filmi dokumentar,,Besa,,-(The Promise)me regji të Rachel Goshins është një projekt disavjeqar i drejtuar nga fotografi amerikano-hebroik Norman H.Greshman,që në vete përthekon orët e kujtesës historike në kohën e pranisë dhe të shpëtimit të refugjatëve hebrenjë në Shqipëri dhe Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Muzeumi Holokaust në (Skokie)të Çikagos sot kishte hapur dyert për të pritur filmin dokumentar,,Besa,,-(The Promise)dhe për të parë nga afër kujtesën historike se si shqiptarët e tre besimeve fetare(muslimanë,katalokë dhe ortodoksë)kishin dhënë besën për të pranuar dhe shpëtuar refugjatët hebrenjë që kishin ardhur në Shqipëri dhe Kosovë nga vendet e Evropës në flakët e luftës nga Nazi-fashizimi dhe aleatët në kërkim të shfarosjes së tyre deri në substancë.

Për të parë filmin ,,Besa,,-(The Promise)kishin ardhur një numër i madh i qytetarëve hebrenjë,

amerikanë dhe shqiptarë si dhe përfaqësuesit e SHSHA-së Mahmut Skenderi,Skënder Karaçica dhe Nazim Alimi që për bibliotekën e këtij muzeu dorëzuan dy publikime shkencore të përkthyera në gjuhën angleze,,Shqiptarët dhe Hebrejtë,,(Studim Monografik)të prof.dr.Shaban Sinani të botuar në Tiranë si dhe Librin e Arkivit të Shtetit të Kosovës

,,Krimet serbe në Kosovë (1998-1999)të prof.dr.

Jusuf Osmani të botuar në Prishtinë.Këto botime i mirëpriti Drejtoresha e Programit Publik Lilliana  Polus Gerstner.

Ndërkaq, në këtë manifestim kulturor për orët e kujtesës historike për dy popujt shqiptaro-hebrejë 

morën pjesë udhëheqja e OGSHA-së Lirie Mehmeti,Ria Ismajli dhe Arjana Jaupi që të dyja këto organizata shqiptaro-amerikane në Çikago 

ishin pjesë e organizimit të këtij programi për kohën kur shqiptarët shpëtuan hebrenjtë nga dora vrastare Nazi-fashiste të kohës.

Kur filloi shfaqja e filmit,,Besa,,-(The Promise)në sallë u krijua një heshtje e thellë dhe të gjithë me vëmendje përcillnin personazhet shqiptare në Tiranë dhe ato hebreje në Amerikë dhe Izrael.

Filmit i kishte dhënë dritën për të afruar të dhënat historike për shqiptarët dhe hebrejtë bashkë në Tiranë dhe Shkodër,fotografi amerikano-hebroeik Norman H.Greshman,i cili edhe vetë kishte përjetuar orët e Holokaustit ai përmes aparatit të tij dhe xhirimeve me syrin e kamerës,përthekoj kohën kur hebrenjtë erdhën në Shqipëri dhe përmes kodit të besës shqiptare ata u strehuan dhe u bënë anëtarë të familjeve shqiptare,duke mos rënë në duart vrastare të ushtrisë Nazi-fashiste.Në këtë kohë shpëtuan 2.000 hebrejë gjatë orëve të Holokaustit.

Besa është një prej virtyteve të kombit shqiptar,

kishte veneruar në rrugëtimin e tij në Amerikë,

Shqipëri dhe Izrael,fotografi amerikano-hebreik Norman Greshman.Ky fotograf me temën e tij bosht ,,Code of Honor,,kishte nisur mesazhin e tij për kombin shqiptar si i vetmi komb në botë që u dolën në mbrojtje hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore.Fotografitë e tij me personazhe shqiptaro-hebroike kishin udhëtuar në Kongresin Amerikan në Uashington,Shqipëri,Bruksel dhe Prishtinë.

Për 90 minuta sa zgjati filmi,,Besa,,-(The Promise)pika më kulmore ishte rrëfimi i Rexhep Hoxhës nga Tirana,ku babai i tij para se vdiste i pati lënë amanet tre librat e shkruara në gjuhën hebreike të dërgonte Aronit në Tel Aviv pas gjashtëdhjetë vjetësh të ruajtura mirë nga regjimi komunist.Kulmi i ngjarjes historike ishte se si u takuan dy familjet në Tel Aviv dhe kthimi i kujtesës në kohën kur nëna shqiptare e kishte rritur Aronin tashti burrë i moshuar dhe,saherë që niste rrëfimin e tij për kohën e jetës e të rritës në Shqipëri,lotët ia ndalnin bisedën e tij.

Tre librat amanet nga Tirana dorëzohen në Tel Aviv dhe Rexhep Hoxha dhe Aroni pas kaq vitesh e bëjnë kulmin e ngjarjes për flmin,,Besa,,-(The Premise)që u përcoll me vëmendje dhe lot nga të pranishmit në sallë.Pas shfaqjes së filmit në sallë u organizua debat i lirë për mesazhin e filmit dokumentar dhe për shpirtin human me kodin e traditës shekullore të besës për kombin shqiptar,ata i duartrokitën Shqipërisë dhe Kosovës.

Në fund po theksojmë se SHSHA në bashkëpunim me bordin udhëheqës të Muzeut Holokaust në (Skokie)në Çikago,së shpejti do të vendoset Pllaka Përkujtimore me mbishkrimin:Prania dhe shpëtimi i hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore Shqipëri-Kosovë.

 

Filed Under: Politike Tagged With: besa Shqiptare, Kodi i nedrigt, shqiptaret e Hebrejte, Skender Karacica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 494
  • 495
  • 496
  • 497
  • 498
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT