Presidenti Thaçi vizitoi Bashkinë e Tiranës, thotë se kryeqyteti shqiptar është modernizuar shumë/
Shkodër, 4 tetor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur sot qytetar nderi i Bashkisë së Shkodrës. Me propozimin e të parës së Shkodrës, Voltana Ademi, ky titull iu nda sot presidentit Thaçi në një ceremoni solemne para këshillit bashkiak. Presidenti Thaçi u shpreh mirënjohës për ndarjen e këtij titulli nga Bashkia e Shkodrës.
“Ky titull mund të konsiderohet si një tjetër dëshmi e lidhjes së ngushtë shpirtërore që ekziston mes Shkodrës dhe Kosovës. Një lidhje e fortë tradicionale që e ka zanafillën tek rrugët e lashta tregtare mes Shkodrës, Pejës dhe Gjakovës. Një lidhje që është ujitur me gjakun e derdhur nga Isa Boletini me shokë, të cilët erdhën këtu në mbrojtje të Shkodrës dhe që u dëshmua më së miri edhe me dyert e panumërta të shtëpive bujare shkodrane të hapura për refugjatët kosovarë gjatë luftës”, ka thënë presidenti Thaçi. Ai ka thënë se kontributi i Shkodrës për botën shqiptare është i pallogaritshëm.
“Kjo trevë e juaja është karakterizuar me atdhedashurinë dhe trimërinë. Nuk është aspak rastësi që Komiteti ‘Mbrojtja Kombëtare e Kosovës’ u vendos pikërisht në Shkodër, duke u mbledhur në një ndërtesë disa dhjetëra metra larg prej këtu”, ka thënë ai.
Me kulturën e pasur dhe hapjen ndaj perëndimit, presidenti Thaçi ka thënë se Shkodra e ka mbajtur të pashuar lidhjen shpirtërore me Evropën.
Presidenti Thaçi ka thënë se titullin “Qytetar nderi i Shkodrës” e pranon me përulësi dhe mirënjohje të madhe.
“Faleminderit për nderin e bërë dhe mikpritjen e ngrohtë!”, ka thënë ai.Para ceremonisë bashkiake për dhënien e titullit “Qytetar nderi i Shkodrës”, i cili presidentit Thaçi iu nda për rolin dhe kontributin e tij për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe për angazhimin dhe kontributin e tij për paqen dhe stabilitetin në rajon, ai dhe kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi, kanë mbajtur edhe një takim të përbashkët, ku kanë diskutuar për thëllimin e bashkëpunimit të Shkodrës me komunat e Kosovës.Në fund, presidenti Thaçi dhe e para e Shkodrës, Voltana Ademi, kanë vendosur kurora lulesh edhe te shtatorja e Shën Terezës, Luigj Gurakuqit dhe Isa Boletinit në Shkodër.
***
Presidenti Thaçi vizitoi Bashkinë e Tiranës, thotë se kryeqyteti shqiptar është modernizuar shumë/
Tiranë, 4 tetor 2016 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka vizituar Bashkinë e Tiranës, ku është pritur nga kryebashkiaku Erion Veliaj.Presidenti Thaçi e ka përgëzuar kryebashkiakun Veliaj për punën dhe angazhimin e tij për Tiranën e re.“Me punë dhe energji të reja jeni duke e bërë Bashkinë e Tiranës shembull për të gjithë shqiptarët. E keni ndryshuar dhe modernizuar edhe më shumë”, është shprehur presidenti Thaçi.Ndërkaq, kryebashkiaku Veliaj e ka njoftuar presidentin Thaçi për punën e tij, për mbledhjen e përbashkët të komunave shqiptare dhe për planet e tij për emërimin e një rruge në Tiranë me emrin “Rruga e UÇK-së”.“Jemi duke punuar në mbi 100 vende në Tiranë. Po përpiqemi që me projekte të ndryshme të krijojmë hapësira publike për qytetarët. Po qëndrojmë larg politikave të mëdha dhe jemi përqendruar më shumë në asfaltim, parqe dhe projekte që përmirësojnë jetesën e qytetarëve, sepse është mire të jemi shqiptarë, por edhe më mirë është të jetojmë mirë si shqiptarë. Kur jetojmë mirë, jemi më të mëdhenj”, ka thënë kryebashkiaku Veliaj.Gjithashtu, Veliaj ka treguar se ka marrë bekimin e presidentit Thaçi për mbledhjen e përbashkët të komunave shqiptare, e cila, sipas tij, vjen si nevojë për të thelluar bashkëpunimin konkret dhe jo për t’u marrë me folklorizëm.Presidenti Thaçi dhe kryebashkiaku Veliaj kanë diskutuar edhe për shtrirjen e bizneseve kosovare në Tiranë dhe për diasporën shqiptare në përgjithësi.
Dritero Agolli, Thaçit: Kosova do ecë aq përpara sa do të çuditeni
Gjatë vizitës së tij në Tiranë, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi zhvilloi një vizitë të posaçme në shtëpinë e shkrimtarit Dritëro Agolli, të cilit i dorëzoi medaljen “Urdhri i Pavarësisë”, për kontributin në pavarësinë e Kosovës. Presidenti Thaçi e falënderoi shkrimtarin Agolli që u bë frymëzim për të gjithë për lirinë e Kosovës edhe kur të tjerët shpresuan pak. Shkrimtari Dritëro Agolli tha se Kosova u ka të gjitha mundësitë që në një të ardhme të afërt t’ia kalojë të gjitha vendeve. “Gjithmonë do përpiqem që të luftoj, të punoj për ngritjen lart të Kosovës. Keni përgatitur kuadro në të gjithë fushat, emigrimi ka bërë mirë. Ju kini shumë kuadro në fushën e mjekësisë të organizimit ekonomik, të kulturës. Keni një tokë të pasur. Do të ecni aq përpara sa do të çuditeni”, tha shkrimtari Agolli. Ndërsa kryeministri Thaçi u shpreh: “Keni bërë atë që të tjerët nuk e kanë bërë për Kosovën. Keni shpresuar në lirinë e Kosovës kur të tjerët pak shpresuan. Keni qenë frymëzim për të gjithë ne”