
Reflektim per Europen e bashkuar dhe shqiptaret e perçare/
Nga Sadik ELSHANI*/
Europa e bashkuar
Dita e Europes qe shenohet çdo vit me 9 maj feston paqen, pajtimin dhe bashkimin ne Europe. Rendesia e kesaj feste eshte integrimi europian, vzioni i lulezimit te paqes, lirise e mireqenjes se qytetareve te saj. Kjo date lidhet me pervjetorin historik te “Deklarates se Schumanit”. Ne nje fjalim te tijin ne Paris me 1950, Robert Schuman, ne ate kohe minister i Puneve te Jashtme te Frances, e shpalosi idene e tij per nje forme te re te bashkepunimit politik ne Europe, qe do ta bente te pamundur, te paimagjinueshme luften ne mes te shteteve, popujve te Europes. Vizioni i tij ka qene qe te krijoje nje institucion europian ku arrihet nje marreveshje e perbashket per te rregulluar prodhimin e thengjillit dhe çelikut. Gati nje vit me vone eshte nenshkruar nje traktat per te krijuar nje korporate te tille.Ishte percaktuar per thengjillin dhe çelikun, sepse keto jane dy prodhime te domosdoshme per te bere lufte. Ky propozimi i Schumanit merret si fillimi i krijimit te Bashkimit Europian (Europian Union). “Dita e Europes” eshte future per here te pare ne vitin 1985 nga Komuniteti Europian (Europian Community), pararendes i Bashkimit Europian, qe eshte krijuar me 1 nentor te vitit 1993 dhe sot ne gjirin e tij perfshin 28 shtete.
Ministri Schuman e ka bere kete deklarate pikerisht me 9 maj, sepse kjo date shenon edhe mbarimin e Luftes se Dyte Boterore ne Europe, fitoren mbi fashizmin e nazizmin, qe per pese vite e shkaterruan kontinentin europian, duke shkaktuar vdekjen e miliona njerezve dhe shkaterrimin e shume vendbanimeve, objekteve materiale, industriale e kulturore. Nganjehere ne histori ndodhe qe shtetet e qyteteruara te drejtohen nga individe e forca te errata politike, te cilat sjellin shkaterrime per vendet e tyre dhe vendet tjera. Por, shtetet e qyteteruara e me tradite politike e shteterore i pranojne gabimet e tyre dhe zotohen se ato nuk do te perseriten me dhe kete e deshmojne me vepra konkrete. Per t’i rene me shkurt, kundershtaret, armiqte e djeshem sot jane bere aleate, miq te sinqerte dhe jane duke punuar per zhvillimin e perparimin e kontinentit europian. Gjermania, shteti qe i shkaktoi gjithe ato tmerre gjate luftes, sot eshte bere forca motorike, timonierja e zhvillimit e demokratizimit te Europes. Te tjerat i ka thene historia dhe nuk ka nevoje qe te zgjatemi me teper ketu.
Shqiptaret e perçare
Po çka eshte duke ndodhur me shqiptaret? Eshte duke ndodhur e kenderta me ate qe po ndodh ne Europe. Shqiptaret ne shtetin e tyre prej 2 – 3 milionesh ende jane te perçare ne vijat e taborreve te para 75 viteve te shkuara. Ne Europe lufta ka mbaruar 74 vite me pare dhe menjehere pas saj kontinenti ka filluar t’i sheroje plaget e luftes, duke bere pajtimin, duke u perpjekur per te ndertuar nje jete te re. Nga ligjerimi (diskursi) i perditshem, skena e ashpersuar politike,debatet televizive, shkrimet e komentet ne gazetat e shtypura dhe ato elektronike, postimet e ndryshme ne Facebook me permbajtje e gjuhe ideologjike staliniste, fitohet pershtypja se nje forme e luftes qytetare ende eshte duke vazhduar ne Shqiperi. E kam fjalen per Shqiperine londineze, sepse ne trojet tjera shqiptare nuk ndodh nje gje e tille ne nje shkalle aq te zgjeruar, me perjashtim te disa individeve e grupeve te caktuara qe ende jane bunkerizuar ne keshtjellen e tyre bolshevike – staliniste. Lufta kunder fashizmit nuk eshte atribut, prone e komunisteve. Ndoshta te gjithe komunistet kane qene antifashiste, por jo te gjithe antifashistet kane qene komuniste. Gjate kohes se luftes marreveshja ne mes te kombetareve (nacionalisteve) dhe komunisteve per nje lufte te perbashket kombetare (Konferenca e Mukjes) deshtoi, sepse komunistet shqiptare ishin te terhequr per hunde nga dy nacinaliste serbe (edhe pse ata ishin malazeze, dallim jo i madh): Milladin Popoviqi e Dushan Mugosha. Ata (komunistet) luftuan per ideologji, per pushtet dhe jo per nje Shqiperi demokratike. Bijte e Stalinit, siç e quanin veten komunistet, nuk luftojne per Shqiperi – bijte e Skenderbeut, po. Shqiperia u pushtua me 7 prill te vitit 1939, por komunistet u zgjuan nga gjumi kah fundi i vitit 1941, sepse ne qershor te atij viti ishte sulmuar Bashkimi Sovjetik. Me koken ne Moske e Beograd e me kembet ne Shqiperi, nuk luftohet per atdhe. Edhe njehere, historia e tregoi se çfare shteti krijuan komunistet, nje regjim çnjerezor qe u permbyse nga vete populli. Prandaj, nuk po zgjatem ketu me teper, sepse nuk eshte qellimi i ketij shkrimi dhe tani dihet mire sesi perfundoi sundimi komunist.
Move on (leviz, ec perpara)
Mire e ka thene Mit’hat Frasheri: “Shqiptaret do t’i fitojne te gjitha lufterat sapo te kene perfunduar luften e fundit ndermjet tyre”. Prandaj, jemi ku jemi, sepse ende jemi duke luftuar me njeri – tjetrin. Meqenese e permendem Mit’hat Frasherin, duhet theksuar se kthimi i eshtrave te tij ne atdhe nxori ne pah keto kundershti, acarime, perplasje politike. Gjuha e ashper e fyese ndaj personalitetit te Mit’hat Frasherit tregon nivelin e mjerueshem kombetar te kundershtareve te tij, mendjen, gjykimin e te cileve e ka paralizuar ideologjia e deshtuar bolshevike. Kryetari i Kongresit te Manastirit, nenshkruesi i dokumentit te Shpalljes se Pavaresise se Shqiperiseatdhetari, shkrimtari, publicisti, liberdashesi, diplomati Mit’hat Frasheri tere qenien e tij, gjate tere jetes se tij e ka vene ne sherbim te Shqiperise dhe çeshtjes shqiptare ne pergjithesi. Nder shekuj emri i Mit’hat Frasherit do te permendet me respekt dhe vepra e tij do te vleresohet gjithmone, ndersa kundershtaret e tij do te perfundojne ne koshin e pleherave te historise.
Prandaj, shqiptaret te marrin mesime nga Bashkimit Europian, pjese e te cilit deshirojne te behen e te mos i vazhdojne betejat e deshtuara te eterve, gjysherve te tyre. Per keto raste amerikanet e kane nje shprehje te bukur: Move on (leviz, ec, vazhdo perpara). Por, ne shqiptaret nganjehere i ngulim kembet si dikushi ne balte dhe nuk mund te ecim perpara. Eshte koha, madje tejshkuar, per nje pajtim te sinqerte kombetar. Me mire vone se kurre.
Filadelfia, 19 maj 2019
Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.