Kanë kaluar 17 ditë, prej kur ish-punëtoret e Fabrikës se Tubave në Ferizaj po qëndrojnë në grevë para hyrjes kryesore të Kryeministrisë.
Për shkak të temperaturave të larta, atyre të mërkurën iu është përkeqësuar gjendja shëndetësore, madje njëri prej tyre ka përfunduar në Qendrën Klinike Universitare, ndërsa grevistët e tjerë po qëndrojnë të shtrirë nën tendën e nxehtë nga dielli.
Ali Shabani, kryetar i Sindikatës së Fabrikës së Tubave ka treguar për gazën “Zëri”, se gjendja e tyre po vazhdon të përkeqësohet dita-ditës.
“Njëri prej grevistëve është në gjendje shumë të keqe, në spital iu është përkeqësuar shumë gjendja shëndetësore. Ka infeksion në bark, sepse ka dhimbje të mëdha në bark”, ka treguar ai, duke shtuar se të tjerët kanë probleme me tension për shkak të temperaturave të larta.
Ndërkaq, Nijazi Asllani, anëtar i Këshillit të Grevistëve, ka thënë se gjendja e tyre po keqësohet dita-ditës dhe kanë frikë se do të përfundojnë në spital. Mirëpo, siç ka thënë ai nuk do të heqin dorë deri në momentin, kur të drejtat e tyre do të përmbushen.
Siç ka treguar Asllani, numri i grevistëve vazhdon të jetë 46 si dhe deklarohen të bindur se do të vazhdojnë grevën deri zgjidhjen e pagesave.
Ata, në grevë janë futur prej datës 27 maj si dhe sipas tij do të vazhdojnë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre. Deri më tani, vizitë u ka bërë avokati i Popullit, Sami Kurteshi, po ashtu edhe Behxhet Shala, kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, e ndërkaq duke kaluar afër tyre kryeministri në largim, Hashim Thaçi, u ka premtuar se problemi i tyre do të zgjidhet shumë shpejt.
Më tej Asllani thotë se afër tyre ka qëndruar edhe kryetari i Komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa, me bashkëpunëtorë. Ndër të tjerash, Asllani, ka treguar se në ditën e djeshme, kanë filluar bashkëpunimet me përfaqësues të kryeministrit Thaçi, ku ju kanë premtuar se lënda e tyre do të përshpejtohet në AKP.
“Elmi Recia ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës sot ka ardhur këtu dhe është takuar me ne, në mënyrë që të bashkëpunojmë dhe të kryhet sa më shpejt kjo”, ka thënë ai. Po ashtu, Asllani ka treguar se pritet një vendim nga Oda e Veçantë Brenda kësaj jave për lejimin e ekzekutimit të aktgjykimit të punëtorëve të Fabrikës së Tubave.(Kortezi-Resmije Ballazhi, Zeri)