Shani Pnishi/
Shtëpia Shqiptare në Hamilton të dielën, me thirrjen e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Toronto, bashkoi shumicën e shoqatave aktive të komunitetit tonë në Ontario, përfshirë këtu edhe aktivistë të devotshëm që kanë kontribuar dhe vazhdojnë ta japin ndihmën e tyre në forma të ndryshme. Të pranishëm në mbledhje ishin përfaqësues nga: Shoqata e Bashkësisë Shqiptaro- Kanadeze e Torontos, Shoqata Shqiptare e Hamiltonit, Shoqata Shqiptaro- Kanadeze “Iliria” e Londonit, Rrjeti i Bizneseve Shqiptare në Kanada, Shoqata Shqiptaro- Kanadeze “Bashkimi Kombëtar” nga Kitcheneri, RH Scholarship nga Toronto, Xhamia Shqiptare e Torontos dhe Shoqata e Studentëve Shqiptarë në York University në Toronto. Në mbledhje u diskutuan çështje të rëndësishme të komunitetit tonë, dhe u pajtuan që të rritet bashkëpunimi i shoqatave me organizime të përbashkëta. Gjithashtu pati pajtueshmëri që të punohet më shumë për integrimin e profesionistëve në shoqërinë politike kanadeze, dhe përfshirjen e rinisë dhe studentëve nëpër organizatat e diasporës sonë në Ontario.
Në një postim në Facebook, Konsullata e Kosovës në Toronto shkruan: “Tema kryesore e diskutimit ishte se si ta ngrisim organizimin e mërgatës sonë në një nivel më të mirë, në një nivel tjetër që do të hapte rrugë edhe perspektiva të reja për mërgatën tonë. Të gjithë të pranishmit pa përjashtim u pajtuan që punët që janë bërë deri tash kanë qenë një kontribut i çmuar për të gjithë, por dinamikat dhe ndryshimet e përgjithshme shtrojnë nevojën e dinamizmit dhe përshtatjes edhe të mërgatës sonë”. Në njoftim thuhet se “të pranishëm ishin: kryetarja e Shoqatës Shqiptare në Toronto Irena Breznica dhe nënkryetari Rexi Ferati, kryetari i Shoqatës Shqiptare në Hamilton Fatmir Laçi dhe ish-kryetarët Shani Pnishi dhe Refki Sertolli, Vigan Shabani, kryetar i Shoqatës Shqiptare “Iliria” në London me përfaqësues të tjerë nga Londoni, Naser Berisha, kryetar i Rrjetit të Bizneseve Shqiptare në Kanada, Lejdi Ago përfaqësues i Shoqatës Shqiptare në Kitchener, përfaqësuesit e Xhamisë Shqiptare në Toronto Ardian Rushiti dhe Gazmend Mehija. Ndërsa nga Misioni Katolik Shqiptar në Toronto e përshëndesin takim edhe pse fizikisht nuk ishte e mundur që të jenë prezent. Intelektualë dhe veprimtarë si Teuta Ajdini- Haxhillari, Xhemi Agaj, studentët nga disa universitete të ndryshme e shumë e shumë të pranishëm të tjerë të cilët i falënderojmë me gjithë zemër për pranin dhe kontributin e tyre”.
Mbledhja e radhës do të mbahet në janar të vitit 2024.