Mark Mrnaçaj/
Në promovim të veprave të Dalip Grecës, unë fola pak fjalë e thjesht nga pozita e një miku të tij, të cilin kam mundur ta ndjek nga afër në pjesën më të madhe të kohës, mbas vendosjes së tij në Shtetet e Bashkuara, dhe në veçanti gjatë periudhës thuajse 12 vjeçare, kur Dalip Greca e drejtoi me mjaft profesionalizëm Gazetën “Dielli”. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se ne kemi kaluar një kohë të përbashkët, në vende të përbashkëta, sigurisht me eksperienca të ndryshme jete, po gjithnjë në të njëjtin qytet, atë të Lushnjes… ku zënë fill edhe kontributet e tija të para, si gazetar i Shkëndijës…
Kur mora vesh se Dalip Greca ka ardhur te Vatra, dhe do të merrej me drejtimin e Gazetës “Dielli”, m’u bë qejfi, dhe gradualisht jemi bërë miq me të. E kam vlerësuar në vazhdimësi punën dhe kontributet e tij, po edhe ai ka dëshmuar mjaft respekt ndaj meje. Ai bën pjesë te ato personalitete që ka pasur një përkushtim shembullor dhe është pikërisht ky përkushtim i tij, që na ka mbledhur të gjithëve ne sot, ndaj unë kam dëshirë të ndalem e të rrëfej diçka shkurt dhe thjesht personale…
Shpesh më ka ndodhur që për punët e mia të kaloja tek qendra ku janë zyrat e Vatrës. Në më të shumtat e herëve nga rruga e shihja ndezur dritën e redaksisë së Diellit. Jam ndalur dhe kam hyrë në zyrë, ku e gjeja Dalipin të përqëndruar në tastierë duke punuar. I thoja, se po e pres nëse donte që ta çoja në shtëpi, mbasi kishte mjaft raste që ishte shi, ishte orë e vonë, apo jashtë binte borë… Me falenderonte me atë mirësinë e tij karakteristike, dhe më thoshte se i duhej ta mbaronte edhe atë punë që kishte në dorë e më pas do të shkonte vetë në shtëpi, mbasi nuk donte të më vononte…
Prandaj në këtë promovim të veprës së tij, unë do të kujtoj me respekt njeriun dhe gazetarin Dalip Greca, të cilit kurrë nuk i doli koha për t’i mbaruar punët që ai kishte vënë vetes, në atë përkushtimin shembullor ndaj komunitetit dhe përmes profesionalizmit të tij që do të na mbledhë edhe herë të tjera…