Nga Uran Butka*/
I nderuar Ceno/
Familja Çaushi dhe Luzaj/
Miq e të afërt, qytetarë të Kaninës, personalitete të Vlorës e të Shqipërisë,/
Sot po përcjellim me dhimbje e hidhërim për në banesën e fundit, të ndjerën RAHILE ÇAUSHI, por vetëm fizikisht, sepse shpirtërisht atë e kemi brenda nesh, ajo jeton e do të jetojë gjithnjë brenda shpirtit të bashkëshortit, Cenos, djemve: Bernardit dhe Edit, nipërve: Zgjimit e Klodit, mbesave Rahile e vogël dhe Klara, miqve, farefisit e dashamirësve të familjeve Çaushi e Luzaj, të cilët kanë buisur e ardhur nga të gjitha anët në këtë ceremoni madhore përfaljeje e lamtumire.
E ndjera Rahile vinte nga një familje atdhetare dhe intelektuale e njohur e Kaninës, nga familja Luzaj, të cilën e bëri edhe më të njohur brenda dhe jashtë vendit, vëllai i saj, profesor Isuf Luzaj, i shkolluar në Francë e mandej në Amerikë, intelektual me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, antifashist i orëve të para, që bashkë me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon, themeluan Ballin Kombëtar të trevës së Vlorës në vitin 1939 dhe luftuan kundër pushtimit Italian të Shqipërisë. I internuar në ishullin Ventotene, bashkë më 14 vlonjatë antifashistë, rezistoi atje kombtarisht dhe nuk pranoi të nderonte alla-fashiste, së bashku me Safet Butkën, Abaz Ermenjin, Selman Rizën, Llazar Fundon, Bego Gjonzenelin, Abduraman Kreshpanin e të tjerë. Madje, në Ventotene ai shkroi një poemë epike kushtuar Safet Butkës, ndaj edhe unë, në emër të familjes Butka i kthej familjes tuaj mirënjohjen e thellë dhe i shpreh asaj ngushëllimet për humbjen e të ndjerës Rahile, e cila atëhere ishte pjesë e rëndësishme e qëndresës shqiptare, edhe kur vëllai i i saj luftonte kundër nazifashistëve, edhe kur ai mori pjesë si përfaqësues i Vlorës në Kuvendin kombëtar të Mukjes për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike, të bashkuar me Kosovën, edhe kur nisi lufta civile e provokuar nga komunistët, edhe kur familja e Rahilesë u vu në shënjestën e persekutimit çnjerëzor, edhe kur Isuf Luzaj iku përfundimisht nga Shqipëria në emigracion politik, për ta vazhduar atje përpjekjen, duke lënë në Kaninë nënën e gjorë dhe gruan me pesë fëmijë të mitur, më e vogla vajza një vjeç që vdiq në Qishë-Bardhë, ku i kishin dëbuar familjarisht.
Vajzë 26 vjeçare, edhe Rahileja u arrestua dhe u dënua me 10 vjet heqje lirie në burgun e Tiranës për agjitacion e propagandë dhe strehimin e një të arratisuri politik antikomunist. Në burg ajo qëndroi si një burrëreshë Vlonjate, nuk u ligështua dhe nuk u thye kurrë, duke u bërë shëmbull rezistence edhe për gratë e tjera shqiptare të burgosura nga regjimi.
Pasi doli nga burgu, u martua në internim në Lushnjë me mallakastriotin patriot Ceno Çaushi dhe prej andej u dëbuan familjarisht në Hekal të Mallakastrës. Atje nisën hallet e tjera të saj, sepse Çenon e arrestuan dhe e burgosën për agjitacion e propagandë kundër pushtetit. Ithtar i Ballit Kombëtar dhe antikomunist i vendosur, Cenoja u dënua tri herë me 18 vjet burg, por ai e denoncoi hapur regjimin diktatorial dhe personalisht E.Hoxhën, si askush tjetër. Ai u bë simbol i qëndresës nëpër burgjet komuniste, edhe jashtë tyre, kur u lirua, por edhe sot.
Fisnikja dhe hallemadhja Rahile mbajti në shpinë dhe në shpirt hallet e familjes dhe mbajti gjallë të shoqin në burgun famëkeq të Burrelit, por edhe i rriti me sakrifica dhe i edukoi shqiptarisht dy djemtë: Bernardin, që sot është një personalitet dhe një atdhetar e demokrat i përkushtuar, edhe Edin, i cili, ndonëse ndodhet larg në Amerikë, e ndjen me shumë largimin dhe humbjen e nënës së shtrenjtë. Po ashtu edhe nipërit e mbesat, që ajo i ka rritur me dashuri, e përcjellin me dhëmsuri të jashtëzakonshme engjëllin e tyre mbrojtës. Edhe nusja,Evgjenia, e cila i shërbeu të ndjerës Rahile si një bijë, si një ilaç shpirti, nga që edhe ajo rridhte prej një familjeje luftëtarësh nacionalistë, nga e cila u vranë dhe u masakruan nga Sigurimi i Shtetit dy gjyshërit e saj, Veledin Hadëri nga Lepenica dhe Jaçe Leskaj nga Smokthina, martirë të kombit.
Edhe nipërit e saj të vuajtur e të pandarë Luzaj, Muhameti, Kujtimi, ish-i burgosur politik, Dalani dhe Elisabeta e përcjellin me mall e dashuri hallën e tyre të jashtëzakonshme, trimëreshë, fisnike, të papërkulur, të vuajtur, që s’u ankua kurrë, përfaqësuese e denjë e grave dhe nënave të papërsëritshme të Vlorës e të Shqipërisë.
I përjetshëm kujtimi i Saj!
Të qoftë i lehtë dheu i Kaninës dhe u prehsh në paqe!
Me përultësi,
*Uran Butka. Fjala ne percjelljen e fundit. Dergesa per Diellin shoqerohet me kete mesazh: I nderuar Dalip, pershendetje!