Festivali Shqiptar pranë Kishës Katolike Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Michigan organizohet prej 30 vitesh. Për herë të parë u organizua nga Dom Prek Ndrevashaj dhe prej 22 vitesh drejtohet nga Dom Ndue Gjergji si famullitar i Kishës. Në një prononcim për Diellin e Vatrës, dhënë Editorit Sokol Paja, Dom Ndue Gjergji famullitari i Kishës Katolike Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Michigan, tregon për publikun detaje rreth Festivalit Shqiptar të përvitshëm të organizuar pranë kësaj Kishe. “Mirënjohje fëmijëve, prindërve, organizatorëve për punën e palodhur, mbështetësve tanë e falënderime të madhit Zot që bënë të kishim një Festival spektakolar këtë vit. Çdo vit e më mirë, çdo vit e më bukur. Lavdi Zotit për njerëzit e shkëlqyer të komunitetit tonë në Michigan” fillon bisedën telefonike për Diellin Dom Ndue Gjergji. Një festival tre ditor i kthyer në një traditë të padiskutueshme promovimi vlerash kombëtare e komunitare, bashkoi me qindra shqiptarë në Michigan.
Synimi i Festivalit Shqiptarë organizuar nga Kisha është: Bashkimi i njerëzve, bashkimi i familjeve, forcim i edukimit, rolit të familjes e kishës, forcimi i besimit dhe nxitje e aktivizimit komunitar për të mirën e gjithë komunitetit e famullisë së Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve. Si çdo vit, aktiviteti i shkëlqyer filloi me Paradën e Flamurit Kombëtar e programin artistik me grupet e valleve të Kishes Zoja Pajtore, grupin e Valles Rapsha në Mergim që udhëhiqet nga Anton Junçaj prej 10 vitesh, grupin e Valles Krenaria, me muzike autentike kombëtare shqiptare në shoqërimin me tupan nga Arsid Cekaj, emocionuan me shfaqjet e tyre brilante këngëtarët e mirënjohur Gezim Nika (Mjeshtër i Madh), Albina Ndrejaj, Albert Abedini, Gjoni Opa, Kuq e Zi dhe Liridona etj. Një shfaqje artistike promovuese e vlerave dhe traditës kombëtare shqiptare. Një moment shumë i veçantë i Festivalit, sipas Dom Ndue Gjergjit është ligjëratat dhe lutjet për Nënë Terezën. “Ky Festival na la mbresa të jashtëzakonshme. Pjesëmarrja ishte masive. Natën e fundit ishin më shumë se 3 mijë pjesëmarrës. Si asnjëherë në këto vitet e fundit. Në të gjitha aspektet jemi munduar me përformu sa më lart, me kënaq njerëzit e fëmijët sidomos. Qëllimi ynë është të mbajmë gjallë vlerat e kombit tonë e të kulturës sonë. Gjithmonë lus Zotin: Të bashkuar në gëzim dhe në lutje. Njerëzit po i afrohen kishës çdo ditë e më shumë. Zoti i bekoftë familjet e mrekullueshme shqiptare” përfundoi prononcimin për Diellin famullitari Dom Ndue Gjergji. Këtë vit më 8 dhe 9 Tetor 2022 do të përkujtohet 50 vjetori i themelimit të Kishës Zoja Pajtore e Shqiptarëve në Michigan.
Fotot:
Kisha e Zojës Pajtore
Anton Junçaj