Dita e Sulltan Novruzit, politikanët vizitë në Kryegjyshatën Botërore të Bektashianëve
TIRANË, 22 Mars/Në një ditë të shenjtë për të gjithë besimtarët bektashinj, festës së Sulltan Novruzit, politikanët shqiptarë vizituan Kryegjyshatën Botërore Bektashiane në Tiranë, ndërsa uruan të gjithë besimtarët dhe shqiptarët kudo ndodhen për sa më shumë paqe dhe begati.
“Uroj që kjo ditë e veçantë për të gjithë besimtarët të sjellë sa më shumë paqe, begati, mirësi”, deklaroi Presidenti Bujar Nishani, pas vizitës që zhvilloi në selinë e Kryegjyshatës, i shoqëruar nga zonja e parë, Odeta Nishani.
Presidenti i Republikës i bëri thirrje politikanëve që të “orientohen nga mirësia dhe të punojnë për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve”.
Pas tij, nga selia e Kryegjyshatës edhe kryeparlamentari Ilir Meta uroi shqiptarët për më shumë paqe e dashuri.
“Në këtë festë të veçantë të Sulltan Nevruzit, në këtë festë që simbolizon ringjalljen, shpresën, ripërtëritjen dhe paqen, uroj të gjithë besimtarët dhe shqiptarët”, u shpreh z. Meta. Këto festa, tha ai, janë të të gjithëve dhe kjo na bën të jemi krenarë.
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta nuk pranoi të komentojë vendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila i kërkoi dy ditë më parë Kuvendit heqjen e mandatit dy deputetëve të maxhorancës për arrestimin e tyre. “Më shumë qetësi dhe dashuri me njëri-tjetrin”, tha Meta.
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha nga selia e Kryegjyshatës uroi festën e Sulltan Novruzit, ndërsa u bëri thirrje shqiptarëve të bashkohen kundër krimit. Në këtë ditë të shënuar, tha ai, përkujtojmë edhe një ngjarje të rëndësishme, 24 vjetorin e fitores së demokracisë mbi tiraninë e diktaturën.
“Shpreh besimin se shqiptarët, ashtu sikundër 24 vite më parë u bashkuan për të hedhur poshtë diktaturën, për t’i hapur rrugën demokracisë dhe për t’iu bashkuar Europës, edhe sot do të bashkohen kundër krimit e diktaturës së krimit, për një politikë të pastër nga krimi”, tha ai.
Festën e Sulltan Novruzit, shqiptarëve ua uroi edhe ish-presidenti i Kroacisë, Stjepan Mesić, i cili po viziton Shqipërinë këto ditë.
Festa e Sulltan Novruzit, është dita e përkujtimit të Imam Aliut, dijetarit dhe shenjtorit më të madh, që luftoi ndaj diktaturës, injorancës, duke sjellë paqe, dashuri dhe mirësi.
Gjatë paradites së sotme në selinë e Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve në Tiranë, është mbajtur edhe ceremonia e drejtuar nga Kryegjyshi Botëror.
Shqipar Çam says
Ne festën që simbolizon ringjalljen, shpresën, ripërtëritjen dhe paqen nuk duhet te paraqitet figura e antishqiptarit janullatos.
andoni says
Qenia e ketij prifti politikan grek e perlyen kete feste.