Sokol Paja/
New York, 28 Qershor 2023 – Familja patriotike Balaj, mbarë farefisi, kumbarët, miqtë e afërt dhe dashamirësit e familjes festuan festën e dy shenjtorëve më të rëndësishëm të Kishës Katolike, Shën Pjetrin e Shën Palin. Në një ceremoni festive familjare dhe fetare, darka fisnike e familjes Balaj u kthye në një homazh nderimi, lutje, përkujtimi e vlerësimi për familjarët në amshim: Gjon Marku, Zojë Kolja, Gjon Gjeloshi, Lushe Gjonja, Gjelosh Gjoni, Pashke Gjonja, Drande Gjonja, Zojë Dedja, Gjergj Pjetra, Pjeter Gjoni dhe Zef Gjoni. Të larguar, por përjetë në kujtimet e familjes. Nën bekimin e Dom Nikolin Pergjinit, lutja dhe uratët vazhduan për shpirtrat në parajsë të familjarëve Balaj që mungonin fizikisht por jo shpirtërisht në tryzën bujare të familjes patriotike Balaj. David Balaj, Valentin Balaj dhe Ndue Gjeloshi uruan mirëseardhjen dhe falenderuan në emër të familjes Balaj. Në mjediset familjare të “Zuppa Restaurant” tri gjenerata të familjes Balaj festuan deri në mbrëmje vonë një festë fetare e familjare e kthyer në një traditë të veçantë si shenjë bashkimi të familjes e falenderimi ndaj Zotit për të mirat, sukseset dhe bekimet mbi familjen Balaj që i ka dhënë aq shumë komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Familja Balaj ka kontribuar shumë për çështjen kombëtare duke qenë model në komunitet dhe mërgatën e Amerikës.
Vëllezërit Balaj në rrëfimet e tyre kanë treguar se 70 vite më parë në 28-29 Qershorin e largët të vitit 1951, familja pasi ka kremtuar Shenjtët në vendlindje, në Mëzi të Pukës,edhe pse e rrethuar, ka arritur që ta çajë atë dhe ka marrë rrugën e vështirë të arratisjes. Familja e madhe BALAJ, kurrë nuk ka heqë dorë nga festimi i festës së Dy Shenjtëve, edhe në vendlindje, edhe në Kosovë kur u arratisën për t’i shpëtuar përndjekjes komuniste, edhe në Itali ku qëndruan pak kohë, ndërsa në Amerikë festimi ka qenë përherë masiv, me shumë pjesëmarrës. Kisha Katolike e kremton festën e shën Pjetrit e Palit Apostujt çdo vit me 28-29 qershor. Dy Shenjtorët-Apostuj janë Pajtorë të qytetit të Romës. Darka e familjes Balaj ishte një festë e vërtetë fetare e familjare ç’ka tregon rujtjen e traditave shqiptare e fetare në Amerikë por edhe dëshmi e vazhdimësisë fisnike të falenderimit ndaj Zotit e njëri-tjetrin për jetën që jetojnë e çastet që ndajmë çdo ditë me njëri-tjetrin. Familja Balaj si kontributore e vazhdueshme në komunitet, e kudondodhur për të dhuruar e mbështetur patriotët shqiptarë e nismat kombëtare, sidomos Federatën Vatra e Gazetën Dielli, përbën një krenari shqiptare në mërgatën e Amerikës.