• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TIÇINO – OSE GJERDANI I PERLAVE TË ZVICRËS JUGALPINE

September 30, 2014 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ dhe SKËNDER BUÇPAPAJ/
Për ta mbajtur të pashlyeshme në kujtesë si pamje nga më mbresëlënëset, do të ishte e mjaftueshme që ta vështrosh nga avioni. Por që ta përjetosh këtë bukuri, ta kuptosh filizofinë e fatit të saj, edhe kur ka qenë në vetmi të plotë e në harresë të plotë, edhe kur ka qenë në qendër të plotë të vëmendjes, derisa është shndërruar në nyjën zvicerane të Evropës, kërkohet një itinerar tjetër i veçantë, një kohë e një përkushtim i veçantë.
Tiçinon e kemi kundruar me kërshëri siç është i imponuar vetiu çdokush gjatë rrugës për në Itali ose kthim. Nuk do të mjaftonte gjithsesi as ndonjë shërbim i shkurtër që ne kemi pasur këtu. Prandaj ne do t’ia kushtojmë një javë të tërë kantonit në jug të Alpeve, si gjithnjë, në kuadrin e partneritetit që ka shoqata jonë e gazetarëve, APES. Këtë mundësi na e krijoi Swiss Tourismus.
Ne jemi duke shkruar një libër me reportazhe për Zvicrën, qytetarë të së cilës edhe jemi. Konfederatën Helvetike e shohim me optikën e gazetarëve me rrënjë shqiptare, duke krahasuar burimet e tokës amtare me mospërdorimin ose keqpërdorimin e tyre. E sjellim Zvicrën si një model tokësor, produkt i kujdesit të dorës së njeriut dhe shtetit – çka është në antitezë të plotë me nga i kemi rrënjët.
Udhëpërshkrimet, si ato që anojnë më shumë drejt publicistikës, apo edhe ato që janë më afër prozës artistike rëndom kanë kompozicion drejtvizor. Ne, për hir të krijimit të një tabloje sa më të qartë tredimensionale, në rrafshin vertikal, horizontal dhe në rrafshin e përditshmërisë jetësore, do të jemi të detyruar ta ndërthurim linearitetin me retrospektiva dhe perspektiva, me kthime në të ardhmen dhe me arratisje në të shkuarën, gjithnjë me pikënisje nga përjetimet tona të drejtpërdrejta në terren.

GOTARD(GOTTHARD) – ATJE KU LINDI ZVICRA, BURON EDHE TICINO

Në udhëtime të tilla shumëditëshe aleat i pazëvendësueshëm sa dhe i paparashikueshëm është moti. Shërbimet meteorologjike, pas një dite të parë me mot të mirë, na premtonin mot të paqëndrueshëm gjatë gjithë pjesës tjetër të javës. Prandaj organizatorët e udhëtimit tonë na këshillonin të merrnim me vete pajisje që na mbronin nga shiu dhe nga të ftohtët. Kryeneçësitë e motit, fatmirësisht do të ishin me ne, ditën e parë të udhëtimit do të na shoqëronte një mot i paqëndrueshëm, ndërsa në ditët e tjera, pothuajse gjatë gjithë kohës do të na shoqëronte moti i qëndrueshëm, dmth dielli, sa që shoqërueset tona na thoshin, hej na prutë diellin. Na shoqëronin dhe pyjet.
Ngado që shkonim me ne ishin pyjet, masivet e pafundme të tyre. Ngado të hedhësh vështrimin ndeshesh me ngjyrën e gjelbër, të nuancave me laryshi të paparë. E gjelbra është ngjyra e harmonisë, ekuilibrit, rritjes dhe rinisë.Territori i Zvicrës mbulohet 30 % prej pyjeve që do të thotë se banorët thithin oksigjen pa kursim.
Pasi ndalemi në stacionin e trenit në Göschenen, ne marrim trenin rajonal për në Andermatt. Ky emërvend është formuar nga ‘an der Matt’ dhe ka kuptimin ‘Telivadhi’. Këtu, ndoshta më shumë se kudo, na shfaqet zanafilla e infrastrukturës që e karakterizon Zvicrën, infrastruktura të cilën e ndërtoi Zvicra dhe e cila e ndërtoi, në përkryerjen e saj, Zvicrën, e bëri Zvicrën atë që është.
Nga një urë në një tunel, nga një tunel në një urë – pejzazhe mahnitëse që kanë autorësinë nga dora e njeriut, ngulmin, zellin, durimin, përkushtimin, shpirtin krijues gjenial të tij. Ura, tunele dhe rrugë krejt të reja; ura, tunele dhe rrugë krejt të vjetra e relativisht krejt të vjetra, të tjera me destinacione të ndryshuara, për përdorime të larmishme praktike, të tjera thjesht tashmë me funksione muzeale.
Përzierja më karakteristike e muzealitetit me realitetin e gjallë, realitetin në zhvillim deri në fantazinë më futuriste është pikërisht këtu ku do të kemi ne cakun e parë të udhëtimit, këtu ku pikëtakohen dhe pikëndahen, mbështillen në një lëmsh mahnitës të pafund dhe çmbështillen e shpalosen në një bukuri mahnitëse e befasuese të pafundme, malet vigane, diku sapo të liruar nga bora, diku ende me lara bore edhe në këtë mesgushtit, shpatet, majat dhe qafat, grykat e maleve, lumenjtë, theqafjet e lumejve, vorbullat e tyre marramendëse, rrugët e dikurshme të këmbësorëve, rrugët e mëvonshme të kuajve, rrugët e mëvonshme të qerreve, rrugët e mëpastajme automobilistike njëkalimëshe, të pashtruara, të shtruara me kalldrëme, tunelet e hershme, tunelet e mëvonshme, deri tek rrugët e gjera, tunelet e panumërta secili më rekord se tjetri në gjatësi, gjerësi dhe në përkryerje, urat që kalërojnë nga njëri mal tek tjetri, që hyjnë dhe dalin nga njëri tunel tek tjetri në një pafundësi të pashoqe.
Dhe po aq mrekullisht këtu ndërthuret, mbështillet, çmbështillet e shpaloset, nyjëtohet, çnyjëtohet dhe zhdërvillohet historia e jetës së njerëzve të parë të këtyre anëve e përzier dhe e zbukuruar me historinë e jetës së ardhësve të mëpasmë me historinë e ngjizjes dhe të lindjes së Zvicrës, konsolidimit dhe fuqizimit të Zvicrës, lartësimit dhe përparimit të pandalshëm të Zvicrës si realitet origjinal, unik, me rëndësi përherë më të madhe e më të ndjeshme evropiane dhe botërore.
Teufelbrücke – Ura e Djallit
Simboli më domethënës, ku mpleksen dhe shndërrohen mes tyre mitologjia me realitetin është Teufelbrücke – Ura e Djallit, në dukje një motërzim i motiveve me ura dhe me kështjella.
Nga fundi i mijëvjeçarit të parë, në rajonin Ursental (Lugina e Arinjve), ku ndodhet dhe Andermatti, u ngul një popullsi kelte Walser. Sipas gojëdhanës, banorët vendosën të ndërtonin një urë në Schölenen, mbi lumin e ndërkryer Reuss. Por ata nuk dinin si ta ndërtonin, prandaj thirrën në ndihmë djallin. Sapo ia kishin shqiptuar emrin, djalli iu shfaq kundruall tyre dhe u pajtua ta ndërtojë urën. Me një kusht të vetëm – njeriu i parë që do të kalonte mbi urë do t’i përkiste atij. Ata pranuan dhe ditën e tretë ura mbaroi së ndërtuari. Nga ana tjetër e ujit rrinte i ulur djalli, në pritje të njeriut të parë që do të kalonte urën. Banorët urnas filluan ta pleqërojnë vendimin. Një i zgjuar i këshillloi ta dërgojnë tek djalli një cjap. Djalli u tërbua dhe deshi të marrë një gur sa një shkëmb në Göshenen për ta hedhur mbi urë. Ai e ndali turrin, sepse pa një plakë të zgjuar, e cila po gdhendte një kryq në gur. Sapo djalli pa kryqin, u step dhe pastaj iku me të katra pa e prekur gurin. Prej atëherë ai nuk u shfaq më në rajon. Ura e Djallit shënoi rritjen e madhe të trafikut në të dyja anët e Gotardit. Brenda shekullit do të bëhej e mundur që Alpet t’i kalonin kuajt e ngarkuar me mall. Rajonit do t’i jepej pavarësia politike nga Mbreti Wenzel, me qendër në Frankfurt mbi Majn. Nga fillimi i Shekullit XV vendosej për herë të parë shërbimi i rregullt i korrierëve. Në fillim të Shekullit XVIII do të hapej tuneli i parë në vijim të urës së Djallit, çka do t’i jepte një hop tjetër qarkullimit të njerëzve dhe mallrave. Kjo do të krijonte mundësinë për të ndërtuar rrugën e parë të mirëfilltë për të kaluar mbi Gotard me kuaj dhe më vonë edhe me qerre.
Për në Schölenen, gryka malore më e famshme dhe më kundërthënëse e Zvicrës, do të na prijë udhërrëfyesja jonë, zonja Marja Nieuwveld, e zyrës së turizmit të Rajonit të Shën Gotardit në Andermatt. Do të kalojmë nëpër tunelin ushtarak, i cili vetëm kohët e fundit është vënë në shërbim të vizitorëve. Matanë tunelit do të na shfaqet ura e Djallit, simbolikisht nëna e urave, ura e urave të Zvicrës dhe të kontinentit. Të gjitha versionet e urës, nga ai i pari deri tek përfundimtari janë ruajtur si objekte muzeale turistike. Aty janë edhe gjurmët e rrugëve të dikurshme në të dyja anët e lumit. Ndërtimi i urës ishte hapi i parë i zhvillimit të Andermatit. Ura do të frymëzonte ndërtimin e tunelit të parë të Zvicrës. Ai do të realizohej duke përdorur barutin e armëve. Do të ishte tuneli i mijëra e mijëra tuneleve të Zvicrës. Gjersa, më 1882, do të ndërtohej Tuneli i Gotardit, midis Göschenen në veri dhe Airolos në jug, çka do të bënte të lulëzonte tregun midis dy anëve të Alpeve, ndërtimin e urave e tuneleve të tjera gjithnjë e më moderne dhe më madhështore duke i dhënë shtytje zhvillimi Zvicrës dhe krejt Evropës.

Në atë kohë, shkrimtari zviceran Carl Spitteler (Nobel, 1919) duke e quajtur tunelin e Gotardit Porta e Alpeve, do të shprehej se kjo portë kishte qenë gjithmonë aty, por natyra e kishte fshehur çelësin e saj, gjersa atë çelës ta gjente njeriu. Ne kalojmë si sfidë nëpër Urën e Djallit dhe nëpër tunelin matanë, edhe ai objekt muzeal. Poshtë urës rrjedh lumi Reuss. Po të nis një mesazh me shishe prej Reuss-it, ju e merrni në Rhein, Bazel, na thotë Marja. Bile shishja me mesazh shkon deri në Rotterdam, Detin e Veriut, prej nga vjen ajo.

SUWOROW DENKMAL & FRANZOSEN-PLATZ – MEMORIALI SUVOROV DHE SHESHI I FRANCEZËVE

Por nuk mund të arrish tek Ura e Djallit pa kaluar nga një monument i gëdhendur në zemër të malit shkëmbor, ku u djallos emri dhe fama e pashkelur dhe e pandotur gjer atëherë, e gjeneralit më të shquar rus, Aleksandër Suvorov. Këtu do të shënohej përsëri fati i Evropës. Suvorov, në kuadrin e aleancës ruso-gjermano-austriake për t’iu kundërvënë fushatës ushtarake franceze, arriti këtu nga Alpet në shtator të vitit 1799 me 21 000 trupa. Francezët do ta hidhnin në erë urën. Suvorov do të përpiqej ta rindërtonte atë me mjete rrethanore, duke përdorur deri rripat e brezit të ushtarëve, por ata do të korreshin, me mijëra e mijëra. Suvorov, me një të tretën e trupave, do të kthehej në Moskë, ku do të pritej me nderime te mëdha dhe do të vdiste disa muaj më vonë, duke mbyllur karrierën e tij 40 vjeçare, me pjesëmarrje në shtatë luftëra, në komandë të 62 betejave, të gjitha të kurorëzuara me fitore, përveç asaj që u zhvillua tek Ura e Djallit. Pikërisht këtu ndodhet Sheshi i Francezëve – Franzosen-Platz pranë një tabloje lufte ku në një pllakë ngjyrë të kaltër që ne e fotografuam midis të tjerave shkruhet: ky vend i thjeshtë dhe tabloja e madhe e betejës për shkak të Teufelsbrücke nderojnë kujtimin e ushtarëve francezë të Gjeneralit Lecourbe, të cilët dhanë jetën në betejën kundër rusëve më 25 shtator 1799. Ky sheh u inagurua më 25 Shtator 1999, 200 vjet më vonë.

GOTTHARD OSE ZEMRA E ZOTIT DHE GOETHE

Zonja Nieuwveld, shoqëruesja jonë me të cilën patëm një sintoni magjike, ndofta e ardhur nga dehja që patëm prej pastërtisë të ajrit me të cilën mbushnim mushkëritë, na thotë se, si udhërrëfyese e kushedi e sa vizitorëve të huaj, parapëlqen të shpjegojë në mënyrën e saj etimologjinë e fjalës Gotthard (nga emri i shenjtorit katolik, mbrojtës i tregtarëve). Sipas saj, ajo shpjegohet me Zemra e Zotit. Ajo ngulmon në këtë shpjegim nisur edhe nga fakti që Zvicra është në zemër të Evropës dhe vetë e ka përafërsisht në hartë pikërisht formën e Zemrës.
Një emër tjetër i lidhur me këtë zonë është ai i poetit të madh gjerman Johann Wolfgang von Goethe. Poeti ishte si i shtëpisë në Andermatt dhe në zonën e Shën Gotardit. Në qendër të qytetit mbi muret e një ndërtese është shkruar përshtypja e tij për Andermatin: “Mir ist’n unter allen Gegenen, die ich kenne, die liebste und interessanteste.” Që pak a shumë do të thotë në shqip: “Unë kam parë shumë vende në jetën time, por ky vend është më i dashuri dhe më i këndshmi në botë.” Në librin e tij “Mythos Gotthard – Wass der Pas bedutet” (Miti Gotard – Cili është kuptimi i Qafmalit) Helmut Stadler shkruan se Goethe erdhi këtu katër herë. Më 1775 poeti vinte këtu për të shëruar dhimbjen e ndarjes nga 16 vjeçarja Elisabeth Schönemann, bijë e një bankieri frankfurtas, e njohur me emrin Lili. Më 22 qershor poeti ishte në Qafmalin e Gotardit. Në shënimet e tij e quan një vend ku gjenden drejtpeshimet e humbura shpirtërore. “Kalimi mbi këtë Qafmal është ngjarje ekzistenciale. Është një kapërcim në kuptimin e vërtetë të fjalës, është një përjetim tranzitor. Ai shënon një shndërrim të plotë, një metamorfozë, një katarsis, një përmbushje, një fillim të ri dialektik. Ky Qafmal ndan të kështushmen nga e atjeshmja, të mëparshmen nga e pastajmja dhe këto nga njëra-tjetra.” Poeti vjen këtu më 1779. Udhëtimi i tij përfundon këtu, sikurse i pari. Edhe i treti, më 1786. Vetëm në udhëtimin e katërt, më 1797 ai e realizon synimin e tij për të shkuar në Itali. Poeti do të shndërrohej në një nga sinonimet e mitit të Gotardit, kultit të Gotardit. Poeti e kalëron, sikur edhe ne dy shekuj e ca pas tij, Teufelbrücke. Nën ndikimin e Goethes, miku i tij Friedrich Schiller, pa qenë kurrë në Zvicër, do ta vendoste në këto male dramën e tij “Wilhelm Tell”. Në poezinë “Kënga e malit” (Bergslied), Schiller do t’u këndonte “katër lumenjve që burojnë këtu dhe marrin katër rrugët e botës. Dhe pasi përshëndeten me nënën, të sapolindur ndahen për të mos u takuar kurrë më përjetë.”
Ne shkojmë edhe në hotel restorantin ku shkonte poeti, pimë kafe edhe në lokalin ku ai e pinte kafen. Pastaj vizituam muzeun, kishat, bëmë shëtitje në qytet. “Bora këtu vjen në tetor dhe shkrin vetëm në qershor, nga thotë Marja. Dhe fryn vazhdimisht, për shkak të grykave të shumta të maleve mes të cilave është qyteti. Sipas meje, na thotë Marja, nuk është e drejtë kur thonë ‘mot i mirë’ apo ‘mot i keq’. Moti është i ndryshueshëm, i ndyshëm, por gjithmonë është i mirë.”

DREJT QAFËS SË GOTARDIT-GOTTHARD-PASS

Udhërrëfyesja jonë do të na përcjellë tek stacioni dhe ne me autobuzin e Postës do të marrim udhën për në Qafën e Gotardit, Gotthard-Pass. Rruga gjarpëron mes gjelbërimit të Alpeve. Autobusi i bie borisë në çdo kthesë të vështirë. Ashtu si bëjnë edhe në Alpet e Shqipërisë. Bimësia që shikojmë matanë dritareve vjen e bëhet gjithnjë e më e ulët, shfaqen shpate malesh të veshura me shkurre, kryesisht të familjes së atyre që ne i quajmë dëllinja të bjeshkëve, derisa vendin e tyre e zënë kullotat e mirëfillta alpine. Kjo është rruga më e gjatë që e lidh Zvicrën e mbialpeve me Zvicrën e nënalpeve, pra me kantonin e Tiçinos. Anës rrugëve ndërtesa gjithnjë e më të rralla, të vogla për t’iu ardhur në ndihmë automjeteve dhe udhëtarëve. Ka edhe nga ato më të vjetrat, që nuk i shërbejnë më askujt, përveçse kujtesës së një kohe kur vendin e autobuzit të Postës e zinin pajtonët e postës.
Arrijmë në Qafën e Gotardit. Këtu lartësia mbi nivelin e detit shënon 2100 metra. Si riliev, kush e njeh, të kujton Bjeshkët e Nëlta të Tropojës. Ne zëmë vend shpejt e shpejt në hotelin “Shën Gotthard”dhe nxitojmë për në Muze. Është ora kur vizitorëve iu shfaqet dokumentari për mitin e Gotardit. Në qendër është ndeshja e Shën Gotthardit me djallin, ku fitimtar del gjithmonë i pari, por ku i dyti asnjëherë nuk zhduket, madje i rri gati ndaj çdo mungese të vëmendjes. Dokumentari mbyllet pikërisht me porosinë: Ejani, kënaquni me bukuritë e kësaj zone, ju mbron Shën Gotardi, por mos harroni se asnjëherë nuk iu dihet prapësive të djallit.
Pasi ndjekim dokumentarin, me një grup vizitorësh të tjerë, shohim muzeun kushtuar kësaj zone. Dalim pastaj për të bërë një shëtitje rreth e rrotull, tek përmendorja e pilotit të rënë për Atdheun, tek shtatorja e shenjtores së panjohur, përgjatë brigjeve të liqenit të Qafës së Gotardit, ku janë vendosur një numër kamperash. Ndërkohë grumbullohen gjithnjë e më dendur mjegullat dhe fillon shiu i cili bëhet gjithnjë e më i furishëm.
Automjetet që vijnë dhe shkojnë i mbajnë dritat e ndezura. Mjegullnajë tipike. Vendosim të shkojmë në restorant për të ngrënë darkën tonë, edhe kjo një meny tipike shoqëruar me verë Tiçineze. Nga dritaret shikojmë se pamja ka zënë të kthjellet dhe mjergulla nuk dihet se ku ka ikur. Turistët lëvizin pa çadra. Dalim të bëjmë shëtitjen e pragmbrëmjes. Por një mjegullnajë gjigante nga gryka e veriu po zbret teposhtë për në lugina, ndërsa nga jugu po ngjitet një tjetër mjegullnaje. Në shpatinat e majëmaleve alpine në trajtë shpezësh të vogla, të qumështa po fluturojnë mjegulla të tjera, duke paralajmëruar se ndërkoha pa reshje po mbaronte dhe ishte gati një tjetër furi shiu dhe breshëri për të filluar. Pamja rreth e rrotull ngushtohet gjithnjë e më shumë, ndërkohë që nata hyn gjithnjë e më tepër në natë, ndërkohë që dita ia lë gjithnjë e më shumë terrenin natës.
Hoteli ku qëndrojmë i ka të gjitha modernitetet, si të ishte në qendër të çdo monopoli. Në çdo dhomë vizitorëve iu ofrohet një album ‘ekskluziv për bujtësit’. Albumi ka një mori fotosh, të cilat mund t’i kundrosh për orë e orë të tëra pa u lodhur, secila më mrekulli se tjetra. Pothuaj një vit e gjysmë të tërë, nga 17 shkurti 1985 deri më 3 qershor 1986, autori, në periudha të ndryshme të vitit, në zonat më piktoreske, i ka fiksuar këto pamje mahnitëse. Në fund Jean Odermatt albumin e ka pajisur me shënime, ku tregon rrethanat e realizimit të këtyre fotove.

PËRTEJ ‘TOKËS SË QIELLIT’

“Himmelsland” (Toka e Qiellit) e ka titulluar albumin e tij Jean Odermatt. Edhe ai e thërret në ndihmë këtu adhuruesin më të madh paraardhës të kësaj zone, poetin Goethe: “Për Perandorët Romakë Gotardi ishte mali më i lartë në botë. E vërteta është se në Evropë ka plot male shumë më të larta se Gotardi. Mont Blanc është gati sa dyfishi i tij. Por Gotardi është mbreti i maleve, sepse këtu pikëtakohen një mori malesh të larta.” Mali nga buron, sipas dijes së atëhershme, lumi më i gjatë i Evropës, nuk mund të mos ishte edhe më i larti i Evropës. Mali që ka emrin e Zotit, sipas së njëjtës mendësi, nuk mund të mos ishte mali më i lartë. Në fakt, Gotardi, në të gjithë librat gjeografikë do të përmendej si mali më i lartë deri në fund të Shekullit XVIII, kur Horace Bénédict, gjeograf dhe alpinist do ta rrëzonte nga froni. Ai do të maste në mënyrë barometrike malet dhe do të gjente se Mont Blanc – Mali i Bardhë është më i larti në Evropës. Por miti i Gotardit nuk do të prekej fare nga ky fakt. Edhe pa Urën e Djallit, edhe pa Tunelin e Gotardit, do të ishte mrekulli ky rajon, mes Altdorfit, Kurit, Belinconës dhe Brigut, me tetë qafëmale, me 4000 kilometra rrugë këmbësore, me 300 kilometra rrugë motoçiklizmi, me 1100 metra pista të çiklizmit malor, me 550 kilometra pista skjimi, 200 kilometra pistë skjimi sportiv, 300 kilometra rrugë këmbësore dimërore, 52 infrastruktura me fusha tenisi, 5 fusha golfi, 38 muzeume, 300 hotele, 24 kampe fushimi, 330 apartamente pushimi, 20 shtëpi pushimi për të rinjtë, disa qindra kampe me çadra për turistët e moshave të reja dhe qindra të tjera për alpinistët.

NË GOTARD ZË FILL RRUGA E KATËR BURIMEVE – VIER-QUELLEN-WEG
Në Gotard është jo vetëm pikëtakimi i maleve më të larta të Alpeve të Evropës, por është edhe pikëtakimi i katër kantoneve të Zvicrës, është edhe zona ku burojnë katër lumenj të rëndësishëm të Zvicrës dhe të Evropës: Rini (Rhein), Rhone (Ron), Rojs (Reuss) dhe Tiçino (Tiçino). Këta lumenj shënojnë kryqin e kaltër në hartën e vendit. Gotardi është miti, zona ku lindi Zvicra. Pikërisht nën hijen e këtij mali themeluesit e këtij vendi bënë besëlidhjen e parë, vendësit e quajtën vetën të përbetuarit, një nga sinonimet që e gëzojnë edhe sot e përgjithmonë të gjithë qytetarët Zviceranë.
Tri kantonet themeluese të Zvicrës, Uri, Shvyci dhe Untervaldeni, do të kujtoheshin edhe për ata që banonin matanë Gotardit dhe që sundoheshin prej dukëve të Milanos. Dhe do të vendosnin që frymën e lirisë ta përcillnin edhe matanë. Kështu zona së cilës ia jepn emrin njëri nga lumenjtë e rëndësishëm që buron këtu në Gotard, Tiçino, do ta bashkonte fatin e saj me tri kantonet themeluese dhe me Zvicrës.

NGA QAFA E GOTARDIT TË GJITHA RRUGËT TË ÇOJNË NË TIÇINO

U zgjuam me shi dhe mjergull në Qafë Gotard. Pasi hëngrëm mëngjezin, sipas programit, duhej të merrnim autobuzin e postës në orën 10:00 deri në Airolo. Por mjergulla po e vononte autobuzin. Kjo do të na shkaktonte ndryshime në program. Por busi erdhi në minutën e fundit. Pasagjerë ishim vetëm ne. Shoferi ndihej si në faj për mjergullën që e pengoi të vinte në kohë. Tani me autobus zbresim shpateve, ku lartësitë e vetmuara dhe të zhveshura, ua lënë vendin bimësive gjithnjë e më të dendura, ku pishnajat ua lënë vendin ahishtave, ku qendrat e vogla të banuara ua lënë vendin qytezave dhe qyteteve. Mënjanohen tej retë, mjegullat, ndërsa ujëvarat e panumërta na shfaqen gjithandej si shenja mirëpritjeje. Në Airolo, pikërisht ku ndodhet porta jugore e Tunelit Gotard, shoferi i autobuzit na ndihmoi me bagazhet deri sa i hipëm trenit në minutën e fundit.
Treni tani vraponte mes pyjeve. Shiu kishte ndalur, mjergullat kishin mbetur laramane ndofta në Qafën e Gotardit. Pas një ndalese në Belincona (Bellinzona) vijoi për në Lugano, ku na priste liqeni e ne zbritëm. Ishte ashtu si e kishte përshkruar Herman Hesse, i cili prehet diku afër Luganos. « Është mrekullisht i pasur dhe i bukur, ka nga të gjitha, nga peisazhet alpine deri tek ato mesdhetare ». Palma dhe akullnaja, liqej dhe male, kisha antike dhe arkitetonikë moderne, lugina të heshtura dhe qytete dinamike që së bashku krijojnë harmoninë.
Në Morcote – Morkote – te Moisiu

Është pikërisht kështu si e përshkruan Hesse, Kantoni i Tiçinos, poeti me të cilin takohemi simbolikisht nëpër udhëtimet tona në Zvicër. Posa u vendosëm në hotel, nga ballkonet shfaqej mrekullisht liqeni midis palmash dhe pishash, të cilat vinin deri në katet e larta. Ne ua nisim menjëherë këto pamje të mrekullushme djemve me whatsapp dhe na duhej të nxitonim. Pas drekës u nisëm për në port. Qyteti është si mbi kodër me rrugë të pjerrta që zbresin në breg të liqenit. Aty do të merrnim anijen që do të na çojë në Morkote. Duam të vizitojmë vendin ku prehet bashkëkombës ynë i madh, i famshmi Aleksandër Moisiu, bir i kavajasit Moisi Moisiu dhe arbëreshes Amalie de Rada. Me funikolar arrihet shumë shpejt poshtë, por ishte në rikonstruksion, pra nuk funksiononte.
Kishim lexuar se në Lugano kishte bujtur Robert Graves me të dashurën e tij, kur plasi lufta në Spanjë dhe të dy kishin bredhur me funikolar. Diskutonim me zë të lartë për Gravesin, ndërkohë që vendosëm të mos merrnim busin por t’iu biem rrugëve më të shkurtëra. Që janë të pjerrta Dhe për çudinë tonë, duke mos e njohur qytetin gati aspak arritëm në një kohë rekord buzë liqenit, ku parkohen anijet. Ne morëm njërën prej tyre, atë që shkonte në Morkote dhe sa zgjati udhëtimi, për një orë e ca shëtitëm nëpër liqen. Mjergulla e Qafës të Gotardit na kishte arritur edhe këtu, por kjo nuk e prishte aspak magjinë e liqenit, të rrethuar me kurorën e maleve, që reflektonin mbi ujë gjelbërimin e pyjeve që mbanin mbi shpinë, që i bënin të dukeshin si male bërë prej pyjesh. Anija kroçierë “Lugano” do të ndalej në stacione të panumërta, në qendra më të mëdha e më të vogla të banuara, secila më befasuese në bukurinë e saj, secila më interesante për mënyrën si i është përshtatur jetës. Nëpër qytezat anës liqenit, pranë vilave, pronarët e tyre posedojnë motoskafë të cilët i mbajnë të parkuar nëpër hangarë. Liqeni i Luganos me një sipërfaqe rreth 50 km katrorë ndahet midis Zvicrës dhe Italisë. Këshu që gjatë shëtitjes sonë një pjesë e qytezave i takonin Kantonit të Tiçinos, pjesa tjetër ishin italiane.
Arrijmë në Morkote që shtrihet buzë liqenit. Në bar-restorantin e parë që ndeshim, pyesim për adresën e varrezës ku prehet Moisiu. I biri i pronarit të lokalit nuk është i sigurtë për saktësinë e vendndodhjes, prandaj e thërret babain. Ai na e tregon drejtimin. Varrezat janë në majën e kodrës, perpendikolar me liqenin dhe atje shkon duke u ngjitur në shkallë të pafunda.
Të gjithë kalimtarët janë të gatshëm të na ndihmojmë për të gjetur adresën që kërkojmë.Ne i ngjisim shkallët, nëpër korridore rrugësh të ngushta, herë si tunele, herë si kanione, duke pasur si shoqërues përherë liqenin, here në profil, here përballë, here pas shpine. Është një pamje ku natyra është hyjnore. Varrezat e Markotës janë monumentale. Kush ka qenë atje, do të na jape të drejtë. Arritëm në kishë. E prapë nuk është e lehtë të orientohemi në mes të asaj morie të varreve. Në kishë ndezim qirinj, njërin prej tyre për shpirtin e të madhit Aleksandër Moisiu. Dalim nga kisha. Përpara na shfaqet një punëtor i mirëmbajtjes së varrezës. E pyesim dhe ai na prin deri aty ku ne mund ta shikojmë me sytë tanë emrin Aleksandër Moisiu në një pllakë të madhe. Edhe prej andej do të na duhej një copë rrugë, gjithnjë në ngjitje për të arritur atje ku Moisiu prehet prej marsit 1935, dhe prej janarit 1962, së bashku me gruan e tij, aktoren gjermane Johanna Terwin, martuar prej vitit 1919. Iu vëmë mbi varr një trëndafil.
Varri i çiftit Moisiu do të duhej të ishte një pikë pelegrinazhi. As Shqipëria, e cila ia refuzoi shtetësinë, as Italia, e cila ia dha shtetësinë vetëm në shtratin e vdekjes, por që të dyja mburren se e kanë birin e tyre, nuk kanë bërë diçka të krenueshme për nivelin botëror të artistit. Në ndonjë jubile të lindjes së Moisiut dikush ka ardhur dhe ka vënë një kurorë me lule, ka dalë para kamerave për të thënë sa i madh, sa i rëndësishëm dhe sa i çmuar është Moisiu veçanërisht për ne shqiptarët, një komb i vogël që i kemi dhënë botës një artist të madh. Një nga këta ka qenë madje edhe një prej nipave të tij, figurë e njohur, deri president i Shqipërisë. Dhe Moisiu është lënë në harresë.
Në gjithë udhëtimin disaditor përtej Alpeve, vetëm këtu në Moroke na duhet t’i mbajmë çadrat. Bie një shi i çutitshëm, i imët si rrëke lotësh që nuk të lag që na shoqëroi gati gjithë kohës. Një shi malli dhe trishtimi për hir të Mosiut të madh që e zgjodhi për prehjen e tij të përjetshme këtë lartësi prej nga ai të kundrojë pafundësisht pamjet mahnitëse të liqenit dhe të maleve që zbresin nga qielli për në brigjet e tij për t’u parë dhe nga brigjet e tij ngjiten në qiell, për të ndërruar sërish pasqyrë.
Nga Markote marrim Autopostën për në Melinde. Rruga është e gjitha buzë Liqenit të Luganos. Mund ta kishim bërë edhe si shëtitje, në këmbë, aq prane janë, por druheshim se shkonim me vonesë. Ndërsa ishim gjithë përshtypje nga e gjithë dita që kishim pasur, në Swissminiaturë u shtangëm rishtas prej mrekullisë. Në një park nën qiell të hapur, do të vizitojmë Zvicrën në shkallë të zvogëluar 1:25. Pranda quhet Swissminiature. Më mirë me thënë, këtu, nga mesi i marsit deri në fund të tetorit, çdo vit do t’i gjejmë 127 mrekullitë e mrekullive të Zvicrës, të natyrës dhe të dorës së njeriut, të të dyjave së bashku: monumente, kisha, katedrale, kështjella, hotele, restorante, muzeume, ura, tunele, teleferikë, male, vargmale, qafmale, lumenj, ujëvara, liqene, autostrada, hekurudha, shkolla, universitete, akademi, stadiume, qendra sportive, qendra arkeologjike, etj. etj.
Na pret nëndrejtori i Swissminiature Jöel Vuigner. “Na e sollët diellin, ” – na thotë ai, duke buzëqeshur. Vërtetë shiu kishte rreshtur përfundimisht prej atij çasti dhe gjatë gjithë qendrimit tone në Kanton Tiçino. Ne nisëm pa vonuar shëtitjen. Parku i Swissministurë shtrihet mbi një sipërfaqe prej 14 mijë metra katrorë. Për të apasionuarit pas trenave lodër, në park quhet një Eldorado sepse ka një rrjet hekurudhor prej 3560 metrash që përshkohet nga 18 trena pa pushim. Kur e takuam Jöel Vuigner në fund të vizitës kishim mbetur pa gojë nga befasia. Dhe nuk jemi të parët dhe as të fundit, sepse jo më kot kjo zonë është deklaruar kohët e fundit nga UNESCO Trashëgimisë Natyrore të Njerëzimit…
Përfytyroni vetë çfarë përjetimesh mund të kesh duke i kundruar të gjithë malet, lumenjtë, ujëvarat, tunelet, hekurudhat, autostradat, qendrat politike, kulturore, artistike, shkencore të Zvicrës brenda një hapësire të caktuar dhe brenda vetëm një ore. Bazeli në Swissminiaturë përfaqësohet me Katedralen qendrore, me portin e Rinit, Fondacionin Baielere, Rihen, ndërsa Bazel Fusha me Kështjellën e Botmingenit, Pallatin e Kulturës në Listal. Po aty do të gjesh Pallatin Federal të Bernës, Aeroportin Kloten të Zyrihut, Katedralen e Bernës, Teleferikun e St.Moritz, Qendrën e Kryqyit të Kuq në Gjenevë, Monumentin e Vilhelm Telit në Altdorf, bile do të gjesh edhe Monumentin e Gjeneralit Suvorov, Qafën e Gotardit dhe majën e famshme të Materhornit.
Në mbarim të vizitës ne takohemi përsëri me zotëri Vuigner. I themi se jemi të vonuar në këtë vizitë, të cilën çdo zviceran, çdo banor i Zvicrës e ka të domosdoshme ta bëjë së paku një herë në jetë, nëse vërtet mëton ta njohë këtë vend. Ai nis të na tregojë se si lindi ideja e Swissminiaturë tek gjyshi tij E pyesim se e kujt është ideja fillestare e kësaj ekspozite dhe si ka lindur ajo. Kuptohet që Jöel Vuigner është nipi i krijuesit të parkut.
Pierre Vuigner kishte qenë mërgimtar në Hollandë. Atje pa parkun ‘Madurodam’, Hollandën në miniaturë, me 300 ndërtesa të famshme nga Amsterdami, Haga, Roterdami etj. Dhe vendosi të kthehet në Atdhe e t’ia kushtojë jetën idesë së tij. Për ta realizuar atë, i duhej një terren 10-15 000 metra katrorë. I ra vendit anembanë dhe, më në fund, kryebashkiaku i Melides, u magjeps nga kjo ide dhe, brenda tri javësh, u miratua koncesioni për 30 vjet, për t’u zgjeruar më vonë në 45 vjet dhe, më në fund, në 86 vjet, çka mundëson që Swissminiaturë të qëndrojë në të njëjtin terren deri më 2042. Ishte një terren i papërdorur. Wuigner iu vu punës, i ndihmuar nga njerëz të cilëve ua kishte injektuar idenë e tij. Më 6 qershor 1959, kur ende Materhorni, maja më e lartë e Zvicrës, nuk kishte përfunduar së ndërtuari në Swissminiaturë, ai e përuroi parkun. Ishin vetëm 12 objekte të ndërtuara, por parku duhej të fillonte të buronte sa më shpejt të ardhura, në mënyrë që projekti të realizohej me sukses në tërësi. Në vitin e parë do të kishte 80 000 vizitorë, ndërsa aktualisht ka 180 000 të tillë. Në fillim kishte 20 pemë dhe 100 lule të mbjella, sot ka 1550 pemë dhe 15 000 lule. Në fillim punonin këtu 10 veta, tani punojnë 50 veta.Prej ditës të hapjes më 1959 deri më 2009 ka patur 21 milionë vizitorë. Është në institucion i vërtetë. Ndërsa krijuesi i Swissminiature, Pierre Vuigner që vendosi t’ua lërë trashëgimtarëve të tij veprën e tij gjeniale, i mbylli sytë më 28 nëntor 2011.
Nga Lugano në Belincona

Është mëngjesi i ditës së tretë të udhëtimit tonë. Zbresim në hollin e hotelit në Lugano, ku na pret udhërrëfyesja jonë zonja Eliana Franchini-Richina. Do të shëtitnim së bashku zemrën e qytetit në breg të liqenit me të njëjtin emër. Liqeni duket sikur thyen mijra pasqyrka prej diellit që shndrit në qiellin pa asnjë re. Pikërisht këtu ka zënë fill qyteti i ardhshëm. Qendra e qytetit të sotëm është e njëjtë me bërthamën e qytetit historik. Pastaj qyteti do të rritej shkallë-shkallë mbi kodër. Në fillim ishte i sheshtë buzë liqenit.
Dëshmi e kësaj zanafille është katedralja e Shën Lorencit, që e ka shoqëruar këtë qytet gjatë gjithë historisë. Kushedi sa kisha të reja, të hijshme dhe madhështore janë ndërtuar pas saj, por ato të gjitha, ashtu si breznitë e marrin prej njëra tjetrës, e kanë marrë stafetën prej saj, asnjëra prej tyre nuk e ka sfiduar dot statusin e saj të nderuar të veteranes. Zonja Eliana do të na tregojë sa më shumë kuriozitete, ndërsa shëtisim. Sa i përket emrit të qytetit, ka disa teori. Njëra teori thotë se emri i vjen prej zotit të keltëve Lug, mbrojtës i ujrave; teoria tjetër se rrjedh prej latinishtes „lucus“, që do të thote pyll; një teori tjetër se emri vjen si akronim prej perandorisë romake. Lugano sot është qendra e tretë bankare e Zvicrës me rëndësi botërore pas Zyrihut dhe Gjenevës dhe natyrisht është një perlë turistike, në gjerdanin e perlave të Kanton Tiçinos. Lëvizim në Piazza della Riforma. Aty afër ndodhet Villa Ciani, sot Muzeum i Arteve të Bukura, një nga rezidencat më të hatashme tiçineze. Bashkia e Luganos është shumë karakteristike. Aty prapë është Liceu kantonal, Biblioteka, stacioni i trenit dhe gjithnjë si referencë mbetet liqeni, me të cilin nuk ngopemi së sodituri, duke e kërkuar me sy.
Por koha nuk na premtonte dhe për të mos humbur minutën, bagazhet i kishim futur në kasetat e stacionit të trenit, sepse programi jonë ishte i ngjeshur, ngarkuar me mbresa të jashtëzakonshme e me emocione të pashlyeshme…
Ngjatjetohemi me udhërrëfyesen dhe me Luganon. Prej kësaj paradite dhe në ditët e ardhshme trajektorja jonë do të jetë mes Belinconës dhe Lokarnos. Itinerari jonë i përgatitur në atë mënyrë që na jepte mundësi të lëviznim shumë e të shihnim sa më shumë.

LUMI DHE LUGINA E VERCASKËS – ZANA E JUGUT TË ALPEVE

Nga Lugano u vendosëm në hotelin në Belincona, që ishte vetëm dy hapa larg stacionit të trenit. Sa na pëlqente kjo distancë e vogël kur ktheheshim në mesnatë vonë pas një dite të shtrirë horozontalisht dhe vertikalisht, ku në të njëjtën ditë ishim njëkohësisht në Lugano, Belincona, Valle Verzasca, pastaj në Piazza Grande duke parë filmin e rradhës në Festivalin e Filmit në Locarno dhe pastaj ktheheshim prapë në Belincona, kur dita e re kishte disa orë që kish nisur.
Stacionet e postbusit janë të panumërta. Po ashtu edhe stacionet e trenit. Treni lëviz si tram nëpër gjithë Kanton Tiçinon, ku qytezat janë si lagje me njëra-tjetrën. Natën trenat janë të mbushur me rini, të rinj e të reja, që ndjekin jetën kulturore, diskot, shëtitjet. Bashkë me vendasit lëviz edhe lumi i turistëve, zviceranë dhe shumë të huaj që duan të shijojnë aventurën e pafund të lirisë nëpër të panjohurat dhe të papriturat që ofron këtu natyra. Natyrisht, ka edhe të moshuar që bëjnë rutinën e domosdoshme duke kaluar javët e pushimeve të verës tek miqtë e tyre si çdo vit tjetër. Rendi publik është i sigurt, siguria e qytetarit është prioritet. Prandaj zbarkojnë turistët nga e gjithë bota. Pa çarë kokën për çmimet. Por mundësi ka për të gjitha xhepat.
Me këtë program të ngjeshur e vizituam Valle Verzasca (Lugina e Vercaskës), luginë e përshkuar nga lumi me të njëjtin emër që e përshkon tejendanë luginën. Lumi i Vercaskës që derdhet në Lago Maxhore është rreth 30 kilometra i gjatë dhe rrjedh i plotfuqishëm nëpër shkëmbinj, duke ngjarë si vëllami i Valbonës për shkak të ngjyrës të ujit që varion nga gurkali në të gjelbër smerald, me një kthjellësi dhe transparencë të paparë. Aty është edhe diga më e lartë e zonës, e katërta në rrang Zvicrës, e njohur me emrin Contra Dam. Kush kërkon adrenalinë, këtu mund të praktikojë Bungee jumping – kërcëmin me llastik. Në këtë digë është xhiruar edhe filmi Agjenti 007 – GoldenEye.
Gryknaja nga e vazhdojmë rrugën ne i ngjan shumë asaj të Dragobisë, me kusht që kjo të vazhdonte e papenguar edhe përtej Qafës së Valbonës, pra edhe përgjatë Thethit deri në Breglum a përtej tij. Shtëpitë, si në zonën e Luginave të Valbonës dhe të Thethit janë të tipit alpin, disa krejt prej guri, pra nga themelet deri në çati, disa me ndërthurje të gurit dhe të drurit, disa krejtësisht prej druri. Në qendrat e fshatrave dhe të lagjeve, krahas shkollave, kishave, dyqaneve, ka edhe motele të vegjël që mikpresin turistë .
Postbusi ynë ndalet në Sononjo (Sonogno), fshatin më të largët e më të thellë të zonës më malore e më të thellë të Tiçinos. Rreth tri orë që qëndrojmë këtu, ne e shkelim me këmbë pothuaj gjithë fshatin, nga hyrja fushore, tek pjesa veriore që i kapet përpjetë shpatit të malit. Vizitojmë librarinë e vogël, iu hedhim një sy menyve ditore në hyrjet e lokaleve, shijojmë gjizë të përgatitur me qumësht dhije-bio. Dhe thithim ajrin e pastër që na bën me krahë. Nuk ndjejmë lodhje.
Pastaj vizitojmë kullën muzé, Shtëpinë Xhenardini. Ndërtesë tipike e Shekullit XVIII, ajo është qendra kryesore e Muzeut të Luginës Vercaska. Është një nga ato kulla që ndeshen gjithandej edhe në veriun tonë, ku është konservuar mjedisi i jetesës në kohë të ndryshme. Ndërkohë këtu qëndron e hapur një ekspozitë e përkohshme me punime gravurash të Hannes Binder, bazuar në romanin e Lisa Tezner “Schwarz Bruders” (Vëllezërit e zinj), kushtuar pastruesve të oxhakëve, një nga profesionet më të përhapura me të cilat e siguronin dikur jetesën sonjonasit dhe vercaskasit.
Nuk mund të mos vizitonim Kishën e San Maria Loretos, që daton prej vitit 1519. Ajo është rindërtuar pastaj në shekullin XVIII dhe në muret e saj ka piktura të Cherubino Patà, një piktor naivist, mik i Gustave Courbet.
Në qendër të Sononjos ishte edhe qendra artizanale e prodhimeve në lesh, në dru e tjerë. Blerësit pyesin për çmimet, garantohen për cilësinë e asortimenteve, merren vesh për çmime sa më të arsyeshme, blejnë mallin e dëshiruar dhe dalin të shëtisin apo ulen në ndonjërin nga lokalet aty pranë. Të tjerë, pasi kane kënaqur kërshërinë janë ulur tek stacioni i postbusit dhe po presin të kthehen.
Kthimi bëhet nëpër të njëjtat stacione, përgjatë së njëjtës luginë duke mundësuar tashmë të rifreksojmë dhe të ripasurojmë mbresat tona me hollësi, mbresa, përjetime dhe emocione. Disa të rinj zbresin tek Diga Contra Dam, të gatshëm për një aventurë të re.

DITËNATA E LOKARNO
Mbrëmjen dhe natën mes së enjtes dhe së premtes, 14 dhe 15 gushtit, ne e kalojmë në Lokarno. Këtu po mbahet Festivali i përvitshëm i Filmit, i 67-i me radhë. Në orën 21:00 do të paraqitej filmi i ri i Roman Polanskit. Pastaj do të dilte në skenë vetë Roman Polanski, një ndër legjendat e gjalla të kinematografisë botërore. Ndërsa të nesërmen pasdite ishte parashikuar që Polanski të merrte çmimin special të karrierës e pastaj të shkëmbente mendime e përvoja me regjisorët e rinj pjesëmarrës në Festival dhe me publikun e pranishëm.
Kështu ishte parashikuar. Por nuk ndodhi tamam kështu. Nuk ndodhi fare ashtu si ishte parashikuar. Festivalit dhe kësaj ditënate, e enjte dhe e premte, 14 dhe 15 gusht do t’i mungonte pikërisht Roman Polanski. Që kur u mor vesh se do të vinte u hap një diskutim i fortë midis palëve pro dhe kundra. Deri tek Roger Federer ishte kundër. Kur do të ishim në Qafën e Gotardit morëm vesh se Roman Polanski kishte ndërruar mendje. Kjo mungesë do t’i lëndonte filmdashësit, sidomos adhuruesit e shumtë të Polanskit, por do t’i kënaqte kundërshtarët e tij.
Ne e bëjmë akreditimin në Pardo Press Center dhe dalim për të ngrënë darkë e për të shëtitur në zonën pranë Lago Maxhores, një ndër më të bukurat e qytetit. Nuk vonojmë, sepse duhet të zëmë një vend sa më të mirë në platenë e festivalit, në Piazza Grande, sheshi i stërmadh I bukur ku do të ulen për çdo natë sa do të zgjasë Festivali rreth 8 000 (tetë mijë) spektatorë. Ne na prijnë të ulemi në zonën e rezervuar kryesisht për gazetarët dhe për trupat e aktorëve pjesëmarrës…
Ndërkohë që plateja e Piazza Grande po mbushet, në ekranin gjigant përballë nesh, një prej ekraneve më të mëdhenj në botë, jepen pamje nga publiku, herë të përgjithshme, herë sektoriale, duke kaluar edhe në portrete. Dhe publiku, sipas zonave ku kamerat kapin pamjet, reagon me brohoritje gazmore e duatrokitje. Herë pas here, kamera kthehet tek ne, sepse rrotull nesh janë disa nga ata që ia dhanë kuptimin Festivalit, prej tyre edhe aktorë, regjisorë apo trupa të tëra realizuese të filmave, të cilat përbëjnë risi dhe befasi jo vetëm për Festivalin, por edhe për kinematografinë e sotme.
Prej hapjes të edicionit të 67, Festivali kishte patur shumë paraqitje të jashtëzakonshme. Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishëm Melanie Griffith dhe Luc Besson, pastaj në ditët në vijim Mia Farrow, Dario Argento, Giancarlo Giannini dhe në fund Juliette Binoche.
Mosardhja e Polanskit e kishte ndryshuar edhe programin e mbrëmjes. Por megjithatë, Drejtori artistik Carlo Chatrian, në kohën që do t’i dedikohej pritjes të Polanskit, shprehu keqardhjen për mospraninë e regjisorit 81 vjeçar. Sa përmendi emrin e tij, publiku, duatroket për minuta të tëra pandërprerë.
I ftuar ishte edhe Garret Brown, shpikësi i Steadcam, me të cilën janë xhiruar filma si Rocky dhe Shining i Stanley Kubrick.
Por vdekja e Robin Williams bëri që vemendja të mos mbetej tek mosprania e Polanskit. Publiku i Festivalit të Filmit të Lokarnos ishte i shokuar prej ikjes të aktorit të madh. Për ta kujtuar aktorin e madh u shfaq një film i tij, pas filmit të ri zviceran ‘Pause’ i regjisorit Mathieu Urfer. Ky është filmi i tij i parë me metrazh të gjatë. Ne na pëlqeu. Si një kthim në neorealizmin italian. Pastaj pas mesnatës, natën vonë do të shfaqej filmi i Roman Polanskit “La Vénus à la Fourrure”, ku interpreton Emmanuelle Seigner, gruaja e regjizorit të Pianistit, nderuar me Oskar.

MADONNA DEL SASSO – FILOZOFIA E FATIT ZVICERAN TË RAJONIT JUGALPIN

Madonna del Sasso, Zoja e Gurit, siç do të përkthehej sipas terminologjisë sonë katolike, ndodhet në mes të shpatit në rrugën që çon në malin Cardada. Për t’u ngjitur deri atje përdoret një nga format e infrastukturës malore, funikolari që është inaguruar në Lokarno prej vitit 1906. një rrugë me shina, dhe funikola, një automjet i ngjashëm me busin që përdoret për udhëtim bazuar në parimin e ashensorit me shina.
Ne nga stacioni i trenit të Lokarnos për tek Madonna del Sasso morëm funikolarin. Me ne ishte një grup i madh turistësh dhe pelegrinësh që nuk mbaronte kurrë. Por shumë pelegrinë e bëjnë këtë rrugë në këmbë si një Via Crucis. Është një ngjitje shkëmbore që nuk zgjat më shumë se 30 minuta.

Kisha madhështore që qëndron si një shqiponjë e ngulur në gur sipër humnerave dhe shpateve përballë Liqnit – Lago Maxhores – një mrekulli e botë, perlë tjetër e Kantonit të Tiçinos. Pasi e vizituam me kujdes nga jashtë, ku është një verandë me me portikë ku kundrohet liqeni, hymë në kishë, ndërsa po jepej mesha në gjermanisht. Ndezëm qirinj dhe ju lutëm Zotit të rrethuar nga ikonat dhe madhështia e arkitektonikës, duke e bërë që kisha të jetë jo vetëm një objekt kulti, por edhe kryevepër arti.
Në mbarim të meshës, sa dolëm në oborr të cilin vendasit e quajnë veturë, u takuam me zonjën Marina Guzman-Metzger, udhërrëfyesen tonë. Zonja Marina do të ishte një bashkëbiseduese e mrekullueshme, sa në rrafshin e historisë, të interpretimit të vlerave artistike, por edhe të filozofisë. Kishte qenë edhe stjuardesë e kompanisë të famshme Swissair, një nga më të mirat në botë, falimentimi i së cilës ka qenë si rrufe në qiell të pastër dhe i papranushëm për çdo zemër zvicerane.
Zonja Marina nisi të na tregojë se fillesa e kësaj kishe sot madhështore nisi nga një frat eremit i cili zgjodhi të jetonte në një guvë, pikërisht këtu ku ngrihet sot Kisha, në një vend që kur e sheh të duket e pamundur për të ndërtuar . Ky ishte frati At Bartolemeo Piatti d’Ivrea, që vinte nga kuvendi i Shën Françeskut të Lokarnos, një franceskan që nuk kishte tituj, por që ishte i përkushtuar ndaj të varfërve, të cilit në natën mes 14 e 15 gushtit 1480 iu shfaq Shën Mëria e rrethuar me një atmosferë drite tejet rrezatuese. (Është një përkim i bukur që vizita jonë në kompleksin kishëtar bëhet më 15 gusht.) Pikërisht këtu në këtë vend, me pamje të gjerë në gjithë pllajën e Tiçinos, ai iu vu punës me përkushtim, duke qëndruar në një guvë, e cila është e përfshirë në kompleksin e kishës, deri në realizimin e plotë të veprës së ëndërruar. Në realizimn e kishës patën një rol të veçantë e të rëndësishëm gratë besimtare, duke i mbartur në kurriz gurët dhe lëndët për ndërtimin e saj. Kjo kishë do të ishte e para e kompleksit madhështor kishëtar që vazhdoi e vazhdon të ndërtohet e të zbukurohet përgjatë shekujve. Kjo kishë njihet për mrekullitë e saj. Njerëzit i janë mirënjohës dhe vijnë e rivijnë për t’iu falur e lutur. Në kishë gjen pa fund dhurata nga persona të cilëve Madonna del Sasso u ka zgjidhur hallin. Kjo kishë konsiderohet më e rëndësishmja në Zvicerën italiane, një objekt turizmi dhe kulti e pelegrinazhi.
FUNIKOLARi DHE FUNIVIA E MARIO BOTTA
Pak më lart kishës shikohet stacioni qendror i teleferikut që çon në majën e malit. Teleferikët janë një tjetër mjet i rëndësishëm i infrastrukturës së Zvicrës, një vend malor me përthyerje të pafundme relievi. Teleferiku të çon në majmalin ku ka pista skijimi, ku ka hapësira për fushime të amatorëve të mongolfierave, të parashutistëve, të sporteve ekstreme. Dhe është gjithmonë plot me turistë, sidomos të moshave të reja.
Ky majmal, Cardada (Kardada), 1340 metra i lartë, njihet si parajsë e bukurisë natyrore. Prej andej mund të soditësh krejt rajonin e Lokarnos. Duke u ngjitur më lart, në Cimetta (Çimeta), në kuotën 1670 metra mbi nivelin e detit, e cila ka një pamje 360 gradë, mund të shikosh dy ekstremet e Zvicrës: pikën më të ulët të Zvicrës, që është delta mes Askonës dhe Lokarnos, dhe pikën më të lartë, Lartësia Dufuor, në Monte Rosa – Malin e Trëndafilit, në perëndim të vargmalit alpin. Është një natyrë që jep spektakle mahnitëse dimër e verë.
Teleferiku Orselina-Cardada, përuruar më 2000, u projektua nga arkitekti i famshëm Mario Botta, i cili ideoi veçanësitë e stacioneve të arritjes dhe të mbërritjes dhe ka bërë dizajnin e kabinave në formën e pikës së ujit, çka, falë strukturës prej çelikut dhe qelqi, udhëtarët mund të shijojnë panoramën mahnitëse. Ato janë të rehatshme edhe për pleqtë dhe fëmijët, për invalidët dhe për familjet. Mario Botta është krenari jo vetëm për tiçinezët, por krenari kombëtare zvicerane.
Dhe është mëse e vërtetë. Sepse nga maja e malit Cardada dhe Cimetta njeriu zbulon një tjetër parajsë, apo le ta quajmë perlë, pasi Lago Maxhiore shfaqet me një bukuri që të le pa frymë, ku çdo lloj komenti me fjalë nuk mund ta mundë dhe nuk mund ta japë në mënyre të barabartë me bukurinë e natyrës, aq sfiduese është kjo bukuri, sa nuk të ngop kurrë së vështruari.
Ndërsa në stinën e dimrit në Cardada dhe Cimetta ka pista skijimi fantastike, që e bëjnë këtë vend një thesar turistik në të katër stinët. Në një vit kantonin e Tiçinos e vizitojnë rreth 2.5 milionë turistë dhe 40 % e tyre vjen pikërisht në zonën e Locarnos.
Sipërfaqja e Kanton Tiçinos është rreth 2800 kilometër katrorë me një popullsi rreth 350 mijë banorë, pra ekzaktësisht një e dhjeta e Shqipërisë londineze, sa i përket sipërfaqes dhe banorëve.

LOKARNO – NJË PERLË NË GJERDANIN E PERLAVE TË KANTON TIÇINOS
Nuk është një perlë e vetme kanton Tiçino, është një gjerdan i vërtetë perlash.
Me zonjën Marina marrim rrugën e kthimit për në Lokarno. Do të kalojmë në një shëtitore, me manjola dhe palma, disa metra larg liqenit dhe Piazza Grande-s. Locarno është qytet i kamelieve, manjolave dhe palmave. Në pranverë ka edhe një ekpozitë ndërkombëtare të kamelieve. Zonja Marina na tregon për pemët e Manjolave, dhuruar dikur nga Japonia që tani janë bërë pjesë e qytetit, duke u identifikuar me të, ato krijojnë një medis çlodhës dhe zbavitës, një bukuri natyrore të papërsëritshme.
Po përbri palmave shtrihet Bulevardi i Fames – Walk of Fame i Lokarnos. A mos këtu do të takohemi me një dëshirë të qytetit që ka lidhje të drejtpërdrejtë me pasionin dhe ëndrrën hollivudiane, që e bëjnë qytetin një nga satelitët e Hollivudit, krahas Venecias, Berlinit dhe Kanës. Do të ishte normale. Por në Walk of Fame të Lokarnos mbi pllaka nuk kanë lënë gjurmët e duarve të tyre dhe firmat artiste të Hollywoodit, që e vizitojnë rëndom qytetin sidomos në gusht, kur zhvillohet festivali I filmit, por artistë të shquar të muzikës si Sting, Santana & Cindy Blackman, Zucchero, Joe Cocker, Gianna Nannini, Roxette, Bryan Adams, Jack Johnson, James Blunt, Elton John, Laura Pausini etj.etj. sepse në muajin korrik çdo vit pikërisht në Piazza Grande prej 2004 zhvillohet Festivali Moon and Stars.
Duke shkuar për në Sheshin e Madh, ku tashmë mungon Polanski, e pamundur që temë e bisedës sonë do të mos ishte regjisori i madh. Pse nuk erdhi ai pasi e kishte pranuar me kënaqësi dhe emocion të veçantë ftesën. “Ndoshta u ndikua nga debati që ngjalli këtu në Tiçino vendimi i drejtuesve të Festivalit për ta nderuar me çmimin të veçantë karriere. Zhurmën e bën, si gjithnjë në këto raste, konservatorët.” Dhe prej këtu, zonja Marina bën digresionin e radhës. Ajo na shpjegon dy grupimet më të mëdha politike të kantonit – konservatorët dhe liberalët. Në zanafillë të gjithçkaje dhe në përcaktim të gjithçka është përballja mes tyre. Konservatorët ishin për bashkim me Zvicrës, ndërsa liberalët ishin për pavarësi të plotë të Tiçinos. Ndodhi përplasja mes tyre deri në luftë civile. Më në fund erdhi pajtimi, kompromisi. Dhe në flamurin e Tiçinos, dy ngjyrat përfaqësojnë përkatësisht – e kuqja e flamurit zviceran, konservatorët, ndërsa bluja, liberalët.
Piazza Grande – Sheshi i madh është simboli i qytetit, rrethuar nga ndërtesa me vlerë historike që shërbejnë si mure rrethues gjatë zhvillimit të Festivalit të Filmit të Locarnos.
Po në zemrën historike të qytetit fare pranë me Piazza Grande ndodhet Kështjella e Viskontit, sot Muzeu historik dhe arkeologjik i qytetit. Në shekullin XIII familja milaneze e zgjeroi sferën e saj të influencës brigjeve të Lago Maxhores deri në Lokarno ku ndërtoi një kështjellë. Kështjella nuk ishte vetëm strehë për garnizonin e ushtarëve, por i jepte shkëlqim dhe dëshmonte fuqinë e familjes Viskonti, e cila u përzu definitivisht nga rajoni prej përmbaruesave federalë të Zvicrës në vititn 1513, të cilët vendosën ligjet e tyre për 300 vjet. Kështjella gjatë shekujve u shkatërrua dhe ndërtua disa herë, por ishte gjithnjë në zemër të jetës të qytetit. Në vitin 1803 me hyrjen e Tiçinos në Konfederatën helvetike dhe me largimin e përmbaruesave federalë, kështjella kaloi në pranë të Kantonit dhe sot është një Muzeum i njohur në botë për koleksionin e qelqeve romake.
Por liqeni është shpirti i qytetit. Kush shkon në Locarno, nuk ka si të mos ndalojë buzë liqenit, të pijë një kafe, një shake me fruta, të hajë një picë apo thjeshtë të bëjë një shëtitje për të reflektuar liqenin në sy. Kush ka kohë, mund të vizitojë edhe vizitojë Lido-në, ngjitur me liqenin, e hapur për gjithë vitin, me pishina të mbuluara dhe jo, me vaska termale, me shkitëse për fëmijë e mrekulli të tilla. Një strukturë moderne e kompletuar e Tiçinos.
Dhe nëse je në Locarno nuk ke si të mos shkosh në Ascona, e cila ndodhet vetem disa minuta larg, i cili quhet ndryshe edhe qyteti i milionerëve, pasi 10 % e qytetit janë milionerë. Ascona dhe Locarno mund të bashkoheshin, nga dy komuna në një, por nuk duan banorët e Asconas.
Në Ascona në fillim të shekullit XX, këtu u themelua „Senatoriumi i Malit të Vërtetë“, nga ku lindi edhe komuniteti me të njëjtën emër që kërkonin një sistem elternativ tjetër të jetës, një kthim në natyrë duke praktikuar dietën vegjeteriane, duke u ekspozuar gjatë në diell. Miq të këtij komuniteti ishin Hermann Hesse, Rainer Maria Rilke, Erich Maria Remarque e psikanalisti Otto Gross.
Kompleksi i Monte Verita është edhe sot në Ascona. Por prej 1964 është prone e Kantonit të Tiçionos, në bazë të tesamentit të baronit Eduard von der Heydt, me qëllim që “që Monte Verità të përdoret për aktivitete kulturore dhe artistike të nivelit më të lartë, me famë dërkombëtare”.
Kjo është edhe mrekullia e Kantonit të Tiçionos, sepse brenda një dite, ti mund të shëtisësh paradite buzë Liqenit të Luganos, drekën ta hash në Belincona, një pjesë të pasdites ta kalosh në Madonna del Sasso, pjesën tjetër në Ascona dhe mbrëmjen pare një film në Piazza Grande nëse konvenon në kohën kur zhvillohet Festivali i Filmit në Locarno.
Prandaj Marina pajtohet me ne kur i themi se Lugano, Askona, Lokarno dhe Belincona janë si të ishin katër lagjet kryesore të një qyteti të madh që shtrihet në pllajën jugalpine dhe rrotull saj, midis dy liqeneve, atij të Luganos dhe Lago Maxhiores. “Po, na thotë Marina, kantoni ynë është si një qytet me 350 mijë banorë, me lagje më të mëdha e më të vogla.” Kjo, natyrisht, falë infrastrukturës së përkryer dhe tejet të larmishme, e cila mundëson që brenda ditës të shkosh e të vijsh disa herë nga njëri skaj në tjetrin.

BELLINZONA – BELINCONA E KËSHTJELLAVE-NJË TJETËR PERLË NË GJERDANIN E TIÇINOS

Kur ke një javë që përjeton mrekulli të pafundme, kur je mahnitur në Andermatt, Qafën e Gotardit, pastaj je përballur njëkohshëm me magjinë e liqeneve të Tiçinos, e pastaj je ngjitur në Luginën e Vercaskës, dhe ke mbetur pa gojë nga ujrat smeraldë të lumit, e pstaj je ngjitur në një mrekulli tjetër siç është Madonna dell Sasso dhe ke zbritur rishtas në një tjetër bukuri që i ngjan parajsës në tokë, në një gërshetim i natyrës me dorën e njeriut, mendon se mahnitja e ka një cak dhe se ne tashmë e kishim arritur disa here gjatë këtij udhëtimi një javor. Por u gabuam sepse u gjendëm të përballur me një tjetër bukuri, të një lloji krejt tjetër, një bukuri pa aq shtangëse sa të parat. Këtë magji na e ofroi qyteti historik i Belinconës, si një perlë tjetër në gjerdanin e perlave të Tiçinos.
E shtuna, dita përmbyllëse e këtij udhëtimi fantastik, i kushtohet Belinconës, kryeqytetit të Kanton Tiçinos, njëherësh një nga kryeqytetet e drejtësisë zvicerane, pasi këtu gjendet Gjykata Penale e Konfederatës. Me ne do të jetë përsëri zonja Eliana Franchini-Richini. Nga hoteli ynë nuk jemi fare larg nga qytetit të dikurshëm kështjellë i Belinconës, thënë ndryshe tre kështjellat e Belinconës dhe muri rrethues që sot janë pjesë e trashëgimisë botërore e mbrojtur nga UNESCO.
Do të jetë një shetitje sa në aktualitet, aq dhe në histori. Si kudo, historinë e njeriut e paraprin dhe e shoqëron historia e natyrës. U deshën mijëra vite për procesin e tërheqjes së akullnajave, çka do ta përcaktonin relievin e Luginës së Tiçinos. Në mijëra vite të tjerë, rrjeti ujor – pra burimet, rrëketë, përrenjtë, liqenet, – nga njëra anë, dhe erërat e agjentët e tjerë natyrorë, do t’ia jepnin formën florës dhe faunës së këtushme, do të përgatitnin për njeriun dhe, pastaj, bashkë me njeriun jetën dhe mënyrat e jetesës, pra do të bëheshin një historia natyrore e historia njerëzore. Sipas zbulimeve arkeologjike, shenjat e para të pranisë së njeriut këtu iu përkasin viteve 5500-5000 para erës sonë. Do të vinte koha që kjo luginë do të bëhej objekt i gjermanëve, francezëve dhe i dinastisë së Longobardëve, të cilët, pas pushtimit të Lombardisë, hedhin sytë drejt veriut. Këta i japin rëndësi të madhe edhe kompleksit të kështjellave në qendër të luginës, këtu në Beliconë. Po sipas zbulimeve arkelogjike, del se fortifikimi i parë daton në Shekullin IV të erës sonë. Kompleksi që vjen deri në ditët tona, ka përjetuar disa faza ndërtimore dhe rindërtimore.
Janë tre kështjella që e kthyen Belinzonën në një qytet fortesë: Castelgrande – Kështjella e Madhe, si dhe kështjellat Montebello dhe Sasso Corbaro, të pa penetrueshme dhe të papushtueshme në anën tjetër.
Gjurmë të një ndërtese të fortifikuar vijnë prej shekullit të IV të eres tonë, ka dokumenta të shekullit VI që e dokumentojnë këtë ekzistencë, por emrin që ka sot Castrum Magnum, Castel Grande e mori në shekullin XIV në epokën e pushtimit të Familjes Viskonti, periudhë kur janë ndërtuar edhe Kulla e Bardhë dhe Kulla e Zezë. Gjatë mesjetës, Belincona dhe tre kështjellat e saj ishin pushtuar nga Familjet Viskonti dhe Sforca.
Nga fundi i Shekullit XV, me konsolidimin e Konfederatës zvicerane, do të përfshihej tashmë në lojë një palë e re e rëndësishme. Dhe belincona me kështjellat e saj dhe rrjedhimisht Tiçino, do të binte përfundimisht në duart e Zvicrës.
Ne e vizituam Kështjellën e Madhe, kaluam mbi muret rrethues, u mrekulluam prej saj, pamë edhe një film me metrazh të shkurtër ku bëhej një rezyme e periudhës historike, që sillte shumë dokumenta me vlerë historike dhe kulturore.
Në një nga muret kryesore të Kështjellës saj lajmërohej „Kthimi i Viskontëve“. Viskontët nuk mund të kthehen më në Zvicër, veç në një Ekpozitë e cila shfaqej po në Kështjellën e Madhe, në sallën Arsenale, që do të rrijë e hapur deri më 9 nëntor, e që e risjell këtë epokë përmes tekstileve, bizhuterive, monetave, pikturave, tapicerisë që i përket periudhës kur Viskonti ishte në Belinzonë. Ne e vizituam dhe u mrekulluam prej kësaj ekpozite, më tepër prej kujdesit njerëzor në ruajtje të vlerave që janë pjesë e identitetit kulturor.
Për t’u ngjitur në bedenat e kalasë, ku ruanin dikur kështjellarët, dhe nga ku na shfaqej një pamje përrallore, ne do të përdorim patjetër ashensorin, ndërsa në kullat e saj kryesore, dikur të përdorura për vrojtim, ndërsa tani për të kundruar Belinconën, nga të gjitha anët, ne ngjitemi nëpërmjet shkallëve spirale, të cilat duket sikur nuk kanë fund, por nuk na lodhin.

EPILOGU I UDHËTIMIT

Me epikën kështjellore të Belinzonës, në këtë shkëmb e në këto gurë graniti, ne po lexojmë shtresën e tretë të fatit zviceran të rajonit. Nëse Shën Gotardi shënon rrafshin mitologjik e atë natyror, nëse mali tek Madona del Sasso shënon rrafshin e epokës gjeologjike, Belincona shënon rrafshin historik të puqjes së fatit midis Tiçinon dhe Zvicrës. Për dukët e Milanos, sqaron udhërrëfyesja, Belincona ishte porta veriore e Italisë. E rrethuar prej malesh të larta, e mbyllur në veri ndaj Evropës dhe e hapur në jug ndaj Italisë, kjo kështjellë natyrore i ftonte duket e Milanos për të ndërtuar këtu qytetin kështjellë të Belinconës. Këtu do t’i përplasnin shpatat e tyre ushtritë e dukëve me ato të fqinjve evropianë, kryesisht me ata francezë. Dhe në këtë përplasje do të fitonte një faktor tjetër. Kështjella do të pushtohej nga kantonet jugore gjermanofone të Zvicrës. Kështu Belincona do të shndërrohej në portën jugore të Konfederatës.
Kryekështjellarët do të ndërroheshin me rotacion, çdo vit një përfaqësues i një kantoni – Urit, Shvycit apo Untervaldenit. Dhe secili prej tyre do të parapëlqente të kishte një seli të veçantë, në njërën nga kështjellat, çka do të ndikonte në vetë karakterin arkitektonik të kompleksit kështjellor dhe atë urbanistik të qytetit kështjellë. Ato do e humbnin gradualisht karakterin militar dhe do të merrnin gjithnjë e më shumë karakter civil.
Zviceranët do të kishin rol të rëndësishëm në fitoren e Napoleonit kundër dukëve të Milanos. Dhe Napoleoni do të vendoste që, përfundimisht, rajoni i Tiçinos t’i përkiste Konfederatës Zvicerane, ndërsa Belincona, për arsye pikërisht strategjike ushtarake do të caktohej nga ai kryeqytet i rajonit. Kështu do të vulosej përfundimisht fati i rajonit, më mirë me thënë, fatbardhësia e tij.
Në mjediset pranë kështjellës, qysh në mëngjes herët, vlon gjallëria. Magmës së ftohtë të historisë ia zë vendin magma e valë e jetës. Është tregu tipik lokal i të shtunave. Gjithçka që prodhojnë fshatrat në këtë stinë të begatshme është e pranishme në këtë treg. Ne vizitojmë tregun, qendrën e qeverisë kantonale dhe qendrën e qeverisë së qytetit, kishat qendrore të Belinconës. Pasi e kemi përfshirë përfundimisht në hartën tonë të shpirtit edhe këtë perlë jugalpine, ngarkuar me mbresa të pafundme, marrim pastaj rrugën e kthimit për në veriun e Alpeve, buzë lumti Rhin në pritje të mesazhit në shishe që duhet të na e ketë nisur nga Lumi Reuss Marja Nieuwveld, aty ku Zoti e ka zemrën e tij, në Godard.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Elida Buçpapaj, GJERDANI I PERLAVE, Skender Bucpapaj, TË ZVICRËS JUGALPINE, TIÇINO

NGA TAKIMI I SHKRIMTAREVE SHQIPATRO-AMERIKANE NE NEW YORK

September 27, 2014 by dgreca

Shkrimtarët Shqiptaro -Amerikanë, dëshmues dhe trashëgimtarë të traditës,gjuhës shqipe dhe indetitetit kombëtar shqiptar në Diasporë/
(Reportazh nga Aktiviteti-Audiencë me shkrimtarët-organizuar nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë)\
Ditën e diel, me 21 shtator në Monroe College, Bronx, N.Y , SHSHSHA-ë zhvilloi takimin e quajtur: Audiencë me shkrimtarët: Dr. Yllka FILIPI, Pierre Pandeli Simsia dhe Marjana Zeneli Bulku .
Në këtë takim morën pjesë personalitete të letërsisë së Diasporës, shkrimtarë dhe artistë, që aderojnë në Shoqatë dhe dashamirës të artit, poezisë, pikturës dhe muzikës, pedagogë të institiucionit Monroe College, King Hall, si edhe të ftuar të tjerë.Takimi ishte i pari për nga lloji i vetë, jashtë monotonisë siç ndodh shpesh në aktivitete të tilla.Ishte një bashkëbisedim i drejt për drejtë i shkrimtarëve me lexuesit, i cili u mirëprit dhe la mbresa të shkëlqyera tek pjesëmarrësit.Kishin ardhur në atë takim bashkëkombas nga Nju Jorku dhe shtetet përreth, New Jersey, Philadelfia, Connecticut, Massachusets, Boston, etj.Na nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Prof. Haxhi Berisha dhe pedagogë të huaj që japin mësim në atë korpus universitar.
Takim kishte në qendër të vëmendjes prezantimin e shkrimtarëve të lartpërmendur përpara një publiku më të gjerë të Diasporës si edhe fillimin e një nisme të re e cila do të bëhet traditë në të ardhmen dhe do të zhvillohet çdo tre muaj, si edhe diskutimin mbi çështje të rëndësishme që shqetësojnë sot letërsinë shqiptare bashkëkohore. Është për t’u vlerësuar kjo nismë dhe eksperienca e parë e tyre, e këtij lloji e cila sipas Krytares së Shoqatës, znj.Raimonda Moisiu, e cila vec të tjerash u shpreh:–“ do të bëhet traditë duke u mbledhur njëherë në tre muaj, duke i dhënë prioritet vlerave promovuese krijuese letrare-artisike, aspekteve sociale-psikollogjike tëshoqërisë dhe këto të hedhura në artin e bukur të shkrimtarisë nga anëtarët e Shoqatës dhe të Letrave Shqipe në Diasporë.
Sepse SHSHSHA-ë, anëtarësia e saj mbartin me vete nderimin, respektin e kockës së erudicionit intelektual e krijues të tyre, dëshmi të njerëzores e shpirtërores, emocionuese dhe edukative. Vetë natyra, koha dhe liria u dha mundësinë të ngrenë strukturën e memorialit të krenarisë, gjuhës, të idealeve e virtyteve të kombit, pjesë e kulturës amerikane. Në pamje të parë bie në sy gjallëria e integritetit individual e kontributit dimensional krijues, kontribut që të bën të përfytyrosh si kanë qenë ëndrrat e paraardhësve, plot sfida e dhimbje, sakrifica e arritje, përkushtimin pakompromis e shkrimtarëve shqiptarë, -tha znj.Moisiu.
Fjalën e hapjes e mbajti Presidenti i SHSHSHA-ë poeti e publicisti preshevar, z Adnan Mehmeti, i cili si përgëzoi shkrimtarët botues të këtij viti, mes të tjerash theksoi: “E kemi pas shumë të vështirë për të përzgjedhur, për këtë Audiencë të parë me anëtarët e Shoqatës. Por, njerëzit e letrave, jo vetëm e mirëpritën lajmin, por edhe u mirëkuptuam që para jush kësaj here, do të kemi tre emra, që secili prej tyre kanë hyrë seriozisht në letrat shqipe. Fjala është për shkrimtaren, studiesen dhe esseisten, dr. Yllka Filipi, shkrimtarin e publicistin Pierre Pandeli Simsia dhe poeten, prozatoren dhe gazetaren e spikatur dhe të njohur, për analizat dhe opinionet e saj profesionale, në Diasporë, Marjana Zeneli Bulku. Ne do të jemi dëshmitarë për të provuar se vërtet, jemi me fat, dhe do të ndajmë eksperienca krijuese mes kolegësh e dashamirësish nga ku do të mësojmë shumë gjëra interesante, që këta kolegë i kanë mbajtur sekret dhe nuk i kanë shpalosur- më parë. Le të jetë ky një fillim i mbarë, gjysmë e punës, për të vazhduar më tej, me aktivitetet e Shoqatës së Shkrimtarëve. Këta shkrimtarë bartin me vete diellin dhe shkronjat shqipe, shpresën dhe mundësinë, talentin e përkushtimin për të shkruar dhe botuar libra në gjuhën shqipe këtu në Shtetet e Bashkuara. Përballë jush sot, për të drejtuar audiencën do të jetë Kryetarja e Shoqatës, znj.Raimonda Moisiu. Dhe, më lejoni që para se të marrë fjalën, moderatorja e këtij eventi, , dua të ndaj me ju dhe gjithë shqiptarët në Diasporë e kudo që janë, lajmin e mirë që pushtoi rrjetet sociale e të informimit mediatik dhe agjensitë prestigjioze të lajmeve në krejt botën, vizita e Papa Francesku, në atdheun tonë, dhe mesazhi për një Shqipëri të bekuar me tolerancë fetare.
Audienca u zhvillua në dy séanca. Në fazën e parë secili nga shkrimtarët promovues, prezantoi një përmbledhje të krijimtarisë së tij, duke i ilustruar me fragmente të zgjedhura, prozë apo poezi nga veprat e tij/saj.
E para e mori fjalën shkrimtarja dhe studiuesja Dr.Yllka FILIPI e cila pasi evidentoi disa fragmente të qëmtuara me kujdes nga veprat e saj, “Eternitas” (poezi), “Me ipsum ames”, (roman postmodern), “Dante-Kadare” (studim), “Post Hekuba”(Poezi), “Eshtra tempujsh” (Poezi), “Dante-Migjeni-Kadare” (studim krahasues), u shpreh:”Le të bëhet dritë fjala e të gjithë krijuesve shqiptarë të Diasporës, për ta ngritur lart e më lart imazhin kombëtar dhe unitetin shpirtëror të tokës mëmë!”
Janë disa çështje-vijoi Dr.FILIPI, të pashterura asnjëherë plotësisht lidhur me procesin krijues si një sekret i ethshëm i njerëzimit: -A duhet parë shkrimtari si galeri, individ, qenie e përvuajtur, sfinks, magnitudë apo si vetëcensurë që nuk e shijon, por vetëm e kupton jetën? – Ku ta kërkojmë lexuesin e vemëndshëm e selektiv? – A kemi në duar libra të padyshimtë që na qasin drejt globalizmit? Cila i shërben më tepër veprës, protonizmi apo kritika e ftohtë?Pas duartrokitjeve të publikut Dr. FILIPI përcolli mesazhin; “Të dashur vëllezër e motra të gjakut, penës, gjuhës dhe idealeve kombëtare! Fjala juaj u bëftë dritë në çdo vatër shqiptare! Le të themi së bashku lutjen e poetit: “Ati ynë që je në qiell/ Frymëzimin tonë të përdishëm falna neve sot…! Salla u ndez nga duartrokitjet të cilat pasuan edhe më tej, kur Kryetarja e shoqatës Zj. Raimonda Moisiu përzgjodhi disa fraza të shkëputura nga kritika, lidhur me veprën e autores FILIPI, nga Dr. Sadik BEJKO, nga poetja Mimoza Ahmeti, nga Dr. Agron TUFA..
Më pas e mori fjalën z. Pierre Pandeli Simsia, i cili në fjalën e tij tha:
Krijuesit letrarë kanë ndjenjë, imagjinatë, fantazi, për atë që ata mendojnë për të shkruar.Në veprën e tij, krijuesi letrar shpreh ndjenjat që burojnë nga shpirti i tij për t’ia dhënë lexuesit dhe këto zakonisht krijojnë atë, melankolinë e ndjeshme.Melankolia, mendoj unë, është dhe duhet të jetë pjesë e krijimtarisë letrare sipas ngjarjes, personazheve që krijuesi ka menduar për të shkruar.Duke qenë edhe tip i ndjeshëm për ngjarje të ndryshme, sigurisht që edhe doza e melankolisë të del vetvetiu sipas asaj që shkruaj, zakonisht në monolog apo në dialog.
Unë kam shumë vite larguar nga atdheu dhe këtu ku ne jetojmë bashkë nuk mund të ndjehesh pesimist, por, meqenëse unë gjatë këtyre viteve kam shkruar për jetën shqiptare, i kam trajtuar ato elementë që kanë mbjellë pesimizën në popull. Në gjashtë librat e mi vend të vecantë zenë romani “Nuse në derën e hasmit”që është libri im i fundit, botuar në vitin 2013-ë nga Shtëpia Botuese TOENA, promovimi i të cilit u bë po vjet në sallën Tefta Tashko Koço, në Ministrinë e Kulturës në Tiranë.Siç po e përmendni edhe ju, romani është mirëpritur nga lexuesi dhe nga kritika letrare ashtu si edhe romani tjetër “Një dashuri e vrarë”.Ajo që më tërhoqi për të shkruar atë roman me temë gjakmarrjen dhe që ngjarjet unë i kam vendosur në Nju Jork dhe në Shqipëri, ishte pengu im që unë të shkruaja për atë plagë tepër të dhimbshme që vazhdon edhe sot e kësaj dite të kullojë dhimbje.Gjakmarrja, femonemi i përhapurnë Shqipëri, është një çështje e dhimbshme që kanë shkruar edhe autorë të tjerë. Por çdo krijues letrar ka mënyrën dhe metodën e tij për ta shkruar. Menjëherë pas viteve 90-të shoqëria shqiptare, midis të tjerash po përballet me dy “plagë” të mëdha infektuese që kanë mbjellë dhe vazhdojnë të pikojnë dhimbje të mëdha në familjet shqiptare: prostitucioni dhe gjakmarrja.Këto dy plagë të dhimbshme, ishin si një peng që unë mbaja në veten time për të shkruar. Ishin një gërvishtje në shpirtin, një goditje në ndërgjegjen time që trokisnin shpesh herë në mendjen time që unë duhet të shkruaja për këto dy plagë të dhimbshme. Dhe pas një pune këmbëngulëse, ia arrita dhe jam çliruar nga ai peng.
Për të parën, prostitucionin, shkruajta romanin “Një dashuri e vrarë”. Titulli “Nuse në derën e hasmit”, është përzgjedhja më e mirë që ka marrë libri, madje është një frazë e shkëputur nga libri, kur mamaja Evelinë, pasi mësoi lidhjen e vajzës së saj me hasmin e familjes së tyre, midis të tjerash, kur flet me veten e saj thotë: “Çna bëre moj bijë, po hyn nuse në derën e hasmit…”
Libri: “Dr. Selahedin Velaj, Legjenda Vlonjate në Amerikë”. Dr. Selahedin Velaj, me origjinë nga Kanina e Vlorës, prej gati 70-të vitesh që jeton në Sh.B.A.është një figurë e ndritur në Diasporën tonë. Ky personalitet, intelektual që gëzon respektin, vlerësimin, mirënjohjen nga të gjithë ata bashkatdhetarë që e kanë njohur, nuk ka rreshtur kurrë duke dhënë kontributin e tij personal, madje edhe material për çështjet e ndryshme shqiptare.Nuk dua të zgjatem shumë, sepse pak a shumë janë përmbledhur në libri, por po veçoj disa prej tyre: Me iniciativën e Dr. Selahedin Velaj-t, në bashkëpunim me disa miq e shokë të tij, në vitin 1965 u hap shkolla shqipe në Nju Jork. Për disa muaj mësimi zhvillohej në Kishën Ortodokse “Shën Nikolla” në qendër të Manhattanit.Poezi! Mendoj, se sot, është tepruar shumë me fjalën e artë, poezi.Të shkruash poezi është shumë vështirë; e kam fjalën për poezi të mirëfilltë, jo vargëzime të rimuara siç lexojmë shpesh.Po harrohen fjalët, bejte, vjersha, dhe këto, nga autorët janë zëvendësuar me fjalën poezi.Krijues letrarë sot ka shumë dhe, çdo varg që ata shkruajnë e titullojnë, poezi, pavarësisht se mund të jetë bejte, vargje të lira, rimim vargjesh, apo edhe vjershë e thjeshtë.Poezia është një zhanër sa i bukur, po kaq edhe i vështirë për t’u shkruar. Jo çdokush shkruan poezi ”.
Më tej e mori fjalën znj. Marjana Zeneli Bulku e cila i mëshoi temës:
Letërsia si eksperiencë dhe angazhim.
Krijimtaria letrare , një profesion apo pasion,eksperiencë apo sprovë duket se mbi gjithcka na krijon mundësinë ne që të mblidhemi e komunikojmë së bashku edhe pse udhëtojmë dhe lëmë disa preokupime jo të vogla familjare.
Eshtë jetik komunikimi ndërmjet njerëzve, është tipari yni dallues si humanë por në ditët e sotme kur rëndom shikon sesi lufta dhe kërcënimet, shpifjet dhe përplasjet, vrasjet dhe përbaltjet janë shndërruar më së shumti në të vetmin mjet komunikimi, sapo të lexosh lajmet,sapo të shohësh transmetimet televizive, vlera e komunikimit ndërnjerëzor shumëfishohet dhe merr një përmasë të jashtzakonshme.
Kemi harruar të jetojmë si njerëz vallë?
Ky është monologu im i vazhdueshëm.Një monolog nga ku shpesh herë lindin vargjet e mendimeve të mija, enigmat, zgjidhjet, ëndrrat shpresat edhe zhgënjimet…
Krijimtaria letrare sipas meje është një lloj angazhimi që gjithsejcili merr përsipër ,është si një lloj tablete që mbart remedyn e duhur për dhimbjen ,brengën , dëshirën.
E sinqertë ose retorike , e drejtpërdrejtë ose personifikuese, reale apo hiperbolizuese formula e letërsisë ka funksionuar përherë në cdo kohë edhe nëpër librat e ashtuquajtur të verdhë që komandat e regjimeve të padrejta dirigjonin.
Më besoni kur them se unë shpresoj shumë nga artisti qoftë ky i artit pamor apo i atij të mendimit, sepse une besoj shumë tek momenti që e lind artin, mund të jetë i dhimbshëm ai moment por gjithmonë i thurr himn jetës.
Letërsia si përjetim,si mendim dhe si përgjithësim sipas meje, është mjet reagimi ndaj realitetit, e nëse e ndjek me vëmendje aty brenda fjalëve ka një platformë ku shkrihen eksperiencat njerëzore, ngërcet e saj, por edhe zgjidhjet.Sepse poeti e jeton me shpirt jetën, ai nuk merr dhe duke qene i ndëgjegjshëm për këtë jep, jep, jep dhe a e dini cfarë : receta falas mendimi (kështu do ti quaja unë vargjet)! Ndonjëherë sëmundjet shkaktohen nga shpirtrat e sëmurë që unë mendoj se poezia, muzika , arti në përgjithësi, ka forcën ti kurojë. Letërsia si mesazh ka mundësi të depërtojë gjithkund, atë nuk e pengon dot asnjë lloj muri sepse ka si mjet ; Fjalën. Ndoshta pikërisht duke u nisur nga ky fakt personalisht i kushtoj rëndësi asaj cfarë do të transmetojë mendimi. Nuk ka renditje më të bukur fjalësh sesa ajo që ndërton një mesazh , një zgjidhje , një përgjithësim që njeriu i kohëve moderne nuk ka kohë e as vullnet për ta lexuar, por po, ai ka nevojë të dëgjojë poezi e pse jo të shërojë shpirtin e lodhur apo ”të sëmurë” nga kohët e vështira përmes disa rreshtave.
Më kujtohet shpesh një poet evropian që thoshte se poezia i ngjan një krisme në mes të një shfaqjeje,,,ajo pra nuk vret, as plagos,por ajo duhet të dëgjohet dhe për më tepër kur kjo ”shfaqja jonë tragjikomedi-shqiptare” ka kaq shumë paradokse dhe anomali , i duhet lënë shteg poezisë, asaj të sinqertës që lind pas cdo dhimbjeje, gjatë një nate të pagjumë, pas cdo skandali që politika shfaq dhe fsheh, lind pas cdo akti të thjeshtë njerëzor që ekranit miop ndoshta nuk i jep përfitime, por jetës dhe njerëzve u jep leksione të mëdha.
Letërsia si angazhim , është tregues dhe matës demokracie, është pjesmarrje në proceset e mbarsura me problematikë njerëzore që poeti i sheh neutralisht, jo i yshtur, jo i detyruar,por i lirë, real,,,gjëra për të cilat duhet thënë pse jo edhe faleminderit sepse ku është fjala, është problematika, zgjidhja , aty është heroi dhe viktima, fantazia dhe realiteti , historia dhe e tashmja ,aty është NJERIU.
Dhe së fundmi më lejoni të guxoj të them se si poezia është sinqeritet,,,nuk ka akt më të sinqertë se ai poetik, sigurisht kur është i maturuar dhe i pjekur , pasi mendoj se nje akt të tillë nuk e nxit askush pëvecse një zë i brendshëm , kemi provuar të gjithë të shkruajmë.A nuk është ajo një veprimtari që as urdhërohet e as komandohet ,as retushohet e as mohohet sepse ajo ekziston tek krijuesi i vet ai që vazhdimisht e kemi quajtur UNI poetik.
Unë besoj tek letërsia ,tek fjala e ndërtuar me sinqeritet dhe maturi, besoj tek piktura , besoj tek tingulli muzikor , sepse besoj tek njeriu artist, në mos i tëri i vërtetë ka një pjesë sado të vogël vërtetësie…Ja, mjafton kjo kredo e imja për të pëgjithësuar edhe njëherë gjithcka dua të them dhe kam thene: Nga lartësia e poezisë si art mendimi botën e shoh më mirë!
”Prej nga këtu
Sodis gjithë botën.
Më dhemb ajo që aq shumë dhemb…
Padrejtësi e neveritëshme
m’i mbyll sytë e përlotur,
spektator i vetvetes jam”,-do ta përfundonte fjalën e saj znj.Bulku.
Pas një pushimi të shkurtë prej disa minutash filloi seanca e dytë e takimit lidhur me pyetje-përgjigje midis publikut dhe shkrimtarëve, lexuesit dhe dashamirësve.Seanca e dytë ishte më aktive në formën e një tryeze të rrumbullakët bashkëbiseduese, jo thjesht me pyetje përgjigje për letërsinë, por edhe shkëmbim idesh ,–mbi të fshehtat, sfidat e labirinthet e procesit krijues, pasi në audiencë bëhej fjalë për autorë me përvojë e pjekuri krijuese letraro-artistike, në prozë, poezi, përkthim e publicistikë. Iu la hapësirë spontanitetit dhe larmishmërisë së përvojave letrare, nga vetë autorët dhe pjesëmarrësit dashamirës në audiencë me qëllim për të bindur një audiencë skeptike me pikëpamjet e merituara të këtyre shkrimtarëve, dhe përcollën mesazhet aktuale mbi kontekstin e letërsisë shqipe moderne sot në Diasporë , Shqipëri, Kosovë e botë, – që do të thotë qasje afër globalizmit. C’po ndodh sot me shkrimtarët?A kemi prozatorë, poetë, përkthyes të zotë e me pjekuri profesionale?Si prezantohet Letërsia Shqipe sot në Diasporë e botë?
Ky lloj aktiviteti do të bëhët traditë , qe Shoqata e Shkrimtarëve do të organizojë Audiencë me Shkrimtarë –duke i dhënë prioritet vlerave promovuese të anëtarëve të Shoqatës dhe të Letrave Shqipe në Diasporë.
Çfarë informacion të ri mund të ofrojmë me anë të temave të rëndësishme për komunitetin e krijuesve, dhe se cfarë mund të përfitojmë në motivimin e tyre duke i sjellë në vëmendje të kolegëve , anëtarëve të Shoqatës, por edhe dashamirësve të artit e letërsisë dhe atyre që aspirojnë të bëhen shkrimtarë. Pra, si sistem kompleks i dalë nga organizmat dhe Shoqatat apo si lënie në dorën e fatit dhe sa publiku di për këtë temë? Pra, u sollën përvoja e këndvështrime të ndryshme për të gjetur gjuhën e përbashkët, duke i dhënë ngjyrë kombëtare e historike aktivitetit.Pati diskutime te mprehta mbi fatin e gjuhës shqipe nga Diasporë, të ardhmen e brezit të ri, koncertet në gjuhën shqipe, abetaren etj. Nga pjesëmarrësit e tjerë nga fusha të ndryshme të artit dhe kulturës shqiptare që veprojnë në Sh.B.A., si Themeluesja e Festivalit të fëmijëve shqiptaro-amerikanë në Diasporë, Pedagogja e Muzikës, znj. Pranvera Sula-Coba, intelektualja e POWER with Purpose Independent Associate, znj. Elida Kolo, shkrimtarja dhe publicistja znj. Nimfa Hakani, etj, duke dhënë edhe mendimet e tyre të ndryshme për një bashkëpunim me shoqatën në vitet e ardhshëme.Znj. Pranvera Sula Coba, pasi ndau me audiencën eksperiencat e saj mbresëlënëse dhe sfidat e saj, punën e përkushtimin e saj, se si arriti që në dy vjet të korrte suksesin dhe të realizonte Dy Festivale të Fëmijëve të Diasporës, duke i dhënë emër kulturës shqiptare jo vetëm në SHBA, por edhe në trojet shqiptare e ballkanike, mes të tjerave ajo tha: Ju falenderoj nga zemra për mundësinë dhe ngrohtësinë shpirtërore e krijuese që po cfaqni në këtë Audiencë me Shkrimtarët , duke na vlerësuar. Jam këtu jo vetëm si dashamirëse e letërsisë, por dëshiroj të përcjell sinjalin e bukur shpirtërisht e artistikisht për ato yje të vogla –fëmijët , ardhmëria e Diasporës shqiptare në SHBA -që shëndrisin Diasporën dhe identitetin tonë kombëtar, trashëgojnë gjuhën shqipe, vlerat dhe traditat kombëtare e historike, – me emrin e tyre, me gjakun shqiptar që rrjedh ndër dejet e tyre dhe me talentin e tyre.Ju falenderoj të gjithëve si Shoqatë që më ftuat dhe më dhatë fjalën të hap edhe unë siparin e një diskutimi paksa i vecantë nga tema e ditës, por që i bashkon letërsia dhe muzika, duke kërkuar mbështetjen tuaj dimensionale, qoftë edhe me tekste këngësh për Festivalin e ardhshëm të Fëmijëve në Shkodër , në tokën mëmë, që ne si Diasporë na është dhënë mundësia të përfaqësohemi me dy këngë. Dua t’ ju siguroj që kudo që të jemi bashkëpunimi dhe krenaria, janë ndjenja të domosdoshme dhe të arritëshme, si të ecim përpara për një revolucion në evenimentet letraro-artistike, të cilat do të nxjerrin në pah meritat dhe vlerat e artit tonë të shkruarit dhe të muzikës .Ndjehem tejet e lumtur që po kaloj një mbasdite të mrekullueshme mes zërit krijues, qytetar e intelektual të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro Amerikanë. Ju faleminderit!Folën e diskutuan poeti Mëhill Velaj, Gjeto Turmalaj, talentja e re Veneta Callpani, Rrustem Ulaj, Vilma Tafaj Mehmeti, etj. U anëtarësuan krijuesë të rinj në SHSHSHA-ë, enciklopedisti i folklorit dhe gurrës popullore rapsodi Rrustem Ulaj dhe romancierja e re Veneta Callpani.
“Organizatorët dhe moderatorët e këtij takimi z. Adnan Mehmeti dhe znj.Raimonda Moisiu, e prezantuan atë takim letrar me profesionalizëm duke treguar edhe njëherë vlerat e tyre të larta; me oratorinë e tyre, duke i bërë edhe një prezantim shoqatës nëpër vite që nga krijimi i saj në artin i bukur të shkrimtarisë, që depërton si mesazh mirësie e dashurie në të përditshmen njerwzore, -u shpreh shkrimtari e publicisti i njohur Pierre pandeli Simsia, mbas takimit, para kamerës televizive të Kulturës Shqiptare ( Albanian TV Culturale). Takimi zgjati tri orë dhe kaloi në një atmosferë jashtëzakonisht poetike, të ngrohtë dhe me patos të lartë atdhetar.Ishte tejet mbresëlënës dhe u mblodhëm si një familje e madhe, e bukur shqiptare; na mblodhi letërsia.
Takimi u përcoll nga media shqiptare dhe amerikane; Televizioni: Kultura Shqiptare me producent, z. Adem Belliu dhe TV lokal Amerikan.
Në fund për pjesëmarrësit u shtrua një kokteil.(Korresp i Diellit)

Monroe College King Hall Bronx New York
Shtator 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: shkrimtaret, shqiptaro-amerikane, takim ne New York

UNAZA E RE, E MADHE, E PLAVË-GUCISË

September 24, 2014 by dgreca

Shkruan: Ramiz LUSHAJ/
1.Kjo rrugë e sodit, 25 shtator 2014, që po niston prej Deçanit e shkon në Plavë e prej këndejna merr për në Guci e drejt e në Vermosh e mbasandejna bie në Shkodër, po më përnget si një unazë e trefishtë dhe një e vetme: Gjeo-strategjike. Etno-historike. Turistike.
Kjo Unazë, brenda trinisë të lumenjve Lim-Cem-Drin, si dikur në ato kohna para e mbrapa Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, po e rilidhë Plavë-Gucinë me dy kryeqëndrat e saj sanxhakore e shpirtërore, ekonomike e kulturore: me Pejën (Rrafshin e Dukagjinit) edhe me Shkodrën (Ultinën Bregdetare nga Lezha në Podgoricë).
Tashti ka me u ringjallë krahina e Plavë-Gucisë me qytetet e saj, me luginat e bjeshkët e saj. Si në verë, pothuaj edhe në dimër. Dikur, si në Guci edhe në Plavë, krahinë me mbi 20 mijë banorë, kanë pasë prona tokësore e dyqanet (shitoret) e veta edhe Haxhi Zekë Byberi i Lidhjes Shqiptare të Pejës, edhe Veziri i Shkodrës, edhe Begollët e Pejës, edhe Ali Pashë Gucia e Rexhepagajt, edhe… Kësokohe, thuhej se ishin edhe pesë dyqane florini (edhe me unaza)…, edhe nji sahatxhi…Pa dy fjalë: kishte zhvillim të madh, pasi ishin rrugët e karvajeve prej Peje në Shkodër.
Zoti po e bekon prapë krahinën e Plavë-Gucisë me rrugët e saj, rilindjen e saj, ardhmërinë e saj.
2.Plavë-Gucia, si rrallkush, e mirë/din’ se mungesa e rrugëve në trollin tand të çon rrugëve të botës. Kahmos. Gjithkund. Tashti kjo “Unaza e Madhe” ka me i ba shqiptarët etnik ma trojenik si farë e ngultarë. Shqiptarët kanë me u ba ma të pasur, ma të lumtur, ma të ditun.
Kjo krahinë e bekuar ka pa fillue me u pakë në shqiptarë, me u mplak shqiptarët e këtuhit, me iu mpak’ fuqitë, me e pa bijë e bija, nipa e mbesa ma së shumti në stinën e verës.
Po tashti, Plavë-Gucia, me kit’ Unazë Deçan-Plavë-Guci-Shkodër ka me u “Nusërue”. Për at’ Zot ka me i pasë hije: Vendi është i bukur. Njerëzit janë të mirë.
Kanë me u shtue djepat me djemë. Kanë me ardhë nuset edhe nga larg, pasi miqtë kur kanë angazhime a përnguti kanë me mujtë me ardh’ nga Shkodra e Podgorica, nga Mirdita e Kukësi e Mitrovica, nga Prizreni e Prishtina dhe me e pi hangër drekën në Plavë-Guci e darken tek shtëpia e vet.
E ka pa thanë Fishta i madh se bash këtu rri Ora e Shqypnisë… Tashti e kanë në dorë vet bijtë e bijat e saj me ia mbrri prapë kësaj dite, epoke. Si në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, edhe në kit’ Lidhje të madhe Euro-Atlantike: BE e NATO.
3.
Kjo “Unaza e re” e Plavë-Gucisë është qytetërim modern, bashkëkohor.
Si qytetet e mëdha të botës që kanë edhe unaza të vjetra i ka edhe kjo: Rruga rretherrotull e gategat prej Plave në Rrozhajë e Pejë e Bregut të Drinit (apo Rrugës së Kombit) e në Shkodër e prej atyhit në Podgoricë e Kolashin-Plavë. Ka’i’herë do duhet edhe kjo Unaza e vjetër.
Po tashti e kemi edhe kit’ Unazen e re.
Veç kësaj, e thashë – si në vende me qytetërim modern, janë edhe unazat e brendshme. Unazat e vogla. Po ecë drejt përfundimit Rruga Plavë-Çerem (Valbonë)-Bregut të Drinit-Porti i Shëngjinit (edhe Tiranë, edhe Shkodër). E ka i pasë dy unazat e vogla, ma së forti turistike: Atë, Plavë-Valbonë-Liqeni i Komanit-Shkodër-Vermosh-Guci. Atë, Guci-Plavë-Deçan (Pejë-Rugovë-Junik)-Gjakovë (Prizren)–Tropojë-B.Curri-Valbonë-Plavë.
4.
Kjo Unaza e Madhe e Plavë-Gucisë është me të vërtet e madhe. Të tillë po e ban dhe zhvillimi euro-atlantik, qytetërimi ynë shqiptar bashkëkohor, klima politike euro-ballkanike, etj.
Kjo Unazë e Madhe nuk është vetëm përskej e ndërmjet trinisë së lumenjve Lim-Drin-Cemi, po edhe Plavë-Deçan-Rruga e Kombit-Shkodër-Vermosh-Guci. Pra, një rreth hapësinor tejet i madh.
Kjo Unazë e Madhe është sa kombëtare edhe ndërkombëtare, pasi kalon nëpër tri shtetet e sotme ballkanike: Shqipëria Londineze, Kosova Euro-Atlantike e Mali i Zi (që kurrihere s’po do “e s’po di” me u ba i Bardhë). Gjithkahit kalon nëpër territore etnike shqiptare.
Si kurrnjiherë tjetër, po vjen e madhja Ditë Historike, që kjo Unazë e Madhe njëherash edhe Euro-Atlantike, ka me na i lidh ndërveti Kohnat, Tokat, Zemrat Shqiptare, me rrugët e saj të paqes, zhvllimit, qytetërimit modern.
5.
Sot, më 25 shtator 2014, kur t’ia nisni punimeve të Rrugës Deçan-Plavë dijeni se “Jam në Deçan edhe pa kanë aty në Deçan” e mos më vnoni mungesë se unë kurrë nuk jam i munguar për kilometrat trasetor, shpirtëror, zhvillimor të kësaj rruge të re.
Kjo rrugë është edhe e imja, jo vetëm se jam brenda Unazës së saj të Madhe, se më çon ma shpejt tek trolli im / ynë, tek gjaku im / jonë, drejt progresit bashkëkohor, qytetërimit modern.
Po edhe për disa arsye e realitete të kohës sotme e të nesërme.
Kjo rrugë është kombëtare, ndërshqiptare – rrugë e Kombit tim Shqiptar.
Kjo rrugë është edhe ndërkombëtare, ndërballkanike- rrugë e Ballkanit tim.
Kjo rrugë është edhe Euro-Atlantike – rrugë e të ardhmes tonë të përbashkët në brigjet të Limit e Drinit, të Adriatikut mesdhetar e të Atllantikut ndërplanetar.
Zakonisht, shqiptarçe, kur bajmë ndonjë punë të tillë të madhe, vepër të madhe si kjo Rruga Deçan-Plavë, pasi i përfundojmë ato në kohë të tejzagjatur, fillojmë e thurim edhe legjenda të ndërtimit të saj. Në fakt, kësaj here, më duket se ka ndodh disi ma ndryshe: Vet ndërtimi i kësaj Rruge nga Ëndrra, Projekti e Përurimi i fillimit të saj ishte një Legjendë. Një Legjendë me Rrena e me të Vërteta. Një legjendë aspak legjendare.
Tashti Rruga Deçan-Plavë që e kishim Ëndërr të vjetë e të re, po bahet Realitet prej sodit, 25 shtatorit 2014, në kit’ Rend të Ri Botëror, në kit’ botën e tashtit, Euro-Atlantike. Do të deshiroja që kjo Rrugë të jetë fakt e faktor Kombëtar e Ndërkombëtar, e investuar me ideale të larta e fonde të mëdha, që ky Realitet me dritën e përurimit të mos kthehet në Ëndërr…Zoti e Bekoftë këtë Rrugë e Njerëzit e saj, 25 Shtatorin e Saj / Tonin çdo ditë të saj krejt zhvillim dhe plot qytetërim, jo vetëm për Plavë-Gucinë, po për tri shtetet e Ballkanit.
Në Deçan pa kanë n’Deçan,
më 25 shtator 2014

Filed Under: Reportazh Tagged With: e madhe, E PLAVË-GUCISË, Ramiz Lushaj, UNAZA E RE

PAPA FRANCESKU NË TIRANË,KOMBI NË FESTË

September 21, 2014 by dgreca

Mirëserdhe Papa Françesku- Mbërrin në Tiranë Ati i Shenjtë!
TIRANË, 21 Shtator/- Papa Françesku mbërriti të Dielën paradite, rreth ores 08.55 te mengjesit ne Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, në këtë vizitë të parë në Shqipëri, të pritur me padurim nga shqiptarët.
Në këtë vizitë historike, Ati i Shenjtë u prit me një ceremoni zyrtare nga Kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës dhe përfaqësues të Kishës Katolike etj.
Kjo është vizita e parë që Papa Françesku zhvillon në Europë, dhe e dyta për një Papë që viziton Shqipërinë, pas Papa Gjon Palit të II në vitin 1993.
Papa Françesku zhvilloi një takim me Kryeministrin Edi Rama në sallën VIP të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, të pagëzuar me emrin “Marubi Lounge”. Ky emertim, “Marubi Lounge” i eshte dhene pasi Marubi, njihet si figura më përfaqësuese e kulturës shqiptare në Ballkan dhe më gjerë si ndërthurja mes së shkuarës dhe modernes.
Gjatë këtij takimi, Kryeministri Rama i dhuroi Atit të Shenjtë një kupë nga dheu shqiptar, të cilën e publikoi një ditë më
Shtegtimi Apostolik i Papës Françesku në Tiranë, është i dyti i një pape në vend. I pari ishte ai i Gjon Palit II (25 prill 1993), dy vjet pas rënies së diktaturës dhe vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë. Shtegtimi, që zgjati 14 orë, arriti kulmin në Shkodër. Katedralen e Qytetit të martirizuar të Veriut, kthyer nga regjimi komunist në pallat sporti (1967), kushtuar vetëm pak kohë para Shtegtimit Apostolik, Papa Vojtila kremtoi Meshën, bekoi gurin e parë të themelit, mbi të cilin do të lartohej, për të tretën herë, Shenjtërorja kombëtare e Zojës së Këshillit të Mirë”(ndërtuar në shekullin XV, rrënuar nga turqit më 1479, rindërtuar më 1895, rrënuar përsëri më 1967) dhe shuguroi katër ipeshkvijtë e parë, ndërmjet të cilëve, imzot Rrok Mirdita, kryeipeshkëv i sotëm i Tiranë-Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Papa Françesku mban Meshën e Shenjtë: Paqe në Kombin tuaj!

“Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj”, tha Papa Françesku gjatë Meshës së Shenjtë në Sheshin “Nënë Tereza”, të mbushur si asnjëherë nga mijëra qytetarë.
Papa Françesku, po kremton Meshën e Shenjtë së bashku me 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminarista dhe 4 diakonë.
Në meshë marrin pjesë të gjithë besimtarët dhe pelegrinët nga e gjithë Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si dhe nga vende të ndryshme të botës.
Në hapësirën para altarit, janë të vendosur një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Françesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite. Pjesëmarrësit kanë zënë vend në shesh që prej orëve të para të mëngjesit.
Predikimi i Atit të Shenjtë gjatë meshës në Sheshin Nënë Tereza
Ungjulli i sotëm na thotë se përveç 12 Apostujve Jezusi thërret shtatëdhejtë e dy nxënës të tjerë dhe i nis ndër fshtara e qytete për të kumtuar mbretërinë e Hyjit. Ai erdhi për të sjellë në botë dashurinë e dëshiron ta përhapë përmes bashkimit e vëllazërisë. Prandaj formon menjëherë bashkësinë e dishepjve, bashkësi misionare, e atje i stërvit për mision për të shkuar. Metoda misionare është e qartë dhe e thjeshtë dishepujt shkojnë nëpër shtëpi e kumti i tyre nis me një përshëndetje plot kuptim”Paqe në këtë shtëpi”. Nuk është thjesht përshëndetje, është edhe dhuratë, paqja. Duke ardhur sot mes jush të dashur motra e vëllezët të Shqipërisë, në këtë shesh kushtuar bijës së madhe e të përvuajtur të këtyre trojeve, Nënë Terezës së Kalkutës, Dëshiroj ta përsëris këtë përshëndetje, Paqe në shtëpitë tuaja, paqe në zemrat tuaja, paqe në Kombin tuaj
Në misionin e shtatëdhjetë e dy dishepujve pasqyrohet përvoja misionare e bashkësisë së krishterë të të gjitha kohëve: Zoti i ringjallur e i ngjallë nuk nis vetëm të dymbëdhjetët, por nis Kishën mbarë, nis çdo të pagëzuar për ti’a u kumtuar Ungjillin gjithë popujve. Në rrjedhë shekujsh jo gjithnjë u pranua kumti i paqes i sjellë nga lajmëtarët e Jezu Krishtit: nganjëherë ia mbyllën portat. Në një të kaluar jo të largët edhe porta e popullit tuaj u kyç, u mbyll me vargonjtë e mohimeve e ndalimeve të një sistemi që mohonte Zotin e pengonte lirinë fetare.
Ata që kishin frikë nga e vërteta e liria , bënin ç’ështe e mudnur që të dëbonin Hyjin nga zemra e njeriut e ta përjashtonin Krishtin e Kishën nga historia e vendit tuaj, ndonëse ai qe ndër më të hershmit që mori dritën e Ungjillit. Në leximin e dytë dëgjuam të përmendet Iliria, që në kohët e apostullimit të Palit, përfshirë edhe troejt e Shqipërisë së sotme.
Duke sjellë përsëri në vëmendje dhjetëvjeçaret e vuajtjeve e të persekutimeve të egra kundër katolikëve , ortodoksëve e myslimanëve mund të themi se Shqipëria ka qenë tokë martirësh: shumë ipeshkvij, meshtarë rregulltarë e besimtarë laikë e paguan me jetë besnikërinë e tyre. Nuk munguan provat e guximit të madh e të qëndrimit të pandshëm në shpalljen e fesë. Sa e sa të krishterë nuk u përkulën përballë kërcënimeve, por vijuan pa luhatje udhën e filluar !. Shkoj sot , shpirtërisht, pranë atij muri të varrezës së Shkodrës, vend-simbol i martirizimit të katolikëve, ku kryheshin pushkatimet dhe i prekur thellë në shpirt , vë lulen e lutjes e të kujtimit. Zoti ishte pranë jush, të dashur vëllezër emotra , për t’ju mbajtur në këmbë. Ai ju priu e ngushëlloi e së fundi ju ngriti lart mbi krahë shqiponje, siç pati bërë me popullin e lashtë të Izraelit. Uroj që Shqiponja të cilën e shikojmë në flamurin e vendit tuaj, tju kujtojë gjithnjë shpresën për ta mbështetur përherë besimin tuaj në Hyjin, që nuk zhgënjen, por është gjithnjë përkrah nesh, posaçërisht në çaste të vështira.
Sot portat e Shqipërisë janë të hapura e përparon stina e protagonizmit të ri misionar për të gjithë ata që bëjnë pjesë në popullin e Hyjit. Secili i pagëzuar e ka një vend e një detyrë për ta kryer në Kishë e në Shoqëri. Secili duhet të ndjejë veten të thirrur për të punuar bujarisht në kumtimin e Ungjillit e në dëshmimin e dashurisë: për të fuqizuar lidhjet e solidariteti, për të krijuar kushte jete më të drejta e më vëllazërore për të gjithë. Sot erdha t’ju jap zemër e ta përforconi shpresën në ju e rreth jush: t’i vini në lëvizje breznitë e reja; të ushqeheni përherë me fjalën e zotiti, duke ia hapur zemrat Krishtit: Ungjilli i Tij ku tregon udhën! Feja juaj duhet të jetë ngazëlluese e rezatuese, duhet të tregojë se takimi me Krishitn i jep kuptim jetës së njerëzve të çdo njeriu.
Me frymën e bashkimit ndërmjet ipeshkvijve, meshtarëve, rregulltarëve e besimtarëve, laikë ju inkurajoj t’i jepni hov të ri veprimtarisë baritore e të vijoni kërkimin e formave të reja të pranisë së Kishës në gjirin e shoqërisë.
Posaçërisht ju drejtohem të rinjve: mos keni frikë t’i përgjigjeni bujarisht Krishtiti, që ju fton që ta ndiqni!.
Në thirrjen meshtarake e rregulltare do të gjeni pasurinë dhe gëzimin e dhurimit të vetvetes për t’i shërbyer Hyjit e vëllezërve tuaj. Shumë burra e gra presin dritën e Ungjillit e hirin e sakramenteve
Kishë që jeton në tokën e Shqipërisë, faleminderit për shembullin e besnikërisë ndaj Ungjillit! Shumë nga bijtë e bijat tuaja vuajtën për Krishtin edhe deri në flijimin e jetës. Uroj që dëshmia e tyre t’i mbështesë hapat tuaj, të sotëm e të nesërm në udhën e dashurisë, të lirisë e drejtësisë e të paqes. Amen!
Engjëlli i Tënzot
Të dashur vëllezër e motra, para se ta përfundoj këtë Kremtim, dëshiroj t’ju përshëndes të gjithë ju, që keni ardhur në Shqipëri nga vendet fqinje. Ju falënderoj për praninë e për dëshminë e fesë suaj.
Në veçanti ju drejtohem ju të rinjve. Ju ftoj ta ndërtoni jetën mbi Jezu Krishtin: Kush ndërton mbi Krishtin, ndërton mbi shkëmb, sepse Ai është gjithnjë besnik, edhe kur ne e shkelim besën (shih 2 Tm 2,13). Jezusi na njeh më mirë se askush tjetër; kur gabojmë nuk na dënon, por na thotë: “Shko, por tani e tutje mos mëkato më” (Gjn 8,11). Të dashur të rinj, ju jeni brezi i ri i Shqipërisë. Me forcën e Ungjillit e me shembullin e martirëve, të dini t’i thoni ‘jo’ idhujtarisë së parasë, ‘jo’ lirisë së rreme individualiste, ‘jo’ varësive e dhunës, e t’i thoni ‘po’ kulturës së takimit e të solidaritetit, ‘po’ bukurisë së pandashme nga e mira e nga e vërteta, ‘po’ jetës së shkrirë për ideale të mëdha, por besnike edhe në gjërat e vogla. Kështu do të ndërtoni një Shqipëri më të mirë e një botë më të mirë.
Po i drejtohemi tani Virgjëreshës Nënë, që e nderoni sidomos me titullin “Zoja e Këshillit të Mirë”. Nisem shpirtërisht për në Shenjtoren e saj në Shkodër, që e doni aq shumë , e ia besoj gjithë Kishën në Shqipëri e mbarë popullin shqiptar , në veçanti familjet, fëmijët e të moshuarit. Zoja ju drejtoftë për të ecur së bashku me Zotin, drejt shpresës që nuk zhgënjen”.

Papa Françesku: Ruani me kujdes bashkëjetesën paqësore e bashkëpunimin mes feve
“Ruani me kujdes bashkëjetesën paqësore e bashkëpunimin mes feve”, deklaroi Ati i Shenjtë në fjalën e mbajtur në presidencë.
Më poshtë fjala e plotë e Atit të Shenjtë:
Zoti President,
Zoti Kryeministër,
Të nderuar anëtarë të trupit diplomatik,
Shkëlqesi, zonja e zotërinj
Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes. Ju falënderoj që më ftuat të vizitoj atdheun tuaj, “tokën e shqiponjave”, si edhe për pritjen tuaj kremtore.
Ka kaluar tashmë gati një çerek shekulli që kur Shqipëria e gjeti përsëri udhën e mundimshme, por edhe joshëse të lirisë. Kjo udhë i krijoi mundësitë shoqërisë shqiptare të niste ecjen e rindërtimit material e shpirtëror, të vinte në lëvizje shumë energji e nisma, të ishte e gatshme për bashkëpunim e shkëmbim me vendet afërta të Ballkanit e të Mesdheut, të Evropës e të mbarë botës.
Liria, të cilën e gjetët përsëri, ju ka lejuar ta shikoni ardhmërinë me besim e shpresë, të nisni projekte e të rilidhni marrëdhënie miqësore me kombet e afërta e të largëta.
Respektimi i të drejtave njrëzore, ndër të cilat spikat liria fetare dhe ajo e shprehjes së mendimit, është kushti paraprak për vetë zhvillimin shoqëror e ekonomik të një vendi.
Kur respektohet dinjiteti i njeriut dhe njihen e garantohen të drejtat e tij lulëzon edhe shpirti krijues e nismëtar, e personaliteti njerëzor mund t’i shpalosë nismat e veta në dobi të së mirës së përbashkët.
Ju përgëzoj posaçërisht për një karakteristikë fatlume të Shqipërisë, që duhet ruajtur me shumë kujdes e vëmendje; e kam fjalën për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme.
Klima e respektit dhe e besimit të ndërsjellë ndërmjet katolikëve, ortodoksëve e myslimanëve, është pasuri e çmueshme për vendin dhe fiton rëndësi të veçantë në kohën tonë, në të cilën grupet ekstremiste e shtrembërojnë kuptimin e vërtetë fetar dhe i përçudnojnë e instrumentalizojnë dallimet ndërmjet besimeve të ndryshme, duke i kthyer në faktorë të rrezikshëm përplasjeje e dhune, e jo në mundësi për dialog të hapur e të respektshëm, për persiatje të përbashkët rreth domethënies që ka besimi në Hyjin e zbatimi i ligjit të tij.
Askush të mos mendojë se mund të përdorë Hyjin si shqyt, kur sheston e kryen akte dhune e mujshie! Askush të mos e përdorë fenë si pretekst për veprimet që bien në kundërshtim me dinjitetin e njeriut e me të drejtat e tij themelore, në radhë të parë me të drejtën e jetës dhe të lirisë fetare të të gjithëve!
jo që ndodh në Shqipëri tregon, përkundër, se bashkëjetesa paqësore dhe e frytshme ndërmjet njerëzve dhe bashkësive me përkatësi të ndryshme fetare jo vetëm që urohet, por është e mundur dhe e zbatueshme konkretisht. Bashkëjetesa paqësore ndërmjet bashkësive të ndryshme fetare, në të vërtetë është pasuri e paçmueshme për paqen dhe zhvillimin e harmonishëm.
Është vlerë që duhet ruajtur e duhet ushqyer çdo ditë me edukimin për të respektuar dallimet dhe identitetet specifike të gatshme për dialog e bashkëpunim në dobi të të gjithëve duke e njohur dhe nderuar njëri- tjetrin.Ështe dhuratë që duhet t’ia lypim gjithmonë Zotit , në lutje. Uroj që Shqipëia ta vijojë këtë udhë duke u bërë për shumë vende shembulll frymëzimi.
Zoti President, pas dimrit të izolimit e të përndjekjeve , erdhi më në fund pranvera e lirisë. Përmes zgjedhjeve të lira e strukturave të reja insitucionale është përfocuar pluralizmi demokratik dhe kjo ka ndihmuar në rihapjen e veprimtarive ekonomike. Shumë vetë, veçanërisht në fillim të shtyrë nga kërkimi për punë e kushte më të mira jetese, morën rrugën e emigrimit dhe ndihmojnë si e sa munden për përparimin e shoqërisë shqiptare.
Shumë të tjerë i gjetën arsyet për të ndenjur në atdhe e për ta ndërtuar nga brenda . Mundimet dhe flijimet e tyre kanë ndikuar në përmirësimin e kushteve të përgjithshme.
Kisha Katolike nga ana e vet mundi të rinisë jetën normale duke rindërtuar hierarkinë e saj dhe duke rilidhur fijet e një tradite të lashtë.
U ndërtuan ose rindërtuan vendet e kultit, ndër të cilët spikat Shenjëtorja e Zonjës së Këshillit të Mirë në Shkodër, u hapën shkolla dhe qendra të rëndësishme edukimi e asistence në shërbim të të gjithë qytetarëve. Prania e Kishës dhe veprimi i saj shikohen me të drejtë, prandaj jo vetëm si shërbim ndaj bashksëisë katolike, por ndaj mbarë kombit.
E lumja Nënë Terezë bashkë me martirët që e dëshmuan fenë me heroizëm -atyre u takon mirënjohja jonë më e thellë e lutja jonë – sigurisht galdojnë në Qiell, për punën e burrave e të grave vullnetmira në rilulëzimin e shoqërisë dhe të Kishës në Shqipëri.
Mirëpo tani paraqiten të tjera sfida , që presin përgjigje. Në një botë që priret ndaj globalizmit ekonomik e kulturor, duhet bërë çdo përpjekje që rritja e zhvillimi të jenë në shërbim të të gjithëve e jo vetëm të një pjese të popullsisë. Gjithashtu ky zhvillim nuk do të jetë i vërtetë, nëse nuk do të jetë i përballueshëm dhe i barabartë, dmth nëse nuk do t’i ketë mirë parasysh të drejtat e të varfërve dhe nëse nuk do të respektojë mjedisin.
Globalizimit të tregut duhet t’i përgjigjet globalizimi i solidaritetit; rritja ekonomike duhet shoqëruar me më shumë respekt për botën e krijuar; bashkë me të drejtat individuale duhen mbrojtur edhe ato të realiteteve të ndërmjetme mes individit e shtetit me në krye familjen. Shqipëria sot mund të përballet me këto sfida në kornizën e lirisë dhe të stabilitetit që duhen përforcuar dhe që japin shumë shpresa për të ardhmen.
Falenderoj me gjithë zenmër secilin prej jush për mikpritjen e ngrohtë dhe si Shën Gjon Pali i II , në prill të 1993 , i lutem Marisë , Nënës së Këshillit të Mirë, ta mbrojë Shqipërinë dhe i besoj asaj shpresat e mbarë popullit shqiptar. Hyji dikoftë mbi Shqipërinë hirin dhe bekimin e vet!.

Atmosferë festive në sheshet e Tiranës, Ati i Shenjtë shpallet “Qytetar Nderi”

Entuziazëm dhe atmosferë festive në sheshet dhe rrugët e kryeqytetit shqiptar, ka mbizoteruar sot , teksa Papa Françesku përshkoi bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përshëndeteti qytetarët që kishin mbushur bulebardin kryesor te Tiranes.
Ati i Shenjtë, nga makina e tij e bardhë, përshëndeti dhe bekoi mijëra qytetarë dhe besimtarë që kanë ardhur nga qytetet e ndryshme të Shqipërisë, por edhe nga vende të tjera, për të përshëndetur Papa Françeskun, në këtë vizitë historike në Shqipëri.
Makina e tij ka lëvizur ngadalë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, dekoruar me flamuj të Shqipërisë dhe Vatikanit, dhe me 40 fotografi të cilat paraqesin historinë e trishtë të klerikëve që u dënuan dhe u persekutuan padrejtësisht nga sistemi dikatorial, për shkak të besimit të tyre fetar.
Ndërsa ecte drejt altarit ku u zhvillua Mesha e Shenjtë, Papa Françesku u përcoll nga thirrje gëzimi dhe mijëra duar që e fotografonin dhe filmonin pa pushim me celularë.
Emocionues ishte veçanërisht momenti kur Ati i Shenjtë ndaloi makinën dhe bekoi dy fëmijë që ndodheshin mes turmës së njerëzve në sheshin “Nënë Tereza”, ku Papa Françesku do të mbajë edhe Meshën e Shenjtë.
Pamjet madhështore ku qindra e mijëra besimtarë, pa dallim feje e kombësie janë mbledhur për të pritur Atin e Shenjtë, e kanë shndërruar sot Tiranën në kryeqendrën katolike të botës.
Një tjetër moment i rëndësishëm në ceremonialin për pritjen e Papës ishte edhe nderimi i Atit të Shenjtë me titullin “Qytetar Nderi i Tiranës” nga Kryetari i Bashkisë, Lulzim Basha, i cili i dorëzoi Atit të Shenjtë “Çelësin e Tiranës”.

Filed Under: Reportazh Tagged With: KOMBI NË FESTË, PAPA FRANCESKU NË TIRANË

Nxënësit e Shkollës Shqipe “Alba Life” në Brooklyn filluan vitin e ri mësimor 2014-2015

September 20, 2014 by dgreca

Bilbili i Gjuhës Shqipe Rafael Gjona m’u përgjegj se: “Dakord që mund të dali nga shkolla jonë një president për në Amerikë, por mund të kemi dhe një president të ardhshëm për Shqipërinë, pse jo”?…/
Nga Keze Kozeta Zylo/
Në Brooklyn në një nga qytetet historike dhe ndër më të populluara të Nju Jorkut si dhe në Amerikë nxënësit shqiptarë filluan shkollën Shqipe.
Në mjediset e shkollës publike amerikane nxënësit shqiptarë të lindur në Amerikë u ulën për të filluar vitin shkollor akademik 2014-2015. Ishte një ditë e bukur shtatori me fllad Oqeani një ditë që do të ngelet përgjithmonë në kujtesën e nxënësve. Shumë prej tyre njiheshin nga vitet e mëparshme dhe takoheshin me mall, sepse ishin me sezonin e pushimeve dhe kishin pothuajse gjithë verën që nuk ishin takuar, ngase dikush kishte shkuar në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Dibër, Çamëri ose vende të ndryshme të botës që ata i tregonin me aq mbresa dhe bukuriza fëminore.
Disa prej tyre uleshin për herë të parë në bangat e shkollës dhe që më të mëdhenjtë tregoheshin tepër të kujdesshëm për t’u dhënë ngrohtësi dhe dashuri si më të “vjetër” të shkollës shqipe. Nxënësit erdhën të shoqëruar nga prindërit e tyre të cilët me emocion dhe mirënjohje tregonin kujdes të posaçëm që ata të dëgjonin mësueset e tyre dhe të mësonin sa më shumë SHQIP.
Në ceremoninë e hapjes së fillimit të vitit shkollor përshëndeti Dr.Valbona Zylo Watkins zv/presidente e Shkollës Shqipe dhe bashkëthemeluese e saj e cila iu uroi mirëseardhjen të gjithë nxënësve, prindërve dhe mësueseve të shkollës. Dr.Watkins bëri një prezantim të shkurtër të historikut të shkollës shqipe “Alba Life” shkollë që operon në Staten Island, Brooklyn dhe së shpejti do të kemi Shkollë Shqipe dhe në Manhattan. Ajo vazhdoi se shkolla ka hyrë në vitin e shtatë të saj dhe së bashku me stafin jemi krenarë që fëmijët tanë këtu në Diasporë po mësojnë Gjuhën Shqipe, kulturën dhe traditat e mrekullueshme të popullit shqiptar. Sivjet shkolla shqipe në Brooklyn është shtuar me një klasë më shumë çka tregon për rritjen e saj dhe seriozitetin e punës së mësuesëve. Prindërve të mëparshëm dhe të rinj u ka prezantuar programin shkollor, abetaren unike dhe librat qëdo të përdorin nxënësit, të cilat janë të miratuara nga të dy ministritë e Kosovës dhe të Shqipërisë. Aktivitetet e ndryshme që organizon shkolla Shqipe si festën e Pavarësisë, festat e fundvitit, 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, Festivalin e Shkollave Shqipe që u organizua vjet për herë të parë nën drejtimin e Konsullatës së Kosovës me ish Ambasadorin Bekim Sejdiu dhe me Keshillin Organizativ do të vazhdojë çdo vit, si dhe mbylljen e vitit shkollor janë aktvitete që nxënësit marrin pjesë gjallerisht dhe që ata paraqiten denjësisht për të demonstruar kulturën shqiptare në New York në metropolin e botës. Në fund ka falënderuar mësueset e shkollës në Brooklyn si Altiona Stefanllarin e cila për arsye pune, pasi jep mësim dhe në mbasdite nuk do të marre pjesë këtë vit dhe Aferdita Kacubaj te cilat punuan me përkushtim për vitin akademik 2013-2014. Ndërkohë ka prezantuar para nxënësve dhe prindërve dy mësueset e reja zonjat Marjana Bulku dhe Armela Shehaj të cilave iu ka uruar mirëseardhjen dhe punë të mbarë në vitin e ri shkollor. Ajo i ftoi ato para audiotorit ku mësuese Marjana tha se kam tre vje që kam ardhur në Amerikë dhe shprehu me emocion bashkëpunimin me stafin e Shkollës Shqipe dhe tha se unë kam një përvojë të konsiderueshme në arsim pasi në Shqipëri kam dhënë mësim në shkollë të mesme dhe do të mundohem të përshtatem dhe këtu me nxënësit e kësaj moshe. I shprehu falënderimin dhe themeluesit të shkollës shqipe z.Qemal Zylo për bashkëpunimn dhe përkushtim që do të vazhdojnë me të gjithe stafin për ecjen e shkollës shqipe. Mësuese Armela Shehaj tha se ka mbaruar për mësuesi në Shqipëri dhe tha kam vetem tre muaj që kam ardhur në Amerike. E falënderoj Shkollën Shqipe për ngrohtësinë që më krijuan dhe për kërkesën që më miratuan për të dhënë mësim, detyrë që do ta kryejë me dinjitet dhe devotshmëri.
Në fund të ceremonisë iu ka uruar mirëseardhjen z.Qemal Zylo të gjithë prindërve, nxënësve dhe mësueseve të vjetra si Altionës dhe Afërditës si dhe mësuese të reja Marjanës dhe Armelës që u treguan te gatshme për këtë mision fisnik. Gjithmonë e kam ndjerë për detyre karshi Atdheut dhe Diasporës që me mundësitë tona si familje të hapim shkollat shqipe këtu në Diaspore që femijet tanë të mos e harrojnë kurrë Gjuhen Shqipe dhe rrënjët nga kanë ardhur. Pa bashkëpunimin e ngushtë tuajin si prindër, si dhe shoqatave të ndryshme ne nuk do të kishim sukses në hapjen e shkollave shqipe, pasi vetëm bashkëpunimi dhe mirëkuptimi bëjnë gjithcka të mundur dhe për këte ju shpreh mirënjohjen time. Z.Zylo falënderoi te gjithe prindërit si dhe nje falënderim special ka qenë për nxënësit e rinj që u ulën për herë të parë në bangat e shkollës. Është kënaqësi që Shkolla Shqipe “Alba Life” përdor mjediset e Shkollës publike amerikane dhe për këtë falënderoi drejtoritë e shkollave amerikane si dhe Bordin e Edukimit të New Yorkut që i lejon ligjërisht për të vazhduar programin e mësimit shqip. Pasi u bënë regjistrimet, dhënia e librave, nxënësit grupe-grupe u ndanë sipas klasave dhe vazhduan programin mësimor. Duke kaluar në korridor pranë çdo klase nuk ka se si të mos ndjesh emocion kur dëgjon fjalën e ëmbël shqip nga fëmijët e Diasporës, të cilët të japin një kënaqësi krejtësisht të veçantë.
Ndërsa dëgjoja Shqip, kishja hyrë në rezonancë si në një muzike me tingëllim të fuqishem aktual me vargjet për Gjuhën Shqipe të Martirit të Kombit Gjergj Fishtës i cili shkruan:
“Pra, shqyptarë çdo fès qi t’jini/ gegë e toskë/ malci e qyteta/ gjuhën t’uej kurr mos ta lini/ mos ta lini sa t’jetë jeta/ por për tê gjithmonë punoni/ pse, sa t’mbani gjuhën t’uej/ fisi juej, vendi e zakoni/ kanë me u mbajtë larg kambës s’huej”…
Pasi i përfundova nën zë së brendshmi këto vargje hymn, ndalova një çast tek klasa e Marjanës dhe ju thashë mirë se erdhët dhe punë të mbarë. Ja përshembull mesuese Marjana i thashë se ç’kam një parandjenjë që nga kjo shkollë mund të dali ndonje president i ardshëm në Amerikë, ndërkohë nxënësi Rafael Gjona, Bilbili i Gjuhës Shqipe m’u përgjegj se: “dakord që mund të dali nga shkolla jonë një president për në Amerikë, por mund të kemi dhe një president të ardhshëm për Shqipërinë, pse jo”?… Nxënësit e miratuan duke qeshur. Folëm me sy me mësuese Marjanën dhe u largova me një buzëqeshje dhe me një mendim të thellë në kokë…
Bota e tyre gjithmonë më ka magjepsur si mësuese me një përvojë të gjatë midis dy kontinenteve, por dhe si prind, si gjyshe dhe si shqiptare.
Në muajin e shtatorit në Ditën e parë të Shkollës Shqipe, në Bruklinin historik ndër qytetet më të populluara amerikane që njihet më së shumti me urën e famshme me të njejtin emër dhe që futet në mrekullitë moderne të botës, Bruklini dëgjoi shqip, jehona e saj do të dëgjohet sa të ketë frymë shqiptari.

19 shtator, 2014
Brooklyn, New York

Filed Under: Reportazh Tagged With: Alba-Life, Keze Zylo, nisi mesimi, shkolla

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 148
  • 149
  • 150
  • 151
  • 152
  • …
  • 178
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • ANGELA KOSTA DHE CHANEL BASHHYSA FITUESE TË ÇIMIMIT NDËRKOMBËTAR TË EKSELENCËS “DIVINAMENTE DONNA” NË SENATIN E REPUBLIKËS ITALIANE
  • “TASHMЁ JEMI TЁ VJETЁR PЁR T’U KTHYER NЁ SHTЁPI” – POEZI NGA ORIADA DAJKO
  • IRONIA DHE HIPOKRIZIA RRETH PRONËSIMIT TË KATEDRALËS NË SHKODËR
  • Dita e Verës – Festa e lashtë e ripërtëritjes shqiptare
  • Luan Rama sjell në Tiranë tablotë ikonike të piktorëve francezë për Shqipërinë dhe shqiptarët
  • Në Tiranë u zhvillua koncerti “Me Zanin e Bjeshkëve” i këngëtarit Gëzim Nika “Mjeshtër i Madh”
  • Shqipëria ka nevojë për Xhorxh Uashingtonët e saj
  • Kriza globale, nga Ukraina në Lindjen e Mesme
  • IRONIA DHE STILI NË DEBATET MES NOLIT DHE KONICËS 
  • MËRGIM XHEVAT KORҪA, IN MEMORIAM
  • Ardita Statovci, pedagoge pranë “Washington Conservatory of Music”: “Muzika është gjuhë universale që të mundëson ta prezantosh një copëz të identitetit e kulturës së vendit tënd në çdo anë të botës”
  • Përkujtojmë sot në përvjetorin e ndarjes nga jeta Fan Stilian Nolin, një figurë themelore të historisë dhe kulturës shqiptare
  • Festohet bukur 7-8 Marsi në Fialdelfia nga shoqata “Bijtë e shqipes”
  • Përtej mitit: identiteti si vetëdije shoqërore
  • Harmonia fetare në imazhin e një pulle postare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT