• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryeministri Mustafa në Samitin e Liderëve në Paris, kërkon përkrahje për projekte konkrete zhvillimore

July 4, 2016 by dgreca

-Ishin të pranishëm presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë/

Paris, 4 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, po merr pjesë në Samitin e Liderëve të Ballkanit Perëndimor, i cili po zhvillon punimet në Paris.Njoftimi i dërguar sonte thekson se, Kryeministri Mustafa mori pjesë në takimin qendror të Samitit, ku ishin të pranishëm presidenti francez Hollande, kancelarja gjermane Merkel, kancelari austriak Kern, kryeministri italian Renzi, përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Mogherini dhe kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Sllovenisë, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë, Bosnje Hercegovinës dhe Serbisë. Në fjalën e mbajtur, kryeministri Isa Mustafa, ka listuar projektet konkrete zhvillimore për të cilat ka interes të përbashkët në rajon, shprehu përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim me vendet e rajonit si dhe vlerësoi rezultatet që po jep procesi i nisur në Berlin. Të pranishëm në punimet e samitit janë edhe zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Shala, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci. Kryeministri Mustafa foli për proceset eurointegruese të Kosovës, duke përfshirë MSA-në dhe rekomandimin për liberalizim të vizave.“Besoj thellë se është në interes të BE-së që të hapë më shumë mundësi për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE”, tha kryeministri.Kryeministri Mustafa prezantoi edhe proceset konkrete ku ka nevojë për bashkëpunim më të madh ndërmjet vendeve të rajonit si zhvillimi ekonomik, qarkullimi i lirë dhe energjia. 

 Me këtë rast, kryeministri bëri thirrje që Serbia të kryej obligimet dhe të mundësohet funksionalizimi i projekteve moderne në të mirë të të gjitha vendeve të rajonit, siç është transmisioni i energjisë. Kryeministri Mustafa ka listuar një numër të projekteve në fushën e transportit, ambientit dhe energjisë, si linja 10 e hekurudhës që lidh Shkupin-Prishtinën dhe Beogradin, kompletimi i Autostradës 7 që lidhë Shqipërinë me Kosovën dhe me Nishin në Serbi, i cili do të lidhte Detin Adriatik nga Durrësi me korridorin 10 të Rrjetit Evropian. Kryeministri Mustafa foli edhe për punën që po bëhet në përfundimin e Autostradës për Shkup si dhe mundësinë e zgjatjes së pistës së Aeroportit të Prishtinës. Në sektorin e energjisë, kryeministri tha se po punohet në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, në riaftësimin e kapaciteteve ekzistuese si dhe interesimin që të ndërtohen linjat e interkoneksionit me vendet e rajonit. Duke u referuar rritjes ekonomike prej 4 % të Kosovës, kryeministri Mustafa prezantoi punën që po bëhet që këtë vit rritja të jetë edhe më e madhe. “Kemi nevojë të shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për investime më të mëdha, huazime më të volitshme, të cilat do të krijonin kushte të kapërcejmë problemin e papunësisë së lartë sidomos të të rinjve dhe grave”, tha kryeministri duke theksuar nevojën që të mendohet edhe për treg të përbashkët të kapitalit.

 Kryeministri vlerësoi edhe themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim të të Rinjve, si një impuls i duhur që do të krijoj ura të këmbimit dhe bashkëpunimit rinor. 

Në fund, kryeministri Mustafa ka shprehur besimin e palëkundur të qytetarëve të Kosovës në vlerat evropiane dhe në Bashkimin Evropian si familje e popujve. “Duke pas parasysh këtë besim dhe përcaktim popullor, Qeveria e Kosovës është plotësisht e përkushtuar për avancimin e agjendës eurointegruese. Republika e Kosovës beson dhe po punon që të jetë pjesë e familjes evropiane”, tha kryeministri Mustafa.  

Gjatë Samitit të Parisit, kryeministri Mustafa do të takohet me drejtuesit e shteteve të BE-së si dhe homologët nga vendet e rajonit.​

***

Hoxhaj në Samitin e Parisit, BE-ja më e vendosur se kurrë për të ardhmen

Paris, 4 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka marrë pjesë në takimin e ministrave të jashtëm të Ballkanit Perëndimor së bashku me ministrat e Francës dhe Gjermanisë.

Në takimin që është pjesë e Samitit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, Hoxhaj ka folur për sfidat dhe zhvillimet e reja në BE dhe Ballkan pas referendumit në Britani, dhe nevojën që të rimendohet qasje e re.Po ashtu, Hoxhaj ka folur edhe për raportet ndërmjet Kosovës dhe BE-së duke kërkuar heqjen e vizave pas rekomandimit pozitiv muaj më parë, ndërsa ka përmendur edhe dialogun me Serbinë dhe mos implementimin e marrëveshjeve.“Politika jonë e jashtme rajonale mbështetet në paqen, stabilitetin dhe sigurinë. Angazhimi ynë në dialog me Serbinë, me gjithë të kaluarën, është dëshmia më e mirë e këtij dedikimi. Megjithatë ky proces nuk duhet të vazhdoj pafundësisht dhe marrëveshjet duhet të implementohen”, ka thënë Hoxhaj në takim.Më tej, ai ka ngritur shqetësimet për ndërhyrjet gjithnjë në rritje të Rusisë dhe ekstremizmit në rajon, duke kërkuar nga BE-ja që të jetë më e vendosur se kurrë për t’u përballur.

Kryediplomati kosovar ka falënderuar Komisionin Evropian dhe vendet anëtare të BE-së për përkrahjen pasi Kosova është njëra nga tri shtetet e vetme që ka përfituar financimin e një projekti hekurudhor.

Hoxhaj është pjesë e delegacionit të Kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe Samiti në Paris është vazhdimësi e Procesit të Berlinit.

****

Kosova, partnere në një projekt rajonal në Samitin e Parisit

-Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala, në Samitin e Parisit mori pjesë në Konferencën e Rinisë të Ballkanit Perëndimor “Connecting Youth”/

Paris, 4 korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në qeverinë e Kosovës, Kujtim Shala, po merr pjesë në Samitin e Parisit mbi Ballkanin. Ai sot ka marrë pjesë në Konferencën e Rinisë të Ballkanit Perëndimor “Connecting Youth” që organizohet në kuadër të këtij samiti, me  ç’rast do të do të nënshkruhet edhe marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

Ministri Shala në fjalën e tij të rastit në këtë samit, u shpreh se Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka mirëpritur iniciativën për themelimin e Zyrës Rajonale për Bashkëpunim Rinor,  meqë qëllimi kryesor i kësaj është promovimi dhe arritja e pajtimit dhe miqësisë mes popujve të Ballkanit, nëpërmjet bashkëpunimit të rinjve.

Po ashtu, ministri Shala u fokusua te funksioni që duhet të ketë kjo zyre, dhe u shpreh se promovimi i tolerancës, solidaritetit, besimit reciprok, bashkëpunimit social dhe ekonomik, rritja e pjesëmarrjes së të rinjve në jetën shoqërore e politike, shkëmbimin e përvojave në fushën e arsimit, si dhe promovimi i diversitetit kulturor, janë vetëm disa nga detyrat që duhet të arrihen nga kjo zyrë.

Ministri Shala në fjalën e tij i falënderoi edhe dy Qeveritë: atë Gjermane dhe Franceze për ndihmën dhe eksperiencën e ofruar, meqë këto dy qeveri, u shpreh Shala, kanë një bashkëpunim model në këtë aspekt, siç është bashkëpunimi i Zyrës franko-gjermane për 53 vite rresht.

Më tej, Shala shtoi se Qeveria e Kosovës, sikurse deri më tani, do të luajë një rol konstruktiv dhe të përgjegjshëm në frymën e mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, duke përmbushur të gjitha obligimet e dakorduara, që rrjedhin nga obligimet e gjertanishme, si në aspektin financiare, po  ashtu edhe në atë të përfaqësimin në bordin e paraparë, në sekretariat, si dhe përfaqësimin në nivel të vendit.

Në fund të fjalës së tij, ministri Shala u shpreh  se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të mbështesë të rinjtë në përgjithësi dhe do të angazhohet gjithashtu për të mbështetur Zyrën e Bashkëpunimit Rajonal Rinor, dhe shtoi se Kosova është partner në këtë projekt të rëndësishëm rajonal.(Pergatiti:Behlul JASHARI)

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, Kryeministri Mustafa, Samiti i Parisit

Mbyllet samiti në Paris: BE mbetet e angazhuar në Ballkan

July 4, 2016 by dgreca

“Do të mbajmë fjalën dhe do të vazhdojmë të punojmë për stabilitetin dhe sigurinë në Ballkan, ndërsa vendeve të rajonit u themi se procesi i zgjerimit të Bashkimit Evropian vazhdon”, ka thënë presidenti i Francës, Francois Hollande, në mbyllje të samitit për Ballkanin Perëndimor në Paris.

Në konferencën për gazetarë, Hollande ka thënë se shqetësimet e vendeve të Ballkanit Perëndimor se si do të ndikojë te to vendimi i Britanisë së Madhe për të braktisur BE-në, kanë qenë të arsyeshme.

“Ka qenë e rëndësishme të theksohet se vendimi i Britanisë, në asnjë mënyrë, nuk do të ndikojë në angazhimin e BE-së ndaj vendeve ballkanike, në përputhje me kushtet e përcaktuara”, ka thënë Hollande.

Ai ka theksuar se BE-ja është projekt paqeje dhe se të gjitha vendet e rajonit kanë përjetuar luftën civile, nacionalizmin dhe ekstremizmin, andaj “edhe dinë të vlerësojnë paqen”.

Për të lëvizur tutje në procesin evropian, ka shtuar Hollande, është i domosdoshëm zbatimi i reformave, forcimi i sundimit të ligjit, lufta kundër krimit dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal.

Në samitin në Paris, Serbia ka marrë dritën e gjelbër për vazhdimin e mëtejshëm të euro-integrimit. Komisionari për zgjerim i BE-së, Johannes Hahn, ka thënë se Kroacia ka dhënë pëlqimin për hapjen e dy kapitujve të negociatave për anëtarësimin e Serbisë në BE, gjë të cilën e ka kundërshtuar deri më tash.

Hahn po ashtu ka thënë se BE ka vendosur të sigurojë 96 milionë euro për tre projekte të infrastrukturës hekurudhore në Serbi, Shqipëri dhe Kosovë.

Takimi i Parisit pas BREXIT, Hollande dhe Mogherini rikonfirmojnë mbështetjen ndaj perspektivës europiane të rajonit. Miratohen financimet për tre projekte të infrastrukturës në Shqipëri, Kosvë e Serbi. Nënshkruhet marrëveshja për Zyrën rajonale të Bashkëpunimit Rinor.

I mbledhur në një kohë kur për Bashkimin europian dhimbjet e kokës për largimin e Britanisë së Madhe janë ende të forta, takimi i nivelit të lartë me kryeministrat e vendeve të Ballkanit, i treti në vazhdën e procesit të nisur në Berlin në 2014, rikonfimoi me fjalët e aktorëve kryesorë europian se angazhimi për këtë pjesë të Europës nuk është zbehur.

“A e ka ndryshuar perspektivën europiane që u është ofruar vendeve të Ballkanit , vullneti i popullit britanik i shprehur me referendum? Po procedura që do të nisë në vjeshtë mes BE-së dhe Britanisë së Madhe? Po paqartësitë që kanë lindur pas këtij rezultati? Ishte e rëndësishme që të rikonfimonim tepër qartësisht se vendimi Britanik nuk e ka vënë në dyshim angazhimet ndaj Ballkanit”, deklaroi në deklaratën e tij për shtyp në përfundim të takimit presidenti francez François Hollande. “Pse duhet të jemi kaq të qartë? Eshtë nga njëra anë mbajtja e fjalës së dhënë, por edhe për të rikujtuar atë çfarë është Europa”, tha ai duke nënvizuar se “Europa është paqja. Dhe vendet e Ballkanit na kujtojnë thelbin e vetë procesit europian. Ato kanë njohur shpërbërjen e Jugosllavisë, luftrat civile, nacionalizimin dhe ekstremizimin dhe ato e njohin vlerën e paqes”, u shpreh presidenti Hollande. Megjithatë ai saktësoi se rruga është gjithashtu e qartë për të gjithë sipas rregullave të përcaktuara më parë e që duhen respektuar nga vendet e Ballkanit. “Për të shkuar më tej drejt Europës, reformat janë të rëndësishme. Ky është kyshti për të vijuar me këtë perspektivë. Reformat për shtetin e së drejtës, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, rregulla në fushën e drejtësisë dhe bashkëpunimi rajonal”.

Në të njejtën linjë me të dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini. “Para së gjithash zgjedhja e qytetarëve britanikë nuk përfaqëson fundin e Bashkimit Europian. Përkundrazi, qytetarët e Ballkanit Perëndimor shohin te BE-ja një projekt të madh paqeje, zhvillimi ekonomik dhe mundësishë për të rinjtë. Dhe duke e parë BE-në me sytë e të rinjve të Ballkanit, na ndihmon të kuptojmë se çfarë është sot në rrezik, çfarë do të humbisnim nëse nuk do të rizgjonim projektin europian siç po bëjmë këto javë”, u shpreh ajo duke saktësuar se “mesazhi që kemi për miqtë tanë të Ballkanit është se BE-ja është aty, mbetet e fortë, mbetet fortësisht e interesuar për procesin e zgjerimit në Ballkan dhe punon çdo ditë me secilin vend për të menaxhuar flukset e emigracionit, ato të refugjatëve, parandalimin e terrorizmit, zhvillimin e rrjeteve të ndërlidhjes për ekonomitë tona, dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, u shpreh zonja Mogherini.

Takimi i Parisit bëri një vlerësim të ecurisë së projekteve të mbështetura në Samitin e Vjenës, ku u miratuan 10 projekte të ndërlidhjes rajonale (6 në infrastrukturën rrugore e 4 në infrastrukturën energjitike). Në deklaratën përfundimtare të takimit theksohet se “projektet e investimeve të miratuara në Vjenë duhet të vihen në zbatim pa vonesa. Pjesmarrësit mirëpritën faktin se disa nga këto projekte mund të inaugurohen gjatë këtij viti”. Po ashtu, u miratuan dhe 3 projekte të reja, ndër të cilat njëri lidhet me Shqipërinë, me rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit hekururdhor Tiranë – Rinas, me një vlerë investimi 81 milionë Euro, nga të cilat, 35 milionë euro do të jepen si grant nga WBIF (Korniza e Investimeve në Ballkanin Perëndimor). Dy projektet e tjera lidhen me Serbinë, me modernizimin e hekurudhës Nis-Dimitrovgrad-kufiri me Bullgarinë, përmes një granti 44 milionë eurosh, dhe me Kosovën, për rehabilitimin e Hekurudhës Fushë-Kosovë-Mitrovicë, që do mbështetet me një grant 17 prej milion eurosh.

Ndërkohë, projekti i Gazsjellësit Adriatiko-Jonian është paraqitur si një projekt rajonal në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor, dhe do të mbështetet financiarisht nga BERZH-i studimi i fizibilitetit me 3,5 milionë Euro. Po në fushën e energjisë, sipas Deklaratës përfundimtare, është prezantuar dhe “një nismë për rritjen e investimeve për efikasitetin e energjisë lidhur me ndërtesat e banimit dhe zhvillimin e qëndrueshëm, falë një financimi shtesë të BE-së prej 50 milion eurosh. Në këtë rast bëhet fjalë për një program i cili synon të identifikojë rrugët më të mira për zhvillimin e potencialit hidroenergjitik të rajonit”, ndërkohë që është rënë dakort për “një hartë rruge që do të çojë drejt krijimit të një tregu rajonal të energjisë”.

Një nga vendimet e takimit, i nënvizuar si “një hap i rëndësishëm për mbylljen e plagëve të së kaluarës” e i përshëndetur në mënyrë të veçantë dhe nga presidenti Hollande, ishte nënshkrimi nga vendet e rajonit të marrëveshjes për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor një nismë e kryeministrave të të Shqipërisë dhe Serbisë, bazuar në modelin franko-gjerman të pas Luftës së dytë Botërore. Objektivi i Zyrës do të jetë “mbështeja e aktiviteteve që promovojnë ripajtimin mes popujve, si dhe të programeve mbi diversitetin, shkëmbimet ndërkulturore, pjesmarrjen qytetare dhe promovimin e velrave demokratike”. Vendet e rajonit do të kontribuojnë me një total prej 1 milion eurosh për funksionimin e Zyrës Rajonale, ndërkohë që 1 milion euro të tjera do të ofrohen nga BE-ja.

Filed Under: Rajon Tagged With: BE mbetet e angazhuar, ne Ballkan, Samiti i Parisit

Përfundoi qetë protesta në Kumanovë, Drejtësi për Almirin

July 4, 2016 by dgreca

Ka përfunduar qetë protesta në Kumanovë, ku disa mijëra qytetarë nga ky qytet, por edhe nga vende tjera të Maqedonisë kërkuan drejtësi për vrasjen e fëmijës 4-vjeçar Almir Aliu nga një bashkëqytetar maqedonas. Protestuesit porositën se “nëse nuk funksionon sistemi, qytetarët mund ta marrin në duart e veta drejtësinë”.

Në fund të protestës, që u përmbyll para gjykatës në Kumanovë, u lexua edhe mesazhi i organizatorëve.

“Fajtori duhet të dënohet në përputhje me Kushtetutën dhe me kodin penal të Maqedonisë.

Vrasësi i Almirit i njohur për Policinë, krenohej me krimet që bënte/

Vrasësi i Almirit 4-vjeçar, Boban Iliq nga Kumanova, ka qenë i njohur për policinë lokale dhe disa herë ka shkelur ligjin, kurse këto incidente që i ka shkaktuar i ka “reklamuar” në Facebook si “trimëri” dhe është krenuar me to.

Portali Telegrafi.com ka publikuar dy nga postimet e maqedonasit 30-vjeçar, ku lavdërohet me bëmat kriminale.

I kishte bërë krimet, e kur publikoheshin veprat e tij si lajme nëpër portale ai i shpërndante dhe ishte i lumtur, e shpesh edhe komentonte.

***

”Kanë filluar të më nxjerrin edhe nëpër lajme” shkruante mbi lajmin ”Shoferi i dehur e ka ofenduar policin”.

Iliq është në paraburgim 30 ditë, Almiri u varros të shtunën, ndërsa familja dhe opinioni i gjerë publik në Maqedoni, jo vetëm ai shqiptar, kërkojnë dënim maksimal, që mund të jetë burg i përjetshëm.

Filed Under: Rajon Tagged With: 4 vjecar, Protesta, vrasja e Almirit

Ministri i Jashtem Hoxhaj në New York, kërkon njohjen nga Greqia, Izraeli, Singapori dhe Sudani i Jugut

July 2, 2016 by dgreca

Gjatë qëndrimit në New York, ministri Hoxhaj ka takuar përfaqësuesit e më shumë se 15 shteteve të akredituara pranë OKB-së me agjendë lobimi dhe anëtarësimi në organizata/

NEW YORK, 2 Korrik 2016-Gazeta DIELLI/ Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj ka vazhduar takimet me diplomatë në New York. Përveç takimeve me përfaqësues të shteteve që e kanë njohur pavarësinë, ministri Hoxhaj ka takuar edhe diplomatë të shteteve që nuk e kanë pranuar ende pavarësinë e Kosovës.Në takime me përfaqësuesen e Greqisë, Catherina Boura, me ambasadorin e Izraelit, Danny Danon, të Sudanit Jugor, Joseph Moum Majak Ngor, të Singaporit, Karen Tan, kryediplomati Hoxhaj ka shtruar çështjen e njohjes dhe nevojën që këto vende t’i bashkohen listës prej 111 shteteve që e kanë marrë këtë vendim.

“Ka një gatishmëri në rritje të shteteve hezituese për ta njohur Kosovën. Duhet të punojmë edhe më shumë në këtë drejtim. Njohjet nga Greqia dhe Izraeli do të ishin jashtëzakonisht të rëndësishme për Kosovën në shumë drejtime pasi të dyja vendet kanë ndikim dhe shtrirje të ndryshme gjeografike”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj po ashtu ka takuar edhe ambasadorin e Francës, François Delattre, të Italisë, Sebastiano Cardi dhe Finlandës, Kai Sauer, të cilëve u ka kërkuar të përdorin ndikimin e tyre tek vendet mosnjohëse. Temë qendrore e diskutimit ka qenë koordinimi me partnerët ndërkombëtar i anëtarësimit në disa organizata me rëndësi ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në New York, ministri Hoxhaj ka takuar përfaqësuesit e më shumë se 15 shteteve të akredituara pranë OKB-së me agjendë lobimi dhe anëtarësimi në organizata./b.j/

Filed Under: Rajon Tagged With: Hoxhaj, Izraeli, Kerkon njohjen e Kosoves, nga Greqia, Singapori, Sudani

Ambasadorja Kadare i paraqet letrat kredenciale Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së

July 1, 2016 by dgreca

Ambasadore në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, tani është znj. Besiana Kadare, vajza e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare/
Nga Beqir SINA New York/
UNITED NATIONS NY: Pëfaqësuesia e Përhershëme i Shqipërisë, në OKB, thuhet në një njoftim në faqen zyrtare të Sekretarit të Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, nga “Pallati i Qelqtë” në New York, ku ajo paraqiti më 30 Qershor letrat kredenciale.
Në njoftimin e saj, zyra për shtypin e Ban Ki-moon, shkruan duke postuar edhe dy fotografi nga cermonia e dorzimit të letrave kredenciale se Znj. Besiana Kadare, tashmë është përfaqësuesia më e re e Misonit të Përhershëm i Republikës së Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, mbasi ajo i paraqiti kredencialet e saj tek Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-moon.
Ambasadorja e Shqipërisë në Organizatën e Kombeteve të Bashkuara, e ka marrë detyrën e re në OKB – New York, mbas largimit të Ambasdorit Ferit Hoxha .
“Çfarë kënaqësie dhe privilegj të përfaqësosh Shqipërinë në OKB”, shkroi znj. Besiana Kadare, pas këtij takimi, duke postuar edhe fotografinë e ceremonisë së dorzimit të kredencialve, në rrjetet sociale Facebook dhe Tweeter.
Shtypi shqiptar shkruan se Sqipëria mbushi vitin e kaluar 60- vjet si anëtare e organizatës më të madhe të botës dhe ardhja e ambasadores së re përkon me fillimin e përgatitjeve për Debatin e Përgjithshëm të Sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme në New York, më 23 Shtator.
Znj. Besiana Kadare, ka një CV të pasur në diplomacinë shqiptare. Ajo ka qenë pjesë e misionit të OKB-së në New York, në vitet 2002-2005, ndërkohë, që ka mbajtur postin e ambasadores në Francë dhe në UNESCO.
Ajo zëvendëson në këtë detyrë, Ambasadorin Ferit Hoxha, që e mbylli me sukses mandatin e tij gati gjashtëvjeçar, në nëntor, të vitit të kaluar.
Ambasadorja Kadare ka marë pjesë tashmë në një numër votimesh të rëndësishme përfshi edhe ato për vendet e reja anëtare të Këshillit të Sigurimit për vitet 2017 dhe 2018, si dhe në votimin për Presidentin e ri të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për Sesionin e saj të 71-të, thuhet në njoftimin zyrtar.
besiana-kadare.jpg

Filed Under: Rajon Tagged With: Ambasadorja Besiana Kadare, edhe me Ban ki Moon, letrat Kredenciale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 109
  • 110
  • 111
  • 112
  • 113
  • …
  • 203
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Koha, Barazia dhe Urtia, kundër-rendi ndaj pushtetit të vonesës dhe shterimit të emergjencës!
  • Anton Çehov, mjeku që u bë gjeni i novelës, që u rrit me kamxhikun e të atit dhe varfërinë e familjes
  • Rileximi i Ernest Koliqit: Një udhëtim zbulese
  • NJË LETËRKËMBIM MES SULLTAN MEHMETIT DHE SKËNDERBEUT
  • Parashqevi Qiriazi, e vërteta historike
  • Rauf Fico – Diplomacia shqiptare si kulturë shtetërore, ndërgjegje morale dhe vizion europian
  • Me rastin e 102-vjetorit të ndarjes nga jeta, nderojmë jetën dhe veprën e Woodrow Wilson, Presidentit të 28-të të Shteteve të Bashkuara të Amerikës
  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT