-Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj e të shpallur me Dekretin e Presidentit në 15 qershor 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik/
PRISHTINË, 7 Janar 2015-B.Jashari/.-Në Kosovë kremtohen Krishtlindjet ortodokse. Liderët institucionalë, politikë e fetarë u kanë uruar Krishtlindjet Ortodokse Peshkopit të Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije si dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë, me mesazhe të shprehjes së përkushtimit për vlerat tradicionale të harmonisë ndërfetare, të tolerancës dhe respektit të ndërsjellë ndërmjet qytetarëve kosovarë.
Krishtlindjet ortodokse, 7 janari, janë festë zyrtare e përcaktuar me Ligjin për festat zyrtare në Republikën e Kosovës miratuar në Kuvend në 21 maj e të shpallur me Dekretin e Presidentit në 15 qershor 2008 – vitin e shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik.
Pjesë e besimtarëve ortodoksë është komuniteti serb, i cili në Kosovë përbën 1.47 % të banorëve, sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011. Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut – Mitrovicës veriore, Leposaviçit, Zubin Potokut e Zveçanit, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, ndërsa sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, në ato katër komuna jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Në regjistrimin e vitit 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë, pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë.
Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.