NGA ILIR HASHORVA, New York/
Këto ditë është rindezur diskutimi për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit Komunist. Disa e mbështesin atë veprim e të tjerë paraqesin shkaqe nga më të ndryshme se përse ato dosje nuk duhen hapur.
“Komisioni Mezini”, i vazhduar nga ai “Bezhani” disa vite më parë, të ngritura për hapjen e dosjeve, kishin për detyrë të hetonin dosjet e disa kategorive zyrtarësh të lartë, apo të pretendentëve për disa poste të rëndësishme në shtet. Veprimtaria e tyre u zhvillua në fshehtësi të plotë dhe ajo fshehtësi la shteg për dyshime. Asnjë nuk mori vesh se cilët persona qenë bashkëpunëtorë në krim të regjimit të vjetër, asnjë nuk mori vesh krimet e tyre.
Në vitin 2010, u kërkua një ligj i ri, i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese, një ligj që i vunë emrin më të çuditshëm e më të pakuptimtë që mund të bëhet: “Ligji i Lustracionit”, i cili do të kishte përsëri për detyrë të mënjanonte nga detyra të rëndësishme një kategori tjetër personash, kryesisht të fushës së drejtësisë. Nuk e di se kush ia vuri emrin atij procesi “lustrim”, fjalë që përdoret më shumë në bojatisjen dhe shkëlqimin e këpucëve, por mund të them se ndoshta ai emër u vu që asnjë të mos merrte vesh se ç’do të kryente vërtet ai proces, apo që secili ta mendonte atë sipas qejfit dhe interesit të tij.
Edhe sot bisedohet për një ligj të ri të hapjes së dosjeve me të njëjtin emër: “Lustracion”. Por, a mund të pritet diçka me rëndësi nga ky ligj për ndarjen nga sistemi i vjetër komunist, për dekomunistizmin, për shpalljen e së vërtetës, për ndëshkim qoftë edhe moral të persekutorëve të djeshëm, për ngushëllimin e të persekutuarve të komunizmit, nga një regjim që dekoron sot Vito Kapon, një nga eksponetet kryesore të regjimit komunist dhe të terrorit të tij, apo mban në parlament ish-ministrin e Brendshëm të regjimit komunist, Gramoz Ruçin, të cilit nuk i jep dekoratë, por i ngre pagën si kryetar grupi parlamentar i PS-së?
Ligjet që u nxorën në Shqipëri, apo ato që synohen të nxirren tashti për trajtimin e atyre që qenë lidhur me sigurimin e shtetit komunist, synonin dhe synojnë vetëm eliminimin e konkurrencës për poste të larta e të preferuara në shtet dhe jo për të ndëshkuar në njëfarë mënyre, apo për të shpallur botërisht veprimet kriminale dhe personat që qenë lidhur me ato veprime të sistemit komunist. Veprimet që synon të bëjë shteti i sotëm, nuk do të kenë asnjë efekt real mbi popullsinë e vuajtur shqiptare, ndonëse ajo popullsi e mbështet në parim veprimin e shtetit. Shteti do të vazhdojë të tallet me popullin e tij, ashtu siç ka bërë edhe më parë, duke përfituar sidomos nga psikologjia e njeriut i cili, edhe kur vetë nuk përfiton asgjë, kënaqet kur i hiqet e drejta e përfitimit tjetrit. Ashtu siç mendohet se do të zhvillohet procesi i hapjes së dosjeve, shqiptari nuk do të njohë kurrë personin anonim që e ka persekutuar apo spiunuar atë apo familjen e tij.
Ç’është e vërteta, edhe në Evropë nuk pati ndonjë vend nga i cili Shqipëria të mund të merrte ndonjë shembull të vyer për këtë problem. Perëndimi u kujtua me shumë vonesë kur tha se duheshin parë dhe dënuar krimet e komunizmit. Kjo nuk mund të bëhesh dy dekada pasi ish-komunistët ishin konsoliduar në të gjitha vendet e Lindjes.
Ndonëse nga Evropa nuk pati ndonjë përvojë të vyer për të luftuar si duhej krimin, pati nga një vend afrikan, nga Afrika e Jugut, një përvojë shumë të vyer, shumë origjinale, shumë humane dhe shumë të urtë se si mund të veprohej me kriminelët e një regjimi mizor të përmbysur.
Në Afrikën e Jugut një pjesë e popullsisë shtypej egërsisht nga shteti, sepse ishte e zezë. Në Shqipëri një pjesë e popullsisë shtypej edhe më egërsisht nga shteti, sepse nuk ishte komuniste. Shtypja ishte e egër në të dy vendet dhe për koincidencë të dyja këto vende e hoqën qafe atë shtypje gati në të njëjtën kohë: Afrika e Jugut në vitin 1990 dhe Shqipëria në fund të vitit 1991.
Në Afrikën e Jugut, për të trajtuar problemin e bashkëpunëtorëve kriminelë të regjimit të vjetër, u përdor një mënyrë që nuk i shëmbëlleu as asaj të zbatuar nga komuniteti botëror kundër nazizmit, pra “drejtësisë së fituesit,” drejtësisë së gjyqit të Nyrembegut, drejtësisë retributive, drejtësisë shpaguese, drejtësisë hakmarrëse, drejtësisë proporcionale, drejtësisë “një sy për një sy, një dhëmb për një dhëmb”, e as modelit që u zbatua nga vendet e ish-Evropës Lindore në trajtimin e diktaturave komuniste dhe njerëzve të tyre, të cilët kishin kryer krime në emër të atyre diktaturave dhe për të cilët gati nuk u bë asgjë. Në këto vende, pas rënies së diktaturave, u fol në mënyrë abstrakte për krime, por nuk u morr kurrë ndonjë masë ndaj kriminelëve, nuk u shpallën kurrë zyrtarisht ata dhe nuk u njohën krimet e tyre. Në këto vende u bë dhe bëhet shumë zhurmë për dosjet e spiunëve, ndonëse spiunët ishin vetëm një hallkë, shpesh herë e mjerë, e një zinxhiri të gjatë kriminelësh e sadistësh që kryesohej nga ideatorët e krimit, që vazhdonte nga miratuesit dhe mbështetësit e krimit dhe, përfundonte nga një çetë sadistësh ordinerë që realizonin materialisht krimin. Për më tepër, ndoshta gjysma e atyre që konsiderohen spiunë, u bënë të tillë me kërcënime dhe dhunë çnjerëzore pikërisht nga hallkat e tjera më të rëndësishme të zinxhirit të krimit, të cilat sot nuk i prek asnjë ligj. A ka kuptim dhe a është e drejtë që të dëmtohet një njeri i bërë spiun nën torturë dhe ai që e bëri atë spiun të mbetet i qetë, madje të gëzojë edhe të drejtën të vihet në çdo post, siç ka pasur plot raste që ka ndodhur? Mua më duket se nuk është e drejtë. Përqendrimi i dënimit të krimeve të komunizmit vetëm te kjo hallkë, vetëm te zbulimi i informatorëve, nuk i jep fund larjes së duarve me krimin dhe kryen fare pak nga ai proces i vështirë, por i domosdoshëm i dekomunistizimit, në të cilin hapja e dosjeve duhet të jetë vetëm një hap në drejtim të tij.
Fill pas shembjes së aparteidit, një vit pasi Mandela u bë president, në vitin 1995, për t’u marrë me krimet dhe kriminelët e së shkuarës, për t’i evidentuar dhe për t’i dënuar, qoftë edhe moralisht ata, në Afrikën e Jugut, u krijua dhe filloi nga puna një komision hetimor që u quajt “Komisioni i së Vërtetës dhe i Pajtimit”, me qëllim për të paraqitur një pamje sa më të plotë për natyrën, shkaqet dhe përmasat e shtrirjes së dhunimit të të drejtave të njeriut si dhe për të hedhur bazat e pajtimit kombëtar, i cili do të vinte si pasojë e shpalljes dhe e njohjes së krimeve të kryera. Vini re! Emri i komisionit është zgjedhur me shumë kujdes, me shumë domethënie e me shumë inteligjencë. Ky komision, krejtësisht i paanshëm dhe krejtësisht i pavarur, kryesohej nga njërit prej personave më me integritet të Afrikës së Jugut, prej Kryepeshkopit të vendit, Desmond Tutu, laureat i Çmimit Nobel për Paqe.
Komisioni mori njëfarë karakteri fetar, kur u vendos që atë do ta kryesonin dy klerikë: Kryepeshkopi Anglikan, Desmond Tutu, si kryetar, dhe Alex Boraine, si zëvendës i tij, predikues metodist. Kryesimi prej tyre i atij komisioni si dhe përfshirja në të edhe e dy klerikëve të tjerë, i bënin seancat e punimeve të atij komisioni të dukeshin jo si gjyqe, por si një përzierje e gjyqit, konfesionit dhe e leksionit moral.
Në komision bënin pjesë njerëz nga i gjithë spektri i ngjyrave i një shoqërie të obsesuar mbas ngjyrës si dhe nga i gjithë spektri i feve. Njerëzit me orientime politike u përjashtuan.
Nuk ishin të gjithë të një mendje për dobinë e Komisionit. Kishte nga ata që mendonin se ai do të hapte plagë të vjetra e të thella që do të shkaktonin turbullira civile e hakmarrje të reja. Të tjerë, ata që e mbronin “Komisionin”, thoshin se Afrika e Jugut nuk duhej të mohonte të shkuarën për hir të së ardhmes, sepse shkalla me të cilën të bardhët e Afrikës së Jugut do të bëheshin pjesë e kombit të ri ishte e lidhur ngushtë me njohjen prej tyre të dhembjes që kishin krijuar ata vetë. Sipas Tutut, Komisioni duhej t’i hapte plagët në mënyrë që t’i pastronte.
Parimi i ngritjes së Komisionit të së Vërtetës dhe Pajtimit ishte: “Pajtimi varet nga falja dhe falja mund të jepet pasi të njihet e vërteta, pasi të njihet krimi,” apo siç e tha Mandela: “Vetëm duke njohur të vërtetën, mund të shpresojmë të shërojmë plagët e tmerrshme të hapura që janë trashëgimi e aparteidit. Vetëm e vërteta mund ta ndalë të kaluarën”. Komisioni do të zbatonte parimin e Gandit se e vërteta ishte parimi i të gjitha parimeve. Të vlerësoje më shumë të vërtetën, sesa drejtësinë shpaguese, do të thoshte jo vetëm urtësi, por edhe kurajë.
Komisioni e kryente punën në këtë mënyrë: secili, duke filluar nga Presidenti e deri te polici apo spiuni më i thjeshtë, që e dinte se i kishte shërbyer regjimit të vjetër me krime të çfarëdolloj natyre, do të shkonte vetë të dëshmonte për krimet e kryera para Komisionit, në prani të popullit, të televizioneve, të gazetarëve, të viktimave dhe të familjarëve të tyre. Në shkëmbim të të vërtetave që do të thoshte, do të siguronte ose jo amnistinë. Në hyrje të sallave ku zhvilloheshin procedurat e dhënies së dëshmive shkruhej: “The truth shall set us free“, (E vërteta do të na çlirojë), apo “The truth leads to reconciliation”, (E vërteta çon drejt pajtimit). Komisioni i filloi punimet në shkurt të vitit 1996. Në një poster të madh ishin shkruar fjalët e Ministrit të Drejtësisë, Dullah Omar: “Ju ftoj të bashkoheni në kërkim të së vërtetës, pa të cilën nuk mund të ketë pajtim real” dhe në një tjetër: “E vërteta dhemb, por heshtja vret.”
Në qendër të vëmendjes ishte e vërteta, jo dënimi, jo hakmarrja. Të gjithë, pasi bënin dëshmitë, që duhet të ishin të sinqerta e të plota dhe, duke qenë të tilla, ishin edhe shumë tronditëse, amnistoheshin. I gjithë procesi zhvillohej midis kriminelëve dhe viktimave të tyre. Shteti nuk kishte asnjë rol. Pasi jepej amnistia, keqbërësi zhvishesh nga çdo detyrim ligjor: civil apo penal. Viktima nuk kishte më të drejtë ta padiste keqbërësin dhe keqbërësi andej e tutje gëzonte të gjitha të drejtat si dhe çdo qytetar tjetër, atij nuk i ndalohej kryerja e ndonjë lloj pune. Ky ishte vërtet një çmim shumë i madh që duhej të paguante viktima. Proceset ishin krejtësisht transparente, nuk mund të kishte as mbulesa dhe as sajesa krimesh nga shteti, apo njerëz të rëndësishëm të tij.
Ata që kishin kryer krime dhe nuk paraqiteshin para këtyre komisioneve, në bazë të dosjeve të tyre, apo të padive të viktimave, dilnin para gjykatave penale dhe dënoheshin sipas shkallës së fajit.
Qëllimi i kësaj metode, ishte nisja e një jetë të re për të gjithë: për popullin duke falur, por duke mos harruar; për ata që kishin kryer krime, duke i njohur krimet, duke i deklaruar dhe duke shprehur pendesë për to. Metoda e përdorur do të ndihmonte në procesin e pajtimit kombëtar. Në të vërtetë, ajo do të ishte njëfarë sakrifikimi i drejtësisë për hir të së vërtetës. Çdo njeri i regjimit të mëparshëm që kishte kryer krime tashti e dinte se ishte falur, se ishte amnistuar, por jo se ishte shlyer, se ishte larë, se ishte pastruar, se nuk kishte kryer asgjë të keqe.
Krimineli, pas vetëdeklarimit të krimeve që kishte kryer, do të njihej botërisht. Ai nuk mund të mbulohej më me maskën e mbështetësit të pushtetit të ri, ai nuk mund të shëtiste më me kapadaillëk nëpër rrugët e vendit, ai nuk do të sillej sikur nuk kishte ndodhur asgjë, ai nuk do të mund të thoshte se kishte vepruar në atë mënyrë se ashtu ishte sistemi, se ashtu ishte koha, ai nuk do të kishte më fytyrë të pretendonte për poste të niveleve të larta të shtetit dhe, edhe sikur të ishte i pafytyrë, populli nuk do ta mbështeste. Ai nuk mund të vazhdonte të urrente dhe të luftonte viktimat e tij që ishin dëshmitarë të krimeve të tij dhe që, ashtu siç thoshte Ainshtaini: “Sa më mizore të jetë sjellja e dikujt ndaj një personi apo ndaj një populli, aq më e thellë është urrejtja dhe cinizmi i tij ndaj tyre”. Kriminel andej e tutje nuk do të ishte më vetëm spiuni, por i gjithë zinxhiri i krimit, që nga Presidenti e deri tek ai që tërhiqte këmbëzën e revoles për të vrarë kundërshtarin e regjimit, apo që mbante në dorë kopaçen për ta torturuar atë.
Komisionarët pranuan kërkesën e Kryetarit Tutu në takimin e tyre të parë, që të tërhiqeshin në një vend të ndarë, në një qelë, ku të mund të shtonin aftësitë e tyre shpirtërore dhe të mprihnin ndieshmërinë. Ata u ulën në këmbët e një udhëheqësi shpirtëror, dhe qëndruan aty në heshtje për një ditë. Komisioni pranoi, po ashtu, propozimin tjetër të Desmond Tutut që në fillim dhe në përfundim të seancave të bëheshin lutje. Kur viktimat dhe të mbijetuarit shkonin para komisionit për të dëshmuar, do të krijohej një atmosferë solemne me lutje, himne dhe me ritualin e ndezjes së qirinjve për të përkujtuar viktimat e vdekur. Desmond Tutu do t’i drejtonte seancat i veshur me rrobën e purpurt të kryepeshkopit. Kështu u krijua një atmosferë e ngjashme më shumë me atë të kishës gjatë rrëfimit, sesa të gjyqit apo hetuesisë gjatë një seance gjykimi të krimit.
Në vitin 1998, tre vjet pasi filloi punën, Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit e përfundoi detyrën dhe botoi raportin e tij në pesë vëllime në të cilin dokumentoheshin të gjitha krimet e kryera nga njerëzit e shtetit. Raporti iu dorëzua fillimisht Presidentit Mandela dhe pastaj u shpërnda në publik.
Me rastin e dorëzimit të Raportit, Mandela mbajti një fjalim në të cilin, ndërmjet të tjerave, tha:
“Gjatë procesit të negociatave lidhëm një pakt për të zbuluar të vërtetën, për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për fëmijët dhe nipërit tanë, pa pasur parasysh racën, kulturën, fenë apo gjuhën. Sot ne po korrim frytet e asaj që mbollëm në fund të tragjedisë jugafrikane.
“Nderime për ata që ‘hapën plagët e fajit’. Ndërsa vrojtojmë këtë stad të procesit të Komisionit, duhet të nderojmë ata 20000 burra dhe gra që lehtësuan dhimbjet dhe humbjet e tyre duke i ndarë ato me ne; ata qindra që guxuan të hapnin plagët e fajit, në mënyrë që të shpëtonin trupin e politikës së kombit
“Në krye të të gjithë kësaj, ka qenë shumë i nderuari Desmond Tutu, një figurë e respektuar jo vetëm në vendin tonë, por edhe shumë më tej se kufijtë tanë, i cili, gjatë proceseve, përçoi dhimbjen dhe brengën tonë, shpresën dhe besimin tonë.
“Juve, të gjithë komisionarëve dhe stafit të Komisionit, në emër të të gjithë kombit ju themi: faleminderit për punën që keni bërë deri tashti.
“Raporti na zgjon “emocione tronditëse.” Edhe pse ai m’u dha mua formalisht si president, në të vërtetë është një raport për të gjithë ne. Për këtë arsye ai po shpërndahet në publik…
“Shumë nga ne do të kenë rezerva rreth atyre që jepen në këta pesë vëllime. Të gjithë janë të lirë të bëjnë komente dhe ne i ftojmë të bëjnë komente. Për ata që mendojnë se janë dëmtuar padrejtësisht, ka zgjidhje.
“Raporti na kërkon të lemë të shkuarën e tmerrshme. Plagët e periudhës së represionit dhe të rezistencës janë të thella dhe nuk mund të shërohen vetëm nga Komisioni, sado mirë të ketë vepruar ai. Raporti që sot do të bëhet pronë e kombit tonë, duhet të shërbejë si një thirrje për të gjithë ne që të festojmë atë që kemi kryer si komb, ndërkohë që lëmë pas për gjithnjë të shkuarën e tmerrshme”.
Me këtë mënyrë të trajtimit të krimit, në të cilën duhet të dalë me çdo kusht e vërteta, në të cilën e vërteta duhet njohur sado e hidhur dhe e shëmtuar që të jetë, në të cilën brezat e rinj duhet të njohin se ç’kanë bërë brezat e mëparshëm, në të cilën fëmijët duhet të dinë se ç’kanë bërë prindërit e tyre, në të cilën të dënohet kryesisht krimi dhe jo krimineli, në të cilën mjetet duhet të jenë po aq të mira sa dhe qëllimi, Afrika e Jugut i dha fund një të kaluare mizore si dhe armiqësive që mund të vazhdonin prej saj edhe për shumë kohë më pas.
Presidenti i Republikës Federale Gjermane në atë kohë, Richard von Weizsacker, në një simpozium në Berlin në vitin 1999, tha: “Bota nuk mund të besojë se ç’po sheh. Ju po krijoni shpresë për të ardhmen. Jugafrikanët arritën një tranzicion të jashtëzakonshëm, të arsyeshëm e paqësor nga mizoria e shtypjes, në një stabilitet relativ të demokracisë. Ju habitët të gjithë me mënyrën e re të trajtimit të së kaluarës mizore. Ju ndofta habitët edhe veten tuaj me qetësinë që treguat në disa nga rastet më tronditëse që nxorët. Kjo ishte një përvojë të cilën bota nuk mund ta lejë pas dore”.
Shimon Peres-i, ish- kryeministër i Izraelit, laureat i Çmimit Nobel për Paqe, e cilësoi procesin e pajtimit në Afrikën e Jugut si diçka unike në histori.
Nju Jork, janar, 2014
*Shënim: Ky shkrim është bazuar mbi librin e Ilir Harshoves “Nelson Mandela”, botimi “Toena”, 2012.
L.Mirakaj says
Sikur ky proçes të ishte bërë në vitet e para,do kishtqënë një mrekulli.Kanë kaluar 24vjet,kriminelët janë pasuruar,kanë qënë e janë akoma në majat e pushtetit politikë ,gjygjësor dhe ekonomik.Ti kërkojsh sot kësaj kategorije të vetdenoncohet ,më duket pak utopike.Për mendimin tim ,ka vetëm një mënyrë për dekomunistizimin.Minimumi të pastrohet administrata dhe gjygjësori,ku përfshihen edhe noterët,të gjith ata që kanë bërë krime,ku të përfshihen edhe bashkëpuntorët,por jo si e keqja e madhe po si hallka e fundit në hierarkinë e krimit,dhe ky proçes të bëhet në mënyrë publike,ashtu si u bë në Afrikën e Jugut.Po personalisht mendoj se nuk do bëhet asnjëherë..
Sadik Elshani says
Perfundimisht, neve po na mungojne njerez qe gezojne autoritetin moral te Nelson Mandeles e Desmond Tutus. Ndoshta edhe kemi njerez te kalibrit te tille, por asnjeri nuk po del ne skene e te ndjeke shembullin e tyre, te marre rolin e tyre. Asakush nuk po kerkon hakmarrje, por drejtesi. Nuk mund ta falesh ate qe nuk pendohet dhe nuk keerkon falje per ate qe ka bere. Ne Shqiperi krimet e komunizmit ende nuk jane denuar, prandaj nje pjese e mire e shqiptareve ende e adhuron diktatorin dhe regjimin e tij cnjerezor. Pa u denuar krimet e komunizmit, Shqiperia nuk mund te kete nje te ardhme europiane. Pervoja e Afrikes se Jugut, mendoj se eshte nje shembull qe duhet ndjekur.