Kur mësova se mësuesi im i klasës katër fillore do të ishte Abaz Sinani, s’di pse u bëra vetiu krenar; mbase nga që ishte nga kodrat të cilat mua atëherë më dukeshin mal Tomori dhe ai, vinte të na jepte mësim duke zbritur prej tyre përherë kokëlartë, por pa krijuar asnjëherë përshtypjen e fodullit.
Ç’ishte e vërteta ai kishte një pamje krenare, krenari me burim lartësish. I ri, i bukur, shtatlartë, (kështu më dukej mua atëherë), me flokë të trazuar nga erërat e grykave kodrinore të cilët ai i shtronte me gishtat e duarve, sapo i afrohej oborrit të shkollës. Gjithnjë me cigare në buzë. Autoritar.
Flitej se ishte i fortë në matematikë. Mbase kjo ia rriste edhe më shumë autoritetin, pasi ishte lënda më e vështirë dhe më e vlerësuara nga ministria e arsimit, mësuesit, prindërit, nxënësi
Pastaj ai kishte mbaruar Zosimean e Janinës. Kështu flitej. Edhe po të mos ishte e vërtetë ne nxënësve të tij na pëlqente të ishte kështu dhe mburreshim para nxënësve të klasave të tjera me mësuesin tonë zosimeist. Kishte dhe një arsye tjetër më shumë që e bënte mësues Abazin të dukej krenar e të binte sy para ne nxënësve, para kolegëve të tij, prindërve tanë: ai ishte djali i patriotit Tallah Sinani, i njohur e i respektuar, jo vetëm nga zona e Karbunarës së Vogël, por edhe në mbarë trevën e Myzeqesë.
Nuk më pritej deri sa të fillonte shkolla, ta shihja nga afër, pasi e kisha parë gjithmonë nga larg në oborrin e shkollës; t’i thosha mirëmëngjesi, me leje mësues, ta them unë,kur ai të na pyeste që t’i përgjigjeshim në mësim.
Ditën e parë ai na pyeti se të kujt ishim, si i kishim kaluar pushimet duke mos lënë pa pyetur asnjë nxënës, po thuaj. Me përjashtim të Elpiza Pjetrit, Afrim Çeços, Mitat Topolës që i kishin kaluar pushimet tek të afërmit e tyre në qytete të ndryshme, të gjithë ne të tjerët kishim ruajtur lopët apo dhentë ose kishim, rralluar e prashitur apo korrur misër.
Edhe ju që keni punuar, keni bërë pushime aktive, na tha mësues Abazi, duke përkëdhelur tre- katër nga ne. Atë ditë unë mësova fjalën «aktiv» dhe s’lija rast pa e përdorur me vend e pa vend.
Ditët, javët e para u dalluan në matematikë dy nxënësit çamë të klasës sonë: Afrim Çeço që do të diplomohej me rezultate të shkëlqyera e do të kishte një bagazh shkencor mjekësor që i kalonte caqet e dijeve të universitetit, siç do t’i shënohej në dokumentin përcjellës të fakultetit, kur ai u dërgua të fillonte punën si mjek në Berat, në të njëjtin spital me mjekun e famshëm Maksut Dërrasa; kurse nxënësi i dytë çam i dalluar në matematikë Qani Xhevizi
( Sheme) gjithashtu do të diplomohej shkëlqyeshëm në agronomi e do të emërohej në Institutin e Kërkimeve Bujqësore «Ivan Miçurin».
Kur mësuesi na dha notat e semestrit të parë të klasës së katër, tha, ja, këta do të na nderojnë dhe, mësues Abaz Sinanit do t’i dilte fjala për të dy: si për mjekun Çeço dhe agronomin Qani Xhevizin e talentuar në matematikë që meritonte të ndiqte studimet e larta për matematikë, por që për arsye bixarre të asaj kohe, studioi për agronomi.
Mësues Abazi, kishte një zakon që kur klasa fillonte punën e pavarur, ai vente e vinte midis rreshtave të bangave, shikonte se cilin nxënës duke punuar dhe thoshte, ja disa do na nderojnë me shkrimin e tyre, disa me vizatimin, disa në histori…Çdo vlerësim i mësuesit i adresohej dikujt, secili e kuptonte dhe lumturohej, nxitej, ngulitej në mësim.
Mbaj mend, edhe pse kanë kaluar 61 vjet, se kur mësues Abaz Sinani filloi të na shpjegonte mësimin mbi shumëzimin, shkroi në dërrasë të zezë: 2+2+2+2+2= 10, dhe pastaj 5 x 2 = 10, e shihni, pra, na tha, se, shumëzimi nuk qenka tjetër veçse shkurtimi i mbledhjes. Kjo më mbeti gjithë jetën në kokë.
Karakteristikë e mësues Abazit ishte entuziazmi. Atij i gufonte gjoksi kur dëgjonte nxënësit të përgjigjeshin me mençuri e rrjedhshëm në gjeografi e lëndë të tjera, ende pa mbaruar përgjigjen nxënësi, thoshte: ja një gjeograf i ri, një historian, matematikan, muzikant, recitues, këngëtar, poet, fizkulturist, sportist…dhe, ishte tepër kujdesshëm në çaste, kur nxënësi gabonte apo bënte gafë. Më ka mbetur në mend e s’e kam harruar as sot pas gjashtëdhjetë vjetësh gafa që bëri një nxënëse thënies përmendësh të një poezie të një poeti sovjetik për luftën në të cilën glorifikohej Stalini:
«Me plumba, me hekur
Me flak’ e me zjarr,
Ushtari Stalinin e hodhi në varr».
Uuuu, ia bëri klasa dhe shpërtheu në të qeshura. Jo ushtari Stalinin e hodhi në varr, moj, nuk është ashtu, por ushtari i Stalinit e hodhi në varr, thanë nxënësit njëzëri.
E di ajo e di që ushtari i Stalinit e varrosi, e hodhi nazizmin në varr, por meqë fjala «ushtari» është me apostrof, u duk sikur ajo tha «ushtari Stalinin e hodhi në varr», Ju e dini që Nadirja reciton bukur, apo jo?
Pooo, u përgjigjën nxënësit e klasës dhe gafa e Nadires që recitonte bukur me ton dramatik, u harrua në çast. Vura re që mësuesi u qetësua. E keqja ishte kaluar me finesë…
Mësuesi im fliste ngadalë, por vepronte shpejt, nuk linte asnjë nxënës të përhumbej, por e zgjonte, të mefshtin e aktivizonte, i vinte në provë kujtesën, dikë që s’u linte radhë të tjerëve të përgjigjeshin e frenonte butë, pa e prekur, të pasigurtit i mundësonte sigurinë, i forconte guximin.
Duke qen tepër autoritar e serioz, mësues Abazi, nuk bënte humor veçse shumë rrallë. Një të diel, klasa ( kompania) jonë bëri një ekskursion në korën e qytetit. Të gjithë nxënësit paguan lekë dhe komandanti i kompanisë tonë Azis Manka, bleu një arkë me marmelatë. Kur komandanti i kompanisë që ishte nxënës i klasës së shtatë, hapi arkën prej dërrase dhe u duk marmelata, Çeliku i Danes, thirri me gëzim, doli mur-mu la-ta ! Të gjithë ne qeshëm.
Të nesërmen, ditën e hënë, mësues Abazi, çuditërisht u fut në klasë i qeshur, gjithë humor the na pyeti me buzë në gaz: hë, ju pëlqeu mur-mu-la-ta?
Pooo, mësues, na pëlqeu.
Po ty Çelik të pëlqeu?
Dhe Çeliku e kuptoi që mësuesi e kishte marrë vesh që fjalën mur-mu-la-të, e kishte thënë ai dhe duke vënë i ndrojtur buzën në gaz.
iu përgjigj, po mësues, më pëlqeu…
Atë ditë ora e parë e mësimit u përshkua me një humor të gëzuar.
Po ju them edhe diçka që nuk do të ma besoni. Unë nuk mbaj mend që mësues Abazi t’i ketë bërtitur qoftë edhe një nxënësi, pa le pastaj t’i ketë hequr dikujt ndonjë pëllëmbë. Me zë të lartë, madje, gati me britmë, ai na thoshte vetëm vlerësimet. Gjithashtu ai nuk na qortonte, por vetëm na sqaronte. Vetëm sqarimi i shtruar, i butë, ishte qortimi i tij. Si ai mekaniku i mirë që nuk e thyen vidën e ndryshkur, por e vais e pastaj e zbërthen butë-butë.
Abaz Sinani, pinte shumë duhan. Qëllova pranë tij një mëngjes, kur ai po bisedonte me një kolegun e vet në oborrin e shkollës, para se të binte zilja për mësim. Unë pi shumë duhan Andon, i tha ai kolegut të tij, sidomos në mëngjes pi edhe më shumë. Pi aq sa e deh trurin e pastaj qetësohem e jam gjithë energji gjatë orëve të mësimit. Ky rrëfim i mësuesit më mbeti në mendje. Truri i fëmijës regjistron gjithë mençuritë dhe çuditë e jetës, ndaj dhe unë nuk e harrova këtë rrëfim e vetëqortim të sinqertë, këtë përpjekje për vetëpërsosje të mësuesit tim të fillores.
Thashë se mësuesi im Abaz Sinani ishte serioz, shtatlartë, autoritar, me karakter të fortë pozitiv, i bukur, ai zbriste nga kodrat që mua si fëmijë më dukeshin mal Tomori dhe ecte kokëlartë, jo me fodullëk, por me krenari e fisnikëri. Nuk vinte kurrë në shkollë me këpucë me baltë. Sapo i afrohej xhadesë, hiqte çizmet, i lante në Lunjën e Karbunarës dhe i linte në shtëpinë e një miku të tij.
Më kujtohet se kur mësuesi im ecte me kokën lart sikur të shikonte pëllumba në fluturim, në çaste të tilla e përqas tani me Ettoren, aktorin e filmit italian serial që shoh të shfaqet sot e prej gati pesë viteve, Cento vitrine, ose e gjej të ngjashëm me Agimin, djalin e tij të madh, ndërsa kur ai ecte i menduar, me kokën pak të ulur si të kërkonte diçka në thellësirat e tokës e gjej të ngjashëm me djalin e tij të dytë, Petritin. Bëmë baba të të ngjaj, thotë populli, dhe vërtet dy djemtë i ngjanë babait të tyre, jo vetëm në aparencë, por edhe në karakter, dinjitet, fisnikëri, si intelektualë me performacë të çmuar në fushën e arsimit; urtan si babai, e të vlerësuar si ai në qytetin e tyre e më gjerë.
Unë ruaj edhe sot librin Aleksandri i madh, shishen me bojë të jeshile, penën dhe një fletore shkrimi që m’u dhanë nga mësuesi në mbarim të vitit të katër të shkollës fillore, së bashku me dëftesën e lirimit, të shoqëruar me një fletëlavdërimi.
Por ajo që nuk do të harroja kurë ishte çasti i ndarjes, kur në dallim nga disa kolegë mësues, në mbarim të shkollës ndaheshin me nxënësit duke iu thënë me cinizëm: hajt tani shkoni, të ruani lopët, dhentë, kurse mësues Abazi urtan e diellor u nda me ne, nxënësit e tij duke na thënë:
Suksese tani e tutje, në shkollën shtatëvjeçare e, na nderofshi si ç’na nderuat në fillore.
Pastaj duke qeshur më tha mua: besoj se ti, “piktori” i klasës, do t’i zmadhosh një fotografi mësuesit tënd e t’ia dhurosh, apo jo? dhe më përqafoi me mall.