• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Dosjet” zhgënjyese të Sigurimit të Shtetit

July 14, 2017 by dgreca

1 Alma-LicoNga Alma LIÇO*/

E vendosur në kodrën pranë liqenit artifiçial të Tiranës, ajo ndërtesë dy katëshe përcjell një pamje joshëse dhe relaksuese. Gjethet e pemëve të larta, krijojnë një  kurorë të blertë, që si aureolë qarkon atë vend. Fëshfërima e lehtë dhe ledhatuese, e shoqëruar me cicërima zogjsh, i ngjason një sinfonie tingujt e së cilës vijnë nga shumë larg. Veçanërisht atë ditë, ajo mrekulli e natyrës përpiqej modestisht të zbuste dilemat dhe pasiguritë e pritshmërive tona, të zvarritura pafundësisht në rrjedhën e viteve të postdiktaturës.1 dosjet-640x340

Në pjesën ballore të asaj ndërtese është vendosur një portë e hekurt, e cila vijon me një rrugë të ngushtë, gjithashtu të gjelbëruar. Institucioni i hapjes dhe bërjes “transparente” të dosjeve të Sigurimit të Shtetit kriminal komunist, i krijuar disa muaj më parë, është vendosur provizorisht aty, në rrëzë të asaj kodre.

Është mesi i qershorit dhe dielli në atë orë të ditës është disi përvëlues. Sakaq, një djalosh i sjellshëm me uniformë afrohet të kangjellat e portës hyrëse. Nëpërmjet një buzëqeshjeje të lehtë e konfidente, duket sikur kujtohet për në dhe vizitën tonë të mëparshme në atë vend. Një muaj e gjysëm më parë, se bashku me tim shoq, ishim paraqitur pranë autoriteteve të atij institucioni, me shtysën e natyrshme të njohjes me dosjet personale dhe ato të etërve tanë, të krijuara nga Sigurimi famëkeq i Shtetit.

Kanë kaluar 27 vite nga koha kur u përmbys regjimi diktatorial. Më shumë se një çerek shekulli, ku viktimat e regjimit, si në një lumë të trazuar, lundrojnë të çoroditur në ujra të turbullta, pa mundur të përballen me të vërtetat e bëmat monstruoze të atij shërbimi kriminal e shërbëtorëve të tyre. Të zhgënjyer, pa asnjë orientim, ata nuk u lejuan kurrë të njihen me intrigat kriminale të inskenuara në laboratorët vrastare të asaj makine të përbindshme. Përveç disa episodeve të shkëputura të një demagogjie qaramane e të pështirë, për asnjë çast të vetëm nuk u çfaq në horizont vullneti politik për të hedhur dritë e bërë drejtësi për atë të kaluar aq makabre, që viktimizoi e copëzoi qindra mijëra familje të pafajshme, të konsideruara kundërshtare të regjimit komunist. Për më tepër, shefat e sigurimit e xhelatët në shërbim të tyre, nuk u gjykuan e ndëshkuan kurrë për krimet e kryera në dhjetëra vite. Ata kriminelë, rrugëtuan e vazhdojnë të ngjiten të çpenguar në majat e piramidës së shtetit postdiktatorial. Fshikullim i pamëshirshëm dhe fyes deri në palcë për viktimat e asaj lufte të padrejtë.  Me tepër se dëshpëruese.

Si për ironi e ogur të mbrapshtë, mëngjesin e asaj dite isha ndeshur rastësisht me njerin prej tyre. I hipur në një makinë luksoze, më kishte hedhur një vështrim të mbushur me qesëndi shpotitëse. Ishte operativi i sigurimit që terrorizoi në internim familjen tonë. Në ato kohëra të tmerrshme, ai çfaqej herë pas here si hijenë që ushqehej me gjak e gulçima të pafajshmish, ashtu siç ishin mësuar të trajtonin të pambrojturit,  ata, monstrat e sojit të tij.

Hëmmm….si të mos mjaftonte pandëshkueshmëria dhe mos bërja e drejtësisë, një rastësi e pakëndshme, por aspak e habitshme, e solli ta kisha epror për disa vite në periudhën postkomuniste………ai mizori, që na kishte ngjallur krupën, ai shërbëtori i pashpirt që na kishte imponuar të duronim në heshtje kërcënimin e shpatës së “Demokleut”, ai kameleoni, ishte ngarkuar nga ish Partia e tij “e reformuar” të “godiste” padrejtësitë e diktaturës dhe të propagandonte vlerën e demokracisë!!!! ……Hipokrizi  ulëritëse!!!!

……Ai i paudhi, dhe përbindshat e llojit të tij, në emër të të njejtit ndëshkim përjashtues të stilit komunist, në pamundësi tashmë për t’i burgosur e internuar viktimat e tyre, hodhën në rrugë të madhe, të papunë, qindra, mijra të mbijetuar të regjimit. Me sa duket, maska e engjëjve është tejet e rëndë për ato qenie diabolike. Shëmbëlltyra  e djallit u shkon për shtat.

…….Disa minuta më pas, teksa ngjisnim shkallët e institucionit, gati po na mbyste dilema dhe padurimi për përgjigjet e pyetjeve që na mundonin prej një jete të tërë.  Vallë do gjenim në ato dosje të vërtetat që kishin shoqëruar persekucionin e familjeve tona? Do arrinim të identifikonim emrat apo pseudonimet e personave që ishin shkaktarë, apo të përfshirë në projektimin e atyre  krimeve makabre?

Tentativat hipokrite të post diktaturës për të zbardhur krimet e komunizmit, prej shumë vitesh na kishin vendosur nën pushtetin bllokues të një skepticizmi e mosbesimi të natyrshëm. Nje zë i brendshëm, i formëzuar nga përvojat e hidhura e të gënjeshtërta, na përsëriste se edhe këtë rradhë, gjithë kjo iniciativë propagandistike për të hedhur dritë mbi faqen më të errët të historisë së diktaturës, do të rezultonte një flluckë sapuni. Kriminelët komunistë kishin patur kohë të mjaftueshme për të pastruar e zhdukur gjithë implikimet e tyre në masakrat  kundra qindra,  mijëra shqiptarëve…….kësisoj krimi komunist nuk do të kishte përmasat e frikshme, të papërsëritshme, të pakrahasueshme me asnjërin prej vendeve që përjetuan ferrin e atij regjimi mizor.

Sakaq, na orientuan të hynim në një zyrë modeste, ku dy nëpunës mjaft të predispozuar e të sjellshëm, ishin të gatshëm të na informonin për kërkimet e kryera në arkiva…….

– Vallë, kush ishin kriminelët e përfshirë në masakrimin, dhe më pas djegijen e trupit të atit  të bashkëshortit  tim, dhe miqve të tij nacionalistë?

-Cilët ishin personat që terrorizuan tim atë, e më pas edhe familjarët e tjerë, ku nëpërmjet kërcënimeve e shantazhit, iu kërkua dhunshëm të shndërroheshin në  bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit?

– Kanë një emër të shkruar personat që projektuan degdisjen në internim të familjeve tona, në kampin me tela me gjemba të Tepelenës, e më pas në kampe të tjera?

….Nga këto pyetje të ethshme, por të heshtura, të bllokuara në kufijtë e një monologu kryengritës, na shkëputi zëri mbështetës i nëpunësit. Me entuziasmin e natyrshëm të një personi që ka nderin të përcjellë një sihariq,  na njoftoi se nuk rezultonte të kishim bashkëpunuar me Sigurimin e Shtetit….. a thua se nuk e njihnim këtë aspekt të jetës sonë. Në atë situatë tragji-komike nuk po e kuptoja dot nëse duhet të qeshja apo të qaja…..

Me tej, me ton dashamirës që nuk përputhej aspak me informacionin e mangët,  na siguroi se në dokumentat arkivore, nuk ekzistonte asnjë implikim për ne dhe etërit tanë…….me pak fjalë, nuk figuronim të ishim survejuar apo favorizuar nga Sigurimi i Shtetit. Dhjetra vite vuajtjesh të pashëmbullta, me përfshirje nga më çnjerëzoret të atyre qënieve monstruoze,  ishin përmbledhur me tre-katër fjalë ……….Nuk po u besonim veshëve.

Teksa dëgjoja këto shtrembërime të turpshme, përpiqesha të përfytyroja atin e tim shoqi, të cilin dashuria për Shqipërinë etnike, të çliruar nga pushtimi kriminal sllavo-komunist, e detyroi të hiqte dorë nga e ardhmja e ndritur, si student i shkëlqyer i inxhinierisë, në një nga universitetet e Italisë. Në një luftë të pabarabartë disa vjeçare kundër bandave terroriste të sigurimit, në mes të acarit dhe urisë, së bashku me miqtë e idealit, dha jetën e tij të re në malet e vendlindjes.

Përfytyroja gjithashtu tim atë të torturuar, të lidhur kokë e këmbë, tërhequr zvarrë për muaj të tërë. Përmes kërcënimeve për jetën e tij, të bashkëshortes dhe tre fëmijëve të mitur, nën peshën e dhunës fizike dhe psikologjike, ai duhej të pranonte të bëhej bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit. Im atë duhej të nënshkruante një dokument. Një firmë e vetme që e damkoste me vulën e turpit. Një firmë nën terror, që e detyronte të përdhoste vlerat e familjes, e të pështynte mbi gjakun e të atit dhe qindra mijëra shqiptarëve të tjerë që u ekzekutuan për të mbrojtur lirinë e të drejtat njerëzore. Disa shkronja të shkruara nga një dorë e dridhur, që do ta obligonin t’u bënte gjëmën miqve të tij më të ngushtë. Ishte si të thuash një pakt i dëshpëruar me djallin, për të helmuar me tej jetët e njerësve që ishin po aq të vuajtur e fatkeqë sa ai……ai, ati im i dashur,  qëndroi….rezistoi…. Refuzimi i tij pasoi me internimin familjar që mori fund vetëm me rënien e diktaturës.

U befasuam. Skepticizmi i atij proçesi farsë, i tejkaloi dhe parashikimet tona më dekurajuese. Pritshmëria modeste për të njohur emrat e xhelatëve të dukshëm e të padukshëm, të njohur e të panjohur, rezultoi mision i pamundur. Funksionarët e Sigurimit të Shtetit i kishin zhdukur të gjitha përfshirjet e tyre në krimet mizore ndaj fateve të qindra, mijra bashkëvuajtësve tanë. Por ndërkohë, ishin të ngazëllyer të zbulonin emrat e viktimave të brishta,  që nën presion ishin thyer, ishin gjunjëzuar, duke pranuar dëshpërimisht bashkëpunimin me djallin.

Të helmuar, zbritëm me përtesë shkallët dhe u larguam nga ai institucion. Sakaq, vapa ishte bërë më përvëluese, dhe gjethet e pemëve kishin ndalur fëshfërimën e tyre. Dukej sikur kishin vendosur të heshtnin për t’u solidarizuar me zhgënjimin tonë. Një tjetër gënjeshtër, një tjetër tymnaje për të mos lejuar kurrë zbardhjen dhe dënimin e krimeve të komunizmit dhe të veglave të tyre gjakatare.

Vallë, ku janë ata kriminelë?  Kanë nevojë të jenë të padukshëm???….Përpiqen vallë të fshihen?… Aspak……..janë aq sfidues e të sigurtë në botën e tyre të mbrapshtë, të larë me lot dhe shuarje jetësh të pafajshme….e si mund të ndodhë ndryshe kur ekzekutimet, burgimet dhe internimet e qindra, mijëra bashkëkombasve, janë katandisur në fraza të thata e copa letrash pavlerë, që fshehin në heshtje dhimbjet e plagët e pakuruara,  që ende pikojnë gjak???

KJO ËSHTË FARSA DEMOKRATIKE E KOHËS QË PO JETOJMË.

 (Në kujtim dhe nderim të etërve tanë qëndrestarë, Ndoc Kol Mirakaj dhe Nevzat Muhamer Liço, si dhe gjithë bashkëatdhetarëve të tjerë që i rezistuan mizorisë dhe terrorit  të bishës komuniste,  ndonëse shumë prej tyre paguan me jetë).

Filed Under: Politike Tagged With: “Dosjet” zhgënjyese, Alma LIÇO, të Sigurimit të Shtetit

Bashkimi ekonomik i Ballkanit, i pafavorshëm për Kosovën

July 13, 2017 by dgreca

Samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor, i mbajtur më 12 korrik në Trieste të Italisë, mund të konsiderohet si ngjarja kryesore e vitit 2017 për vendet e rajonit që aspirojnë integrimin në Bashkimin Evropian, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve ekonomike dhe të integrimeve evropiane në Kosovë.

Samiti i mbajtur në Trieste është pjesë e procesit të Berlinit, proces ky shumëdimensional. Përmes këtij procesi, Bashkimi Evropian po synon të formojë një treg të përbashkët në Ballkanin Perëndimor.

Safet Gërxhaliu, kryetar i Odës Ekonomike të Kosovës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se ky proces ka rëndësi ekonomike, politike dhe strategjike, rëndësi integruese dhe të përmirësimit të imazhit, por edhe për çështje të gjenerimit të stabilitetit social përmes zhvillimit ekonomik.

Megjithatë, sipas tij, Kosova duhet ta kuptojë që ky samit nuk është, siç thotë ai, një “shkop magjik” që do t’i zgjidhë problemet e grumbulluara në Kosovë, por është një mundësi, e cila duhet të shfrytëzohet.

“Vet fakti që ka afër 1 miliard euro, mundësi për të mbështetur projektet, është e para. Së dyti, duhet të kuptohet që mekanizmi i absorbimit të mjeteve të donatorëve, por edhe të këtij procesi, është studimi i fizibilitetit,është biznes-plani, por është edhe sundimi i rendit dhe i ligjit, i bazuar në ekspertizë shkencore. Prandaj, nuk duhet të priten mrekullitë nga këto procese, në qoftë se ne vet nuk i bëjmë detyrat e shtëpisë”, thotë Gërxhaliu.

Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se Bashkimi Evropian është duke e marrë sërish në konsiderim politikën dhe mekanizmat e politikës së zgjerimit në raport me Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, shikuar nga aspekti kohor i vitit 2003, kur Bashkimi Evropian pati përcaktuar agjendën për Ballkanin Perëndimor, në vitin 2017 mund të shihet se në shumë pika ajo politikë ka dështuar, për faktin se shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë mbetur ende jashtë Bashkimit Evropian.

“Bashkimi Evropian është në kërkim të gjetjes së një forme të përshtatshme se si do ta integronte Ballkanin Perëndimor. Ndërkaq, parë nga këndvështrimi i Prishtinës, mendoj që Prishtina e ka problemin e njëjtë, të hapur dhe të pambyllur, çështjen e mosnjohjes të statusit të saj nga dy shtete të Ballkanit Perëndimor, si dhe çështjen e mosnjohjes nga 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Për Kosovën do të ishte pozitive, sikur ky status, pavarësia e Kosovës, të njihej nga këto dy shtete. Pas kësaj, në çfarëdo aranzhmani ekonomik dhe politik që do të futej Kosova, do të trajtohej si palë e barabartë”, tha Mazreku.

Ai shton se përderisa statusi i Kosovës, si shtet i pavarur, nuk njihet, por kontestohet nga dy vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëpunimet e dizajnuara sikurse tregu i përbashkët i këtij rajoni, janë të pafavorshme për Kosovën.

Por, Gërxhaliu shpreh mendimin se proceset integruese nuk duhet kundërshtuar nga Kosova, por ajo duhet të dalë me skenar dhe alternativa të ndryshme.

“Në këtë drejtim, pala kosovare është dashur që me kohë të jetë e gatshme që këtë sferë ekonomike të dizajnuar nga Gjermania, tëmetalizuar nga Austria dhe me stilin që i është dhënë në Itali, ta shndërrojë në favore politike. Nuk duhet të thotë ‘jo’, por të kushtëzojë dhe të dërgojë shkresa në zyrat diplomatike që Kosova është ‘për’ proceset integruese, por vetëm e barabartë, që nënkupton që të njohjet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, të kemi një normalizim të raporteve në aspektin e brendshëm. Si mund të jemi pjesë integruese në familjen evropiane në qoftë se 5 shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur Kosovën?”.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe profesor Mazreku. Sipas tij, Kosova nuk do të bënte gabim në qoftë se e vendos kusht aktin e njohjes nga ana e 5 shteteve të Bashkimit Evropian, si dhe nga dy vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat nuk e kanë njohur ende. Siç thekson ai, agjenda e Selanikut e potencon si kusht për vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërtimin e marrëdhënieve fqinjësore konstruktive dhe të mirëbesimit të ndërsjellë.

“E për çfarë marrëdhënie të mirëbesimit mund të flasim kur dy nga këto dy palë, dy shtete të Ballkanit Perëndimor as nuk e njohin atë që është kategori kushtetuese për Kosovën dhe që është diçka që ka ardhur si produkt i shumë zhvillimeve historike dhe të luftës, por edhe që shumica e komunitetit ndërkombëtar – në qoftë se e shohim nga konteksti i shteteve individuale – e kanë njohur këtë pavarësi. Prandaj, ne vetëm duhet të sillemi në raport me zbatimin e asaj që Bashkimi Evropian e vendos kusht për këto shtete”.

Sidoqoftë, zyrtarët e lartë të shtetit të Kosovës tashmë kanë shprehur mjaft rezerva dhe kundërshtime lidhur me idenë e një union ekonomik rajonal të Ballkanit perëndimor, për shkak të pamundësimit të deritashëm të qarkullimit të lirë dhe pa viza të qytetarëve të Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian, si dhe mosnjohjes së shtetit të Kosovës nga Serbia dhe Bosnjë dhe Hercegovina.

Ne Foto: Liderët evropian dhe ata të Ballkanit në Samitin e Triestes/

Filed Under: Politike Tagged With: Bashkimi ekonomik i Ballkanit, Bekim Bislimi, i pafavorshëm, per Kosoven

Kosova një muaj pas zgjedhjeve

July 11, 2017 by dgreca

-Në pritje të institucioneve të reja, shtypi raporton refuzime partishë për takime paszgjedhore/
*“E refuzojnë Haradinajn”, “Refuzohet Haradinaj” dhe “Ymeri e Mustafa refuzojnë takimin me Haradinajn”, janë kryetituj ballinash të tre gazetave të sotme në Kosovë./
1 Prishtina 7
-Rezultatet e zgjedhjeve nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë/
 PRISHTINË, 11 Korrik 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Refuzohen takime partishë të paralajmruara për sot, pikërisht një muaj pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, ndërkohë që ende nuk ka ndonjë datë për konstituimin e Kuvendit e zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës.
“E refuzojnë Haradinajn”, “Refuzohet Haradinaj” dhe “Ymeri e Mustafa refuzojnë takimin me Haradinajn”, janë kryetituj ballinash të tre gazetave të sotme në Kosovë.
Raportohet se, i nominuari për kryeministër nga koalicioni PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj, u ka nisur ftesa zyrtare për konsultime Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LDK-AKR-Alternativa.
“Por përgjigjja e krerëve të LVV-së dhe LAA-së ka qenë negative, të cilët me Haradinajn kanë thënë se mund të bashkëpunojnë vetëm pasi ta ketë braktisur PAN-in”, thekson shtypi.
Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm të formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës.
Sipas rezultateve të certifikuara nga KQZ, në Kuvendin e Kosovës 120 anëtarësh koalicioni PDK-AAK-Nisma me 33,74% të votave ka 39 deputetë,  Lëvizja Vetëvendosje që garoi e vetme me 27,49% të votave – 32 deputetë, ndërsa koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 25,53% të votave – 29 deputetë. 
Nga subjektet e komuniteteve pakicë, më së shumti deputetë – 9, me 6,12% të votave, ka Lista Serbe.  I 10-ti deputet serb është nga Partia e Pavarur Liberale, e cila ka 0,49% të votave, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.
Sipas matematikave që koalicionet paszgjedhore i bëjnë të domosdoshme, koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma edhe me të gjithë 20 përfaqësuesit e pakicave arrinë numrin prej 59 deputetësh, por nuk mund të arrijë 61 votat e minimumit të nevojshëm për krijimin e qeverisë. Numri i nevojshëm mund të arrihet me kalime individuale të së paku 2 deputetëve nga parti tjera në anën e koalicionit PDK-AAK-Nisma.
Ndërsa, edhe pa pakicat numrin prej pikërisht 61 votave mund ta arrijnë dy subjektet tjera, Lëvizja Vetëvendosje dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa.
Kryetari i Listës Serbe, deputeti Slavko Simić, ka thënë për shtypin e sotëm të Prishtinës se ende nuk kanë biseduar me asnjërën nga partitë shqiptare për koalicion paszgjedhor, por ai është treguar i gatshëm të bisedojë me të gjitha partitë për formimin sa më të shpejtë të institucioneve. 
Një muaj para zgjedhjeve të 11 qershorit 2017, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, Kosova një muaj pas zgjedhjeve

NOTI BASHKON TROJET SHQIPTARE

July 11, 2017 by dgreca

Nga Frank Shkreli/
Gazeta Telegraf e Tiranës njofton se gjatë këtyre ditëve po zhvillohet në Durrës një veprimtari e parë sportive në historinë e notit shqiptar. Me këtë nismë, Federata Shqiptare e Notit bëri histori duke organizuar në pishinën e Durrësit, Kampionatin Mbarëkombëtar në këtë sport, për herë të parë në historinë e kombit shqiptar. Kësaj ngjarjeje mbarëkombëtare i parapriu Kampionati Kombëtar i muajit të kaluar për moshat deri në 14 vjeç, tha për gazetën Telegraf, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Agim Çiraku.
Në një intervistë për gazetën Telegraf, Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Çiraku, me të drejtë e cilësoi Kampiontaion Mbarëkombëtar të notit si, “Një veprimari të madhe të notit në vendin tonë… ku marrin pjesë notarë nga të gjitha trevat shqiptare, çka e bën më të rëndësishëm dhe më interesant këtë event”, theksoi ai në intervistën për gazetën Telegraf. Kjo nuk ishte një ndërmarrje e vogël dhe do si do, por kërkonte seriozitet dhe aftësi organizimi. Z. Çiraku shtoi se në Kampionat po marrin pjesë rrethë 300-notarë të zgjedhur nga federatat e trojeve shqiptare. Ai theksoi se përgatitjet e mëdha, për pjesëmarrjen e qindra notarëve në garat e Durrësit, kanë përfshirë, ndër të tjera, organizimin dhe përzgjedhjen e skuadrave dhe të gjyqtarëve, si dhe detaje për akomodimin e gjithë këtyre pjesmarrësve që vërshuan në Durrës, nga të gjitha trevat shqiptare.
Z. Çiraku duhet të ndihet krenar për këtë ndërmarrje, jo vetëm nga pikëpamja dhe natyra mbarëkombëtare e garës, por edhe për faktin që po i sjellë notit shqiptar, ose më mirë të themi këtij sporti tashti i konsideruar si mbarë shqiptar, vendin që i takon në rajon dhe në botë. Por edhe për faktin se siç nënvijoi edhe ai vet, ky organizim sportiv, shënon, “Rikthimin e traditës së mirë që Durrësi ka patur me sportin e notit”, ndërsa Shqipëria nuk kishte organizuar kurrë më parë, në këtë nivel mbarëkombëtar, një garë të tillë në not.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Notit, Z. Agim Çiraku njoftoi lexuesit e gazetës Telegraf se në garat e Durrësit do të merrnin pjesë 150-notarë nga 15-16 ekipe
nga mbarë Shqipëria, ndërsa nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga Mali i Zi ishin regjistruar një numër i njëjtë pjesëmarrsish në këtë garë, përfaqsues të federatave të tyre respektive të notit. Z. Çiraku u shpreh optimist se notarët shqiptarë nga Shqipëria dhe nga viset e tjera shqiptare do të shënojnë rekorde të reja gjatë këtij Kampionati Mbarëkombëtar në Durrës.
Sa bukur tingëllon kjo, “Kampionati Mbarëkombëtar i Notit”, sidomos sot në këtë moment të historisë së shqiptarëve kur aq shumë gjëra mund të organizoheshin në nivel kombëtar, jo vetëm në sport, por pothuaj në të gjitha fushat e aktiviteteve kulturore, shoqërore, politike dhe ekonomike, por që nuk kanë ndodhur deri më tani, aq sa do të duhej të ndodhnin. Ndoshta duhej që sporti, pikërisht një organizim si Kampionati Mbarëkombëtar i Notit që, më në fund, të hapë rrugën drejtë një bashkpunimi dhe bashkrendimi të mirëfilltë mbarëkombëtar edhe në aktivitete të tjera të fushave të ndryshme.
Urime Federatës Shqiptare të Notit dhe Presidentit të saj Z. Agim Çiraku për këtë ndërmarrje kaq të madhe e kaq domethënse sportive shqiptare, jo vetëm për pjesëmarrësit, por edhe për faktin se kjo garë po mbahet në shkallë kombëtare. Në një kohë, kur politikanët shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, bëjnë deklarata bombastike që i merr era për bashkim kombëtar, kryesisht për qëllime politike, para zgjedhjeve – ndërkohë që nuk mund të zgjidhin problemin e tarifës për disa thasë potatesh në kufirin shqiptaro-shqiptar – ja një organizatë jo-qeveritare, siç është Federata Shqiptare e Notit, u tregon udhën politikanëve se si duhen bërë gjërat, duke bashkuar shqiptarët në një eveniment mbarëkombëtar garash në not.
Ashtu, pa bujë, pa rrahje gjoksi — dhe pa deklarata bombastike boshe të politikanëve shqiptarë për bashkim kombëtar, të cilat sikur bëhen me qëllim dhe në kohë të caktuara, për të zemëruar miqtë dhe armiqtë e kombit — Federata Shqiptare e Notit organizon këto ditë — për herë të parë në histori, në Durrësin bregdetar shqiptar, gara në not – në shenjë të përparimit dhe bashkimit kombëtar, me pjesëmarrrës nga të gjitha trojet. Duke venë në dukje vlerat më të çmueshme sportive po se po, por edhe vlerat shpirtërore, kulturore dhe kombëtare, më të çmueshme të shqiptarëve. Ndërkohë që gjatë 100-viteve të fundit – për arsye historike që dihen — të ndarë e të përçarë gjeografikisht dhe ideologjikisht nga njëri tjetri, familja me familje, në një kohë kur shqiptari nuk u suall mirë me shqiptarin — sot shqiptarët nga të gjitha trojet së bashku, në paqë dhe pa frikë nga askush, garojnë në not, aty në qytetin e vjetër të Durrësit.
Dihet se gjatë historisë, sporti ka luajtur një rol pozitiv dhe të rëndësishëm për bashkim dhe për mirëkuptim, madje edhe në fushën e diplomacisë dhe të marrëdhënieve ndërkombëtare, sidomos gjatë Luftës së Ftohtë. Historia ka shënuar efektin e “diplomacisë ping pong” në marrëdhëniet amerikano-kineze, kur lojtarët amerikanë të ping pongut kishin shkuar për herë të parë në Kinë, në fillim të 1970-ave, ngarje kjo që përgatiti rrugën për vizitën e famshme të presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Riçard Nixon në Kinë, duke zbutur kështu atmosferën politike midis dy vendeve kundërshtare dhe duke sjellur një ulje tenisonesh në marrëdhëniet ndërkombëtare të kohës. “Asnjëherë në histori nuk është përdorur sporti si një mjet më efikas në diplomacinë ndërkombëtare”, ishte shprehur udhëheqsi i atëhershëm komunist kinez, Çu En Lai, duke iu referuar qëndrimit prej një jave të sportistëve amerikanë në Kinë.
Flamuri i Gjergj Kastriotit-Skënderbe valvitet sot i lirë mbi tokën shqiptare dhe në mjedisin e garave të notit në Durrës, si një simbol shprese për një të ardhme më të mirë, për të gjithë shqiptarët kudo dhe së bashku. Garat mbarë-kombëtare të notit të organizuara nga Federata Shqiptare e Notit në pishinën e Durrësit më 10, 11, dhe 12 korrik – përveçse se janë siç e cilësoi Presidenti I saj, Z. Agim Çiraku, një, “veprimtari e madhe e notit në vendin tonë”, mund të konsiderohen gjithashtu edhe si një simbol lirie, barazie dhe vëllazërie midis shqiptarëve të të gjitha trojeve – një miniaturë e bashkimit të trojeve shqiptare, në të vërtetë! Kampionati i notit në Durrës, shënon gjithashtu edhe besimin në vet-vete se garat sportive mbarëkombëtare janë, njëherazi, një shprehje e zotësisë dhe aftësive, si dhe e fuqisë krijuese të sportistëve shqiptarë për të garuar me njëri tjetrin dhe me të tjerët, në nivel rajonal dhe ndërkombëtar, në paqë, barazi e vëllazërim. Por, në këtë mjedis zhgënjimesh politike dhe ekonomike në jetën e përditshme të shqiptarëve, Kampionati mbarë kombëtar i notit në Durrës, mund të shikohet, ndoshta si një çfaqje e vogël, si një hap I parë por domethënës i realizimit shpresës në arritje, eventualisht, të synimeve kombëtare për një të ardhëme më të ndritur për brezat, anë e mbanë trojeve shqiptare.

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, NOTI BASHKON, trojet shqiptare

Shqiptarë, mjaft e turqizuat Shqipërinë

July 10, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Florida/

1) Sheshi Maltepe, Stamboll, të dielën më 9 korrik. Qe i tëri një gumëzhimë njerëzore. Opozita priste liderin e saj, Kemal Kılıçdaroglu. Ai kishte ecur më këmbë nga Ankaraja në Stamboll. Për njëzetë e pesë ditë. Në shënje proteste karshi presidentit të vendit si urdhëruesi i arrestimeve dhe burgosjes së gazetarëve, oficerëve, apo politikanëve kundërshtarë.

Sipas raportuesve të agjensisë Returs, Umit Bektas dhe Humeyra Pamuk, nga Stambolli, ai i tha masës se, ne, duhet të rrëzojmë muret e frikës. (We will be breaking down the wall of fears.) E gjitha një protestë për kapjen e shtetit nga një individ me emrin Rexhep Taip Erdogan. Pasi që nga i ashtuquajturi grusht i shtetit, korriku 2016. Rezultojnë plot 50 mijë njerëz të arrestuar. 150 mijë nëpunësa shteti, si arsimtarë, ushtarakë, jurist etj., të pezulluar.
Një terror i hapur shtetëror karshi administrates, opozitës dhe fjalës së lire. Po sipas Reuters, ai e mbylli fjalën e tij, duke u thënë turqëve se, nga sot të jemi të gjithë bashkë kundër një njeriu që do gjithçka. Veç për vendin, për demokracinë.
2) Kjo ndodhte kur, Erdogani, priste në rezidencën e tij kryeministrin e Shqipërisë. Vendin të cilin Turqia e sundoi për pesëqind vjet. Dhe po t’i referohesh kohëve. Në raport me pushtimin austro-hungarez. Apo periudhën italiane nga koha e mbretërisë e deri në kapitullimin e Duçes. As që çohen nëpër mend të krahasohen investimet e bëra. Pra pesëqind vitet e Turqisë, me ato të austrohungarezëve dhe italianëve. Në këto pesë shekuj Turqia nuk ndërtoi asnjë rrugë. Asnjë lloj vepër tjetër publike. Përkundrazi e mbajti nën një trysni përça e sundo. Mes pashallarësh dhe vilajetesh. Aq sa sot pikërisht për shkak të këtij sistemi. Kësaj forme administrative, Shqipëria u nda si plaçkë tregu. Jo si Shqipëri. Por si një Turqi e vogël. Po sipas këtyre metodave. U ndërroi besimin. Bëri ca pashallarë me shumicë. Ca hajna, të cilët i la të sundonin me shpatë e kuran vëllezërit e tyre. Ndërsa për vete mori në Stamboll mëndjet e ndritura. Madje i degdisi deri në shkretëriat e Nilit. Me tituj e poste. Pasi vetëm me ata mund të shtonte sa më shumë sundimin.
Kjo është Turqia. Sa sot edhe pse një komunitet i madh atje, shqiptarët nuk kanë asnjë lloj të drejte. Madje kudo ndihen. Kudo. Veç në Turqi nuk shohim aktivitete shqiptarësh.
Ata sot janë turq dhe ndofta sundojnë me Erdoganin.
3) Pasi përcolli dishepullin e tij, arnautin bohem, Erdogani i kërkoi liderit të opozitës. Atë që drejtësia, reformat, shteti, bëhen në parlament dhe jo në rrugë.
Në fakt e trembte turma. Kurrë Maltepe nuk qe aq i tejmbushur sa dje. Dhe vemendja botërore aq e fokusuar në Stamboll. Lideri i opozitës i kujtoi se rruga ishte e vetmja alternative. Pasi, kuvendi, shteti, kushtetuta, drejtësia, media ishin të kapura. Dhe se ai zgjodhi rrugën si pjesë e sovranit, motorit të demokracisë.
Mua më shkoi mendja tek lideri i opozitarizmit në Shqipërinë time. Tek akulli, ngrirja. Apo shkrirja. Lojrat e fjalëve me marr unë përgjegjësitë. Apo ato urdhrat me sy, që, jepi një dru të mire atij legenit që na çau bythën. Sa keq që vendi im nuk e ka një të tillë. Kush do të ecte nga ata 400 klm në këmbë. Sa i bie…, Shkoder Sarandë. Apo më pak. Megjithëse me ato rrugë përgjysmë. Me ato nën e mbi kalime shkretane. Shkoder Sarandë i bie 400 mijë kilometer. Lulit do i prishej jo vetëm xheli i flokëve. Por edhe xheli i opozitarzimit të humbsave. Kurse Monikën, do ta ndalonte statuti i zonjës së parë. Kush pra mund të ecte në këmbë për ata?. Për të drejtat civile. Për fundin e një varfërie ekstreme. Për marrjen fund të kulturës partiake mbi ekzistencën intelektuale. Drejtësinë e pavarur dhe shtetin e ligjit të forte? Për firon e gjakut shqiptar. Për informalitetin total. Për mbylljen e gropave të zeza të përqindjeve nga tenderimet? Askush…
4) I lumtur dishepulli i Erdoganit…, kryeministri i vendit tim, saktësisht atë kohë kur Turqia vet kish dalur në shesh. Kundër njëshizmit. (One man-rule.) Kundër grumbullimit të pushtetit. Komunikonte në FB me shqiptarët se, kishte marrë premtime për para. Për ndërtimin e aeroportit të Vlorës etj. Kaq i lumtur, sikur t’ua jepte aty në çast. Nga dritarja mbrapa. Se përpara protestonte Turqia. T’ua hidhte me dy duar. Para qielli. Jo si një borxh më shumë për kokë. Ndërkohë që paradoksalisht, një aeroport si ai i Kukësit rri mbyllur. Dhe shqiptarët fluturojnë për në botë, përmes Shkupit, Prishtinës, Beogradit. Nga që çmimet e Rinasit janë më te kripura se ato në aeroportet më me emër në botë.
Kjo është Shqipëria e pashallarëve dhe e dishepujve të Erdoganit.
Nuk e di se çfarë vlerash njerëzore mbart ky komunikim. Me një lider që manipulon, vret, burgos, syrgjynos etj. Çfarë vlerash miqësie e afrimiteti. Eshtë njësoj si të shkosh sot në Korenë e Veriut. Të dalësh në platenë e paradave me Kim Yongun. E t’i mburresh popullit. Apo një lloj eksopezeje ashtu…, siç dilte Enveri me Stalinin. I lumtur që siguronte ndonjë vapor me thekër a grurë. Pasi shqiptarët vet nuk dine as të prodhojnë e as të tregtojnë.
5) Me ardhjen e demokracisë, menduam se epoka e ndihmave. Epoka e miqësive për inat, do të merrte fund. Të paktën në investimet publike. Në krijimin e fondeve. Si arsyetim normal i një ekonomie tregu.
Ka vende më të vegjël se ne, por janë sot në mos superfuqi. Investitorë të pare në investimet e tyre publike. Të konsoliduar.
Kurse ne, fatkeqësisht akoma jo.
Liderët tanë fluturojnë drejt lëmoshës.
Sikur një lubi t’ua e ketë prerë duart shqiptarëve.
I duan të gatshme të gjitha.
Sidomos ky…, I do të gjitha nga Turqia.
Vdesin të marrin ca nga atje.
Për rrjedhojë shqiptarët janë sot aq të turqizuar, sa kanë mbytur veten me ferexhe e mjekra. Nga Tirana, Prishtina, Shkupi etj. Rrugët janë plot të tilla, mjekrra dhe ferexhe.
Dovleti që ia lëroj nënën fustanellës shqiptare. Apo kostumeve që ne mburremi. Eshtë sot më prezent se kurrë.
Me iftarë e falje në sheshe publike. Me dhunën e lirisë së shprehjes. Dhe të të menduarit. Një lloj Turqie erdoganiste, pushtimi i dytë otoman…
Bijë nënash, shqiptarë, mjaft e turqizuat Shqipërinë.

Filed Under: Politike Tagged With: e turqizuat Shqipërinë, Ilir Levonja, Mjaft, shqiptare

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 522
  • 523
  • 524
  • 525
  • 526
  • …
  • 653
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT