Monda Mara/
“Fjalët e shpirtit”, në edicionin e saj të 6-të, mblodhi të dielën që lamë pas në Brescia të Italisë, poetë, artistë, nxënës të shkollave shqipe me banim në këtë shtet. Kjo veprimtari e organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe nën kujdesin e mbështetjen e Konsullatës sonë në Milano, bëri që fjala shqipe të kumbojë fuqishëm, si për të na treguar se edhe pse mërguar, për ne asgjë nuk do të ndryshojë. Sipas Konicës, shqiptari ka në shpirt të tij një frymë arti. Dhe pikërisht këtë të fundit, artin shqiptar, u munduam ta shpalosnim në shumë forma atë pasdite, duke patur edhe një qëllim tjetër: transmetimin e tij brezit të ri që po rritet në mergim.
E konceptuar në formën e një konkursi të poetëve shqiptarë që bëjnë pjesë në Antologjinë II të Lidhjes dhe interpretimeve të nxënësve të shkollave shqipe, emocionet që na shoqëruan përgjatë gjithë kësaj veprimtarie, ishin vërtet të mëdha. Të ardhur nga shkollat: “Dora e Pajtimit” Milano , “Mësonjëtorja” Brescia , Qendra kulturore “Margarita Xhepa ” Asti, “Besëlidhja ” Rovereto, “Shqiponja ” Reggio Emilia dhe “Ura” Novara, me anë të recitimeve të poezive të ndryshme nga autorët shqiptarë, nxënësit na befasuan me pregatitjet dhe nivelin e paraqitur. Edhe pse u ndanë 3 çmime, secili prej tyre ishte një fitimtar. Të shprehurit në gjuhën e nënës, angazhimi dhe përkushtimi për t’u përfaqësuar sa më mirë në këtë garë, i bën ata fitues të padiskutueshëm.
Përsa i përket konkursit të poezisë shqipe në Itali, ndër 51poetët pjesë të Antologjisë II, u përzgjodhën 20 prej tyre. Dhe këto poezi, u vlerësuan nga një juri e jashtme. Poetët fitues Agim Bajrami, Rudina Muharremi Beja dhe Lumo Kolleshi (sipas vendeve respektive III, II, I), shprehën kënaqësinë për përfshirjen e tyre në Antologji dhe përgëzuan organizatorët për veprimtarinë. Për të pranishmit 3 poezitë fituese u sollën nga vetë këta autorë, duke rrëmbyer edhe duartrokitjet e publikut.
Siç dhe e theksova në fillim, arti u shpalos në shumë forma atë pasdite. Piktorja Vjola Fusha, foli me gjuhën e pikturës. Njëra prej tyre e bërë enkas për këtë ngjarje, iu dhurua autoriteteve lokale italiane, në shenjë falënderimi për mbështetjen që i japin komunitet shqiptar. Gjithashtu tingujt e muzikës sonë nën interpretimin e sopranos së talentuar, pjesë e teatrit “La Scala” në Milano Anila Hoxha Gjermeni, këngëtarit lirik bass me një karrierë të pasur në Itali Artan Lika dhe këngëtarit Neptun Gjata, pjesëmarrës në shumë festivale dhe i vlerësuar me çmime, na bënë të ndihemi akoma edhe më shumë pranë vendlindjes.
Çast i rëndësishëm gjatë veprimtarisë ishte dhe certifikata e nderit dhënë Konsulles sonë dhe Komisares së Diasporës në Itali, znj. Luljeta Çobanaj, për angazhimin dhe mbështetjen e pakursyer ndaj shoqatave dhe shkollave shqipe në këtë vend. Gjithashtu edhe përshëndetja e presidentit të LSHASHI-t, z. Skendër Lazaj, i cili falenderoi të pranishmit dhe uroi që organizime të tilla të tërheqin edhe më shumë vëmendjen e komunitetit tonë për t’u bashkuar në ruajtjen dhe transmetimin e vlerave tona kombëtare.
Kanë thënë për shpirtin se ai ka ngjyrën e mendimeve. E pra mendimet tona atë pasdite të së dielës u lidhën me artin, atë i cili u vesh me ngjyrat tona të flamurit.